Turizmi malor çdo vit e më shumë po tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj.
Në ditët e para të janarit Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, po vizitohet nga të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.
Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit 2024.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur për ATSH-në se “në këto ditë të para të janarit vihet re një fluks vizitorësh vendas e të huaj, për shkak edhe të reshjeve të dëborës që kanë rënë në Alpe. Të apasionuar pas alpinizmit dhe sporteve dimërore vizitorët po frekuentojnë këto zona për të kaluar momente të paharrueshme në bardhësinë e dëborës si dhe për të shijuar gatimet tradicionale në hotele dhe bujtina”.
Dardha u shpreh se “Thethi, Vermoshi dhe Boga u vizituan nga 457 965 vizitorë, nga të cilët 256 290 vendas dhe 201 675 të huaj”.
Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës dhe shenjimi i shtigjeve nga stafi i AdZM-ve kanë sjellë një shtim të numrit të turistëve.
Dardha i bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.
Drejtori i ADZM Kukës, Lefter Gjana tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-dhjetor lumi i Gashit, Lugina e Valbonës dhe Lugina e Tropojës janë vizituar nga 177 447 turistë, nga të cilët 102 548 vendas dhe 74 597 të huaj”.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë.
Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj., ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.
Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre./atsh/KultPlus.com
Kënga “Forever Young” e grupit gjerman Alphaville e vitit 1984 u bë kënga më e njohur globalisht në rrjetin social Tiktok vitin që sapo lame pas.
Në postimet britanike në atë rrjet është vënë re një rritje e ndjeshme e përdorimit të këngëve të vjetra, shkruan “The Guardian”.
Nga 50 këngët më të mira në Tiktok, 20 prej tyre janë të dekadave të mëparshme, të cilat e bënë muzikën më të vjetër, si këngët e grupit Bronski Beat dhe këngëtaren Shada, shumë të njohura, dhe hiti më i madh britanik në Tiktok është kënga “Blood Portokalli” nga Devonte Hynes, e cila u përdor në 1.1 milion postime.
Tiktok luan një rol kyç në industrinë e muzikës dhe se ka kontribuar, ndër të tjera, në popullaritetin e këngës “Brother” të interpretuar nga Charli XCX, e cila dikur u përdor në fushatë nga kandidatja për presidente amerikane Kamala Harris.
Disa nga këngët e njohura në Tiktok gjatë 2024-ës ishin ‘Champagne Coaste’ nga Blood Orange, ‘Forever Young’ nga grupi gjerman Alphaville, ‘Another Love’ nga Tom Odell dhe ‘Kiss of Life’ nga këngëtarja Shada./KultPlus.com
Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.
Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.
Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.
Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.
Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./KultPlus.com
Sa herë ëndërrova, një ëndërr për çudi, Një grua të panjohur që më do dhe e dua E që prorë më duket jo krejt si ajo grua Po jo dhe krejt si tjetër, e më do pa kufi.
Sepse më kupton e më njeh e më di, Misteri i zemrës sime veç prej saj u zbulua Veç ajo, duke derdhur çurkë lotësh mbi mua Ma freskon zjarr’ e ballit e më deh me magji.
S’e di është ezmere apo leshraartë Emri i saj? Më kujtohet, i ëmbël, tingull i qartë, Si i njerëzve tanë dikur të ikur në mërgim.
Sytë: vështrimin e ngulur të statujave i kanë Dhe zëri i vjen i largët, i qetë e gjithë trishtim Si një këngë prej zërash të dashur që më s’janë./ KultPlus.com
“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.
“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.
“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.
“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.
“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”
“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.
“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.
“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.
“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.
“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com
Fotografi dhe piktori i mirënjohur Leon Çika është ndarë sot nga jeta në moshën 71 vjeçare.
Çika ka lindur në vitin 1954 në Tiranë në një familje me origjinë nga Dardha e Korçës.
Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë si piktor i arteve grafike.
Kontaktin e parë me fotografinë, Çika e mori pas mbarimit të studimeve dhe caktimit si piktor skenograf në Pallatin e Kulturës “Gramsh”.
