Ekspozitë përkujtimore për Fehmi Aganin, nderohet kontributi i tij atdhetar, intelektual dhe politik

Me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së akademikut dhe veprimtarit të shquar, Fehmi Agani, nesër, me datë 13 maj, do të hapet ekspozita përkujtimore me titull “Kontributi atdhetar – intelektual dhe politik i akademik Fehmi Agani”, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ekspozita organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër, duke synuar të nderojë jetën dhe veprën e tij.

Ceremonia e hapjes do të përfshijë fjalë përshëndetëse nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, si dhe fjalë rasti nga Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, znj. Vjollca Aliu, Akademik Hivzi Islami, dhe bashkautorët e ekspozitës Ph.Dc. Besnik Kraci dhe Dr. Sadik Krasniqi.

Në këtë ngjarje do të flasë gjithashtu Mentor Agani, djali i akademikut Fehmi Agani. Autorët e ekspozitës, Besnik Kraci dhe Sadik Krasniqi, kanë bashkuar dokumente, fotografi dhe materiale të tjera që ndriçojnë rolin historik të Fehmi Aganit si intelektual, akademik dhe politikan që kontribuoi në proceset paqësore dhe diplomatike të Kosovës drejt pavarësisë.

Ekspozita do të hapet më 13 maj 2025, në ora 12:00, në Prishtinë./KultPlus.com

Mentor Xhemali, ikona e muzikës operistike shqiptare

Mentor Xhemali ka hyrë në histori si një nga kolosët që themeluan TKOBAP.

Ai lindi më 12 maj të vitit 1924. Një nga ikonat e muzikës operistike shqiptare. Mentor Xhemali, Artist i Popullit, do të mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal.

Ai mbetet një nga basët më të mëdhenj, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare.

Ndër interprentimet e tij mbresëlënëse në opera veçohen rolet në operat: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, “Berberi i Seviljes’, “Aleko”, “Eugjen Onjegin”, e shumë role të tjera të spikatura.

Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë atdheut ka qenë e shumtë dhe mbresëlënëse si në: ish-Jugosllavi, ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari, Austri, Finlandë, Kubë, Turqi, Kinë, etj.

Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet kënga madhore “Për ty Atdhe”. / atsh / KultPlus.com

Java Globale e Sigurisë Rrugore

Prej sot e deri më datë 18 maj, anekënd botës do të kremtohet Java Globale e Sigurisë Rrugore. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mandatoi OBSH-në dhe komisionet rajonale që të planifikojnë dhe organizojnë aktivitete kombëtare dhe lokale, për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e sigurisë rrugore.

Lëndimet në trafikun rrugor janë shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në mbarë botën, me afro 1.2 milionë njerëz të vrarë dhe deri në 50 milionë të plagosur çdo vit. Aksidentet rrugore janë vrasësit kryesorë të të rinjve të moshës 5-29 vjeç. Globalisht, më shumë se 1 në çdo 4 vdekje ndodhin tek këmbësorët dhe çiklistët.

Kjo është java e 8-të që OKB-ja organizon për sigurinë rrugore duke ofruar një mundësi për të nxitur veprime në nivel kombëtar dhe lokal për ta bërë të sigurt ecjen dhe çiklizmin, duke theksuar ndërhyrjet konkrete dhe specifike që mund të ndërmerren nga palë të ndryshme të interesuara – qeveritë, agjencitë ndërkombëtare, shoqëria civile, bizneset dhe shkollat.

Këto veprime do të ndihmojnë në promovimin dhe lehtësimin e ecjes dhe çiklizmit, të cilat janë mënyra transporti më të shëndetshme, të gjelbra, të qëndrueshme dhe ekonomikisht më të favorshme./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet Edward Lear në 213-vjetorin e lindjes

Në 12 maj 1812, në Highgate, Angli, lindi Edward Lear, poet dhe illustrues, autor, piktor që vizatoi çdo gjë që pa në rajonin e Mesdheut (Shqipëri, Greqi) dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij me përshkrime udhëtimesh.

Në 1848 Lear nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij morri një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes disa zonave të perandorisë. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Më pas vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë. Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX.

 Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851). Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e shumtë e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Por, me librin e tij “Nonsense”, Lear fitoi famë si poet limerik, zhanër vargjesh të pakuptimta që shpesh shoqërohen me vizatime ilustruese. Vargu Limerik (nga emri i qyteti në Angli) është formë poetike autentike angleze. / KultPlus.com

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese
Përktheu: Orjela Stafasani

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë./KultPlus.com

KQZ: Pjesëmarrja në votime 42,17%, nga diaspora 79,24%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi përqindjen e të dhënave të pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet parlamentare të 11 majit me raportimet nga 3020 qendra votimi nga 5225 në total.

Sipas KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje e shqiptarëve brenda vendit është 42,17%. Pjesëmarrja në votime në 2023 ka qenë 37,79% dhe 48,59% në 2021.

Për herë të parë të drejtë vote këtë vit kishin edhe shqiptarët në diasporë, ndërsa sipas KQZ pjesëmarrja e tyre e përkthyer në përqindje ka qenë 79,24.

Ndërkohë sa i përket votimit brenda vendit në përqindje sipas qarqeve, janë këto rezultate:

Berati: 39,55%
Dibra: 50,10%
Durrësi: 40,53%
Elbasani: 42,13%
Fieri 42,02%
Gjirokastra: 39,23%
Korça: 40,99%
Kukës: 46,15%
Lezhë: 41,56%
Shkodër: 36,78%
Tiranë: 48,73%
Vlorë: 31,49%

Pjesëmarrja e diasporës sipas qarqeve në total është 79,24%:

Berat 78,70%
Dibër 80,21%
Durrës 81,47%
Elbasan 79,15%
Fier 81,41%
Gjirokastër 77,68%
Kor çë 78,96%
Kukës 76,58%
Lezhë 81,07%
Shkodër 78,65%
Tiranë 81,52%
Vlorë 78,68%

/ KultPlus.com

Fjalët e fundit dhe kafeja e djegur e Faik Konicës

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë./ KultPlus.com

Dua Lipa konfirmon se do të performojë në Sunny Hill Festival 2025

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, duket se po rikthehet me performancë në edicionin e sivjetmë të festivalit Sunny Hill.

Lajmin e ka konfirmuar me anë të një postimi të shpërndarë me ndjekësit në Instagram, aty ku numëron 87.4 milionë njerëz.

Në kuadër të turneut dhe vendeve që do të mbajë koncerte është edhe Prishtina.

“Shihemi në Sunny Hill Festival”, ka shkruar ndër të tjerash, Lipa.

Sunny Hill është një festival ndërkombëtar i muzikës që zhvillohet çdo vit në Prishtinë.

Këtë vit vlen të ceket se do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht. / KultPlus.com

Kori ‘Siparantum’ fiton vendin e dytë në kuadër të Festivalit të Koreve në Selanik

Në sallën ceremoniale të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, në kuadër të “14th World Choir Festival on Musical & Competition”, Kori “Siparantum” nga Kosova shkëlqeu mes pjesëmarrësve nga SHBA, Greqia, Sllovakia, Polonia dhe Serbia.

Pas një gare jashtëzakonisht të ngushtë dhe të nivelit të lartë artistik, kori u rendit në vendin e dytë dhe u nderua me Medaljen e Argjendtë. Vendin e parë e fitoi Brigham Young University Singers nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën dirigjimin e Dr. Andrew Crane – një nga koret më të mira në botë.

Ky është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për korin “Siparantum”, që vazhdon të përfaqësojë denjësisht Kosovën në skenat më prestigjioze ndërkombëtare./ KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

T’isha një lule- lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në pranverë

Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë time.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.

Të qëndroja e fshehur, e pa dukur

Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të

dy të rinjëve.

Prej frike,

Të larguar prej njerzisë do t’më këputnin,

Do t’u dhurohesha te njëri-tjetri

Për shenjë kujtimi./ KultPlus.com

Kosova fiton dy medalje të bronzta në Kampionatin Evropian të karatesë

Kosova ka fituar dy medalje të bronzta në Kampionatin Evropian të karatesë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i ka uruar sportistët pjesëmarrës në Kampionat.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Dy medalje të bronzta për Kosovën në Kampionatin Evropian të karatesë, një sukses i madh për sportin tonë dhe përfaqësim i denjë i shtetit.

Ekipi i Kosovës, karateistet, Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Behije Mustafa dhe Elmedina Istogu, udhëhequr nga Isak Curri, treguan guxim dhe përkushtim, duke mposhtur radhazi Armeninë, Spanjën, Ukrainën dhe Greqinë në luftën për medalje.

Është kjo medalja e dytë e bronztë për ekipin tonë, pas asaj të fituar dje nga Betim Maliqi.

Urime sportistëve, trajnerëve dhe Federatës së Karatesë së Kosovës. Krenarë me ju./ KultPlus.com

Uh Evropë, ti kurva e motit!

Poezi nga Gjergj Fishta

Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Gomari i Babatasit
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n’”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,
“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
Nuk din Shkjau me mbajtë miqsí!
Por, s’din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç’kje ndezë Vranina zhari!
Aman, Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue – e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N’valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’ u lot thêmra.
Por ç’dobí: dielli tue lé
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! –
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem
Tridhjetë t’vrám e dhetë t’ shituem!…
O ata t’lumt, qi dhane jeten,
O ata t’lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t’ Parve,
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’Parët u pa’n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë,
E dér t’ketë n’ dét ujë e rânë,
Dér sá t’shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kângë e n’valle por u kndojshin. /KultPlus.com

Përfundon orari i votimit në Shqipëri

Ka përfunduar zyrtarisht orari i votimit për zgjedhjet parlamentare 2025 në Shqipëri.

Qytetarët të cilët nuk kanë mundur të votojnë, nuk do të kenë më mundësinë pas orës 19:00, përveç atyre që deri në ato momente ndodheshin në qendrat e votimit.

Tashmë kutitë do të çohen nga KQZ-ja për numërimin e votave dhe më vonë do të dalë dhe përgjigja e tyre. /TCH/ KultPlus.com

‘Unë vetëm jam në mes të çmendurëve, vetëm në mes të zotave, vetëm jam dhe para vedit’ (VIDEO)

Se Faruk Begolli mbetet ndër aktorët më të mirë të kinematografisë mbarëshqiptare, kjo tashmë dihet.

Begolli la gjurmë të përjetshme në historinë e artit shqiptar, tash edhe pas vdekjes së tij, miqtë, kolegët e adhuruesit, akoma e kujtojnë atë me nostalgjinë e adhurimin më të madh, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus, ju sjell një intervistë nga Arkivi i RTK-së, të cilën Begolli e kishte realizuar me Ekrem Kryeziun në vitin 1970 në Beograd.

…se ti shumë po kërkon prej meje e unë s’mundem më tepër për të dhënë. Unë vetëm jam në mes të çmendurëve, në mes të verbërëve, vetëm në mes të zotave. Vetëm jam dhe para vedit’, janë këto vargjet që në një sekuencë të këtij reportazhi interpretohen nga Begolli me një magji skenike që vetëm ai ka ditur ta interpretojë. / KultPlus.com

Çiklisti danez Pedersen fitues i etapës së tretë të “Giro d’Italia” në Vlorë

Çiklisti danez Max Pedersen u shpall fitues i etapës së tretë dhe të fundit të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, që përfundoi pasditen e sotme në qytetin e Vlorës.

Duke dominuar me sprint, Pedersen ia doli në një terren jo dhe aq të lehtë të rimerrte fanelën rozë, pasi kishte triumfuar në etapën e parë, ndërsa në të dytën fitues doli anglezi Tarling.

160 kilometrat me terren kodrinoro-malor, Pedersen i përshkoi për 3 orë, 49 minuta dhe 10 sekonda.

Sa i takon renditjes, pas tij u pozicionua Corbin Strong. Orluis Aular përmbyll 3 vendet e para. Ndërkaq Brandon Rivera dhe Edoardo Zambanini mbajnë vendin e katërt dhe të pestë.

“Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, edicioni i 108-të i turit çiklistik më të famshëm sportiv në botë, nisi nga Durrësi më 9 maj, për të përfunduar pas 21 etapash në Romë, të dielën e 1 qershorit./ KultPlus.com

Festival golash në “Montjuic”, Barcelona fiton ndaj Realit

Barcelona ka shënuar fitore ndaj Real Madridi me rezultat 4-3 në kuadër të El Clasicos e vlefshme për xhiron e 35-të.   

Real Madridi e nisi mirë ndaj Barcelonës si mysafir duke shënuar që në minuën e pestë të ndeshjes.  Gjyqtari Hernandez Hernandez akordoi penallti pas një ndërhyrje të gabuar të Wojciech Szczesnyt ndaj Kylian Mbappes, ndërsa më herët gaboi Pau Cubarsi.  

Nga pika e bardhë ishte i saktë Kylian Mbappe që shënoi për 1-0.  

