Qyteza e lashtë në Pogradec dhe shenjat enigmatike

10 Mars, 2018 - 1:30 pm

Pogradeci i lashtë apo qyteza e dikurshme dasarete ngrihet në kodrën hyrëse të qytetit të sotëm. Për shkak të pozicionit ajo është shumë pak e njohur nga turistët edhe pse vlera e saj të hedh në mugëtirën e shekujve dhe misterin që ata përfaqësojnë.

Nga MARIN MEMA

Zbulimet arkeologjike e datojnë këtë qendër diku në shekujt V – IV para erës sonë, pra Pogradeci i sotëm rrënjët e tij i gjen pikërisht në këtë periudhë, ndoshta edhe më herët.

Pikërisht shekulli i IV është ai që i jep më shumë hijen e një qyteze që jo vetëm u zmadhua, por edhe u rrethua me mure mbrojtës. Gjatë luftrave romako– maqedone struktura mbrojtëse mori dëmtime të mëdha, një fat ky që do të shoqëronte disa herë përgjatë historisë.
Gjetjet arkeologjike kanë qenë të shumta dhe mjaft interesante por spikat një prej tyre. Në grykën e një pitosi të thyer janë gjetur disa shenja që sigurisht kanë patur kuptimin e tyre. Ç’të ketë dashur të thotë autori me to ?! Kjo duket jo pak enigmatike siç ka theksuar në botimin e vitit 1979 arkeologu i shquar Skënder Anamali.
Në kalanë e Pogradecit apo qytezën e Enkelanës edhe pse kjo tezë ende nuk pranohet zyrtarisht, gjatë gërmimeve të kryera në fund vitet 1960 dhe në llimin e atyre 70 janë zbuluar veç qeramikës edhe objekte të tjera metalike.
Fibulat, armë siç janë majat e shigjetave, por edhe terakotat e monedhat plotësojnë një pjesë të inventarit që ka dhuruar nëntoka e këtij vendi. Nuk mund të mungonin as grepat prej bronzi që tregojnë se peshkimi siç ishte normal të ndodhte ka pasur rëndësinë e tij në ekonominë e qytezës.
Sipas arkeologut Skënder Anamali një ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare i cili ka bërë një botim të detajuar për këtë sit arkeologjik, numri i kuzuar i monedhave të gjetura e bën të vështirë nxjerrjen e një përfundimi të saktë për marrëdhëniet ekonomike që kjo qendër kishte me qytetet e tjera të mëdha të kohës. Përgjatë territorit të gërmuar janë zbuluar edhe pesë varre që mendohet se janë ngritur gjatë një periudhe rrethimi të kalasë kur ceremonitë në pjesën e jashtme ishin të pamundura.
Për shkak të mbivendosjes së periudhave edhe objektet i përkasin hapësirave të ndryshme kohore. Mendohet se qyteza i ka mbijetuar luftrave të ndryshme deri në shekullin e VIII apo të IX të erës sonë kur pushtimi bullgar e ka rrënuar përfundimisht. Qyteti është shkatërruar, djegur e rindërtuar disa herë, çka e bën deri diku të pamundur për të patur një planimetri të qartë të banesave brenda hapësirës së rrethuar.
Megjithatë profesori i ndjerë Anamali ka dalë në konkluzionin se ndërtesat kanë qenë të thjeshta, ashtu siç pamja urbanistike e qytezës.
Ndoshta kjo mund të jetë ndikuar nga roli thelbësor që ka patur gjatë luftrave të ndryshme që në kohët më të lashta kur edhe është shkatërruar siç thamë disa herë.
Pozicioni strategjik i ka dhënë qytezës dasarete të Pogradecit një rol të veçantë edhe gjatë antikitetit të vonë e mesjetës së herët, ku janë kryer punime të tjera si formë për të përballuar sulmet e gotëve. Pra në të gjithëhapësirën kohore kur kjo qytezë ka jetuar, ajo është përballur me mungesën e stabilitetit që
prodhonin luftrat e mëdha mes civilizimeve të lashta. Periudha bullgare mesa duket ka vulosur përfundimisht fatin e qytezës që jo më kot në gërmimet e kryera mëse 45 vite më parë tregoi shenja djegie në periudhën e fundit të banuar.
Megjithatë pjesa më e dhimbshme lidhet me faktin se kjo qytezë kaq interesante e enigmatike Enkelana, sot jo vetëm nuk njihet, por ka degraduar aq shumë sa vështirë se një sy jo ekspert do të dallonte diçka.
Kalaja jo vetëm nuk përdoret në funksion të turizmit, por thuajse po zhduket krejtësisht./KultPlus.com

Të ngjajshme