Nuk guxova ta këpus një trëndafil në kopshtet e Alhambras e ta sjell mbi varrin tënd, nanë në ditën e lindjes tënde. Parajsë qenka këtu, ujë, dritë e aromë lulesh. Ti pushon e qetë në parajsën tënde. Turistat bëjnë foto për ta përjetësuar ketë bukuri. Asgjë nuk përjetësohet, Asgjë, askush, nuk është i përjetshëm. Trëndafilat vyshken, kujtimet treten, njerëzit humbin, lënë të gjallët të sillën me telefona në dorë duke fotografuar vende e vetën e duke kërkuar parajsën mbi tokë. / KultPlus.com
Ende është dimër, ende uji mund të ngrihet në çeshme në oborr aty kur rrijmë verës deri vonë.
Ende mund të bie borë!
Mimozat po shiten në shesh? Vijnë nga jugu, aty ku ka det. Mos u mashtro nga rrezet e ngrohta, sa të bie dielli, tē kapin ethe të ftohta.
Ende mund të bie borë!
Jo, mos i beso kësaj dite të këtij muaji, këtë vit, këtij qiell pa re që shëndrit, në mëngjes në xham me avullin e gojës një zemër të thyer mund të vizatohet
Ende mund të bie borë !
Sheh befas një buzëqeshje në buzë të dashur? shikoja sytë, janë të akulltë si kjo pasdite që po perendon edhe dashuria mund të mbarojë.
Në nderim të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dje u mbajt Festivali i Poezisë “Republika”, i cili bëri bashkë 15 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Maroku dhe ShBA. Në këtë edicion të pestë me radhë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës frymuan vargje, zëra, tinguj e kërcime, të cilat u jetësuan në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.
Me pjesëmarrjen e poetëve si Curtis Bauer nga SHBA, Anna Hoffmann nga Gjermania, Dalila Hiaoui nga Maroku, Luccila Trapazzo nga Zvicra, Adem Gashi, Primo Shllaku nga Shqipëria, Nerimane Kamberi, Timo Flloko nga Shqipëria, Vlora Konushevci, Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi, Emin Z. Emini, Ndue Ukaj dhe Xhevat Latifi, “Republika” hyri në secilin shpirt të pranishëm.
Ky edicion ka sjell pranë vetes edhe gërshetimin e poezisë me interpretimin e aktores Melihate Qena dhe Avni Dalipit, të cilët dhuruan emocione të jashtëzakonshme që u përcollën nën tingujt e instrumentistit Astrit Stafai. Në anën tjetër, mbrëmja gjeti nisjen fillimisht nga kënga e Vlora Ademit nën interpretimin e Qenës, dhe pjesëmarrjen e balerinës Altina Basha me një kërcim tejet të veçantë nën koreografinë e Robert Nuhës, që i dha hijeshi unike këtij edicioni.
Me fillim nga ora 19:00, BKK u shndërrua në shtëpinë e dytë të poetëve e jo vetëm. Ishin fotografitë abstrakte nga fotografi Fahredin Spahija, ato që këndshëm në prapavijë zunë vend. Gjithsej 45 fotografitë nëpërmjet ekspozitës virtuale së quajtur “odin 45”, e bënë atmosferën akoma më të ngrohtë.
Organizatorja, Vlora Ademi fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke ia lënë hapësirën poezisë që të jehojë.
“Faleminderit shumë që keni ardhur dhe po e nderoni edicionin e pestë të Republikës. Sonte si zakonisht, vetë Republika do të flasë nëpërmjet poezisë, andaj unë po ia jap fjalën poezisë. Uroj që ta shijoni këtë mbrëmje”, tha Ademi.
Ndërkaq, moderatorja Fitore Rexhepi në nderim të figurës së njohur Edi Shkuriu, tregoi se do të interpretohet poezia “Në qiell”, në shenjë respekti.
“Këtë vit e kemi humbur një figurë të rëndësishme të kulturës, Edi Shukriun e cila jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj në fushën e arkeologjisë por ajo ka kontribuar shumë edhe në çështje kombëtare, andaj në shenjë respekti dhe nderimi për të, ju ftoj ta dëgjojmë poezinë e saj “Në qiell”, nën interpretimin e aktores Melihate Qena.”
Tutje, poezitë si: “Putini gri”, “Dita e parë dhe e fundit” nga Adem Gashi, “Shën Valentini”, “Fleta e bardhë” nga Primo Shllaku, “Duhet kërkuar dashurinë”, “Ne vajzat, bijat, motrat” nga Nerimane Kamberi, ““Nekrologji”, “Lutja e mbrëmjes” nga Curtis Bauer, “Shën Valentini”, “Kushtetuta” nga Dalila Hiaoui, “Xhelozi e detit”, “Rob i manive” nga Timo Flloko, “Amulli”, “Veprimtare e pabesë” nga Vlora Konushevci, , “Rrno vetëm për me tregue (Pëshpëritja e At Zef Pllumit) nga Ahmet Selmani, “Bota rrotullohet”, “Kasandra në shërbimin tuaj” nga Anna Hoffmann, “Gruaja e dëshmorit”, “Ende harku” nga Emin Z. Emini, “Rekuiem 20/22”, “Në rrethin e hënës” nga Luccila Trapazzo, “Ikja e kalorësit të fundit”, “Pikë tamël në sy” nga Xhevat Latifi, “Listë personale” nga Blerina Rogova Gaxha, “Biletat”, “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona” nga Ndue Ukaj, “Njeriu mes mjegulle” nga Halil Matoshi, rrumbullakuan këtë natë përgjatë dy orëve, me ç’rast u dëshmua se poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, andaj jo rastësisht cilësohet si “mbretëresha e arteve”.
Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë vit u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Instituti Goethe në Prishtinë. Ndërsa sponsor medial është gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.