Si piktor merre pjesë më tej në grupin e piktorëve për projektimin e interierëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ndërsa më pas ka qenë drejtor i departamentit të fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ku dhe krijoi një koncept të ri në imazhet fotografike që ATSH publikonte duke larguar përfundimisht fotografitë klishe.
Pas viteve ’90, Leon Çika punoi si pedagog i fotografisë në Akademinë e Arteve, si reporter dhe si producent i disa televizioneve dhe agjencive të lajmeve.
Çika ka realizuar vepra fotografike në dy drejtime, fotografinë dokumentare dhe zyrtare të ngjarjeve të ditës dhe fotografinë artistike një prej pasioneve kryesor të tij.
Ai është cilësuar si fotografi i natyrës duke realizuar punën e tij në formë ciklesh ku edhe në pikturat e tij pasqyrohen bukuritë natyrore të peizazheve shqiptare me magjinë dhe forcën emocionale shpirtërore të Çikës duke lënë një trashëgimi të pasur në artin dhe kulturën shqiptare.
Një nga botimet e rralla të realizuara prej tij ishte përmbledhja me 300 peizazhe urbane dedikuar Beratit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të fotografit dhe piktorit, Leon Çika.
Jeta profesionale:
1972-1976 Akademia e Arteve të Bukura Shqipëri, në Tiranë.
1976 – Në Universitetin e Tiranës realizon Mbrojtjen e Diplomës së Artit Grafik me titullin “Piktor i Arteve Grafike”.
2007-2008 – Profesor i fotografisë në Institutin zvicerano-shqiptar
1998-2000 – Profesor i fotografisë, në Fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
1993 – Reporter / Producent / Kameraman për “Reuters” në Shqipëri
1985-1989 – Shef i fotografisë Artistike dhe shefi i departamentit të Përgjithshëm Fotografi tek muzeu “Enver Hoxha” në Tiranë.
1980-1985 – Shef i departamentit të Fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare
1979-1981 – Pjesë e grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurës për Muzeun e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në kështjellën e qytetit të Krujës
Aktiviteti krijues:
janar 2010 – Ekspozitë pikture në qytetin e Pogradecit (ekspozitë kolektive)
2005-2006 – Realizon dy ekspozita fotografike në Galeria Kombëtare e Arteve, duke pasur si fokus “Turizmin në Shqipëri”
1998-1999 – Çel dy ekspozita pikture me një bashkë-autor, Adnan Kastratin, në Tiranë
1981-1994 – Merr pjesë në ekspozitën kombëtare dhe ndërkombëtare “Professional Photographer” dhe publikon fotografi artistike në revista të ndryshme Arti
1986-1988 – Ekspozita e fotografisë të organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për pjesëmarrësit ndërkombëtarë.
1977 – Ekspozita personale e pikturave në qytetin e Gramshit.
Vlerësime:
2005 – 2006 vlerësohet me dy çmime për Artin Fotografik në dy ekspozita të organizuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”
Çmimi Kombëtar 1995 për pankartën më të mirë të realizuar gjatë përvjetorit të çlirimit kombëtar nga nazistët
1982, vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”
1988, vlerësohet me Urdhrin e klasit të parë “Naim Frashëri”./atsh/KultPlus.com
Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.
Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.
Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.
Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.
De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.
Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.
De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.
Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.
Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.
Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.
Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com
Flijimet e shumta sigurt zemrën në gur e shndrrojnë. Oh, krejt kjo a do t’marrë fund? Punë e qiellit âsht ajo, detyra jonë âsht veç emnat me ua përsëritë ashtu si nâna fëmisë mund t’i thojë kur gjumi ma n’fund ka zbritë n’trupin e lodhun gjithë ditën n’lojë. A do t’thotë kjo se nata ka râ? Jo, jo nata, por vdekja që s’ka kthim; A ishte e kotë vdekja, n’krejt kêt hata? Anglia ndoshta ende ka besim n’atë çka âsht bâ dhe thânë. Ne i dimë ândrrat e tyne; mjafton me ditë se ata ândrruan dhe flí ranë; e çka nëse tepria e dashnisë thonë i hutoi derisa vdekja i shoi? Në vargje po i shkruej këta- MacDonagh, ashtu si MacBride, shkoi, Connolly dhe Pearse, nuk janë mâ. Tash dhe në kohët që kanë me pasu’ gjithçka që e veshun n’jeshile qe, ka ndryshu’, krejtësisht ka ndryshu’: nji bukuri e tmerrshme tash ka le./ KultPlus.com
Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.
Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:
“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”
“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”
“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”
“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”
“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”
“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”
“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”
“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”
“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”
“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”
“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”
“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”
“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”
“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”
“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”
“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”
“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”
“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”
“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”
“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”
“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”
“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”
“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”
“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”
“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”
“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”
“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”
“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”
“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”
“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”
“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”
“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”
“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”
“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”
“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”
“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”
“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”
“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”
“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”
“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”
“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”
“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”
“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”
“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”
“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”
“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”
“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”
“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”
“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”
“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”
“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”
“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”
“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”
“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”
“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”
“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”
“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”
“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”
“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”
“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”
“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”
“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”
“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”
“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”
“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”
“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”
“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”
“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”
“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”
“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”
“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”
“Tregtarët nuk kanë atdhe.”
“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”
“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”
“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”
“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”
“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”
“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”
“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”
“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”
“Individi guximtar është shumicë.”
“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”
“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”
“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”
“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”
“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”
“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”
“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”
“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”
“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”
“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”
“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”
“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”
“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”
“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”
“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”
“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”
“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”
“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”
“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”
“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”
“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”
“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”
“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”
“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”
“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”
“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”
“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”
“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”
“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”
“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”
“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”
“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com
Nostalgjia për këngët e viteve 90-ta na bënë që shpesh të ju rikthehemi dhe t’i dëgjojmë ato perla që pavarësisht viteve vazhdojmë t’i dashurojmë, shkruan KultPlus.
Kënga “Fati ynë shpresë e marrëzi” e kënduar nga Aurela Gaçe është një ndër këngët që ka arritur t’i rezistojë kohës.
Kjo këngë ka një fuqi brenda vetes e cila duket sikur nuk do të shuhet kurrë.
Kënga u këndua në vitin 1997 në Festivalin e RTSH-së duke e zënë vendin e dytë. / KultPlus.com
Fimi i ri i artistit dhe regjisorit kosovar Alban Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti (I Believe the Portrait Saved Me)”, do të ketë premierën botërore në kuadër të seksionit prestigjioz Forum Expanded të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Berlinale, një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë kinematografike botërore.
Seksioni Forum Expanded është një platformë e njohur për promovimin e filmave që sfidojnë format tradicionale të kinemasë dhe ofrojnë një vizion të ri dhe eksperimental.
Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.
Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.
I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.
Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami.
“Mua besoj më shpëtoi portreti” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com
Zerina Pozhegu është një flautiste e talentuar dhe premtuese nga shkolla e muzikës “Amadeus”. Zerina është vetëm 11 vjeç, por ka treguar një përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm për artin muzikor.
Ajo ndjek mësimet e flautit me pedagogen Saranda Vllasaliu dhe ka nisur udhëtimin e saj muzikor që në moshën 7-vjeçare.
Zerina e ka zgjedhur flautin si instrument të saj të zemrës, duke u frymëzuar nga tingulli i tij melodioz, që për të përfaqëson një lidhje të veçantë midis natyrës dhe zërit njerëzor. Që nga fillimi i mësimeve, ajo ka shfaqur talent dhe potencial të lartë, duke u shquar si një muzikante e re por e dedikuar dhe punëtore.
Në shtator të vitit 2020, Zerina iu bashkua orkestrës së shkollës së muzikës “Amadeus”, ku luan rolin e flautistes së parë. Ky pozicion i rëndësishëm i ka dhënë mundësinë të tregojë aftësitë e saj të shkëlqyera si soliste dhe muzikante orkestri. Deri më sot, ajo vazhdon të mbajë me sukses këtë rol kyç, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në performancat e orkestrës.
