Me premierën e shfaqjes “Bregu i pikëllimit”, rikthehet Teatri Shqiptar i Shkupit pas 7 vitesh

Teatri Kombëtar Shqiptar të shtunën do të hap dyert për publikun. Rihapja përkon me 71 vjetorin e Teatrit Shqiptar në Shkup, ndërsa rifillimi i punës së skenës amë do të hapet me premierën e shfaqjes “Bregu u pikëllimit”, nga Teki Dërvishit, në regji të Altin Bashës. Shfaqja do të jepet më 10 korrik, në orën 19:30 në formë të videoprojeksionit.

Për shkak të masave për mbrojtjen nga pandemia, do të shfrytëzohet vetëm 30 % i kapacitet të sallës, por publiku do të ndahet në disa faza dhe më 11 korrik do të jepet repriza e videoprojeksionit të “Bregut të pikëllimit, që do të jetë konkretisht për pjesën e stafit, kolegëve bashkëpunëtorëve të teatrit, pjesës reprezentative artistike, qoftë në vend apo qoftë edhe mysafirëve që mund të na vijnë nga jashtë.

Më 12 korrik do të jepet premiera e hapur e shfaqjes “Lezetet e tradhtive bashkëshortore”.

Rikonstruimi i teatrit shqiptar filloi në vitin 2014. Gjatë kohës sa kanë zgjatur punimet, trupa e teatrit u zhvendos në një objekt tjetër.

Ndryshe, hapja solemne e Teatrit Shqiptar në Shkup që nga nëntori i vitit 2019, ishte në procedurën e pranimit teknik, që nënkupton dhënie të lejes për lëshim në përdorim të objektit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes.

Teatri Shqiptar i Shkupit pothuajse 7 vite ka qenë nën rinovim. Lëshimi në përdorim i së njëjtës është shtyrë disa herë. / Portalb.mk / KultPlus.com

Altin Basha në krye të Teatrit Eksperimental, Ish- drejtori: Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka prezantuar drejtorin e ri te Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha nën praninë e ish-drejtorit Kiço Londo.

Merr një detyrë në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti të ecim në një mendësi të re në këtë periudhe pandemie. Shfaqje me pak publik dhe me pak aktor, “One man shoë”, u shpreh Margariti.

“Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar edhe i keqardhur që më duhet për shkak te respektimit te institucioneve nga kjo shërbesë  t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Bashkë me ata që nuk duken dhe që duken, kjo është ajo që më dhemb më shumë se për një kohë të shkurtër kemi bërë një transformim të jashtëzakonshëm. Unë nuk jam drejtor, s’kam qenë ndonjëherë drejtor, sepse drejtorët nuk janë si unë”, thotë Kiço Londo teksa falenderon të gjithë bashkëpuntorët që ka pas gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar TKES, një vijë ndarëse dhe transformim të teatrit shqiptar. “Jam i bindur që ketë që kemi arritur bashkë, jo fort të zakonshme, ku punojnë 21 vetë dhe secili ka vënë 23 shfaqje. Ndërkohë që institucionet e tjera e kanë 0.2 shfaqje për individ. Do vazhdoj t’ju shërbej, mbarësi të gjithëve. Rroftë teatri”, thotë Londo.

Margariti e cilëson një moment të vështirë, se shfaqjet e TKES, janë prezantuar në të gjithë Shqipërinë.Të rinjtë janë fokusi për drejtorin e ri Altin Basha. 

“Pas thirrjes së hapur dhe konkursit e intervistës erdha këtu. Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Teatri e ka mundësinë për të qenë i tillë. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10 -15 vjet kam punuar me artistë të rinj për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër”, ka potencuar Basha. /shqiptarja/ KultPlus.com

Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental

Regjisori i njohur Altin Basha është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministjra për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti.

“Jam e bindur se z. Basha do të verë në jetë platformën fituese, me të cilën u paraqit në thirrjen e hapur për pozicionin e drejtuesit të TKEKS”, ka shkruar Margariti.

Tutje ajo ka çmuar lartë përvojën e Bashës, duke besuar se do të ndikoj pozitivisht në këtë institucion kulturor.

“Eksperienca e tij e gjatë dhe e sukseshme do të shërbejë si një motor zhvillimi për këtë institucion të rëndësishëm”, ka shtuar Margariti

Ministrja në fund ka falenderuar publikisht tanimë ish-drejtorin e këtij Teatri, Kiço Londo për kontributin e dhënë. / KultPlus.com

‘Karnavalet e Korçës’ goditën maskat e shqiptarëve në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Karnavalet e Korçës“ me regji të Altin Bashës dhe tekst nga Spiro Çomoa.