Në minutën e 14-të, sërish Mbappe mori një top shumë të mirë dhe arriti të shënojë për 2-0.

Por në minutën e 19-të, Barcelona u kthye në lojë, me Erik Garcian që arriti të shënojë për 2-1. 

Në minutën e 32-të u barazuan shifrat, ku Lamine Yamal shënoi një gol të bukur për 2-2. 

Barcelona nuk ndalej, duke sulmuar portën e Real Madridit që ishte në shok pas këtyre dy golave. 

Epërsia për katalanasit erdhi në minutën e 34-të, kur Raphinha shënoi pas asistimit të Pedrit, për 3-2. 

Ritmi i lartë i lojës sillte raste nga të dyja anët, por Barcelona arriti të shënojë edhe njëherë pa u mbyllur pjesa e parë. 

Raphinha shënoi sërish, kësaj radhe pas asistimit të Ferran Torres për 4-2. 

Pjesa e dytë kishte më pak raste dhe për rrjedhojë edhe më pak gola. 

Reali arriti të hap ndeshjen në minutën e 70-të, me Vinicius Junior që asistoi te Mbappe që shënoi për 4-3. 

Edhe pse minutat e mbetur sollën shumë raste, ku anuluan, dy gola, për secilën nga një, tjera nuk kishte.

Barcelona mori fitoren që i afron shumë te titulli kampion. Barcelona ka 85 pikë në vendin e parë, ndërsa Real Madridi si i dyti ka 75 pikë./ KultPlus.com

“Don’t worry, be happy”, kënga legjendare e Bob Marley dhe mesazhi i saj pozitiv (VIDEO)

“Don’t worry, be happy” është një këngë reggae e famshme, e krijuar nga legjenda e muzikës Bob Marley në vitet ’80. Kjo këngë është një himn i thjeshtë dhe i frytshëm që u bë shumë e njohur në mbarë botën, dhe është ende e dashur nga shumë njerëz sot.

Teksti i këngës fokusohet te ideja e jetesës pa stres dhe shqetësime. Refreni i këngës, “Don’t worry, be happy”, është një fjalë shprese e thjeshtë por e fuqishme që e bën këngën të bëhet një kujtim i paharrueshëm. Kënga thotë se në vend që të mbështeteni në shqetësime dhe trishtim, është më mirë të shihni ndryshimet pozitive në jetën tuaj dhe të jeni të lumtur në këtë botë.

Bob Marley, me këngën e tij “Don’t worry, be happy”, u bë një simbol i mesazheve pozitive dhe gjithmonë do të mbetet një pjesë e rëndësishme e kulturës së popullarizuar.

Kjo këngë është një kujtim i ndryshimit pozitiv dhe një nxitje për të jetuar jetën në mënyrën më të mirë të mundshme. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Miqësia me Austrinë mbetet një shtyllë e fortë e rrugëtimit tonë evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është takuar me presidentin austriak Alexander Van der Bellen dhe zonjën e parë Doris Schmidauer në Mauthausen për ceremoninë e 80 vjetorit të çlirimit të Kampit të përqëndrimit.

Postimi i saj i plotë:

Miqësia me Austrinë mbetet një shtyllë e fortë e rrugëtimit tonë evropian.

Me Presidentin austriak Alexander Van der Bellen dhe Zonjën e Parë Doris Schmidauer, ishim në Mauthausen për ceremoninë e 80 vjetorit të çlirimit të Kampit të përqëndrimit.

Para ceremonisë përkujtimore, patëm një diskutim të sinqertë e përmbajtësor për miqësinë tonë të qëndrueshme e përkrahjen e çmuar të Austrisë në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës.

Kosova është e përkushtuar për procesin e integrimit euro-atlantik, e në këtë rrugëtim është e bekuar të ketë në krah miq sikurse Austria./ KultPlus.com

‘Një libër, një stilolaps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën’

Thënie për librin:

Unë gjithmonë e kam imagjinuar që Parajsa do të jetë një lloj biblioteke. – nga Jorge Luis Borges

Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare. – nga Heinrich Mann

Një libër, një stilolaps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën. – nga Malala Yousafzai

Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt – nga Marcus Tullius Cicero

Leximi është një bisedë. Të gjitha librat flasin. Por një libër i mirë dëgjon gjithashtu. – nga Mark Haddon

Personi, qoftë ai zotëri apo zonjë, i cili nuk ka kënaqet nga një roman I mirë, duhet të jetë patjetër budalla. – nga Jane Austen

Nuk ka asnjë mik më besnik se sa një libër.– nga Ernest Hemingway Nëse lexoni vetëm librat që lexojnë të gjithë të tjerët, mund të mendoni vetëm atë që mendojnë të gjithë të tjerët. – nga Haruki Murakami

Ju e dini që keni lexuar një libër të mirë kur ktheni faqen e fundit dhe ndiheni sikur të keni humbur një mik.- nga Paul Sweeney

Mendja nuk është një libër, që të hapet sipas dëshirës dhe të ekzaminohet në kohën e lirë. Mendimet nuk janë hedhur në brendësi të kafkave, për t’u shpërndarë nga një pushtues. Mendja është një gjë e ndërlikuar dhe me shumë shtresa. ”– nga J.K. Rowling

Ka më shumë thesare në libra sesa në të gjitha plaçkat e piratëve në Treasure Island. – nga Walt Disney

Nëse ka një libër që ju doni të lexoni, por ai ende nuk është shkruar, atëherë duhet ta shkruani atë.– nga Toni Morrison./ KultPlus.com

Veprat e famshme të Salvador Dalít të cilat e shndërruan në ikonë të artit (FOTO)

Përderisa artisti i njohur, Salvador Dalí ia mbylli sytë jetës në mëngjesin e 23 janarit të vitit 1989, veprat e tij mbetën pas për të përçuar një dritë artistike, shkruan KultPlus.

I njohur për frymën e tij surrealiste, pikturat e Dalít padyshim që sot janë kthyer në ikonë të epokës së rëndësishme të historisë së artit pamor.

Veprat e tij shprehin një shumëdimensionalitet të formës, mendimit, idesë, mesazhit e revoltës që ai përfaqësonte në qenien e tij.

Salvador Dalí, shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe mbeti i pavdekshëm nëpërmjet brushave të tij, e që KultPlus ua sjell veprat më të njohura të tij:

Pragë, një muze i Holokaustit hapet në ish-fabrikën e Oskar Schindlerit

Një muze i Holokaustit në Republikën Çeke është hapur në një ish-fabrikë që ishte në pronësi të biznesmenit të njohur gjerman të kohës, Oskar Schindler, i cili u bë i famshëm në filmin fitues të çmimit Oscar të Steven Spielberg, “Lista e Schlinderit”.

Dy ekspozita – njëra mbi fatin e të mbijetuarve të Holokaustit dhe tjetra rreth lëvizjes avangarde Bauhaus – ishin ekspozitat fillestare të muzeut.

Fabrika, e cila ka qenë nën mbrojtje të trashëgimisë që nga viti 2016, ndodhet në Brnenec, afërsisht 160 kilometra në lindje të Pragës.

”Për momentin, muzeu është i hapur vetëm për turne me guidë në ditë të caktuara të vitit”, sipas një zëdhënëseje të memorialit, siç u raportua nga agjencia çeke e lajmeve, CTK.

Para hapjes së muzeut, rrënojat industriale duhej të pastroheshin nga mbeturinat toksike dhe të restauroheshin gjatë disa viteve.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Schindler punësoi më shumë se 1 000 punëtorë hebrenj në fabrikën e tij të municioneve duke i mbrojtur ata nga deportimi dhe vrasja.

Në vitin 1944, fabrika u zhvendos nga Krakovi, i pushtuar nga gjermanët në Brnenec.

Ajo shërbeu si një nënkamp i kampit gjerman të përqendrimit të Gross-Rosenit.

Schindler u nderua më vonë në Izrael për përpjekjet e tij për të shpëtuar punëtorët.

Historia e biznesmenit gjermano-moravian fitoi famë botërore për herë të parë përmes romanit “Lista e Shindlerit” nga autori Thomas Keneally dhe më vonë nga filmi i Spielbergut.

Pasardhësit e familjes Low-Beer, të cilët kishin qenë industrialistë të pasur hebrenj para se Hitleri të vinte në pushtet, themeluan fondacionin “Shpëtimi i Arkës së Shindlerit” dhe morën përsipër vendin historik disa vite më parë për të ngritur një memorial.

Familja kishte qenë pronarët origjinalë të fabrikës derisa u konfiskua nga nazistët në vitin 1938./atsh/ KultPlus.com  

Vajzat e Kosovës me medalje të bronztë nga Kampionati Evropian i Karatesë

Ekipi i vajzave të Kosovës në karate ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Evropian të Karatesë që po mbahet në Yerevan të Armenisë. 

