Aktivitete kulturore në prag të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve

Kanë nisur në Vlorë aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e cila kremtohet më 18 maj.

Nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Rilindja” realizuan një vizitë edukuese në Muzeun Historik të Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Ky aktivitet kishte si qëllim forcimin e lidhjes së nxënësve me historinë kombëtare dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në kohët moderne, përmes objekteve, dokumenteve dhe ekspozitave të pasura që ndodhen në muze.

Falë udhërrëfimit të specialistëve të muzeut dhe informacionit të dhënë në mënyrë të kuptueshme për moshën e tyre, fëmijët patën një përvojë mësimore të veçantë, jashtë mjedisit të zakonshëm të klasës. Ata treguan interes, bënë pyetje dhe ndanë përshtypjet e tyre mbi ato që mësuan./ KultPlus.com

Kryetari Përparim Rama anulon pritjen për Gipsy Kings, problem emergjent mbeturinat

Gipsy Kings do të paraqitet me koncert në Prishtinë, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama kishte paraparë që të organizonte një pritje zyrtare për këtë grup të njohur por kjo pritje është anuluar.

Sipas një njoftimi zyrtar thuhet se kryetari Rama e ka anuluar këtë pritje për shkak të përshkallëzimit të situatës me mbeturinat në kryeqytet.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin.

Njoftim për anulim – pritja e Gipsy Kings

Ju njoftojmë se pritja e paralajmëruar për sot, më 14 maj 2025, në ora 16:00, e bendit të njohur ndërkombëtar Gipsy Kings tek Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, është anuluar.

Anulimi vjen si pasojë e prioritizimit të zhvillimeve të fundit lidhur me problemin emergjent të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes “Pastrimi”, që ka kërkuar vëmendjen e menjëhershme të Kryetarit.

Faleminderit për mirëkuptimin./ KultPlus.com

Ambasada e Francës dhe QKLL, thirrje për projekte botimi të autorëve të gjuhës frënge në shqip

Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) shpallën thirrjen drejtuar botuesve shqiptarë, të cilët kanë projekte botimi të autorëve të gjuhës frënge në shqip për vitin 2025-2026.

Ambasada e Francës dhe QKLL ftojnë botuesit të marrin pjesë në thirrjen për projekte të programit të ndihmës për botim 2025. Data e fundit për dorëzimin e dosjeve është 22 maji 2025, deri në orën 24:00. Botuesit ftohen të çojnë projektet e tyre njëherazi në dy adresat: [email protected] dhe [email protected].

Rezultati i thirrjes për projekte do të komunikohet para datës 12 qershor 2025.

Prioritet për t’u përzgjedhur do të kenë: librat për fëmijë dhe të rinj, librat që kanë fituar çmime si edhe esetë në fushën e shkencave sociale dhe humane mbi mjedisin dhe çështjet evropiane.

Në njof\timin e publikuar në faqen online të Ambasadës franceze thuhet se, kjo veprimtari përbën një nga akset e forta të partneritetit me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL)./ KultPlus.com

Kalorësi 2600-vjeçar i zbuluar pranë Apolonisë ekspozohet në muzeun e Vjenës

“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.

“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.

“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.

Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.

“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.

Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.

Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.

Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend./ KultPlus.com

Gaspër Sopi sjell ekspozitën “Women of the World”,  prezantohen portretet e grave nga 17-të vende të botës

Më 15 maj në Prishtinë, artisti Gaspër Sopi do të prezantohet me ekspozitën “Women of the World”. Me portrete e grave nga 17-të vende të botës.

“Këto nuk janë thjesht imazhe. Janë histori të jetuara – të forcës, guximit dhe bukurisë së papërshkrueshme të gruas. Të gjitha fotografitë do të jenë në shitje, dhe të ardhurat do të ndihmojnë “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë”, për të ofruar shërbime shëndetësore për nënat dhe fëmijët në nevojë. Bëhu pjesë e kësaj mbrëmjeje që është aq artistike, sa është edhe njerëzore”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ekspozita do të hapet më 15 maj, në ora 18:00 në Tartine Deli, Fehmi Agani 87, Prishtinë./ KultPlus.com

Osmani takon shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Orav, flasin për takimin konsultativ me partitë dhe vizitën e Costa’s

Presidentja Osmani priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend.