Në familjen e njohur shqiptare të tregtarit Nikollaq Jorganxhiu (Luan Jaha), ndodhë nami kur vajza e tyre Afroviti (Edona Reshitaj) tashmë 30 vjeçare, mbetet pa martuar. Nikollaqi dhe gruaja e tij Olimbia (Ilire Vinca) ngrisin në këmbë gjithë Korçën në kërkim të dhëndrit të duhur.

Ai duhet të jetë i shkolluar, të ketë zë në fshat dhe një pasuri që të ia mbushë syrin babait lakmues, Nikollaqit, i cili ka kthyer shumë krushq vetëm për këtë arsye. Këtu nisin edhe situatat komike që bëjnë për të qeshur publikun e teatrit.

Mirëpo një maskë e cila është thelbi i skenografisë së shfaqjes në të cilën aktorët luajnë është elementi i parë që tregon se kjo shfaqje shkon përtej komedisë. Ajo thumbon edhe disa elemente negative në shoqëri përmes tekstit të Spiro Çomoasë shkruar gjatë vitit 1936, e që akoma janë të pranishme.  Zgjedhja e këtij teksti nga regjisori Altin Basha është edhe një protestë ndaj paragjykimeve ekzistuese për trashëgiminë kulturore shqiptare në fushën e dramaturgjisë.

“Dëshira e mirë për me gjetë elemente të veçanta brenda një vepre e bën më të lehtë punën e regjisorit për me u kapë në ato elemente, për me i zhvillu dhe me kriju mbi to, për me nxjerr sigurisht një punë që mundet me rezonu edhe në publikun modern. Kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë jo vetëm në fushën e dramaturgjisë por kudo pasi që ky është identiteti jonë dhe në këtë mënyrë mund ta zhvillojmë artin dhe kulturën tonë”, tha ai duke theksuar se ka edhe autorë të tjerë të cilët presin e që kanë nevojë për besim dhe shumë frymëzim për të punuar me veprat e tyre.

Familja Jorganxhi shfaqë disa aristokratë të shtirur, që kanë udhëtuar nga Korça për në Venecia nëpër Detin Mesdhe me tren, njohës të mirë të gjuhës frënge ku zotërisë i thonë “mademoiselle”. Një familje e tërë me artistë ku postet e drejtorit, organizatorit, sopranos, tenorit, brenda një koncerti i mbajnë anëtarët e një familjeje. Familje e cila pushtetin e saj e shfaqë mbi shtresat e margjinalizuara ndërsa ju përkulet udhëheqësve.

“Jam përpjekur që këtyre elementeve të ju mshoj duke mos harruar që kemi të bëjmë me një komedi lirike e cila në thelb ka argëtimin për publikun dhe këtë me së miri e kanë bërë aktorët të cilët kanë ndërtuar karaktere shumë të mira”, u shpreh Basha për KultPlus.

Këngët vijnë nga qyteti i serenatave, Korça, e njohur edhe për karnavalet që ishin po ashtu pjesë e kësaj shfaqjeje. Pikërisht këto pjesë muzikore, dramaturgu Arian Krasniqi i vlerësoi si një freski brenda shfaqjes.

“Është shumë mirë që kthehen tekstet e traditës me një qasje të re regjisoriale, në këtë rast të regjisorit Basha i cili është një regjisor me përvojë. Trupa ka qenë harmonike në komunikim dhe interpretim mes vete. Pjesët muzikore ishin freski brenda shfaqjes. Kostumet nga Iliriana Hoxha Basha duhet t’i veçoj për shkak se i kanë dhënë ngjyrë dhe atmosferë shfaqjes. Sonte në premierë publiku është pak a shumë i zgjedhur mirëpo shpresoj që shfaqja ka me komuniku edhe në reprizat e tjera me një audiencë me të rëndomtë dhe atëherë mund ta vlerësojmë saktësisht jetëgjatësinë e shfaqjes”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” ka mjaft material e mbrëmë kjo përgjegjësi ra mbi shpatullat e aktorëve.

Olimbia, aristrokatja e cila në fund përfundon me gjestin me të vrazhdë të mundshëm duke larguar maskën e vënë në fillim, erdhi përmes lojës se aktores Ilire Vinca.

“Altini është një regjisor i cili komeditë por edhe dramat i ka shumë të bukura, ka një ndjeshmëri shumë të madhe dhe është shumë konkret në kërkesa. Kjo për aktorin nuk është e lehtë pasi kur je konkret duhet që atë konkretësi që ta jep regjisori me e mbërri ti si aktore që me i lanë përshtypje publikut” , tregoi Vinca për KultPlus.

“Komedia është e tillë që ne bëjmë prova 40 ditë edhe nuk e kemi idenë se a ka me prit publiku mirë apo jo. Altini ia ka marrë dorën kësaj pune edhe ia ka dalë deri në fund së bashku me ne pasi që publiku e priti shumë mirë shfaqjen. Roli është shumë karakteristik prej roleve të tjera dhe e kam pasur fatin që me u veçu pak pasi kam pasur rolin e një femre. Kjo ishte pak fat i imi dhe e falenderoj Altinin që ma ka besuar këtë rol”, tha aktori Ylber Bardhi pas shfaqjes.

Repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Altin Basha rikthehet në TKK me një tregim nga qyteti i serenatave

Gili Hoxhaj

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën e tyre, duke e vënë atë në situata komike. Kjo dramë e rikthen përsëri Altin Bashën si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas suksesit që pati me shfaqjen “I ligu për mend”, me tekst të Gjergj Fishtës.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi në një konferencë për media është shprehur i lumtur që ky sezon po starton me një nga  regjisorët më të mirë shqiptarë dhe rajonal. Ai theksoi se Basha me shfaqjen “I ligu për mend” ka thyer rekordet e publikut në TKK.

“Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjell disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” , e që për mendimin tim është një nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen “I ligu për mend” që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqje të cilën e kemi ende në repertor”, u shpreh Sopi.

“Mjafton të themi se po vjen regjisori i shfaqjes “I ligu për mend” dhe kaq mjafton për publikun. Unë besoj që edhe kjo shfaqje do të jetë një sukses i ngjashëm, nëse nuk do të tejkalojë suksesin e saj”, u shpreh drejtori artistik Agon Myftari.

Regjisori i shfaqjes, Altin Basha tha se ndihet i kënaqur për ftesat që ka marrë nga Prishtina dhe që pas zbulimit të Fishtës, është i kënaqur që të sjell tekstin e Spiro Çomoras.

Tutje regjisori i shfaqjes Altin Basha tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe spektakulare.

“Ka elemente që rezenojnë  edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik, ne kemi mbetur në vitet 30-të pasi që na tërheqë ajo pamje dhe ai sharm. Nga pikëpamja e trajtimit regjisoriale të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbehet nga: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi.

Sa i përket kastës së aktorëve, Basha tha se kasti i aktorëve do t’i jap një dimension tjetër artistik  tekstit dhe se gjeografia artistike e stafit prek tri teatrot shqipfolëse.

“Mendoj se kasti i aktorëve do t’i jap veprës një dimension tjetër, një dimension shumë më të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej nivelin e komedisë”, theksoi Basha.

Aktori Luan Jaha i cili ka qenë pjesë edhe e shfaqjes “I ligu për mend”, tha se kjo shfaqje është një nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku.

“Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikueshme se “I ligu për mend”. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për media që i paraprin shfaqjes.

Ilire Vinca po bashkëpunon për herë të parë me regjisorin Altin Basha por thotë se gjithnjë e ka shijuar punën e tij prej anës së spektatorëve. Bashkëpunimin me Bashen, e cilëson si një dhuratë të bukur.

“Ndjehem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj si Luani që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka thënë Vinca.

Aktores Edona Reshitaj, ky projekt i ka dhënë një nga eksperiencat më të mira dhe  kjo për faktin se gjatë procesit të shfaqjes, thotë se ka dominuar energjia  pozitive.

“Ajo çka e bën më të veçantë gjithë procesin e kësaj punë është se ne mezi s’kemi pritur që të vijmë në prova. Puna me regjisorin ka qenë super e lehtë sepse ka qenë shumë i qartë në të gjitha indikacionet që na i ka dhënë dhe na ka dhënë përgjigje në çdo pikëpyetje që e kemi pasur”, tha Reshitaj.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi, kurse skenografia  dhe kostumografia vijnë të punuara nga Ilirana Loxha Basha, e cila tha se ndihet si në shtëpi në këtë teatër.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Rojet e Taxhit” u tregojnë prishtinasve se sa e rëndësishme është liria (FOTO)

“Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës dje u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja mbrëmë sollën një lojë intensive në një skenografi e kostumografi tejet të pasur. Si e tillë, shfaqja lëvizë në një kohë e vend të largët. Ajo prek vitin 1648 të Indisë.

Dy personazhet Humaxhuni dhe Baburi vijnë pranë hijes së ndërtesës Taxh Mahallit. Ata dhe të gjithë njerëzit e tjerë i ndanë vetëm një ditë deri në zbulimin e kësaj ndërtese. Atyre u është dhënë detyrë ta ruajnë këtë ndërtesë deri në zbardhjen e ditës, atëherë kur ky objekt do të ndriçohet nga rrezet e diellit. Të dytë duhet të punojnë nën urdhrat e mbretit Shah Xhahanit, por jo të dytë i pranojnë me të njëjtën bindje. Pikërisht këtu zbërthehet raporti ndërmjet individit në një shoqëri autoritariste.
Si roje perandorake, Humaxhuni i nënshtrohet një shërbimi verbues ndaj mbretit, derisa Baburi e bën të kundërtën e saj duke mos u pajtuar me këtë nënshtrim absolut. Bisedat e tyre zhvillohen vetëm një ditë para se njëra nga shtatë mrekullitë e botës, Taxh Mahalli të shfaqet pranë syve të botës. Deri më tani për bukurinë e saj ishin të vetëdijshëm njëzetë mijë punëtorë që për gjashtëmbëdhjetë vite kishin punuar në këtë ndërtesë, që cilësohet si një vulë e dashurisë, e simbol i përjetshëm i bukurisë. Por përjetësia e të bukurës duhej të mbetej e skalitur vetëm në këtë ndërtesë, i tillë ishte dekreti i mbretit që duhej të zbatohej nga rojet mbretërore. Për të mos pasur një bukuri të dytë si ajo e Taxh Mahallit, rojet urdhërohen të presin duart e njëzetë mijë punëtorëve. Dyzetë duar që kishin ndërtuar këtë ndërtesë, nuk do të mund të ndërtonin më asgjë në jetën e tyre. Baburi e ndjen fort peshën e fajit të zbatueshmerisë së këtij urdhri.

“Kjo do të thotë se e bukura u dënua me vdekje, e unë u bëra xhelat i saj”, i pëshpërit i mllefosur fjalët Baburit, i cili thotë se faji justifikohet kur urdhri vije nga lart. Pikërisht këtu Baburi nxjerrë mllefin më të madh për të vrarë mbretin, në mënyrë që e bukura të jetoj. Skenografia i lëviz aktorët sa në hijen e Taxh Mahallit në errësirë, Taxh Mahallin në dritën e ndritshme, deri tek një thertore, pastaj brenda grilave të burgut, e deri tek xhungla e lirisë nën cicërimën e zogjve të kaltër e ngjyrë të gjelbër. Skena dhe kostumet e kësaj shfaqje janë të realizuar nga Ilirjana Basha, kompozitor është Endri Sina, koreograf Gjergj Prevazi, ndërsa videoja është realizuar nga Florian Çanga.

Regjisori Altin Basha, tha se vepra është një lloj eksplorimi i marrëdhënies së shoqërisë autoritartiste përballë individit. Ai tregoi për KultPlus se kjo shfaqje në një format të tillë synon të përçoj një mesazh për të gjithë ata që e shohin shfaqjen, në mënyrë që teatri ta përmbush misionin e tij që t’i bëj njerëzit të mendojnë, që teatri të jetë jo vetëm një kënaqësi estetike por edhe një moment reflektimi për jetën e përditshme.
“Shoqëritë tona kanë vuajtur nga një trashëgimi autoritariste, pozicioni i individit përballë politikës shpesh herë është i cenuar, pra liria e individit. Dy personazhet kryesore gjinden pikërisht përballë një sfidë të cilën ata e përballojnë në mënyrë të ndryshme por me një kosto të jashtëzakonshme për jetën e tyre”, tregoi regjisori Basha.
Basha tutje tha se arti mund te jap një ndihmesë për të treguar se sa e rëndësishme është liria dhe e cila nuk duhet të humbet për hir të një besnikërie të verbër ndaj militantizmit.
“Mënyra se si ne përballemi me lirinë është një element shumë i rëndësishëm për shoqërinë sepse liria është thelbi i jetesës së individit. Duke qenë se ne e kemi jetuar edhe mungesën e lirisë, do të doja që njerëzit që vijnë në sallë ta kuptojnë se sa e shtrenjtë është humbja e saj, e sa e rëndësishëm është ruajtja me fanatizëm e të shprehurit të mendimit hapur, edhe pse ne nuk jetojmë në shoqëri autoritariste, shpesh cenohet liria e individit dhe ai vihet në modelimin e qëndrimeve të tij për hir të disa elementeve të tjera”, u shpreh Basha për KultPlus.