Nuk pat borë, as mysafirë nuk patem, pak zbukurime, shumë pak, gati hiç, gjithçka ishte ndryshe këtë 31 dhjetor. Nuk përgatita pulë, edhe pse i kemi pre në fundvere, ato ditë kur na le. As valle, as përqafime. Vetëm gishti që rrëshqiste në ekranin e telefonit, tu i kërku fotografitë e festave bashkë, shkëmbimin e dhuratave. Djali më tha se patëm momente të bukura vitin që lamë pas. Ah? T’i rilexoj poezitë e mia. Dhe kur qielli në katund u ndriçua me qindra fishekzjarre, desha të ta uroj vitin e ri, lypa nje yll lart, më të ndriçueshmin, i lëviza buzët, urime, nanë. Filloi të fryej a ishe ti? U ktheva brenda, tu ofshamë, shyqyr shkoi ky vit. Ardhtë më i mirë. E qetësia ra. / KultPlus.com
Mbretëreshat po shkojshin kështu, pa zhurmë, qetë, lehtë, pff… pa e mërzitur askend, tu i lënë të gjithë të mërzitur. Kështu shkove sot një vjet, mbretëresha jonë, mbretëresha ime. Sa kemi mall, nanë! /KultPlus.com
Kishim mundur me i dhuru çizmet e gomës të birit tonë për Muzeun e Fëmijërisë së Luftës, Ekspozita udhëton në galeritë kombëtare të kombeve pa shtet, të kombeve pa marifet Libri i përshtypjeve te dera, tu dal. S’kam përshtypje, kam vetëm lot. Çizmet nuk i kemi më, ndoshta ia kemi fal ndonjë fëmisë që të ik, nga kufiri në kufiri, ndoshta i ka fshehur nana thellë në podrum, se tash jetojmë në paqë. Çizmet nuk i kemi më, nana nuk është më. Pushon në paqë, pushoi së mbathuri çizmet nipit, në kohërat pa kohë. / KultPlus.com
Rrëfim personal i Nerimane Kamberit të publikuar në portalin frankofon “Le Courrier des Balkans” me rastin e 20 vjetorit të luftës në Kosovë.
Fundi i ditës, dal nga kampi për t’u kthyer në shtëpinë ku po jetojmë në lartësitë e Shkupit, te Kalaja. Ne jemi ndër fatlumët, nëse mund të flasim për fat në këto rrethana. Po, mund të flasim për fat. U larguam nga Kosova, nga Prishtina, nga lagjja jonë, Dardania, në kohën e duhur. Ikëm nga lufta në ditën e katërt të bombardimeve. Para eksodit masiv të fillim prillit 1999. Me veturë, sigurisht jo me tonën që nuk donte të nisej, por me veturë dhe jo të shtyrë drejt trenave nga forcat serbe. Ia dhamë 500 marka paramilitarëve me maska për të vazhduar rrugën. Dhe e kaluam kufirin e Maqedonisë me pasaporta. Si qytetarë “normalë”. Por ne nuk ishim qytetarë normalë, dhe nuk ishte një muaj mars normal, ishte luftë dhe ne ishim refugjatë. Në hotelin ku na vendosën përkohësisht miqtë tanë, filluam të qajmë.
Ata vinin me tren, me vetura. Me dhjetëra, me qindra, grumbulloheshin në kampin e Bllacës, në kufirin maqedon. Kampi i turpit. Kujtesa ime i ka errësuar këto imazhe, vetëm fotot më kujtojnë “skenat në të cilat nuk do të donim të ishim të pranishëm nga frika se kurrë nuk do të mundemi t’ia fshijmë kujtimin e dhimbshëm”, siç theksoi në atë kohë një gazetar nga e përditshmja zvicerane Le Temps. Njerëz të ndershëm, njerëz të thjeshtë, familje dikur të lumtura, nëpunës civilë të kryeqytetit, gra nga katundi, fëmijë të kequshqyer sepse veçse të zhvendosur me muaj në Kosovë, fqinjët, fqinjët e mi. Sot zgjasin duart, kërkojnë bukë.
Njerëzimi? Një polic me dorëza të zeza lëkure shënon një numër regjistrimi në dorën e një refugjati. Policët me maska mbi gojë ruajnë kampin, a po mbrohen nga era e keqe, nga sëmundjet? Kampi i Bllacës ishte ferr në ditët e para të eksodit. Dinjiteti njerëzor përbuzet, poshtërohet, shkelet, shtypet. Një kameraman që punoi në prill 1999 për UNHCR-në më kujtoi kohët e fundit se si kampi i Bllacës ishte shndërruar shpejt në një vend “të denjë”, me ndihmën e OJQ-ve dhe të ushtrisë. Kampi u zbraz më vonë brenda një natë të vetme, kur autoritetet maqedonase vendosën, pa i pyetur refugjatët, t’i përzejnë këta të padëshiruar, këta të paprekshëmit, për t’i dërguar në katër anët e botës falë konvojeve “humanitare”.
Jemi me fat, jetojmë në një shtëpi, edhe pse na është dashur të lëmë tonën, dhe ta marrim me qira këtë në lartësitë e Shkupit. Punojmë në kampe, por në mbrëmje kthehemi në shpi, shpi që nuk është e jona, jemi refugjatë.
REFUGJatE DHE HUMANITARE
Ndihma humanitare është organizuar. Punoj për organizatën franceze Mjekët e Botës (Médecins du Monde), më konkretisht jam përgjegjëse për të drejtat e njeriut”. Puna ime është të mbledh dëshmi nga njerëzit që vijnë nga Kosova dhe nga ata që jetojnë në tendat në kampet. Bëj raporte. Përkthej, ndihmoj mjekët, gjej bukë, (një ditë, në Bllacë, shoh një nënë që mban për dore vajzën e saj trevjeçare, e cila i ka hundë të përgjakur, çka ka, e godita. Pse? Po më lyp bukë. Mos kishte harruar se nuk ishte më në mal, tu u fsheh, se nuk ikte më ? Vij e shkoj nga kampi i Bllacës deri në kufi, ku kam të drejtë të hyj në no man’s land, në zonën neutrale, të marrë refugjatët më të dobët, të plagosurit. Nuk do ta harroj kurrë këtë pamje të një gjyshi në kolicë bahçeje, me këmbë të thyer, as autobusin që kishte shkarkuar 36 robërit e parë të luftës, kokën e rruar, trupin të mavijosur nga rrahjet dhe torturat, që nuk kishin asnjë lajm për familjen e tyre dhe për të cilët as familje nuk kishte lajm. Mjeku ynë i kontrollon, unë bëj pyetje, bëj raport.
Në Stankovec fillimisht nuk kishte telefona. Gjatë xhirove nëpër kamp, unë shënoj numra, pastaj nga baza e thirri një djalë, një kushëri, një babë, në Danimarkë, në Irlandë, në Shtetet e Bashkuara, për t’ia dhënë lajmin e mirë, se nana, vajza, kushëriri, i tyre, është gjallë. Bërtime, vaj, falënderime në telefon, shpërthime emocionesh, të padurueshme janë kaq të forta. (Djemtë e kishin gjetur nënën e tyre përmes një fotografie të Hazirit që u botua në një të përditshme daneze, atë e kërkuam të nesërmen në të gjithë kampin, por ishte dërguar në Turqi).
Të gjitha mediat botërore janë në Shkup, me kolegë në Kukës, në Shqipëri. Ata tregojnë për tragjedinë e kosovarëve, krizën e refugjatëve, duke ia lënë çështjet ushtarake dhe vendimet politike kryeqyteteve evropiane dhe NATO-s. VIP-a, personalitete sportive, Klinton, të gjithë janë këtu, ku askush nuk dëshiron të jetë.
