Shtëpia tiranase e lindjeve që u kthye në shtëpi të vdekjeve

22 Qershor, 2022 - 11:10 am

Spiunimi nën fëshfërimin e gjetheve

“Shtëpia me gjethe”, dikujt mund t’i tingëllonte si  një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë,  viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha

Nga Afrim Demiri

Shpesh biografia e shtëpive gjason me të njerëzve. Edhe ato në periudha të ndryshme kanë funksione të ndryshme, me një fjalë kanë identitete urbane dhe administrative, krejtësisht të ndryshme. Po rrallë  ndodhë që ajo shtëpi që ishte projektuar të jetë shtëpi e lindjeve, të kthehej në shtëpi të vdekjeve dhe njëkohësisht të ndërlidhte tri periudha kohore, të mos them tri epoka.

E ndërtuar më 1931 si shtëpi obstetrike, me nismën  e mjekut të  mirënjohur dr. Jani Basho, duke qenë ndër të parat shtëpi lindjeje në Shqipëri, ajo gjatë okupimit bëhet qendër e Gestapos fashiste, kurse gjatë kohës së komunizmit kthehet hiç më pak  në qendër të sigurimit të shtetit. 

E vendosur, jo larg objekteve të tjera qeveritare, kjo shtëpi me një dizajn urban me  plotë delikatesa zbukuruese fillon, të quhet në zhargonin qytetar “Shtëpia me gjethe”, një epitet ky mbase  i lakmueshëm për çdo shtëpi tiranase normale. Por ky cilësim sikur nxjerr në pah, në mënyrë ironike një paradoks të kohërave, sepse sipas një parafrazimi të lirë të  Nonda Bulkës,  kjo shtëpi më parë do të duhej të thirrej “Shtëpia me gjemba”, nisur nga fakti se brenda mureve të saja fillonin  përgjimet, persekutimet, ndjekjet, kurdisjet dhe paragjykimet deri në vrasje të qytetarëve të Shqipërisë komuniste.   Nuk dihet saktësisht prej  kur  dhe si ka  zënë fill ky epitet apo prej atëherë kur trupit të saj kanë filluar të ngjiteshin  bimët kacavjerrëse dhe fasadës së saj me ngjyra të murrme t’ia jepnin një tis të gjelbërt.

Kjo shtëpi edhe sot e ruanin këtë emërtim, që tingëllon sikur të  ishte një kod i komunikimit sekret  të sigurimcave të shtetit, tashmë e zyrtarizuar në institucionin e Muzeut më të ri të Tiranës po me këtë emër: “Shtëpia me gjethe”.

Dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë  viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha.

Por në realitet unë nuk dilja nga filmi, as nga ndonjë pyll, por nga shtëpia aq afër qendrës së Tiranës, e cila me dekada ishte shndërruar në makth publik, duke prodhuar dhe inskenuar situata komplotiste për “armiqtë e popullit”.

Ky muze nuk kishte nevojë për ciceron! Çdo artefakt, çdo element fliste me gjuhën e vet. Edhe ashtu ciceronët shpesh e ndërpresin një përjetim autentik në mes të vizitorit dhe elementeve të ekspozuara. Tashmë kaq vjet pas diktaturës, pas aq leximesh për natyrën dhe karakterin e panjohur të saj në Shqipëri, sikur mjaftonte një parakalim në heshtje nëpër 9 seksionet e muzeut me mëse 31 kthina.

Qysh në fillim  një citat e Enver Hoxhës, sqaronte  karakterin monolit të shtetit partiak- policor : “ Punonjësit e Sigurimit të shtetit janë vetëm punëtorë partie, në rend të parë vetëm punëtorë politikë dhe asgjë tjetër”.

Dhe më pas hapeshin një nga dhomat e dëshmive të metodave më bizare të hetuesisë, ku elemente  autentike ta afronin ndjenjën e ankthit të fateve të njerëzve nën torturë. Mjatohej t’i lexoje dikund rreth 35 lloje të përdorimit të torturave ndaj të dyshuarëve për vepra kundër shtetit duke filluar që nga hedhja e krypës në mish, nga përdorimi i elektroshokut e deri tek shurdhimi nëpërmjet zhurmave të padurueshme, futjes në arkivol për së gjalli për të pranuar procesverbalin e hetuesisë  apo hedhja  e tyre nga lartësia.

