Njohja e botës së fëmijëve për një rritje të shëndetshme

12 Korrik, 2019 - 11:39 am

Nga Batjar Halili

Çfarë duhet të kuptojmë?

Ne e kuptojmë se fëmija zhvillohet në një mënyrë të ekuilibruar, koherente dhe krijon aftësi për të përballuar vështirësitë në botën ku jeton. Me fjalë të tjera, ne flasim për një shëndet mendor që mund të prodhojë zgjidhje kur fëmija (individi) është vetëm. Shpesh ngrejmë pyetje për problemet e fëmijëve dhe shpesh kërkojmë sugjerime të tilla si p.sh. si ta bëj këtë apo atë, të veproj kështu apo ashtu etj. Megjithatë, nuk ekziston një përgjigje e vetme, se si shpirti mund të jetë një ilaç i vetëm, si të jesh i mirë apo i drejtë. Për këtë arsye, i afrohem kësaj teme me konceptin “hyrje në të bukurën që bën pjesë në fushën e artit dhe estetikës filozofike.”

Po rendisim disa nga gjërat që e bëjnë të bukur jetën fëmirore dhe rolin e prindërimit

Leximi dhe roli i tij në zhvillimin mendor. Shëndeti mendor i fëmijëve ka një lidhje të drejtpërdrejtë me fjalët. Prandaj leximi është shumë i rëndësishëm. Nëse një fëmijë fiton zakonin e leximit të poezive ose tregimeve, ai / ajo mëson të lidhë fjalët së bashku. Ndërsa zhvillon fjalorin, po kështu zhvillon edhe universin e mendimeve. Zhvillimi i mendimit varet nga fjalët. Prandaj, aftësitë gjuhësore të fëmijëve duhet të përmirësohen për zhvillimin e shëndetit mendor. Artin, poezinë, letërsinë dhe estetikën duhet t’i vëmë në qendër të jetës sonë dhe të fëmijëve tanë.

Njohja e kërkesave, botës së fëmijës dhe përshtatja. Shumë prindër i japin vetes të drejtë, duke thënë se fëmijës mjafton t’i japësh dashuri – dhe dashurinë e lidhin me puthjen që ja japin – t’i jepësh të hajë, të pijë, të flejë dhe me kaq e ke kryer detyrën tënde prindërore. Por këto nuk janë ato që i kërkohen një prinderimi të mirë! Këto janë kushte biologjike për të cilat ka nevojë çdo njëri që vjen në botë, qoftë fëmijë, qoftë i rritur. Prandaj duhet ta kuptojmë se fëmijëria është një gjë e përkohshme, por e mrekullueshme dhe kërkon një përkushtim më të madh sesa këto që cekëm më lart. Pastaj prindërit duhet ta kuptojnë se e ndajnë jetën me fëmijën dhe rriten bashkë me të. Për shembull, prindërit duhet të luajnë me fëmijët e tyre dhe të përfshihen në botën e tyre dhe kjo përbën një aktivitet që jo çdo prind ka aftësinë dhe durimin për ta bërë. Për këtë, ju duhet të mësoni dhe të përshtateni për të luajtur lojërat që kërkon mosha e fëmijës suaj. Për fat të keq, prindërit nuk dinë të luajnë me fëmijët e tyre. Si të rritur ata ndonjëherë bëhen kaq realistë sa humbin kënaqësinë dhe pastërtinë e lojës. Prandaj meqë nuk dinë si të luajnë, ata nuk mund ta përmirësojnë komunikimin e tyre me fëmijët.

Njohja e fëmijës dhe nevoja e rolit ndërmjetësues. Prindi duhet të jetë një ndërmjetësues i shkëlqyeshëm dhe bashkëpunues mes mësuesit dhe fëmijës. Njohja e fëmijës nuk është një proces i lehtë. Në shumë vende të përparuara të botës për të njohur fëmijën, para së çiftet të hyjnë në botën prindërore bëjnë kurse dhe përgatitje për një prindërim të mirë. Një prind duhet së pari të njohë fëmijën e tij, ai duhet ta njohë temperamentin dhe karakterin e tij. Ai duhet ta rrisë fëmijën e tij në përputhje me atë karakter. Kjo mund të arrihet duke u fokusuar në shpirtin e fëmijës./ KultPlus.com

Të ngjajshme