Ndalgadalë jeta në Stankovec organizohet, ashtu si në Çegran. Telefonat satelitorë i lidhin refugjatët me familjet e tyre, spitali gjerman ofron kujdes të mirë (një grua shtatzënë nga kampi i Bllacës do të lindë fëmijën e saj në xhipin e Médecins du Monde, mjeku maqedon nuk e lejoi të largohet nga kampi pa një polic të armatosur në bord). OJQ-të bëjnë më të mirën, humanitarët shkojnë nëpër tenda, duke ofruar kujdes, fjalë qetësuese, etj.
Shefat tanë kërkuan të vishnim rroba serioze, për respekt për refugjatët. A kisha nevojë për këtë këshillë, duke qenë vetë refugjat dhe duke pasur përballë njerëzit e mi, njerëz si unë? Jelekët tanë humanitar na djersitin, ishte kaq vapë në Shkup në ato muaj pranvere të vitit 1999, pluhuri na ngitej në lëkurë, por i mbanim për t’u treguar refugjatëve se ishim aty për t’i ndihmuar, për të dëgjuar rrëfimet e tyre, dokumentojnë dëshmitë e tyre. Si ajo e asaj vajzës së re nga Drenica e cila i tregoi një avokati nga Federata Ndërkombëtare e Drejtave të Njeriut (FIDH) se si e kishin dhunuar serbët. Babai i saj ishte fshehur lart, i kishte dëgjuar të gjitha. Më vinte me vjell. S’doja me qajt, por kjo më vinte automatikisht.
Kampet janë të mbipopulluar, qoftë ai i Stankovecit apo ai i Brezdës, në prill por edhe në fund të majit. Refugjatët rreshtohen me bidonet e tyre të plastikes për të mbushur ujë, ata rreshtohen për të hyrë në tualetet, të paktë për gjithë këta njerëz, rreshtohen për të përdorur telefonat satelitorë. Në shatore është vapë, shumë vapë, disa shtrihen në dyshekë të improvizuar, të tjerë bëjnë muhabet “në pragun e derës”, po ekalojnë kohën, që nuk po kalon, që nuk mbaron kurrë së zgjaturi. Shumë nga këta refugjatë presin të dëgjojnë emrat e tyre dhe ata të vendeve të gatshme për t’i pritur. Të tjerët presin lajme nga familjarët. Kanë shkuar në Shqipëri, kanë qëndruar në Kosovë, janë gjallë apo kanë vdekur?
Kur largohemi nga kampi në fund të ditës, dera mbyllet pas nesh, shkojmë në shtëpi ku vjehrri na pret që t’i tregojmë për dramën, kaosin, tragjedinë, lojërat e fëmijëve në një teren futbolli të improvizuar në kamp, gra me shami në krye, pleq me plis. Ai e di që herëdokurdo t’i tregojmë për anëtarë të familjes sonë, edhe ata do të kenë mbërri me një mijë vështirësi në kufi, pasi të kenë ikur nga Ferizaji dhe fshatrat e tij. Nesër ai do t’u sjellë çaj dhe qygyma, një brisk rroje dhe zhileta, sapun. Por vetëm deri te telat. Hyrje e ndaluar. Dhe dalje e ndaluar, për refugjatët.
Bashkëshortin tim e nxe gjumi në fotele, me këpucët e terenit në këmbë, i rraskapitur fizikisht, i rraskapitur emocionalisht. Unë kujdesem për Bindin, katër vjeç, i cili ka filluar të flasë me theksin e Kaçanikut, theksin e shokut të tij përballë, refugjat nga ky qytet. Ne jemi një familje e lumtur refugjatësh, të lumtur që nuk jemi mbrapa telave. Të lumtur sidomos që jemi gjallë./ KultPlus.com
Kur nata binte mbi Luginë, nana merrte birin tonë, katër vjet ende s’i kishte, “Eja, në darsëm po shkojmë”, darsëm të heshtun, pa daulle e pa valle, në bodrumin e kushërinjve, zhurmë bënin vetëm bombardimet mbi Kosovë. Lufta te dera e shpisë kishte mbërri, ne, ata, të gjithë, kishim ikur nga kufiri në kufi. Sot, nana nuk rron më, Bindi u rrit, u bë burrë, në Paris u feju. Një djalë i vogël fshihet sonte diku, në një bodrum të Kievit toka dridhet, edhe ai dridhet, në prehrin e gjyshës. Fotot e agjencive, të njëjtat sikur para njëzet e tri vjet, Refugjatë, kolona, zjarr e gjak në kryeqytet. Darsmat plot trishtim nuk ndalen, luftat nuk ndalen, se të çmendurit nuk ndalen. / KultPlus.com
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti më i ri që vjen e krijuar nga PEN Qendra e Kosovës, sonte shënoi mbrëmjen e tetë me radhë në kuadër të mbrëmjeve kulturore që po zënë vend çdo të marte dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast u zhvillua edhe një tjetër diskutim mjaft interesant që fundin e gjeti me një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe panelistëve, shkruan KultPlus.
Si në secilën herë, edhe sot ora shënoi 17:00, për të vënë në pah temën e veçantë me titull “Letërsia e gruas”. Kjo temë mblodhi rreth vetes jo vetëm shkrimtarë, artdashës, e letrarë të rinj por edhe një numër të konsiderueshëm të grave, për të dëgjuar kështu mendimet e analizat e ndryshme të dy panelisteve që sollën para publikut aspekte tejet interesante.
Për të folur gjerë e gjatë për temën “Letërsia e gruas”, në panel të ftuara ishin: poetja Naime Beqiraj dhe poetja Dije Demiri-Frangu, të cilat nën moderimin e shkrimtares Nerimane Kamberi, si dhe një bashkëbisedimi paraprak, ato prezantuan e shpalosën informacione qysh nga vitet e ’60 e deri më sot, duke u ndalur në pika kyçe që shënojnë dhe formojnë letërsinë e gruas në shoqërinë kosovare dhe jo vetëm.
“Letërsia e gruas”, temë kjo që zgjoi interesin e madh tek publiku, është një temë që prek jo vetëm problematika por edhe fakte të veçanta që letërsia e gruas sjell. Poezia, publikimi, dalja nga anonimiteti u konsideruan më të rëndësishme nga ana e emrave krijues femëror sesa ndërtimi dhe thellimi poetik, prandaj kemi aq pak gra krijuese në letërsinë shqipe të Kosovës deri te fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80. Duke pasur parasysh diferencat mes dy gjinive, sonte u trajtua edhe diferenca mes tyre në aspektin letrar e që u prit mjaft mirë nga publiku entuziast.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatorja Nerimane Kamberi, e cila fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre.