Presidentja Osmani e informoi ambasadorin Orav për mbajtjen e takimit konsultativ me liderët e partive politike, të planifikuar për nesër.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës./ KultPlus.com

‘Schubert Trio’, një udhëtim kamertal në mbrëmjen e dytë të Chopin Piano Fest

Mbrëmjen e 12 majit, në koncertin e dytë të Chopin Piano Fest Prishtina, publiku artdashës u bë dëshmitar i një performance artistike të jashtëzakonshme që pushtoi skenën me mjeshtëri, ndjeshmëri dhe harmoni të përsosur kamertale. Trio e përbërë nga çelistja kroate, Jelena Očić, violinistja Sihana Badivuku dhe pianisti virtuoz ukrainas Artem Yasynskyy, ofruan një përjetim muzikor që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Mbrëmja u hap me Trion në Es-dur, Op. 100 të Franz Schubert, një ndër kryeveprat më të njohura të repertorit kamertal. Interpretimi i kësaj vepre nga treshja muzikore solli një thellësi emocionale dhe një rrjedhshmëri të natyrshme që i dha jetë çdo fraze melodike.

Bashkëveprimi i niveli mjeshtëror në mes të instrumentistëve solli përpara publikut një harmoni vizuale dhe perjetim emocional nëpërmjet tingujve të seciles vepër.

Pas Schubert-it, koncerti vazhdoi me një kthesë stilistike, duke sjellë emocionin dhe pasionin e “Winter” nga cikli “Four Seasons of Buenos Aires” të Astor Piazzolla. Kjo pjesë e frymëzuar nga tangoja argjentinase u interpretua me ngrohtësi duke përcjellë emocione dhe dinamika të ndryshme.

Më pas trioja interpretuan veprën “Trio Miniaturen” të kompozitorit Paul Juon, një vepër më pak e njohur, por e mbushur me delikatesë dhe karakter.

Ky koncert i cili solli vepra permierë në Prishtinë, erdhi si një udhëtim i magjishëm për publikun duke përcjellë emocione dhe një peizazh të bukur që ngjyrosej nëpërmjet tingujve e lëvizjeve të muzikantëve.

Pas koncertit në kuadër të Chopin Piano Festival, violinistja Sihana Badivuku ndau emocionet e saj për këtë paraqitje të veçantë, duke theksuar rëndësinë e veprave të interpretuara dhe bashkëpunimin me dy muzikantët e tjerë. Ajo foli për fuqinë e muzikës që i bashkon artistët, pavarësisht prejardhjes apo kohës së kufizuar për përgatitje.

“Këto vepra janë vepra premierë, edhe Schubert trio, një vepër kapitale e që është një kryevepër e literatueës kamertale. Ne me pianistin dje jemi takuar për herë të parë, ndërsa me violonçelistën e kemi pasë edhe një bashkëpunim tjetër. Pra prova e pare ka qenë dje, e dyta sot dhe arritëm të sjellim këtë mbrëmje sot, si një dëshmi që kur bashkohen tre artistë, pavarësisht pse nuk janë të njëjtin vend, muzika është universale dhe na ka bashkuar”, tha Badivuku për KultPlus.

Ndërkaq, çelistja kroate Jelena Očić u shpreh e entuziazmuar për këtë paraqitje, e dyta e saj në Kosovë. Ajo veçoi veprën e Schubert-it si sfiduese dhe madhështore, duke theksuar përkushtimin që kërkon interpretimi i saj.

“Dua të them se e shijova shumë koncertin e sotëm, me kolegët e mi të mrekullueshëm, ishte vërtet kënaqësi. Koncerti është gjithmonë diçka që kërkon shumë energji dhe krijim, që duhet të transferohet tek publiku dhe ne të tre e bëmë këtë. Programi ishte kompleks, Schubert Trio është një monument në vete, kërkojnë shumë koncntrim dhe po ashtu është edhe e gjatë si vepër, por ne e shijuam të gjitha,” u shpreh çelistja Jelena Očić, duke shtuar se shpreson që edhe publiku e ndjeu po të njëjtën energji.