Dosjet ishin aty! Duhej kohë për t’i lexuar, emrat ishin mbuluar me ngjyrë të zezë, sikur fatet e tyre të dikurshme , pastaj hapeshin dyert e dhomave muret e të cilave ishin të mbushura me emra të përndjekurish, me emra të të burgosurve dhe të pushkatuarëve.  Përkundër shkrimit të dendur dhomat nuk i kishin zënë të gjitha emrat e  18mijë  të burgosurve  të dënuar rreth 6 mijë të vdekurve si dhe mbi 20mijë të internuarve. Ishte e llahtarshme të shiheshin muret e veshura me emra të viktimave sikur të ishte një  dizajn i dhembshëm i tapetave murale.

Përkundër udhëzimeve lehtë humbëshe nëpër kthina, dhoma të torturës. Dëgjoje rrëfimet e të mbijetuarëve, marshet e paradave socialiste dhe pjesë nga seancat e gjykimeve. Përnjeherë kohërat gërshetoheshin dhe dukej se gjithçka mbulohej nga fëshfërima e gjetheve që depërtonte nga ndonje dritare gjysmë e hapur. Pa një pa dy të dilte përballë zbulimi i përgjuesit shqiptar, i njohur me emrin “Çimka”,  i mbajtur në heshtje të propagandës, karshi zbulimit të traktorit shqiptar. Një grumbull gjësendesh nga përditshmëria ta përkujtonin si ke mundur të jesh i përgjuar nga ai regjistrues minimalist elektronik. Një pallto e varur ruante siluetën e trisht të sigurimcit, i cili xhironte me kamerën më objektiv të nxjerrur në gjoks, si  dekoratë për çlirimin e atdheut.  Diktafonët, magnetofonët me shirit, kamerat e hershme ishin aty, të firmave të ndryshme gjermano-lindore, japoneze dhe kineze. Në laboratorin e larjes së fotografive bardh e zi sikur ishte ndalur koha dhe i priste vizitorët. Po ato tretje kimike, po ata filma që dikur i përdornim për të fiksuar kohën tonë rinore, kurse aty ishin varur fotot e të pandehurve, të cilëve një foto rasti ia kishte marrë jetën.

Një ndjenjë   aty për aty më ndau në dysh. Kujtimet nga vizita që i kisha bërë më 2013 –të, Muzeut të  pafajsisë së Orhan Pamukut në Stamboll, ma sillnin ndjenjën se isha  në  Muzeun e fajësisë , derisa e vizitoja tash,  në Tiranë “Shtëpinë me gjethe”. Atje çdo element lidhej me dashurinë, kurse këtu çdo element me dyshimin, krimin dhe vrasjen.

Si gazetar hyra në siklet kur u fundosa në dhomën e përdorimit të gazetave dhe artit si mjet i propagandës nga shteti për ideologjinë, ku madhërohej veçmas puna e sigurimit shtetëror. Aty shihej fuqia e keqpërdorimit të mediave dhe artit. Shumë pamje nga  filmat e kohës mund t’i shikoje nga  kabinat e errëta, kur dikur na dukeshin filma me moral socialist, e sot  shiheshin si  ana e errët e propagandës. Por gjithçka ka ndryshuar,  edhe  unë kam ndryshuar edhe ne kemi ndryshuar, po sikur “Shtëpia me gjethe”.

Shtrirja e rrjeteve kabllore të përgjimeve sikur tentatulet e marimangës së kuqe ngjallnin habi . Mini centralet postare të prodhuara  nga inxhinierët shqiptarë me emrin “Valbona” dhe “Shkëndija”,  kishin mundësi të përpunonin rreth 40 përgjues “Çimka”  njëkohësisht, të shpërndara nëpër ambasada të huaja dhe hotele ku kishin qasje të huajt, etj.

