займ на карту онлайн потребительский кредит

“Profeti nga Praga”- I ringjalluri

Qershor 8, 2018 - 8:30 pm


(Musa Ramadani: “Profeti nga Praga”, “Mapo”, Tiranë, 2017)

Shkruan: Valjeta Rexhaj

Ringjallja apo rikthimi, kujtimet, ndërgjegjja, premtimet, shpresa, vendlindja, dashuria, rinia, fantazmat, të gjitha këto të bashkuara në një padyshim në mënyrën më të mirë, nga Musa Ramadani na paraqesin figurën e plotë të të famshmit, shkrimtarit të rikthyer nga amshueshmëria – Kafkës.

Vepra e përbërë nga një parakaptinë : lajm-shpall-ftesa, nga një paskaptinë : mbi-gur-shkrimi si dhe nga dy pjesë, e realizuar në formë të rrëfimit, ku pjesa më e madhe realizohet kryesisht si dialog pa lënë anash ca monologje, na shfaqet si vepër e cila na sjell biografinë e Kafkës si autor, si njeri dhe lidhjet e personazheve me autorin ose letërsinë në formën më të arrirë të artit.

Qysh në fillim të veprës na del rikthimi i autorit dhe ritakimi me shokun më të ngushtë të jetës Max Brodin. Maxi e njeh mikun, por meqenëse ai kishte kohë që nuk jetonte, aludon që njeri i ri mund të jetë djali i tij, fati i të cilit ishte një vdekje që në moshën 7 vjeçare krejt papritmas sipas asaj që kishte treguar Greta Blouch në letrën dërguar mikut të saj nga Izraeli, në të cilën nuk thuhej emri i babait, por sipas letërmarrësit i cili ishte i vetmi dëshmitar, atësinë ajo ia m’veshte Kafkës. Greta e gjorë ishte zhdukur në kampin nazist dhe dyshimi për vdekjen e djalit vazhdonte të ekzistonte.

Maxi si mik i dikurshëm i të ringjallurit, akt të cilin nuk e beson, na del jo vetëm si mik, por edhe si njeri artdashës, sepse ishte ky që dorëshkrimet e Kafkës, të cilat autori kishte dhënë urdhër të zhdukeshin, premtim që nuk e realizoi bëri që Kafka të jetë sot njëri nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore.

Musa Ramadani përmes këtij libri arrin të gërshetojë të vërtetën, legjendën, religjionin, fantastiken deri në çmitizimin e tyre, siç është besa e shqiptarit, besimi religjioz dhe simboliken e urës në artin letrar.

Vepra “Procesi” me të cilën u njoh ishte titulli të cilin ja la Maxi bashkë me ca rregullime aty këtu dhe e hodhi veprën në botim pa mëdyshjen që po tradhëtonte besën që dikur kishte dhënë.

Besa është akti më i lartë i yni, andaj ajo duhet mbajtur i gjallë apo i vdekur qofsh. Edhe këtu vdekja nuk e ndalon mbajtjen e saj, për të na rikthyer edhe një herë te mitologjia jonë, Konstandini i legjendës dhe te mbajtja e besës së tij. Prapë një i ringjallur apo i rikthyer nga vdekja një Konstandin i quajtur Kafkë i cili i kthehet motrës Oltës pas 40 viteve, ashtu siç edhe i kishte premtuar.

Max Brodi nuk e mban fjalën e dhënë sepse ai nuk ishte as korsikan, as irlandez, as shqiptar…

“Vetëm ata e mbakan fjalën e dhënë, hebreu s’qenkërka besnik?”

“-Po të isha si ata, dorëshkrimet e tua do të bëheshin pluhur e hi”

Maxi përmendi besën duke pasur parasysh shqiptarin.

Dialogu mes autorit e mikut të tij, e jep pjesën e jetës, veprës, dashurisë dhe famës së Kafkës, dhe konflikti paraqitet në nivelin më të lartë kur Kafka kërkon llogari dhe e gjykon se nga e kishte marrë lejen e botimit të veprave për të cilat kishte dhënë urdhër të zhdukeshin. Përballë një tradhtie të cilën Kafka ia mvesh Maxit, qëndron një vlerë e cila nuk bënte të zhdukej sipas Maxit.

“- Po ama i dija vlerat e tua, s’mund ta privoja botën nga arti.”

“- Nuk e mohoj që drama ime jetësore ishte thjeshtë metafizike!”

“- Po veç mos harro qenia jote posedonte një forcë mesianike!”

“- Sidoqoftë, botimi i veprave post mortem është akt tradhëtie!”

“- Akt tradhëtie do të ishte djegia e dorëshkrimeve, megjithatë.

Krahasimi i Franzit me Mesian, Moisiun na risjell autorin si profet, profet në mënyrën e ringjalljes dhe risjelljes në jetë pas 41 vitesh së vdekjes, por i cili nuk na sjell besimin si religjion por besimin në letërsi si art i bukur dhe shkrimin si formë e lutjes.

Figura e femrës dhe sfidat e dashurisë dalin përmes një mori personazhesh femra duke filluar nga Felice Baueri tregtare si dashuria e pare e autorit, vazhdimin me Jasenkën, Gretën për të përfunduar me një besimtare të quajtur Dora Diamant.

Dora si besimtare, si femër e fuqishme arrin të thyej parimin e mosmartesës nga ana e Kafkës, duke përfunduar i martuar me të deri në momentet e jetës. Nuk e beson veten si Kafkë, pasi dashurohet në atë masë.

Diku ka mesi kemi takimin mes të atit dhe birit i cili shoqërohet me një përqafim miqësisht ose letrarisht në mes të të riut K dhe të vjetrit Z.K. Ajo që mbeti enigmë e që ndryshon komplet nga legjenda është pikërisht ky përqafim, sepse në historinë e saj i gjalli asnjëherë nuk arriti të përqafohej me të vdekurin e rikthyer ose ndoshta kjo është një porosi e autorit, që kërkon që çmitizimi të sjellet në format e krijimit të letërsisë.

Fantastikja si shprehje në veprat e folklorit na del edhe te Musa Ramadani, për të kuptuar lidhjen e ndikimin e autorëve me të kaluarën. Ura si simbol i mëhershëm na vjen si urë ku statujat e njerëzve, të qenëve e kaprojve në të kishin diçka fantastike, misterioze ata flisnin e komunikonin duke ndodhur që nganjëherë shprehnin edhe ndjenjat me një gjuhë çuditëse.

Epitafi i vendosur në varrin e tij sikur na e shpjegon tërë punën e shkrimit e të fames së Kafkës.

“ Të shkruash është një gjumë më i rëndë se vetë vdekja.” Si personazhi J.K gërryen tërë shkrimin në varrin e tij sepse gjeniu anonim i tillë duhet të jetë përjetë.

(Autorja është student në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën, “ Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për here të parë.)

Të ngjajshme