Restaurohet Muzeu Etnografik i Krujës, Gonxhja: Trashëgimia kulturore mbështetje për ekonominë

Muzeu Etnografik i Krujës, i financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture, hapi dyert e tij për publikun.

Në ceremoninë e inaugurimit, pas një pune restauruese, mbështetur edhe nga UNOPS, ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato si dhe përfaqësuesja e UNOPS, Freya von Groote.

“Nga bedenat e kalasë së Krujës vetëm dy herë janë parë 150 mijë të huaj brenda një viti. Herën e parë në 1466, në rrethimin e dytë të Krujës, dhe hera e dytë është 2024 kur 150 mijë turistë të huaj pritet të vizitojnë këtë qytet”, u shpreh ministri Gonxhja i cili shtoi se, për shumë kohë Shqipëria nuk ka ditur të shfrytëzojë potencialet e paimagjinueshme që ka, ndërsa sot falë vizionit të qeverisë, kemi hyrë në një epokë ku turizmi nuk zhvillohet më sporadikisht, por në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit.

Sipas ministrit, të dhënat e deritanishme tregojnë se turizmi kulturor ka shënuar më shumë rritje se sektori i turizmit në tërësi.

Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore është rritur me 70% në të gjithë vendin, ndërsa në Qendrën Muzeore të Krujës numri i vizitorëve është rritur me 75 mijë, ose 110% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023.

Gonxhja tha se ky transformim nisi me restaurimin e pazarit, vazhdoi me kompleksin muzeal dhe më tutje me rinovimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës.

Ky rinovim e bën këtë muze një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga pazari, vijon me kështjellën, Muzeun e Gjergj Kastriotit, bujtinat etj.

Ministri kujtoi se 6 familje u mbështetën në Krujë falë nismës së qeverisë shqiptare me Bonusin e Rijetësimit, brenda një viti, me një fond prej 25 mln lekësh.

Ky program do të shtrihet dhe në eksperienca që kanë të bëjnë me biznese si bujtinat e shtëpitë e mikpritjes.

Ministri Gonxhja kujtoi se, Kruja është qyteti me numrin më të vogël të të ikurve, fakt i cili është domethënës pasi trashëgimia kulturore është një shtytës për ekonominë duke lidhur komunitetin me këto qendra.

“Më vjen mirë që jam pjesë e një mazhoranse e cila në pak vite, ka nxitur ngritjen e 10 muzeumeve të reja e po aq janë në plan në të ardhmen”, deklaroi ministri Blendi Gonxhja, në ceremoninë inauguruese.

I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë. Me mbi 3000 artefakte të ekspozuara, vizitorët mund të eksplorojnë mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre gjatë shekujve.

Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së pare. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Presidentja Osmani viziton Muzeun Etnologjik: Histori e kulturë në këto ditë të nxehta vere

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun dhe dy vajzat, sot ka vizituar Muzeun Etnologjik në Prishtinë.

“Nga vizita në Muzeun Etnologjik në Prishtinë – histori e kulturë, por edhe freski në këto ditë të nxehta vere”, shkroi Presidentja Osmani në Facebook.

Muzeu Etnologjik në Prishtinë mbetet një ndër institucionet kulturore të rëndësishme, ku ruan historinë dhe traditat kosovare.

Kryeministri Kurti vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe

Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.

Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.

Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.

Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.

Mbahet diskutim publik për Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut

Organizuar nga Komuna e Kaçanikut, sot u mbajt diskutim publik lidhur me Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut, ku për hapat e deri tanishëm foli drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Hafize Sallahu, ndërsa pjesëmarrësit i përshëndeti Nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi i cili falënderoi këshillin punues në hartimin e këtij draft statuti.

Pjesëmarrësit përgëzuan këtë iniciativë dhe me pyetje të ndryshme nga këshilli punues i këtij draft dokumenti kërkuan sqarime më të hollësishme rreth funksionalizimit të Muzeut.

Sqarime pjesëmarrësit morën nga  kryesuesi i këshillit punues të Muzeut Hajredin Rramajli me anëtarët e tjerë të këtij këshilli. Ky dokument tani më është në fazën e dërgimit në kuvend për miratim.

Nis rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes së Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku po ashtu ka thënë se Muzeu Lidhja e Prizrenit do të ketë ekspozitë të kuruar dhe prezantuar në mënyrë profesionale  dhe me metoda moderne./ KultPlus.com

Tre milion euro për restaurimin e Muzeut Kombëtar, Çeku: Fokusi do të jetë në konsolidimin e kushteve të deposë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se janë ndarë tre milionë euro për restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ministri Çeku ka thënë se Muzeu do t’i nënshtrohet restaurimit të përgjithshëm, me fokus në konsolidimin e kushteve të deposë.

“Vlera që kemi ndarë për këtë ndërhyrje kapitale është tre milionë euro. Krahas restaurimit, gjatë periudhës sa Muzeu do të qëndrojë i mbyllur, do të bëhet edhe rikonceptimi dhe përditësimi i ekspozitave të përhershme” thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./KultPlus.com

Rijetësohet ish-muzeu i Beratit, i shërben turizmit familjar

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.

Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.

Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.

Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/ KultPlus.com

Muzeut Kombëtar i dhurohet PENA me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i dhuroi dhe dorëzoi Muzeut Kombëtar të Kosovës, penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë dhuratë e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.

“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar. Ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Muzeu “Marubi” uron me foton më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi

Një urim i veçantë vjen sot në ditën e Fitër Bajramit nga muzeu i fotografisë “Marubi”, Shkodër. Me fotografinë më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi, ku dallohet Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit, stafi i muzeut u uron besimtarëve myslimanë: Përshumvjet Fitër Bajramin.

Përgjatë viteve muzeu “Marubi” ka sjellë ekspozita, biseda, programe edukimi, botime dhe aktivitete të tjera që ndërlidhen patjetër me fotografinë dhe arkivin “Marubi”, zemrën e institucionit, por gjithmonë vëmendja është tek kultivimi, tek hulumtimi, tek hapja ndaj publikut e tek kujdesi ndaj studiuesve, vizitorëve, nxënësve e studentëve; tek krijimi i dinamikave për krijimin e një hapësire ftuese e cila ruan e promovon trashëgiminë kulturore në qytet e më gjerë.

Viti 2023 shënoi një rekord vizitueshmërie të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” me një numër total prej 19220 vizitorësh (52,7% femra dhe 47,3% meshkuj) shifër kjo 22% më e lartë se në vitin 2022./KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar zgjat 4 vite/ Kuratorja: Koha e duhur, gjithmonë do të ketë kontestime

Muzeu Historik Kombëtar është i mbyllur për vizitorët nga 15 marsi 2024, e dhe deri në 15 mars të vitit 2028. Kjo mbyllje është në kuadër të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, kuratorja e muzeve, Yllka Gjikopulli e konsideroi këtë investim në kohën e duhur, pasi pas 4 dekadash duhet rikonceptuar në linja muzeale.

Ajo ka theksoi se pavarësisht kontestimeve, është një hap pozitiv që do të ndihmojë të gjithë publikun.

“Mbyllja e muzeut dhe fillimi i punimeve është një gjë shumë e mirë, një lajm shumë i mirë që do të ndodhi. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ka vendi ynë dhe ai muze meriton të jetë patjetër në standardet e një muzeu europian. Gjithmonë, ka një kohë që do kontestohet dhe do thuhet në mos turistike, do dali dhe diçka tjetër. Nuk është dhe një kohë e caktuar kur mund të mbyllet dhe kur mund të hapet një muze. Është një hap pozitiv. Kontestimet do të jenë gjithmonë në çdo rast, ai ka nevojë të shihet dhe nga ana historike, edhe nga ana estetike, pa diskutim dhe t’i përkojë kohës dhe të ketë dhe ndërhyrje dhe të reja ndërvepruese me publikun”, u shpreh Gjikopulli./abcnews.al/KultPlus.com

Muzeu i fotografisë “Marubi”, një udhëtim i pazakontë në histori

Arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” ruan një koleksion prej më shumë se 500 mijë negativësh në xham, film rul e plan film, si dhe dokumente e objekte të fotografëve të koleksionit.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja e konsideron këtë arkiv si një udhëtim i pazakontë në histori, procesi i konservimi të të cilit ka nisur falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në vendin tonë.

Në arkiv po kryhet një punë kolosale: procese konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi. Ambasada Gjermane në Tiranë mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore.

Kjo mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuar sipas madhësive, cilësisë dhe standarteve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.

Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvëndësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojten e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tek brezat e ardhshëm./Ora/KultPlus.com

100-vjetori i gërmimeve të Leon Rey, ekspozitë në Muzeun Arkeologjik Apoloni

 Qendra Muzeore Berat dhe Parku Arkeologjik Apoloni, në 100- vjetorin e gërmimeve të Leon Rey, çelën ekspozitën fotografike ” Muzeu në valixhe”. Ekpozita e Muzeut Ikonografik “Onufri” çelet në ambjentet e Trapezarisë, pjesë e Muzeut Arkeologjik Apoloni. Për të gjithë vizitorët e Parkut Arkeologjik Apoloni, kjo ekspozitë sjell më afër imazhet e ikonave dhe Muzeut Ikonografik Onufri, që do të qëndrojnë të ekspozuara aty përgjatë 1 muaji.

Për gati 14 vjet, nga viti 1924 e deri më 1938-ën, arkeologu francez Leon Rey zhvilloi fushatën e gërmimeve studimore arkeologjike. Një pjesë e thesareve arkeologjik të gjetura nga Leon Rey, gjenden në qytetin antik të Apolonisë. Objektet që dolën nga gërmimet e tij pranë qendrës monumentale të Apolonisë, janë pjesë e koleksionit të MAA.

Rey ishte themelues i revistës “Shqipëria-një përmbledhje e arkeologjisë, historisë, artit dhe shkencave të aplikuara në Shqipëri dhe Ballkan” (1925), ai botoi rezultatet e punës së tij atje deri në vitin 1939. Rey gjithashtu themeloi dhe organizoi Muzeun Vlona (1937), por pushtimi italian i Shqipërisë e shkatërroi muzeun.

Në vitin 1945, ai u përpoq të rikthehej në vend, por iu refuzua qëndrimi. Leon Rey vdiq më 3 nëntor 1954 në Paris./atsh/KultPlus.com

Kur Muzeu Kombëtar shërbente si kazermë ushtarake (FOTO)

Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Mirëpo, pak e dijnë se dikur objekti i Muzeut ka shërbyer si kazermë ushtarake e Komanës së Divizionit të Kosovës, në viteet 1930-32.

Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. / KultPlus.com

(Fotot marrë nga ‘Foto dhe dokumente të vjetra historike’)

Muzeu ‘Marubi’ vijon punën për mbrojten e materialit arkivor sipas kushteve bashkëkohore

Muzeu i Fotografisë “Marubi” vijon punën me sistemin e ri të konservimit të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumenteve të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuara sipas madhësive, cilësisë dhe standardeve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.

Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvendësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojtjen e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj trashëgimie kulturore tek brezat e ardhshëm.

Procesi i konservimit është ndërmarrë në vitin 2016, falë mbështetjes së Ambasadës gjermane, e cila mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore./atsh/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar ‘Shtëpia me gjethe’ përkujton poeten e persekutuar Drita Çomo

 Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981), krijimet e së cilës mbetën në sirtar, në periudhën kur ajo i shkroi. Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin tʼi ndante ato me të tjerët. Poezitë e saj panë dritën e botimit në vitin 1997, kur doli libri “Dritë që vjen nga humnera”, një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i Çomos.

Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.

Drita Çomo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.

Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23-vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj./atsh/KultPlus.com

‘Paraphernalia’ ekspozitë virtuale në Muzeun ‘Marubi’

Ekspozita online kuruar nga Lek Gjeloshi është e çasshme për publikun në faqen zyrtare të Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”.

Ka parfume të forta për t’cilat çdo landë

asht poroze. T’thotë mendja se edhe qelqin e shpojnë.

Kur hapin një syndyk, ardhë prej Orienti,

që brava i kërset e i cijzë me za gërvishtës

o në një shpi të shkretë, n’ndo’j raft të moçëm

plot me erën e athët të kohës, të zi dhe të pluhnosun,

qëllon kajherë me gjetë nji shishkë që mban mend

prej kah i gjallë kërcen nji shpirt i çuem lugat. (1)

– Charles Baudelaire

Kontaktin ma të parë me fotografinë e kam pasë me nji album të Dinastisë Marubi, të prodhuem në Francë: Albanie. Visage des Balkans. Écrits de lumière, Arthaud, 1995. Nji ish nxanës i gjyshes ia kishte dhurue asaj në shenjë respekti. E shfletova mbi nji baulë, ku ruente lloj-lloj sendesh (edhe librin në fjalë). Prej atij çast automatik shfletimi, e të painteresuem, ruej të kthjellët veç megjepsjen që provova para fletëve të zeza futë, ku ishin vendosë imazhe me cepa të thyem.

Nji trajtë fotografike kësisoj, e pakopsitun gjeometrikisht, m’u paraqit edhe vite ma vonë, kur u ndesha rishtas me nji album të arkivit në fjalë, i cili bante bashkë nji numër ma të madh autorësh: Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi, FKM, 2015. Edhe këtu pjesa dërrmuese e fotografive ishte faqosë në të zezë, por ishte ma e fikun se ajo e francezëve.

Më patën ba përshtypje katër fotografi të Shan Picit (1904-1976), të cilat e ndërprenin ritmin mbizotnues e imponent të katalogut me rituale solemne, me sfonde idilike e subjekte të shtangun. “Fotot e mia”, në atë çast, ishin veç disa produkte e qelqurina të shkrepuna në vitin 1929, pesë vite mbasi Shan Pici bashkë me vllaznit e tij, Tefën e Ndrekën, kishin hapë në Shkodër studion “Fotografija Pici” (nji studio që këtë vit do të kishte celebrue 100 vjetorin e themelimit të saj). (2)

Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shishe, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg.

Me nji shpejtësi tjetër – këtë herë ma cerebrale – ato produkte, përtej pasunisë së naltpërmendun, m’u rikrijuen si konglomerat i mistershëm, si “paraphernalia” që qarkullonin rretheqark asaj qendre ku rrezatonin aspirata përparimtare e marrëzi të përbotshme: siç e përkufizonte Baudelaire-i – “poeti lirik në erën e kapitalizmit të epërm” (3) – Parisin e kohës së vet.

Ma fort se para do sendesh kozmetike, pata pershtypjen se ishin flakonë me eliksir, porcione të mbështjellun me temjan e opium, me merkur e shishe “Absinti” që do të servireshin – ashtu siç e kërkonte zakoni ma i mirë i poetëve “maudit” – nën dorë.

Nji përfytyrim që fotografia vetë e kishte distilue me psikedelinë e saj kimike, me xhelatinën e thatë e krypën e argjendit mbi xham, të rrafshueme mbi fletë të albumit si “lule herbariumi”.

Në vitet 1920, në Shkodër, Vllaznit Pogu kishin ndërtue fabrika: voji, sapuni, duhani, e tregtonin edhe parfumet në fjalë. Fabrikat e tyne punonin me makineri të ardhuna prej Perendimit. Vite ma vonë, mbasi regjimi komunist u konsolidue, fabrikat iu mbyllën, pasunitë iu sekuestruen dhe Tefë Pogu u dënue me burg. Tregojnë – e këto janë dëshmitë e së bijës – se gjyqi iu ba në shpinë e tij.

Ndërkohë, në panoramën ndërkombëtare, falë zhdërvjelltësisë me të cilën përdorimi i imazhit ishte thurë me rekuizitat e një “marketingu” si të thuesh ante litteram, fotografia e reklamës kishte pasë rritje eksponenciale. Nëse në vitet 1920 kjo tipologji fotografike ishte përdorë në ma pak se 15 përqind të reklamave të ilustrueme në revistat e masës, në vitet 1930 përqindja kishte shkue thuejse në 80. Përgjatë atyne vite, estetika publicitare dhe efektet e saj, butësia e atmosferave glamour, sloganet hiperbolike etj., ndoqën, paralelisht, edhe zhvillimet e dizajnit industrial. (4)

Në kontekstin tonë historik këto premisa mbetën sporadike. Vorbulla e shtetizimit, ma tej, mori para çdo iniciativë (përfshi këtu edhe studiot e fotografëve qytetës), e i la mbrapa si tendenca të venituna. Potenciale që i ruejmë, në konkluzion, si gjurmët e mbrame të nji “krisalide mortore”: të nji larve që s’mbrriti me u ba kurrë flutur./Express/KultPlus.com

26 milionë euro për rikonstruktimin e Muzeut Kombëtar

Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar duhet të ishte bërë edhe më herët. Ish-drejtori, Melsi Labi në një intervistë për Euronews, tha se punimet mund të zgjasin më tepër se afati i vendosur nga vetë ministria dhe drejtoria.

Rikonstruksioni i Muzeut historik Kombëtar do të kushtojë 26 milionë Euro. Ndonëse për këtë ndërhyrje nevoja ishte imediate, shumë pikëpyetje fshihen pas vendimit për mbylljen e përkohshme të tij. Kështu u shpreh Melsi Labi, ish-drejtor i muzeut kombëtar për Euronews Albania.

Transferimi i objekteve, artefakteve dhe shumë sendeve që na përfaqësojnë ne si identitet, mund edhe të ketë pasoja si dëmtim apo dhe humbje për aq kohë sa deri më tani asnjë ekspert i etnografisë apo studiues i muzeve nuk është kontaktuar.

Projekti i ri i muzeut ka 6 variante por deri më tani ende nuk kemi një zyrtar nga drejtuesit apo vetë ministria ndonëse ndonëse paratë e rikontruksionit janë të taksapaguesve.

Nesër është dita e fundit kur një qytetar mund të vizitojë për herë të fundit Muzeun Historik Kombëtar me imazhin e 43 viteve që nga ndërtimi i tij. Pas marsit të 2028-ës mund të jetë i aksesueshëm, gjithmonë nëse puna ka përfunduar./euronews/KultPlus.com

38-vjetori i Muzeut Ikonografik ‘Onufri’, Pasku për ATSH-në: Mbi 76 mijë vizitorë vitin e kaluar

Para 38 vjetësh, më 27 shkurt të vitit 1986, do të hapej për publikun Muzeu i Ikonografisë “Onufri”.

Në vitin 1986 me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, u ekspozuan për publikun në këndvështrimin artistik e historik.

Drejtori i Qendrës Muzeore, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se, sot ky muze, i cili gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituara në Shqipëri dhe për vitin 2023 ka arritur shifrën rekord të 76 mijë vizitorëve.

Pasku shpjegoi se “Onufri” po ashtu vazhdon të ofrojë edhe programe edukimi për nxënës e studentë nga gjithë Shqipëria. Gjithashtu ai theksoi dhe faktin se prej disa vitesh në muze është funksional Laboratori i Restaurimit që tashmë restauron e konservon kryeveprat artistike që datojnë nga shek XIV – XX.

I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Asdrenit në Drenovë drejt rrënimit

Aleksandre Stavre Drenova i njohur me nofkën Asdreni, poeti, publicisti, autori i himnit shqiptar është i harruar në fshatin ku lindi në Drenovë të Korçës.

Muzeu i cili mban emrin e tij në qendër të fshatit nuk funksionon si i tillë, këtu brenda nuk ka asnjë material të Asdrenit, nuk ka asnjë ciceron, dera është e mbyllur e si për ironi mungon dhe energjia elektrike, shkruan euronews.al.

Në ndërtesën e cila duhet të funksiononte si muze për Asdrenin, sot nuk mund të gjesh asgjë, përveç disa fotografive të rilindësve kombëtare.

Njëri nga banorët e fshatit tregon i revoltuar se në Drenovë nuk ka asnjë muze, pasi ndërtesa vetëm emrin ka të tillë.

“Nuk ka muze këtu ore, emri është muze. Muzeu duhet të ketë materiale, pas ‘90 ikën materialet, muzeu i Asdrenit është kot. Materialet u prishën, kot ja kanë vënë emrin muze. Po që të vijnë njerëzit, duhet të ketë materiale. Çfarë të shohin njerëzit këtu? Brenda këtu nuk ka asgjë”, thotë një banor i Drenovës.

Edhe kryeplaku i fshatit Drenovë, Kici Nasi pranon që ky muze është lënë në harresë.

“Muzeu ka emrin Asdreni se asnjë gjë nuk ka nga periudha e Asdrenit. Është për të ardhur keq, në Drenovë nuk ka një muze të tillë. Ka qenë më 4 dhoma, e bënë komune dhe gjithë materialet, u bë krim, i hodhën në lum, i morën fshataret e i ruajnë në shtëpitë e tyre. Njerëz vijnë nga brenda e jashtë, por na vjen keq kur i sjellim, çfarë t’u tregojmë? Edhe sheshi quhet Asdreni, edhe busti nuk është ndonjë bust, këtu kemi ministri kulturash pa kultura, se kanë lënë Asdrenin pas dore”, shprehet Nasi.

Rikonstruksioni i muzeut Asdreni, bustit dhe sheshit në qendër të fshatit Drenovë janë premtime disa vjeçare të bashkisë Korçë, premtime që ngelen ende të tilla, pasi ende asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë./euronews.al/KultPlus.com

Arti revolucionar pop zbarkon në Muzeun Guggenheim të Bilbaos

Muzeu Guggenheim në Bilbao, Spanjë, ka inauguruar ekspozitën e tij të re kushtuar artit pop, lëvizjes së lindur në Angli në fund të viteve 1950, e cila goditi ShBA-në në vitet 1960 dhe revolucionarizoi thellësisht botën e artit.

Ekspozita e titulluar “Shenjat dhe objektet. Pop Art nga Koleksioni Guggenheim”, përmban vepra nga zotërimet e Muzeut Solomon R. Guggenheim në Nju Jork.

“Pop arti karakterizohet me të vërtetë nga përdorimi i tij i mediave masive dhe imazheve vizuale të kulturës popullore, vizatimeve dhe tabelave, reklamave në gazeta,” tha Lauren Hinkson, kuratore e Muzeut Solomon R. Guggenheim në Nju Jork./euronews/KultPlus.com

Në Muzeun e Krujës publikohet fotoja e veçantë e komandantit Adem Jashari

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës ndau një foto të veçantë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik të Krujës, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në vitin 1992 Adem Jashari me shokët e tij vizituan Muzeun Muzeu Historik dhe Etnografik të Krujës. Ata kanë fiksuar në një fotografi këtë moment të veçantë”.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj. Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, mbi 4500 vizitorë në janar të këtij viti

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, gjatë muajit janar të këtij viti u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.

“Nga data 1-31 janar Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 4527 vizitorë në total, 187 % më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2023, me 1578 vizitorë në total”, bëri të ditur MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.

Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./ atsh/ KultPlus.com

Muzeu Olimpik i Pekinit rihapet për publikun pas rinovimeve

Pasi u mbyll për rinovime që zgjatën më shumë se dy vjet, Muzeu Olimpik i Pekinit u rihap për publikun të shtunën për të shënuar përvjetorin e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

E vendosur në jug të Stadiumit Kombëtar të njohur si “Foleja e Zogjve”, ky muze, i themeluar në vitin 2009, tani mbulon një sipërfaqe totale prej 26 mijë metrash katrorë. Përmes më shumë se një mijë ekspozitave, muzeu demonstron trashëgiminë e Pekinit si një qytet olimpik i dyfishtë, shkruan Xinhua, transmeton Klankosova.tv.

Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, shprehu urimet e tij më të mira për popullin kinez për Festivalin e ardhshëm të Pranverës dhe vuri në dukje përmes video-lidhjes, “Të gjithë njerëzit kinezë mund të ndihen shumë krenarë për faktin se kur Pekini u bë qyteti i parë në botë për të pritur të dyja edicionet verore dhe dimërore të Lojërave Olimpike, ju po shkruanit një histori të madhe olimpike”.

“Muzeu i ri dhe i përmirësuar Olimpik i Pekinit është një shembull i ndritshëm i një trashëgimie të gjallë dhe do të vazhdojë të frymëzojë çdo vizitor me vlerat olimpike të përjetshme”, tha Bach./KlanKosova/KultPlus.com

Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë

Ambasada e Francës në Kosovë, njofton se Muzeu i Luvrit mbetet muzeu më i vizituar në botë, me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023.

Në një njoftim në Facebook, kjo ambasadë thotë se shpreson se muzetë e Francës këtë vit do të vizitohen nga një numër edhe më i madh vizitorësh.

“Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë!  Me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023, +14% më shumë krahasuar me vitin 2022. Muzetë tjerë francezë nuk janë lënë anash, pasiqë Musée d’Orsay theu një rekord historik me 5.1 milionë vizitorë më 2023. Shpresojmë të shohim një numër më të madh vizitorësh në muzetë e Francës këtë vit!”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë. /rtk/KultPlus.com