MIQT – ‘çmenduria’ e guximit Prishtinas

9 Tetor, 2021 - 12:28 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

I

‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës

II

Pandemia, ‘Kafiqi’ – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?

III

‘Kafiqi’ – sociologjia ku ndodh lufta jonë!

IV

Kafet e rakisë – “Rakia connecting people”

V

MIQT – ‘çmenduria’ e guximit Prishtinas

Në Miqt, qysh në hapin e parë e kupton se je në një ambient krejtësisht ndryshe. Je në Prishtinë. Në diçka që ka lindur relativisht shumë vonë, e shumë guximshëm. Diçka që është ndërtuar me sakrifica të të rinjëve të saj që kanë paguar me jetë. E deri tek shkatërrimi i tërë ambienteve të këtij lloji dhe nisjes nga fillimi. Je në Prishtinë me të gjitha “shortfalls” të saj, e me të gjitha simpatitë e guximit edhe megaloman edhe të inspiruar për të qenë dhe për të përkitur në botë.

Miqt është pub/’kafiq’  për të cilin nuk ka njeri në Prishtinë që nuk ka dëgjuar. Por, që rrallë ndokush që nuk jeton në Prishtinë ka shkelur apo përjetuar atmosferën e tij. Gjë që do të thotë se është ambient rrënjësisht prishtinas dhe i prishtinasve.

Por, çka e bën një ambient të jetë i prishtinasve, apo pse të quhet kështu? Prishtina dhe sidomos kultura e socializimit dhe argëtimit në Prishtinë është diçka e mësuar vetë, e papërvojë të gjatë, dhe fuzionim i kulturave globale. Më pastaj, Prishtina në këtë fushë të kulturës është guximi dhe pasioni për të krijuar atmosferë dhe frymë hedonizmi e shijimi të ‘natës’. Më tutje është e lindur në shtypje e sipër (nga ish-Jugosllavia, e sidomos në kohën e Millosheviqit), dhe ka qenë dhe është një prej frymëve më avangarde dhe më të zëshme të shprehjes së qytetarëve të saj, prej fashion e deri tek konsumimi i muzikave më kontraverse e komplekse të bashkëkohores. Dhe, të gjitha, të gjitha këto e karakterizojnë pub-in/ambientin Miqtë dhe i japin shënjimin e frymës prishtinase.

Por në të vërtetë, me sa u tha, dhe më tutje, Miqt duke qenë kulturë tejet e hollë, por e ndërtuar nën shtypjen e lartcekur, dhe e mësuar “tuj pa tuj ba”, në të vërtetë e shprehë këtë kulturë duke përpunuar dhe duke kultivuar – anitdizajnin –, apo, anti – konsumerizmin, dhe anti – trendin. Por gjithnjë duke i dhënë rëndësi të madhe shijes dhe karakterit prishtinas të revoltuarit dhe të të shtypurit, e aq më shumë të të qenit “underdog” si fuqi konsumi, trendi e impakti jashtë Prishtinës.

Ajo që shijuesi i ‘natës’ e kërkon në përjetimin e hedonizmit është krejtësisht individuale dhe personale, qoftë edhe në atë që po trajtohet këtu: në frymën prishtinase. Fryma prishtinase tashmë nuk është e mundshme të qarkohet e të konsumohet vetëm në kuarte e në kthina të izoluara, ajo në të vërtetë është e hapur ndaj të gjitha ndikimeve dhe përjetimeve, prej tallava-së, e deri tek Kafet e Rakisë, kuart i cili ofron atmosferë ballkanase e ambiente të “politikave të rënda në tavolina”. Por Miqt është i veçantë në hapjen e frymës së Prishtinës duke qenë se kultivon dhe flakëron ndjenja e shijime krejtësisht spontane dhe të paprogramuara.

Përpos karakteristikës së Miqve për të kultivuar – anti – kulturën dhe revoltën me shije prishtinase, Miqtë është karakteristik edhe në krijimin e ndjenjës dhe frymës së përkatësisë dhe të socializimit, një atmosferë e hapur dhe pranuese. Gjithashtu karakteristikë e Miqve është edhe muzika që e kultivon, herë me DJ e herë me ‘selecta’ apo playlista. Muzika e tyre është një karakteristikë po ashtu prishtinase duke qenë se përfshinë prej Underworld e deri tek albume të tëra të Doors, kështu duke qenë mundësi e pafundme e eksplorimit të ‘natës’ pavarësisht fillit të saj.

Për të përfunduar, një karakteristikë e rëndësishme e Miqve është të trajtuarit e kësaj fushe të kulturës dhe të socializimit, jo si biznes aq shumë, e shumë më shumë si përpjekje për të ruajtur, ndërtuar dhe për të shprehur kulturën e Prishtinës dhe aq më shumë të hedonizmit kosovar.

Në të vërtetë për t’ia dhënë meritën që e ka Miqtë në hartën e ambienteve të Prishtinës, ai është vetë udha e nisur në fund të viteve shtatëdhjetë e fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar në Prishtinë (edhepse jo i vetmi ambienti i këtillë), të kësaj fushe të kulturës dhe të hedonizmit, dhe e cila pavarësisht se Miqtë janë unik dhe origjinal në mjeshtërinë e tyre, po arrin hapje tërësisht të pjekura globalisht e në ndër-komunikim me globalen e kësaj fushe të kulturës.

Të jesh i çmendur, doemos duhet të kesh një obsesion, obsesioni i Miqve është të të bëjnë të ndjehesh mirë, kur feston, eksploron ‘natën’ apo qëmton derte me shoqëri.  / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme