Poezia ‘Vetëm të jesh këtu’ e Jashar Rexhepagiqit dedikuar Fehmi Aganit

Vetëm të jesh këtu

(Kushtuar Fehmi Aganit)

Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.

Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.

Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim. / KultPlus.com

“Manchester Evening News”: Shqipëria ndër destinacionet kryesore për pushime në 2025

Ekspertët britanikë të udhëtimeve kanë sugjeruar destinacionet kryesore të pushimeve për vitin 2025 me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit, shkruan Liv Clarke në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Manchester Evening News”.

Nga Shqipëria, e cila është quajtur “Kroacia e re” deri në Egjipt, ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur destinacionet më të mira nga e gjithë bota për t’u vizituar këtë vit.

“Destinations: The Holiday & Travel Show”, një event ku do të ekspozohen të gjitha destinacionet kryesore të rekomanduara për vitin 2025 – që do të zhvillohet në Manchester Central nga 16 deri më 19 janar dhe në Londër nga 30 janari deri më 2 shkurt – është një domosdoshmëri për këdo që planifikon pushime, qoftë ky një udhëtim i vetëm apo aventurë një herë në jetë.

“Janari është koha e përkryer për të planifikuar pushimet tuaja në 2025 dhe kushdo mund të bëjë zgjedhjen e vet me përvojën e pasur të ekspozuesve tanë që shfaqin ofertat dhe idetë e tyre më të mira çdo vit”, tha Ben Myatt, menaxheri i ekspozitës.

“Në 30 vite eksperiencë dhe punë – kemi parë një ndryshim të madh – nga rritja e numrit të udhëtimeve – te pushuesit që po priren më shumë drejt vendeve më pak të njohura dhe që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv – dhe rritja e tendencave të tilla si udhëtime me përvojë – dhe ndjenja e përgjithshme vizitorëve për t’u zhytur në kulturat e vendeve dhe të mësojnë rreth tyre”, shtoi ai.

Shqipëria

“Për një periudhë kohe Shqipëria është quajtur “Kroacia e re” dhe sigurisht që ky vend i bukur mesdhetar ka një peizazh dhe vijë bregdetare mahnitëse dhe ushqim te shijshëm, por ka edhe hijeshinë e tij unike – për të mos përmendur që nuk ka turma të mëdha vizitorësh dhe çmimet janë më të ulëta!”, tha ekspertja e udhëtimeve të “Explore Worldwide”, Caroline Phillip.

“Shqipëria duket se ka tërhequr interesin e turistëve në mbarë botën – falë bukurisë së saj natyrore, plazheve të pacënuara dhe përballueshmërisë”, tha Michael Edwards nga “Explore Worldwide”.

Rezervimet për në Shqipëri janë rritur 68 për qind në gjashtë muajt e fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me turne që përfshijnë itinerare për ecje dhe çiklizëm – që promovohen veçanërisht fuqishëm.

Destinacionet më të mira për t’u vizituar në 2025 – të cilat ofrohen me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit:

Shqipëri
Indi
Mali i Zi
Kanada, Toronto
Finlandë
Skoci
Greqi, Athinë
Karaibe
Egjipti
Arabia Saudite./atsh/KultPlus.com

Nga ana jote

Nga: Sadè

Mendon se do të lë anash, i dashur?
Më njeh më shumë se kaq, ti,
mendon se do të të lija, 
pasi në gjunjë të kesh rënë?
Këtë nuk do ta bëja!
Edhe nëse do që sall ti 
të më shohësh, të jap të drejtë.

Oh, kur je duke mërdhirë
pranë teje do jem,
ngrohtë të të mbaj.

Kur je jashtë, i dashur,
dhe askund s’ke ku të futesh
do të tregoj se je më i mirë
nga sa mund ta marrësh me mend.
Kur i humbur fillikat je duke baritur, 
dhe nuk mund të kthehesh përsëri,
i ëmbli im, unë pas teje do rend
do të gjej dhe do të sjell në shtëpi…

Dhe nëse do të qash, unë jam këtu
për t’i tharë lotët tu;
dhe përgjithmonë, i dashur,
rehat do të jesh…

Mendon se anash do të lë?
ti, më njeh më shumë se kaq;
a mendon se do të të lija,
pasi në gjunjë të kesh rënë?
Nuk do e bëja këtë!

Oh, kur je duke mërdhirë,
do të jem pranë teje
ngrohtë të të mbaj.
Oh, dhe kur i pafuqishëm të ndihesh,
do të jem aty
në anën tënde, i dashur.

Përktheu: Bujar Meholli

(Sadè Adu, është këngëtare angleze me origjinë nigeriane. Fitoi shumë çmime, dhe u bë e njohur kudo nëpër botë me paraqitjet e saj. Konsiderohet si njëra nga artistet më të suksesshme britanike në histori. Zhanret në të cilat ajo performon, janë: soul, xhaz, e pop). / KultPlus.com

Pas dy fjalimeve mbresëlënëse, Ismail Qemali u varros me flamurin kuq e zi

Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane,  që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar,  atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTQRE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Arsimit

Tiranë

Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.

Shtojmë se me gjithëse  Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare,  por në Zyren e doganave në Vlonë.

Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.

Prefekti

  1. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës  Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.

Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.

Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorës”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  • flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
  • Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
  • Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

  • Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

  • një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

  • një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

  • flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
  • qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
  • mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
  • ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
  • kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
  • gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
  • edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com

Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.
Në foto: Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.

Presidentja Osmani priti në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian.

Ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Gjatë takimit, Osmani dhe Kryesuesja Loiseau diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

Presidentja Osmani nëpërmes një letre të dërguar më 3 shtator 2024 Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

Në këtë kontekst, ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013. Ajo theksoi se këto janë zgjedhjet e para të rregullta sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke i dhënë një dimension të ri procesit zgjedhor në vend.

Në takim me znj. Loiseau, Presidentja Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar z.Borrel, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime.

Presidentja vlerësoi se barazia gjinore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të reflektohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

Më tej, Presidentja Osmani, bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Gina Lollobrigida, aktorja legjendare e kinemasë italiane

Aktorja legjendare e kinemasë italiane, Gina Lollobrigida ka vdekur para dy vitesh, në moshën 95-vjeçare.

Ajo u lind në Subiaco më 4 korrik 1927.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka fitoi shtatë çmime “David di Donatello”. Fama e saj lidhet me kinemanë e re italiane të neorealizmit. Ajo punoi me regjisorët si, Pietro Germi (“Qyteti mbron veten”) dhe me Carlo Lizzani (“Kujdes banditët”), kryesisht në mesin e shekullit të kaluar.

Vitet e fundit të jetës së saj, Lollobrigida iu përkushtua mbi të gjitha artit dhe fotografisë, duke organizuar ekspozita të shumta, dhe së fundmi duke botuar një libër me vizatime.

Që prej vitit 2021, divës së kinemasë i ishte caktuar një administrator nga Gjykata për të mbrojtur pasuritë e saj, siç kërkohej në procedurën ligjore nga djali i saj, Andrea Milko Skofic.

Në qendër të aktivitetit hetimor të prokurorëve në Piazzale Clodio ishte ish-menaxheri i aktores, Andrea Piazzolla, i paditur me akuzën e mashtrimit të një personi me aftësi të kufizuar.

Me të përfundoi në gjyq edhe Antonio Salvi, personi që dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës në një shtëpi ankandi për shitjen e rreth 350 artikujve në pronësi të Lollobrigida./KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës mirëpriti mbi 263 mijë vizitorë gjatë vitit 2024

Kalaja e Gjirokastrës, e shtrirë në një hapësirë prej 335 metra në kodër të qytetit, vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha sot se “Kalaja e Gjirokastrës kryeson listën e monumenteve kulturore, si siti më i vizituar për vitin 2024, ku mirëpriti plot 263,048 vizitorë, 21% më shumë krahasuar me 2023”.

“Një dëshmi e magjisë dhe historisë që ofron Gjirokastra”, tha Gonxhja.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të qytetit të gurtë.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Botuesve të Librave

16 janari njihet botërisht si Dita Botërore e Botuesve të Librave. Kjo ditë është vendosur në nder të botuesve, duke ua njohur atyre rolin e rëndësishëm në shpërndarjen e dijes, ideve dhe promovimit të letërsisë.

Libri i parë i shtypur është prodhuar në Kinë, në shekullin e tetë. Më herët ishin skribët, mjeshtërit e shkrimit, ata që merrnin dorëshkrimet e autorëve dhe nxirrnin kopje të pastra. Shtypi i shkruar u shpik në shekullin e 15-të, duke revolucionarizuar këtë industry dhe duke bërë që librat të prodhoheshin në mënyrë më eficiente dhe me një kosto më të ulët. Tashmë jetojmë në epokën e “e-books”, librave elektronike dhe platformave online, të cilat po bëjnë shpërndarjen e librit, duke sjellë ndryshime të mëdha, në këtë industry.

Sidoqoftë botuesit “klasikë” janë ende të rëndësishëm. Shumë dije nuk do të ishte e mundur të shpërndahej pa ta. Për këtë arsye është vendosur një ditë enkas, për të na kujtuar se dija nuk do të kishte këtë shpërndarje në rang botëror pa botuesit. Institucionet kulturore në këtë ditë, ftohen të organizojnë aktivitete të cilat t’u mësojnë fëmijëve rëndësinë e botimit të librave, përtej atyre shkollorë. Libri është ushqimi shpirtëror i njerëzimit dhe botuesit janë ata që përgatisin këtë ushqim. Për këtë arsye meritojnë respekt dhe kanë një ditë të tyren në rang global./atsh/KultPlus.com

96 vjet nga lindja e intelektualit, Jashar Rexhepagiqi

Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.

Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.

Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.

Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.

Ai u mor me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988). / KultPlus.com

Përvjetori i lindjes së Ismail Qemalit, figurë e rëndësishme e kombit shqiptar

Më 16 janar të vitit 1844 lindi në Vlorë Ismail Qemali, i konsideruar si Babai i Kombit. Ismail Qemali lindi në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut.

Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj. Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë. Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Më 1909 mori pjesë në kundërrevolucionin kundër Xhonturqve dhe u zgjodh kryetar i Partisë Liberale (Ahrar). U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme. Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar.

Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar./atsh/KultPlus.com

Pesë vite nga vdekja e aktorit të njohur, Xhevdet Ferri

Sot janë bërë pesë vite nga vdekja e aktorit të njohur të teatrit dhe kinematografisë, Xhevdet Ferri.

Ai u lind në qytetin e Durrësit më 26 nëntor të vitit 1960 dhe u nda nga jeta më 16 janar 2020 në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.

Aktori u diplomua në degën e artit dramatik të Akademisë së Arteve të Bukura në vitin 1982 ku menjëherë pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta, mbeti pedagog i mjeshtrisë së aktorit. Pak vite më vonë ai ka shërbyer edhe si Dekan pranë Fakultetit të Artit Skenik.

Xhoda sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët gjatë karrjerës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por në fakt ishte ekrani i kinemasë ai që do ta bënte edhe më të njohur për publikun. Në kinema ai u përkushtua dhe shkëlqeu me talentin e tij duke interpretuar edhe më shumë personazhe se në teatër.

Gjatë karrjerës, Xhevdet Ferri është vlerësuar me disa çmime dhe medalje.

Disa nga interpretimet më të mira të aktorit kanë qenë në produksione si Vëllezër dhe shokë 1980, Gjurmë në kaltërsi 1981, Era e ngrohtë e thellësive 1982, Hije që mbeten pas 1985, Përrallë nga e kaluara 1987, Treni niset në shtatë pa pesë 1988, Vitet e pritjes 1990, Dasma e Sakos 1998, Gjoleka djali i Abazit 2006, Gjallë 2009,  dhe interpretimi i tij I fundit ka qenë në filmin Delegacioni  në vitin 2018. / KultPlus.com

Kur Ernest Koliqi i thurte vargje gjuhës shqipe

Shkruan: Ernest Koliqi

“Gjuhës shqipe”

Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra
Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti,
O gjuhe e folun n`bote ende ferishte
S`ciles Mayeri ne te censhmet letra
Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti
As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte,
Perse Athina s`kishte
Emen as Roma, kur e rrept ushtove
Nder vepra katallajsh qi nper jehona
Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.

Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi
N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime
Naten e diten rrinte atje perdore,
Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime
T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore:
Ndoshta ndo` i buz` hyjnore
N`at mot qi zota shpesh perbujte toka
Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari
Me msy t`Helenit barkat tregetuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja,
Ty t`kelthitte n`timue anijetari
Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese;
E permbi val` shkembuese
Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja,
Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe,
O ghuhe e folun per trimij pranvera,
E tok na mbajte nder pushtime t`hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n`besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n`buze i ke krenare
Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve te paemen
Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali
Dhe kanga u humbi n`erresin e motit,
Ket permallim qi mungullon mbi t`emen
E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali,
Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit?
N` kthjelltin e dites s`sotit
Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa
Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull
Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete
E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise,
Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli,
Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egersija jote
Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati,
Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash
Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku
Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande,
Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash
Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande;
Thjeshtin e ambel t`ande
Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
Buzes amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.

O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije:
E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire,
Tue t`ndie fishkllojn` prej smire,
Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera. /KultPlus.com

Viti 1916, fotografia e fundit e Isa Boletinit para se të vritej (FOTO)

Kjo është një fotografi e rrallë dhe mbase e fundit e heroit të kombit, Isa Boletini e bërë në shkurtë të vitit 1916.

Ai është fotografuar së bashku me publicistin austriak, i cili kishte qenë edhe një mik i shqiptarëve, Leo Freundlich, pak ditë para se të vritej nga malazezët.

Kjo foto është publikuar në gazetën nga Viena, “IW”. / KultPlus.com

Ndoshta ishte puthje

Poezi nga Adem Gashi

Në buzë më rri një bulë
mbetur nga një puthje
përzierje qumështi e loti tepër e rrallë,
e kush më mirë se buzët ruan një perlë
të mos bëhet dhallë

Mbase e tërë shfaqja s’është tjetër
veçse kujtim i largët,
kujtim i ri në një peizazh me gjethe e shi

Në pyllin poetik me lajthi
lajthitur sherrnajës shtojzovalle
si vetëndëshkim po e ndez një cigare

Humbës i humbur
tymit të saj të platintë,
tymit të saj të zi

Ndoshta vërtet qe puthje
në pezulin e një ëndrre./ KultPlus.com

‘Pas kujtesës’, ekspozita që sjell kujtimet dhe traumat e luftës përmes brezit të pasluftës

Vjollca Duraku

“Pas kujtesës” është një ekspozitë e veçantë me rrëfime të pjesëmarrësve të cilët tregojnë kujtime që në të vërtetë nuk i kanë jetuar, që është hapur sonte në hapësirën e themeluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në kuadër të objektit të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” nga etnologia Zanita Halimi, e cila është kuruar nga Blerta Hocia, shkruan KultPlus.

Një libër i djegur që ende mbanë aromë lufte është eksponati i parë në kthinën e hapësirës ekspozuese, që shpalos ngadalë kujtimet e një çerek shekulli më parë për të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, ku përmes tij vijnë e bëhen dëshmi e ngjarje të gjalla mbi këtë të kaluar që emocionon njëjtë edhe ata që nuk e kanë përjetuar luftën me lëkurën e tyre.

Më tej, një orë-radio që në atë kohë ka qenë mediumi kryesor për t’u informuar mbi ngjarjet e luftës, një sini (tepsi) me të cilën është servuar ushqimi gjatë luftës nga një familje, copëza gazete, ditar, e fotografi të ndryshme janë eksponate të tjera të ekspozitës, përmes së cilëve Labeat Elshani, Gresa Marmallaku, Olisa Cekaj, Emnesa Rukiqi, Rea Mahmutdemaj, Miodrag Denic, Arlind Hyseni, Adelina Berisha dhe Qëndresa Fazliu sjellin emocionet e tregimeve familjare përmes videove 60-të sekondshe, ku mënyra e të rrëfyerit si dhe ndjeshmëria për këto tregime shpreh qartë atë se si trauma iu është bartur edhe atyre sikur të ishin pjesë e luftës.

Sipas organizatoreve të ekspozitës roli i familjes merr vëmendje si një hapësirë e rëndësishme për përcjelljen e kujtesës.

“Në shumë dhoma të shtëpive gjenden objekte që lidhen me të kaluarën, ofrojnë dëshmi të tingujve të maktheve, të lotëve, të dhimbjeve që i kanë rezistuar kohës për të ofruar dëshmi.

“Postkujtimi” nuk është një lëvizje, metodë apo ide, është një strukturë e përcjelljes së njohurive traumatike ndërmjet brezave, është pasojë e kujtimit traumatik. Në këtë rast, kjo kujtesë brezash del në publik si një arkivë e përbashkët tregimesh që dëshmon lidhjen mes së shkuarës dhe së tashmes, midis brezit të dëshmitarëve e të mbijetuarëve dhe brezit pasardhës”.

Kuratorja e ekspozitës, Blerta Hocia, në hapje të ekspozitës “Pas kujtesës” ka thënë se ky projekt ka ardhur si rezultat i thirrjes për projekte artistike që në fokus ka ballafaqimin me të kaluarën.

“Ju falënderoj që jeni prezent në këtë hapësirë të themeluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që shërben për memorializimin e të kaluarës dhe veçanërisht në ofrimin e një hapësire për krijuesit, autorët artistët që kanë në fokus në punën e tyre, ballafaqimin me të kaluarën. E tillë është edhe ekspozita që e prezantojmë sot. Kjo ekspozitë vjen si rezultat i thirrjes për projekte artistike që ka në fokus ballafaqimin me të kaluarën të cilin ne çdo vit e hapim si thirrje për artistë dhe autorë të disiplinave të ndryshme. Sonte, e hapim ekspozitën nga Zanita Halimi “Pas kujtesës” që hulumton në brezat e rinj, në brezat e lindur pas luftës. Interesantja e kësaj ekspozite është se të gjithë pjesë marrësit e intervistuar tregojnë për kujtime që me të vërtetë nuk i kanë jetuar” ka thënë kuratorja Hocia.

Ndërkaq, autorja e ekspozitës Zanita Halimi ka thënë se pjesa më e rëndësishme e këtij projekti janë të rinjtë, të lindur pas luftës që kanë pranuar që rrëfimet e tyre familjare t’i bëjnë publike.

“Jam ndier e nderuar që rrëfimet e tyre të lindura në hapësirën e quajtur familje të barten dhe të vijnë te një audiencë shumë e gjerë. Falënderoj Labeatin që ka sjellë librin e djegur që ende mban erë lufte, ta prezantoj në këtë ekspozitë, po ashtu Gresën që me një fotografi interesante mjaft unike që mbart me vete një kod unik në bazë të të cilit familja e saj të jetë e bashkuar. Falënderoj edhe Olisën për orën-radion me të cilën janë informuar për ngjarjet e luftës, Qëndresën që ka sjellë një sini në të cilën servohej ushqimi që i ka bashkuar familjet edhe para luftës, por edhe gjatë luftës. Gjithashtu Enesën, që na ka sjellë pjesë nga ditari i gjyshit të saj që e shkruan edhe për lindjen e saj. Arlindi i cili ka lindur në Norvegji na sjellë copëz gazete që e tregon historinë e lindjes së tij. Miodrag-i që na sjellë një fotografi mjaftë interesante të nënës së tij infermiere që ka shërbyer në Klinikën Universitare të Kosovës”, është shprehur autorja Halimi.

Autorja më tej është shprehur se në pyetjet e vajzës së saj 11 vjeçare mbi luftën, përvojën dhe mënyrën e jetesës së atëhershme e sheh rëndësinë e transmetimit të këtyre rrëfimeve gjeneratë pas gjenerate.

“Reja është lindur dhe rritur duke i parë rrënojat e kullës në të cilën ka jetuar familja e saj. E falënderoj edhe Adelinën që na sjellë një foto që në dukje nuk ka shumë peshë, por është shumë me vlerë për familjen e saj, e cila ka qenë e strehuar në shkollë, por flet edhe për solidaritetin. Ekspozita është realizuar në formë të hulumtimit”, ka thënë autorja e cila, u shpreh e bindur se ky lloj hulumtimi do të vazhdojë edhe më tutje.

“Ekspozita “Pas Kujtesës” përshkruan marrëdhënien që ka patur brezi i fëmijëve të lindur pas luftës me përvojat e plota, shpesh traumatike, që i kanë paraprirë lindjeve të tyre. Pra, me përvojat që ata “kujtojnë” vetëm me anë të tregimeve, imazheve dhe sjelljeve mes të cilave ata u rritën. Këto përvoja iu transmetuan atyre aq thellë dhe me emocion saqë, dukej se përbënin kujtime më vete”.

Kjo ekspozitë është mbështetur nga: Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe NED, dhe do të qëndroj e hapur për një muaj për vizitorë./ KultPlus.com

Sot është dita e Martin Luther King Jr., udhëheqësi i të drejtave civile

Sot është dita e Martin Luther King Jr. ku kujtojmë punën e bërë nga aktivisti i të drejtave civile.

“Ne të gjithë duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër – ose të gjithë së bashku do të humbasim si budallenj.”

Në vitin 1964, Martin Luther King Jr. u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit. Metodat e tij përfshinin bojkotime të organizuara të përhapura dhe mosbindje civile.

Në kohën e çmimit ai ishte personi më i ri që mori çmimin e paqes; sot ai është ende marrësi mashkull më i ri.

​Për të Drejtat Civile dhe Drejtësinë Sociale

Martin Luther King ëndërronte që të gjithë banorët e Shteteve të Bashkuara të gjykoheshin nga cilësitë e tyre personale dhe jo nga ngjyra e lëkurës së tyre. Në prill të vitit 1968 ai u vra nga një racist i bardhë. Katër vjet më parë, ai kishte marrë Çmimin e Paqes për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit.

King iu përmbajt filozofisë së Gandit për jo dhunën. Në vitin 1955 ai filloi luftën e tij për të bindur qeverinë amerikane që të shpallte të paligjshme politikën e diskriminimit racor në shtetet jugore. Racistët iu përgjigjën me dhunë iniciativave jo të dhunshme të zezakëve.

Në vitin 1963, 250,000 demonstrues marshuan drejt Memorialit të Lincoln në Uashington, ku King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”. Një vit më pas, presidenti Johnson miratoi një ligj që ndalonte çdo diskriminim racor.

Por Mbreti kishte kundërshtarë të fuqishëm. Kreu i FBI-së, John Edgar Hoover, e vuri nën vëzhgim si komunist dhe kur King kundërshtoi politikën e administratës në Vietnam, ai ra në disfavor të Presidentit. Ende nuk është konstatuar nëse vrasësi i King ka vepruar vetë apo ka qenë pjesë e një komploti. / KultPlus.com

Gjino i ’14 vjeç dhëndër’ feston sot ditëlindjen

Ju kujtohet Gjino tek komedia “14 vjeç dhëndër”, i cili luante rolin e bashkëshortit minoren të Marigosë?

Ka kaluar kaq shumë kohë, por me siguri të gjithë e mbani mend dhe jeni kurioz si duket sot aktori dhe çfarë ka ndodhur me të.

Aktori Admir Sorra aktualisht jeton në Vlorë. Vite më parë ka jetuar edhe jashtë vendit, ku edhe andej nuk kanë munguar njerëz që e kanë identifikuar me emrin e Gjinos.

Admir Sorra lindi në Vlorë më 15 janar të vitit 1975, është i njohur për rolin e tij në filmin “Përrallë nga e kaluara”.

Në vitin 1988 në një konkurs që është bërë në Tiranë, ku filmi “Përrallë nga e kaluara” (14 vjeç dhëndërr) mori çmimin “Naim Frashëri”, regjisori i drejtoi të tërhiqte çmimin e filmit, ky ishte një nder për të, për ta bërë atë të pranishëm në skenën e artit shqiptar. Në Festivalin VIII të Filmit ka marrë medaljonin si “Aktori i vogël më i mirë i filmave shqiptarë”.

Përkundër arritjes së vlerave të larta artistike ai u largua nga Akademia e Arteve në vitin 1993.

Ndërkohë më poshtë ju sjellim disa foto si duket “Gjino” tani./vjosa.net/KultPlus.com

foto galeri
foto galeri
foto galeri

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com

Isa Boletini: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

Të dielen shfaqet filmi gjerman “Një verë në Itali”, luan aktori shqiptar Valmir Krasniqi

Aktori shqiptar Valmir Krasniqi, ka bërë të ditur, se të dielen, me datë 19 janar, do të shfaqet filmi televiziv në gjuhen gjermane “Një verë në Itali”, në të cilin ka luajtur edhe ai.

