Vendi i Mihal Gramenos në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare

Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.

Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

  1. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimitqë botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liriArdhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.        Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), DuvaxhinjtëI gjori IbrikXinxifkë pashaXhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.

Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.

Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.

Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) / KultPlus.com

112 vjet nga lindja e presidentit Richard Nixon

9 janari shënon 112 vjetorin e lindjes s së njërit nga burrështetasit e Amerikës, Riqard Nixon, shkruan KultPlus.com.

Ai lindi në vitin 1913 në Yorba Linda të Kaliforni-së. Ishte politikan amerikan dhe President i SHBA-së i 37-të në periudhën 1969-1974. Nixon është i vetmi Kryetar i ShBA-ve që ka dhënë dorëheqje gjatë mandatit presidencial pa e përfunduar mandatin e dytë, për shkak të përzierjes së tij në një skandal korrupsioni të njohur si Skandali Watergate.

Nixon lindi në një familje të varfër në një qytet të vogël në Kaliforninë Jugore. Ai u diplomua në Shkollën Juridike Duke në 1937, ushtroi profesionin e avokatit në Kaliforni, më pas u transferua me gruan e tij, Pat, në Uashington në 1942 për të punuar për qeverinë federale.

Pas detyrës aktive në Rezervën Detare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1946. Puna e tij në çështjen e Alger Hiss krijoi reputacionin e tij si një antikomunist kryesor, gjë që e ngriti atë në rëndësi kombëtare, dhe në vitin 1950 , ai u zgjodh në Senat.

Nixon ishte kandidati i Dwight D. Eisenhower, kandidati presidencial i Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 1952 dhe shërbeu për tetë vjet si zëvendëspresident. Ai kandidoi për president në vitin 1960, humbi ngushtë nga John F. Kennedy, pastaj dështoi përsëri në një garë të vitit 1962 për guvernator të Kalifornisë, pas së cilës u besua gjerësisht se karriera e tij politike kishte mbaruar. Megjithatë, në vitin 1968, ai bëri një tjetër kandidim për presidencën dhe u zgjodh, duke mposhtur Hubert Humphrey me më pak se një pikë përqindje në votën popullore, si dhe duke mundur kandidatin e partisë së tretë George Ëallace.

Nixon i dha fund përfshirjes amerikane në luftimet e Vietnamit në 1973 dhe draftin ushtarak në të njëjtin vit. Vizita e tij në Kinë në vitin 1972 përfundimisht çoi në marrëdhënie diplomatike midis dy kombeve dhe ai gjithashtu përfundoi Traktatin e Raketave Anti-Balistike me Bashkimin Sovjetik. Në hap me besimet e tij konservatore, administrata e tij transferoi në mënyrë graduale pushtetin nga qeveria federale te shtetet.

Politika e brendshme e Nixon-it e pa atë të impononte kontrolle të pagave dhe çmimeve për 90 ditë, të zbatonte desegregimin e shkollave jugore, të themelonte Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe të fillonte Luftën kundër Kancerit. Për më tepër, administrata e tij nxiti për Aktin e Substancave të Kontrolluara dhe filloi luftën kundër drogës. Ai gjithashtu kryesoi uljen e Apollo 11 në Hënë, e cila sinjalizoi fundin e Garës Hapësinore. Ai u rizgjodh me një rrëshqitje historike elektorale në vitin 1972 kur mundi George McGovern.

Në mandatin e tij të dytë, Nixon urdhëroi një transport ajror për të rifurnizuar humbjet izraelite në Luftën e Yom Kipur, një konflikt që çoi në krizën e naftës në vend. Nga fundi i vitit 1973, përfshirja e administratës së Nixon në Ëatergate gërryen mbështetjen e tij në Kongres dhe në vend. Më 9 gusht 1974, duke u përballur me shkarkimin dhe largimin pothuajse të sigurt nga detyra, Nixon dha dorëheqjen nga presidenca.

Më pas, atij iu dha një falje nga pasardhësi i tij, Gerald Ford. Gjatë gati 20 viteve të daljes në pension, Nixon shkroi kujtimet e tij dhe nëntë libra të tjerë. Ai ndërmori shumë udhëtime jashtë vendit, duke e kthyer imazhin e tij në atë të një burrë shteti të moshuar dhe eksperti kryesor i çështjeve të jashtme.