“Ju dëshiroj mirëseardhjen në aktivitetin e radhës të PEN Qendrës. Sonte kemi temën me titull ‘Letërsia e gruas, e cila është një temë mjaft tërheqëse dhe për këtë temë do të flasin edhe dy poete si: Naime Beqiraj dhe Dije Demiri-Frangu”, thotë Kamberi.
Në këtë mbrëmje për të shpalosur më shumë për sa i përket temës, fillimisht foli poetja Dije Demiri-Frangu.
“Akti i botimit të parë të një vepre nga një poete, ishte inaugurimi i saj në letërsi, ishte hapja e një porte, e cila nuk do të mbyllej më, pavarësisht shtrëngatave që herë-herë e rrapëllonin portën deri në mbyllje. Më vonë gratë i mësuan gratë, sado që ato nuk arritën të krijojnë rrjet të tyre si bën burrat poet dhe deri vonë nuk arritën të krijojnë paraardhëset e veta. Vulf (Një dhomë për vete, 1929) i mësoi të kenë një dhomë dhe çelësin e saj për vete, ato i mësuan njëra tjetrës të shkruajnë për të gjitha nuancat e shpirtit femëror. Më së shumti shkruan për dashurinë. Natyrisht, vepra e tyre nuk u lexuan vetëm si emocion femëror, ato u imponuan edhe si art i bukur, gruaja u bë edhe identitet kulturor, nuk duroi së qenëri shërbyese shtëpie”, thotë Frangu.
Sipas saj, te jesh krijuese këtu tek ne, në ambientin tonë në një masë të mirë ende patriarkal, dhe të jesh poete diku tjetër, në botën përparimtare, del pra të mos jetë ndonjë dallim shumë madh, sado që letërsia e grave tona është e re. Realisht, leximi i poezisë së porteve tek ne konsiderohet si një lexim tjetër, është lexim i përcjellë me paragjykime, me mosbesim, shpesh tendencioz dhe injorues. Ajo thotë se letërsia e poeteve, tek ne në Kosovë ende s’merret seriozisht, nuk ka studime të veçanta për ndonjërën krijuese, tema doktorate apo monografi.
“Lufta në letërsi është luftë e vazhdueshme, është e lashtë dhe e pafund. Jo vetëm si tematikë e përmbajtje, por më shumë si rivalitet mes krijuesish për primat. Ka shembuj të pafund të mohimit të krijuesve e posaçërisht të krijueseve. Autoriteti burrëror është shumëfish më i theksuar në vendet me histori të shkurtë të paraqitjes së krijueseve (tek ne tek më 1939 është botuar vepra e Musine Kokalarit, “Siç më thotë nënua plake”), derisa krijuesi burrë ka modele, ajo-krijuesja s’ka modele të shumta të gruas ndaj krijohet kompleksi autorësisë, kompleks që e pengon në ecjen e saj poetike”, thotë ajo.
Për Frangun, nga njëra anë, pra, paraardhësit e gruas-poete, simbolizojnë autoritetin, nga ana tjetër, pavarësisht autoritetit të tyre, ata nuk arrijnë të përcaktojnë mënyrat se si ajo e përjeton identitetin e vetë si shkrimtare. Përkundër gjithë kësaj, konsiderohet se poezia e gruas veçohet para së gjithash me një psikologji të thellë e të larmishme ndjenjash dhe me një mendim të prerë, gjë që e dallon nga “paraardhësit”. Për më tepër konsiderohet se gruaja bën një proces të reduktuar të shkrimit, sakaton frymëzimin e saj ngase autoriteti mashkullor, qe doemos ka implikime në jetën e saj krijuese.
“Frika nga izolimi që mund t’i bëjnë poetes lexuesit e poetët- autoriteti patriarkal i artit, droja dhe ankthi për etikim të punës së saj si një paturpësi, kanë reduktuar në masë horizontin e saj krijues dhe kanë bërë që ajo të ndjehet “inferiore” ndaj vetshpalljes-poete. Kjo dukuri që ishte e theksuar më shumë para shekullit XX, ende vazhdon të shprehet si mosbesim ndaj saj. Frika e autorësisë e shek. XIX u mund dhe fuqia femërore duke ndërtuar identitetin e vet, nis me guxim ta shpreh atë që ndjen e mendon, sepse çka do që shkruhej merrej si pjesë e jetës dhe historisë se saj autoriale, si një sekret që duhej ç’koduar, mendohej si jeta private e saj dhe paragjykohej. E dihet se asnjë grua e asnjë poete nuk ka dëshirë të vlerësohet shkaku i gjinisë, sikur që s’kanë dëshirë të thuhet: shkrimtar burrë, shkrimtar zezak, shkrimtar homoseksual etj. Se poetet ishin të parat, dëshmon letërsia popullore. Ninullat dhe përrallat ju rrëfeheshin fëmijëve para gjumit nga nënat, derisa lirinë e fjalës publike ende nuk e kishin ato”, përfundon Frangu.
Ndërsa, poetja Naime Beqiraj foli rreth autoreve të para që u morën me letërsi qysh nga vitet e ’60, e deri tek e sotmja ku vashat e poezisë tashmë janë në tempullin e artit duke eksploruar.
“Nga ato emra të stivuara në antologjinë e Ramiz Kelmendit ”Femrat shkruajnë”, libër i botuar para 53 vjetësh, janë vetëm dy poete kosovare që vazhdojnë të merren edhe sot me letërsi: Flora Brovina dhe Edi Shukriu, ndërkaq dy autoret e tjera Sheherzade Skreli dhe autorja e parë që ka botuar libër në Kosovë, nuk shkruajnë më”, thotë Beqiraj.
Sipas saj, nëse në vitet ’60 të shekullit të kaluar kishte më pak emra femrash që shkruanin letërsi e më shumë emra burrash që nuk mund të botonin në emrat e tyre për arsye të ndryshme e më shumë për shkak të autocensurës, në vitet ’70 nga shoqëria politike e kohës inkurajohej emancipimi i femrës dhe ishin 3 – 4 emra krijuesesh që botuan edhe libra; në vitet ’80 kishte numër më të madh femrash krijuese.
Poetja Beqiraj pastaj u përqendrua më shumë në shekullin XXI që identifikohet si periudhë e pasluftës në Kosovë, kur shoqata e asociacione të grave e dominonte pamjen e Kosovës, ku duket se më shumë lobonin për artin feminist, pavarësisht nga realizimi, se sa për vlerat e njëmendta të letërsisë së shkruar nga gratë. Asociacione të tilla, të panumërta ekzistojnë dhe mirë që ekzistojnë, por Beqiraj mendon se pak ndeshim vargje nga gratë, përkthime të letërsisë së grave të Kosovës në gjuhë të tjera, e aq më pak përkrahje të prezentit të letërsisë kosovare të shkruar nga gratë dhe prezantime në vende të tjera, përveç në festivalin “ArtPolis”.
Për të, vitet ’90, ishte koha kur jeta kulturore po venitej, krijimtaria artistike pamore, letrare, muzikore e formate të tjera po zhvilloheshin më shumë në ambiente të improvizuara kafenesh, kohë kur krijueset mezi mbijetonin pa punë dhe të mbanin familjet e tyre, periudhë kur mungonin revistat letrare e shtëpitë botuese mezi mbijetonin, letërsia e mirë kishte rënë edhe të gjinia e fortë, ashtu si edhe duke që intensiteti i botimeve të mira, por megjithatë botohej. Ajo tutje tregon se ritmi i mungesës së cilësisë, në shumësinë e botimeve jo vetëm nga gratë, mund të thuhet që vazhdoi edhe 10 vjet, ndonëse kishte edhe edhe botime edhe emra të rinj krijues që shquheshin.
“Me një ritëm me dinamik, gruaja që shkruante bukur që lexonte shumë e edhe në gjuhë të huaja, donte diçka tjetër nga krijimtaria e saj në shekullin e mileniumin e ri. Poezia po merrte format e emra poeteshash kishin formësuar stil. Ajo, pra as e kërkonte lumturinë, as e hidhte vuajtjen në botën e saj. Reagimi i saj karshi realitetit, jetës, gjinisë, dashurisë, shpërthimit e modës, nuk kërkonte as tolerancë, as reagim, as mëshirim. Gjeneratori individualist i botës femërore sjell në këtë periudhë përparësi botës së vet tashmë të ekuilibruar. Poezia është art i rrallë që të ndez fijet e fluturimit pa pasur nevojë t’i trembësh aeroplanit për të rrugëtuar në vendet që i ke ëndërruar. E kur kjo shkruhet nga një dorë, shpirt e mendje elegante siç është ajo e gruas, frymon në poezi reliev ndjeshmërie që përthyhet pa i shmangur as thepisjet e forta e as të lartat. E gjatë një periudhe të gjatë, kanë mbetur libra të krijueseve të palexuara, të patrajtuara, nuk është shkruar për to, shpesh edhe kur nuk kanë qenë pjesë të klaneve, klane këto larg të qenët qarqe kulturore të Prishtinës siç ishte ta zëmë në vitet ’70, asokohe kur poezia shqipe dhe mendësia kulturore mëtohej të krijohej konform qendrave kulturore të ish shtetit apo edhe më larg, të qendrave evropiane të krijimit”, thotë tutje ajo.
Krejt në fund, Beqiraj shtron pyetjen se kur emrat e grave krijuese mungojnë në kurrikula shkollore, çfarë mund të thuhet pastaj në programet fakultative.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit tutje me mendime e informata të ndryshme që u shprehën e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes njerëzve të pranishëm.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: “Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi”, “Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri”, “Leximi dhe Biblioteka”, “Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, “Komunikimi ndërkulturor”, “Gjuha e shkrimit letrar sot”, “Letërsia dhe teknologjia” dhe “Letërsia e gruas”.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Nuk pat borë, as mysafirë nuk patem, pak zbukurime, shumë pak, gati hiç, gjithçka ishte ndryshe këtë 31 dhjetor. Nuk përgatita pulë, edhe pse i kemi pre në fundvere, ato ditë kur na le. As valle, as përqafime. Vetëm gishti që rrëshqiste në ekranin e telefonit, tu i kërku fotografitë e festave bashkë, shkëmbimin e dhuratave. Djali më tha se patëm momente të bukura vitin që lamë pas. Ah? T’i rilexoj poezitë e mia. Dhe kur qielli në katund u ndriçua me qindra fishekzjarre, desha të ta uroj vitin e ri, lypa nje yll lart, më të ndriçueshmin, i lëviza buzët, urime, nanë. Filloi të fryej a ishe ti? U ktheva brenda, tu ofshamë, shyqyr shkoi ky vit. Ardhtë më i mirë. E qetësia ra. / KultPlus.com
Ata po festojnë, edhe ne do të festojmë, edhe unë patjetër, se jeta vazhdon, rapë do t’i lyej buzët me kuq, thonë që më rri mirë, Tash veç sytë i kam të kuq, nga lotët që nuk po mund t’i ndali dhe kur fryma po më zihet nga dhimbja po dal e po sillem verdallë nëpër shesh, as dritat nuk po më bëjnë përshtypje. Valoni u zgjua nga koma, deri sa shkove pyete për të, nuk e ka ditur që ke vdekur, nanë, ka qajt. Edhe unë dua të zgjohem, e të shoh që gjithë kjo ishte vetëm një ëndërr e keqe, e se do të vish të festojmë bashkë, si gjithmonë. /KultPlus.com
Konkursi për edicionin e katërt të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, tashmë është mbyllur, dhe organizatorët janë duke punuar për mbrëmjen finale të këtij konkursi, që tashmë konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar.
Ardianë Pajaziti drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar për prurjet e këtij edicioni, e cila ka vlerësuar se edhe ky edicion ka një përfshirje të poetëve nga të gjitha trojet shqiptare, por që sikurse edhe edicionet e shkuara përfshinë edhe poetët nga diaspora.
“Është kënaqësi që në edicionin e sivjetmë kanë arrite poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, kurse nga diaspora, këtë vit kemi poetë që kanë aplikuar nga shtetet si: Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra”, ka thënë Pajaziti.
Ajo ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për mbetjen e ceremonisë së edicionit të katërt të këtij konkursi poetik, përderisa tashmë është përzgjedhë edhe juria profesionale.
“Juria profesionale e këtij edicioni është në përbërje të Sali Bashotës, kryetar i jurisë, dhe Nerimane Kamberit e Arbër Selmanit”, ka thënë Pajaziti.
Gjatë javës që vjen do të bëhet e ditur lista prej dhjetë finalistëve, sikurse që do të bëhet e ditur edhe data e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, ceremoni që do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com
Nanë, erdha prapë, Ha ha ha, sigurisht mendon se më shpesh po vij tash se kur ishe me ne. Atëhere mendojsha se je e pavdekshme e se kurrë nuk do të ishte i zbrazët vendi jot, aty te kolltuku, e se do të lypi, e nuk do të gjej, askund në shpi. E shtunë, ditë pazari, ama nuk dola, pa ty, nuk ma mori mendja. Bora ishte shkri në luginë, këtu ma nxehtë, se e ke lanë dashurinë tënde kur ike. Prapë të solla trëndafila të kuq, aq shumë i dojshe. Do të vij te varri jot do të tregoj se po vazhdojnë të më ngushëllojnë miqtë për humbjen tënde, jo, jo, nuk do t’i harroj, se edhe ata një ditë do të humbin më të dashurën e tyre, e do ta ndiejnë dhimbjen e padurueshme që kam. Ata që kanë mbet pa të, para meje, qajnë me mu./KultPlus.com
Vështirë të mësohesh të jetosh me e vështirë të mësohesh të jetosh pa, të jetosh me dhimbjen, që të gërryen deri në palcë, e që është si asnjë tjetër, që rri aty, e strukur, deri sa të shfaqet, në rrugë, në kafe , në klasë , e padurueshme, të vë në siklet se të dalin lot, e të vjen me bërtit, e të shikojnë , e s’të kuptojnë. Të jetosh çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, me nevojën që ta hedhësh një shishe në det, në këtë qytet pa det, SOS ndihmë. Të jetosh pa përqafimin që të mbron nga bota, e të bën fëmijë përgjithmonë, edhe kur i ke pesëdhjetë vjet. Të mos e sillesh më numrin e dashur: nana? “last seen a long time ago”, e të mos frikësohesh se zëri i saj po humbet në hapësirë , pffff Të biesh në gjumë me endrrën që ta shohësh në ëndërr, bie me flejt me një zbraztësi të madhe që të përpien, nga ku nuk mund të ikesh, fundosesh, hynë në një tunel, pa dritë e pa fund. Zgjohesh me një qind daullë në kokë , daullë të shiut e të murmurimësë . Të jetosh me friken se po të dalin mendtë, e ata nuk po e dinë. Asgjë nuk është më e njejtë. Po kujt t’ia thuash? / KultPlus.com
Kur ishte djali i vogël, murmurinte “Po të vjen era nanë”, kur më shtrëngonte fort e ma puthte gushën. Sot, i rritur, ai mundohet të gjej emrin e parfymit tim, të blerë në ndonjë aeroport apo në ndonjë butik luksoz të Parisit. Ty nanë, a të vinte era livandë, kolonjë, miris? Apo thjeshtë, të vinte era nanë? Nanë? Se u bënë një, dy, tri, katër, pesë, gjashtë javë, e po tutna që po më ik era jote, ashtu si ike ti./ KultPlus.com
Sot fryu erë, gjitha fletat ranë në tokë. Nga dritarja shikoja këtë spektakël ku si në një skenë filmi të vjetër, shija vetën, kur me nxënësit e tjerë bënim një truç me fleta dhe shtyheshim dhe hidheshim gjatë lojërave të tona fëminore aty në oborrin e shkollës, ku na çojshe nanë, mua dhe motrën e vogël. Ta lëshojsha dorën dhe hysha në klasë, si e madhe. E sot ti ma lëshove dorën, vërtetë mendove se u rrita, e se nuk kam më nevojë për ty? / KultPlus.com
Kur erdha nuse në katund, nana më veti: “Pse në Kosovë?” « Se ia dua qiellin në mbrëmjet vjeshtore ». i thash. E ti nanë në cilin qiell je sot, e qe katërdhjetëditë, Të të kërkojë, se unë fëmija jot jam i humbur pa ty. / KultPlus.com
Baba nuk do me shku te bahçja, nana nuk është aty, nana nuk është më. La shallin e saj aty te rrushi, dhe shkoi, iku, lehtë, pffff… ashtu si kjo lulja që e fryjmë bashkë në foton time të profilit. Shkoi pa na përgatit, po si përgatiten fëmijët me i vdek nana? Këto janë përralla të të rriturve për me na mashtru që mos të qajmë. Tha ju priti me i mbledh arrat, e s’na priti, e na po i mbledhin vetë në këtë ditë vjeshte plot me diell e me dhimbje. Nanë, të thojshnin Kraljica e mahallës, nusja e Bilaçit, nuse erdhe, me lule në kry, e nuse shkove me lule në kry… të varrit. Si bajrak, nana hidhte vallën, për ditëlindjen e babës, për ditëlindjen e vëllait, për ditëlindjen e mbesës, se me valle e me qeshje, mundi gurbetin, largësinë, mallin, ndarjen, humbjen. Nanën e përshendetem, për herë të fundit, aty te dera e oborrit, nga ku e çitke krytë me pa a u nisen krushqit, a erdhën bijët e kusherinjve, a u nisem për Kosovë. Një shami e bardhë e kish mbulu, bardh, bardh, bardh, si shpirti i saj i bardhë. Iu ndal zemra, ashtu si ora e saj, që nuk e hiqte kurrë, si ora e stacionit të Shkupit ditën e termetit. I pushoi zemra, zemra e madhe, zemra e gjërë, i pushoi barku, që ia ngjesha, sikur bukën që e ngjeshte për gjashtë fëmijtë e saj, e që e pjeke pas orës dhjetë të natës, se rryma ma lirë. Nana nuk na tha lamtumirë, as në shqip, as në turqisht, as në frëngjisht, ndoshta më mire kështu. Na e tha ndryshe, si me puthjen që ma dha, me dorën e saj të lodhur, aty te spitali, ku takova hijen e Ai Podrimës që vinte me pa Lum Lumin. Rrugë e gjatë ishte jeta jote, e tash pusho, e qetë, nanë, nesër ta sjell një buqetë me trëndafila, e ta flladiti dheun me ujin e çeshmes që ta vumë pranë, ndoshta e flladiti shpirtin tim, ndoshta pak, shumë pak…/KultPlus.com
Në një natë si kjo, asgjë e keqe nuk mund të ndodh, shpirti im. Sa qetësi ! a po e ndien ? Në kupolë me mijëra yje ka mbuluar këtë vend të bekuar nga perendia, hëna përton të dalë, nuk do ta trazojë errësirën që ka kapluar oborrin. Në një natë si kjo, askush nuk do që t’i vije fundi kësaj verës, të betohem në këtë verë, dhe unë nuk dua që kjo natë të merr fund ! / KultPlus.com
Kombanja i është afruar katundit tone, nesër gruni do t’është i fshirë. Verën e kaluar nuk i pashë lulëkuqet nëpër arat me grurë; kot kërkoja nëpër kuti kartoni fotografi të mia, të para disa viteve unë e veshur me fustan të bardhë ndër ato lule Isha njëzet vjeçe? tridhjetë vjeçe? As borën e fundit nuk e pashë tek rrëshqiste faqeve të Lubotenit, sikur uji kur rrëshqet fytyrës, faqës qafës, tërë trupit, e të lanë e të qetëson. Nuk i pashë, sikur vitet që shkuan. Ara e artë tani do të pushojë nga tërë ai zjarr, nga tërë ajo zjarmi. Lulëkuqet do të vyshken si buzë të thara pa puthje. Verë. / KultPlus.com
Më 12 qershor 1999, tanket e NATO-s hynë në Prishtinë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Teuta Bylykbashi dhe Hysen Gashi kishin mbetur në qytet me familjet e tyre gjatë 78 ditëve të bombardimeve. Ata tregojnë çlirimin
Nga Nerimane Kamberi
“Mos më kërkoni të jem i saktë rreth orës, kanë kaluar 20 vjet.” Hysen Gashi, rreth të pesëdhjetave, është ulur në kafenenë që e frekuenton shpesh, në Bulevardin Bill Klinton. Në ekran, një kanal televiziv lokal jep lajmin për ardhjen e ish-Presidentit të SH.B.A.-ve për festimet e 12 qershorit, 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Bill Klinton nderohet nga kosovarët, një statujë gjigande është ngritur për ta nderuar në bulevardin që mban emrin e tij. Por për Hysenin, çlirimtarët e parë ishin ushtarët britanikë të KFOR-it, forcat e NATO-s në Kosovë.