Pak pa përfunduar vizita, shfaqej një dhomë tipike familjare e banimit të qytetarëve të zakonshëm , për të sjellë imazhin e kohës, ku në ballë ishte TV-ja e markës “Iliria” si dhe radioja “Mimoza”, kurse mbi to qëndronte fotoja e xhaxhit Lenin, kurse në një dollap radhiteshin domosdoshmërisht librat e Enver Hoxhës. Shpesh sigurimi kishte zgjatur fijet e tij edhe brenda familjes shqiptare duke e shkatërruar moralin e saj dhe duke e instrumentalizuar individin deri në tjetërsim.

 Muzeu është  hapur më  2017, nga një ndërtesë militante, ishte kthyer në objekt kulture. Në oborr  nga pjesa e pasme të presin qindra foto të punëtorëve të sigurimit, të atyre që e kanë ndërgjegjjen e ngarkuar drejtpërdrejt për tmerrin që kanë instaluar dhe zbatuar mbi qytetarët. Gjithë jetë kishin punuar brenda tash fytyrat e tyre ekspozohehsin jashtë dhe merrnin gjykimin publik të çdo vizitori në heshtje. Në mes  tabllove të  tyre i ishte vendsour  citati i shkrimtarit dhe përkthyesit Amir Kasaruho, ai dhe familja e të cilit kishin  përjetuar përndjekjen:  “…atëherë ndoshta nuk  e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”.

Pak para daljes nga oborri na shfaqet edhe tuneli nëntokësor sa për të na mbajtur ankthin e kësaj shtëpie edhe jashta saj. I tërë Muzeu dukej si një kërkim falje publike për të gjitha viktimat.

Dal nga Muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, që  bënë rinkosntruktimin e një kohe e cila nuk guxon të harrohet.

Përballë Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ngritej Kisha Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, si shenja më e afërt simbolike e rrënimit të shtetit ateist. Në mes tyre kalonte rruga “Ibrahim Rugova”, një tjetër simbolikë e demokracisë. Të dy objektet vizavi njëra tjetrës sikur shënonin periudhën e katër, epokën e  tranzicionit plural.

 Derisa me vonesë mësoj se Muzeu “Shtëpia me gjethe”  është  zgjedhur  nga Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në dhjetor të vitit të kaluar si  “Muzeu më i mirë 2020”, më shkon ndër mend se sa pak kemi bërë ne në Kosovë për ruajtur kujtesën kolektive. Gjithë ai fat tragjik i  shqiptarëve të Kosovës  ndër vite prej kohës së Muhaxherisë, kolonizimit serb, masakrës së Tivarit, Aksionit të armëve, shpërnguljeve për Turqi e deri tek diferencimet dhe burgosjet masive dhe dëbimi biblik gjatë luftës  dhe  asnjë objekt i denjë muzeal. 

Në anën tjetër, pikërisht në hapësirat e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ditë më parë ishte dhënë shfaqja  “Çimka”, një  krijim unik,  bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të  Tiranës dhe Qendrës për Art dhe komunitet- Artpolis, Prishtinë, me autor Shpëtim Selmani dhe në regjinë e Zana Hoxha,  e cila synon t’i gjejë pikat e fateve të përbashkëta të qytetarit shqiptar nën regjimet totalitare, andej dhe këndej kufirit. Kësi lloj  projektesh të përbashkëta duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera.

Shënimet flasin se Muzeu “Shtëpia  me gjethe”, po vizitohej nga shumë grupe shkollarësh, qytetarësh si dhe nga vizitorë ndërkombëtarë.  Nuk e di nga politikanët shqiptarë sa është vizituar, por çdonjeri prej tyre duhet të shkon dhe të shoh si mund të deformohet shërbimi i shtetit i cili është i thirrur me emrin inteligjent, “shërbimi i inteligjencës”, kur ai i shërben interesave ideologjike dhe partiake..

Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar shumë rrëfime se si e kanë pritur  dhe përjetuar të mbijetuarit  këtë Muze, por mbase shumëçka  nuk është ndriçuar në këtë fazë, por besoj se Muzeu mund të pasurohet me dëshmi të reja, por edhe me shkëmbime dokumentacionesh nga institucione tjera që mbulojnë  fushën e sigurisë, sepse ndriçimi dhe  ndëshkimi i krimeve, jo vetëm komuniste është obligim për gjeneratat. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme