Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.

Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.

KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:

Salvatore Quasimodo – Letër Nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

Përktheu: Beti Njuma / KultPlus.com

Photo by Keystone/Getty Images

Kryeministri Kurti: Panairi i librit kësaj here ravijëzon krijimtarinë letrare shqiptare

Janë gjithsej 25 vite të panairit të librit në Prishtinë, pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, 150 vjetorin e lindjes së Faik Konicës, 200 vjetorin e lindjes së Pashko Vasës dhe 400 vjetorin e lindjes së Pjetër Bogdanit.

Kryeministri Kurti ka shkruar se panairi i librit në këtë vit, ravijëzon krijimtarinë letrare shqiptare dhe përvojat më të hershme dhe më të bukura të njeriut: marrëdhënien me librin.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Numri i titujve të rinj është rreth 2000, derisa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 6000, e këtë vit vijnë nga rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, na përkujton se krijimtaria dhe fuqia e mendimit të artikuluar në faqet e një libri, prek horizonte e thellësi të reja ndjenje e ndjeshmërie, dije e vetëdije të cilat inteligjenca artificiale mundet vetëm t’i lakmojë.

Libri është mjeti kryesor i një shoqërie të hapur, për një mendje të hapur. Sepse libri të sjell lirinë shpirtërore dhe atë mendore.

Tituj ka shumë, që nga Rilindasit tanë deri te botimet më të fundit e aktuale, e dëshiroj dhe ftoj sa më shumë të rinj e të reja që t’i shfletojnë dhe shfrytëzojnë. Kohë ka edhe sot, edhe ditën e nesërme./ KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Shtëpia e bukurosheve të fjetura’

Fragment nga Jasunari Kavabata

Përktheu Lili Bare

Atë e priti një grua. Ajo i tha se duhej t’i zbatonte deri më një rregullat e kësaj shtëpie, si gjithë klientët e tjerë, se me vajzat duhej të tregohej i kujdesshëm dhe të mos i shkelte caqet e caktuara, me ndonjë shaka a lëvizje të tepruar.

Vështirë ta quaje hotel atë shtëpi. Dhoma e katit të dytë, ku e shpunë Egutin ishte tetë tatami e madhe. Aty qenë edhe dy dhoma të tjera. Kati i poshtërn ishte edhe më i vogël, pa një sallon pritjeje. Një shtëpi e mistershme. Eguti s’pa njeri tjetër, përveç gruas. Po ajo ç’ishte shërbyese, apo zonjë shtëpie? Nuk e mori dot vesh… Edhe pse klientëve nuk u lejohej të bënin pyetje. Shtatimët, ajo, rrëfente nja dyzetepesë vjeçe. Fliste me një zë rinor, që po t’ia donte puna, mund të tingëllonte edhe i qetë edhe dashamirës. Me ca buzë të holla që i lëviznin çast për çast, edhe pa e këqyrur bashkëfolësin në fytyrë, edhe pa shqiptuar një fjalë. Me sytë e saj të zinj dhe me tërë pamjen e saj s’di se pse të ngjallte një ndjenjë besimi e sigurie. Mysafirin ajo e sajdisi me një çaj të gjelbër e të shiishëm, nga një çajnik, që ziente mbi hibatin e dhomës. Të matura dhe gjithë elegancë, qenë gjestet e saj. Mbi tokonoman e dhomës varej një riprodhim pikture-pasqyrë e një visi të ngrohtë malor, plot me gjethe të kuqërreme panje, punim i piktorit Kavai Gëkudo. Aty s’të mendohej se mund të të përgjonte ndonjë grackë e frikshme. Pas një mpirjeje, Egudit i vajti gjaku në vend.

– Edhe diçka tjetër, mos u orvatni ta zgjoni vajzën, s’ka për t’i dalë gjumi, sido që të bëni. Gjer të nesërmen në mëngjes, ajo, do të dergjet si e vdekur, pa e njohur partnerin e saj të natës… Gjithsesi, mos u shqetësoni për asgjë, – vijoi gruaja.

Eguti e dëgjoi si një nxënës i bindur. Vajzën e kemi të bukur. Këtu pranojmë vetëm vizitorë të besuar. – Eguti vështroi orën me njëfarë bezdie.

– E sa është?

– Njëmbëdhjetë pa një çerek.

– Po çohem. Tërë pleqtë bien herët dhe po herët zgjohen. Ju bëni si të doni…

Gruaja çeli me dry derën e dhomës fqinjë. Si mëngjarashe që ishte, ajo punonte vetëm me dorën e majtë. Eguti nuk ia hiqte sytë, frymë pezull. Tërë dhomën ai e përfshiu me një vështrim. Në këtë e sipër, ndali shikimin mbi shpinën e gruas, mbi një alamet shpendi të rrallë, vizatuar në obin e saj, me ca sy e kthetra si të gjalla, e mu si të fotografuara. U trondit paksa, jo se shpendi i la ndonjë mbresë të hidhur, po sepse në atë qëndismë të pagoditur, me atë vizatim të stilizuar në atë cohë të verdhë, ai, sikur mishëronte gjithë ftohtësinë e asaj gruaje. Në dhomën ngjitur zotëronte gjysmerrësira. Gjithë po me atë shprehje fytyre e gjithë po me atë timbër zëri, ajo u hodh e foli:

– Për çdo çast pagjumësie, hapet i keni nën jastëk. Natën e mirë, – dhe drynin, e la mbi tryezë, mu para hundës së Egutit.

– A ju ndodhet verë Evrope? – pyeti ai.

– S’mbajmë pije alkoolike, – u gjegj ajo.

– Po vajza aty është?

– Po ju pret, siç mund të presin vetëm bukuroshet e fjetura.

– Ashtu? – Eguti u habit pak a shumë.

Iu kujtuan fjalët e një të panjohuri: s’ka burrë nëne, t’u prishë gjumin këtyre bukurosheve të fjetura. Atëherë nuk e besoi.

– A dëshironi të rivisheni? – Gruaja i dha të kuptonte se ishte gati ta ndihmonte. Eguti heshti:

– A e dëgjon uturimën e valëve? Dhe të erës…

– Uturimën e valëve? -Natën e mirë, – përsëdyti gruaja e doli.

Eguti mbeti vetëm. Brodhi edhe njëherë vështrimin nëpër atë dhomë më se të zakonshme. Mandej shtyu derën ngjitur. Një derë druri pothuaj një metër e gjatë. Ndoshta e kishin vendosur më vonë, pas përfundimit të shtëpisë. I dha karar se edhe murin ndarës po më vonë duhej ta kishin stisur gjithë me qëllimin për t’i bërë sa më të mistershme këto kthina “Bukuroshesh të fjetura”. Tërë faqet e murit me të njëjtën ngjyrë ishin, veçse çatmaja ngjante disi më e re.

Eguti mori drynin që ia la gruaja. Një dry i thjeshtë. Ngurronte t’i hynte bukuroshes së fjetur. Dëgjohej shkoqur vrungullima e valëve të detit. Ulërima e erës paralajmëronte një dimër të shpejtë. Përse ajo shtëpizë i ngjalli Egutit plak ndjesinë e pragut të dimrit, kur në dhomë s’bënte ftohtë? Apo mos vallë fajin ia kishte gjendja shpirtërore?

Mandej, aty, edhe klima qe e ngrohtë. Eguti sosi aty mbrëmanet vonë, ndaj edhe nuk mundi ta sodiste peizazhin anë e përqark. Po aroma e detit i gudulisi hundët, ama. Shtëpizën e qarkonin ca panja e pisha të një goxha kopshti. Në. sfondin e një qielli murgash, ravijëzoheshin qartë halat e pishave. Zakonisht, këto lloj godinash përdornin zotërinjtë, si vila jashtë qytetit.

Me drynin në dorë, Eguti ndezi një cigare, e thithi nja dy herë, e sakaq e shoi në taketuke: ndezi një tjetër, të cilën e tymosi deri në fund. Ç’ishte vallë, ajo drojë që po e gozhdonte? S’donte të përqeshte shpirtin e vet, që në ato çaste po i tkurrej. Si rregull, ai pat rrëkëllyer nja dy gllënjka uiski, për të humbur në një gjumë plot ëndrra të papëlqyeshme.

I vinin ndërmend shpesh vargjet e një poeteshe të re, vdekur herët nga kanceri: “Në pagjumësinë e netëve më vizitojnë ca qenë zijoshë të ngordhur, si edhe ca zhaba të ndyta” dhe, sakaq, s’di sepse e krahasoi vajzën e vënë në gjumë, me një qenie të cofur.

Ç’ilaç i kishin dhënë vallë? Vajza e harruar në një gjumë të panatyrshëm dhe letargjik edhe lëkurën e trupit duhej ta kishte të përhimët, edhe sytë – me qemerë të zinj edhe kurrizin brinjëdalë e të dobësuar, mu si ato narkomanet e njëmendta. Përse gërthiste, ashtu, nëpër dhëmbë, me ca mollëza të zhveshura, beter të shëmtuara? Nuk është se gjatë jetës së tij ai s’kishte pasur të bënte me femra antipatike.

Dhe çudia është se pikërisht këto femra nuk u harrokan kollaj. Dhe këtu nuk është fjala për pamjen e jashtme të kësaj apo asaj, po te përshtypjet, që kjo apo ajo lë pas vetes. Dhe ca më tepër, tani në pleqëri ai s’do të donte ta gdhinte natën me ndonjë vajzë të pakëndshme. Ky mendim i vetoi në kokë bash në grimën e mbrame. A mund të ketë, vallë, gjë më të neveritshme në këtë botë, se sa një plak, që mendon t’i mbushë orët e natës me një vajzë të fjetur? Mos vallë ai, edhe ndaj kishte ardhur aty, për të zbuluar cakun e kësaj ndyrësie?

Gruaja i foli për ca të besuar, pra gjithë ata që vinin në këtë shtëpi, qenë të “besueshëm”. Edhe ai plaku që rrëfeu Egutit për misteret e kësaj godine po në këtë sërë hynte, pra në kategorinë e pleqve që s’bëheshin dot më burra. Domethënë, se edhe Egutin e kishte pllakosur lëngata e impotencës së pleqërisë.

E mësuar me këtë kallëp pleqsh, gruaja ndaj nuk i shfaqi një shenjë respekti dhe asnjë shpjegim nuk i kërkoi. Por e vërteta është se Eguti nuk ishte kaq i “besuar”, se kur e kur, ai, edhe diç mund të qulloste, çka varej nga humori, rrethanat dhe partnerja…

Gjithsesi, ai e ndiente se impotenca e pashmangshme pleqërisë po e kërcënonte për ditë e më tepër, se mjerimi i vizitorëve të përhershëm të kësaj shtëpie ishte dhe e nesërmja e tij. Ndaj edhe e kishte ndarë, t’i zbatonte deri në një rregullat e kësaj shtëpie. Atë mund ta konsideroje edhe një klub të fshehtë nate, me ca pak anëtarë. Eguti s’kishte ardhur aty për të demaskuar mëkatet e këtij klubi a për të thyer disiplinën e tij. Nuk ishte edhe fort kureshtar — një simptomë tjetër kjo e ngurtësisë së pleqërisë.

Tek u çua, dorëmbështetur mbi tryezë, iu kujtuan fjalët e gruas “Disa mysafirë na thonë se këtu shohin ëndrra të bukura, të tjerë – se u ndërmenden vitet e rinisë”.

– Ou! – i shpëtoi Egutit, tek u përball me perdet e allta prej kadifeje. Ndriçimi i mekët i ndizte edhe më fort ato perde e të dukej sikur një vilar i hollë drite davaritej syresh. Egutit iu bë se hyri në një botë fantastike. Perdet mbulonin të katër muret e dhomës. Madje edhe derën.

Eguti këqyri vajzën e fjetur. Edhe pse me një frymëmarrje të qetë e të thellë, ajo, prapë, nuk ngjante e fjetur. Një bukuri befasuese vashërore. Eguti u çmerit – dukej fare e njomë, rreth të njëzetave. Flinte mëkrahëzaj, kurmmbuluar. Në kraharorin e Egutit sikur rrahu edhe një zemër tjetër. Pëllëmba e saj e djathtë prehej mbi jastëk, e majta nën kuvertë. Me faqen e saj, ajo kishte zënë vetëm gjysmën e gishtit të madh. Kishte një dorë të bardhë e të butë, me ca gishta të praruar e si të përthyer.

– A do zgjohesh? – pyeti plaku, me dëshirën për t’i prekur dorën, të cilën ia mori dhe e tundi lehtë – lehtë. I soditi për disa çaste fytyrën, vrau mendjen të kuptonte se ç’përfaqësonte, vallë, ajo në jetë. Ishte një vajzë me vetulla të pahequra, me qerpikë të gjatë e të dendur dhe me një aromë të ëndshme flokësh.

Pas pak, dëgjoi sërish shungullimën e dallgëve të detit. I magjepsur, kuturisi të zhvishej dhe vetëm tani e pikasi, se drita e dhomës binte nga tavani; ngriti kokën dhe pa dy llamba elektrike mërtisur me letër japoneze. Ndoshta falë atij dritësimi të ëmbël, kadifeja e allit zjarrmonte aq marrëzisht. Po jo, de jo. Perdet në këtë mes, s’kishin të bënin fare. Atë ngjyrë fytyre, ajo e kishte dhuratë perëndie. Zakonisht, ai flinte në errësirë, ndaj u mat ta fikte dritën, po s’po e shihte gjëkundi çelësin elektrik. Aty i tërhoqi vëmendjen kuverta pushatake e krevatit, me cilësinë e saj të mirë.

Edhe pse e dinte se vajza s’do të zgjohej, ai prapë u fut në kuvertë, me drojën se mos i prishte gjumin. Por ajo, as gjinjtë nuk mbuloi e as këmbët nuk i largoi. Në kësi rastesh, grave u del gjumi menjëherë, në çdo orë të ditës apo të natës. Po ky ishte tjetër gjumë. Tek u shtri, Eguti u mundua të mos i cikte kurrizin. Gjunjët e saj kryq, e bindën Egutin se ajo nuk ishte në pozicion mbrojtës. Dora e vajzës ra në jastëk, sapo Eguti ia lëshoi. E kur ai tërhoqi kah vetja jastëkun, po ajo dorë shkau mbi kuvertë.

Bërrylmbështetur, ai vërejti dorën e saj dhe mërmëriti: “Qenka krejt si e gjallë”. Që ajo nuk ishte e vdekur, ai e dinte, po me këto fjalë, që s’di pse patën ashtu një kumbim zindjellës, ai shprehu adhurimin e tij të thellë ndaj asaj krijese. Kjo vajzë e vënë në gjumë, për të cilën nocioni kohë nuk ekzistonte më, ç’qe zhytur, vallë, në një humnerë të ngjashme me vdekjen? Ajo s’mund të ishte një kufomë, por e kishin shndërruar në një lodër, vetëm e vetëm, që të mos i bënte me turp pleqtë impotentë. Madje mund të thuhet se ajo ishte vetë jeta për këta lloj pleqsh. Ishte një jetë, të cilën ata mund ta shijonin paqësisht. Për Egutin, me atë hipermetropinë e tij pleqërore, ajo dorë, aty fare pranë, ishte sa e dashur, aq edhe e hijshme. Edhe lëkurën nuk ia shihte dot me syze, por me të prekur e mori me mend se e kishte të lëmuar. Sikurse majat e gishtave të dorës, dhe bulëzën e veshit ia përshkonte tej për tej një ngrohtësi e trëndafiltë. Ajo bulëzë trëndafili, që mëtohej përmes flokëve dhe ajo freski vashërore, e mallëngjyen gjer në dhimbje Egutin plak. Ishte për herë të parë në atë shtëpi të mistershme, po sakaq, e nuhati se të moshuarit impotentë, aty përjetonin gëzime dhe hidhërime, ku e ku, më të fuqishme.

Ishte një vajzë flokëgjatë. Mbase ndaj dhe nuk i kishte prerë, që klientët – pleq të luanin me flokët e saj. Eguti mbështeti kryet mbi jastëk dhe nisi t’i shpupuriste flokët, gjersa i zbuloi veshin, mes një lëkure të bardhë. Qafa dhe supet e saj, pa atë rrumbullakësinë e lezetshme të një femre të pjekur, flisnin për një pafajësi të padiskutueshme. Eguti këqyri andej-këtej. Pa vetëm rrobat e tij, në një kanistër të veçantë, të vajzës nuk ia zuri syri se i kishte marrë ajo gruaja, apo kishte hyrë në dhomë pisk e lakuriq? Një pandehmë që e rrënqethi Egutin. I mbuloi me kuvertë shpatullat, mbylli sytë dhe, befas, në aromën e vajzës ai ndjeu, sakaq, mirëzën e një fëmije gjiri. Dhe kjo amëz ishte më e ëmbël dhe më e fortë se erëmimi i vet vajzës.

– E pamundur!… S’donte ta besonte, se dikur kjo vajzë mund të kishte lindur fëmijë dhe ta kishte mëkuar me qumështin e gjirit. I këqyri ballin, faqet, mjekrën dhe tërë lakesën çupërore të gushës së saj. Dhe nuk u përmbajt, pa i zbuluar gjoksin dhe shpatullat. Jo, jo ata gjinjtë e saj të gurtë s’kishin parë kurrë buzë fëmije. Mos vallë, ky s’qe veçse një halucinacion i vetëtimtë? Apo mos ajo aromë buronte nga ndonjë plagë në zemrën e tij të zbrazët?

Ballë për ballë arsyetimesh të tilla, Eguti u tret në ca mendime brengësjellëse mbi vetminë. E rrëmbeu një ligështi sfilitëse – bashkëudhëtare e pashmangshme e pleqërisë që po e mësynte. Mandej e pushtoi një dhembshuri e përdëllim ndaj kësaj vajze, tërë ngrohtësi rinore. Dhe aty e pas pak, Egutit iu bë se në atë kurm vajze jehuan ca tinguj muzike që ia hoqën atë vetëdije të fortë faji, që po e torturonte. Një muzikë tërë afshe dashurie.

Eguti kundroi tërë muret e dhomës, me synimin për t’ia mbathur, veç s’po e fiksonte dot derën nën perden e kadifenjtë, që nën dritën e tavanit ngjante e hollë dhe e palëvizshme. Ajo perde sikur kishte kyçur aty brenda jo vetëm vajzën e fjetur, por edhe plakun.

– Hë do të zgjohesh apo jo? Eguti e preku vajzën nga supet dhe e shkundi, mandej i ngriti paksa kryet. – Hë, do të zgjohesh apo jo?

Dalldisi të përleshej me vajzën e fjetur. S’mund të pajtohej më me gjumin e saj, me memecërinë e saj, me shurdhërinë e saj dhe me faktin se ajo s’po e merrte vesh, që pranë saj, në ato çaste ndodhej një njeri me emrin Eguti. Asnjë grimcë e qenies së tij s’po depërtonte dot në zemrën e saj. Ajo s’po zgjohej. Plaku ndieu mbi dorën e tij rëndesën e kokës së vajzës së fjetur. Vetëm një dridhje e lehtë vetulle dëshmoi për frymëmarrjen e saj. Eguti nuk e ngau me dorë. Sikur vajzës t’i dilte gjumi, do të sqarohej edhe e fshehta e asaj shtëpie, ku, siç i pat thënë në mirëbesim plaku Kiga, ngjante si “enigmatiku Buda”.

Një femër e gremisur honeve të një gjumi plumb të rëndë, për pleqtë e “besuar” nuk ishte veçse një karrem tundimi, rreziku a kënaqësie, të cilit ata mund t’i afroheshin pa u frikësuar. Plaku Kiga i pat thënë, se ai dhe moshatarët e tij vetëm atëherë ndiejnë të rrahura zemre, kur gjenden pranë një vajze të fjetur. Kur ishte një ditë te Eguti për vizitë, Kiga seç ajgëtoi diçka të kuqe mbi një shtresë myshku të përtharë vjeshte dhe pyeti: “Po ajo atje, ç’është”? – dhe, sakaq, shkoi të shikonte. Qenë ca kokrra të rëna aoke. Kiga mori njërin syresh dhe e vërtiti gishtave të dorës, duke treguar historinë e shtëpisë së mistershme. Mes të tjerash, ai, tha se atje përplasej, kur nuk e donte më dëshpërimin e pleqërisë. “Prej kohësh më kanë zhgënjyer gratë. Me lloj-lloj marifetesh, tani femrat vidhisen në  një gjumë kaq të thellë sa nuk i zgjon dot edhe sikur të kapësh qiellin me dorë”.

Mos vallë këto vajzat e fjetura, këto vuve, qenë bashkëbiseduese më të mira për ata pleq, që nuk u bënin dot gjë grave të zakonshme?

Eguti sot po shikonte tamam një vajzë të tillë. Afërmendsh, asaj, në këtë e sipër, disa pleq i kishin qarë me ngashërim fatin e tyre, të tjerë, i kishin ledhatuar trupin dhe, në të gjitha rastet, vajza kishte qenë memece dhe shurdhe. Me zellin më të madh, si të kishte të bënte me një send të brishtë, Eguti tërhoqi dorën që poshtë kokës së saj, gjithë me ëndjen për ta zgjuar, me çdo kusht. Ajo u kthye me fytyrë kah tavani. Eguti u praps, në një pritje se mos zgjohej. Vajza shpuri dorën e majtë te goja. Mos vallë flinte me gishtin në gojë? Por ajo vetëm sa preku buzët dhe e uli sërish dorën. Paskëtaj, çeli buzët, aq sa i dolën dhëmbët e bardhë. Nisi të gulçonte. “Mos i dhemb ndonjë pjesë e trupit, u shqetësua Eguti. – Jo, nuk e besoj”. – Buzët ia përshkoi një drithërimë, si një buzëqeshje. Gjëmimi i dallgëve shtohej e shtohej. Ajo zhurmë deti e nxiti Egutin të përfytyronte vistrën e gjatë të shkëmbinjve, nën bregun e thiktë. Uji hovte mes tyre, për t’u kthyer mbrapsht, me ca pak vonesë.

Tani që vajza dihaste me gojë, Eguti u bind se fryma e saj s’vinte erë qumësht gjiri. Atëherë, përse e kishte ngatërruar aromën e saj me erëmimin e qumështit të gjirit? Për arsyen e thjeshtë: ai kishte parë tek ajo vajzë mishërimin e përsosmërisë femërore…

Nipat e Egutit që prej kohësh s’kundërmonin më qumësht gjiri. Tri vajzat e martuara e kishin bërë me nipër. Dikur, edhe të bijat i kishte mbajtur hopa. Nuk i dilnin nga mendja këto çaste. Mos vallë brerja e ndërgjegjjes e shtrëngoi të kujtonte amëzën qumështore të vogëlushëve të dashur? Jo, me siguri, ky qe një kujtim zemre, mbushur tërë përdëllim ndai vajzës së fjetur. Erguti u tendos në shpinë dhe mbylli  sytë. Më mirë të kishte marrë një nga ato hapet e nënjastëkut, që padyshim qenë, ku e ku, më të buta se ilaçi që i kishin dhënë vajzës.

Pra, ai do të zgjohej para saj. Përndryshe, tërë misteri e magjia e kësaj shtëpie do të davariteshin, njëherë e përgjithmonë. Mori nga nënjastëku dy hapet e bardha, mbështjellë me letër. Po të gëlltiste njërën, do ta zinte një dremkë dehëse, të dyja – do ta përpinte një gjumë i thellë vdekjeje. Duke vështruar tabletat, erdhën ndërmend dy raste nga jeta e tij, që në një mënyrë a në një tjetër lidheshin me qumështin e gjirit.

Njëri ishte i hidhur, tjetri-çmendurak.

– Po kjo ç’është, aromë qumështi apo fëmije? – Tek paloste petkat e hedhura të Egutit, ajo u prish në fytyrë dhe, e pezmatuar këqyri Egutin: – Para se të dilje nga shtëpia ke mbajtur hopa çupën tënde, apo s’është kështu? – pyeti ajo me duart që i fërgëllonin.

– Tmerr, tmerr! – Ajo u çua dhe i flaku tej veshjet e Egutit. -Tmerr. Eglendiset me fëmijën e tij dhe mandej më vjen këtu. –

Fytyrështrembëruar prej një grimase zernërimi, ajo vikaste me sa fuqi kishte. Atë femër të hijshme Eguti e njihte që prej vitesh. Ajo e dinte se ai ishte baba fëmijësh, po ninëza e foshnjës së gjirit i shkaktonte një krupë të padurueshme dhe një xhelozi therëse. Që prej asaj dite ata nuk u panë më me shoshoqin.

Hejshën e acaronte erëmimi i çupës së vogël të Egutit, fare kërthi atëherë. Para se të martohej, ai kishte patur marrëdhënie me një vajzë tjetër, prindërit e së cilës nuk e honepsnin dot. Takimet e tyre të rralla, zakonisht përfundonin në grindje e shamatë. Një ditë tek u shkëput nga përqafimi i saj, Eguti shqoi në gjirin e të dashurës, m’u afër thimthave, ca njolla gjaku. U tremb po nuk e dha veten, e pushtoi sërish më me afsh akoma, për t’i thithur pikat e kuqe. E trullosur ledhatimesh, vajza nuk e vuri re këtë gjë. Pas fashitjes së pasioneve, Eguti i tregoi, po doli se ajo s’kishte ndier asnjë dhimbje.

Një çudi për t’u çuditur! Përse iu ndërmendën tani këto dy raste të largëta? Mos vallë ato kujtime të paharruara i sollën aty, para vashës së fjetur, aromën e qumështit të gjirit?

Shpeshherë thonë: “Kjo ka ndodhur vite e vite të shkuara”, veçse lipset të kemi parasysh se kujtimet janë pjesë përbërëse e jetës sonë, pavarësisht se kur ndodhin: sot apo mot. Një kujtim i gjashtëdhjetë viteve të kaluara mund të ruhet më i freskët e më i gjallë se një tjetër, i djeshëm apo i pardjeshëm dhe sa më tepër plaket njeriu, aq më dendur ndodh kështu. A nuk është e vërtetë vallë se vitet e fëmijërisë brumosin karakterin e njeriut dhe përcaktojnë deri diku edhe të ardhmen e tij? Kujtimin e atyre pikave të gjakut, ai e ruajti për tërë jetën, si një dhuratë të asaj vajze; jo njëherë e dy, ai kujtim i pat shërbyer si një gurrë e pashtershme energjie.

Në ato çaste Egutit iu fanit edhe e shoqja e një drejtori të një firme të madhe, një mesogrua e mençme, me lidhje të gjera. Iu kujtua tirada e saj e zjarrtë:

– Mbyll sytë para gjumit dhe rrekem të numëroj burrat, që s’më kanë bezdisur me të puthurat e tyre. I numëroj me gishtat e dorës. Po të më dalin më pak se dhjetë, brengosem dhe ndihem i vetmuar. – Ia tha këto fjalë tek kërcenin nën tingujt e një valsi. Papritmas, Eguti i liroi dorën dhe e pyeti nëse përfshihej edhe ai në këtë dhjetëshe.

– Unë s’bëj veçse një numërim, – u përgjigj ajo moskokëçarëse. – Jeni ende djalë i ri dhe po t’u kaploj vetmia në shtratin bashkëshortor, përqafoni gruan. Sidoqoftë, provojeni njëherë. Hera-herës, kjo mua më shërben si ilaç i mirë.

Zëri i saj tingëlloi i ftohtë dhe Eguti nuk ia zgjati. Gruaja kishte thënë: “unë s’bëj veçse një numërim”, por ai dyshoi se mos, në këtë e sipër, ajo vizatonte në imagjinatën e saj fytyra e trupa meshkujsh, si edhe gjithfarë skenash erotike. Dhe, sakaq, atij hopi ai ndjeu forcën epshndjellëse të parfumit të asaj femre, që e kishte lënë pas pranverën e moshës. Vetëm ajo e dinte nëse i përhihej Eguti para gjumit, ai as mund ta pengonte e as mund t’i shprehte pakënaqësinë. Por ama, nuk iu duk e drejtë, që, pa dijeninë e tij, ai të shërbente si një mjet zbavitës për një mesogrua. Sidoqoftë, e vërteta është se edhe sot e kësaj dite nuk i dilnin mendje fjalët e saj. Më pastaj, ai, i dha karar se gjithë atë mesele, ajo e kishte trilluar thjesht për ta ngacmuar e koketuar me Egutin, asohere ende nje djalë i ri dhe, akoma më vonë, në kujtesë i mbeti vetëm triada e saj. Tanimë ajo kishte vdekur dhe Eguti nuk e vinte më në pikëpyetje shprehjen e saj. Një grua e urtë para se t’i linte lamtumirën kësaj bote, numëronte të puthurat e qindra meshkujve. Me afrimin e pleqërisë, nëpër netë pagjumësie, Egutit i ndërmendeshin, kur e kur, fjalët e saj dhe me gishtat e dorës, ai njihte jo vetëm femrat që do t’i kishte puthur me dëshirë, por edhe ato, me të cilat kishte patur marrëdhënie të ngushta. Dhe kësaj nate aroma qumështore e bukuroshes së fjetur i rikujtoi shëmbëlltyrën e një dashurie vitesh e vitesh të perënduara. Apo mos kishte ndodhur e kundërta – ato pika gjaku mbi gjoksin e të dashurës, i sollën aromën që i mungonte vajzës së fjetur? Pranë bukurosheve të fjetura pleqtë gjenin ngushëllimin e trishto, tek përmendeshin mikeshat e dikurshme, që kishin ikur, për të mos u kthyer më kurrë. Në shpirtin e Egutit vërshoi një valë e ngrohtë paqeje, përzier me një brengë vetmie. Çiku me majat e gishtave gjinjtë e vajzës, për t’u bindur në ishin a jo të flashkët. Nuk iu shpif mendimi i marrë t’ia gjakoste, gjer në atë farë feje, sa vajza të tromaksej, kur të zgjohej të nesërmen në mëngjes.

Te bukura i kishte sisët ajo vajzë. Si mund të shpjegohej fakti, arsyetoi Eguti, që në tërë evolucionin e gjatë të qenieve të gjalla, vetëm përfaqësueset e racës njerëzore mundet të kenë një trajtë kaq të shkëlqyer gjiri? Dhe a nuk ishte historia e gjirit të femrës arritja më e madhe e historisë njerëzore?

Po kështu edhe buzët e saj. Eguti rikujtoi ca gra të lyera e të përlyera; pa të kuq buzësh, disa syresh ngjanin të zbehta, të drobitura e të venitura. Nën dritën e mekët të tavanit dhe nën reflekset e perdeve të kadifenjta, nuk e përcaktoje dot nëse vajza që kishte pranë lyhej, por vetëm një gjë ai nuk e diskutonte: qerpikët e saj nuk e njihnin kozmetikën. Siç duket, ajo ende nuk i njihte marifetet e freskimit të gojës me lloj-lloj lëndësh aromatike, ndaj Eguti ndjeu vetëm erën e frymëmarrjes së saj. Nuk i pëlqenin thithmat e mëdha dhe të errëta, por shyqyr zoti, vajza ato i kish të vogla e me një trëndafil të çelur. Shtrirë me kurriz, siç ishte, ai edhe mund të prekte vajzën. Nuk ishte nga ato, që s’të tërhiqte për ta puthur. Nëse Eguti po shkrihej aty kënaqësie, ç’mund të thuhej për pleqtë e rrëgjuar, që s’kursenin as qimet e kokës dhe merrnin në sy çdo rrezik, vetëm e vetëm që të shijonin hiret e bukurosheve të fjetura? Ka edhe pleq neqezë, mërmëriti Eguti. Po në jetën e përditshme vajza po këtë fytyrë kishte? Apo ishte e shëmtuar dhe e shpëlarë? I ndërpreu hamendjet për shkak se vajza e fjetur po e ngashënjente çdo çast e më tepër. A nuk ndryshonte, sadopak, Eguti nga pleqtë e tjerë edhe për faktin se ai ende dinte të sillej demësisht, siç  kishte hije një burri të vërtetë? Klientët e përhershëm e kishin të domosdoshme që vajza të flinte gjithë natën e natës, si e vdekur. Kurse Eguti plak u orvat nja dy-tre herë ta zgjonte, me lezet. Donte me çdo kusht që ajo të përmendej, paçka se as vet nuk e dinte se ç’do të bënte sikur vajza të zgjohej. A mos tërë këtë përçapje e bënte për shkak të një ndjenje frike e zbrazëtie që po i kanosej?

– A nuk ia këpus edhe unë gjumit? – dëgjoi ai mërmërimën e vet, edhe pse fare mirë mund të fliste me zë të lartë. Dhe shtoi: – Se s’do ta kemi gjumin e vdekjes, de. As unë e as ajo… Pas kësaj nate të pazakontë, sikurse gjer më sot, në të gdhirë ajo do të zgjohet e do të rrojë, – arsyetoi Eguti, symbyllurazi.

I mori njërën dorë dhe ia ndehu përgjatë kurmit. I mati pulsin që i rrihte me një ritëm të ëmbël dhe të rregullt. Frymëmarrjen e qetë, aio, e kishte më të ngadaltë se të Egutit. Kur e kur, era fërshëllente mbi pullaz, veç pa ato zëra dimri, që ishte në udhë e sipër. Uturima e dallgëve edhe pse disi më e zbutur, prapë të shurdhonte. Në një hop, ajo uturimë iu duk si një muzikë, që jehonte në trupin e vajzës e mandej përshkonte pulsin dhe zemrën e saj. Mu para qepallave të puthitura të Egutit, nën kadencën e kësaj muzike, nisi vallëzimin një fluturzë e bardhë si dëbora. Eguti shtangu. Iu kujtuan ato pak ditë kur ia mbathi nga Hokuriku për në Tokio, së bashku rne atë mikeshën, të cilën e bëri me gjak. Ndoshta ngrohtësia e vajzës së fjetur, ia ndolli ato kujtime…

Rruga e hekurt çante përmes një mori tunelesh të vegjël dhe sa herë që treni hynte në një tunel, vajza tutej, ngjishte gjunjët pas Egutit i rrokte dorën. Dhe në të dalë tunelesh, përmbi bregore e gjireve të vegjël, syri i zinte mizëri ylberesh. Vajza këlthiste e çmeritur, i gëzohej çdo ylberi, sado i tejpashëm që të ishte ai: “Oh, ç’mrekulli”, “Oh, ç’bukuri!” Ajo bridhte vështrimin sa majtas e djathtas dhe mëtonte ca ylbere aq të mekët, sa vështirë se mund t’i merrje si të tillë.

Dhe gjithë atë bollëk, sa vështirë se mund t’i merrje si të tillë. Dhe gjithë atë bollëk marramendës ylberesh, ajo e mori si një ogur të keq. Po sikur të na zënë? Po sikur të na kapin, me të zbritur në Kioto?

Dhe mandej s’do më lënë më të dal shtëpie… I porsaemëruar në punë, fill pas mbarimit të universitetit, Eguti e dinte se në Kioto s’do të kishin asnjë të ardhur, ndaj aty nuk u mbetej veçse të vrisnin veten o të ktheheshin sërish në Tokio. Tek sodiste ylberet, Egutit i dilnin parasysh viset më intime të kurmit të saj, që e kishin lënë pa mend në një takim dhomave të një hoteli, atje buzë lumit Kanaxava. Asaj nate qëmtonte një dëborë e imët. Eguti, ende djalë i ri, u prek aq shumë, sa iu zu fryma dhe sytë iu përlotën. Paskëtaj, për vite të tëra, ai nuk hasi tek asnjë femër tjetër një virgjëri dhe dëlirësi të tillë. Tani i dukej sikur e kuptonte më mirë thelbin e çiltërsisë si edhe faktin që një vajzë fizikisht e virgjër nuk mund të mos jetë edhe shpirtërisht e tillë. “Budallallëqe!” – shpotiti ai vetveten, por ama ai kujtim ishte bërë një realitet në rrjedhën e synimeve të tij dhe i mbeti në zemër për të mos u shlyer më kurrë. Një mik i prindërve të saj e gjeti vajzën në Kioti, e mori dhe e shpuri në shtëpinë atërore, ku nuk mënuan ta martonin.

Një ditë prej ditësh, ata u takuan rastësisht anës së liqenit të Sinobaxit, në parkun Ueno. Vajza mbante hopa një fëmijë me kapuç leshi në kokë. Atëkohë lotueset e atij liqeni kishin filluar të vyshkeshin. Shtrirë bri vajzës së fjetur, Eguti mendoi se mos ajo fluturzë e bardhë, që po kërcente para syve të tij të mbyllur, kishte dalë po nga ai kapuç i bardhë në kokën e fëmijës. Atje, buzë liqenit ai i bëri asaj vetëm ca pyetje: “.A je e lumtur? Ajo u përgjigj: flakë për flakë! “Po”. E si mund t’i përgjigjej ndryshe?

“Pse ke ardhur këtu vetëm me fëmijën?” Pa ia hequr vështrimin Egutit, ajo bëri sikur nuk e dëgjoi këtë pyetje të çuditshme.

– Vajzë apo djalë është?

– Sigurisht që vajzë. A nuk e shikon?

– Mos e ke gjë me mua?

– Jo, jo, dhe me sytë që i xixëlluan të egërsuar, vajza mohoi me krye.

– Në e ke me mua, mbylle, pas njëzet vjetësh, po deshe, fol.

– Të thashë njëherë. E di që të kam dashur, po lëri dyshimet se lëndojnë fëmijën.

– A thua? – Vogëlushen ai nuk e begenisi ta shihte, kurse figurën e saj e vrojtoi një valë herë të gjatë, tek largohej. Diku, atje tej, ajo ktheu kryet e mandej vazhdoi rrugën me një hap të nxituar. Ky është takimi i tyre i fundit. Egutit i ra në vesh se ajo kishte vdekur para dhjetë vjetësh. Mjaft të afërm, shok e miq, kishin shkuar në botën tjetër, por ninëza e asaj vajze të pashoqe, natë e ditë, e ndiqte këmba-këmbës. Tani atë po e treste dheu, me gjithë mirësitë dhe virtytet e saj. Edhe pse i vinte rëndë, prapë, ajo, e lejonte Egutin t’i shihte edhe nishanet më të fshehta të kurmit të saj që dashje pa dashje, e bëjnë të gjitha gratë. Ajo nuk e dinte se sa e pasur ishte shpirtërisht dhe s’kishte se si ta dinte derisa nuk e zhbironte dot vetveten.

Në Kioto, aty ndaj zbardhëllimit, ata morën monopatin e korie bamburie. Nën rrezet e diellit mëngjesor, gjethet e lara si me argjend, fërfërinin me përtesë. Tani në pleqëri, fletët e bambusë, ai i përfytyronte të holla, të brishta dhe tërësisht të argjenduara. Edhe trungjet e bambusë, po ashtu, pandehte, si të derdhura në argjend. Anës shtegut jeshilonte një larushi e tërë bimësie, thuajse qenë ngatërruar stinët e vitit. Lanë zabelin e bambusë dhe hoqën përpjetë një përroi të kulluar, gjersa u përballën me një ujëvarë zhurmëmadhe dhe me një vajzë lakuriqe mes stërkalash vezulluese. Një skenë ireale, po ja që Egutit, pikërisht një asisoj tabloje i doli përpara. Hove-hove, tek sodiste pishat bukuroshe rrethinave të Kiotës, Egutit i kujtohej ajo mikeshë. Veçse, kurrë asnjëherë, ai nuk e kishte parë aq të gjallë me sytë e mendjes, si kësaj radhe. Mbase për shkak të vajzës së re që po flinte aty pranë. Egutit plak iu arratis fare gjumi, le që tani as vetë s’donte t’i mbyllte sytë. Sepse s’donte të kujtonte ndonjë femër tjetër, pas asaj të ylbereve. Edhe nga vajza e fjetur hoqi dorë për një çast. U shtri barkazi dhe mori hapet nga nënjastëku. E ç’ishin këto në krahasim me ilaçin që i kishin dhënë vajzës? Pas një çasti ngurrimi, Eguti gëlltiti vetëm njërën, shoqëruar me një gotë të madhe uji. Kur e kur, ai, pinte edhe një çikë verë, për të fjetur sa më rehat. Zakonisht, hapet nuk i përdorte, ndaj edhe gjumi e zuri kaq shpejt.

I doli në ëndërr një grua me katër këmbë e dy duar. Dhe çudia ishte se Egutin ajo e përqafonte dhe e shtrëngonte vetëm me këmbët e saj. Ai u zgjua i frikësuar, me mendimin, se një femër me katër këmbë mund të ishte më interesante dhe më joshëse se një tjetër, me dy këmbë dhe se burimi i këtyre lloj ëndrrave ishte ilaçi që kishte pirë. Vajza i ktheu shpinën dhe ngjeshi vithet pas tij. Eguti u pezmatua ngaqë kokën e saj nuk e kishte më afër. Në një dremkë të ëmbël, ia gafrroi dhe ia hallakati flokët përmbi shtrat, thuajse do t’ia krihte me gishtat e dorës dhe sërish humbi në gjumë. Endrrën e dytë e pati veçanërisht rrënqethëse. Sikur në pavijonin e një spitali e bija I lindi mostër. Ai u zgjua dhe s’po merrte vesh se ku qëndronte përçudnimi i fëmijës dhe nuk kishte fort qejf që ta merrte vesh atë mynxyrë. Fshehur pas një perde të bardhë në shtëpinë e lindjes, e ëma zuri ta therte e ta copëtonte foshnjën e porsalindur. Që ta flakte, mandej kushedi se ku. Pranë, ajo kishte edhe një mjek me bluzë të bardhë, një mik të Egutit. Ky ishte po aty, dhe bënte sehir, dhe në këtë e sipër, i sfilitur makthesh, i doli gjumi. U habit me perdet e kadifenjta, varur mureve. Zuri kokën me duar dhe fshiu djersën e ballit. Po ç’qenë këto ëndrra të llahtarshme. Mos vallë në hapet e asaj shtëpie fshihej ndonjë shpirt i keq? Ai kishte ardhur këtu në kërkim të kënaqësive çoroditëse dhe ëndrrat që po shihte qenë po kaq çoroditëse. Cila nga tri të bijat i kishte dalë në ëndërr? As që u interesua për këtë. Se që të tria kishin lindur fëmijë normalë e të shëndetshëm. Sikur të mundej, Eguti do të çohej dhe do therte nga sytë këmbët. Përpiu edhe një hape tjetër, për t’u zhytur sa më thellë gjumit. Uji ftohtë i gotës i rrodhi tatëpjetë fytit. Vajza flinte shpinëkthyer. Ndoshta edhe ajo mund të lindte, herët a vonë, ndonjë fëmijë torollak e të shëmtuar. Me këtë mendim në kokë, Eguti i preku supet e hajthme. -Sillu nga unë, – dhe si ta kishte dëgjuar, ajo, ia plotësoi dëshirën.

Papritmas i vuri dorën mbi kraharor dhe këmbët që i fërgëllonin së ftohti i shtrëngoi pas këmbëve të Egutit. Ofshani, s’di me gojë a me hundë.

– Mos po sheh edhe ti ndonjë ëndërr të keqe? Dhe sakaq, ai u batis në një gjumë plumb të rëndë./albspirit/KultPlus.com

Kori i Filharmonisë sjell premierë vepra evropiane, përmes filozofisë korale amerikane të dirigjentes Michelle Jensen

Mbrëmë, në kishën “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës, nën drejtimin e dirigjentes Michelle Jensen, shkruan KulPlus. Një repertor i pasur me vepra evropiane premierë i ka dhënë institucionit dhe publikut një freski përmes një filozofie interpretative amerikane, përmes tingujve të veçantë të emetuar nga profesionistët e muzikës korale.

Dirigjentja amerikane Michelle Jensen ishte risia e kësaj mbrëmjeje të bukur, e cila po mbahej në Ditën e Kishës “Shën Ndou”. Një energji solare shpërthente gjithandej sallës nga prezenca e fuqishme skenike e drejtueses Jensen, të cilën Kori i Filharmonisë së Kosovës, me gjithsej 50-të këngëtarë e kthenin në tinguj që ndjeheshin thellë nga publiku në sallë.

Jensen është dirigjente korale dhe pedagoge, që në klasifikimet e Billboard-it është renditur në vendin e parë. Në Universitetin “Azusa Pacific” ajo është udhëheqëse e studimeve korale dhe dirigjente e formacioneve vokale kamerale dhe koreve të aratoriove. Përgjatë karrierës së saj ajo ka drejtuar edhe performanca në katër kontinentet. Përveç punës në skenë ajo është aktive edhe në studio, duke drejtuar regjistrime për artistë si Lady Gaga.

Veprat që u interpretuan janë: “Locus Iste”- Brian Sidders,”Cristus factus est”- Anton Bruckner, “Christus Factus Est” Felice Anerio, “Ave Maria”-Jacob Handl, “Ave Maria” Patti Drennan, “AVE Verum Corpus”- Richard Burchard, “The evening star, Whispers of summer, Summer is gone”- Samuel Coleridge- Taylor, “The once invisible gardën”- Dale Trumbore (Lekë Spahiu-piano), “Nocturnes”- Morten Lauridsen, “When the violin”- Reena Esmail (Antonio Gashi- violonçel, Kaltrina Miftari, Andra Rexhepi, Etrit Nura, Rizah Jahaj) dhe “Shkoni krushqi”- Drinor Zymberi.

Dirigjentja. Michelle Jensen ka thënë se është i rëndësishëm gërshetimi i zhanreve të muzikës së vjetër me atë të ditëve të sotme.

“Instrumentistët janë fenomenalë dhe kanë talent të shfaqur. Ata punojnë shumë dhe janë shumë fleksibil. Unë po u jepja stile të ndryshme por ata i mirëpritën shumë mirë, dhe ishte lumturi më vete për të punuar me Korin. Repertori ishte i përzgjedhur nga e gjithë bota, shumica nga ta ishin kompozitorë të njohur amerikanë që unë i njoh shumë mirë. Ne po ashtu prekëm dhe frymën e renesancës dhe disa vepra klasike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që asnjëherë mos ta harrojmë muzikën e lashtë sepse muzika është lidhja jonë me të kaluarën. Ne duhet të mbështesim po ashtu edhe muzikën që është duke u shkruar tani. Duhet të bëjmë një gërshetim të dy zhanreve pasi që muzika vjen nga shpirtrat e njerëzve”, ka thënë dirigjentja Jensen, duke potencuar edhe pëlqimin e saj për veprat shqipe.

“Vepra e kompozitorit shqiptar është diçka që më pëlqeu shumë dhe unë asnjëherë nuk kisha interpretuar një vepër shqipe më herët por punova shumë me të dhe ishte shumë qejf pasi që është një kulturë e re për mua. Jam e dashuruar me ritmin, harmoninë e veprave shqipe dhe mezi po pres të mësoj më shumë”, ka thënë Jensen.

Ndërsa, dirigjenti dhe ish- drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se koncerti i mbajtur nën drejtimin e Michelle Jensen ka qenë një risi për publikun dhe posaçërisht një përvojë shumë e vyer për korin e Filharmononisë.

“Është përzgjedhur një program i veçantë dhe kompakt, ku disa prej titujve ishin të njëjtë por nga kompozitorë të ndryshëm. Ajo ka dashur të shpalos vepra sakrale, diku rreth 70%. Pjesa e fundit e programit kishte rezervuar disa vepra shumë interesante që nuk i kemi dëgjuar. Edhe veprat e shekullit të kaluar. Ishin interesante sidomos për korin, ishte një përvojë e veçantë. Edhe puna e dirigjentes si një jo-evropiane ishte përvojë në vete. Amerikanët kanë një tjetër qasje ndaj vokalit, ndaj muzikës. Filozofia e tyre e interpretimit është krejt tjetër. Edhe pse ishin veprat e shek. XVIII dhe më të vonshme, ishte një qasje më ndryshe”, ka thënë dirigjenti Jashari.

Kurse, pianisti Lekë Salihu ka thënë se ndihej i nderuar për faktin se ai ishte në rolin e pianistit shoqërues dhe të solistit në këtë koncert unik.

“Dirigjentja Jensen na ka sjell një program shumë unik, nga i cili shumë vepra ishin edhe premiera evropiane. Mendoj që i ka sjellë freski edhe institucionit të Filharmonisë edhe qytetit të Prishtinës, me këtë program unik. Unë pata kënaqësinë dhe nderin që të jem në rolin e pianistit shoqërues dhe solist. Shpresoj që të ketë sa më shumë aktivitete sikurse ky. Mendoj që janë të veçanta kur njerëzit i kombinojnë eksperiencat e ndryshme prej vendeve të ndryshme, mendoj që gjithmonë do të ketë rezultate pozitive”, ka thënë pianisti Salihu./ KultPlus.com

126 vite nga lindja e nobelistit japonez Jasunari Kavabata

Sot janë bërë 126 vite nga lindja e shkrimtarit japonez Jasunari Kavabata, shkruan KultPlus.

Jasunari Kavabata  lindi në Osaka, Japoni më 14 qershor 1899 dhe vdiq më 16 prill 1972.

Ai është nobelist japonez. Puna e tij e parë më e madhe që do t’i jepte famë mes letrarëve japonezë do të ishte historia e shkurtër “Kërcimtarja nga Izumi” e shkruar më 1925.

Më vonë u bë edhe lideri i një shkolle shkrimtarësh japonezë, të cilët konsideroheshin për stilin e tyre lirik mbresëlënës, në krahasim me letërsinë proletare të vitit 1920.

Novelat melankolike të Kavabatës, zakonisht trajtojnë me finesë dhe delikatesë marrëdhëniet midis një burri dhe një gruaje. Për shembull libri “Dashuri në vendin me dëborë” shkruar më 1956 (që ishte edhe libri me të cilin ai do të fitonte Çmimin Nobel), trajton historinë e një geishe me një biznesmen të ftohtë nga Tokio.

Më 1968, Kavabatës iu dha  Çmimi Nobel. Ai ishte japonezi i parë që e mori këtë titull në fushën e literaturës. Shumë vite më vonë, ai do prekej nga probleme shëndetësore dhe psikologjike, duke i dhënë jetës fund me vetëvrasje më 16 prill 1972 

Disa nga veprat e tij më të njohura janë:

1926 – Kërcimtarja nga Izumi (përkthyer në shqip)
1935 – 1937 – 1947 – Dashuri në Vendin me Dëborë (përkthyer në shqip)
1951 – 1954 – “Mjeshtri i Go” – The Master of Go (jo e përkthyer në shqip)
1942 – 1952 – Thousand Cranes (jo e përkthyer në shqip)
1949 – 1954 – “Tingulli i Malit” – The Sound of the Mountain (jo e përkthyer në shqip)
1954 – “Liqeni” – The Lake (jo e përkthyer në shqip)
1961 – “Shtëpia e Bukurosheve të Fjetura” – The House of the Sleeping Beauties (histori të shkurtra)
1962 – “Kryeqyteti i Vjetër” – The Old Capital
1964 – “Bukuri dhe Trishtim” – Beauty and Sadness

Palm-of-the-Hand Stories
Dëbora e Parë mbi Fuji – First Snoë on Fuji (jo e përkthyer në shqip)
Histori të tjera (jo të përkthyera në shqip) /KultPlus.com

97 vite më parë lindi revolucionari argjentinas Ernesto Che Guevara

Sot 97 vite më parë ka lindur revolucionisti dhe autori argjentinas Ernesto (Che) Guevara,  një figurë mjaft e njohur e shekullit XX-të, shkruan KultPlus.

Ernesto (Che) Guevara- i njohur edhe si Komandant Che ka lindur më 14 qershor 1928, në Rosario dhe ka vdekur më 9 tetor 1967 në La Hinguera, në Bolivi.  Ishte revolucionar, shkrimtar dhe guerilas marksist argjentinas dhe hero i komunistëve të Amerikës Latine, si dhe një figurë e njohur e shekullit të 20-të

Nofkën “Che” e mori nga bashkëluftëtarët komunistë kubanë në Meksikë, sepse përdorte shpesh, si çdo argjentinas, fjalën “Che”, diçka e ngjashme si thirrja “Hej” e shqipes.

Guevara mori pjesë në revolucionin komunist kuban në krah të Fidel Kastros në vitin 1959, për rrëzimin e regjimit të diktatorit të atëhershëm Batista dhe vendosjen e diktaturës komuniste të Fidel Kastros.

Ernesto Guevara ishte fëmija i Celia de la Serna-s dhe Ernesto Guevara Lynch-it. Che Guevara kaloi në pavdekshmëri dhe u bë legjendë dhe simbol për miliona të rinj komunistë në botë. Fjala e tij më e preferuar ishte : Hasta La Victoria Siempre! (Deri në fitoren përgjithmonë!).

Për komunistët, figura e tij ishte ajo e një njeriu që nuk mposhtet kurrë përpara çdo të keqeje që mund t’i vijë, dhe lufton deri në fund për idealet e tij; për antikomunistët figura e tij ishte ajo e një komunisti të dhunshëm, vrasës brutal e i pamëshirshëm, që ekzekutonte me dorën e tij ata që e kundërshtonin.

Gjatë viteve 1945 – 1952 u transferua në Buenos Aires bashkë me familjen e tij, për të vazhduar shkollën e lartë për mjekësi. Në vitin 1952 në moshën 23 vjeçare vendosi të bëjë udhëtimin e tij të parë (rreth 4.500 km) për të vizituar kontinentin e Amerikës së Jugut bashkë me mikun e tij Alberto Granado.

Në vitin 1953 u diplomua në mjekësi dhe vendosi të bëjë një udhëtim tjetër, këtë herë me një shok tjetër, Calica Ferrer. Fillon të interesohet për politikën dhe filloi t’u afrohet ideve marksiste.

Gjatë viteve 1954-1956 u njoh me Hilda Gadea, me të cilën më pas u martua në vitin 1956. Më vonë kaloi në Meksikë, ku u njoh me Fidel Kastron.

Gjatë viteve 1957-1958 u krijua kolona e dytë revolucionare me Fidel Kastron, e cila mori pjesë në pushtimin e Siera Maesta-s dhe në sulmin e Santa Clara-s.

Gjatë viteve 1959-1960 u bë qytetar kuban dhe mori pjesë në qeverinë e Kastros si ministër i industrisë dhe president i Bankës Kombëtare.

Gjatë viteve 1961-1964 mori pjesë në konferencën e shteteve amerikane në Punta del Este.

Vihet në komandë të mbrojtjes gjatë krizës së Gjirit të Derrave.

Merr pjesë në Moskë për festimet e përvjetorit të 47-të të Revolucionit Socialist të Tetorit.

Merr pjesë në asamblenë e OKB-së në New York. Me ketë rast i jep një intervistë televizionit amerikan (CBS). Niset për një udhëtim në Afrikë.

1965-në mars rikthehet në Kubë dhe del për të fundit herë në publik. Më 1 prill në një letër dërguar Kastros deklaron arsyet e tij për largimin nga Kuba. Më pas, në mënyrë të fshehtë, largohet për në Kongo. Pas gjashtë muajsh kthehet përsëri në Kubë. Atje përgatit një plan për të sjellë revolucionin në Bolivi.

1966-Me një emër të rremë shkon nëBolivi. Atje fillon të shkruajë “Ditarin”.

1967-Lufta guerile në Bolivi nuk pati mbështetje nga Partia Komuniste boliviane dhe nga popullsia vendase, ushtria boliviane po e ndiqte Guevarën dhe më 8 tetor plagoset dhe kapet nga ushtria boliviane. Më 9 tetor, vritet dhe varroset në një vend sekret në Vallegrande, Trupi i tij gjendet më 1997 dhe rivarroset në Kubë më të gjitha nderimet dhe ceremonitë që u rezervohen heronjve./KultPlus.com

‘Sytë e zinj të Borës’, promovohet libri më i ri i autorit Ballsor Hoxha që trajton temën e shëndetit mendor përmes letërsisë

Mbrëmë, në ambientet e Librarisë Dukagjini është promovuar libri “Sytë e zinj të Borës” nga autori Ballsor Hoxha, shkruan KultPlus.

Në një panel diskutimi mbi librin, të pranishmit patën mundësi t’i dëgjojnë analizat e Edona Llukaçajt, Bardh Rugovës dhe Agron Gashit për librin më të ri të Ballsor Hoxhës, i cili në thelb trajton qështjen e shëndetit mendor, specifikisht temën mbi të menduarit ciklik. Në libër disikutohen edhe abuzimi me heroinën, disocizmi e shqetësime të tjera psikike që e kaplojnë njeriun.

Panelistja Edona Llukaçaj përmes një analize të dërguar për librin e  Ballsor Hoxhës ka thënë se ai dukshëm ndjek me fanatizëm atë që Kadare e përkufizonte si “të shkruash letërsi normale në një vend anormal”.

“Po ashtu edhe Ballsori përpiqet të shkruajë letërsi bashkëkohore, në përputhje e dinamikat dhe trojeve shqipfolëse, në gjuhën e një populli që- qoftë këtej a andej kufirit- viktimizimin e ka të shenjur në gjene. Kjo bashkërenditje letrare është ndoshta elementi më i rëndësishëm që përshkon librat e tij, të cilët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm. Veçanërisht, po sjellin në vëmendje ato tema tabu që, haptazi, shoqëritë në zhvillim, sidomos e jona, kanë tendencën t’i fshehin”, ka thënë Llukaçaj.

Panelistja po ashtu ka thënë se tronditja e lexuesit është një prej taktikave të autorit për të rrëmbyer vëmendje dhe për të shpënë lexuesin thellë brenda ngjarjes.

“Më lejoni të përgëzoj edhe një herë Ballsorin për artin e tij multidimensional, letërsinë e tij të guximshme në fjalëë dhe ide, për faktin se na bezdis status quo-në, për faktin se ndërton ura stilistike me perëndimin duke çmuar traditën, dhe mbi të gjitha, për vërtetësinë këmbëngulëse deri në tronditje”, ka thënë ajo.

Kurse, panelisti Bardh Rugova ka thënë se koherenca tekstore e narracionit të Ballsor Hoxhës është ajo e të menduarit ciklik.

“Prosedeu i Ballsor Hoxhës është ky: të menduarit ciklik. Ai i rikthen motivet, në dukje të parë si përsëritje për të mbajtur mend më mirë atë motiv, siç do të bënin artistët e artit gojor. Ai është një mekanizëm për të gjëlluar  mbi mendimet e errëta në qoshet e mendjes së tij. Edhe kur përballe me elementet e opsesiv-kompulsivitetit, edhe kur ka nevojë të bëjë arrëdhënie me Razën me ndikimin dhe paradoksin e ksanaksëve” ka thënë Rugova.

Tutje, panelisti Rugova të menduarit ciklik të autorit Hoxha e ka cilësuar prosede letrar, i cili sipas tij vlen pikërisht se është i tillë.

“Te tregimi “Sytë e zinj të Borës”, mbushur me një cikël poezish si nus -produkt, vet Ballsor Hoxha flet edhe për thyerjen/krisjen ai mendon për disruption të Dweridasë, i cili e përdor këtë term, edhe Ballsor Hoxha e njeh mirë, si thyerje, krisje çarje të strukturave tradicionale të të hartuarit”, ka thënë Rugova.

Ndërsa, panelisti Agron Gashi ka thënë autori në librin “Sytë e zinj të Borës” ka aplikuar strategji të ndryshme të shkrimit të cilat janë strukturuar jashtëzakonisht mirë.

“Tregimet bardhezi dhe novelat “Sytë e zinj të Borës” së pari sinjifikojnë me këndvështrimin e jetës dhe dramave jetësore,së dyti me personazhin që evidenton njëherësh fenomenin letrat, borës, si simbol i pastërtisë e simbolikë e zbulimit dhe rrëfimeve të sinqerta , mbi të gjitha protagonistes, e cila reprezanton dashurinë ankthin  dhe frikën që narratori- autori e shfrytëzon si trampolinë për t’i sheshuar provat estetike dhe përvojat erotike”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit libri “Sytë e zinj të Borës” në të ardhmen do të mund të hap debate publike, mbi tema jo shumë të trajtuara deri më sot, si ajo e sëmundjeve mendore.

“Përfundimisht, Ballsor Hoxha si prej kohësh, edhe në këtë përmbledhje me novela është duke eksploruar të hapë debate të ndjeshme për shoqërinë tonë, për atë që quhet e papranueshme dhe e fajshme e që është sëmundja mendore. Këtë po e bën panda përmes luftës së gjuhës dhe gjuhës së letërsisë”, ka thënë ai.

Kurse, autori Ballsor Hoxha ka thënë se ky libër vjen si rebelim, zemërim e luftë me stigmën dhe stigmatizimet në shoqëri.

“Jam matur me vite të tregoj për dramën dhe aq më shumë për fajin në tërë papranueshmërinë, duke pas jetuar si i papranueshëm. Jam matur me vite si ta tregoj, posaçërisht si të mos lëndoj të dashurit e mi, duke e treguar po të njëjtën, gjithnjë publikisht, dhe, zgjidhja më ka ardhur, është ndërtuar e krijuar, duke rrëfyer, në letërsi. Duke luajtur lojën e ndërmjetësisë në mes të reales dhe të letrares. Dhe gjithmonë, me ëndrrën se po të njëjtat rrëfime arrijnë edhe te ndonjë person tjetër, ndihmojnë edhe një tjetër, dhe me shpresën në këtë ëndërr që kujtdo mund t’i shërbejë si udhëzim, për të jetuar, për të vazhduar, tutje”, ka thënë autori.

Tutje, autori Hoxha ka thënë se ai tanimë ka shpresë në horizontin e letërsisë shqipe dhe jovetëm, sa i përketë trajtimit të temave të tilla, të cilat mund ta nxjerrin njeriun nga ‘humnerat’ e mendjes së tij.

“Jam edhe, i vetëdijshëm, për këtë guxim, këtu dhe tash. Por, mua, letërsia, sidomos ajo e Kadaresë e mjeshtërve si ai, në kohët më të rënda të këtyre vështirësive të mia, përmes forcës që gjeja në përvojën e të tjerëve rrëfyer në letërsi, si një litar më pat ofruar daljen prej humnerave ku qarkoja, prej subterreneve, undergroundeve, e të nëntokës ku fshihesha në kërkim të, qoftë një grimë strehe nga tmerret e përjetuara”, ka thënë autori Hoxha./ KultPlus.com

Sot në KultPlus Caffe Gallery promovohet libri “Psikologji në jetën time” nga autori Imri Demisai

Sot, në KultPlus Caffe Gallery do të promovohet libri “Psikologji në jetën time” nga autori Imri Demisai, i cili përpos që është poet, ai është edhe psikolog dhe psikoterapeut, shkruan KultPlus.

Ngjarja fillon nga ora 13:00.

Demisai është nga Struga por që jeton në Suedi, dhe në këtë promovim libri ai do të ligjërojë edhe për cështje sociale, psikologjike dhe psikiatrike, duke vën në pah rëndësinë e ndërgjegjjes familjare për ti kuptuar brengat shpirtërore dhe konfliktet.

Kjo ngjarje është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë prezantim, dhe në të njëjtën kohë Imri Demisai do të jetë i hapur edhe për pyetjet e audiencës./ KultPlus.com

Ramadan Sokoli, etnomuzikologu, kompozitori dhe studiuesi i njohur

Më 14 qershor 1920 u lind në Shkodër etnomuzikologu, kompozitori dhe studiuesi i njohur, Ramadan Sokoli.

Arsimin bazë e kreu në vendlindje. Që në moshë të hershme lëvroi në lëmin e kompozicionit, duke u veçuar ndër muzikantët e kohës.

Protesta ndaj fashizmit do t’i kushtonte lirinë, pasi për këtë qendrim armiqësor ndaj pushtuesit do të dënohej me internim në Itali. Megjithatë, muzika do të ishte oazi i artistit në dhè të huaj. I vendosur në Firence, Sokoli kreu Konservatorin “Luigi Cherubini” me rezultate të shkëlqyera.

Me ikjen e forcave fashiste më 1944-ën, kompozitori rikthehet sërish në vendlindje dhe bëhet pjesë e strukturave të Legalitetit. Arrestohet pas lëvizjeve antiqeveritare pas Kryengritjes së Postribës. Pas daljes nga burgu, bëhet pjesë e organizimeve muzikore, duke u zhvendosur nga Ansambli i Ushtrisë në Korin e Filarmonisë.

U bë pjesë e Festivaleve të Këngës e të Valles Popullore, por biografia “e njollosur”, do ta penalizonte në mbarëvajtjen profesionale. Punimet e tij, qenë burim frymëzimi për gjeneratat e reja të artistëve./KultPlus.com

Ditët Evropiane të Arkeologjisë

Ditët Evropiane të Arkeologjisë kremtohen më 14, 15 dhe 16 qershor.

Që prej vitit 2010, Ministria Franceze e Kulturës i ka besuar Institutit Kombëtar për Kërkime Arkeologjike Parandaluese (INRAP) bashkërendimin dhe promovimin e Ditëve Kombëtare të Arkeologjisë të Francës (JNA). 10 vjet më vonë, në 2020, Ditët Kombëtare të Arkeologjisë së Francës u kthyen në Ditët Evropiane të Arkeologjisë (EAD).

Prej katër vitesh Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është pjesë e celebrimit të Ditëve të Arkeologjisë, ku së bashku me institucione partnere janë të angazhuar për të njohur publikun me thesaret e trashëgimisë kombëtare dhe sekretet e profesionit./ KultPlus.com

Sot në Prishtinë mbahet Parada e Krenarisë

Sot në Prishtinë do të mbahet ecja e Paradës së Krenarisë, duke filluar nga ora 17:30.

Organizuesi i kësaj parade “Prishtina Pride” ka publikuar listën e aktiviteteve me të cilat tha se “do e përmbyllim edhe një tjetër vit të suksesshëm të organizimit të Javës së Krenarisë”.

Agjenda e publikuar:

Ora 17:30 / Mblidhemi ne Sheshin Skënderbeu

Ora 18:30 / Ecja e Paradës së Krenarisë fillon

Ora 19:00 / Koncerti fillon te Biblioteka Kombëtare e Kosovës – parkingu./ KultPlus.com

Një endoskopi e trupit në kalbëzim të shoqërisë ish-jugosllave

Shënime leximi nga romanet e shkrimtarit Ibrahim Kadriu: “Pengu” (2020) dhe “Loja e Fundit” (Botim i dytë i plotësuar, 2022, botimi i parë 1993) –

Shkruan: Llesh Ndoj

Sa herë bie në kontakt me letërsinë kosovare, kontakte që fatmirësisht janë shtuar kohëve të fundit, falë edhe hapjes së kufijve të dy vendeve tona, aq herë bindem në vetvete se ajo është një letërsi cilësore dhe se pak e njohim në Shqipëri, ndoshta për shkak të atij gjysëmshekulli ndarje të imponuar, ndoshta për shkak të këtij fillimshekulli ku letërsi prodhohet shumë, por “konsumohet” pak, ndoshta për shkak të një lloj megallomanie që shfaqet disa herë e që tenton të mos e thotë plotësisht të vërtetën krahasuese midis letërsisë shqipe andej e këndej kufirit absurd, apo edhe nga mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare, sidomos në Shqipërinë postkomuniste. Them sidomos në Shqipërinë postkomuniste, pasi në krahun tjetër të atdheut tonë të përbashkët konstatohen më shumë përpjekje për të shkruar rreth autorëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ka më shumë vlerësime pozitive prej shkrimtarëve, studiuesve e kritikëve letrarë andej, jo vetëm ndaj plejadës së shkrimtarëve me emër të madh që i tejkalojnë kufijtë si Kadare, Agolli, Lera, Poradeci, Tozaj etj, por edhe për vepra e shkrimtarë në ardhje, ndoshta akoma pa emër edhe në trojet shqiptare. Kjo qasje ndaj krijimtarisë letrare në Kosovë nga kritika letrare e Shqipërisë dhe anasjelltas, e kritikës kosovare ndaj veprave e shkrimtarëve të Shqipërisë, është një nevojë e domosdoshmëri që përmes njohjes së dyanshme të bëhet edhe përafrimi e unifikimi kulturor i popullit, të cilin asgjë nuk e ndanë veç dashakeqësisë, që nuk u përket atyre dhe është injektuar tinëzisht nga koha e gjatë e ndarjes së dhunshme midis vëllezërve dhe imponuar nga ata që nuk e kanë dashur e nuk e duan kombin shqiptar.

Ibrahim Kadriu është njëri nga shkrimtarët më të njohur në Kosovë. Aktiviteti i tij krijues shtrihet në një periudhë kohore që daton që nga viti i largët 1969 dhe fatmirësisht vazhdon të prodhojë kryevepra edhe sot në ditët tona. Ai ka lëvruar letërsinë për të rritur, por edhe atë për fëmijë, ka lëvruar kryesisht prozën, por edhe poezinë, vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja, si serbokroatisht rumanisht, norvegjisht, në gjuhën malazeze, në italisht, në greqisht, suedisht, turqisht, anglisht, kroatisht e arabisht, ndërsa disa vepra të këtij autori të njohur si drama e komedi edhe janë ekranizuar. Njëkohësisht Ibrahim Kadriu ka kryer në vijimësi edhe punën e redaktorit si në gazetën “Rilindja” e “Zëri”, në revistën “Plejada” e atë të kryredaktorit të revistës “Hareja” etj. Për veprën e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, natyrshëm janë bërë plot shkrime e vlerësime nga kolegët e tij, nga institucionet e Prishtinës etj, dhe vepra e tij është vlerësuar  me shumë çmime e vlerësime rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Rreth veprës së tij janë shkruar libra të plotë si nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, nga prof. asoc. dr. Labinot Berisha, nga prof. dr. Mahmut Hysa, nga Mr. Sc. Arsim Halili e Fatmire Duraku, por sa më shumë të flasësh rreth tyre, aq më shumë vlera mund të shpalosen për lexuesin e shumtë, ndaj asnjëherë nuk është e tepërt të shkruash për të. Kjo sepse Ibrahim Kadriu në veprën e tij rrok shumësi temash e tematikash që e bëjnë atë të larmishme e të vlershme në çdo kohë, por edhe sepse stili i tij i rrëfimit artistik është shumë i veçantë e i personalizuar, i tillë që, siç konstaton prof. dr. Mahmut Hysa “…është ndër të rrallët në letërsinë tonë bashkëkohore që e ka ndërtuar identitetin e vet letrar,…”1, gjë që e bën lexuesin të mbetet i lidhur me veprën e tij edhe për këtë shkak, krahas anës përmbajtësore që sjell në rrëfimet e tij.

Dy romanet që kam marrë kohët e fundit në shqyrtim, për të cilët dua të shpalos mendimin tim thjesht si lexues, jo si specialist letërsie (edhe pse nuk jam i tillë, por edhe se me këto cilësi kanë shkruar vepra të tëra kritikë e studiues të njohur që edhe i ceka diku më lart), “Loja e Fundit” dhe “Pengu”, që në dukje nuk i lidh asgjë me njëri – tjetrin, madje as koha e të shkruarit të tyre, pasi i pari është botuar për herë të parë në vitin 1993 dhe ribotuar në vitin 2022, kurse i dyti është botuar në vitin 2020, por me një lexim të vemendshëm ato kanë plot anë të përbashkëta.

Cilat janë disa prej tyre?

Pavarësisht tematikave të shumta në dukje që rrokin të dyja këto romane dhe që vijnë tek lexuesi përmes shpalosjes së një shumësi ngjarjesh, të dyja romanet kanë një temë e një qëllim: të shpalosin artistikisht bukur, pa zmadhime e zvogëlime, represionin e regjimit serbo – jugosllav ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Nuk do të ishte ndonjë veçanti e madhe kjo tematikë, në se ajo do të vinte në librat e Ibrahim Kadriut me pamje policore, që pushtojnë sheshet e Prishtinës, me reparte ushtarake të armatosura deri në dhëmbë që shtrihen në të gjithë teritorin e Kosovës, duke tejkaluar edhe dendësinë e popullsisë atje, me burgje e dhunë të hapur, me sigurimsa e represion të fshehur, por të pranishëm në çdo qelizë të jetës së shqiptarëve nën Serbi, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim, t’i lexojmë e dëgjojmë të gjithë, por fakti se autori e referon atë situatë dramatike tek lexuesi përmes paraqitjes së dramës së brendshme të personazheve të tij, e bën rrëfimin sa rrënqethës, po aq edhe të bukur dhe emocional. Autori, ka vënë në qendër të rrëfimit të tij, në të dyja këto romane të bukura, nga njëra anë gazetarët e kohës, kronikanët, njerëzit që pasqyrojnë realitetin e zhvillimeve në shoqërinë komuniste jugosllave të kohës në tërësi, e atë kosovare në veçanti, e nga ana tjetër përshkruan përpjekjet e regjimit shovinist serb, që në plan të parë e mbi të gjitha të goditej pa mëshirë fjala e lirë, arti e kultura në tërësi, gjuha shqipe, si rruga më e lehtë për t’i xhveshur shqiptarët nga identiteti i tyre i vërtetë dhe për të lehtësuar rrugën e asimilimit të tyre.

Tek romani “Loja e Fundit” ngjarjet shtjellohen të alternuara, të cilat autori i sjell si “shënime të kronistit”, po aq edhe përmes zhvillimeve të tjera interesante të cilat pasqyrohen në këto vepra, aq edhe përmes psikologjisë e ndërgjegjësimit në rritje të shqiptarëve për të reaguar masivisht përmes rritjes së vetëdijes, apo “dalja e narkozës”, siç e quan ai diku, po aq edhe përmes manovrave të pushtetit për t’i ndaluar që të vërtetat të dalin në publik. Ndërsa tek “Pengu” i gjithë rrëfimi vërtitet rreth një gazetari, Bekim Përroni, që udhëton drejt Beogradit për të përgatitur një shkrim rreth një shqiptari “që nuk flet shqip”, si dhe një mundësi të talentuar, Lirik Dashi, me të cilin e pati bashkuar rastësia në tren dhe që pësojnë edhe fatin e survejimit e ndalimit policorë, thjeshtë sepse “flasin shqip”. Më tej autori sjell në vemendje një personazh të quajtur “trashaluqi” shqiptar që flet e kupton shqip, por “fle gjumë” e regjistron bisedën e tyre, për t’a përkthyer në serbisht duke i përplasur ata në polici, sa tek urrejta e milicëve serb, aq edhe tek marrëdhëniet njerëzore që nuk njohin etni. Është e kuptueshme kjo zgjedhje e autorit edhe për shkak të përvojës personale e të punës që ka bërë në organet e shtypit për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, për arsye përzgjedhje personale dhe për të qenë korrekt me realitetin e atkohëshëm, që ai i referohet në romanet e tij, sidomos vitet e tetëdhjeta e në vijim, autori ka një qasje krejt të veçantë në vështrimin dhe përshkrimin e realitetit. Ai nuk do të sillte asgjë të re në se do të fliste për mbledhje qeveritare në Beograd, ku gjithshka flitej serbisht, për polici e ushtri serbe, për sigurim serbo – sllav etj, pasi këto ishin gjëra të zakonshme në atë regjim dhe në kronikat e kohës, por e sjell dhunën e represionin serb përmes gjuhës shqipe. Kur e them këtë, nuk kam parasyshë gjuhën e shkrimtarit, por faktin se personazhet e këtyre romaneve flasin shqip edhe kur bëhet fjalë për dhunë e represion. Është fakt i njohur botërisht se asnjë regjim i huaj nuk mund t’i realizojë qëllimet e veta pa bashkëpunimin e sejmenëve vendas, e kështu ka ndodhur realisht edhe në Kosovë, e po ashtu e sjell edhe autori, me një frymë realiste, nisur “…jo nga entropia (zmadhimi) i ngjarjeve pse e ka sensin e masës për të treguar, aq sa lejon dhe ashtu si e lejon teksti letrar…”2.

Sidomos tek “Loja e Fundit”, gjithë materiali letrar vjen sa përmes kronikës së gazetarit, aq edhe përmes zhvillimeve tek  “kukullat kosovare” në qeverisjen rajonale, si zgjatime, apo tentakula dhune të qeverisjes së Beogradit. Në qendër të tij janë vënë personazhe si “trashaluqi” tek romani “Pengu”, apo Surratan Molori, Zymryt Veroni, Florin Rezbiu etj, tek “Loja e Fundit”, të cilët përfaqësojnë zyrtarin tipik servil, zëdhënës të regjimit, që kurrë s’folën me zërin e tyre të brendshëm, por u bënë megafonë të Beogradit prej të cilit i merrnin të gjitha urdhërat, duke rënë pre e orekseve të tyre për pushtet, për jetë ndryshe nga të tjerët, për darka, dreka, vetura e femra. Bile ata shisnin edhe familjet e tyre, vetëm për t’u ngritur në karierë e këtë karierë e shfrytëzonin për t’i bërë keq çdokujt që nuk lëviz në të njejtët “binarë” me ta në “trenin” e regjimit dhe që nuk kishin të njejtat mendime si ata. Mbledhjet e nivelit të lartë, që pasqyron shkrimtari herë pas here në rrëfimin e tij artistik, dënimet e gazetarëve thjesht për “ngjyrën blu” të kronikës së tyre, pasi ajo (e vërtetë kjo) pasqyronte represionin e policisë serbe, darka e Surratan Molorit tek shtëpia e Zymrytit (deri atëherë një nëpunës më pak se i rëndomtë në kryeqendër), hiret e së shoqes, Hajries, dehja, fjetja në një kravat me të e Surratanit, e ngritja në karierë e menjëhershme e Zymrytit pas asaj nate “të magjishme” në kasollen e vjetër të lagjes pa plan urbanistik e rrethuar me llamarina, siç e paraqet autori, e përshkruajnë bukur gjithë situatën, dhe e gjitha kjo vjen përmes depërtimit në psikologjinë e personazheve që ka zgjedhur autori për t’ia rrëfyer lexuesit. “Procesi i diferencimit” i nxitur nga Beogradi, ushtrimi i ndikimit të sigurimit të shtetit dhe diktimi i gjthçkaje prej tij, veprimet e Zymryt Veronit në shërbim të kësaj çështje e bëjnë gjithçka të duket se po shpaloset para syve tuaj sikur të kishte ndodh dje e lexuesi të kishte qenë vetë aktor në ato skena sa makabër, aq edhe të turpshme.

Përkundër këtyre personazheve dhe ngjarjeve të dhunshme e të turpshme njëkohësisht, autori ka ditur të vejë gjithnjë elementin pozitiv, gjykimin e tyre të kthjelltë, ndjenjën patriotike e dashurinë njerëzore që vijnë kurdoherë triumfuese. Kjo ndodh kudo në romane e vepra letrare, por autori Ibrahim Kadriu i ka sjellë me një gjuhë kaq realiste e pa teprime, sa njeriu jo vetëm i kupton e nxjerr konkluzione të shëndosha mbi to, por edhe i duket vetja se “lundron” edhe ai në të njejtin shtrat ku autori i ka vënë ngjarjet. Bukur shpaloset tek “Pengu” personazhi i quajtur mixha Azem, shqiptari i marrë peng nga regjimi i huaj që fëmijë, vetëm pse i ati kishte qenë luftëtar e kundërshtar i vendosur e për shkak të përndjekjes nga të huajt, kishte dalë kaçak, i cili edhe pse nuk fliste shqip, mbetej një shqiptar i mirë e i vlonte shpirti e malli për atdheun, ashtu siç vijnë bukur episode nga emigracioni politik, si në rastin e Erblin Kurexhës që kishte lënë nënën, gruan e fëmijët e ishte arratisur nga represioni e dhuna, apo Sulo Bardhi që kishte edhe një rrugë me emrin e tij në Zvicër, por që në atdhe e burgosën etj. Interesant është edhe akti i  dhunës nga një serb ndaj një serbeje, vetëm sepse e kishte diktuar se kishte folur me një shqiptar, gazetarin Bekim Përroni, përkundër të cilit qëndronte vetë serbja, studente – kamariere e familja e saj që lidhin miqësi me gazetarin, apo sportelisti i hotelit në Beograd që e përkrah atë, e plot raste të tjera, rrëfyer natyrshëm, me vërtetësi e bukuri artistike nga autori i këtyre romaneve. Gazetarët e kronikanët kosovarë paragjykoheshin nga regjimi e përndiqeshin, thjesht sepse punonin në organet shqiptare të masmedias. Shkrimet e tyre kalonin në një skanër të shumëfishtë e në rast se zbulohej diçka në to edhe gazetari edhe redaktori rrezikonin jo vetëm vendin e punës, por edhe burgun. Nga kjo situatë, tek shumë syresh mori udhë autocensura, apo fshehja e të vërtetës edhe ndaj vetes, por gjithnjë përballë kësaj triumfoi puna e tyre e palodhur që ishte zëri i vërtetë i vuajtjeve të shqiptarëve e ndërgjegja e tyre e ringjallur. Një gazetari ishte dënuar vetëm se kishte shkruar diku “Energjia e vetëdijes, çlirim nga narkoza…”, që nënkuptonte çlirim nga frika e represioni, por në ndërgjegjen e tyre profesionale sundonte mendësia: “Do të jemi mëkatarë në se nuk i shkruajmë të gjitha, në se shkruajmë me maska…”. Ishte kjo devizë që i bëri ata zëdhënës të revoltës e pararendës të zhvillimeve historike që e pasuan atë.

Shpesh autori e sjell rrëfimin e tij përmes dialogjeve që bëjnë vetë personazhet, e kjo i jep jo vetëm bukuri rrëfimit, por edhe natyrshmëri atij e lehtësi lexuesit në të lexuarit e të kuptuarit të thelbit të rrëfimit. Janë të shumta këto dialogje, prej të cilave do të veçoja atë mes gazetarit Guri Zhuja e kronistit, pasi kanë dalë nga një vizitë tek një shkrimtar “që kishte influencë politike” e ku zhgënjimi i tyre ishte i madh: “E po, eja në vete djalë. Njëherë e përgjithmonë shlyeji konsideratat ndaj njerëzve të cilët, anipse mbajnë farë posti, asnjëherë nuk kanë arritur të ecin me kokë të vet…”, gjë që e portretizon bukur atë për të cilën folëm edhe më lart, për sejmënët që flitnin shqip e që shërbenin serbisht, më tej ai vazhdon e shpjegon fjalët që ai (shkrimtari me influencë politike) u kishte përsëritur disa herë për të ashtuquajturën “procedurë normale”, gjë që për ata nënkuptonte arrestim – dhunë – harrime në qeli – dënime pa gjyq e pa fakte. Ndërsa dialogjet në darkat e qefet e pushtetarëve të lartë dhe zonjave të tyre, kryesisht nën avujt e dendur të alkoolit, janë një kapitull më vete i gjetjeve për t’a portretizuar të keqen nga brenda tyre, gjë që e bën rrëfimin mjeshtror të autorit si nje endoskopi të personazheve vetë, por edhe të regjimit serbo – sllav. Reagimin e shqiptarëve, autori e sjell jo vetëm përmes demostratave e tubimeve në shesh, me portretin e nënë Razijes, plakë që e marrin studentët në krahë, me ngujimin e minatorëve në xeheroret, siç i quan autori, por edhe me reagimin e shoqërisë shqiptare ndaj pushtetarëve sejmenë e familjeve të tyre. Të mbetet në kujtesë rasti i familjes Rezbiu, ku vajza studente në mjekësi ndjehej e harruar nga shoqëria, e diferencuar prej saj, urrejtje që vjen me tavolinën ku studjonte ajo të pështyrë në çdo cep dhe e shoqja që ndjehej keq, e që e kërkon shkakun tek doktori Florin Rezbiu për shkak të qëndrimeve të tij pro së keqes, apo rasti i babait të Zymryt Veronit, Malë Veronit, që i sjell të birit në shtëpi thesin me 215 kapuça bashkëfshatarësh, që nënkuptonte 215 gjaqe borxh, debati mes Hajries e Zymrytit, apo kundërshtimi i Durak Gorës ndaj Surratanit në një mbledhje diferencimi, që ishte puna më e zakonshme e atyre kohërave.

Kosova, dihet që ka patur (edhe ka) emigracion të vazhdueshëm, pasojë e kushteve të rënda ekonomike e kryesisht politike pararendëse, por edhe si një “derë e hapur” për shkombtarizimin e tyre, e si një “valvul shkarkuese” e tensioneve në rritje të popullsisë shqiptare atje. Të dyja romanet e trajtojnë bukur këtë temë dhe e sjellin edhe dramën e tij, fenomen që ka ndarë prindërit nga fëmijët, burrat nga gratë, djemtë nga nënat e nga shoqëria. Veçanërisht tema e emigracionit politik gjenë trajtim në përputhje me temën kryesore që ka përzgjedh autori, për të shpalosur dhunën e represionin e huaj, gjithnjë në rritje në Kosovën e atyre viteve.

Dy fjalë për stilin e të rrëfyerit të shkrimtarit, së paku në këto dy romane dhe nga këndvështrimi i lexuesit. Bie në sy menjëherë se autori e ka ndërtuar rrëfimin e tij, jo siç ndodh zakonisht në romane, ku rrëfimi bëhet i tejzgjatur, i pashkëputur nga fillimi deri në fund të tij dhe ku, në se e ndërpret leximin, zor të orientohesh lehtë kur do të duhet t’i rikthehesh përseri, por me një shumësi nëndarjesh e ngjarjesh të trajtuara në to. Ndonëse në pamje të parë duket sikur autori trajton tema të ndryshme në secilën nëndarje, por në fakt ai e ruan bukur linjën ideore të rrëfimit, duke sjellë për lexuesit vepra cilësore, ku lexuesi lehtësisht e me pak vëmendje e fikson shtjellën e ngjarjeve, temën kryesore apo idenë e autorit në shumësinë e ngjarjeve që trajton, kulminacionin e zgjidhjen apo mesazhin, që është gjithnjë motivues. Tek romani “Loja e Fundit”, natyrshëm mesazhi vjen nga ballafaqimi i tipeve të ndryshme të personazheve të zgjedhura prej tij, vënia e atdheut, gjuhës, kulturës, lirisë mbi të gjitha përfitimet e tjera që rezultojnë të çastit e kalimtare, por edhe thirrja për reflektim i të gjithë atyre që për një apo disa arësye kanë “rrëshqitur” në udhëtimin e tyre, përmes zhvillimit të fundit të ngjarjeve e metamorfozës së disa personazheve tipikë, kur ndërgjegjësohen për rrugën që duhert të ndjekin.

Jo vetëm paraqitja e shumë ngjarjeve apo rrokja e disa nëntemave brenda tekstit romanor, paraqitet interesante në këto romane të Ibrahim Kadriut, por edhe mbajtja e lexuesit në “ankth” të vazhdueshëm mbi ndodhitë që pasojnë njëra – tjetrën, e bën më të bukur rrëfimin, më të lexueshëm e të këndshëm të gjithë materialin. Lexuesi nuk arrinë të kuptojë deri në fund të veprave, as shkakun e përzgjedhjes së titullit përkatës nga autori, por e “kërkon” atë faqe pas faqeje duke i shfletuar ato. Vetëm në fund të romanit mëson se “Pengu” është mixha Azem, shqiptari i marr peng për të bërë të mundur dorëzimin e të atit kaçak, që kishte emigruar në Shqipëri, i cili edhe pse nuk e fliste shqipen, mendonte e vepronte shqiptarisht. Edhe tek romani “Loja e Fundit”, vetëm në fund të shtjellimit të ngjarjeve kuptohet pse është përzgjedhur ky titull, gjë që lidhet me zhvillimet psiqike të brendshme të disa personazheve të librit, njerëz që vetëm kur ngjarjet marrin trajta dramatike, kur disa syresh “strehohen” në Beograd, e kur sheshet mbushen me demostrues, kryesisht studentë, dhe ata e familjet e tyre veçohen nga shoqëria, vetëm atëherë ata marrin kthesën e madhe, e kjo ishte edhe “Loja e fundit” e tyre.

 Janë dy romane, që jo vetëm nuk e humbin aktualitetin, por janë edhe pasqyrë nga brenda e vetë zhvillimeve historike në trevën dardane në periudhën kohore të cilës i referohet shtjella e ngjarjeve që ka sjellë autori Ibrahim Kadriu. Sigurisht që vepra e tij është e gjerë dhe e thellë dhe se reflektimi ndaj saj është punë e specialistëve e kritikëve të letërsisë, por këto shënime vijnë si një ftesë për njohje e nxitje për lexim të krijimtarisë së këtij autori, e cila udhëhiqet nga vlerat e principet ndërgjegjësuese kombëtare shqiptare.

‘Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…’

Poezi nga Charles Baudelaire

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/ KultPlus.com

‘Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner’

Poezi nga Ali Asllani

ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mëndafshtë s’qemë të zot të bënim zë
Ku fillon më thash e theme hij’ e vetës të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon në gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?! / KultPlus.com

E dashura shkruan përsëri

Poezi nga Johan Volfgang Gëte

Pse kthehem përsëri te këto fletë?
I dashur, mos më pyesje më mirë,
S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë
Ta mbash në dorë letrën time, vetë.

Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë
Prej zemrës sime ç’është me e dlirë,
Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë;
Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.

Sot dëshiroja fort mos të ta thoja
Se në dëshira, ëndrra dhe mendime
Besnikja zemër kthen e vje te ti.

Kështu dikur qëndroja e të shikoja
Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime?
E gjitha isha si në mrekulli./ KultPlus.com

‘Tokë e trajtuar me dashuri’, artistja Blerta Syla Surroi sjell rrëfimin e saj shpirtëror përmes baltës në ekspozitën e dytë personale

Vjollca Duraku
Foto e ballinës: Driton Paçarada

Mbrëmë, në ‘Vilën 1925’, është hapur ekspozita e dytë personale e qeramikës nga artistja Blerta Syla Surroi — “Tokë e trajtuar me dashuri”, shkruan KultPlus. Balta është kryefjala në këtë ekspozitë që vjen si rrëfim shpirtëror i artistes, e cila përmes një procesi të ngadaltë të punës, sikurse përmes një rituali të shenjtë ka krijuar vepra që shpërfaqin një marrdhënie të lashtë mes njeriut dhe tokës.

Artistja Syla Surroi ekspozitën e ka hapur në Ditën e Çlirimit me një fotografi portret të realizuar më 12 Qershor 1999, në ditëlindjen e 21-të, ku gëzimi në fytyrën e saj është i papërshkrueshëm. Viti i saj i lindjes ‘78 koincidon me 78 ditët e bombardimeve të NATO-s në Ish-Jugosllavi. Ndërkaq, lumturia e artistes vjen si reflektim për punën dhe pasionin që do të mundtte t’i realizonte gjatë viteve pasuese në liri. “Lufta më ka mësuar t’a gëzoj jetën. Balta më ka mësuar t’a gjej të bukurën në papërsosshmëri”, ka thënë artistja Syla Surroi.

Punimet e ekspozitës që përfshijnë forma të thjeshta të natyrës, forma peshku, figura njerëzore mitologjike dhe mozaikë antik paraqesin raportin fizik dhe shpirtëror që artistja ka me materialin e baltës dhe me natyrën në përgjithësi.

“Balta është më shumë se material, është rrëfim. Me baltën kam një raport fizik dhe shpirtëror. Për të punuar me baltë duhet të kesh durim, vëmendje dhe përkushtim. Ajo e do kohen e vet. Me baltën kemi një raport reciprok, derisa e formoj atë ajo më formon mua, artistikisht. Gdhendja në baltë më sfidon të jem e duruar, të dëgjoj materialin, të kuptoj kufijtë e tij dhe njëkohësisht t’i shtyj kufijtë e mi imagjinar. Procesi i punës është i ngadaltë, ka ditë kur më duket si ritual i shenjtë. Edhe kur jam e lodhur e më dhëmbin duart nga gdhendja në baltë dhe presioni, ndiej se kam bërë diçka që më përket, që ka lënë gjurmë te unë po aq sa unë te balta”, ka thënë ajo.

“Tokë e trajtuar me dashuri” është ekspozita e dytë personale e qeramikës nga autorja Syla Surroi, dhe përmban krijime të viteve të fundit. Të parën e ka pasur në 2012, në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Më frymëzon jeta me format e saj më të thjeshta, peshku, figura njerëzore mitologjike, mozaikët antik e që të gjitha këto pastaj unë i sjell në mënyrën time ashtu siç i ndiej. Duke i lidhur copëzat bashkë krijoj një tërësi, një tregim, një atmosferë festive që jep ndjesi gëzimi, bashkimi për t’a gëzuar jetën me bukurinë e thjeshtë të përditshme”, ka thënë artistja.

Kompozimi i portreteve me një lloj-llojshmëri ngjyrash kanë qenë risia e kësaj ekspozite, e cila gjë e kishte ngacmuar shijen e artistes Shqipe Kamberi. Artistja Kamberi tha se këto punime e kanë përsosur edhe më tej punën e artistes.

“Sot në ekspozitë pamë një Blertë ashtu siç është ekspozita plotë sinqeritet, ku të përfshira janë përjetimet e saj ditore, preokupimet e saj të paraqitura në formë të pjatave, peshqëve dhe portreteve që ishin risi për mua, të kompozuara shumë bukur, me një kolorit shumë të hareshëm, të jashtëzakonshëm. E shoh një inspirim të saj që i vjen nga natyra deti, dhe familja. Së paku unë mendoj ashtu. Blertën e përgëzoj shumë, sidomos për faktin që e ka bërë një hap më shumë prej asaj që kemi parë më herët nga ajo, duke kaluar edhe në portrete të cilat i ka konceptuar shumë bukur. Kur i sheh ato portrete e sheh edhe personalitetin e Blertës ”, ka thënë artistja Kamberi.

Në hapje të ekspozitës “Tokë e trajtuar me dashuri” morën pjesë personalitete të shumta, të cilët përmes gotave me verë patën mundësi të shijojnë dhe të ndiejnë thellë artin e punuar me shumë dashuri nga artistja Blerta Syla Surroi./ KultPlus.com

‘Bota vuan shumë, jo nga dhuna e njerëzve të këqinj, por nga heshtja e njerëzve të mirë’

Thënie të veçanta nga Napoleon Bonaparti

“Mos e ndërprit asnjëherë armikun tënd, kur ai është duke bërë një gabim”.

“Guximi nuk është të kesh fuqinë për të vazhduar përpara, por të ecësh përpara, kur nuk të kanë mbetur më fuqi”.

“Më trego një familje lexuesish, dhe unë do të tregoj njerëzit që realisht e zotërojnë botën”.

“Imagjinata e qeveris botën”.

“Asgjë nuk është më e vështirë, dhe as më e veçantë, se sa të jesh në gjendje për të vendosur”.

“Nëse dëshiron diçka të bërë mirë, bëje vetë”.

“Ka vetëm dy fuqi në botë, shpata dhe mendja. Në planin afatgjatë, shpata është gjithmonë e mundur
nga mendja”.

“Bota vuan shumë. Jo nga dhuna e njerëzve të këqinj, por nga heshtja e njerëzve të mirë”.

“Arsyeja se pse shumë njerëz dështojnë, në vend që të korrin sukses, është se ata shesin atë që duan më tepër, me atë që e duan për momentin”.

“Guximi është si dashuria, duhet të ketë shpresë për t’u ushqyer”./KultPlus.com

Mëmëdheu

Poezi nga Andon Z. Çajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

‘Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri as shkja të zi’

Nga Mitrush Kuteli

Kënga e parë: Qëndrimi

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

Kënga e dytë: Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.

Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!

Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!

Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.

ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!

Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!

Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!

Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.

Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
……………………………
Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…

Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…

Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;

në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!

Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,

Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.

E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!

Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!

Tani,
tani,
Liri!

Kënga e tretë: Sulmi

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.

Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!

Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!

sot!
shkon,
e valon
parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.

Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!

Kënga e katërt: Ndërtimi

I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!

Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;

Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…

Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….

Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!

Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.

Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

Kënga e pestë: Qëndrimi

Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!

Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.

Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!

Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!

Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…

Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.

Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

1943. / KultPlus.com

“TgCom24”: Shqipëria, destinacioni turistik i ngjashëm me Karaibet

Në pjesën jugore të vendit, nga Vlora në Sarandë, plazhet e mrekullueshme ranore dhe shkëmbore ofrojnë ujëra të kristalta bruz, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “TgCom24”.

Shqipëria është një nga destinacionet e reja për turizëm veror: lehtësisht e arritshme nga Italia.

Ende e paprekur nga flukset e mëdha turistike – Shqipëria është një destinacion, padyshim ekonomik – me peizazhe mahnitëse, qytete dhe qyteza të lashta plot histori dhe sharm, plazhe që duken si ato të Karaibeve.

Vendi po përgatitet për të përmbushur standardet e mikpritjes të kërkuara nga turizmi i huaj.

Një destinacion ideal për turistët që duan t’i shpëtojnë turmave dhe që kërkojnë autenticitet.

Me detin e saj të bukur, Shqipëria është destinacioni i duhur për pushime verore – tërësisht në det apo natyrë.

BREGDETI JUGOR – Pjesa më jugore e Adriatikut ofron peizazhe natyrore marramendëse, që shtrihen nga Vlora në Sarandë dhe më gjerë – në zonën e Parkut Kombëtar të Qafës së Llogorasë – (pranë Italisë, por ende larg imagjinatës së turistëve) – me male të gjelbra dhe plazhe ranore dhe shkëmbore me det të kristaltë.

Deti në Shqipëri është sinonim i pushimeve me kosto të ulët.

Zona bregdetare, megjithëse e mbushur me turistë në gusht, nuk është prekur ende nga turizmi masiv dhe çmimet e hoteleve dhe restoranteve janë të përballueshme.

Ja disa nga vendet më të bukura:

VLORA, HISTORIA DHE PLAZHET – Vlora është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, e themeluar në shekullin VI para Krishtit me emrin Aulona.

Në vitin 733 u aneksua nga Kostandinopoja: më pas i përkiste Normanëve dhe Mbretërisë së Serbisë nga viti 1345.

Në vitin 1464 u pushtua nga turqit dhe, për një kohë të shkurtër, ishte edhe venedikase.

Jo shumë larg Vlorës ndodhet plazhi i Jalës, i cili ndodhet në jug të qytetit, disa kilometra përtej Drimadhes më të famshme, pranë fshatit Vuno.

Një plazh magjepsës dhe i qetë, me rërë, i lagur nga ujëra të mrekullueshme bruz, me transparencë kristalore.

Drimadhes është magjepsës: një gji i shkëlqyer me rërë të artë – ku mund të ngrini kamping ose të merni me qira një vilë dhe të shijoni një nga perëndimet spektakolare të diellit – karakteristike e kësaj pjese të Shqipërisë.

SHPELLA E PIRATËVE – Plazhi i Livadhit, në rrëzë të kalasë së qytetit, është i rrethuar nga bimësi e dendur dhe mure shkëmbore.

Edhe këtu deti është jashtëzakonisht transparent, dëshmi e një natyre që ruhet ende.

Shumë restorante në Himarë shërbejnë pjata të shijshme dhe të lira me bazë peshku, kallamarësh dhe karkalecash.

Pranë Dhërmiut, një fshat i lashtë plot atraksione me një plazh të mrekullueshëm në formë gjysmëhëne, ndodhen gjiret e vogla dhe të bukura, Plazhi Shkambo, Plazhi Jaliksari dhe Plazhi i Gjipesë, që shtrihen në rreth 2 kilometra.

Ato mund të arrihen me makinë, me varkë ose në këmbë për 15-20 minuta – përgjatë shtigjeve të mbushura me vreshta që lidhin rrugën me bregdetin.

Mos e humbisni Shpellën e Piratëve – që dikur strehonte grabitqarët e detit dhe sot është e famshme për intimitetin e hapësirës së saj.

PLAZHET QË SHOHIN KORFUZIN – Saranda ka një gji të vogël të hapur në jug dhe të rrethuar nga kodra, dhe ishullin grek të Korfuzit pikërisht përballë saj.

Një zinxhir i ngushtë kodrash e ndan atë nga fushat e vendosura në lindje – formacioni kodrinor shtrihet në jug deri në kanalin e Vivarit dhe në veri të qytetit ngrihet deri në 600 metra mbi nivelin e detit.

Në zonën e Sarandës, mos humbisni Ksamilin, një vendpushim turistik në bregdet pranë qytetit të lashtë të Butrintit dhe 17 kilometra nga Saranda – dhe me disa ishuj të vegjël të bukur rreth plazhit madhështor.

Së fundmi, Plazhi i Pulëbardhës, absolutisht ndër më të bukurit në Shqipëri – nga i cili mund të niseni me varkë për të zbuluar dhe shijuar gjiret e mrekullueshme të vogla që shpërndahen në bregdetin aty pranë./atsh/KultPlus.com

Kur të kem vdekur

Poezi nga Fernando Pessoa
Përktheu Anton Papleka

Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë
të shkruajë biografinë time
Nuk ka asgjë më të thjeshtë.
Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes
dhe atë të vdekjes sime.
Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të miat.

Është e lehtë ta përcaktosh jetën time.
Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar.
Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi.
Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja,
sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja.
Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë
veçse të shoqëruarit e të pamit.
Unë e kuptova se gjërat janë reale
dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra;
T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte
të të dukeshin të gjitha të ngjashme.
Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë.
Unë mbylla sytë dhe fjeta.
Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës./KultPlus.com

Si vërtitet bota

Poezi nga Hajnrih Hajne
Përktheu: Petraq Kolevica

Kush ka shumë, ai më shumë
Do të marrë mbi te tjerë.
Kush ka pak, atij më pak
Do t’i lënë përngaherë.

Po kush gjë prej gjeje s’ka,
Drejt te varri le të shkoj,
Se kush s’ka, o rreckaman,
S’ka të drejtë as të jetojë./KultPlus.com

Takim Frymëzues me Shkrimtarin dhe Historianin Jusuf Buxhovi në Bibliotekën “Mitrush Kuteli”

Në ambientet e ngrohta të Bibliotekës Publike “Mitrush Kuteli” në Pogradec, u zhvillua një takim i veçantë me shkrimtarin dhe historianin e njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi. Aktiviteti u organizua nga Qendra Multifunksionale Pogradec dhe mblodhi dashamirës të librit, studentë dhe qytetarë të interesuar për historinë dhe letërsinë shqiptare.

Takimi solli në qendër rolin e shkrimtarit dhe historianit në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe forcimin e identitetit kulturor. Z. Buxhovi ndau me pjesëmarrësit reflektime mbi rëndësinë e leximit dhe të dokumentimit historik, si dhe rrëfime të bazuara në kërkime arkivore dhe përvojën e tij të gjatë krijuese.

Gjatë bashkëbisedimit u lexuan edhe pjesë nga veprat e tij, duke krijuar një atmosferë të pasur dialogu dhe frymëzimi për të pranishmit. Ky aktivitet vlerësohet si një kontribut domethënës për promovimin e dijes dhe nxitjen e leximit në komunitet./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Treat Williams

Treat Williams, aktori më i njohur për rolin e tij në ”Everwood”, ka vdekur në një aksident me motor në moshën 71-vjeçare, më 13 qershor 2023.

”Williams po ngiste motoçikletën e tij në një autostradë të Vermontit kur një makinë i preu rrugën atij teksa po kthehej në Dorset, Vermont”, kishte thënë shefi i zjarrfikësve.

Atë ditë, aktori ishte dërguar në spital me një helikopter, por nuk mundi të shpëtohej.

Nga viti 2002 deri në vitin 2006, Williams drejtoi serialin ”Everwood” në rolin e Andy Brown.

Ai fitoi famë në moshën 28-vjeçare në versionin filmik të ”Hair”, duke fituar një nominim për ”Golden Globe” për ”Yllin më të Mirë të Ri”, dhe vazhdoi me ”Prince of the City” dhe ”Smooth Talk”./KultPlus.com