Duke qenë se regjisori Altin Basha është regjisori i shfaqjes tejet të suksesshme “I ligu për mend”, ai tha se Kosova mbetet një vend i dashur për të dhe se e ardhmja e çmueshme do duhej të ishte qarkullimi i vlerave mes Kosovës e Shqipërisë, pasi që kjo do ta ndihmonte skenën kulturore shqiptare në tërësi.
Për ta sjellë sa më të qartë mesazhin e kësaj shfaqje, e për të depërtuar në rrethanat e kohës së tekstit, aktorët në këtë shfaqje përballën me mjaft shumë sfida në aspektin psikofizik. Gazmend Gjoka tha se edhe pse ky rol ka pasur vështirësi dhe kërkon mjaft punë dhe duke qenë se shfaqje krijon një impakt me publikun atëherë është reagimi i publik, ai që justifikon gjithçka.
“Është një tekst impenjativ jo vetëm në kuptimin fizik por rëndësi merr edhe mesazhi që përçohet në publik nga autori dhe më pas edhe ajo që ka dashur të nxjerrë regjisori nëpërmjet gjetjeve dhe kërkesave profesionale që ka bërë ndaj aktorëve”, u shpreh aktori Gjoka.

Kjo shfaqje u shfaq premierë më 15 dhjetor në Teatrin Eksperimental në Tiranë, kurse ka udhëtuar edhe në disa qytete të Kosovës, si në Prizren, Gjakove dhe Prishtinë. Repriza e kësaj shfaqje do të jetë sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. /KultPlus.com

“Rojat e Taxhit” sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

“Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës e cila u dha premierë më 15 dhjetor në Teatrin Eksperimental në Tiranë, sonte shfaqet në kryeqytetin kosovar, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje të jetësohet nën lojën e aktorëve Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja e me koreografi nga Gjergj Prevazi, është shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe vjen sonte më 28 janar me fillim nga ora 20:00 në Prishtinë.

“Rojat e Taxhit”, shfaqet edhe nesër më 29 janar në TKK, në po të njëjtin orar.

Ndërkohë Altin Basha, është regjisori i shfaqjes tejet të suksesshme “I ligu për mend”, shfaqje kjo që përgjatë 1 viti në Prishtinë, mbushi sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

“Rojat e Taxhit” vijnë në Kosovë

“Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës e cila u dha premierë më 15 dhjetor në Teatrin Eksperimental në Tiranë, vjen edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje të jetësohet nën lojën e aktorëve Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja e me koreografi nga Gjergj Prevazi, fillimisht shkon në Gjakovë, ku data e rezervuar për të është 26 janari.

Pas Gjakovës, shfaqja udhëton në Prizren më 27 janar ndërsa në Prishtinë janë rezervuar dy data për “Rojat e Taxhit”, 28 dhe 29 janar./ KultPlus.com

Altin Basha sjellë “Rojat e Taxhit” në Teatrin Eksperimental në Tiranë (VIDEO)

Më 15 dhjetor në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, vjen shfaqja “Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen me lojën e aktorëve Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja ndërsa koreograf është Gjergj Prevazi.

Humaxhuni dhe Baburi janë shoke të ngushte dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të feminise dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas së tij të vdekur Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë…

Shfaqja që vjen më 15 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, shpaloset nën skenografinë dhe kostumografin e Iliriana Loxha Bashës, kompozitor Endri Sina, video Florian Canga, as.regjie Elis Mataj dhe është përkthyer nga Rovena Vyshka./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/iliriana.basha/videos/pcb.10208469241168848/10208469239848815/?type=3&theater

“I ligu për mend” shkon në Tiranë

Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “I ligur për mend” e cila erdhi nën regjinë e regjisorit Altin Basha, më 21 nëntor, shfaqet në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

Teksti i Gjergj Fishtës, u jetësua nga aktorët kosovar duke e sjellë në rol kryesor aktorin Luan Jaha.

Shfaqja në Prishtinë, mblodhi një publik jashtëzakonisht të madh, duke e bërë një ndër shfaqjet më të shikuara në TKK.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku.

Kësisoj më 21 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë, jepet shfaqja nga Kosova “I ligu për mend”./ KultPlus.com