Ato kanë triumfuan ndaj Greqisë të dielën në ndeshjen vendimtare për medalje.

Para këtij suksesi, vajzat kosovare kishin kaluar me sukses përballjet me Armeninë, Spanjën dhe Ukrainën.

Kjo është medalja e dytë e bronztë për Kosovën në këtë kampionat, pas asaj të fituar një ditë më parë nga Betim Maliqi. 

Ekipi përbëhet nga Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Behije Mustafa dhe Elmedina Istogu, ndërsa përzgjedhës është Isak Curri.

Salvador Dalí, një gjeni që arriti të na magjepste me ‘çmenduritë’ e tij

Ai ishte një i “çmendur” që arriti të na magjepste me “çmenduritë” e tij, ishte zëri më i buçimshëm i penelit. Erdhi për të bërë epokë dhe vetë epoka mori emrin e tij.

Në mëngjesin e 23 janarit 1989, duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar, gjëmimim Wagner-ian, “Tristani dhe Izolda”, zemra e Salvador Dalí ndalon së rrahuri, në moshën 84-vjeçare. Do të shuhej kështu të gjallët e një gjeniu. Thyehet një prej majave që ngërthehej ngulmues përnga lartësitë më të epërme të tablosë. Shuhet për mbetur i vezullimtë në gjithçka që sendërgjoi ai solemnitet krijues. Ngriti dhe shkallmoi për të rindërtuar rishtaz gjithçka nga fillimi, gjithçka nga tharmi i atij shpirti të epur shpengimit e çatrafilisjes.

Ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm, me një jetë larushitëse, dengur gjer në buzë me çmosgjë. Në vërshimin e rrëmetshëm, jeta dhe peneli krijuan më shumë se një vepër të tjetërllojtë, ngjizën dhe na kumtuan një njeri si ai, një prurje galaktike e shkasit për befasi.

Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara vezullueshëm. Asnjë oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dalí dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dalí padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e ngërthyer në eter e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalínë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i radhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Salvador Dalí është një prej penelave më të jashtëzakonshëm. Nuk kanë nguruar ti bashkëngjiten këtij vlerësimi shumë ekspert dhe kritik arti, shumë njohës të korpusit të tij krijues. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dalí në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyre, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq paq. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. U ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art.

Ky ishte Salvador Dalí, një spanjoll që shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe vërshon ende në nevojën për të matur caqet e mundshmes dhe talentit, në një botë e cila mund të të mos mirëpresë, por nuk ta privojë sfidën, atë që e shndërroi në triumf të pathyeshëm. /albertvataj/ KultPlus.com

Simbolika e legjendës së ‘Rozafës’ pjesë e fustanit të Beatriçes, e ëma zbulon detaje nga fustani ‘Zjerm’ i Eurovizionit

Në një intervistë për mediat shqiptare, nëna e artistes Beatriçe Gjergji, ka zbuluar detaje nga fustani me të cilin artistja e “Shkodra Elektronike” do ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës- “Eurovizion 2025”, shkruan KultPlus.

Fustani i artistes Gjergji është dizajnuar nga e ëma e saj, e cila është kujdesur që fustani të reprezantojë performancën e Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe përmes veshjes. Një e kuqe e ndezur që në mënyrë figurative paraqet kuptimin e këngës “Zjerm”, është elementi kryesor që e karakterizon dizajnin e punuar tërësisht me dorë.

Gjysma e fustanit paraqet simbolikën e legjendës së “Rozafës”, ku njëra dorë, gjoksi dhe këmba dallohen nga gjysma tjetër e trupit. Ky dizajn i veçantë është mundësuar falë një materiali që është porositur  dhe stampuar në Francë. Ndërsa, gjysma tjetër ngjitur ka fustan me material të fortë në formë harmonike, që është siguruar në Manhattan, për t’i rezistuar lëvizjeve skenike të artistes.

Në pjesën e brendshme të pjesës në formë harmonike, fustani përmban edhe disa shtresa me një material më të hollë, që në pjesën fundore shpërthen në ngjyrat kuq e zi, si formë zjarri.

Edhe mënga e dorës së majtë ka karakteristikën e saj, e cila përmes copëzave të shumta të dizajnuar deri në detaje do të kombinohet me lëvizjet skenike të artistes Gjergji, duke dhënë idenë e shpërndarjes së zjarrit./ KultPlus.com