Familja Haxhiu i dhuron Bashkisë së Korçës monografinë e piktorit të njohur Fatmir Haxhiu

Një akt i çmuar kulturor është realizuar në qytetin e Korçës, ku familja Haxhiu i ka dhuruar Bashkisë së Korçës monografinë e artistit të shquar shqiptar, Fatmir Haxhiu. Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, e ka cilësuar këtë dhuratë si një vlerë të shtuar për trashëgiminë kulturore dhe artistike të qytetit.

“Një dhuratë me vlerë për qytetin! Faleminderit familjes Haxhiu për këtë kontribut të vyer për kulturën e qytetit tonë”, shkruan Filo në një postim në rrjetet sociale.

Botimi i monografisë së artistit do t’i shtohet fondit të Galerisë së Arteve si dhe Bibliotekës “Thimi Mitko”, duke pasuruar më tej ofertën kulturore të qytetit dhe duke e bërë më të aksesueshme për publikun figurën dhe veprën e artistit.

Fatmir Haxhiu lindi në Gjirokastër, më 28 dhjetor 1927 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 10 mars 2001.

U njoh herët me emrat më në zë të artit shqiptar si Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmin, Odise Paskali e Foto Stamo. Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit.

Fatmir Haxhiu, ishte një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar të shekullit XX. I shpallur “Piktor i Merituar” dhe më vonë “Mjeshtër i Madh i Punës”, Haxhiu është i njohur për kontributin e tij në pikturën realiste, duke sjellë në tablo jetën e përditshme, punën, natyrën dhe simbolikën kombëtare. Ai ka qenë pjesë e brezit të parë të piktorëve profesionistë pas Luftës së Dytë Botërore, me një krijimtari të gjerë dhe vepra të ekspozuara në galeritë më të rëndësishme të vendit.

Monografia e tij përbën një dokumentim të pasur të jetës dhe veprës së tij, duke përmbledhur analiza kritike, materiale arkivore dhe riprodhime të veprave më të njohura.

Ky gjest vjen si dëshmi e ruajtjes së kujtesës kulturore dhe e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe trashëgimtarëve të artistëve të mëdhenj shqiptarë./atsh/KultPlus.com

Lekbibaj në listën e aplikimit për “Fshatrat më të mirë turistikë në botë”

Lekbibaj në Tropojë është fshati i tretë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, pas atij të Zogajt në Shkodër dhe Nepravishtës në Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikuan pamje nga Lekbibaj, duke theksuar se është një fshat që përcjell rrënjët e traditave dhe mikpritjen.

“Lekbibaj, zemra e Nikaj-Mërturit sjell jehonën e Alpeve, përcjell forcën e qëndresës dhe rrënjët e traditave e mikpritjes së bjeshkëve në hartën globale të turizmit të qëndrueshëm si një nga 6 fshatrat që përfaqësojnë Shqipërinë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga Organizata Botërore e Turizmit, u shpreh Kumbaro.

Ky aplikim është një pasqyrë e gjithë zonës së Nikaj-Mërturit, me pamje dhe frymëzim nga fshatrat e mrekullueshëm përreth.

Lekbibaj është kthyer vitet e fundit në destinacion të preferuar për këdo që adhuron  natyrën dhe Alpet e Shqipërisë.

Afërsia me Komanin dhe Fierzën e bëjnë edhe më të veçantë. Ai shtrihet përballë liqenit të Komanit, ndërsa në të majtë të fshatit gjarpëron lumi i Currajve, i cili në fund të fshatit derdhet në liqenin e Komanit.

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./ KultPlus.com

Durrësi antik ofron pasuri edhe për të apasionuarit e arkeologjisë nënujore

Durrësi ka pasuri nënujore, e cila përbën një vlerë të shtuar për qytetin e cila mund të inkurajojë akoma më shumë zhvillimin e turizmit arkeologjik.

Durrësi, që në antikitet ka qenë port i rëndësishëm i Adriatikut, si dhe një kantier i madh i ndërtimit të anijeve. Arkeologjia e tokës, në këtë qytet të lashtë, ndërthuret me arkeologjinë e nënujit, ku çdo amforë rrëfen e çdo valë mbart një kujtim të lashtë.

Në këtë mënyrë, bukuritë e Durrësit shtrihen jo vetëm në tokë, në Parkun Arkeologjik, por edhe nën ujë, ku fshihen artefakte të ndryshme që mund të shihen nga zhytësit.

Nga Dyrrahu antik janë gjetur ndër vite fragmente amforash, mbetje anijesh të mbytura, objekte tregtare dhe urbane. Ekspedita shqiptare të organizuara janë zhvilluar që në vitet 1970-1980.

Hidroarkeologjia është një disiplinë relativisht e re shkencore që lindi në fillim të shekullit XX, megjithëse interesi për objektet e mbytura në det ka ekzistuar që në kohët antike. Arkeologjia e nënujit për shumë zhytës të detit Mesdhe e të brigjeve të tij është më tepër se një pasion. Copat e statujave, kapitelet apo enët e ndryshme rrëfejnë për jetën e zhvilluar në këto brigje mijëra vjet më parë. /KultPlus.com

Nis rikonstruksioni i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve në Korçë

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, njoftoi përmes rrjeteve sociale se një projekt i rëndësishëm po fillon.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e plotë dhe rivitalizimin e Bibliotekës së Fëmijëve, e dhuruar për qytetin nga filantropi Thoma Turtulli. Biblioteka e Fëmijëve është një nga objektet më të rëndësishme të Korçës për sa i përket kujtesës historike dhe vlerave arkitekturore që mbart si objekt unikal dhe i realizuar me shumë dashuri e kujdes nga mjeshtrit e kohës.

“Pres me padurim që, pasi projekti të përfundojë, mbi 600 fëmijë të moshës deri në 15 vjeç, frekuentues të kurseve të teknologjisë dhe inovacionit, së bashku me qindra bashkëmoshatarë të tyre, frekuentues të librit, të kenë një ambient komod dhe dinjitoz dhe që amaneti i Thoma Turtullit, për një rini larg kafeneve dhe pranë dijes, të vazhdojë të përmbushet në përjetësi”, u shpreh kryetari i Bashkise Korçë.

Projekti për restaurimin dhe rijetëzimin e saj, i pari në këtë shkallë ndërhyrjeje që nga ndërtimi i objektit, është realizuar nga Bashkia Korçë me konsulencën e specialistëve të restaurimit dhe është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Restaurimi synon të nxjerrë në pah vlerat e degraduara në vite, si dhe të krijojë ambient komod pa ndryshuar funksionin aktual, për t’i shërbyer fëmijëve, duke ndërthurur leximin e librit tradicional me elementet e teknologjisë dhe inovacionit.

Objekti është në fazën e përgatitjes së kantierit për fillimin e punimeve ndërtimore, si dhe ka filluar puna për restaurimin e disa elementeve identitarë të objektit, siç është portoni hyrës./ KultPlus.com

Ura e Bratajt, monumenti që rrëfen historinë e trashëgiminë

Ura e Bratajt është një monument historik kulturor i periudhës osmane, që lidh bukurinë, historinë dhe peizazhet e përjetshme shqiptare.

E njohur ndryshe si Ura e Bratit, kjo urë guri ndodhet në zemër të Luginës së Shushicës, rreth 48 km në lindje të qytetit të Vlorës. E ndërtuar shekuj më parë dhe ende funksionale, ajo është destinacioni ideal për të apasionuarit ndaj bukurive natyrore e arkitekturore.

Ura e Bratajt besohet se është ndërtuar në shekullin XVI, gjatë periudhës së vonë osmane. Ajo ka shërbyer si pikëkalimi kryesore mbi lumin Shushicë, pjesë e rrugës së dikurshme karvanore që lidhte fshatrat malorë me bregdetin. Për shekuj të tërë, tregtarë, udhëtarë dhe formacione ushtarake kanë kaluar nëpër të, duke e bërë një nyje të rëndësishme komunikimi dhe tregtie.

Ura u shpall Monument Kulture që në vitin 1948./ KultPlus.com

Projekti i ri i Trump: Çdo e dhënë personale në një sistem të vetëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përgatit vendosjen e një sistemi të ri kombëtar, i cili do të mbledhë dhe arkivojë çdo të dhënë të qytetarëve amerikanë. Ky projekt ambicioz ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos nga radhët e demokratëve – megjithëse ata ndodhen në pakicë në Kongres dhe ndikimi i tyre është i kufizuar.

Disa vendime gjyqësore kanë arritur përkohësisht të frenojnë elementë të këtij projekti, por sinjalet e fundit nga Gjykata Supreme lënë të kuptohet se edhe barrierat ligjore mund të mos jenë të qëndrueshme për gjatë.

Plani i Trumpit, që është krahasuar nga “Corriere della Sera” me konceptin e “Vëllait të Madh”, synon të integrojë të dhëna nga burime të ndryshme përfshirë informacione fiskale, shëndetësore, arsimore, bankare dhe të punësimit në një sistem të unifikuar. Ngjashmëritë me Sistemin e Kreditit Social të Kinës janë të dukshme: një profil i plotë i çdo individi, i përdorur potencialisht për ndëshkim apo shpërblim bazuar në “dobinë sociale”.

Me sloganin “Të thyejmë siloset e burokracisë së të dhënave”, Trump e paraqet këtë projekt si një reformë administrative që do të luftojë abuzimet me fondet publike dhe do të rrisë efikasitetin qeveritar. Por kritikët paralajmërojnë për një rrezik real ndaj privatësisë dhe lirive qytetare.

Kjo nismë vjen në vijim të një vendimi të mëparshëm për t’i dhënë kompanisë “Doge” të Elon Musk qasje në të dhëna sensitive si statusi tatimor i qytetarëve. Edhe pse Musk është larguar nga bashkëpunimi, institucionet federale kanë vazhduar kërkesat për të dhëna personale. Departamenti i Bujqësisë, për shembull, ka kërkuar informacione të detajuara për 42 milionë përfitues të kuponëve ushqimorë, me synimin për të identifikuar abuzimet dhe përfitimet e padrejta nga emigrantët e paligjshëm.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë mohon çdo prirje autoritare, duke theksuar se synimi është kursimi i parave të taksapaguesve dhe kontrolli më i rreptë i emigracionit të paligjshëm, veçanërisht në shtete si Illinois, Kalifornia dhe Uashingtoni, ku dyshohet se fondet federale përdoren për të ndihmuar emigrantët.

Ironikisht, më të shqetësuarit nuk janë vetëm liberalët. Disa nga përkrahësit më të zëshëm të Trump, përfshirë figura si Hodgetwins, The Patriot Voice dhe Nick Fuentes kanë shprehur hapur pakënaqësinë, duke e quajtur këtë hap një “tradhti”. Ish-kongresmeni Justin Amash ka paralajmëruar për ngritjen e një “shteti mbikëqyrës”, ndërsa shumë konservatorë me prirje libertariane ndihen të zhgënjyer.

Aktualisht, projekti është ende në fazën e ndërtimit të bazës së të dhënave, por për shumë qytetarë amerikanë, kjo është vetëm hyrja në një epokë të re kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Alarmet janë ndezur dhe debati është më i gjallë se kurrë./ KultPlus.com

Heidegger: Nuk ka gjëra atje ku mungon fjala…

Nga ky vend do të ndërmendim atë çka pyet Hëlderlini në elegjinë e tij “Bukë dhe verë” (VI strofa):

  Pse pra po heshtijnë dhe ata, teatrot e shenjta antike?

Pse nuk po i lëvdojnë ata Zota që po kcejnë rrëmujën gaztare?

Vendit të lashtë të shfaqjes së zotave u është privuar e drejta të përmenden në fjalë, në atë fjalë siç ka qenë ajo dikur. Po si ka qenë pra, ajo? Në ligjërim, ajo ka qenë fqinjësi me zotat. Ligjërimi i ka lejuar vetes të thotë atë mbi të cilën është drejtuar vështrimi i folësit, sepse qysh më parë kësaj, ajo tashmë i ka përndriçuar ata. Të tillë përndritje e brendshme i ka kallur folësit dhe dëgjuesit në thellësinë e pafundme të barrës ndërmjet zotave dhe njerëzve. Përmes gjithë kësaj barre (rëndësire), ka prirë sundueshëm e, megjithatë pushtetshëm, ajo çka është edhe më e lartë se zotat dhe njerëzit, sikundërse flet për këtë Antigona:

Sepse jo Zeusi, që më shpalli kumtin,

(Porse një tjetër, që më dëfteu Nevojën)

Sepse jo ç’prej asaj dite dhe jo ç’prej asaj mbrëmjeje, po pa prâ, çdo herë

Shplohet ai që dëften Nevojën dhe askush ende nuk ka

Përbiruar vështrimin përmatanë, nga ai erdhi për t’u shfaqur.

Enigmë mbetet fjala poetike e llojit të këtillë, rrëfimi i së cilës çdo herë kthehet tashmë në heshtje. E mjaftueshme do jetë, nëse do të lëmë thjesht poezinë vetë të na e thotë enigmën e këtyre fjalëve dhe tani, hidhemi te poezinë me titull:

 Fjala

 Prej çudish larg dhe ëndrrash plim

Sillja sinoret e vendit tim

 Nornën e ngrysur ma priste zemra

N’ burim t’m’i gjente ato emra –

T’i ngërthej fort këtu ia dola

Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…

 Sos udhëtimesh ktheja pas

Tue gjetë i’ thesar brishtan t’begatë

 Më foli prajshëm norna n’fund:

“Nuk fle asgjë aty përfund!”

Prej duarsh thesari më iku tej

Dhe s’munda n’visin tim ta kthej…

Kështu të zehërt njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Poezia u shfaq për së pari në numrat 11 dhe 12 të “Buletinit të artit” gjatë vitit 1919.  Më vonë (1928) Shtefan George e përfshiu atë në përmbledhjen e fundit të poezive të fundit të botuar prej tij, me titull “Mbretëria e re”.

Poezia është ndërtuar prej shtatë strofash distike. Strofa e fundit jo vetëm që përmbyll poezinë, ajo njëkohësisht edhe e kyç atë. Kjo duket prej faktit që vargu përmbyllës për së pari, flet vetëm për atë se çfarë qëndron në titull: “Fjala”. Ky varg përmbyllës thotë:

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Të lind tundimi ta riformulosh vargun përmbyllës në një shprehje me përmbajtje të qartë: nuk ka gjëra atje ku mungon fjala. Aty ku diçka mungon, aty ka vend zbrazëtia, humnera. Të ndërpresësh diçka do të thotë: diçka t’i heqësh, diçka t’i privosh. Privimi i diçkaje don të thotë mungesë. Ku nuk mjafton fjala, aty nuk ka gjësende. Vetëm fjala që ka pushtet, u jep gjësendeve qenie.

Ç’domethënie ka fjala, në çfarë është e zonja ajo?

Çfarë është gjësendi, çfarë nevoje ka ai për fjalën për qenien e tij?

Ç’domethënie ka këtu qenia, në çfarë ajo na del këtu në rolin e huasë, e cila përcakton gjësendin prej fjalës?

