Apolloni: Qeveria nuk ka bërë asgjë, nëse së shpejti këtë gur nuk arrin ta kthejë në vend të vet

8 Tetor, 2023 - 1:30 pm

Shkruan: Ag Apolloni

Mora vesh që Guri i Pashkës qenka përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore. Një gjë e kam thënë dhe më duhet ta përsëris: ai gur s’ka kurrfarë vlere larg vendit ku ka qenë vendosur. Natyrisht, më vjen mirë që nuk e lanë Hasanin me e thye gurin, mirëpo Qeveria dhe qytetarët e Kosovës s’duhet të lënë gur pa lëvizur për ta rikthyer atë gur simbolik në livadhin ku ka qenë, e nga ku pronari musliman i tokës e ka hequr me një arsyetim fetar.

Nuk e kuptoj si mundet që një shqiptar ta heqë një gur të tillë, me aq peshë për historinë dhe tragjedinë e Kosovës, dhe një komunitet masiv musliman të heshtë sikur s’ka ndodhur asgjë. Guri u hoq me arsyetim fetar (“se po dojnë me ndërtu kishë”, ka thënë pronari), prandaj do të duhej që me këtë punë të merreshin edhe klerët fetarë, përfshirë edhe myftiun e Kosovës. Hasani ia ka dhënë besën familjes së Pashkës se s’do ta heqë kurrë gurin, as ai, as kurrkush. Mirëpo ja që u pa se ai s’paska besë, megjithëse qenka besimtar. Pa besë ndoshta mund të jesh besimtar, por shqiptar kurrë. Nëse ka ndonjë musliman që e ndien veten edhe shqiptar, duhet të shkojë të livadhi i Hasanit dhe ta dëshmojë.

Luteni ta kthejë gurin!

Kërkoni ta kthejë gurin!

Bindeni ta kthejë gurin!

Detyrojeni ta kthejë gurin!

Shteti duhet t’i provojë të gjitha metodat për ta rikthyer gurin:

  • t’ia çojë një delegacion pronarit të tokës që t’ia shpjegojë rëndësinë dhe domethënien e Gurit të Pashkës;
  • t’ia çojë një hoxhë dhe një prift që ta sigurojnë se s’mund të ndërtohet kishë në vendin ku është kryer një vetëvrasje;
  • t’i bëjë ofertë për t’ia blerë atë copë tokë, dhe ta rivendosë gurin ku ka qenë.

Përndryshe, gjesti i Hasanit është jashtëzakonisht përçarës dhe, jo që mund, por edhe duhet të shihet si akt i mostolerancës ndërfetare, apo edhe si akt i ekstremizmit fetar musliman.

Pra, Qeveria nuk ka bërë asgjë, nëse së shpejti këtë gur nuk arrin ta kthejë në vend të vet. Guri në vetvete nuk do të thotë asgjë. Mund të ishte një tabelë, një dru, një hekur, çkado. Unë nuk do ta vizitoja kurrë atë gur në ndonjë bodrum, oborr, apo muze. Kudo tjetër ai është thjesht gur. Vetëm në vendin e vetëflijimit kthehet në simbol. Pra, vendoseni gurin aty ku e ka vendin. Ai gur është i rëndë vetëm në vend të vet. Kthejeni aty! Një gur në letër (në listë) s’ka kurrfarë domethënie.

Por, një histori në letër, ka shumë domethënie. Prandaj le t’u bëhet e qartë Hasanit dhe hasanëve të tillë, se historia e Pashkë Markut, tashmë është shkruar dhe përkthyer në disa gjuhë, dhe do të jetojë më shumë se guri dhe më shumë se Hasani. Guri duhet të kthehet për t’ia shpëtuar fytyrën Hasanit, familjes së tij dhe bashkëbesimtarëve të tij. Sa për Pashkën, ajo, me aktin e saj mbifetar, ka zënë vend si një figurë e madhe dhe tragjike në historinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme