‘Ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë’

27 Korrik, 2018 - 9:34 am

Jusuf Thaçi / Facebook

Baca Adem,

Tani që ike, kuptova se të gjithëve u paske shërbyer si inspirim e si model sjelljeje, megjithëse shumë pak prej tyre të ngjasojnë sadopak me virtyte, vlera, bindje e sjellje.

E unë që s’jam si ata, në shenjë përshëndetjeje për ty me rastin e ikjes tënde në botën tjetër, vetëm mund të të kërkoj falje e mirëkuptim që nuk të kam model të cilin unë e ndjekë, jo se unë nuk do të doja, por sepse ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë.

Do të doja që të kisha këmbëngulësinë tënde për të kundërshtuar e refuzuar padrejtësitë dhe për të luftuar për të drejtat e njeriut e për të drejtat kombëtare, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha forcën tënde morale për të sakrifikuar gjithçka nga vetja për të mirën e përgjithshme, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha lakoninë e sinqeritetin tënd për t’i thënë gjërat qartë e çiltër, por ja që nuk i kam.

Do të doja që të kisha shpirtmadhësinë tënde për të mos urryer e për t’i falur edhe ata që të shkatërrojnë jetën, por ja që nuk e kam.

Megjithatë, një gjë mendoj se mund ta bëj. Ta luftoj tendencën e të tjerëve që dëshirojnë të të shndërrojnë në mit. Duke të të bërë mit, duan ta shfajësojnë veten pse nuk janë sadopak si ti dhe duan t’i largojnë gjeneratat e ardhshme nga modeli yt. Sepse miti është mit, është i ekzagjeruar, është mbinjerëzor, është i paarritshëm. Prandaj, ti na duhesh, ne e të ardhmëve, si njeri për ta ndjekur si model, jo si mit i paarritshëm.

E fatbardhësisht për ne, ti ishe njeri, sigurisht i rrallë, patjetër madhështor!

Mirupafshim në “botën kuantike” njeri i mirë!

Të ngjajshme