Si Kasëm Trebeshina, s’ka të tjerë…

8 Nëntor, 2017 - 10:25 am

Nga Kristo Mërtiri

Në Shqipërinë tonë “është nga të paktët njerëz që i ka thënë gjërat ashtu sic i ka menduar. Ai deklaroi hapur se metoda e realizmit socialist pengon zhvillimin e letërsisë, i pengon asaj frymëmarrjen. Është shkrimtar shumë i mirë, por për fat të keq shumë punime të tij kanë mbetur pa u botuar. Brenda veprës së Kasëmit ka mendim filozofik. Disident si ai nuk ka”.

Ky vlerësim jo dosido i Dritëroit, flet jo pak. Është fjala për një luftëtar e dashnor të përjetshëm të lirisë e demokracisë së vërtetë. Për një idealist të kulluar e rebel të pandreqshëm që nuk pranoi asnjë lloj koncesioni e kulari partiak e shtetëror. Se trimi i mencur nuk e ul kurrë qafën e personalitetit dhe të karakterit prej stërralli. Aq më mirë kur te ky njeri është bashkuar natyrshëm talenti i vecantë krijues, i prozatorit, poetit e dramaturgut. Vetmitar e larg lexuesve, i zhgënjyer gjer në kockë nga politika, i sfilitur dhe i burgosur djallëzisht e poshtërsisht deri në psikiatri ! Një kalvar tepër i vecantë e tronditës. Dhe asnjëherë nuk kërkoi e jo më të mblidhte dafinat e disidentit. Shumica e brezit tim, e dëgjoi për herë të parë zërin e tij në dhjetor 1990 e në 11 janar ’91. E dëgjoi në Tiranë, në atë sallën e paharruar të Akademisë së Arteve. Po frynte e shfrynte një erë e vërtetë lirie. Një fllad i vecantë si ai nga majat e atij malit me emrin e dashur: Trebeshina ! Mal që shtrihet përjetësisht krenar e hijerëndë nga Qafa e Kicokut e gjer në Grykën e Këlcyrës. Gjerdan i ndritur bukurie e historie. Se themelet e shkrimtarit të papërsëritshëm i kanë rrënjët në Vinokash të Përmetit. Prandaj edhe krijimtaria e tij na ngjan shpesh me lartësitë e serta e simbolike të krahinës emërnderuar, por edhe me gurgullimën e Vjosës në dimër a pranverë.

Ndërsa për mua dhe vërsnikët e mi në Peshtan, ruhet një ndjesi tepër ekskluzive…

-Ore babam, kur erdhëm në këtë qerrata botë, të qarat e para dhe shpatullat e njoma i vendosëm mbi gjunjët e malit Golik. Por ama vështrimet tona të para u derdhën te ai mali përballë, te Trebeshina e bekuar,-më thotë shpesh jo pa meditim emocional, një miku im i vjetër që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Për Kasëmin, mos nguroni kurrë të shkruani e ligjëroni. Më thuaj një shkrimtar të dytë që foli me gojë e me shkrim, me aq guxim e fare acik qysh në 1953, kur vec të tjerave, u tha atyre lart se do të vinte koha kur “do të hanin kokat e njëri-tjetrit”. Më trego një “luftëtar dhe të dënuar nga bashkëluftëtarët”,një ish partizan trim që e ruajti me vepra deri në fund idealin dhe amanetin e shokëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare ? Po antikonformizmin e tij të thekur që nuk e pagoi aspak lirë ? Vec ai fliste sic mendonte. Përballë trimit të mencur me pushkë e me penë trëmbeshin taborët me dallkaukë e servilë, dridheshin intrigantët, qelepirxhinjtë, të paaftët e memurët. Prandaj provoi aq shumë vuajtje e mundime të pamerituara. E kallën 17 vite nëpër burgje e pavione psikiatrike(?!).Por vetëm penën dhe karakterin e rrallë burrëror nuk ia morën dot. Shkruante e shkruante pa pushim. Edhe gjatë grevave të urisë që e afronin shpesh me vdekjen. Shkruante sic i mendonte, ky ishte “faji” i tij i vetëm. Po kështu përballë cdo bllokmeni të tjetërsuar që kish hedhur prapa shpine idealet e pastra të luftës partizane . “Ai është gjallë, gjallë atje në malet”. Këtë varg volterian të adhuruar, e dëgjuam prapë nga goja e Kasëm Trebeshinës në 11 janar 1991. Gjallë, por i groposur në varrin e heshtjes së cuditëshme zyrtare, bashkë me dhjetra libra në prozë, poezi, drama, publicistikë e eseistikë !…Paguante taksën e rëndë të rebelimit të luftëtarit e shkrimtarit idealist e antikonformist i pandryshueshëm. Fjala vjen, Lorkën e madh e njohin shumë edhe në Shqipëri. Vecse fare pak e dinë që 3 drama të tij janë përkthyer nga Kasëmi, por pa emrin e tij (?!). “Ohuuu, sa kanë parë Goliku e Trebeshina !”,-thoshte gjithnjë me të drejtë gjyshi yt i ndjerë. Vërtet Kasëmi provoi mjaft sakrifica e privime mbinjerëzore, por ruajti gjer në fund papërkulshmërinë, dinjitetin, burrërinë e ndershmërinë. Se jo të gjithë dinë ta jetojnë jetën. Kasëm Trebeshina nuk mund të hiqej zvarrë e me jargë…Në fund të vitit 2000, Xhevahir Spahiu citoi publikisht një thënie lapidar të Ismet Totos para se të varej në litar:

-“Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen!”.

Poeti ynë i dashur e fatkeq, disidencën e Trebeshinës e vlerëson si një shembull që tregon ndeshjen e së mirës me të keqen, qëndrimin spartan të një njeriu të cuditshëm.”Po të mos kishim disidencën e tij, nuk do të kuptonim dot si duhet të kaluarën tonë dhe nuk mund të shihnim qartë të ardhmen. Pa Kasëm Trebeshinën, letërsia shqipe do të ishte e varfër…Vepra e absurdit ka lindur nga mungesa e lirisë”. Trimi i vërtetë mbetet trim, si në luftë dhe në punë e shoqëri. Ai nuk ka kurrë frikë nga e kaluara e vet. Nga ajo faqe historie e shkruar me aq gjak e sakrifica, kohë kur një 19 vjecar komandonte një battalion të tërë partizan që luftonte për Liri e Barazi. Dhe sic thotë një i mencur: Partizanët dje ishin modernë, sot janë traditë. Edhe unë jam modern, pasi respektoj traditën…Të duash me shpirt vetëm “partinë e shqiptarizmës” nuk do të thotë të flasësh tërë jetën me veten tënde, sic bëri shkrimtari me kokën lart. Pse e them këtë ?

Së pari, përse heshtet përballë emrit dhe veprës së Kasëm Trebeshinës dhe përse vazhdon “persekutimi shtetëror” ndaj tij ? Në letrat shqipe ai nuk është dosido, ka vendin dhe kulmin e vet të merituar. Përshembull, atë që bëri kolegu ynë Nuri Dragoi, duke përgatitur e botuar një monografi të vecantë e të ngjeshur me informacion të gjerë për jetën dhe veprën e shkrimtarit, mund dhe duhet ta bëjnë disa institucione. Në radhë të parë Ministria jonë e Kulturës. Ndryshe ushqejmë e mbajmë gjallë mohimet, e pse jo mosmirënjohjen ndaj martirëve të artit !…

Së dyti, Trebeshina nuk u bë kurrë sac për lakrorin e botës, as qengj i urtë që pi dy nëna dhe as servil i panginjur “që pi gjithë kopenë”! Ai nuk kërkon një ndjesë të thjeshtë publike ose zyrtare. Personalisht, unë e kam mirëkuptuar irritimin dhe ashpërsinë e revoltave në ndonjë intervistë të rrallë të tij. Apo “jemi të detyruar të përplasemi përjetësisht, jo vetëm sa të jemi gjallë, por edhe pas vdekjes”? Apo “gjëja më e madhe që u mungon shqiptarëve është mirënjohja”?…

Së fundi, nxitje a sebep për këtë refleksion u bë një lajm i shkurtër e tepër domethënës: Dy netë më parë (9 dhjetor 2011), në Paris po flitej shqip. Regjisorë e aktorë francezë, në një nga skenat e kryeqytetit të kulturës europiane, shfaqën një nga dramat e shkrimtarit tonë Kasëm Trebeshina !…Ndoshta kjo rastësi e rrallë më bëri të mendohem pak më tepër. Vlerën e këtij lajmi të bukur e krenar, besoj do e shtonte me siguri edhe dicka tjetër: Kryeministri Berisha u ndodh për vizitë pune në Francë. As nuk e njoh protokollin e saj zyrtar. Por sinqerisht, po të isha në vend të Doktorit dhe të kisha dijeni për atë ngjarje jo të vogël artistike, besoj do të “shkelja” a kurseja pakëz kohë nga axhenda e ngjeshur partiake a shtetërore. Dhe do të ndiqja plot kënaqësi shfaqjen e dramës së bashkëatdhetarit dhe shkrimtarit disident të vërtetë. Madje edhe mund të këndoja lehtë me veten atë këngën e ëmbël të viseve të mia:”Borë e bardhë në Trebeshinë\Bie erë trëndelinë\Aman, në gjumë c’më vure\C’pate moj, që më sëmure !”…

(P.S. Shumica e këtyre shënimeve janë publikuar mbi 6 vjetë më parë. Por sic më thanë, vetë shkrimtari nuk i lexoi dot, sepse ishte gati… i verbuar! Por në Gjermani nuk e harrojnë sot e kësaj dite atë intervistën e famshme në televizionin e Munihut –dëshmi dinjiteti- :”…Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë…Nuk kam qenë kurrë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mendjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë…”. Dhe sic thekson me të drejtë i mirënjohuri,Hans-Joachim Lanksch, “ askush në letërsinë e re të Shqipërisë s’është guxuar që fëmijëve të cmendur të nënave të urta t’ua vinte përpara pasqyrën aq haptas, bile edhe pllakativ, sa Kasëm Trebeshina”. Ja, dëgjoni pak nga vargu i tij drithërimë : Fëmij’ të cmendur nënash t’ urta/ ju gjurmë pune s’lini pas./ As pamja juaj hijerëndë/as cantat varur si këmborë/ as plehu që keni në kokë/ as kurvëria që vadisni/ as servilizmi që ushtroni/ fisnikëri nuk na tregojnë./ Në mos I shkrofsha këto unë/ një tjetër botës do t’ia thotë./ Fëmijë të cmendur nënash t’urta/ ju kohët gjith’ do t’u përcmojnë !…

Të ngjajshme