Në qershor të vitit 2024, Zerina u shpërblye me vendin e parë në garat ndërkombëtare “Ars Kosova”, duke fituar njohje për talentin e saj në rritje. Një tjetër sukses madhor ishte pranimi i saj për të marrë pjesë në garat botërore të flautit në Bullgari “Moyse Flute Competition”, ku ajo u vlerësua lart nga juria profesionale dhe performoi përballë flautistëve nga vende të ndryshme të botës.
Përveç performancave solistike, Zerina është gjithashtu pjesë e ansambleve dhe muzikës kamertale të shkollës “Amadeus”, ku vazhdon të shkëlqejë në çdo koncert. Me përkushtimin dhe pasionin e saj, Zerina Pozhegu përfaqëson një model të shkëlqyer për muzikantët e rinj dhe një yll në ngritje në skenën muzikore./ KultPlus.com
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë të enjte është miratuar akti për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Hoxha u shpreh se motivimi i Policisë së Shtetit do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë, shkruan A2 CNN.
Sot Këshilla i Ministrave ka miratuar një akt shumë të rëndësishëm në lidhje me shpërblimin e punonjësve të policisë. Në gusht të vitit 2024, ligji i ri i Policisë së Shtetit miratoi të gjithë veprimtarinë, rregullimin, organizimin, për dhënien e shpërblimit të Policisë së Shtetit.
“Shumë shpejt dhënia e shpërblimeve do të unifikohet. Qeveria e përcakton shumë shprehimisht vullnetin e saj për misionin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit, roli i të cilës është shumë kyç dhe motivimi do të jetë prioritet i qeverisë shqiptare”, tha ministri Hoxhaj./ KultPlus.com
Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.
Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.
Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.
Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.
Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./ KultPlus.com
Ai lindi në Krujë në vitin 1892. Në 1912-ën përkrahu Esat Pashë Toptanin, ndërsa në 1920-ën u rreshtua krah Mustafa Krujës kundër Ahmet Zogut. Pavarësisht mospajtimeve mes tyre, pas ardhjes së Zogut në pushtet, Kupi u bë komandant i Krujës, e më pas major në xhandarmërinë e Durrësit në vitet 1932-1939.
Më 7 prill 1939, kur italianët zbarkuan në Durrës, Abaz Kupi, i njohur edhe si Bazi i Canës, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak, duke mbajtur qëndresë për 36 orë.
Me pushtimin e Shqipërisë u largua drejt Stambollit. Në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. U rikthye në atdhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ-it. U bë nismëtari Konferencës së Mukjes, të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943.
Duke mos u pajtuar me qëndrimet e Enver Hoxhës, i cili në shtator 1943 hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit, në 19 nëntor 1943 Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit, që synonte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë./ KultPlus.com
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Ceki, Albesjana Iberhysaj e shoqëruar nga dy vajzat e Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta kanë pasuruar Institutin e Etnologjisë në Pragë, me dhurimin e kompletit të veprave të Anton Çettës për këtë institucion.
Me dhurimin e këtij kompleti është shënuar edhe përvjetori i lidhjes së atdhetarit Anton Çetta. KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ambasadorja Iberhysaj.
Në shënim të përvjetorit të lindjes së atdhetarit të paepur, plakut të urtë, mbledhësit të shquar të folklorit dhe pajtuesit të palodhur të gjaqeve, profesor Anton Çetta, në Institutin e Etnologjisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, në Pragë, nderuam jetën dhe veprën e tij duke i dhuruar bibliotekës së Institutit një komplet të veprave të profesor Çettës.
Veprat e Çettës janë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit, si një thesar i kulturës sonë shpirtërore që ia përcjellim me krenari brezave të ardhshëm.
Dhurimi i kësaj serie librash për Institutin e Etnologjisë në Pragë është një moment i rëndësishëm, pasi këto vëllime janë më shumë se tekste – ato janë një dritare që shpalos kulturën dhe traditën tonë, gjithashtu dhe një ftesë për të eksploruar thesarin e krijimtarisë sonë njerëzore. Ndërsa këta libra e gjejnë shtëpinë e tyre brenda një instituti prestigjioz, le të shërbejnë si burim frymëzimi e studimi dhe si një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë. Vepra e Profesor Çettës do të mbetet përjetësisht në historinë tonë kombëtare. Ai do të kujtohet përherë si personalitet i jashtëzakonshëm, ndërsa përkushtimi i tij ndaj atdheut do të mbetet udhërrëfyes për breza të tërë.
Dorëzimi i veprave iu bë drejtorit të Institutit, z.Jiří WOITSCH, me të cilin u diskutua mbi mundësi të tjera bashkëpunimi mes .
Një falënderim i veçantë për drejtuesen e Seksionit të gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë, Dr. Orkida Backus Borshi, Prof. Dr.Jaroslav Otčenášek dhe vajzat e
Profesor Çettës, Agata Çetta dhe Donika Çetta me mbështetjen e të cilëve u mundësua realizimi i këtij aktiviteti. / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se konkursi për prezantimin e projekteve për sheshin monumental “Adem Jashari”, do të hapet përsëri këtë muaj.
Ai ka njoftuar se asnjë nga projektet e paraqitura në konkursin e kaluar, nuk janë vlerësuar si të përshtatshëm nga përfaqësuesit e familjes Jashari.
Komuna, sipas tij e ka buxhetin prej 150 mijë eurove që ta rihap konkursin për këtë çështje.
“Sheshi monumental i Adem Jasharit ne e kemi pasur konkursin edhe kemi pasur projekt propozime, si pjesë e procesit ne kemi qenë sensitiv edhe ndaj çështjes dhe familjes së Adem Jasharit, edhe e kemi pasur edhe reprezentuesin e familjes ku në bazë të procesit nuk e kanë parë familja asnjë projekt që meriton me ec përpara edhe për këtë arsye nuk kemi ec përpara, gjithë ato projekte që kanë qenë. Buxhetin e kemi 150 mijë euro që ta rihapim konkursin prapë dhe këtë do ta bëjmë në këtë muaj”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe ne lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit për qendrën tregtare “Central Park”, për të cilën ka thënë se leja është lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit duke respektuar ligjet dhe rregulloret.
“Sa i përket lejes për Central Park, unë informatat që i kam, Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje në bazë rregullative. Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore”, ka thënë ai. /EO/ KultPlus.com
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com
Zjarret shkatërruese që rrethojnë Los Anxhelosin janë përhapur në Kodrat e Hollivudit, pasi zjarret e tjera në zonë vranë të paktën pesë persona, shkatërruan qindra shtëpi dhe shtrinë burimet e zjarrfikësve dhe furnizimet me ujë në kufijtë e tyre.
Më shumë se 100,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen pasi erërat e thata dhe me forcë uragani po pengojnë operacionet e shuarjes së zjarrit dhe kanë ndezur zjarret që kanë shpërthyer pothuajse të papenguara nëpër zonat e goditura nga thatësira që nga e marta.
“Ky zjarr është masiv,” tha kryebashkiaku i Los Anxhelosit Karen Bass në një konferencë për shtyp.
Shtrirja e zjarrit mund të shihet në hartën interaktive të Departamentit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Pylltarisë në Kaliforni.
Një zjarr i ri shpërtheu në Hollywood Hills të mërkurën mbrëma, tha shefi i zjarrfikësve Kristin Crowley në një konferencë shtypi, duke detyruar më shumë evakuime dhe duke e çuar numrin e zjarreve në gjashtë në kontenë e Los Angeles.
Katër prej tyre po digjen jashtë kontrollit, duke përfshirë dy zjarre të mëdha në anët lindore dhe perëndimore të qytetit që vazhduan të përhapen të mërkurën kur ra nata.
Një zjarr në Hollywood Hills dogji 20 hektarë të mërkurën, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve në Kaliforni. Ekuipazhet e helikopterëve po hidhnin ujë mbi flakët dhe dukej se po ngadalësonin zjarrin.