Pyetje pas pyetjesh, të cilat nën dëgjimin e parë dhe leximin e poezisë nuk e zgjojnë arsyetimin tonë. Në fillim, ne ma s’pari jemi të mbërthyer thjesht me gjashtë strofat e para: ato na rrëfejnë për përvojën origjinale e të maskuar të përvojës së poetit.  Sigurisht, këmbëngulëse tingëllon strofa përmbyllëse. Ajo na shtrëngon të shqetësohemi në meditime. Prej saj, ne për së pari veçse dëgjojmë atë çka, n’akord me titullin, kuptimësohet poetikisht me gjithë këtë poezi: “Fjala”.

A ka vallë ndosend më alarmuese dhe më të rrezikshme për poetin, sesa marrëdhënia me fjalën? Si zor. A krijohet vallë kjo marrëdhënie për së pari vetëm prej poetit apo fjala vetë prej vetes dhe për veten kërkon poezinë, në atë farë feje që vetëm përmes këtij kërkimi poeti bëhet ai kush mundet të jetë? E gjitha kjo dhe ende një tjetërçka, na bën të mendojmë për çfarë dhe na lë të kredhur në mendime. Bashkë me këtë gjë ne arsyetojmë, para se të biem në mendime. Sepse gjëja mbështetet tani sall në një varg të vetëm të të gjithë poezisë. Këtë varg përmbyllës për më tepër, ne dhe e kemi shndërruar në thënie. Kuptohet, ndërhyrja jonë është e diktuar jo prej arbitraritetit lakuriq.  Përkundrazi, ne për pak sa nuk jemi të shtrënguar drejt riformulimit, pasi menjëherë vërejmë, që vargu i parë i strofës përmbyllëse mbaron me dy pika. Ai na bën të presim që në vargun pasardhës do të thuhet diçka. Ndër të tjera, një ngjashmëri të tillë e gjejmë dhe në strofën e pestë. Në fund të vargut të saj të parë, në mënyrë analoge, qëndrojnë dy pikat:

M’u përgjigj norna më n’fund:

“Asgjë nuk fle aty përfund”.

Me dy pikat diç nis të hapet. Ajo çka vijon pas tyre, kumbon, duke u shprehur gramatikisht, në indikativ: “Asgjë nuk fle aty…” Përveç kësaj, thënia e nornës së ngrysur është mbyllur në thonjëza.

Ndryshe është në vargun përmbyllës. Vërtet që në fund të vargjeve të saj të para, këtu qëndrojnë gjithashtu dy pikat. Ajo që vijon, sidoqoftë, nuk është thënë në indikativ dhe nuk qëndron mes thonjëzash. Ku qëndron ndryshimi ndërmjet strofës së pestë dhe të shtatë? Në strofën e pestë, norna e ngrysur diçka kumton. Kumtimi – është një lloj i thënies, njëfarë zbulimi. Në ndryshim nga kjo, toni përmbyllës i strofës është i koncentruar në fjalën “tabu”.

Tabu nuk është thënia, por, ndoshta, ka gjasë të jetë, sidoqoftë, ndofarë shprehjeje. Tabuja është e lidhur me mohimin. Të mohosh, të porositësh, (“porositësi”) – është nënprodukt nga folja pohoj (me pranue, me dëftue). Më thanë – është po ajo fjalë, sikundërse me (kall)zue, e ngjashme me foljen latine dicere, me diktue, kjo është po ajo  fjalë në greqishten e vjetër deiknumi – me kallzue. Me tregue, me dëftue do të thotë: me dhanë me pa, me e qitë në dukë, në dritë. Pikërisht, ky dëftim që po hapet e shpërfaqet, përbën kuptimin e fjalës tonë të vjetër kall-zoj, flas. Dëftoj, kallzoj dikë do të thotë: me e tradhtue dikënd, me e ekspozue në gjyq. Në tabunë si moh-im, qeveris vetë thania. Në çfarë mënyre? Me refuzue do të thotë: me e lanë pretendimin mbi diçka, me heqë dorë prej diçkaje. Përderisa tabuja e njohur është njëfarë lloji i shprehunisë (thanies), ai mund të ndërkallet në letër me anë të dy pikave. Ndërkaq që ajo çka pason pas tyre, jo detyrimisht duhet të jetë thanie. Dy pikat mbas fjalës “tabu” nuk hapin asgjë në kuptimin e thanies apo të pohimit, por këto dy pika na hapin tabunë – si diçka të thanë – për atë në të cilën ato përhapen. Mbi çfarë gjëje përhapen këto dy pika? Ndoshta mbi ato prej të cilave tabuja urdhëron të hiqet dorë.

Dhe t’zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Por si mund të bëjë vaki kjo? Mos vallë poeti heq dorë prej asaj që gjësende s’ka ku fjala s’bun? Në asnjë mënyrë. Prej kësaj, poeti e ka aq të pamundur të shkëputet, saqë ai madje, bie dakord drejtazi me të shprehurën. Pra, ajo mbi të cilën tabuja e njohur u përhap me anë të dy pikave, nuk mundet kurrësesi të jetë shprehje e asaj prej së cilës poeti hoqi dorë. Në të, përkundrazi, duhet të jetë shprehur ajo, të cilën poeti e anashkalon. Por të njohësh tabunë do të thotë pa diskutim: të heqësh dorë prej diçkaje. Gjegjësisht, vargu përmbyllës duhet të thotë prapëseprapë atë prej së cilës poeti hoqi dorë. Po dhe jo.

Si mund t’ia gjejmë anën kësaj? Ajo që na bën të vrasim mendjen më së shumti, është vargu përmbyllës, i cili kërkon që ta dëgjojmë atë në tërësi dhe më qartë, – gjithë strofën, sikundër, veçanërisht, atë që duke e mbyllur poezinë, njëkohësisht edhe e hap.

Dhe t’zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Poeti njohu tabunë. Njohu këtu do të thotë: provoi. Provoi atë, nëse e themi në latinisht, qui vidit, ai që sheh diçka, e vëren dhe kurrë më nuk i shqitet sysh ajo çka pa. Të njohësh do të thotë: të mbërrish atë çka ke parë. Këndej hyn ajo për të cilën ne gjakojmë, e pikërisht lëvizja drejt një drejtimi të caktuar, drejt një udhe. T’i vihesh një kupti-mësimi të tillë do të thotë: të provosh, të mësohesh.

Nëpër cilën udhë ka rrugëtuar poeti që mbërrin kuptimin e tabusë së vet? Përmes cilit vis e shpie udha që ka sosur? Si e mbërriti kuptimin e tabusë poeti? Strofa përmbyllëse na jep kallzimin. Po si kështu? Ashtu sikundërse na e thonë gjashtë strofat e mëparshme. Këtu poeti na flet për vendin e tij. Këtu ai na flet për udhëtimet e tij. Strofa e katër nis:

Sos udhëtimesh ktheja pas

“Sos” është përdorur këtu në kuptimin e vjetër, i cili thotë: të vetmen herë. Ajo na jep të kuptojmë ashiqare pikëmbërritjen e jashtëzakonshme e të veçantë. Prandaj rrëfimi për të  jo vetëm fillon prerazi me këtë “sos”, por njëkohësisht veçohet shkoqur nga udhëtimet e mëparshme; në fakt, vargu i fundit i që i paraprin drejtpërsëdrejti strofës së tretë, përmbyllet me retiçencë. E njëjta gjë ka vend në vargun e fundit të strofës së shtatë. Kësisoj, gjashtë strofa, duke u përqendruar përreth të shtatës, janë të zbërthyer me shenja përmbyllëse, të qarta dy herë me nga tre strofa, në dy triada.

Udhëtimet e poetit, për të cilat flet triada e parë, – janë të një lloji tjetër, nga sa është ai i vetmi, të cilit i kushtohet e gjithë triada e dytë. Që të mund të dimë t’i kuptimësojmë udhëtimet e poetit, veçanërisht atë të jashtëzakonshmin, i cili e solli në njohjen e tabusë, ne duhet të mendojmë paraprakisht mbi vendndodhjen e këtij vendi, përmes të cilit kalon udha e poetit.

Dy herë, në vargun e dytë të strofës së parë dhe në vargun e dytë të strofës së gjashtë, poeti thotë: “vendi im”, “viset e mia”. Ky vend i Tij, është si sfera e sigurt e poezisë së tij. Ajo çka ka nevojë kjo sferë e tij, janë emrat. Për çfarë?

Në vargun e parë jep përgjigjen:

Prej çudish larg dhe ëndrrash plim

Emra për ato çka poeti ka parë e ndeshur në viset e largëta, për mrekullitë ose për ato që i shtiren poetit në ëndrra. Edhe të parat, edhe të dytat, me sigurinë e tij, poeti i merr për të vërteta që kanë të bëjnë me të, për atë çka janë, por në atë mënyrë që ai nuk do ta mbajë për vete këtë thelbësi, por ta paraqesë atë. Për këtë, ajo ka nevojë për emërtime. Këto fjalë, përmes të cilave ajo çka tashmë ekziston dhe konsiderohet ekzistuese bëhet aq e prekshme dhe konkrete, sa lulon para kohe duke kaltëruar, dhe mbretëron kështu në kufijtë e visores poetike si e bukura. Thelbi i emrave që paraqesin fjalën. Ata shpërfaqin atë që tashmë ekziston, paraqitjen. Në masën e asaj që shpërfaqin paraqitjen, emrat na dëshmojnë pushtetin që ata përcaktojnë mbi gjësendet. Poeti krijon vetë duke u nisur nga nevoja e vet për emra. Që të mundë t’i përftojë ato, ai duhet t’i gjejë me anë të udhëtimeve atje ku kërkimi i tij gjen kënaqësinë e dëshiruar. Kjo ngjet në sinoret e vendit të tij. Sinori ndan duke ngërthyer, duke përcaktuar dhe kufizuar vendndodhjen e sigurtë të poetit. Ndanë sinorit të visit të tij poetik – në mos po ky është vetë ai kufi? – është gurra, prej së cilës norna e zymtë, hyjnesha e lashtë e fatit, nxjerr emrat. Me këto emra ajo i jep poetit ato fjalë, të cilat ai me besim e siguri në vetvete i pret si paraqitje që ravijëzojnë atë çka ai konsideron si ekzistuese, të qenë-sishme. Pretendimi i poetit për mbretërimin e fjalës së tij, përmbushet. Lulëzimi dhe shkëlqimi i poezisë së tij bëhet i vërtetë. Strofa e fundit e triadës së parë nis me një “ngërthej”:

T’i ngërthej fort këtu ia dola

Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…

Përqendrojmë vëmendjen tonë mirë në këmbimin e karakteristikës kohore të foljes në vargun e dytë të kësaj strofe krahasuar me të parën. Ai flet tashmë në prezencë. Pushteti i poetit u realizua plotësisht. Ai mbërriti qëllimin dhe plotmërinë. Asnjë lloj mosrrokjeje, asnjë lloj dyshimi nuk e lëkund më sigurinë e poetit në vetvete.

Derisa herëdokur të mos i ndodhë të provojë diç krejt tjetër. Për këtë flitet në triadën e dytë, e cila është ndërtuar me një gjegjësi të përpiktë me të parën. Simptomat e saj janë si vijojnë: vargjet e fundit të dy triadave përmbajnë fjalën “këtu”. Të parës “këtu” në fund të strofës së dytë, i paraprin një vizë shumëkuptimëshe. Para të dytës, “këtu” gjithaq i paraprin një shenjë: thonjëzat në strofën e pestë.

Prej të vetmit udhëtim të veçantë, poeti sjell në sinoret e vendit të vet tashmë jo “prej çudish t’largta, ëndrrash plym”. Pas udhëtimit të bukur, ai i avitet gurrës së nornës me një thesar. Prejardhja e thesarit mbetet e errët. Poeti thjesht e mban në duar këtë thesar. Prehur ndër pëllëmbët e tij thesari, as nuk i është shtirur në ëndërr dhe as nuk është sjellë prej së largu. Por në të njëjtën kohë, thesari i çuditshëm është “i shtrenjtë” dhe “delikat”. Prandaj, hyjneshës së fatit i del punë ta kërkojë gjatë emrin e thesarit dhe në fund të fundit, e kthen poetin duarthatë, duke i bërë me dije:

 “Nuk fle asgjë aty përfund”.

Emrat që prehen në gurrë, konsiderohen si diçka të fjetura, të cilët duhen zgjuar që të mund të gjejnë zbatim në cilësinë e paraqitjes së gjësendeve. Emrat dhe fjalët janë të ngjashme me rezervat e përhershme, të cilat janë në korrelacione gjegjëse me gjësendet dhe se qëllimisht nxirren nga gurra për të paraqitur këto gjësende. Por kjo gurrë, prej së cilës shprehja poetike e ka shteruar gjer më tash fjalën, të cilën e paraqet në cilësinë e emrit të gjithçkaje ekzistuese, tashmë asgjë nuk dhuron.

Çfarë kumti i jepet më këtë poetit? Veçse faktit që, në duart e tij margaritarit nuk i gjendet emër? Veç faktit që, edhe pse margaritari mbeti pa emër, ai prapëseprapë mund të mbetet në duart e poetit? Jo. Ngjet diç tjetër, tronditëse. Të trondit jo fakti se thesarit nuk i gjendet emri, dhe as përvjedhja e emrit. Të trondit fakti që, me mosshfaqjen e emrit zhduket thesari. Kështu pra, është pikërisht fjala ajo që e mban thesarin në praninë e tij; ajo e nxjerr për së pari, e bart atë në prani dhe në prani e ruan. Fjala papritmas zbulon pushtetin e saj tjetër, të epërm. Dhe nuk është një ngërthim i emërtuar në praninë, tashmë të paraqitur, nuk është më mjet për paraqitjen e të dhënës së blatuar. Përkundrazi, vetë fjala – është dhuruesi i pranisë, d.m.th., qenies, në të cilën diçka rezulton si ekzistuese.

Këtë pushtet tjetër të fjalës poeti e sheh/ndesh papritmas. Tok me të, fjala që ka një pushtet të tillë, mungon. Thesari prandaj rrëshqet e përvidhet. Por megjithë këtë, ai prapë nuk shkërmoqet, nuk shndërrohet në hiç. Ai mbetet thesar, të cilin poeti, ndofta, nuk do të mundë ta ruajë kurrë më në vendin e tij.

Prej duarsh thesari më iku tej

Dhe s’munda n’visin tim ta kthej. . .

A kemi vallë të drejtë të shtyhemi në interpretimet tona aq larg, saqë t’i japim fund udhëtimit të poetit në gurrën e nornës? Me sa duket, po. Sepse përmes një përvoje të re poeti, qoftë dhe tërthorazi, sheh një pushtet të ri të fjalës. Ku e shpie poetin dhe krijimtarinë e tij të mëparshme kjo arritje? Poeti është i shtrënguar të ndahet me pretendimin e tij, që sipas kërkimit vetjak, me gjithë sigurinë e tij se do të gjendet emri për emërtimin e asaj çka ai quante si ekzistuese të njëmendët. Dhe në këtë hamendje, dhe në këtë pretendim, ai është i shtrënguar që tash e paskëtaj, të heqë dorë. Poeti duhet të shkëputet nga pretendimi për ta patur fjalën nën pushtetin e tij si mishërim të emrit që me anë të tij, fikson të gjitha gjësendet. Shkë-putja si dorë-heqje nga ky pushtet është njëfarë rrëfimi që shpreh vetveten:

Gjësende s’ka ku fjalë s’ka.

Derisa gjatë interpretimit të gjashtë vargjeve të para të poezisë ne ndoqëm se si udhëtimi i dha poetit zotërimin e tabusë, për ne njëkohësisht u qartësua disi dhe vetë tabuja. Vetëm disi; sepse e shumta mbetet ende e errët në këtë poezi, dhe para së gjithash – ai thesar, emri i të cilit u refuzua. Prandaj poeti nuk mund të thotë se çfarë thesari është ai. Përpos kësaj, a e kemi guximin t’ia qëllojmë se për çfarë aludimesh bën fjalë vetë poezia. Poezia bën aludime. Ne i ridëgjojmë ato, duke ndërdëgjuar të kredhur në mendime. Këtë kërkesë ne do ta kënaqim, nëse meditojmë mbi diçka që tash për tash duhet të na motivojë në mënyrën më të thelluar.

Hulumtimi në përvojën e poetit me fjalën, d.m.th., kundrimi në përgjërimin e provuar të poetit na cyt tek pyetja: përse kur poeti e njohu tabunë, nuk mund të ndahej nga ligjërimi? Përse shpreh me këtë rast përgjërimin? Përse shkruan madje një poezi me titullin “Fjala”? Përgjigje: sepse kjo tabu e njohur – është përgjërimi i vërtetë dhe jo një ndarje e thjeshtë nga ligjërimi; së këndejmi, nuk është një memecëri e thjeshtë. Si dorëheqje tabuja mbetet ligjërim. Kështu ajo e ruan marrëdhënien me fjalën. Përderisa fjala e tregoi veten në një pushtet tjetër, të epërm, marrëdhëniet me fjalën gjithashtu duhet të pësojnë ndryshime. Ligjërimi mbërrin një tjetër harmoni, një “melos” tjetër, një tjetër ton. Fakti që përgjërimi merret nga poeti pikërisht në këtë kuptim, këtë na e dëshmon vetë poezia, ku për përgjërimin është thënë që fjala filloi të këndojë. Sepse kjo poezi është një këngë. Ajo është përfshirë në pjesën përmbyllëse të botimit të fundit të poezive Shtefan Georges. Kjo pjesë e fundit të librit të tij të fundit mban emërtimin “Kënga” dhe nis me prologun:

Çfarë është ende mendim dhe çfarë ndërtoj ende

Çfarë dashuroj ende të ravijëzuar me një kontur.

Ky rrëfim kutimëson, ndërton, dashuron: admirimi i qetë ngazëllues, veneracioni i hareshëm, ditirambet, lavdet: laudare. Emërtimi latin i poezisë këndonjëse, Lieder – në gjermanisht – laudes, lëvdata. Të flasësh me të tilla lëvdata do të thotë: të këndosh. Këngëtimi – është përfshirja e rrëfimit në këngë. Mjafton të harrojmë kuptimin e lartë të këngës si ligjërim, dhe ajo bëhet një tingëllim i vonuar i atij që e artikulon apo e shkruan.

Me “Këngët”, të fundit të mbledhura nën një titull të tillë të librit me poezi, poeti del përfundimisht jashtë sinoreve që e karakterizonin me parë rrethin e tij. Ku? Në tabu, përgjërim, të njohura prej tij. Një dije e këtillë ka qenë sprovë e papritur në atë moment kur një pushtet krejt tjetër i fjalës depërtoi tek ai dhe ia tronditi sigurinë e ligjërimit të mëparshëm në vetvete. Enigmatikja, e frikshmja pikasi tek poeti pikërisht atë që, vetëm fjala i lejon gjësendet të jenë gjësende.

Që nga ky moment poeti është i grishur t’i përgjigjet këtij misteri, mezi të deshifrueshëm, vetëm me kuptimësimin deshifrues të fjalëve. Një gjë e tillë bëhet e mundur vetëm kur fjala krijuese kumbon në tonin e këngës. Ne mund ta dëgjojmë këtë ton veçanërisht mprehtë në njërën nga këngët, e cila pa titull për herë të parë botohet në pjesën e fundit të librit të fundit të poezive (“Mbretëria e e Re”, fq. 137):

Në qetësinë dhe paqen

E të bardhës ditë

Tek bef përshfaqet

Frika e papritur

Frymën e sigurt rebelon

Kështu mbi shkëmb

Kryeneçin trung 

Krenar e të drejtë

Sërish urragani

E kalb përtokë:

Kështu dallg’ e detit

Nën kujë e rrënkim

Me forcë të egër

Sërish hyn përdhunë

Në moluskun harruar qëkur.

Ritmi i kësaj kënge është po aq madhështor, sikundërse i qartë. Mjafton ta cekim me një shënim. Ritmi, ndër të tjera, nuk është rrymë dhe as rrjedhë, por harmonizim. Ritmi ëshë ai shtrat prehjeje, i cili bart harmoninë në lëvizjet e kërcimit dhe këngëtimit dhe me këtë i jep këtij shtrati të prehet në vetvete. Ritmi përcakton prehjen. Në një këngë të sapodëgjuar harmonizimi rrëfen vetveten, nëse ne nuk jemi të vëmendshëm në akordin e përgjithshëm, i cili në tre imazhe na këndon në këto tre strofa: fryma e sigurtë dhe shpërfaqja e papritur e frikës, një trung dhe uragani, deti dhe molusku.

Megjithatë është i çuditshëm në këtë këngë shenja e vënë nga autori si e vetmja, përveç pikës në fund. Këto janë dy pikat në fund të vargut të fundit. Një shenjë e tillë, në një vend të tillë është akoma më i çuditshëm, ngase të dyja strofat, e mesmja dhe e fundit, dallojnë nga e para në të dy rastet sepse nisin që në fillim me fjalën “kështu”

Kështu mbi shkëmb

Kryeneçin trung

Dhe:

Kështu dallg’ e detit

Nën kujë e rrënkim

Duket se të dyja këto strofa, duke pasuar të parën, i janë nënshtruar asaj në mënyrë të njëllojtë. Por nuk është ashtu. Dy pikat në fund të strofës së dytë na shtrëngojnë ta shpiem strofën pasardhëse përmbyllëse direkt tek e para, duke e tërhequr në po ato marrëdhënie edhe strofën e dytë. Strofa e parë ka parasysh sigurinë e poetit të zgjuar nga
shpresa e tij e mëparshme. “Frika e papritur” sidoqoftë, nuk e shkatërron atë. Frika megjithatë e rrapos atë përtokë, ashtu si urragani – trungun, me qëllim që poeti të hapet ndaj asaj çfarë këndon strofa e tretë, e cila pason menjëherë dy pikat e hapura. Edhe njëherë tjerë tjetër me zhaurimën e panjohur deti e shkatërron veshin e poetit, të quajtur “një molusk të harruar qëkur”; sepse poeti ka mbetur deri më tash pa dhuntinë e kulluar të fjalës së pushtetshme. Në vend të kësaj vetëbesimi i tij në dispozicion të njohjes është ushqyer me emrat që nxirrte norna.

Tabuja e njohur (provuar) – nuk është një largim cullak nga pretendimi, porse një shndërrim i ligjërimit në thuajse zhaurimën e mistertë të joneve këngëtuese të një rrëfimi të parrëfyeshëm. Tanimë ne mund të jemi në gjendje ta mendojmë mirë strofën e fundit, që ajo vetë të mundë të flasë asisoj që në të, të mund të përmblidhet gjithë poezia. Nëse kjo na jepet, së paku në një masë të vogël, ne do të mund ta dëgjonim mirë në momentet më të qarta titullin e poezisë “Fjala”, duke kuptuar se si strofa përmbyllëse jo vetëm e mbyll poezinë, jo vetëm e rihap, por tok me të deshifron dhe misterin e fjalës.

Dh t’ zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Strofa përmbyllëse flet për fjalën në formën e përgjërimit. Vargu i fundit vetë në vetvete është njëfarë ligjërimi: vetë-dorëheqje… e pikërisht nga pretendimi për diçka. E kuptuar kësodore, tabuja ruan karakterin e mohimit: “Gjësende s’ka”, d.m.th., gjësendet mungojnë; “fjalë s’ka”, d.m.th., nuk ka fjalë në përdorim. Sipas rregullave nga një mohim i dyfishtë përftohet pohimi. Tabuja thotë: gjësendi është vetëm atje, ku është mundësuar fjala. Tabuja flet pohueshëm. Refuzimi i thjeshtë jo vetëm nuk e shterron ekzistencën e tabusë, por në tërësi as nuk e përmban atë. Tabuja, sigurisht, ka anët negative, por njëkohësisht edhe pozitive. Vërtet, të flasësh për anët këtu është punë me mjaft rrezik. Ngase do të barabiteshin njëri me tjetrin mohimi me pohimin dhe do të hapej kësisoj rrëfimi udhëheqës në tabu. Por të para së gjithash, duhet të mendohemi thellë. Dhe prapë është pakë. Duhet medoemos të kuptimësojmë se çfarë tabuje ka parasysh strofa përmbyllëse. Është një tabu e një lloji unikal; sepse ajo bën pjesë jo tek zotërimi i ndofarë gjëje. Tabuja e njohur/provuar si refuzim i vetvetes ndaj diçkaje, si përgjërim, ka të bëjë sërish me fjalën. Tabuja e njohur/provuar e shpie marrëdhënien e poetit ndaj fjalës në rrugën drejt asaj se çfarë pikërisht e prek ligjërimin si çdo ligjërim. Ne e ndjejmë që në këtë vetë-refuzim marrëdhënia ndaj fjalës mbërrin pothuajsë “një intimitet të pamatshëm”. Enigmatika e strofës përmbyllëse na rrit dhe na transformon. Ne as nuk marrrin mundin ta dëshifrojmë, por vetëm lexojmë, duke përqendruar në të gjithë mendimin tonë.

Le të mendojmë pak për tabunë e njohur si për një refuzim të vetes ndaj diçkaje.

Interpretimi gramatikor – “vetes” – këtu qëndron në rasën dhanore dhe ka parasysh poetin. Ajo çka i refuzon ai vetes qëndron në rasën parafjalore. Pra është fjala për pretendimin mbi mbretërinë e fjalës. Ndërmjet atij dhe këtij refuzimi na përshfaqet një tipar tjetër. Dorëheqja ia lë veten në dorë pushtetit të lartë të fjalës, që për herë të parë u jep gjësendeve mundësinë të jenë gjësende. Fjala është kushtëzim i gjësendeve si gjësende. Ne do të deshnim që ta quanim këtë pushtet të fjalës dorëzani (Bedingnis). Kjo fjalë e vjetër është zhdukur nga përdorimi ynë. Gëte e njihte mirë. Por dorëzania në kontekstin tonë është tjetër gjë nga ligjërimi për kushtëzimet, në cilësinë e të cilit e kuptonte Gëte dorëzaninë. Kushti është arsye ekzistente për diçka që ekziston. Kushti argumenton dhe arsyeton. Ai kënaq gjendjen për arsyetim. Por fjala nuk i argumenton gjësendet. Fjala i lejon gjësendet të kenë praninë si gjësende. Dhe le të jetë ky lejim dorëzani. Poeti nuk na shpjegon se çfarë është dorëzania e fjalës. Por poeti e dënon veten, d.m.th., ligjërimin e tij me këtë mister të fjalës. Në këtë vetë-dënim të tillë që shkëput, poeti e refuzon në vetvete atë pretendim të cilin e kishte dëshiruar më parë. Vetë-refuzimi e ndryshoi kuptimin e tij. “Vetë” shpreh këtu – tashmë gramatikisht – jo subjektin, por objektin, dhe pretendimi tanimë qëndron jo në rasën parafjalore, por në dhanore. Në ndryshimin e kuptimit gramatikor të lokucionit “t’a refuzosh në vetvete pretendimin” me “t’ia refuzosh vetes pretendimin” – shprehet shndërrimi i vetë poetit. Ai ia lejoi vetes, d.m.th., vetes së tij në të ardhmen edhe ligjërimin e mundshëm në parapritën e misterit të fjalës, në dorëzaninë e gjësendeve tek fjala.

Vetëm tek vetërefuzimi që ndryshon karakterin negativ të refuzimit për-mbahet ende vendi i parë (mëparshëm). Ndërkaq bëhet gjithë e më e qartë që përgjërimi i poetit është aspak ndofarë “jo”-je, por “po”-ja. Vetërefuzimi – me sa duket vetëm i dorëheqjes dhe vetmënjanimit – është në të vërtetë jo-refuzim në vetvete: mister i fjalës. Ky jorefuzim në vetvete mund të flasë vetëm në një mënyrë të tillë, sikundër ai flet: “me qenë”. Nga kjo grimëkohë fjalës i mbetet veçse me qenëdorëzani për gjësendet. Kjo “me qenë” lejon të jetë ajo që është dhe – si – marrëdhënia mes fjalës dhe sendit tashmë është është: asnjë gjësend nuk është është pa fjalën. Kjo “është” i premton vetes përgjërimin në “me qenë”-ën e saj. Prandaj nuk lypet madje asnjë ribërje shtesë e vargut përmbyllës në shprehje, që me këtë mandej, të mund të zbulojë në të “është”-n. “Me qenë” sjell deri tek ne këtë “është” më kulluar, sepse është e maskuar.

Gjësende s’ka ku fjalë s’bun.

Në këtë jo-refuzim në vetvete përgjërimi e shpreh veten si një refuzim i tillë, i cili ia di për nder tërësisht misterit të fjalës, të cilit i detyrohet. Betimi me jo-refuzim në vetvete, falë asaj, me të cilën ajo është borxhlie me vetveten. Këtu banon tabuja. Tabuja e njohur/provuar është borxh i falenderuar dhe tok me të është vetë mirënjohje 4. Tabuja e provuar nuk është as dorëheqje e thjeshtë, dhe as humbje.

Mirëpo përse është kaq i pikëlluar poeti?

kështu të zehërt njoha tabunë

E bën vallë të pikëllohet poetin njohja/provimi i tabusë? Apo pikëllimtar qe vetëm mësimi i njohjes? Në rastin e fundit pikëllimi, që sapo ia ka rënduar shpirtin, mund t’i kishte kaluar sërish, përserisa aq shpejt ai pranoi tabunë si diçka, të cilës ai i detyrohej; sepse asaj, të cilës i detyrohesh diçka, i je mirënjohëse: ajo shërben si shkak gëzimi. Tonin e gëzimit ne e dëgjojmë në një këngë tjetër. Kjo poezi është gjithashtu pa titull. Porse kjo poezi përmban një shenjë të vetme të rrallë, saqë ne këtë këngë jemi të detyruar ta dëgjojmë për shkak të fqinjësisë së saj të brendshme me këngën “Fjala”. Ajo është (“Mbretëria e Re”, fq. 125):

I kujt hap guximtar

Zgjon shpeshtinën magjike

Në zemër të mbretërisë kreshnike?

Çfarë klithme kushtruese

me bririn e argjendtë trumbetar

lëshon korijes gjumashe të Skazit?

Çfarë pshërëtime e heshtur

mu përvodh shpirtit tim

me barrën e një pikëllimi të ri?

Shtefan George i shkruan rëndom të gjitha fjalët me shkronja të mëdha, me përjashtim të atyre në fillim të vargut të poezisë. Por në këtë poezi, pothuajse në mes të saj, në fund të strofës së mesme, është shkruar një fjalë me germë kapitale. Kjo fjalë është: Skaz. Poeti mund ta kishte marrë atë në cilësinë e titullit më atë kuptim të përligjur që, Skaz, si një e shkuar e një kopshti magjik, bart kumtin e prejardhjes së fjalës.

Strofa e parë këndon hapin  si udhëtim përmes visit të Skaz-it. Strofa e dytë këndon klithmën që zgjon Skaz-in. Strofa e tretë këndon psherëtimën, shfryrja e së cilës përvidhet në shpirt. Në hap (d.m.th., në udhëtim), kushtrim dhe psherëtimë dëgjohet vrulli i pushtetit të fjalës. Misteri i saj jo vetëm e alarmoi të shkuarën shpresëmirë të shpirtit; ajo njëkohësisht hoqi nga shpirti një barrë të rëndë pikëllimi që kanosej ta kërruste atë përtokë. Kësisoj, nga marrëdhëniet e poetit me fjalën u zhduk pikëllimi. Ajo përçiku veçse njohjen e tabusë. Gjithka do të kishte qenë kështu, nëse pikëllimi do të kishtë qenë e kundërta e thjeshtë polare e gëzimit, nëse barra e rëndë dhe pikëllimi do të kishin qenë e njëjta gjë.

Mirëpo sa më i gëzuar të jetë gëzimi, aq më i kulluar është pikëllimi i përgjumur në të. Gëzimi dhe pikëllimi derdhen depërtueshëm në njëri-tjetrin. Kjo lojë e tyre e ndërsjelltë që i nguc ato kundër njëri-tjetrit dhe që e lejon largësinë të jetë afër dhe afërsinë të jetë larg, është dhimbja. Prandaj edhe njëra edhe tjetra, gëzimi i epërm dhe pikëllimi i thellë, secili në vetvete është i sëmurë. Por tek dhimbja aq burrëruese është burrëria e vdekëtarëve, sa prej saj – dhimbjes – ajo përfton qendrën e saj të rëndesës. Ajo i përmban vdekëtarët me gjithë luhatjet në prehjen e ekzistencave të tyre. Gjendja që i përgjigjet dhimbjes, përmes saj dhe me akordin e përcaktuar nga ajo, është mu njajo “Barrë e rëndë në shpirt”. Barra mund të të kërrusë shpirtin, por ajo mundet edhe të të humbasë atë që mblidhet me mundim dhe të të ndërkallë në shpirt një “pshërëtimë të heshtur”, ta zbukurojë me petk të bukur, i cili e josh atë në një grimëçast tek marrëdhënia me fjalën dhe me këtë rrobë meshe të mbrojë.

Duhet të mendojmë, e tillë është ideja e strofës së tretë të poezisë së fundit që dëgjuam. Me psherëtimën e heshtur të hidhërimit të rëndë që sapo kaloi, pikëllimi fryn mbi vetë tabunë; sepse ajo atij i përket, nëse e kuptimësojmë këtë tabu nga qendra e tij e rëndesës. Ky është jo-refuzim në vete i misterit të fjalës, e asaj fjale që është dorëzani e gjësendeve.

Si mister ajo mbetet largësi, si mister i rrokshëm ajo largësi është afër. T’ia pranëvesh këtë largësi një afërsie të tillë do të thotë të mos e refuzosh në vetvete misterin e fjalës. Për këtë mister nuk mjaftojnë fjalët, d.m.th., nuk mjafton ai ligjërim, i cili t’i ndihmonte ekzistencës së gjuhës – që të jepte fjalë (besë).

Thesari, të cilin nuk e përftoi vendi (atdheu) i poetit, bën fjalë për ekzistencën e gjuhës. Deshifrimi i papritur i pushtetit dhe madhështisë së fjalës, thelbit të saj, deshi të hyjë në fjalën vetjake. Por në fjalë, në emërtimin e krijesës së fjalës, kemi refuzim.

Po çfarë nëse fjala është e vetmja për krijesën e gjuhës, është pikërisht ai thesar, i cili është krejt afër poetit, sepse duke qenë në pëllëmbët e tij, pavarësisht si i pakapshëm dhe si i parrokshëm na del i përlargët në afërsinë e afërt? Për shkak të kësaj afërsie thesari është misteriozisht i njohur për poetin, ngase ndryshe ai nuk mund të këndonte për të: “një thesar brishtan t’begatë”.

I begatë do të thotë: i fuqishëm për të garantuar, i fuqishëm për pasuri, i fuqishëm për të arritur dhe për të realizuar. Por këtu qëndron dhe begatia jetësore e fjalës që në rrëfim, d.m.th., në kallzim ajo e sjell në shpërfaqje gjësendin si gjësend.

Brishtan (i brishtë) do të thotë, në akord me emrin e lashtë brydhtësi/brylltësi, të njëjtën gjë sikundërse: delikat, i mirëbesueshëm, i dhembshëm, i prekshëm, i hareshëm. Kujdesi, dhënia e ndihmës dhe çlirimi, por pa arbitraritet dhe dhunë, pa babëzi dhe dominim.

Thesar i brishtë e i begatë – është një krijesë e mistertë fjale (realizim), e cila, duke folur nga gjendja e saj e padukshme dhe tashmë e pashprehur, na jep gjësendin si gjësend.

Përderisa njohja e tabusë e ka ngarkuar veten me misterin e fjalës, poeti e mban thesarin përmes një tabuje të njohur tashmë prej tij, në kujtesën e tij kuptimësuese.Kësisoj thesari bëhet ajo që poeti si thënës e parapëlqen më shumë se çdo gjë tjetër, ia vë vlerën mbi gjithçka tjetër. Thesari shndërrohet kuptimësimi i denjë vetjak për poetin. Sepse çfarë mund të jetë më e denjë për mendimet e thënësit, se sa fshehja e vetë ekzistencës së fjalës, fjala që përvidhet për fjalët?

Duke e dëgjuar pezinë si këngë në kumbim me këngë të përafërta, në ia lejojmë vetes të themi përmes poetit dhe bashkë me të, atë çka është e denjë për t’u kuptimësuar në poezi.

T’i lejomë t’i themi vetes çka është e denjë për mendimin, pra – të mendojmë.

Duke e dëgjuar poezinë, ne kridhemi në mendime mbi poezinë.

Kësisoj – është: poezia dhe mendimi.

Ajo që me qasjen e parë duket si mbishkrim i njëfarë teme: “poezia dhe mendimi”, del se është ai para-shkrim, në të cilin që në lashtësi janë regjistruar fatet e qenies tonë historike. Në këtë parashkrim është konturuar përkatësia e ndërsjelltë e poezisë dhe mendimit. Ngjashmëria e tyre është më e hershme se sa prejardhja. Duke u kthyer me mendime kësaj ngjashmërie, në mbërrijmë atë që në lashtësi është e denjë për mendimin dhe për të cilën meditimi kurrë nuk është i mjaftueshëm. Është kjo një gjë e denjë për mendimin, ajo që e përndriti papritmas poetin dhe të cilën ai nuk e refuzoi në vetvete, duke thënë:

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Pushteti i fjalës përndizet si dorëzani e materializimit të gjësendeve. Fjala nis të ndriçojë si ai koleksion, i cili për herë të parë ndërkall të pranishmin në praninë e tij.

Fjala tepër e lashtë për një kuptimësim të pushtetit të fjalës, për ligjërimin, quhet Logos: rrëfim, i cili, duke kallzuar, i jep thelbit të shfaqet në kushtin e tij kjo është.

Gjithashtu fjala Logos si fjalë për rrëfimin është njëkohësisht fjala për qenien, d.m.th., për praninë e të pranishmes. Rrëfimi dhe qenia, fjala dhe gjësendi me njëfarë strehe, mezi të rrokshme në mendje dhe në një mënyrë të paimagjinueshme i përkasin ndërsjelltësisht njëri-tjetrit.

Çdo ligjërim thelbësor ndërdëgjohet në këtë përkatësi të ndërsjelltë të rrëfim/kallzimit dhe qenies, të fjalës dhe gjësendit. Të dyja, poezia dhe mendimi, janë i njëjti kallzim, sepse ato i besojnë misterit të fjalës si më të denjat e kuptimësimit të vet dhe në këtë mënyrë janë gjithmonë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Me qëllim që në mënyrë proporcionale të thellohemi në këtë denjësi për kuptimin, sikundër i flet ky mendim poezisë dhe t’i shkosh në fund këtij mendimi, le t’ia kalojmë harresës qysh këtë moment gjithçka që kemi folur. Ne dëgjojmë poezinë. Ne tani bëhemi edhe më të kredhur në mendime, në masën e asaj mundësie që, duke e dëgjuar, ne e kemi më të lehtë dëgjimin tonë, sa më thjeshtë që kjo poezi këndon në akordin e këngës së tij.

Përktheu: Agron Tufa /KultPlus.com

Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz

Pas ngjarjes tragjike të të shtënave në shkollën e Grazit, qeveria austriake ka njoftuar masa të reja për përforcimin e mbështetjes së shëndetit mendor në sistemin arsimor.

Sipas raportimeve të mediave lokale, Ministri i Arsimit Christoph Wiederkehr (NEOS) deklaroi se do të rriten ndjeshëm resurset për psikologët shkollorë dhe punëtorët e shëndetit mendor, shkruan The Local, transmeton albinfo.

Planet parashikojnë rritjen e numrit të psikologëve në shkolla nga 190 në 390 deri në fund të vitit 2027, ndërsa financimi për punëtoritë e shëndetit mendor do të dyfishohet, duke arritur në 4 milionë euro në vit.

Nga viti 2026, në të gjithë Austrinë do të futen punëtorë të rinj për mbështetje psikosociale, do të ofrohet trajnimi i zgjeruar për të rinjtë dhe do të forcohet ndërhyrja e hershme për nxënësit që rrezikojnë të braktisin shkollën./ KultPlus.com

Gruaja më e bukur në botë, princesha egjiptiane me origjinë nga Korça

Panteoni i bukurisë femërore të shekullit XX nxori në pah disa gra të bukura që asnjë shekull pasardhës nuk ka për ta zbehur bukurinë e tyre. Ato janë bërë simbol i bukurisë femërore dhe emrat e tyre qëndrojnë më lart se bukuroshet e shpallura nëpër sallone bukurie dhe konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Nuk ka pasur mashkull që i ka parë e të mos ketë ëndërruar për gra të tilla si: Ava Gardner, Grace Kelly, Elizabeth Taylor, Greta Gabro, etj.. Por nga të gjithë gratë e bukura të botës në shekullin XX, thuhej se njëra ka qenë më e bukura, e cila nuk ishte aktore hollivudiane, vajzë modelesh, apo një grua publike e njohur nga e gjithë bota. Ajo ishte një princeshë dhe njëkohësisht një mbretëreshë fanatike që do ta kishte për turp ta shpallnin gruan më të bukur në botë. Emri i saj është Faëzia (Fevzia) Fuat Ali ose e njohur ndryshe edhe si Fevzia Fuat Shirin.

Princeshë Fevzia ishte bija më e madhe e Mbretit Fuat të Egjiptit, i pari mbret egjiptian i kohëve moderne, ajo është e njohur edhe si motra më e madhe e fatkeqit mbretit Faruk, të cilin shqiptarët e kanë dëgjuar më të shumti, pasi ai i dha strehë mbretit Zog të Shqipërisë pas arratisjes së tij nga Shqipëria në prill të ’39. Para se të flasim për Fevzien, le te themi dy fjalë për familjen e saj mbretërore dhe origjinën e tyre të pamohueshme shqiptare.

Familja Mbretërore

Tashmë është e njohur që Familja Mbretërore Egjiptiane ishte një familje shqiptare e mbetur atje që nga koha e themeluesit të Egjiptit modern nga gjenerali shqiptar, i madhi Mehmet Ali me origjinë nga Zëmblaku i Korçës (jo nga Pojani siç flitet), i dërguar në Egjipt nga Sulltani turk për të shtypur rebelimin Mamluk (Mamluk në arabisht do të thotë, i huaj ose edhe i bardhë) pas tërheqjes së ushtrisë së Napoleon Buonopartit. Mehmet Ali shkoi në Egjipt në vitin 1805 në krye të një ushtrie turke të udhëhequr nga një bërthamë ushtarësh shqiptarë prej 6000 trupash, të përzgjedhur nga vetë Mehmet Ali. Ai i nënshtroi mamlukët me luftë e me dredhi dhe vendosi në Egjipt dinastinë e tij.

Dinastia

Sundimi i Mehmet Ali Shqiptarit në Egjipt pasqyrohet me hollësi sipas dokumenteve të shumta të lëna nga personalitete të ndryshme botërore të asaj kohe. Por merita me madhe për trashëgimin e emrit shqiptar është e vetë Mehmet Aliut, i cili nuk dinte të fliste asnjë gjuhë tjetër përveç shqipes dhe që shpesh thoshte me mburrje se ishte një shqiptar e bir shqiptari e që mundohej të bëhej një egjiptian (arab) i mirë. 

Ai filloi të mësojë turqisht dhe arabisht në moshën 45 vjeçe, po në këtë moshë filloi të mësojë edhe të shkruante për herë të parë në jetën e tij, pasi shqipja nuk ishte gjuhë e shkruar. Duhet përmendur këtu që Mehmet Ali nuk e orientoi Egjiptin drejt Lindjes dhe Portës së Lartë, nga e cila varej, por drejt Perëndimit dhe, veçanërisht drejt Francës dhe Anglisë ku edhe i shkolloi fëmijët e tij. Fevzia ishte stërmbesa e tij, vajza e Fuatit, i cili ishte bir i Ismailit, djalë i Ibrahim Pashës. Gjyshi i saj, Ismaili në vitin 1867 vendosi titullin e lartë Khedive në mbretërinë egjiptiane, titull që ngeli deri në vitin 1914 kur i biri i tij dhe babai i Fevzies e shpalli veten mbret dhe shkëputi të gjitha lidhjet me Perandorinë Turke tashmë të shkatërruar. Pas 1917 do të quhej sulltan dhe pas vitit 1923, ai do të shpallej përsëri mbret.

Ndërtimi i Egjiptit modern

Egjipti, me ndërtesa të bukura e infrastrukturë moderne është vepër kryesisht e Ismailit, po ashtu edhe me hedhjen e bazës për ndërtimin e Kanalit të Suezit, që do ta përfundonte i biri Fuat së bashku me vëllanë Said, emrin e të cilit do të merrte dhe Porti Said. Një nga veprat e tij më të bukura është shndërrimi i ishullit të shkretë në derdhje të lumit Nil, në një Parajsë Tokësore. Sot atje është qendra më e madhe kulturore dhe artistike e Egjiptit dhe mban një emër shqiptar. Do të ishte Mbreti Ismail ai, që do ta transformonte Egjiptin në një nga vendet më kozmopolite e do të hapte rrugën e modernizimit. I edukuar në Paris dhe Vjenë, njohës i shkëlqyer i një numër gjuhësh evropiane, megjithëse në kokë mbante fesin tradicional turk, ai admironte Evropën. 

Dhe u përpoq që, gjatë sundimit të tij, Egjipti të rivalizonte oborret mbretërore më të fuqishme të Evropës. Gjatë regjimit të tij, kolonia e shqiptarëve në Egjipt, apo siç njihej, “Shqiptarët e Misirit”, njohu një rritje të madhe. Shqiptarët ishin vendosur kryesisht në Kajro e Aleksandri dhe zinin poste kyçe në administratën dhe ushtrinë egjiptiane. Kjo dinasti qeverisi në Egjipt për 147 vjet, deri në vitin 1952 kur Mbreti Faruk u përzu nga Egjipti nëpërmjet një puçi ushtarak, udhëhequr nga gjeneralët Muhammad Naguib dhe Jamal Abd An-Nasser, të cilët instaluan me dhunë qeveritë e tyre në Egjipt që nga 18 qershori i vitit 1953. Këtu përfundoi përgjithmonë Dinastia Shqiptare e Egjiptit. Pasardhësit e kësaj Dinastie sot jetojnë në Zvicër.

Fuati I, Babai i Fevzijes

Nga martesa e dytë e Sulltan Fuatit, (më 1917 e shpalli veten sulltan të Egjiptit), me zonjën Nazli Sabri (1894-1978) në 26 maj 1919 në Bostan Sarai, do të lindte vajza më e bukur e Egjiptit dhe e botës, Fevzia, (kjo sipas thënieve të gjithë atyre që e kishin parë). E ëma e Fevzijes ishte bijë e Abdu’r-Rahim Pasha Sabri, ish-Ministër i Bujqësisë dhe kryebashkiak i Kajros me origjinë po shqiptare. 

Gruaja e tij quhej Tefika Kahnum, mbesë e ish- ministrit të Jashtëm të Egjiptit, i cili rridhte nga një familje me gjak franko-shqiptar. (Mbesë e Sulejman Pashës, një oficer i lartë francez i Napoleon Bonopartit që ishte konvertuar në mysliman) Fuati do të kishte pesë fëmijë; princeshë Fajzen, princeshë Fevzien, Faiken, Fatijen dhe një djalë, mbretin e ardhshëm Faruk. Fuati vdiq në Kaba Sarai në Kajro dhe u varros në Khedival Mauzoleum në xhaminë ar-Rifai po në Kajro. Khedive Ismaili (gjyshi i Fevzies) dhe i ati i Fuatit nuk ishte një njeri i kufizuar nga politika. Ai kishte një pasion të zjarrtë për ndërtime dhe rregullime në mënyrën më moderne të kohës në Egjiptin e qeverisur nga shqiptarët. Infrastruktura moderne e Egjiptit është vepër e tij, po ashtu baza industriale për ndërtimin e Kanalit të Suezit është po vepër e tij. Tre djem të tij dhe një nip iu bashkuan mbretërimit të Dinastisë Shqiptare në Egjipt të trashëguar nga Mehmet Aliu. I ati i Fevzies, Fuati ishte djali i dymbëdhjetë dhe më i vogli i Ismailit. 

Ky do të ishte dhe një nga mbretërit më antiotomanë që iu kundërvu Perandorisë Otomane me kulturën e tij perëndimore. Ishte kjo kohë kur Egjipti u vu nën influencën e Britanisë së Madhe. Për t’u mbrojtur nga sulmet ruso-turko-franke, Egjipti u vu nën protektoratin anglez dhe mbretërinë e shpallën sulltanat. Fatkeqësisht Egjipti nuk qe një shtet i pavarur në të vërtetë. Gjatë kësaj periudhe, nën mbështetjen e Anglisë, Fuati u shndërrua nga një princ në Sulltan i Egjiptit e më pas në mbret duke u bërë kështu mbreti i parë i Dinastisë Shqiptare të Egjiptit, në 1923. Anglezët zgjodhën Fuatin, pasi ai ishte tërësisht i orientuar pro anglez, me shpirt, zemër dhe mendje evropiane dhe aspak arabe apo turke. Një arsye tjetër ishte, sepse Fuati fliste shqip, anglisht dhe frëngjisht dhe nuk dinte të fliste turqisht. Kurrë s’fliste arabisht. Për të ishte e pazakontë t’iu drejtohej arabëve në gjuhën e tyre. 

E shoqja e Fuatit ishte Nazlia (gruaja e dytë) që ishte edukuar në Paris dhe fliste rrjedhshëm frëngjishten njëlloj si Fuati, duke bërë kështu që familja e tyre të ishte një familje frankofone. I ati i saj ishte Ministër i Bujqësisë. Ata u martuan në një festë familjare, në 24 maj 1919 dhe pas 9 muajsh lindën fëmijën e parë që ishte djalë dhe që u quajt Faruk, i cili njihet pak a shumë nga shqiptarët si pritës i Mbretit Zog në emigrim pas pushtimit italian të Shqipërisë. Pas Farukut ata lindën 4 vajza, të cilat morën emra që fillonin me germën “F” gjë e cila sipas besimit arabo-shqiptar sjell fat dhe pasuri. Njëra nga ato qe Fevzia, e cila lindi pikërisht, në 5 nëntor 1921, dy vjet para se i ati të shpallej mbret. 

Fevzia do të bëhej motra dhe shoqja më besnike e të vëllait e do ndikonte shumë në jetën e tij derisa ai të bëhej mbret, pasardhës i të atit. Faruku qe shumë i pashëm, por i dhënë pas qejfit e bixhozit, ndaj dhe mbretëria në kohën e tij mori tatëpjetën, gjë që do të kishte një ndikim shumë të madh në përgatitjen e një puçi ushtarak që do ta rrëzonte nga froni dhe më pas do emërohej pa fat mbreti i vogël Fuat i II 6 muajsh.

Fevzia – gruaja me bukuri të rrallë

Fevzia do të lindte nga martesa e dytë e Sulltanit (më vonë mbretit) të Egjiptit, Fuati I me Nazlie Sabri siç e thamë më lart, në pallatin mbretëror Ras al-Tine Palace në Aleksandri, dhe qe vajza më e madhe e Fuatit. Fevzia ishte mbesë (nga nëna) e Sulejman Pashës, ish-oficer i lartë i Napoleon Bonopartit, i konvertuar në fenë islame dhe i inkuadruar në ushtrinë egjiptiane. Tre motrat e tjera të saj ishin, Fejza, Faika dhe Fatija. E hollë, e bukur, me një figurë elegante të paparë ndonjëherë, pleksur tërë magjia e bukurisë femërore. Vëllai i vetëm i saj ishte Faruku. Ajo pati dhe dy gjysmë vëllezër nga martesa e parë e Mbretit Fuat me Princeshë Shivakiar Khanum Effendi, me të cilët ajo nuk pati marrëdhënie. 

Kjo qe pak a shumë historia e familjes së Fevzies. Kjo grua është përshkruar në të shumtën e rasteve si një “Bukuri Shokuese,” si “Shkatërruese Zemrash,” si “Princesha me e bukur e botës,” si “Grua që të rrëzon me një shikim,” etj. Disa gazeta të kohës e cilësuan; “Gruan më të bukur të botës”. Në atë kohë në Amerikë flitej për të sikur të qe Ylli i Hollivudit. Fotografi i Mbretërisë Kinematografike Sir Cecil Beaton do të shkruante këto fjalë për Fevzien: “Në qoftë se Botiçeli do të mishëronte në penelin e tij një Afërditë Aziatike, Fevzia do të qe subjekti i duhur. Vetëm pasqyrimi i shpirtit dhe fytyrës së saj engjëllore prej perëndeshe do të na jepte në përjetësi një bukuri magjepse të paparë ndonjëherë me sytë e saj blu dhe buzët e saj si tul qershie, nën kurorën e flokëve gështenjë të errët, do të bënte që burrat e tërë botës të humbnin mendjen.”

Gazeta, revista të kohës do të shkruanin kështu për Fevzien:

“E hollë, e bukur, me një figurë elegante të paparë, pleksur tërë magjia e bukurisë femërore së bashku me pasionin hyjnor të një shëmbëlltyre marramendëse e shokuese, do të spikaste femra më ideale e tërë kohërave e që do të quhej Fevzie.” “Askush dhe asnjë mashkull s’mund t’i rezistonte dot asaj joshjeje të ëmbël, përmbledhur vetëm në një femër që vezullonte në Kajro dhe që do ndriçonte më shumë se Dielli Arab.” Gazetat e Arabisë, Azisë, Evropës dhe Amerikës do ta shpallnin Princeshë Fevzien si Miss Botën e pakurorëzuar. Reza Shah i Iranit do të shikonte më shumë nga Fevzia se sa nga Dielli Persian. Faruku, vëllai i Fevzies do të shikonte një Shah në krah të tij si kunat dhe përkrahës në trazirat anti Farukiane. Po ashtu me këtë martesë do të rritej shumë edhe influenca e mbështetja për Farukun në Lindjen e Mesme. Ai mezi priste ta bënte Shahun Iranian kunatin e tij. Në atë kohë Perëndesha e Bukurisë, Fevzia ishte vetëm 17 vjeçe.

Fevzia Princeshë e Iranit

Në moshën 17 vjeçe ajo u martua me Mohammad Reza Pahlavi (1919-1980), Princ i Kurorëzuar i Iranit në Kajro, në 16 mars 1939; pas muajt të tyre të mjaltit, martesa u përsërit në Teheran. Dy vjet më vonë i shoqi do të bëhej Shah i Iranit duke ndjekur vullnetin e të atit. Ky shah i ri nuk do të binte dhe aq në sy si Shah i Madh, por do të binte në sy si burri i gruas më të bukur në botë. Gazetarë të ndryshëm do të vërshonin në pallatin e saj për t’i bërë fotografi dhe për ta shpallur si “Venusin e Azisë”. Një përshkrim të mahnitshëm i ka bërë gazetari Cecil Beaton. Martesa nuk qe e suksesshme. Mbas lindjes së bijës së tyre të vetme, Princeshës Shahnaz Pahlavi I, erdhi divorci.

Divorci

Fevzia nuk do të qe e lumtur me Shahun e Iranit, ajo shpesh bisedonte me të vëllanë se, “Këta nuk janë si ne. Këtu s’mund të durohet asgjë, bile dhe fryma…” Letrat e saj do të binin në dorën e Princeshë Ashraf Pahlavi, e cila ishte vërtet një intrigante e madhe dhe që bënte ligjin në shtëpinë mbretërore. Familja Mbretërore Egjiptiane banonte në Pallatin Abdin, që ishte një ndërtesë e tipit oriental nga jashtë, por brenda çdo gjë ishte oksidentale ashtu siç ishte dhe mentaliteti i pjesëtarëve të shtëpisë. Tapetet ishin savoneze dhe rrugicat ishin persiane. 

Tapiceritë e kolltukëve, divaneve, shilteve dhe këndeve ishin të gjitha të stilit tipik antik francez. Kornizat e pikturave ishin të gjitha të gdhendura prej ari dhe argjendi sipas një arti të vjetër evropian. Në këtë pallat sundonte ligji monark anakronik në stilin e vjetër të bashkësisë primitive. Njerëzit dhe gjithçka atje ishin formale dhe në funksion të vetëm një njeriu. As që bëhej fjalë për personalitet e dinjitet individual. Kjo jetë për Fevzien ishte skëterrë. Aty nuk shiheshin poetë, artistë, muzikantë, intelektualë, aristokratë që të merrnin pjesë në jetën e pallatit ashtu siç ndodhte në Egjipt. 

Vërtet kishte ca lodraxhinj që u binin lodrave dhe ca çingie që kërcenin për të zbavitur Shahun, por që nuk kishin aspak të drejtë të bisedonin ndërmjet tyre apo më keq, të hynin në biseda private me princeshat dhe princat e pallatit. Në Egjipt, në pallatin e saj flitej lirshëm në shumë gjuhë, në arabisht, anglisht, frëngjisht, turqisht dhe në shqip. Në Teheran flitej vetëm arabisht. Princesha Ashraf qe e vetmja që komunikonte në gjuhë të huaja me Fevzien e bukur. Rrobat dhe veshjet e Pallatit Mbretëror në Egjipt priteshin nga stilistët më të mirë francezë, ndërsa në Teheran, në Pallatin e Shahut ato ishin njëlloj si të çdo iraniani të pasur. 

Në kohët që sundonte dinastia e shqiptarit nga Zëmblaku i Korçës, Egjipti qe i tëri i civilizuar, i bukur, misterioz, tolerant dhe shumë i gjallë. Kajro qe një qytet kozmopolit, ku hoxha predikonte duke thirrur “Allah Akhbar”! (Zoti është i madh!) Dhe prifti do të thoshte, “Laudette Jesu Christos!” (Lavdi Jezu Krishtit!) E kundërta ngjiste në metropolin iranian. Atje sundonte provincializmi oriental dhe kishat ishin të ndaluara. Monotonia të mbyste dhe arkitektura e qytetit ishte e njëjtë. Bota dukej shumë larg prej Teheranit dhe Teherani ishte i harruar nga bota. Një larmi ngjyrash të pallateve dukej sikur thyente pak monotoninë, por në fakt të shtonte mërzinë. Teherani nuk kishte një pamje inspirimi siç qe Kajro dhe këtë gjë e thoshin të gjithë ata që vizitonin këto dy kryeqytete. 

Rrugët e Teheranit ishin tërë pluhur në verë dhe tërë baltë në dimër. Natën njerëzit kishin frikë të lëviznin, pasi qarkullonin shumë vjedhës dhe kriminelë. Kjo ishte pak a shumë pamja e vendit, ku Fevzia e bukur evropiane po mbyllte ditët e rinisë së saj. Mbretëresha Fevzia do të kërkonte divorcin me Mbretin e Iranit në vitin 1945 dhe do të kthehej në Kajro. Divorci do t’i jepej në 17 nëntor 1948 dhe në këtë kohë ajo do të quhej përsëri Princeshë e Egjiptit. Vajza e saj do të ngelej në derën e Shahut të Iranit dhe nuk do të ishte aq e bukur sa e ëma. Për kuriozitet, edhe vëllai i saj Faruk do të divorcohej nga gruaja e tij e parë, Feridja, po atë javë që u divorcua e motra. Asnjëherë nuk u deklaruan arsyet e divorcit, veçse dihej mirë që ajo u largua nga Shahu, i cili pas largimit të saj deklaroi se “Miqësia me Egjiptin do të vazhdojë.”

Fevzia Shirin

Martesa me Kolonel Ismail Hussain Shirin Beu

Në 28 mars 1949, në Kajro, Princeshë Fevzia do të rimartohej me kolonel Ismail Hussain Shirin Bey, (1919-1994), një kushëri i largët i saj (me gjak shqiptar) i cili ishte Ministër i Luftës së Egjiptit. Ata patën dy fëmijë: Nadian (lindur 1950) dhe Muhametin (lindur në vitin 1955). Tashmë emri i saj do te ishte Princeshë Fevzia Shirin, pas martesës së dytë në vitin 1949 dhe kështu do të njihej derisa të përmbysej Dinastia e Shqiptarëve të Egjiptit në vitin 1952. Në këtë kohë, pas përmbysjes së mbretërimit të vëllait të saj Faruk, ata do të emëronin nipin e saj Fuatin II si mbret të Egjiptit, i cili së bashku me tërë pjesëtarët e tjerë të familjes mbretërore do të emigronin përgjithmonë në Zvicër. Në Itali, ish-mbreti Faruk do të vritej në rrethana ende të panjohura dhe shumë misterioze, por që dyshimet sot shpien në dorën e Enver Hoxhës, i cili mendohet të jetë hakmarrë kundër tij pasi Mbreti Faruk ishte mbështetësi kryesor i Mbretit Zog dhe i tërë kontingjenteve të shqiptarëve antikomunistë që përgatiteshin në perëndim për të rrëzuar pushtetin e tij. /AgimBacelli/ KultPlus.com

NASA ka bërë një zbulim të ri e të jashtëzakonshëm

Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s ka kapur së fundmi prova të një planeti të ri përtej sistemit tonë diellor.

Dokumentacioni përfaqëson zbulimin e parë të drejtpërdrejtë me imazh të Webb-it të një planeti dhe planetin më të lehtë të parë ndonjëherë me këtë teknikë.

Teleskopi i NASA-s kohët e fundit arriti të zbulojë ekzoplanetin, i cili është emëruar TWA 7b.

Objekti i ri rrotullohet rreth yllit të ri aty pranë TWA 7.

Bëhet e ditur se teleskopi arriti ta zbulonte planetin duke përdorur nxehtësinë, shkruajnë mediat e huaja.

Zyrtarët e NASA-s thanë se zakonisht planetët e kësaj madhësie jashtë sistemit tonë diellor janë të vështirë për t’u zbuluar, por shkencëtarët përdorën një teknikë të quajtur imazhe me kontrast të lartë për të zbuluar ekzoplanetin.

Shkencëtarët besojnë se ekzoplaneti është afërsisht në masën e Saturnit, “një planet i ri i ftohtë”, rreth 111 vite dritë larg Tokës.

Tani që shkencëtarët e kanë zbuluar planetin, studiuesit thonë se ky është vetëm fillimi i zbulimeve të reja.

NASA dëshiron të kuptojë më mirë vetitë e objektit dhe mënyrën se si u formua planeti, gjë që gjithashtu mund të ndihmojë studiuesit të mësojnë më shumë rreth Tokës.

Çfarë është një ekzoplanet?

Ndryshe, herën e parë që shkencëtarët zbuluan një ekzoplanet ishte në vitin 1992.

NASA thotë se një ekzoplanet është çdo planet përtej sistemit tonë diellor.

Shumica e ekzoplanetëve rrotullohen rreth yjeve të tjerë, por disa ekzoplanetë që lëvizin lirshëm, të quajtur planetë mashtrues, nuk janë të lidhur me ndonjë yll.

NASA ka konfirmuar më shumë se 5,800 ekzoplanetë nga miliarda që shkencëtarët besojnë se ekzistojnë.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk dihet të jetë i banueshëm. /Telegrafi/ KultPlus.com

Sunny Hill Festival tani ofron biletat me mundësi pagesë me këste

Sunny Hill Festival, një nga Top 10 festivalet më të mira të muzikës në Evropë po vjen me një mundësi të re – pagesën e biletës 3 ditore të festivalit deri më 12 këste. 

Pjesëmarrësit në Sunny Hill Festival të cilët ende nuk i kanë marrë biletat e tyre për edicionin e ri i cili mbahet prej 1 deri më 3 gusht, tani e kanë mundësinë që biletat e tyre t’i blejnë deri në 12 këste në të gjitha dyqanet e IPKO-së kudo nëpër Kosovë. 

Të gjithë klientët e IPKO-s që aktivizojnë një nga pakot “Infinit” do të kenë mundësinë të blejnë biletën për Sunny Hill Festival dhe ta paguajnë atë në 12 këste mujore, direkt përmes faturës së tyre telefonike. 

Ky bashkëpunim mes Sunny Hill Festival dhe IPKO-së synon të heqë pengesat e mundshme financiare dhe të sigurojë që sa më shumë njerëz të jenë pjesë e festës më të madhe të muzikës në Kosovë dhe rajon. 

Ky edicion i Sunny Hill Festival pritet të jetë më i madhi ndonjëherë. Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Mochakk – këtë verë vijnë në Prishtinë! 

Për më shumë informacione dhe për të aktivizuar ofertën, vizitoni pikat e shitjes së IPKO-s./ KultPlus.com

Denaj: Panairi i parë i Gastronomisë Detare, në fokus prodhimet autentike shqiptare

Në Vlorë u zhvillua Panairi i parë i Gastronomisë Detare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se ky panair solli në qendër të vëmendjes gatimet e detit dhe prodhimet autentike shqiptare, duke tërhequr turistë vendas e të huaj me shijen e vërtetë që ofrojnë restorantet dhe kantinat shqiptare.

Vlora, qyteti bregdetar me tradita të pasura kulinarie, mirëpriti për herë të parë Panairin e Gastronomisë Detare më 27 dhe 28 Qershor, një event që erdhi si një festë e shijes, freskisë dhe pasionit për kuzhinën nga deti.

Ky panair synon të afrojë publikun me trashëgiminë gastronomike të rajonit bregdetar, duke vënë në qendër të vëmendjes prodhimet e freskëta detare dhe mjeshtërinë e kuzhinierëve lokalë.

Gjatë dy ditëve të eventit, vizitorët kishin mundësinë të degustojnë gatime autentike detare, të përgatitura nga kuzhinierë të njohur; shijuan produkte të freskëta nga deti, të sjella drejtpërdrejt nga peshkatarët e zonës; u njohën me traditat kulinare, teknikat e përgatitjes dhe historinë pas recetave të trashëguara brez pas brezi dhe u takuan me profesionistët e gastronomisë.

Panairi i Gastronomisë Detare është konceptuar si një event ku shija ndërthuret me kulturën, turizmin dhe ekonominë lokale. Ai erdhi në një moment kur gastronomia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, si një pasuri kombëtare që meriton të promovohet dhe mbështetet.

Qytetarë, turistë, profesionistë të gastronomisë apo thjesht dashamirës të shijes janë të ftuar në këtë aktivitet që premton të jetë një pikëtakim i shijes dhe traditës, në zemër të bregdetit shqiptar./atsh/ KultPlus.com

Spektakël mbi dallgë, mbi 30 sportistë nga Shqipëria dhe rajoni në Kampionatin e Parë Kombëtar të Kitesurf-it

Bregdeti i Durrësit u kthye sot në një arenë të vërtetë emocionesh, ku mbi 30 sportistë nga Shqipëria dhe rajoni morën pjesë në Kampionatin e Parë Kombëtar të Kitesurf-it.

Plazhi i sektorit Rinia shpërtheu në ngjyra dhe energji, ndërsa qielli u mbush me parashuta shumëngjyrëshe që fluturonin mbi detin e trazuar.

Fation Konçi, president i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it, tha se kjo garë përfshin dy disiplina nga shumë të tjera që përfshijnë sportet ujore ekstreme.

“Jemi afro 30 sportistë që do të marrin pjesë sot. Kemi dy disiplina: disiplinën e distancës, pra kemi katër etapa nga pesë kilometra që do të bëhen, në total 20 kilometra që do të zhvillohen dikur te 30 deri në 40 minuta, si dhe disiplinën e kërcimit së larti duke bërë stile,” tha Fation Konçi, President i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it.

Ky sport ekstrem, që po njeh gjithnjë e më shumë të apasionuar edhe në vendin tonë, bëri bashkë të rinj që sfiduan jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe natyrën.

“Këtu godet era shumë mirë dhe deti është i cekët. Kjo ligatina na pëlqen sepse na favorizon që të mos ketë dallgë që na bezdisin”.

“E kemi gjetur përmes rrjeteve sociale, kam kontaktuar me çunat, na ka pëlqyer pjesa e adrenalinës, mënyra dhe kemi ardhur këtu për ta mësuar.”

“I lus të gjithë prindërit t’i sjellin fëmijët këtu dhe të ushtrojnë këtë sport, është shumë i mirë dhe i favorshëm”.

Atmosfera në plazh ishte elektrizuese. Muzika ritmike, parashutat shumëngjyrëshe dhe adrenalina ndjehej në çdo cep të bregdetit.

Kjo garë, e para në llojin e saj në Shqipëri, synon të kthehet në një traditë vjetore, duke e promovuar vendin si një destinacion të ri për turizmin aktiv dhe sportet ujore në Mesdhe.

Peter Paul Rubens, ‘Homeri’ i pikturës që shkroi ‘Iliadën’ me penelata zjarri dhe alegori

Nga Albert Vataj

Në historinë e pikturës Peter Paul Rubens do të mbamendet jo vetëm si një nga piktorët më të jashtëzakonshëm flamand të barokut, penelata flakatare e tablosë, por edhe mishërimi i idilit epik të mitologjisë. Nëse Homeri sendërtoi një monument të letërsisë klasike siç ishte “Iliada”, duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems, historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme duke i pavdekësuar këto trille në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që ngriti në kult mitin.

I fundit prej tre piktorëve Flamand dhe krijuesi i stilit barok në veri, Rubensi u shqua në botën e artit si galeria më e bollshme. Sasia e punëve dhe shpejtësia me të cilën ai i kryente pikturat do ta veçojnë atë prej të gjithëve. Plot 1403 tablo me tema të antikitetit, skena gjuetie, të zhanrit, peizazh, portret, vizatime të panumërta, grafika ilustruese, projekte arkitekturore dhe kompozime skulpturore, që ai i krijoi në më pak se katër dekada, vu në dukje zjarrin dhe entuziazmin e tij. Kësisoj ai do të cilësohej si zot i gjithëpushtetshëm. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, dilet në përfundimin se Rubensit nuk i duheshin më shumë se njëzetë ditë për të përfunduar një punë. Çdo krahasim me të mëhershmit apo të mëvonshmit e pikturës do të ishte i pagjasë.

Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue. Në qendër të këtij përkufizimi qëndron, jetësimi që piktori i bëri në imazh pothuaj të gjithë miteve të përfshira në vepren monumentale, “Iliada” të Homerit, dhe jo vetëm, krejt mrekullisë që dëshmonte njerëzimit kohardhjen.

Gjeneratat e trashëguan nëpërmjet zërit kungues të dëshmive biblike dhe letërsisë klasike, pasurinë e jashtëzakonshme shpirtërore, lindjen e hyjnive dhe mitet, Rubensi ishte ai që mishëroi gjithë këtë përfytyrim idilik. Gjithë kjo gamë e jashtëzakonshme personazhesh, tipash dhe karakteresh, supërheronjsh, do të ishte pjesa më vitale e pikturës së Rubensit. Ai nuk u pajtua ta linte këtë shkëlqim vetëm si pjellë e imagjinatës dhe forcës së fjalës. U dha me mish e me shpirtë për ti gjalluar këto shkrepëtima  në pikturë, dhe ia arriti përmes ngjyrës, tonit, dritës dhe energjisë depërtuese që kjo forcë rigjen në penelin e këtij gjeniu. Me kolorin e tij të hareshëm ai e shkroi letërsinë klasike në pikturë. Pakkush, si dhe sa ai e ka njohur dhe e ka ushqyer penelatën me ushqimin historik, mitologjik, me densitetin dhe forcën depërtuese që ajo zanafillë rrëmen atëditë e përgjithmonë ëndjen dhe dëshirimin e gjeneratave.

Studjuesi ka vërejture mënyrën entuziaste të pikturimit të drejtpërdrejtë me ngjyrë, pa vizatim elementar dhe punë paraprake të Rubensit.

Peter Paul Ruben lindi në qytetin e vogël gjerman Zigel, ku i ati, avokat i njohur, kishte qenë i detyruar të emigronte për arsye politike. Pas vdekjes së të atit familja u kthye në Flander, dhe e ëma u kujdes që herët me edukimin e Rubensit.

Djaloshi 11-vjeçar ndoqi studimet në shkollat latine. Në vitet e fundit të dijenxënies pati mundësinë të lexonte në origjinal autorët antikë. Pasioni për ta do ta rrëmbente duke e kthyer në një dishepull të këtij mëtimi artthënës. Ai ngeli deri në fund një zelltar i temave historike, antike dhe biblike. E thënë me fjalë të tjera, dielli i këtyre ndërkohjeve do të ngjynte pareshtur penelin dhe shpirtin dhe të sillte në jetë tablo monumentale që na mahnisin edhe sot.

Pas mbarimit të shkollës latine ai studioi për pikturë, në fillim pranë peizazhistit, Tobias Verhat, më pas në atelienë e Adam van Norti dhe në të mbramë, për katër vite radhazi, në studion e Oto Verniusit. Kështu ai, i formuar sa duhej në traditën flamande, në vigjilje të shekullit XVII-të Rubensi e lëshoi veten në pelegrinazhin tradicional të artistëve veriorë, për në Itali. Vizitoi Romën, Firencën, Mandovën. Studioi me interes të veçantë monumentet antike dhe kryeveprat e Mikelanxhelos, Da Vinçit, Rafaelit, Xhorxhones, Korrexhos, Karavazhos e Ticianit, të cilin pati rastin ti njihte dhe një herë në koleksionin e veprave që gjendeshin në Madrid, gjatë udhëtimit që pati atje midis vjeshtës së vitit 1603- 1604. Tetë vjet që kaloi në atdheun e artit antik e rilindas, përcaktuan piketat e kumteve të tij artistike. Pa pikturën dhe artin italian, vështirë që Rubensi të ishte ngjitur aty ku e shohim ne sot.

Sëmundja e së ëmës e detyroi atë të linte Italinë, ndonëse dëshironte të qëndronte më gjatë aty. Një vit pasi i vdiq e ëma, Peter Paul Rubens u martua me Izabel Brandin, vajzën e një avokati dhe humanisti të njohur, Jan Brandit.

I shumënjohur në rreth artistike dhe zyrtare flamande, me nxënës të shumtë pranë, e me porosi të panumërta, ai filloi të realizonte atë që kishte bërë Dyreri në epikën e Rilindjes, të krijonte stilit barok flamand, në të cilin tradita e artit vendas, shkrihej natyrshëm me artin antik, rilindas dhe barokun italian. Ne tablotë e mëdha fetare dhe mitilogjike të këtyre viteve, figurat e mëdha muskuloze e që çuan përnga përthithja e rrumbullaksisë së skulpturave, shprehin një forcë të madhe fizike dhe hyjnizojnë bukurinë e trupit të njeriut, njëlloj si në veprat e Milelanxhelos në Kapelën Sistina. Kompozimet në formë trekëndore, gjestet dhe fytyrat e personazheve që pasqyrojnë dramën e tyre të brendshme, gjithashtu vijnë nga Buonarroti. Femrat e kolme, shpesh me një ngarkesë të tepruar shëndeti, janë një kumtin që Rubens bën për të mbajtur gruan sa sensuale aq dhe të fuqishme, sa amësore aq dhe natyrale, një grua të gatshme për tu ndeshur si me tërbimin e jetës aq dhe me përkushtimin e nënës. Ai lëvroi dhe mbarështoi traditat dhe kulturat, përvojat dhe tematikat, stilet dhe sharmin për të ardhur deri sot jo si një rastësi, por si një dëshmi dhe tharm që ngjizi pikturën, këto mjete shprehëse komunikimi dhe kumtimi estetik.

Gama e pasur ngjyrore i përket artit venecian, në veçanti Ticianit, ndërsa loja e dritës së fortë, me ngarkesë dramatike, ngjan e huajtur nga Karavaxho. Ndërkohë paraqitja e hollësishme e gjërave, e një luleje apo e një veshje të një ushtari flet qartë për ndikimin që pati tek ai tradita flamande, vizatimi i zhdërvjellët, lëvizjes e vrullshme të personazheve dhe format dramatike dhe dinamike njiheresh, që rrezatojnë tablotë, pasqyrojnë trajtat më origjinale të Rubensit.

Të shkrira nga dora e artistit të madh, këto burime krijuan stilin që në pikturë njihet me emrin rubensian. Fryma dramatike dhe ndjenja e gjallërisë së jashtëzakonshme, janë cilësitë më dalluese të tij, të cilat piktori i zhvilloi me përkushtim përgjatë rrugëtimit artistik. Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.

Në mesin e viteve ’20, me serinë prej 23 tabloshë që u vendosën në Pallatin e Luksemburgut në Paris, “Jeta e Maria Mediçit”, Rubensi hyn në moshën e pjekurisë dhe shkëlqimit të plotë artistik. Shtëpia në Antverpen me atelietë e mëdha, me kopshtet e zbukuruara plot me skulptura dekorative, prej kohësh mbahej si qendra artistike e vendit. Misioni i piktorit që kishte marrë udhë një dekadë e gjysëm më parë ishte realizuar me sukses, dhe barokut, nën petkun e stilit rubensian, lulëzuan në Flandër. Nxënës të shumtë, me të cilëve dhe figura shumë të njohura si Van Djuk dhe Snejdersi, punonin në veprat e panumërta që i porositeshin mjeshtrit dhe vetë atë e quanin “piktor të mbretërve dhe mbret i pikturës”. Vlerësimi i parë rrjedhon për aktivitetin e piktorit në lëmin e diplomacisë. Rubensi bën pjesë ndër artistët e rrallë që iu përkushtua kësaj kahje dhe shpesh në cilësinë e ambasadorit shëtitës, përfaqësoi dhe mbrojti interesat e Flandrës pranë mbretit të Spanjës dhe ndërmjetësoi për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara të kësaj të fundit me Anglinë.

Pas vdekjes së Izabel Brandit më 1626 në moshën 53-vjeçare, Rubensi u martua me Elenë Furmenin, me të cilën pati pesë fëmijë dhe një jetë plot mirëkuptim. Ky hop i ri ndjesor do të zgjonte tek gjenialiteti i piktorit një tjetër aftësi, atë të portretit intim. Megjithëse deri atëherë ishte marrë jo pak me këtë nëngjini, por gjithnjë i shtërnguar të respektonte pozitën shoqërore të modelit e të pasqyronte me doemos atë. Ne galerinë e portreteve të Rubensit gjendeshin ato të karakterit zyrtar, si ai i Henrikut të IV të Spanjës, dekorativ, si ai i Isabel Brandit, ai i Maria Mediçit, etj. por ishin të rrallë ato intime. Megjithatë vjen një nxitës në jetën e shpirtërore që të zgjohet jo dhe aq një ndryshesë se sa një pasurim i galerisë. “Gëzoftarja”, portreti që paraqet Elenën në një qëndrim krejt intim, mbahet si një nga veprat më të mira të Rubensit në këtë nëngjini. Si askund tjetër, prej tij shpërthen dashuria e piktorit për të afërmit, për bukurinë fizike dhe shpirtërore të njeriut, lëndë e cila kishte ngjyer jo pak herë penelin e tij prej zjarri. Rumensi ecën kështu në gjurmët e portretistëve të mëdhënj, Holbainit, Dyrerit, Rembrandit, që i nxorën kryeveprat pikërisht duke patur si model njerëzit më të afërt shpirtërisht.

Martesa e dytë gjithashtu i zgjoi një interes për tablonë e zhanrit të peisazhit. I larguar nga qyteti dhe i vendosur në Stin që më 1635 Rubensi njohu nga afër jetën e fshatit dhe bukurinë mahnitëse të natyrës. Jeta fshatare që më parë nuk e kishte tërhequr dhe aq, tani e ka fare pranë, dhe fshatarët që vallëzojnë, ngasin karroca apo gjuajnë, vijnë e mbushin gjithnjë e më shumë tablonë e tij, duke e bërë gjithnjë e më larushitëse mozaikun e punëve.

Veç nxënësve të shumë e me kombësi të ndryshme që nxori nga duart, ai ndikoi mjaft piktorë të stilit rokoko, romantik dhe paraimpresionist.  Megjithëse kritika e sotme i gjykon figurat tepër të shëndosha, disa herë ceremoniale dhe të pakujdesshme ndaj ligjeve të gravitetit në tablotë e Peter Paul Rubens, ai zë një vend të nderuar në pikturën evropiane dhe së bashku me Van Ejukun dhe Bryegelin, numërohet ndër piktorët që i dhanë Belgjikës emrin e madh që mban në botën e artit.

Me vdekjen e Peter Paul Rubens, më 30 maj 1640, pothuajse pas tre shekuj lulëzim, emri i Flandës e humbi shkëlqimin për tu ringritur edhe një herë më lart me piktorët realist belg të periudhave të mëvonshme. Gjithqysh Peter Paul Ruben, ishte dhe mbeti Homeri që shkroi Iliadën me penelata zjarri. Ai ndezi çdo tablo për të mbetur një diell që ngroh ende shpirtrat dhe shpuzit ende ëndjet për artin klasik, historinë, mitet dhe heroiken.

Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue

Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.

‘Nëse një grua që ka vuajtur shumë thotë se qeshja është e vetmja gjë që ka vlerë, ashtu duhet të jetë’

Frida Kahlo ishte një grua e mrekullueshme, jeta e saj ka qenë e gjitha mes artit dhe vuajtjes, por sot flasim për poezitë, frazat, aforizmat.

Jeta e saj u shënua nga sëmundje dhe një aksident i tmerrshëm, por forca e saj dhe dëshira e saj për dashuri e bënë atë një ikonë, arti i saj surreal i pikturës plot dhimbje njihet në mes të mijëra pikturave, fjalët e saj të forta, të vendosura dhe të pasionuara mund të jenë një pikë mbështetjeje për ata që kanë nevojë për forcë dhe vullnet.

Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të saj më të rëndësishme dhe më të fuqishme.

 “Këmbë, pse më duhen ato, kur kam krahë për të fluturuar?”

Frida kaloi shumë muaj në shtrat pas poliomelitit dhe më pas për shkak të aksidentit të saj, por asgjë nuk mund ta pengonte atë të fluturonte me krahët e imagjinatës së saj.

“Të mbjellësh një vuajtje është të rrezikosh ta lejosh atë që të gëlltisë, nga brenda”

Izolimi në dhimbjen tënde nuk të çon drejt asgjëje të mirë, dhe ajo e dinte, për këtë arsye ajo shfaqi dhimbjen e saj duke pikturuar dhe shkruar, një mënyrë për të lënë vuajtjet dhe për të mos lejuar që ato ta vinin përfund.

“Ankthi dhe dhimbja, kënaqësia dhe vdekja nuk janë asgjë tjetër veçse një proces që ekziston. Lufta revolucionare në këtë proces është një derë e hapur për inteligjencën “

Ajo e dinte mirë, nuk ka jetë pa vdekje, pasi nuk ka gëzim pa vuajtje … të gjitha janë procese të tranzicionit për të qenë në gjendje të jetosh plotësisht, të hapësh mendjen dhe të zhvillosh inteligjencën.

“Në fund të ditës, mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mund të mbajmë”

Kjo është e drejtë, në mbrëmje në ngrohtësinë e shtratit mund të reflektojmë dhe gjithmonë e gjejmë veten pak më të fortë se sa kishim menduar që të ishte e mundur. Ne jetojmë një ditë të tërë me mendimin se nuk jemi në gjendje ta bëjmë, por në fund e kuptojmë se edhe kësaj here ia kemi dalë.

“Asgjë nuk vlen më shumë se qeshura”

Asgjë për të shtuar, nëse një grua që ka vuajtur kaq shumë thotë se qeshja është e vetmja gjë që ka vlerë, ashtu duhet të jetë.

“Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë”

Ajo e përjetoi këtë mbi veten e saj, rrezikoi jetën dhe doli fitimtare, ajo kishte defekte fizike të tmerrshme dhe megjithatë kishte aq shumë adhurues dhe shumë njerëz që e ndoqën … ajo ishte pa dyshim një grua shumë e fortë, ndoshta ishte falënderuese për ato prova që kishte kaluar në rini.

“Bukuria dhe shëmtia janë një mirazh, sepse të tjerët përfundojnë duke parë brendshmërinë tonë”

Frida sigurisht nuk mund të thuhet se ishte një grua e bukur sipas standardeve të tanishme, ajo kishte vetullat e mëdha, një këmbë më të vogël se tjetra, plagë në trupin e saj, por kushdo që e takoi ra në dashuri me të, sepse ajo ishte e bukur brenda, e aftë ta pohonte bukurinë e saj të brendshme më shumë se atë të jashtme … një shembull që duhet ndjekur.

“Dua t’ju jap gjithçka që nuk keni pasur kurrë, as nuk do ta dini se sa e mrekullueshme është të të duan”

Ajo ishte një grua shumë e pasionuar, gruaja e Diego Rivera gjithashtu kishte shumë adhurues, por ndër më të famshmit mund të kujtojmë revolucionarin rus Leon Trocki, poetin André Breton dhe fotografin Tina Modotti. Letrat më të apasionuara, megjithatë, ishin për dashnorin José Bartoli, një refugjat i artit spanjoll në Nju Jork, të cilin Frida e donte me pasion, rreth 100 faqe të shkruara me dorë nga Kahlo midis viteve 1946 dhe 1949.

Më poshtë është një ekstrakt i atyre letrave:

“Natën e kaluar u ndjeva sikur kaq shumë krahë më përshkuan të gjithën, sikur këshilla e gishtërinjve të tu kishte gojë që më puthnin lëkurën time. Atomet e trupit tim janë tuajat dhe dridhen së bashku në mënyrë që ta duam njëri-tjetrin. Unë dua të jetoj dhe të jem e fortë për të të dashur me gjithë butësinë që meriton, për të të dhënë gjithçka që është e mirë në mua, kështu që nuk do të ndjehesh vetëm. Ndihem që gjithmonë të kam dashur, që para se të lindje. Ndonjëherë ndjej që unë kam të lindur për veten time”

“Unë besoj se në dashuri nuk ka as inteligjencë, as marrëzi, dashuria është si një aromë, si një rrymë, si shiu. Ti e njeh, qiellin tim, ju bini si shi mbi mua dhe unë, si toka, ju pranoj”.

Fjalët e dashurisë së pasionuar dhe të butë në të njëjtën kohë, vetëm një grua si Frida Kahlo mund t’i shprehte në këtë mënyrë të fortë.

“Shpresoj se çlirimi është i lumtur dhe shpresoj se kurrë nuk do të kthehem”

Këto janë fjalët e saj të fundit të shkruara në ditarin e saj pak para vdekjes. Jeta e saj ishte një jetë e vështirë, por e plotë dhe madje në pikën e vdekjes donte të ishte e fortë dhe e vendosur./bota.al/KultPlus.com

‘Grurë dhe këngë’ nga e mrekullueshmja Eranda Libohova (VIDEO)

Eranda Libohova është këngëtare shqiptare e cila ka lindur në Tiranë. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Ne spektaklin “Kënget e Shekullit” është përzgjedhur një ndër dhjetë këngëtaret më të mira.

KultPlus ju sjellë tekstin dhe këngën ‘Grurë dhe Këngë’ të interpretuar nga Eranda Libohova:

Oj erdhi bilbili,
oj erdhi ne lëme.
Tak ma beri zemra,
kur i ndjeva zene.
Dhe shoqet me pane,
o me bisht te syrit,
c’u perzie me grurin
kenga e bilbilit.

Oj erdhi bilbili,
oj erdhi ne lëme.
Shoqet mbillnin grure
une mblidhja kenge,
dhe nuk di c’me gjeti
dhe nuk di c’me zuri.
O sa shpejt u bera
kuq o si purpuri.

Lemi plot me grure
grure edhe kenge,
o bilbil i dashur
o pse erdhe ne leme.

Tani vajzat syte
tek une shpesh i kthejne,
oh sikur ta dine
ku e ke folene.

Ne zemer folene
e ke thurur vete,
o bilbil i dashur
o pse s’me le te qete.

O c’dasem do bejme,
o po c’dasem ne leme,
shoqet mbillnin grure
une mblidhja kenge./KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Princi i vogël’ i Antoine de Saint-Exupéry

PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI

I

Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.

Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”

Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:

Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.

Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”

Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:

Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.

M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.

Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!

Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com

Archie Barwick: Mars 1916

Archie Albert Barwick (1890 – 1966), bujk dhe ushtar austalian, i njohur për ditarin e tij të Luftës së Parë Botërore, që konsiderohet një prej ditarëve më gjithpërfshirës dhe të shkruar mirë rreth kësaj lufte

5 mars 1916

Na urdhëruan të paketoheshim dhe shumica e djemve iu gëzuan kësaj. Të nesërmen u nisëm dhe marshuam deri te stacioni hekurudhor i Kairos ku, pas një orë a dy vonese, hipëm në vagonë të hapur dhe u mbudhëm.

Arritëm në destinacionin tonë, Serapeum, në kohën e darkës dhe mbante vapë që të piqte për së gjalli. Kishte një kanal uji aty dhe menjëherë shumica prej nesh po shllapuriteshim dhe notonim ne atë ujë të këndshëm të freskët.

Pas notit marshuam përgjatë kalanit një copë udhë deri taty ku inxhinierët tonë kishin ndërtuar një urë lundruese përmes ujit. Ura lëvizej nga litarët nga të dy anët dhe mund të barte ngarkesa bukur të rënda – duhej të ishte e fortë ngase praktikisht gjithë ushqimi dhe rezervat tona duhej të vinin përmes këtoj peri të hollë dhe ishte mënyra e vetme e bartjes së trupave para e mbrapa.

Pasi kaluam urën u desh të ecnim nja dy milje deri aty ku ishte fushuar batalioni ynë dhe qemë bukur të lumtur kur arritëm aty.

Koloneli na dha një mësim këtu një ditë mbi atë se si duhet të sillemi kur të shkojmë në Francë dhe të gjithë ishim të kënaqur si Punchi, ngase kjo ishte një këshillë njëmend e mirë duke pasur parasysh se për ku jemi nisur. Ishim ngopur tashmë me Egjiptin dhe gjithçka që lidhej me të, të gjithë po prisnim me padurim të mbërrinim në Francë, të përballershim me suxhukngrënësit, armikun tonë të vërtetë. Pas kësaj i kryem punët tona me më lehtësi, duke pritur me padurim të niseshim.

Posa lamë Serapeumin, princi i Uellsit na e bëri një vizitë të papritur. Duhej t’i kishit parë djemtë duke vrapuar t’i hidhnin një sy, disa me çizmet e mbathura, disa pa tunika a kapele dhe të tjerët veç në pantallona. Ju garantoj se do të ketë menduar se jemi një tufë djemsh që mezi shihen me sy, por sidoqoftë djemtë e pritën shumë ngrohtë. E rethuan atë duke u munduar të merrnin fotografi me aparatët e tyre. Gjenerali Birdwood ishte me të, po buzëqeshte si asnjë njeri mbi faqe të tokës. Të gjithë mund ta njihnim princin nga xhufka e kapelës së tij. Dukej si çunak dhe kishte faqe të tërndafilta si vajzë.

Patëm një studi të frikshme pluhuri pikërisht një ditë a pak më shumë pasi që u nisëm. I çoi në ajër shumicën e trendave dhe e zuri dritën e diellit. Sa bukur ishte. Çdonjëri pothuajse sa s’ishim verbuar nga gjërat e hedhura. Pasi që mbaroi e gjitha u lamë nën shi, çka ishte një dhuratë nga qielli, siç është ajri i freskët dhe kështu e largoi pluhurin.

Duhej nga dita në ditë që të niseshim dhe po prisnim në ankth urdhrin të bpnim gati plaçkat , kështu që më në fund të dilnim nga kjo vrimë. Ky është kontinenti i katërt ku kam qenë; duam të shohim edhe Shtetet e Bashkuara dhe do të jemi trokuesit e globit.

21 mars

Në mëngjes morëm urdhrat të ulnim tendat dhe t’i paktonim. Njeri i gjallë kurrë s’e ka bërë këtë më me qejf se sa që e bëmë ne. Marshuam rreth orës 4 grupin që printe dhe Batalionin II që vinte menjëherë pas nesh. Patëm një marshim të ngjeshur deri te platforma ku duhej të hynim – nuk ishte aq larg, për çka kishim marrë me vete praktikisht gjithçka, përfshirë mbulojat.

Kur arritëm te platforma u rreshtuam, pastaj na liruan për një orë a më shumë, se treni nuk nisej deri në orën 12 të natës. Ndezëm një zjarr të madh dhe pa vonuar shumë patëm një koncert të njëmendtë. Grupi po ashtu na ndihi të mbarështonim gjërat. Rreth orës 10 të natës një anije e madhe pasagjerësh erdhi përmes kanalit i drejtuar për në Australi. Sapo nxori kokën e gjithë turma ngarendi andej dhe e përshëndetëm ngrohtësisht; edhe ata na përshëndetën. Mund të shihnim njerëzit bukur qartë në kuvertë. I gugatem derisa humbi sysh.

Atë natë e shkundëm pluhurin e Egjiptit nga këmbët tona dhe po shpresoj njëherë e përgjithmonë, se jam i sigurt se të gjithë ne kemi gëlltitur më shumë se sa pirgu i bërllokut prej se kemi qenë në Egjipt. Të shkonim në Aleksandri me vagonë të hapur ishte një udhëtim fortë i gjatë dhe i ftohtë, por ku na e ndien neve. Treni na çoi drejt e te anija. S’na u desh kohë e gjatë të hipnim dhe shumë shpejt na udhëzuan drejt pjesës sonë të anijes. Pasi hipëm një person na e dha secilit nga një kupon ushqimi, se tryeza e bukës duhej të shtrohej dy herë, meqë nuk kishte vende të mjaftueshme për të gjithë njëherësh. Kjo kishte qenë një anije amigrantësh, ishte e pajisur me banka dhe na na i dhanë ato, ishin njëmend të mira. E di se kam fjetur si qengj aty.

Rreth orës 4 atë pasdite lundruam nga Aleksandria dhe kapërcyem disa prej anijeve spitalore të Gallipolit gjatë rrugës sonë. Shumë shpejt dolëm në det të hapur, kështu që ishim në zonën e rrezikshme peshkimit të Kaiserit. Po bënim një lundrim zigzag që të mos i binim në su ndonjë nëndetëseje që mund të ishte në afërsi.

Brigjet e Francës i shquam më 27 mars, të gjitha bjeshkët që mund të shihnim tutje larg në distancë ishin të mbuluara nga bora dhe dukeshin aq të bukura ngase dielli po shkëlqente fort mbi to. Brigjet e Francës nga distanca duken vendi më jo ftues, por sa më shumë që afroheshim e pabesueshme se si ndryshonte peizazhi. Mund të shihnim parqe të këndshme me drurë që ngrinin kokën lart kodrave dhe kishte fusha të gjelbra ngado. Pranvera po vinte nxitimthi në jug të Francës dhe po fillonte të dukej e hatashme.

Shkuam përgjatë bregut derisa vërejtëm Toulonin. Kur u avitëm te porti, një anije torpedo franceze erdhi të na takonte dhe na e tregoi rrugën. Kur u futëm në port i shpalosem flamujt francezë dhe australianë në shtizë. Është një prej porteve të vogla më të bukura që kam parë ndonjëherë; duket disi si Sidney. Bankat e porteve janë thjesht një park i madh me pemë të bukura që rriten ngado, shtëpi të mira dhe rrugë ngado. Duket kaq gjelbër dhe bukur pas Egjuptit me nxehtësinë dhe rërën përvëluese; iu bën mirë syve tonë kur shikojmë. Kur shkuam në qytet grupi bëri muzikë dhe dielli shkëlqente dhe të gjothë e morëm këtë si një amen të lumtur për hyrjen tonë të parë në Francë.

Mbrëmjen e kaluam në port dhe patëm një një koncert në bord.

Në mëngjes u nisëm për në Marsejë dhe gjatë këtij udhëtimi një hajn i ndyrë ma vodhi tunikën dhe ato që kisha në kabinë. U pasurua edhe me një barrë prej: 2.10 dollarësh, një stilograf të shkëlqyeshëm, një kuletë, mprehës lapsash dhe shumë gjëra të tjera, por gjëja që e çmoja më së shumti ishin fotografitë e mia dhe kam një koleksion të mirë të tillë, me njerëz të shumtë, të afërm. Qeni i poshtër m’i mori të gjitha, edhe goxha do dëfesa e dokumente që i kisha në kuletë. […]

Lundrimi deri në Marsejë na i mori katër orë, por nuk më erdhi keq kur mbërritëm aty. Marseja është një qytet i madh i bukur dhe ka një murmbrojtës të shkëlqyeshëm që s’e lë ujin pothuajse fare të kapërcejë. Nuk është fare afër portit të Sidneyt ose Hobartit, se ato janë porte natyrore, ndërsa Marseja nuk është.

Nuk na lejohet të laegohemi nga bregu, sado që do të donim aq shumë. Na kanë thënë të mbajmë gjërat tona gati për të lëvizur në mbrëmje, se kemi një udhëtim prej tre netësh para nesh.

/Marrë nga, Archie Barwick, ‘In Great Spirits’, HarperCollins, 2014

/Gazeta Express

Vala e të nxehtit në Evropë, mbi 40 gradë Celsius temperaturat në Spanjë, Portugali, Itali dhe Greqi

Valë të mëdha të të nxehtit janë duke mbretëruar në të gjithë Evropën Jugore si në Spanjë, Portugali, Itali dhe Greqi, temperaturat atje janë më shumë se 40 gradë Celsius.

Dy të tretat e Portugalisë janë në gjendje gatishmërie të lartë nga vapa ekstreme dhe rreziku nga zjarret të dielën, me temperaturat në Lisbonë që pritej të kalonin mbi 42°C.

Në disa pjesë të Spanjës jugore, temperaturat janë shumë mbi mesataren, me 42 gradë Celsius që priten gjithashtu në Sevilje dhe qytete të tjera.

Shërbimi meteorologjik i vendit thotë se ky qershori ka gjasa të jetë më i nxehti që Spanja ka përjetuar që nga fillimi i regjistrimeve.

Në disa rajone italiane, duke përfshirë Lacion, Toskanën, Kalabrinë, Puglian dhe Umbrinë, puna në natyrë u ndalua gjatë orëve të pikut me diell të dielën, me sindikatat që nxisnin që masat të zgjateshin dhe të zbatoheshin në të gjithë vendin.

Njëzet e një nga 27 qytetet ishin nën alarmin më të lartë të mundshëm për nxehtësi, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Napolin.

Greqia është përfshirë tashmë nga zjarret këtë verë, me një që shpërtheu në jug të Athinës të enjten dhe disa në ishullin e Kiosit të dielën e kaluar.

Pranë Athinës, autoritetet vendosën 130 zjarrfikës, 12 helikopterë dhe 12 aeroplanë, me 40 persona të evakuuar nga zonat me rrezik më të lartë.

Një grua u arrestua me dyshimin për zjarrvënie të paqëllimshme pasi zjarret u përhapën në shkurre dhe kullota për tre ditë në Kios.

Shkencëtarët e lidhin frekuencën në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, siç janë valët e të nxehtit, zjarret dhe stuhitë, me ndryshimet klimatike.

Në Francë dhe Gjermani, të paktën tre persona vdiqën për shkak të kushteve të stuhive, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

Antoine de Saint-Exupéry, heroi kombëtar francez që shkroi ‘Princin e Vogël’

Antoine de Saint-Exupéry (29 qershor 1900 – 31 korrik 1944), ishte një shkrimtar, poet, aristokrat, gazetar dhe aviator pionier francez. Ai u bë laureat i disa prej çmimeve më të larta letrare të Francës dhe gjithashtu fitoi National Book Award të Shteteve të Bashkuara.

 Ai mbahet mend më së miri për novelën e tij Princi i vogël (Le Petit Prince) dhe për shkrimet e tij lirike të aviacionit, duke përfshirë Wind, Sand and Stars dhe Night Flight.

Saint-Exupéry ishte një pilot i suksesshëm tregtar përpara Luftës së Dytë Botërore, i cili ka punuar në rrugët e postës ajrore në Evropë, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Ai iu bashkua Forcave Ajrore Franceze në fillim të luftës, duke kryer misione zbulimi deri në armëpushimin e Francës me Gjermaninë në vitin 1940. Pasi u çmobilizua nga Forca Ajrore Franceze, ai udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në bindjen e qeverisë së saj për të hyrë në luftë kundër Gjermanisë naziste.

Saint-Exupéry kaloi 28 muaj në Amerikë, gjatë të cilëve ai shkroi tre nga veprat e tij më të rëndësishme, më pas iu bashkua Forcave Ajrore të Lirë Franceze në Afrikën e Veriut – megjithëse ai e kishte kaluar moshën maksimale për pilot. Ai u zhduk dhe besohet të ketë vdekur gjatë një misioni zbulimi nga Korsika mbi Mesdhe më 31 korrik 1944.

Para luftës, Saint-Exupéry kishte arritur famë në Francë si aviator. Veprat e tij letrare pas vdekjes e rritën statusin e tij në statusin e heroit kombëtar në Francë, duke përfshirë Princin e Vogël i cili është përkthyer në 300 gjuhë të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Via ferrata e parë në Shqipëri, Rama: Përveç detit ka dhe kështu si në Kuç

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Via Ferrata e parë në Shqipëri e cila ndodhet në fshatin Kuç dhe frekuentohet nga turistë të shumtë të apasionuar pas hikung-ut.

“Përveç detit ka dhe kështu si në Kuç”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Via ferrata e parë në Shqipëri ndodhet në fshatin Kuç, në rajonin e Himarës, dhe quhet Via Ferrata Himarë.

Ajo u zhvillua me mbështetjen e Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP).

Projekti u zbatua nga Çeta Hiking pasi ata fituan vendin e parë në një konkurs për ndërtimin e via ferratës.

100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u  financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.

E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.

Ky zhvillim jo vetëm që diversifikon ofertën turistike në rajon, por gjithashtu krijon mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët.

“Dedikuar vetes dhe të tridhjetave…” nga Oriana Fallaci

“Të tridhjetat janë të bukura, dhe tridhjetë e një, tridhjetë e dy, tridhjetë e tre, tridhjetë e katër, tridhjetë e pesë vjeç. Ato vite janë të mrekullueshëm sepse jemi të lirë, rebelë, mashtrues, sepse ankthi i pritjes ka mbaruar, melankolia e rënies nuk ka filluar, sepse më në fund, në moshën tridhjetë vjeçare, ne po shkëlqejmë!

Nëse jemi fetarë, ne jemi fetarë të bindur. Nëse jemi ateistë, ne jemi ateistë të bindur. Nëse jemi të dyshimtë, jemi të dyshimtë pa turp. Dhe ne nuk i frikësohemi talljeve të djemve, sepse edhe ne jemi të reja, nuk i frikësohemi qortimeve të të rriturve, sepse edhe ne jemi të rritur. Ne nuk i frikësohemi mëkatit sepse e kemi kuptuar se mëkati është një pikëpamje, nuk kemi frikë nga mosbindja sepse kemi zbuluar se mosbindja është fisnike.

Ne nuk kemi frikë nga ndëshkimi, sepse kemi arritur në përfundimin se nuk ka asgjë të keqe të duash kur e gjen dikë dhe ta braktisim nëse humbim: llogaritë nuk bëhen më me mësuesin e shkollës dhe ne nuk duhet t’i bëjmë ato me priftin e shenjtë. Ne i bëjmë ato me veten dhe mjafton. Në të tridhjetat ne jemi një fushë me grurë të pjekur, jo më të papjekur.

I gjithë gëzimi ynë është i gjallë, gjithë dhimbja jonë është e gjallë, ne qeshim dhe qajmë, pasi kurrë nuk do të kemi sukses. Ne kemi arritur në majë të malit dhe atje në krye çdo gjë është e qartë: rruga në të cilën do të zbresim.

Nuk do të ndodhë që të ulemi për t’u kthyer prapa në kohë dhe të meditojmë fatet tona…”/ KultPlus.com

Tre stacione meteorologjike moderne për fermerët në Korçë

Në Korçë janë instaluar tre stacione moderne meteorologjike, të cilat synojnë të ndihmojnë fermerët duke sjellë një frymë të re në mënyrën e punës së tokës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se këto stacione ndihmojnë fermerët të parashikojnë më mirë ndryshimet klimatike, të menaxhojnë dëmtuesit dhe sëmundjet dhe të përdorin burimet në mënyrë më efikase.

“Janë instaluar tre stacione meteorologjike moderne, të pajisura me sensorë dhe kurthe digjitale, për të mbështetur fermerët në kultivimin e mollëve dhe qershive, një hap konkret drejt fuqizimit të bujqësisë së zgjuar”, theksoi ministrja Denaj.

Nisma ndihmon drejtpërdrejt në ndërtimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ekonomike për sektorin bujqësor në Korçë, duke e bërë bujqësinë një aktivitet më të qëndrueshëm dhe fitimprurës, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Sipas ministres Denaj, kjo iniciativë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me GIZ, është pjesë e vizionit “Bujqësia2030”, që synon një bujqësi të qëndrueshme, të pajisur me dije dhe teknologji, dhe i jep fermerit fuqinë për të përballuar sfidat e së ardhmes.

Ministrja Denaj tha se ky investim është realizuar nga GIZ Albania dhe WB Adapt, në bashkëpunim me QTTB Korçë, AREB Korçë dhe ADAD Malore.

Nga vendosja e tre stacioneve meteorologjike moderne për fermerët në Korçë./ KultPlus.com

Festivali Vox Baroque në Muzen Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë

Tingujt e muzikës baroke u mirëpritën nga publiku artdashës në një mbrëmje në Korçë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Vox Baroque”.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo e etiketoi këtë festival si hapësirën ku muzika  udhëton përtej kohës dhe kufijve.

“Mbrëmë, në mjediset e veçanta të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, u zhvillua koncerti “Ex Silentio”, një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare, pjesë e edicionit të XII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke”, tha Filo në një postim në rrjetet sociale.

Sipas kryebashkiakut të Korçës, “artistët nga Greqia, Dhimítris Koundouras (flaut), Iríni Bilini-Moraiti (vokal & vielë) dhe Thýmios Atzakas (liutë orientale) sollën një interpretim të rrallë dhe të përmbajtur, në respekt të atmosferës që ruan thesare të shenjta të trashëgimisë sonë shpirtërore”.

“Një mbrëmje që bashkoi hijeshinë e muzikës së lashtë me madhështinë e ikonografisë shqiptare dhe që i shtoi një tjetër kapitull të paharruar verës kulturore të Korçës”, pohoi Filo.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit të kohës kur lindi si zhanër të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe iniciativave alternative promovuese të atyre artefakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Nga festivali Vox Baroque në Muzen Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë./ KultPlus.com