“Më 12 qershor 1999, në orën 15.00 ose 15.15 pasdite, dy helikopterë të NATO-s erdhën nga Shkupi, u sollën në qiell dhe u larguan nga kishin ardhur. Pastaj pamë dy automjete të huaja, ndoshta xhipa, që lëviznin përreth dhe largoheshin. Filluam të dilnim nga shtëpitë dhe të shkonim drejt rrugës. Por shiu i madh na detyroi të ktheheshim. Rreth orës 18.30 -19.00, një tank britanik u pozicionua pranë stacionit të karburantit Jugopetrol, një tjetër përpara autoshkollës që kishte shërbyer si një bazë logjistike për ushtrinë serbe. Ne dolëm, u drejtuam për në rrugën që vjen nga Shkupi për të mirëpritur forcat e NATO-s. Disa përqafonin tanket.”
Teuta Bylykbashi, profesoreshë në shkollë të mesme, flet për një atmosferë të ngjashme në lagjen e saj në Ulpianë, në Prishtinë. “Më 12 qershor, ushtarët britanikë të KFOR-it mbërrinë Te Fontana, poshtë ndërtesës sonë. Nga dritarja mund të shihja britanikët që vinin nga njëra anë dhe serbët që iknin nga tjetra. Njëri nga fqinjët tanë serb, i cili kishte marrë veturën tonë një ditë më parë, e ngarkoi atë dhe u largua. Fëmijë zbritnin nga ndërtesat, këputnin lule dhe ua jepnin ushtarëve britanikë.”
HYRJA E FORCAVE SERBE
Të dy tregojnë për këto momente ngazëllimi duke psherëtirë, pa shumë emocione në zërin e tyre. Sepse ata njëkohësisht rijetojnë momentet e rënda që i përjetuan deri në këtë çlirim kaq të pritur, por që, deri në momentin e fundit, do të jetohet herë në dyshim dhe herë në frikë. Hysen Gashi kujton: “Më 9 qershor, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, gëzimi na u kthye. Kishim shpëtuar. Lufta më në fund kishte mbaruar. Por më 11 qershor, unë po i përcillja lajmet e TV Podgoricës ku thuhej që forcat ruse po hynin në Kosovë. Ata mbërrinë rreth orës 20:00 përmes Merdares. Ishte edhe më e tmerrshme se fillimi i luftës, sepse ne thjesht mendonim se ajo u kry, edhe pse kishim ndjenja të përziera gëzimi dhe frike. Atë ditë, ne nuk besonim më në paqe. Serbët po festonin, ata qëllonin në ajër, dëgjohej zhurma e gëzhojave që binin në kulm.”
Teuta edhe sot është e frikësuar kur e kujton atë ditë: “Më 11 qershor, përjetuam frikën më të madhe të jetës sonë, kurse mendonim se ishim të çliruar! Forcat ruse, aleatët e Serbisë, hynë në Kosovë, në Prishtinë! Ishim të dëshpëruar. Mendonim se lufta nuk do të mbaronte kurrë. Për shqiparët ishte një zhgënjim i thellë. Kishim humbur të gjitha shpresat se kjo luftë do të mbaronte. Serbët po festonin. Ata lëshonin muzikën në kupë të qiellit, duke qëlluar në ajër. Fqinjët tanë serb ishin të ngazëllyer. Televizioni i Beogradit transmetonte imazhe të tankeve ruse në qendër të Prishtinës, aty ku sot është Bulevardi Nënë Tereza.”
Photo: Hazir Reka
TË DËBUAR DHE TË SHTYRË PËRTEJ KUFIRI
Të dy flasin për stërlodhjen e ditëve të fundit të luftës. “Nuk mund të mendoja, nuk e kisha më arsyen, nuk dija çfarë vendimi të merrja,” shpjegon Hyseni. Fjalët e Teutës gati se i bëjnë jehonë: “Ditëve të fundit, unë madje e pranova edhe idenë e vdekjes. Timen, jo vdekjen e të tjerëve.”, vazhdon ajo: “Serbët na kishin dëbuar nga banesat tona, nga soliterat tonë dhe ne pamë të vdekur deri në kufirin me Maqedoninë, pamë vetë vdekjen tonë. Por ne u kthyem pa kaluar kufirin. Një herë tjetër, serbët i morën të gjithë burrat poshtë në pesë e gjysmë të mëngjesit dhe kontrolluan dokumentet tona. Ata kërkonin që të zgjoja vajzën time adoleshente, kisha frikë se çfarë mund t’i ndodhte asaj.” “Unë e tërhoqa vajzën time gjashtëvjeçare për dore, nuk e lashë të përfundojë mëngjesin. Serbët na dhanë pesë minuta kohë për të dalë nga shtëpia.” vazhdon Hyseni.
Këto rrëfime ngjajnë me mijëra rrëfime njerëzish të zhvendosur, refugjatësh, të hedhur nga një pjesë e qytetit në tjetrën nën kërcënimin e njerëzve të maskuar dhe armëve të tyre, të shtyrë drejt stacionit për të hipur në trenat që do t’i çonin në Maqedoni, gjatë eksodit më të madh që Evropa e ka njohur që nga Lufta e Dytë Botërore, ose të deportuar në kufij të tjerë. Disa do të paguajnë me marka për kalimin e tyre, të tjerë do të ndalen gjatë rrugës, në një shtëpi të braktisur ose do të strehohen nga banorë të tjerë. Shumë nuk do të arrijnë kurrë askund dhe do të ekzekutohen pasi të jenë ndarë nga familjet e tyre.