Departamenti i Zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar një urdhër evakuimi për njerëzit në një zonë brenda Hollivudit që është shtëpia e vendeve të famshme që lidhen me industrinë e filmit dhe argëtimit.
Brenda asaj hapësire është Teatri Dolby, ku mbahen çmimet Oscar. Shpallja e nominimeve për Oscar është vonuar për shkak të zjarrit, thanë organizatorët.
Edhe pse relativisht i vogël në krahasim me të tjerët, ky zjarr po digjet pikërisht mbi bulevardin Hollywood dhe Walk of Fame. Kalimi i autostradës do të rrezikonte shenjën e Hollivudit në kodër si dhe Observatorin Griffith./ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit që lamë pas priti më shumë se 35 mijë vizitorë vendas e të huaj.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili bëri publike këtë shifër përmes rrjeteve sociale, tha se ky muze është një nga hapësirat më të bukura muzeore dhe një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.
Filo bën të ditur se të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ditët e para të këtij viti, të cilët janë mrekulluar nga objektet e ekspozuara në këtë muze.
Në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar gjenden mbi 7000 ikona kulti dhe arti, kryesisht ikona të krijuara në Mesjetën e Hershme.
Kjo qendër muzeore, që është një nga më të rëndësishmet në vend, u përurua më 24 prill 1980. MKAM ka 4 pavijone, disa laboratorë ekzaminimi dhe konservimi si dhe mjedise të fondeve.
Në sallën e ekspozitës së përhershme gjenden rreth 200 objekte arti. Ky muze është unik në llojin e vet në rajonin e Ballkanit, për sa i përket fondit që disponon, i vlerësuar nga profesionistët e huaj për punën që bëhet për ruajtjen e ikonave, në kushte ideale, profesionale dhe të standardeve botërore./ KultPlus.com
Një nga të evakuuarit duke ikur nga zjarret shkatërruese që kanë përfshirë Los Anxhelosin e ka përshkruar situatën në Hollywood Hills si “kaotike”.
Zjarret kanë vrarë të paktën pesë persona dhe kanë zhvendosur më shumë se 100,000.
Zjarret e reja shpërthyen të mërkurën pranë Hollywood Hills dhe Runyon Canyon. Këto janë ndër pjesët më të famshme të Los Anxhelosit dhe janë edhe vendet ku ndodhet shenja ikonë “Hollywood”.
Shefi i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, Anthony Marrone tha se ekuipazhet e tij ishin të habitur nga shkalla dhe shpejtësia me të cilën po përhapeshin zjarret.
Shuarja e zjarrit po vështirësohet nga era dhe mediat amerikane raportojnë për nevojën për sasi më të mëdha uji. Për këtë arsye është paralajmëruar për shkak të presionit të ulët të ujit për shkak të rritjes së konsumit.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka mobilizuar mbi 7,500 zjarrfikës dhe personel emergjence.
Gati 1,500 ndërtesa janë djegur nga zjarret që kanë shpërthyer rreth qytetit të dytë më të madh të Amerikës, duke detyruar më shumë se 100,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Më shumë se 300,000 familje mbetën pa energji në rajon, sipas uebsajtit outage.us. Kompanitë e shërbimeve në Kaliforni shpesh mbyllin linjat e energjisë gjatë erërave të forta për të zvogëluar rrezikun e zjarreve të reja.
Krye bashkiaku i Los Anxhelosit Karen Bass tha në mediat sociale të mërkurën mbrëma: “Ne po vendosim oficerë të LAPD për të ndihmuar në zbutjen e trafikut të evakuimit në Hollywood. Ne po punojmë urgjentisht për të mbyllur rrugët, për të devijuar trafikun dhe për të zgjeruar aksesin për automjetet LAFD.”
Zona është shtëpia e disa atraksioneve për tu vizituar nga turistët, duke përfshirë Teatrin Kinez TCL dhe një pjesë të Walk of Fame në Hollywood.
Zjarri dogji të paktën 50 hektarë afër kodrave të Hollivudit, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka mobilizuar mbi 7,500 zjarrfikës dhe personel emergjence./ KultPlus.com