Poezi për Fuqi

15 Mars, 2019 - 6:00 pm

Shkumbin Beqiri

Ngjarje e organizuar nga ARTPOLIS me 6 mars 2019, i ka dhënë Prishtinës një atribut kulturor, të munguar prej kohësh. Aty ku poet dhe artistë, por edhe pjesëmarrës nga publiku, kanë lexuar poezi të tyret dhe të poetëve të njohur, me subjekt gruan, të shoqëruar me muzikë. Barazia gjinore ishte mesazhi i përqafuar përmes poezisë, në ato përmasa që lipsen nga një shoqëri demokratike.

Më shumë se sa tematika; ideja, formati i organizimit, mënyra e përcjelljes së mesazhit, ishin elemente të cilat bënë diferencën në raport me ngjarje tjera të organizuara në vendin tonë. Thënë troç, ARTPOLIS  arriti ta krijoj një hapësirë publike, për një shfaqje intelektuale, në një realitet i cili është përjashtues për rezonime intelektuale mbi problemet sociale, siç mund të jetë barazia gjinore në këtë rast.

Janë të rralla rastet në Kosovë, kur organizohen takime në të cilat çështje me rëndësi trajtohen nga një këndvështrime më profesionale. Niveli i debatit këtu është medietik, pra mungon ai intelektual.  Për më keq se kaq, edhe katedrat e Universitetit të Prishtinës nuk janë hapësira publike, ku mund të zhvillohen diskutime më përmbajtjesore. Më të zakonshmet këtu janë diskutimet nëpër konferenca nga organizatat e shoqërisë civile, kur trajtimi i problemeve është aq sipërfaqësor sa përfundimet e tyre, në të shumtën e rasteve nuk iu shërbejnë as për lajm medieve elektronike dhe të shkruara. Të kundërtën e kësaj e bëri ARTPOLIS me Poezi për Fuqi.

E gjithë dilema që kam është, nëse shembulli i ARTPOLIS do mund të praktikohej që të trajtohen edhe probleme tjera, si; moszhvillimi ekonomik të shpjegohej përmes mësimeve të ekonomisteve të njohur si Jeffrey Sachs, apo funksionimi i dobët i sistemit politik nëpërmjet formulave të politologëve Giovanni Sartori apo Robert Dahl?!

Nëse kjo do mund të ndodhte, nuk do të kishim këtë pamje të zymtë për të ardhmen, që domosdo lidhet me politikën, e rrjedhimisht edhe me ekonominë. Shoqëria kosovare ka pranuar pa debat një sistem politik, i cili bëhet gjithnjë e më shumë konfuz në funksionimin e tij. Njëjtë është bërë edhe me modelin ekonomik, i cili duke mos ndjekur këshillën e novelistit të ekonomisë Milton Fridman, që të mos fillohet privatizimi pa vendosur shtetin ligjor, e ka sjellë për pasojë krizën e saj që të gjithë ne sot e jetojmë.  

Legjitimiteti i politikave dhe legjislacioneve përmes organizimeve të tilla, do të kishte tjetër përmbajtje, natyrisht më të mirë se tani./ KultPlus.com

Të ngjajshme