Këto lëvizje të popullatës, nga një lagje në tjetrën, nga Velania deri poshtë Dragodanit, e drejt Emshirit, nga Prishtina në fshatin Makoc, tre kilometra në jugperëndim, mund të trasohen me gisht në hartën e kryeqytetit dhe të fshatrave përreth. Por në heshtje, si heshtja që mbretëronte në qytet, një qytet pa jetë, pa shpirt. “Ne kaluam nëpër një qytet fantazmë, mahalla e prindërve të mi afër Xhamisë së Llapit ishte e zbraztë. Ishte e tmerrshme”, thotë Teuta. Hyseni mban në kujtesën e tij imazhe të valës së madhe njerëzore. “Ne zbritëm kah qendra e qytetit. Serbët po na shtynin drejt stacionit, kaluam pranë ndërtesës së Rilindjes. Një valë gjigante njerëzish. Vinin nga të gjitha drejtimet. Shtynim njëri-tjetrin dhe na shtyhnin për të hipur në tren.”
NGA DRITARJA OSE NGA TARRACA
Hyseni dhe familja e tij nuk do të largohen për në Maqedoni, ata do të kthehen në shtëpinë e motrës, jo shumë larg stacionit të autobusëve dhe do të qëndrojnë aty deri në fund të luftës. Teuta dhe familja e saj do të kenë parë tepër tmerr gjatë rrugës kur kishin dalur por edhe kur ishin kthyer në ndërtesën e tyre. As ata nuk do të largohen deri në fund të luftës. “Nuk dilnim më. Ndërtesa jonë ishte bërë një lloj getto. Jeta aty ishte e kufizuar në vajtje-ardhje midis fqinjëve, vetëm gratë e moshuara dilnin, ato që mund të flisnin serbisht. Ato shkonin në pazarin e Ulpianës poshtë lagjes, kishte serbë që shisnin prodhimet e tyre. Me 15 maj ishte ditëlindja ime, më kishin mbetur tri vezë, bëra një tortë dhe ftova fqinjet e mija për çaj.” Pjesën tjetër të kohës, gratë qëndronin në dritare dhe shikonin se çka po ndodhte jashtë. Sikur atë ditë kur Teuta pa britanikët të mbërrinin dhe serbët të largoheshin.
Hyseni qëndronte në një shtëpi të braktisur në lagjen e tij, tarraca e së cilës kishte pamjen nga rruga për në Shkup. Nga aty, ai kishte vëzhguar lëvizjet e 9, 10, 11 dhe 12 qershorit 1999. Nga aty ai kishte parë britanikët që po mbërrinin dhe serbët që po largoheshin.
BUKË, MË NË FUND
Më 12 qershor 1999, Teuta nuk shkoi më larg se Te Fontana, poshtë banesës së saj. Ndoshta ajo bleu bukë në dyqan, te qoshi i ndërtesave. “Gjatë bombardimeve, pashë që buka kishte ardhur te shitësi serb. Duke dashur të ruajmë rezervat tona të makaronave dhe miellit – kush e di sa do të zgjaste lufta – unë zbrita poshtë për të blerë bukë. Shitësi nuk më dha bukë. U ktheva në shtëpi e poshtëruar, i thashë vjehrrës sime, “ai nuk deshti me më dhënë bukë.” Më 12 qershor 1999, Hyseni doli në lagjen e tij. Por së pari, ai nxori bukën nga çanta. “Gjatë bombardimeve, gruaja ime Qerimja gatuante një bukë çdo ditë. Ne nxirnim atë që e kishim futur një ditë më parë në çantë e përgatitur për ikje dhe e hanim. E zëvendësonim me atë që e nxirrte nga furra. Do të na duhej për largimin tonë.” Më 12 qershor 1999, ai sigurisht bleu bukë taze në një furrë buke që sapo ishte rihapur. / KultPlus.com
Udhëtimin e fundit kur ta bëjmë, atë të pa kthim ta bëjmë me muzikë, se tërë jetën muzikën e kemi dashur. Të lëmë amanet që të na përcjellin në banesën tonë të fundit me ca ciganë të hareshëm, me tingujt e fizarmonikës e të violinës, me valltare flokëgjata, të veshura me fustana plot ngjyra. Kortezhi të ndalet në çdo shtëpi, të atyre që na kanë dashur, e që i kemi dashur edhe të atyre që s’na kanë dashur, nuk bën të mbahet inat. S’na kanë dashur se s’i kemi dashur, Se kanë dashur që t’i duam. Dikush do të hjek kapelën, dikush shaminë, e dikush do të ngre dolli, përmes dërrasave të shohim fytyrat e pikëlluara, lotët në sy, e aty këtu maskat dhe buzëqeshjet e rreme. Tak, tak, tak, vazhdoni rrugën. Deri atëhere, t’ i përgjigjemi ftesës së Kafavisë, e të Bodlerit, të marrim udhën plot dritë e diell të bëjmë bashkë det e qiell, e nga bukuria të dehemi në Itakat ku ndalemi. T’i jepemi zjarrit e afshit, e të lodhur e të ngopur të pushojmë aty ku ka qetësi, kënaqësi dhe dashuri, dashuri, kënaqësi e qetësi. / KultPlus.com
Këputa një krah jorgovana në oborrin e kojshisë Do t’i mbushi vazot në gjithë shtëpinë. Në qytet kanë filuar të vyshken E te ne në katund sa kanë çelë. « Këtu është ma ftohtë « më thotë burri Normal, mali rreze shpisë , lumin e shoh nga dritarja e kuzhinës Ku po e pjeki piten me hithra. Lulet mbyllen atje e lulet çelin këtu, Kam ndjenjën që po i jetoj dy pranvera Sikur me i pas dy jeta, Athua qysh e kisha jetuar të dytën Me të njejtet gabime, me të njejtat dëshira? E me shumë dashuri ? A me më pak ? Se edhe dashuria është vuajtje, E unë nuk jam kaq e fortë. Vetëm një jetë e kemi, E ti, eja ta pijmë një gotë, edhe një, edhe një, Të dehemi e të sillemi në barin e njomë, këmbëzbathur, Si dervishët rrotullues. Një jetë e kemi, a nuk e morëm vesh që një vit ? E ti kur do të dalësh nga ai vend ku po mundohesh ta shërosh shpirtin e trazuar A po vjen ta pijmë një gotë, Ti vetë më the që e do jetën shumë, E mos gabo të bësh ndonjë budallallëk, Eja, këtu më gjen. E pastaj nisemi në udhëtimes tona rreth botës Veç një jetë e kemi./ KultPlus.com
Me rastin e vdekjes të arsimtarit e poetit Habib Çelaj nga Kizhareka e Drenasit KultPlus publikon reportazhin e bërë nga Hazir Reka dhe Nerimane Kamberi më 1998 për Çelajn në malet e Kizharekës ku ishte refugjat, si dhe poezinë e shkruar nga ai.