Normaliteti shqiptar, vajzat e pasura të show dhe profesorët e varfër

7 Tetor, 2018 - 3:30 pm

Nga Ben Andoni

Nuk është se Shqipëria bën ndonjë dallim të madh nga vendet e Lindjes, më saktë vendet e krahut matanë të kampit komunist, sa i përket trajtimit të njeriut të mendjes. Intelektualët që kanë derdhur djersë, atyre që u dedikohen shumica e bërjes së veprave në vend, janë dhe do të mbeten të varfër. Përndryshe, pseudot, hileqarët dhe shumë nga njerëzit e konjukturave janë të pasur. Disa prej intelektualëve tanë më të njohur tashmë në pension ose në moshë të thyer nuk mund t’i dallosh nga skamnorët e zakonshëm, që kanë pasur punë mbijetese dhe përballen njësoj me pensione qesharake. Vazhdojnë punojnë e gjallojnë në shtëpitë me kubaturat e ulta, në lagjet më të varfra të kryeqytetit në mjedise krejt modeste, të rregulluara shumë keq, pa shije, e mbi të gjitha me gjurmë tipike të një vjetërsie që shfaqet normale tek ta.

Ish-kryetari i Akademisë, i ndjeri Shaban Demiraj punonte deri në fund të jetës (pak vite më parë), në tavolinën e bukës me librat në një cep dhe pjesën tjetër ia linte vendit të ngrënës; profesor Kristo Frashëri, jetonte i veçuar në një apartament, që pak vite më vonë do jetë patjetër krejtësisht i pabanueshëm. Ndërtuesi i njohur Petraq Kolevica jeton ende në prag të 90-ve një apartament modest afër Bërrylit, krejt i harruar nga shoqëria, njësoj si shkrimtari i njohur Gaqo Bushaka dhe Inxhinieri Kristo Goga, mes shumë e shumë të tjerëve syresh, që nuk na bie dot rasti t’i përmendim të gjithë. Po sa të tjerë vallë?

Ndodh shpesh, që nga rrugëtimet e tyre ose më saktë baresjet ditore u kalojnë pranë vajzat e bukura, ato që shohin në stacionet televizive. Pakkush nga këto bukuroshe që u hedhin vështrime përbuzëse nga makinat e fundit, ka dëgjuar për ta. Madje, nëse do të drejtohej ndonjë pyetësor atëherë do të merreshin përgjigje nga më të jashtëzakonshmet prej tyre, pasi vajzat e bukura me gjasë dinë të gjitha skutat nga nxirret leku, dollari dhe euro, por aspak për kontributet e këtyre njerëzve. Po ç’u duhet vallë? Një makinë e bukurosheve vlen gati me krejt banesën e skamnorëve intelektualë. Dhe, ata që kanë ngritur diga, kanë projektuar hidrocentrale, kanë tharë moçale, kanë projektuar fabrika, sot të pagojë e të nëpërkëmbur jo pak, ecin drejt fundit të tyre, duke u kujtuar në nekrologjitë ose në rastet më të mira kur i kujton dikush shkarazi për homazh. Për hir të së vërtetës, shumë syresh, janë të harruar se e tillë është kjo shoqëri, ku janë bjerrur vlerat morale dhe për vlerësime konsiderohen vetëm gjërat që kanë dukje në lëbyrjen e këtij vendi fals, që tashmë po shndërrohet drejt një sensi të paimagjinueshëm.

Po çfarë listojnë vallë njerëzit sot në vlerësime? Më së shumti dihet. Statusin shoqëror, paratë dhe njohjet. Për hir të tyre, gjykatësi ta kthen vendimin dhe ia jep pronën e trashëguar një akshi, që nuk ka pasur turp të falsifikojë tokën e tjetrit, thjesht se ka lidhje me pushtetin. Mjeku të rrëmben dhe lekun e fundit, në mënyrë që njeriu yt të mbijetojë dhe pak ditë. Politikani të merr nëpërkëmbë në çdo të dalë publike. Koha ka ikur për vlerësimin e vërtetë të atyre që mësohet në shkollë. Morali është i panevojshëm, dinjiteti, studimi, librat ca më keq. Në botën e sotme vlejnë paratë, asetet hirnore të femrave dhe në rastin e Shqipërisë dhe përkatësitë politike. Këtë kanë kuptuar profesorët e rinj të shekullit XXI, ndryshe nga profesorët e vjetër që kanë ndërtuar Shqipërinë. U mjafton një aderim në parti, apo mbajtja e interesave të një grupi afër një përkatësie politike, lëpirja pas interesave të ngushta të disa kinse-pronarëve, që të mos përsërisin fatin e paraardhësve të tyre. Veçse këta nuk e kanë ndërtuar Shqipërinë, thjesht jetojnë ende duke kompiluar librat e paraardhësve dhe kolegëve të huaj. Po vajzat e show? Të ngratat dhe viktimat e paradokseve thjesht mbushin hapësirat e pangopësisë publike. Ndaj, u ngjajnë fluturave, që vinë dhe ikin, duke u zëvendësuar me të tjerat dhe duke mbetur vetëm imazhe, që harrohen sa hap e mbyll sytë.

Po vallë ia vlen të ndihmosh dhe të kontribuosh për zhvillimin e vendit tënd, nëse idealizmi yt do të shpërblehet pas një moshe me harresë dhe skamje? Kjo është pyetja, përgjigja e të cilës dihet qartë për shumicën. Jo, nëse nuk ke interes. Pasi, edhe këtë të fundit duhet ta dish ta materializosh në para të thata. Se, nëse fati nuk të jep mundësinë e hirushit apo të vajzave të bukura, që në masë jo të vogël janë trofe dhe kreditë të pabarazisë së shoqërisë së bukur, shkëlqimit të rremë të civilizimit tonë, asaj që sot bota nuk e zgjidh me shkollat e saj të mendimit dhe realizimet e jashtëzakonshme të ideve, ti je një vdekëtar që ecën në botën e të gjallëve. Anipse sa të zgjidhet kjo, profesorët idealistë të vendit tim do mbeten të varfër dhe shpesh të përbuzur, kurse ato vajzat e bukura do vazhdojnë të na përplasin luksin dhe fatin e tyre të jashtëzakonshëm. Po kjo nuk përbën më ndonjë çudi në ditët tona.

Të ngjajshme