“Një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua! Filmi im i parë televiziv në gjuhën gjermane. Falenderues dhe mirënjohës”, ka shkruar Krasniqi.

Filmi do të transmetohet duke filluar nga ora 20:15 në Zdf – “Ein Sommer in Italien”./KultPlus.com

Lugina e Drinosit, pjesë e “World Monuments Watch 2025” – ShBA: U zgjodh mes 200 nominimesh

Manastiret e Luginës së Drinosit janë bërë pjesë e “World Monuments Watch 2025”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në një reagim në rrjetet sociale thekson se është krenare për mbështetjen që i ofron këtyre manastireve të lashta përmes Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore.

“Urime Shqipëri! Manastiret e Luginës së Drinos janë përzgjedhur për World Monuments Watch 2025, të zgjedhur nga 200 nominime si një nga 25 sitet që përballen me sfidat e trashëgimisë kulturore. Kjo njohje thekson rëndësinë globale të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Ambasada e SHBA është krenare që i mbështet këto manastire të lashta përmes Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, duke ndihmuar në mbrojtjen dhe rigjallërimin e tyre për brezat e ardhshëm dhe komunitetet lokale”, shkruan Ambasada e SHBA në Tiranë.

Ky fond ka për qëllim të ndihmojë në mbrojtjen, restaurimin dhe rigjallërimin e këtyre monumenteve të rëndësishme, duke mundësuar që pasuria e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë të mbetet e ruajtur për brezat e ardhshëm. Përveç asaj, mbështetja ka një ndikim pozitiv edhe për komunitetet lokale, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e turizmit kulturor në rajon./atsh/KultPlus.com

Amaneti i Ernest Koliqit

Nga: Frank Shkreli

Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkëshortja.  Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia. 

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet.  Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë!  Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh.  Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”  Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit.  Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.”   Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë  shumë më mirë se unë. 

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi.  Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare.  Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin  Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”.  Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”.  Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi.  Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar.  Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore  — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com

“Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë”

Dr. Martin Luther King ishte ministër amerikan, aktivist dhe udhëheqës i shquar në lëvizjen për të drejtat civile, mbahet mend sot për avancimin e të drejtave civile përmes jodhunës.

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur u vra në vitin 1968, por shumë citate dhe fragmente të Martin Luther King Jr. nga fjalimet, predikimet dhe librat e tij të fuqishëm mbeten po aq të rëndësishme edhe sot (nëse jo më shumë). Ai foli me mençuri për barazinë, mirësinë, guximin, ndryshimin, faljen dhe më shumë – dhe bindjet e tij kuptohet që ende rezonojnë me kaq shumë njerëz.

Nga viti 1955 deri në vrasjen e tij, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe mori pjesë, ndihmoi në organizimin dhe udhëhoqi marshime dhe protesta jo të dhunshme, duke përfshirë marshimin e vitit 1963 në Uashington, ku ai mbajti fjalimin e tij tashmë të famshëm “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Memorial i Linkolnit.

Sot, KultPlus ju sjell 15 shprehje të fuqishme nga Martin Luther King-ut:

“Urrejtja e paralizon jetën; dashuria e çliron atë. Urrejtja e ngatërron jetën; dashuria e harmonizon atë. Urrejtja e errëson jetën; dashuria e ndriçon atë.”

“Falja nuk është një akt i rastësishëm; është një qëndrim i përhershëm.”

“Dashuria është forca më e madhe në univers. Është rrahja e zemrës së kozmosit moral. Ai që dashuron është pjesëmarrës në qenien e Zotit.”

“Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.”

“Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme.”

“Askush të mos ju tërheqë aq poshtë sa ta urresh atë.”

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”

“Bëni një karrierë njerëzore. Përkushtoni veten në luftën fisnike për të drejta të barabarta. Ju do të bëni një person më të mirë për veten tuaj, një komb më të madh të vendit tuaj dhe një botë më të mirë për të jetuar.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”

“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”

“Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”

“Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Një ditë do të mësojmë se zemra nuk mund të jetë kurrë plotësisht e drejtë kur koka është plotësisht e gabuar.”

“Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm reciproke, të lidhur në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, i prek të gjithë në mënyrë indirekte.” /KultPlus.com