“Bishti i magjupit me vnu n’kry kapuq t’shiptarit”

8 Qershor, 2019 - 2:59 pm

Daut Dauti

Refuzimi i inkluzivitetit në dy tabllo

Tabllo 1

Në Gjilan, diku kah mesi i viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, ditën e panaxhyrit, një rom e kishte vnu ni plis n’kry e kish dalë n’qytet. Gabim shumë i madh! Hala pa mbërri n’qendër, aty te përmendorja, e kishin zanë nja dy tre shqiptarë dhe e rrehin e sosin. Ylym për qylym e kishin ba romin e ngratë, i cili mezi kish pshtu gjallë.

Arsyeja që e kishin rrehë?: “Bishti i magjupit me vnu n’kry kapuq t’shiptarit”! Arsyetim tërësisht racist.

Romi, me këtë veprim, me siguri ka dashtë që të manifestoj edhe publikisht se dëshiron të bëhet shqiptar. Simbolikë dhe veprim i dështuar i romit kosovar.

Në Gjilan kanë qenë nja dy a tre romë tjerë që bartnin plisa po kurrë nuk e di pse nuk i kanë rrehë edhe ata. Apo, ndoshta i kanë rrehë dhe unë nuk e kam marrë vesh por ata plisat nuk i kanë hjekë nga koka.

Tabllo 2

Disa vite më vonë, poashtu në Gjilan, kam qenë duke ecë rrugës me një kushëri, i cili ishte dy herë më i vjetër se unë. E pamë një kolonë të njerëzve që e çonin një të vdekur te vorret. Kur e morëm vesh se kush kishte vdekë, kusherini m’u drejtu e tha ‘Ah, paska dekë ai tyrqelia’.

‘Shqiptar bre u konë’ – i thashë unë. Ai, pa një pa dy, ma ktheu:’Leje bre se ti je i ri e nuk i di do punë. Unë vet, me veshtë e mi, e kam ni tu folë tyrqe’. Argumenti i kusherinit tim përmbante elemente qesharake por më shumë tragjike.

Porosia e këtyre dy tabllove:

Shqiptarët janë refuzues të inkluzivitetit dhe, si të tillë, të prapambetur. Kurrësesi nuk mundesh me hy brenda bashkësisë së tyre etnike apo kombëtare pasi që kanë vendosë roje te dera. Në Gjilan ka pasë raste që shqiptarët janë bërë serbë. Së paku unë e di një rast. Por, asnjë joshqiptarë nuk ka mund të bëhet shqiptarë edhe pse kanë shprehë dëshirë. Shqiptarët nuk lejojnë me hy brenda tyre e me u shkri me ta. Ata që kanë lindur nga martesat e përziera, nga nënat boshnjake, turke, sidomos serbe, janë shikuar me dyshim të madh dhe janë konsideruar se kanë hy në rrethin shqiptar pa i plotësuar të gjitha kushtet.

Por, shqiptarët e kanë lanë derën çelë për me dalë nga mesi i tyre dhe me u asimilu në tjerë. Kjo është veti e popujve primitivë. Vetëm popujt e kulturuar kanë fuqi asimiluese./KultPlus.com

Të ngjajshme