Pas koncertit, për KultPlus foli edhe pianisti ukrainas Artem Yasynksyy, i cili fillimisht u shpreh mirënjohës bashkëpunimin me violinisten Sihana Badivuku dhe çelisten Jelena Očić. Ai më tutje e vlerësoi ktë koncert si një eksperiencë të mrekullueshme.

“Ne performuam pjesë të ndryshme dhe karaktere totalisht të ndryshme, por unë e shijova shumë. Për mua ishte kënaqësi e madhe që të performoj me Sihanën dhe Jelenën, të cilat janë të zonja të mund të ndryshojnë tingullin, momentin dhe ndjenjën. Po ashtu për mua ishte kënaqësi që të komunikoj me audiencën, ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, tha Yasynksyy.

Ndërkaq, ju kujtojmë se Chopin Piano Festival do të zgjasë deri më 9 qershor. Koncerti i radhës do të mbahet më datë 14 maj, në mbrëmjen ‘Duo Violin and Piano’ ku do të paraqiten violinisti Benjamin Schmid dhe pianisti Marcus Schirmer./KultPlus.com

“Shkodra Elektronike” çon në ‘Eurovision’ jo vetëm zërin por dhe historinë e traditën shqiptare

Shkruan: Merita Toçila

Një paraqitje eklatante e këngëtares Beatriçe e “Shkodra Elektronike” në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerrm”. Ajo çon atje jo vetëm zërin e veten, por dhe historinë e traditën e vendit të vet si një indentitet i përkryer e në një harmoni të shpirtit dhe trupit. Kostumi i parë konceptuar sipas saj si një “Odë e gjyshes”, duhet parë si një “Ode për trashëgiminë” ku janë mbledhur detaje shenjuese të kujtesës individuale e kolektive (puskulet, msyshet, peshtahu, qylymi etj). Ai ka një dukje më statike e më të rëndë, por më shprehës i identitetit të këngës dhe këngëtares. I dyti (i skenës) konceptohet dinamik për lëvizje dhe më i lehtë e në funksion të artistit ku ndërliken në harmoni struktura e veshjes, simbolikës dhe trupit anatomik në përshtatje me gjestet gjatë performimit.

Beatriçja jonë me të kuqe zjarri, ashtu si gruaja e veshur me të kuqe në historinë e artit që shoqëroi Danten në udhëtimin e tij nga bota njerëzore në atë hyjnore, duke i zbuluar bukurinë dhe dritën e dashurisë, shndërrohet në performancën e sotme në një shkëndijë drite. Energjia që transmeton artistja tek rreket të joshë e të tërheqë në këtë udhëtim në kërkim të një bote të mirë e të pastër, partnerin skenik me setrën e errët skolastike, plotësohet me pamjen e jashtme të një fustani shkëlqyes. Veshja që përkon organikisht me këngën e jo vetëm trupin të jep idenë që ata duan të përcjellin tek thonë se zjarri vjen nga lashtësia dhe “ka një rëndësi të thellë simbolike përgjatë kulturave dhe historisë” dhe e lashta bashkjeton me modernen që prezantohet sot.

Metamorfoza e paraqitjes së Beatriçes si person, nga lëkura e trupit në lëkurën e veshjes me shtresë të parë, të dytë e të tretë tek interpretuesi, shënon një nga kushtet e para të nisjes së këtij udhëtimi skenik dhe komunikimi me skenën e publikun. Marrëdhënia trup-veshje shkon deri në atë gradë sa bëhet shenjë e trupit simbolik. Teknika e zbatuar në ekzekutimin e veshjes nga stilistja (që në këtë rast është e ëma e artistes) për të respektuar anatominë e trupit duke i dhënë liri gjymtyrëve në lëvizjet vallëzuese, shoqërohen me lojën iluzore të organcave dhe trillimin e flakëve të zjarrit. Kjo flakë zjarri që digjet e vërtitet në skenë në çdo lëvizje të zhdërvjellët trupi e tregon sa vlerë ka për paraqitjen skenike studimi i trupit të interpretuesit, i tekstit të interpretuar, i mesazhit e simbolikës përmbajtësore dhe ngjarjes që duhet të përfaqësojë artisti për veten, për realizuesit, për shikuesit dhe për vendin që përfaqëson në një ngjarje të këtij niveli. Trupi i saj është vetë kostumi, pasi ai kontribuon në përforcimin e iluzionit tek spektatori dhe në motivimin e interpretuesit për të kuptuar dhe transmetuar më bindshëm peshën e rolit të tij në skenë.

