займ на карту онлайн потребительский кредит

Halili letër të hapur institucioneve: Nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre

8 Janar, 2021 - 11:23 am

Nga Ervina Halili

I nderuar z. Zyberaj,

Me datë 8 Maj 2020, kemi verpuar shumë shpejt në tërheqjen e materialeve të Rilindjes të cilat po qëndronin në kontenjerin e Pallatit të Shtypit, e konsideroj bashkëpunim të suksesshëm. Sot, me datë 8 Janar 2021, gjej shkas përvjetorin e ditëlindjes së Anton Pashkut, një shkrimtar i madh por jo shumë i respektuar sa i përket arkivës së tij, të adresoj një problem tjetër po aq të rëndësishëm e për të cilin do të na duhej bashkëpunim pak më i angazhuar.

1. Kati përdhesë i shtypshkronjës Rilindja, i menaxhuar nga AKP, ka një magazinë të errët dhe të lagësht me libra të shtypshkronjës Rilindja, nga autorë të botuar që nga vitet e 70-ta, të cilat dergjen nëpër lagështinë e dyshemesë. Këto libra do të duhej të ishin pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare e cila do të duhej ta shpërndante në biblioteka rajonale, duke qenë se këto libra, shumica prej të cilave ende janë libra që obligohen si libra leximi nga programet e lëndëve mësimore, të cilat unë vetë gjatë studimeve më është dashur t’i blej me vështirësi se nuk është se janë ribotuar, është e rëndësishme t’i kthehen qytetarit në shërbim.

Biblioteka Kombëtare do të ishte shumë falenderuese (supozoj) nëse do të mund të bashkëpunonit mbi këtë aksion që parimisht është profesional dhe institucional, dmth ju takon ta bëni, dhe së dyti është shumë i rëndësishëm dhe dinjitoz, sepse nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre. Do të ishte shumë mire po ta shihja pak edhe Ministrinë e Kulturës, (Zyra për Trashëgimi Kulturore) të interesohej për këtë trashëgimi. Në anën tjetër, ju i njihni mirë ligjet mbi Arkivat, por po e rikujtoj Ushëzimin Administrativ Nr. 09/2007, Neni 15, që ju obligon të shkoni dhe të interesoheni për këtë material, së bashku me Bibliotekën Kombëtare, dhe zyren për trashëgimi te Ministrisë se Kulturës, mundësisht, e ta vlerësoni nëse ia vlen ta keni apo ta lini në terrinat e mykura.

2. Në hapësirën ku dikur ishte KosovaLive, dmth brenda shtypshkronjës Rilindja, është raportuar që ruhet ende një fond i gjerë i gazetës Rilindja të cilat janë marrë privatisht pas mbylljes së pallatit, thuhet të jenë marrë duplikatet, mesiguri me qëllim të mirë, për t’u mbrojtur. Ky material është arkivë shtetërore. Biblioteka Kombetare poashtu, do te ishte mirë ta shpërndajë këtë material edhe në bibliotekat e tjera rajonale (besoj). Nuk ka të drejtë askush, materialet e lidhura institucionalisht të cilat kanë qenë pjesë e arkivit të gazetës publike, t’i bëjë pronë private. Duhet të gjurmohet ky rast dhe materialet te kthehen sa me shpejt.

A do të kishit mirësinë që stafi juaj ta vazhdonte këtë proces së bashku me Bibliotekën Komëbtare të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës? – Prishtina nuk është rajoni i vetëm që do të duhej ta kishte këtë arkivë.

Unë jam shumë optimiste që së shpejti ky aksion do të përfundojë tërësisht.

U pafshim për lajme të mira!

Ervina

p.s. Kjo letër është dërguar publike vetëm që aksioni të ketë efekt me të shpejtë dhe transparent. / KultPlus.com

Të ngjajshme