Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta

3 Dhjetor, 2018 - 6:31 pm

Arbër Selmani

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta

“Nuk ka paaftësi më të madhe për një shoqëri sesa pamundësia ta shohë njeriun më përtej”

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, me patjetër duhet të kujtohemi që kërkohet pak për lumturinë e disa njerëzve të cilët nuk janë si ne, si të tjerët, por as nuk duhet të jenë, tek e fundit.
Kërkohet pak prej neve që në një mënyrë a tjetrën, me një dorë që ndihmon ose një krahëror që mban ose një karrocë që numëron minuta jete ose një përqafim që kushton hiç, këtyre personave ua bëjmë ditën më të lumtur, javën, muajin, vitin, jetëgjatësinë.
Shembull, eduko fëmijën tënd, respektivisht veten tënde, që mos ta shikosh një person më ndryshe se ti sikur të ishte fundi i botës, pamja makabre në televizion. Asgjë nuk është e jashtëzakonshme, veç një krijesë që mendon më ndryshe se ti dhe shpeshherë është mbi ty e intelektin tënd.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, mësoje se dy vetura afër njëra tjetrës do të thotë pamundësi për hyrjen e një karroce, ndërsa dhjetë vetura bashkë nënkupton pesë persona të cilët për fajin tënd nuk kanë kah të dalin prej rrëmujës. Mëso se ti ke këmbë, dikush nuk ka, dhe mos hap sytë. Ndihmo.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, çohu në kafe dhe shko përqafoje atë fëmiun të cilin krejt kafiqi po e shikon sikur të ishte vetë Zoti zbritur në Tokë. Shko dhe tejkaloje veten, preke një tjetër trup që e ka përmbushjen që e ke ti. Ja, ndodhë përmbushja pas dhjetë sekondave.
Sidomos në një shoqëri si Kosova, ku palaçot në parlament kanë ditur shpesh të mos votojnë për këta njerëz, provo e hape mendjen. Forcë do të thotë të ndihmosh. Telefonoje dikë që çdo ditë kalon në sfidë, prishe rehatinë tënde, je aty për njerëzit që patën një fat më ndryshe se ti. Se fati rrotullohet.
Ti je i vetëdijshëm mbi këtë, por nuk e mendon. Planet dështojnë, jo rrallë.

E ke edhe ti një familjar të largët, ose të afërt, që ka aftësi më të veçantë. Vizitoje, shko shihe, bleji një dhuratë, harxho kohë. Disa njerëz kënaqen me pak. Mësoja një shkronjë, tregoja një botë, jepi pak prej vetes tënde. Nuk kërkohet shumë.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, të fajësoj se je rahat në kolltukun e mendjes tënde, që lehtë shihet se është i vyshkur nëse nuk ndihmon dikë tjetër në nevojë. Merre një njeri me nevoja të veçanta, dil në rrugë, shko në kinema, jepi pak ujë, ftoje në ditëlindje, organio një ditëlindje për të, shko në ditëlindjen e tij a saj, puthe në ballë si puthet njeriu për herë të fundit, bëje të ndihet lirë me ty.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, nuk ka të tjerë këtu. Jemi të gjithë ne mes vete, dhe nevojitet veç një dashuri dhe një tjetër, dy, të bëhet më mirë për secilin individ që nuk ndihet mirë, ose ka nevojë për dhjetë gishta tjerë drejt frymëmarrjes më rehatshëm. Jeta godet, por asnjëherë aq fuqishëm sa një gjest i mirë.

Të ngjajshme