Loja figurative me dy struktura ku njëra është thjesht një lëkurë, e tjetra me pala e draperi e shpie në një shkallë tjetër paraqitjen skenike. Në antikitet palat (e imëta a të gjera) vendosnin një marrëdhënie të caktuar me trupin, duke zbuluar a mbuluar pjesë të tij, ndërsa në traditë kanë vazhduar të aplikuara në fustanella, korete, bohçe etj. Këtu palat e dendura mbështjellin, fshehin e zbulojnë pjesërisht format trupore me një pëlhurë elastike nëpër të cilën kalojnë disa vizatime e qëndisma për të cilat autorja e saj rrëfen se i referohet Rozafës. Të dukshme apo jo, ato vija të qëndisura gjatësore a të lakuara në forma të kërkuara estetike përshkojnë si kapilarë gjaku a zjarri trupin të përfshirë në gjuhë flakësh. Kjo dukje e bind shikuesin në përcjelljen e emocionit artistik kur kalon nga transparenca e pëlhurës, tek gjysmëtransparenca e mbulimi i plotë realizuar shkallë-shkallë në tekstura të larmishme. Stilistja me mençuri, nuk përpiqet të krijojë një veshje sipas modës, as të korrigjojë (panevojshëm) siluetën e një vajze të re, por me forma të kursyera në dukje evidenton trupin në përshtatje me moshën, karakterin dhe lojës skenike e gjesteve artistike.

“Vazhdo me shndritë” Beatriçe!/ KultPlus.com

Von der Leyen uron Ramën: Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria përparim të madh drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka uruar Kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Von der Leyen shprehet se nën udhëheqjen e Ramës Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit Evropian.

“I dashur Edi, urime për fitoren tuaj në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat e BE-së. Shqipëria i përket BE-së! Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan Von der Leyen në një postim në platformën X.

Më herët kryeministrin Rama e ka uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković si dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan./ KultPlus.com

Ditë e mërzisë virtuale

Poezi nga Lulzim Tafa

Unë nuk jam poet i instagramit
Njerëzit në instagram
Gjithmonë më janë dukur gënjeshtar
Ta bëjnë like pa të lexuar
Të pafytyrët

Unë kam mijëra followers
Dhe sot s’kam folë me asnjë njeri
Merreni me mend çfarë vetmie e madhe

Gruaja që dashuroj
Më nuk është online

Ajo u arsyetua se ne
Nuk jemi më të lidhur
Edhe pse unë e kontrollova Wi-Fi-n
Dhe çdo gjë ishte në rregull

Nuk vonoi shumë dhe ajo
Postoi një porosi të vjetër të Shopenhauerit
“Merrni më pak kënaqësi, nëse doni më pak dhimbje”

S’e di pse papritmas
Më lind dëshira ta vras dikë që s’e njoh
Të panjohurit gjithmonë më janë dukur të rrezikshëm

Krejt në fund
Një dreq gazetar i kulturës më pyeti
Çfarë jeni duke lexuar kohët e fundit?

Komente n’instagram
i thash./ KultPlus.com

Më shumë se 16 mijë vizitorë në Apoloni nga janari në prill

Parku Arkeologjik i Apolonisë ka pritur 16525 vizitorë, vendas e të huaj, gjatë periudhës janar-prill 2025. Shifra u publikua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.