Ai pësoi një goditje në tru më 18 prill 1994 dhe vdiq katër ditë më vonë në moshën 81 vjeçare. Sondazhet e historianëve dhe shkencëtarëve politikë e kanë renditur Nixon si një president nën mesataren.[2][3][4] Megjithatë, vlerësimet e tij kanë rezultuar komplekse, me sukseset e presidencës së tij në kontrast me rrethanat e largimit të tij nga detyra./KultPlus.com

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor vjen me interpretim edhe në Prishtinë, me koncertin e Post ReMusica-s shënon 225 vjetorin e lindjes së Bethovenit

Vjollca Duraku

Mbrëmë në kuadër koncertit Post ReMusica, është interpretuar program artistik nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, nën dirigjimin e Desar Sulejmani, në nderim të 225 vjetorit të lindjes së L.V.Bethoven dhe 215 vjetorit të lindjes së F. Mendelsson- Bartholdy, shkruan KultPlus.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor në përbërje nga muzicientë të rinj të gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) interpretimin në Atelienë e Pallatit të Rinisë e filloi me veprën “Ouverture Athalia” të kompozitorit Felix Mendelsson- Barthold, që përmes tingujve të mrekullueshëm herë pas here qetësisht të ftonin në përjetim.

Pika e dytë interpretuese “Clarinet Concerto” e Aaron Copland u dha nga Orkestra Rinore Ballkanike dhe klarinetisti Mario Ruska si një interpretim që rrënqethte mrekullisht nga profesionalizmi. Përjetimi i tingujve të emetuar nga vetë klarinetisti binte në sy po aq sa lëvizja e tij ndërmjet muzicientëve për të krijuar harmoni energjie dhe tingujsh.

Ndërkaq, pjesa e tretë e koncertit “ Symphony Nr. 5” nga Ludwig van Bethoven me tinguj kryesisht të lartë i jepnin mbrëmjes madhështi. Në këtë pikë interpretuese dominonte loja e dirigjentit Sulejmani, i cili përmes një interpretimi brilant dukej sikur vërtetë krijonte magji përmes lëvizjes së shkopit të tij dhe notave muzikore të veprës së kompozitorit të shquar.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor  është një iniciativë e OJQ-së Artium Eudora, e cila synon që të rris bashkëpunimin mes muzicientëve të shteteve të ballkanit perëndimor të cilat nuk janë pjesë e BE-së, Veprimatria e kësaj orkestre shtrihet përtej dallimeve kombëtare, etnike e fetare, duke koontribuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik.

Pas koncertit, dirigjenti Sulejmani ka thënë se përveç të krijuarit art, kjo orkestër zhvillon edhe një mision politik.

“Gjithçka është sfiduese kur mundohesh të gjesh gjuhën e përbashkët me kombësi të ndryshme siç ne i kemi pasur tani (13-të kombësi). Muzika, tingujt e muzikës të punuar mbi veprat e këtij programi e bën gjithmonë më të lehtë, ndërlidhjen, bashkëpunimin, komunikimin mes vete por edhe me kombësi të tjera. Mendoj që muzika është instrumenti më i mirë i mundshëm që ne kemi në dorë si muzikantë, për të lidhur kultura të ndryshme, kombësi të ndryshme, edukime të ndryshme shkollore, për të njësuar gjuhën e përbashkët të një niveli të lartë artistik”.

Ai më tej ka bërë të ditur se ky projekt pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi posedon mbështetje nga programi kulturor Creative Europe nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi pothuajse në fund të turneut të këtij dimri, kemi filluar në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, sonte në Prishtinë dhe nesër do të kemi koncertin e fundit në Shkup. Me këtë koncert përmbyllet faza e dimrit ndërkohë që jemi duke punuar për fazën e projektit të verës, ku do të jemi edhe një orkestër më e madhe me 65 muzikantë të rinj, nga 17 vende evropiane. Koncertet ne do t’i mbajmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor sikurse edhe në komunitetin evropian duke përfshirië këtu Gjermaninë, Francën. Mendoj që do të kemi koncerte edhe në Turqi”.

Ndërkaq, pianistja Eleonida Elezi ka thënë se interpetimi në Prishtinë pas një turi në shtetet tjera të Ballkanit për të papraqiste një ndjesi dhe emocion krejt të veçantë.

“Prej fillimit të turit është hera e parë që perfomoj në Prishtinë, fillimisht kemi performuar në Beograd, Novi Sad Sarajevë dhe në Mostar, por koncerti me emocionet më të veçanta ishte i sotmi në Prishtinë, sigurisht pasiqë është shteti ku kam lind. Ishte një emocion i veçantë të performosh para publikut tonë. Është një vepër karakteristike pasiqë është kontemporane dhe ka disa tipare të cilat duhet me u fokusu për t’i nxjerrë ato qoftë edhe me anë dinamike qoftë edhe me anë ritmike. Ka qenë një bashkëpunim shumë i ndërsjellë mes të gjithë muzikantëve për të sjellë një larmishme”, ka thënë pianistja Elezi duke e potencuar bashkëpunimin me kolegët e etnive të tjera.

“Ka qenë një ndjenjë e mrekullueshme për të pasur një bashkëpunim të ndërsjellë me mosha, bagazhe dhe etni të ndryshme. Sigurisht është një emocion i veçantë të kesh këtë bashkëpunim në mes të muzikantëve, bashkëpunim ky i cili gjithmonë sjellë frytshmëri në muzikë”, ka thënë pianistja.

Koncerti i mbrëmshëm i cili u mirëprit nga audienca ishte një besfasi e vërtetë edhe për klarinetistin Mario Ruska.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje shumë e mirë. Në fakt, nuk e prisja këtë gjë kaq të mirë, pasi dje kemi mbërritur vonë dhe nuk kemi fjetur aq shumë. Të gjithë ishin shumë të lodhur dhe nuk prisnim një mbrëmje me kaq shumë adhurues”, ka thënë ai.

WBYO është mbështetur nga Programi i Bashkimit Evropian “Creative Europe” me projektin  WBYOACCELERANDO, si një projekt me vlerë dhe rëndësi në promovimin e kulturës dhe artit në Ballkanin Perëndimor si dhe në Evropë./ KultPlus.com

Momente të paharrueshme në dëborë, Alpet “magnet” për turistët edhe në dimër

Turizmi malor çdo vit e më shumë po tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Në ditët e para të janarit Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, po vizitohet nga të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit 2024.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur për ATSH-në se “në këto ditë të para të janarit vihet re një fluks vizitorësh vendas e të huaj, për shkak edhe të reshjeve të dëborës që kanë rënë në Alpe. Të apasionuar pas alpinizmit dhe sporteve dimërore vizitorët po frekuentojnë këto zona për të kaluar momente të paharrueshme në bardhësinë e dëborës si dhe për të shijuar gatimet tradicionale në hotele dhe bujtina”.

Dardha u shpreh se “Thethi, Vermoshi dhe Boga u vizituan nga 457 965 vizitorë, nga të cilët 256 290 vendas dhe 201 675 të huaj”.

Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës dhe shenjimi i shtigjeve nga stafi i AdZM-ve kanë sjellë një shtim të numrit të turistëve.

Dardha i bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.

Drejtori i ADZM Kukës, Lefter Gjana tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-dhjetor lumi i Gashit, Lugina e Valbonës dhe Lugina e Tropojës janë vizituar nga 177 447 turistë,  nga të cilët 102 548 vendas dhe 74 597 të huaj”.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë.

Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj., ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre./atsh/KultPlus.com

‘Forever Young’ kënga më e njohur në Tiktok

Kënga “Forever Young” e grupit gjerman Alphaville e vitit 1984 u bë kënga më e njohur globalisht në rrjetin social Tiktok vitin që sapo lame pas.

Në postimet britanike në atë rrjet është vënë re një rritje e ndjeshme e përdorimit të këngëve të vjetra, shkruan “The Guardian”.

Nga 50 këngët më të mira në Tiktok, 20 prej tyre janë të dekadave të mëparshme, të cilat e bënë muzikën më të vjetër, si këngët e grupit Bronski Beat dhe këngëtaren Shada, shumë të njohura, dhe hiti më i madh britanik në Tiktok është kënga “Blood Portokalli” nga Devonte Hynes, e cila u përdor në 1.1 milion postime.

Tiktok luan një rol kyç në industrinë e muzikës dhe se ka kontribuar, ndër të tjera, në popullaritetin e këngës “Brother” të interpretuar nga Charli XCX, e cila dikur u përdor në fushatë nga kandidatja për presidente amerikane Kamala Harris.

Disa nga këngët e njohura në Tiktok gjatë 2024-ës ishin ‘Champagne Coaste’ nga Blood Orange, ‘Forever Young’ nga grupi gjerman Alphaville, ‘Another Love’ nga Tom Odell dhe ‘Kiss of Life’ nga këngëtarja Shada./KultPlus.com

Restaurohet kisha e Shën Nikollës në lagjen ‘Kala’ të Beratit

Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.

Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.

Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.

Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.

Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./KultPlus.com

Ëndrra e zemrës sime

Poezi nga Paul Verlaine

Sa herë ëndërrova, një ëndërr për çudi,
Një grua të panjohur që më do dhe e dua
E që prorë më duket jo krejt si ajo grua
Po jo dhe krejt si tjetër, e më do pa kufi.

Sepse më kupton e më njeh e më di,
Misteri i zemrës sime veç prej saj u zbulua
Veç ajo, duke derdhur çurkë lotësh mbi mua
Ma freskon zjarr’ e ballit e më deh me magji.

S’e di është ezmere apo leshraartë
Emri i saj? Më kujtohet, i ëmbël, tingull i qartë,
Si i njerëzve tanë dikur të ikur në mërgim.

Sytë: vështrimin e ngulur të statujave i kanë
Dhe zëri i vjen i largët, i qetë e gjithë trishtim
Si një këngë prej zërash të dashur që më s’janë./ KultPlus.com

‘Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi’

Thënie nga Ernest Heminguej

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta fotografi dhe piktori i mirënjohur, Leon Çika

Fotografi dhe piktori i mirënjohur Leon Çika është ndarë sot nga jeta në moshën 71 vjeçare.

Çika ka lindur në vitin 1954 në Tiranë në një familje me origjinë nga Dardha e Korçës.

Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë si piktor i arteve grafike.

Kontaktin e parë me fotografinë, Çika e mori pas mbarimit të studimeve dhe caktimit si piktor skenograf në Pallatin e Kulturës “Gramsh”.

Si piktor merre pjesë më tej në grupin e piktorëve për projektimin e interierëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ndërsa më pas ka qenë drejtor i departamentit të fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ku dhe krijoi një koncept të ri në imazhet fotografike që ATSH publikonte duke larguar përfundimisht fotografitë klishe.

Pas viteve ’90, Leon Çika punoi si pedagog i fotografisë në Akademinë e Arteve, si reporter dhe si producent i disa televizioneve dhe agjencive të lajmeve.

Çika ka realizuar vepra fotografike në dy drejtime, fotografinë dokumentare dhe zyrtare të ngjarjeve të ditës dhe fotografinë artistike një prej pasioneve kryesor të tij.

Ai është cilësuar si fotografi i natyrës duke realizuar punën e tij në formë ciklesh ku edhe në pikturat e tij pasqyrohen bukuritë natyrore të peizazheve shqiptare me magjinë dhe forcën emocionale shpirtërore të Çikës duke lënë një trashëgimi të pasur në artin dhe kulturën shqiptare.

Një nga botimet e rralla të realizuara prej tij ishte përmbledhja me 300 peizazhe urbane dedikuar Beratit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të fotografit dhe piktorit, Leon Çika.

Jeta profesionale:

1972-1976 Akademia e Arteve të Bukura Shqipëri, në Tiranë.

1976 – Në Universitetin e Tiranës realizon Mbrojtjen e Diplomës së Artit Grafik me titullin “Piktor i Arteve Grafike”.

2007-2008 – Profesor i fotografisë në Institutin zvicerano-shqiptar

1998-2000 – Profesor i fotografisë, në Fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, Shqipëri.

1993 – Reporter / Producent / Kameraman për “Reuters” në Shqipëri

1985-1989 – Shef i fotografisë Artistike dhe shefi i departamentit të Përgjithshëm Fotografi tek muzeu “Enver Hoxha” në Tiranë.

1980-1985 – Shef i departamentit të Fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare

1979-1981 – Pjesë e grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurës për Muzeun e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në kështjellën e qytetit të Krujës

Aktiviteti krijues:

janar 2010 – Ekspozitë pikture në qytetin e Pogradecit (ekspozitë kolektive)

2005-2006 – Realizon dy ekspozita fotografike në Galeria Kombëtare e Arteve, duke pasur si fokus “Turizmin në Shqipëri”

1998-1999 – Çel dy ekspozita pikture me një bashkë-autor, Adnan Kastratin, në Tiranë

1981-1994 – Merr pjesë në ekspozitën kombëtare dhe ndërkombëtare “Professional Photographer” dhe publikon fotografi artistike në revista të ndryshme Arti

1986-1988 – Ekspozita e fotografisë të organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

1977 – Ekspozita personale e pikturave në qytetin e Gramshit.

Vlerësime:

2005 – 2006 vlerësohet me dy çmime për Artin Fotografik në dy ekspozita të organizuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”

Çmimi Kombëtar 1995 për pankartën më të mirë të realizuar gjatë përvjetorit të çlirimit kombëtar nga nazistët

1982, vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”

1988, vlerësohet me Urdhrin e klasit të parë “Naim Frashëri”./atsh/KultPlus.com

116 vjet nga lindja e shkrimtares dhe aktivistes së shquar, Simone de Beauvoir

Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.

Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.

Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.

Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.

De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.

Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.

De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.

Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.

Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.

Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.

Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com

Një ndër poezitë më të bukura për luftën

Poezi nga William Butler Yeats

Përkthyer nga Orjela Stefasani

PASHKË, 1916

Flijimet e shumta sigurt
zemrën në gur e shndrrojnë. 
Oh, krejt kjo a do t’marrë fund?
Punë e qiellit âsht ajo, detyra jonë 
âsht veç emnat me ua përsëritë 
ashtu si nâna fëmisë mund t’i thojë 
kur gjumi ma n’fund ka zbritë
n’trupin e lodhun gjithë ditën n’lojë. 
A do t’thotë kjo se nata ka râ?
Jo, jo nata, por vdekja që s’ka kthim;
A ishte e kotë vdekja, n’krejt kêt hata?
Anglia ndoshta ende ka besim
n’atë çka âsht bâ dhe thânë.
Ne i dimë ândrrat e tyne; mjafton
me ditë se ata ândrruan dhe flí ranë;
e çka nëse tepria e dashnisë thonë
i hutoi derisa vdekja i shoi? 
Në vargje po i shkruej këta-
MacDonagh, ashtu si MacBride, shkoi,
Connolly dhe Pearse, nuk janë mâ.
Tash dhe në kohët që kanë me pasu’
gjithçka që e veshun n’jeshile qe,
ka ndryshu’, krejtësisht ka ndryshu’: 
nji bukuri e tmerrshme tash ka le./ KultPlus.com

‘Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë’

Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”

“Tregtarët nuk kanë atdhe.”

“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”

“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”

“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”

“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”

“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”

“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”


“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”

“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”

“Individi guximtar është shumicë.”

“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”

“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”

“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”

“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”

“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”

“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”

“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”

“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”

“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”

“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”

“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”

“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”

“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”

“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”

“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”

“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”

“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”

“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”

“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”

“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”

“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”

“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”

“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”

“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”

“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”

“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”

“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”

“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”

“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”

“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”

“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”

“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com

“Fati ynë shpresë e marrëzi”, një nga perlat e Aurela Gaçes (VIDEO)

Nostalgjia për këngët e viteve 90-ta na bënë që shpesh të ju rikthehemi dhe t’i dëgjojmë ato perla që pavarësisht viteve vazhdojmë t’i dashurojmë, shkruan KultPlus.

Kënga “Fati ynë shpresë e marrëzi” e kënduar nga Aurela Gaçe është një ndër këngët që ka arritur t’i rezistojë kohës.

Kjo këngë ka një fuqi brenda vetes e cila duket sikur nuk do të shuhet kurrë.

Kënga u këndua në vitin 1997 në Festivalin e RTSH-së duke e zënë vendin e dytë. / KultPlus.com

Digjem, përvëlohem se të dua shumë…

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Digjem, përvëlohem
se të dua shumë,
ditën mendohem,
natën rri pa gjumë.

Lulet po ta dinin,
mike, sa të dua,
këtu do të vinin
të qajnë me mua.

Zogjtë të dëgjonin,
do t’më rrinin pranë
dhe do të këndonin,
të harroj sevdanë.

Asnjeri në jetë
plagën s’ma shëron,
përveç mikja vetë,
që vjen e lëndon!/ KultPlus.com

”Mua besoj më shpëtoi portreti” nga Alban Muja me premierë botërore në Forum Expanded të Festivalit Berlinale 2025

Fimi i ri i artistit dhe regjisorit kosovar Alban Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti (I Believe the Portrait Saved Me)”, do të ketë premierën botërore në kuadër të seksionit prestigjioz Forum Expanded të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Berlinale, një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë kinematografike botërore.

Seksioni Forum Expanded është një platformë e njohur për promovimin e filmave që sfidojnë format tradicionale të kinemasë dhe ofrojnë një vizion të ri dhe eksperimental.

Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.

Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.

I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.

Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami. 

“Mua besoj më shpëtoi portreti” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ KultPlus.com

Shkarkohet drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Tiranës, Altin Basha, është shkarkuar nga detyra ditën e sotme.

Shkarkimi i Bashës nga ky post vjen pas dyshimeve tw medieve se ka abuzuar me fondet e Teatrit Kombëtar.

Altin Basha është shkarkuar ditën e sotme me vendimin të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pritet që në vend të tij të vendoset një tjetër drejtor. 

Flautistja Zerina Pozhegu, një yll në ngritje në skenën muzikore

Zerina Pozhegu është një flautiste e talentuar dhe premtuese nga shkolla e muzikës “Amadeus”. Zerina është vetëm 11 vjeç, por ka treguar një përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm për artin muzikor.

Ajo ndjek mësimet e flautit me pedagogen Saranda Vllasaliu dhe ka nisur udhëtimin e saj muzikor që në moshën 7-vjeçare.

Zerina e ka zgjedhur flautin si instrument të saj të zemrës, duke u frymëzuar nga tingulli i tij melodioz, që për të përfaqëson një lidhje të veçantë midis natyrës dhe zërit njerëzor. Që nga fillimi i mësimeve, ajo ka shfaqur talent dhe potencial të lartë, duke u shquar si një muzikante e re por e dedikuar dhe punëtore.

Në shtator të vitit 2020, Zerina iu bashkua orkestrës së shkollës së muzikës “Amadeus”, ku luan rolin e flautistes së parë. Ky pozicion i rëndësishëm i ka dhënë mundësinë të tregojë aftësitë e saj të shkëlqyera si soliste dhe muzikante orkestri. Deri më sot, ajo vazhdon të mbajë me sukses këtë rol kyç, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në performancat e orkestrës.

Në qershor të vitit 2024, Zerina u shpërblye me vendin e parë në garat ndërkombëtare “Ars Kosova”, duke fituar njohje për talentin e saj në rritje. Një tjetër sukses madhor ishte pranimi i saj për të marrë pjesë në garat botërore të flautit në Bullgari “Moyse Flute Competition”, ku ajo u vlerësua lart nga juria profesionale dhe performoi përballë flautistëve nga vende të ndryshme të botës.

Përveç performancave solistike, Zerina është gjithashtu pjesë e ansambleve dhe muzikës kamertale të shkollës “Amadeus”, ku vazhdon të shkëlqejë në çdo koncert. Me përkushtimin dhe pasionin e saj, Zerina Pozhegu përfaqëson një model të shkëlqyer për muzikantët e rinj dhe një yll në ngritje në skenën muzikore./ KultPlus.com

Qeveria e Shqipërisë miraton shpërblimin për punonjësit e Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë të enjte është miratuar akti për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Hoxha u shpreh se motivimi i Policisë së Shtetit do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë, shkruan A2 CNN.

Sot Këshilla i Ministrave ka miratuar një akt shumë të rëndësishëm në lidhje me shpërblimin e punonjësve të policisë. Në gusht të vitit 2024, ligji i ri i Policisë së Shtetit miratoi të gjithë veprimtarinë, rregullimin, organizimin, për dhënien e shpërblimit të Policisë së Shtetit.

“Shumë shpejt dhënia e shpërblimeve do të unifikohet. Qeveria e përcakton shumë shprehimisht vullnetin e saj për misionin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit, roli i të cilës është shumë kyç dhe motivimi do të jetë prioritet i qeverisë shqiptare”, tha ministri Hoxhaj./ KultPlus.com

Restaurohet kisha e Shën Nikollës në lagjen “Kala” të Beratit

Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.

Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.

Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.

Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.

Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./ KultPlus.com

Abaz Kupi, nacionalisti i persekutuar nga regjimi komunist

Më 9 janar 1976 ndërroi jetë Abaz Kupi.

Ai lindi në Krujë në vitin 1892. Në 1912-ën përkrahu Esat Pashë Toptanin, ndërsa në 1920-ën u rreshtua krah Mustafa Krujës kundër Ahmet Zogut. Pavarësisht mospajtimeve mes tyre, pas ardhjes së Zogut në pushtet, Kupi u bë komandant i Krujës, e më pas major në xhandarmërinë e Durrësit në vitet 1932-1939.

Më 7 prill 1939, kur italianët zbarkuan në Durrës, Abaz Kupi, i njohur edhe si Bazi i Canës, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak, duke mbajtur qëndresë për 36 orë.

Me pushtimin e Shqipërisë u largua drejt Stambollit. Në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. U rikthye në atdhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ-it. U bë nismëtari Konferencës së Mukjes, të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943.

Duke mos u pajtuar me qëndrimet e Enver Hoxhës, i cili në shtator 1943 hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit, në 19 nëntor 1943 Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit, që synonte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë./ KultPlus.com

Kompleti i Veprave të Anton Çettës dhurohet në Institutin e Etnologjisë në Pragë, ambasadorja Iberhysaj: Këto vëllime janë më shumë se tekste

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Ceki, Albesjana Iberhysaj e shoqëruar nga dy vajzat e Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta kanë pasuruar Institutin e Etnologjisë në Pragë, me dhurimin e kompletit të veprave të Anton Çettës për këtë institucion.

Me dhurimin e këtij kompleti është shënuar edhe përvjetori i lidhjes së atdhetarit Anton Çetta. KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ambasadorja Iberhysaj.

Në shënim të përvjetorit të lindjes së atdhetarit të paepur, plakut të urtë, mbledhësit të shquar të folklorit dhe pajtuesit të palodhur të gjaqeve, profesor Anton Çetta, në Institutin e Etnologjisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, në Pragë, nderuam jetën dhe veprën e tij duke i dhuruar bibliotekës së Institutit një komplet të veprave të profesor Çettës.

Veprat e Çettës janë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit, si një thesar i kulturës sonë shpirtërore që ia përcjellim me krenari brezave të ardhshëm.

Dhurimi i kësaj serie librash për Institutin e Etnologjisë në Pragë është një moment i rëndësishëm, pasi këto vëllime janë më shumë se tekste – ato janë një dritare që shpalos kulturën dhe traditën tonë, gjithashtu dhe një ftesë për të eksploruar thesarin e krijimtarisë sonë njerëzore. Ndërsa këta libra e gjejnë shtëpinë e tyre brenda një instituti prestigjioz, le të shërbejnë si burim frymëzimi e studimi dhe si një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë. Vepra e Profesor Çettës do të mbetet përjetësisht në historinë tonë kombëtare. Ai do të kujtohet përherë si personalitet i jashtëzakonshëm, ndërsa përkushtimi i tij ndaj atdheut do të mbetet udhërrëfyes për breza të tërë.

Dorëzimi i veprave iu bë drejtorit të Institutit, z.Jiří WOITSCH, me të cilin u diskutua mbi mundësi të tjera bashkëpunimi mes 🇽🇰🇨🇿.

Një falënderim i veçantë për drejtuesen e Seksionit të gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë, Dr. Orkida Backus Borshi, Prof. Dr.Jaroslav Otčenášek dhe vajzat e

Profesor Çettës, Agata Çetta dhe Donika Çetta me mbështetjen e të cilëve u mundësua realizimi i këtij aktiviteti. 🇽🇰🤝🇨🇿📚/ KultPlus.com

Rama njofton për rihapjen e konkursit për projektin e sheshit “Adem Jashari”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se konkursi për prezantimin e projekteve për sheshin monumental “Adem Jashari”,  do të hapet përsëri këtë muaj.

Ai ka njoftuar se asnjë nga projektet e paraqitura në konkursin e kaluar, nuk janë vlerësuar si të përshtatshëm nga përfaqësuesit e familjes Jashari.

Komuna, sipas tij e ka buxhetin prej 150 mijë eurove që ta rihap konkursin për këtë çështje.

“Sheshi monumental i Adem Jasharit ne e kemi pasur konkursin edhe kemi pasur projekt propozime, si pjesë e procesit ne kemi qenë sensitiv edhe ndaj çështjes dhe familjes së Adem Jasharit, edhe e kemi pasur edhe reprezentuesin e familjes ku në bazë të procesit nuk e kanë parë familja asnjë projekt që meriton me ec përpara edhe për këtë arsye nuk kemi ec përpara, gjithë ato projekte që kanë qenë. Buxhetin e kemi 150 mijë euro që ta rihapim konkursin prapë dhe këtë do ta bëjmë në këtë muaj”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe ne lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit për qendrën tregtare “Central Park”, për të cilën ka thënë se leja është lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit duke respektuar ligjet dhe rregulloret.

“Sa i përket lejes për Central Park, unë informatat që i kam, Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje në bazë rregullative. Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore”, ka thënë ai. /EO/ KultPlus.com

‘Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur’

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning

Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj.
Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë
Që shpirti im mund të arrijë,
kur merr pjesë i padukshëm
Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes
ideale.

Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste
E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt.
Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton
për drejtësi.
Të dashuroj me pastërti, si dikush që
nga lutja kthehet.

Të dashuroj me pasionin që hidhja
Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin
e fëmijërisë sime.
Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur,
Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen,
Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! –
e nëse Zoti do dojë,
Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com

Ja si duken sot lagjet luksoze të Los Anxhelosit

Zjarret shkatërruese që rrethojnë Los Anxhelosin janë përhapur në Kodrat e Hollivudit, pasi zjarret e tjera në zonë vranë të paktën pesë persona, shkatërruan qindra shtëpi dhe shtrinë burimet e zjarrfikësve dhe furnizimet me ujë në kufijtë e tyre.

Më shumë se 100,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen pasi erërat e thata dhe me forcë uragani po pengojnë operacionet e shuarjes së zjarrit dhe kanë ndezur zjarret që kanë shpërthyer pothuajse të papenguara nëpër zonat e goditura nga thatësira që nga e marta.

“Ky zjarr është masiv,” tha kryebashkiaku i Los Anxhelosit Karen Bass në një konferencë për shtyp.

Shtrirja e zjarrit mund të shihet në hartën interaktive të Departamentit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Pylltarisë në Kaliforni.

Një zjarr i ri shpërtheu në Hollywood Hills të mërkurën mbrëma, tha shefi i zjarrfikësve Kristin Crowley në një konferencë shtypi, duke detyruar më shumë evakuime dhe duke e çuar numrin e zjarreve në gjashtë në kontenë e Los Angeles.

Katër prej tyre po digjen jashtë kontrollit, duke përfshirë dy zjarre të mëdha në anët lindore dhe perëndimore të qytetit që vazhduan të përhapen të mërkurën kur ra nata.

Një zjarr në Hollywood Hills dogji 20 hektarë të mërkurën, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve në Kaliforni. Ekuipazhet e helikopterëve po hidhnin ujë mbi flakët dhe dukej se po ngadalësonin zjarrin.

Departamenti i Zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar një urdhër evakuimi për njerëzit në një zonë brenda Hollivudit që është shtëpia e vendeve të famshme që lidhen me industrinë e filmit dhe argëtimit.

Brenda asaj hapësire është Teatri Dolby, ku mbahen çmimet Oscar. Shpallja e nominimeve për Oscar është vonuar për shkak të zjarrit, thanë organizatorët.

Edhe pse relativisht i vogël në krahasim me të tjerët, ky zjarr po digjet pikërisht mbi bulevardin Hollywood dhe Walk of Fame. Kalimi i autostradës do të rrezikonte shenjën e Hollivudit në kodër si dhe Observatorin Griffith./ KultPlus.com