Kjo periudhë kohore ka shënuar rritje vizitueshmërie në të gjitha monumentet e kulturës në vend dhe qyteti antik i Apolonisë është ndër më të vizituarit për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Historia e Apolonisë është e ndërlikuar dhe interesante, dhe vizitorët kanë shumë për të kuptuar dhe eksploruar në këtë vend të mrekullueshëm.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot./ KultPlus.com

Anjeza Shahini e ndezi flakën e Shqipërisë në “Eurovision” më 2004, tani ‘Zjerm’ e mban ndezur atë

“Eurovizion Song Contest” është një nga ngjarjet më të ndjekura në Evropë dhe në botë. Shqipëria ka qenë pjesë e këtij eventi që prej vitit 2004 dhe deri më sot, ka marrë pjesë në 21 edicionet e Eurovizionit, shkruan KultPlus.

Historia e Shqipërisë në Eurovizion filloi me vështirësi në vitin 2004, kur Anjeza Shahini paraqiti këngën “The Image of You” dhe arriti të ngjitet në vendin e 7-të në këtë garë të madhe e çka u konsiderua sukses mjaft i madh.

Në vitin 2005, Shqipërinë e përfaqësoi Ledina Celo me këngën “Tomorrow I Go”.

Shqipëria kthehet në Eurovizion në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë” e interpretuar nga Luiz Ejlli.

Viti 2007 dërgoi këngën “Hear My Plea” nga Frederik Ndoci si përfaqësues në Eurovision e që arriti deri në semi-finale.

Në vitin 2008, Shqipëria paraqiti këngën “Zemrën e lamë peng” nga Olta Boka. Kjo këngë zuri vendin e 17-të në këtë garë.

Viti 2009 ishte edhe një vit i suksesshëm për Shqipërinë në Eurovizion, pasi kënga “Carry Me In Your Dreams” nga Kejsi Tola arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 17-të.

Në vitin 2023, Shqipëria u përfaqësua nga Albina & Familja Kelmendi” me këngën “Duje”. Ndonëse kënga ‘Duje’ arriti të kualifikohet për në finale, ajo u rëndit e 22-ta me 76 pikë.

Shqipëria mori pjesë në Eurovision Song Contest 2024 në Malmö, Suedi, me “Zemrën n’dorë” interpretuar nga Besa Kokëdhima. Pavarësisht performancës së saj të mirë, ajo nuk arriti të hyjë në dhjetëshen e parë të finalistëve.

Në vitin 2012, Rona Nishliu paraqiti këngën “Suus” dhe arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 5-të, e cila mbetet pjesa më e lartë që Shqipëria ka arritur në Eurovizion deri më sot.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka paraqitur këngë me ngjyra moderne dhe të ndryshme. Megjithatë, këto 21 vite të pranisë së Shqipërisë në Eurovizion kanë qenë një mundësi për të prezantuar kulturën dhe muzikën shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Për konkursin e vitit 2025 në Bazel të Zvicrës, Shqipëria përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila fitoi Festivalin e Këngës 63. Dyshja, e përbërë nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, sjell në skenë një përzierje unike të muzikës elektronike dhe tingujve tradicionalë shqiptarë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, dje ka kaluar me sukses në finalen e këtij festivali, teksa është zhvilluar gjysmëfinalja e parë.

Dyshja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./ KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb.

44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon.

Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi.

Kosova nuk harron!/ KultPlus.com

26 vite nga masakra në Qyshk

Sot mbushen 26 vite nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 burra.

Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë./ KultPlus.com

‘Para se të dashuroja, gjithçka ishte bosh’

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata./ KultPlus.com

Këto janë shtetet që shkojnë në finalen e Eurovision 2025

Sot është mbajtur gjysmëfinalja e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Këngës ‘Eurosong Contest 2025’, përcjell KultPlus.

Në këtë gjysmëfinale të parë janë shpallur edhe 10 këngët finaliste.

Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina shkojnë drejt finales.

Më 15 maj do të mbahet gjysmëfinalja e dytë, ndërkaq finalja e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj./KultPlus.com

‘Shkodra Elektronike’ me ‘Zjerm’ shkon në finalen e Eurovision 2025

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, ka kaluar në finalen e këtij festivali, teksa sot po zhvillohet gjysmëfinalja e parë, përcjell KultPlus.

Shkodra Elektronike është një duo muzikore shqiptare e formuar në vitin 2019 në qytetin e Shkodrës, e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë njohur për stilin e tyre unik “folktronica”, që ndërthur muzikën elektronike me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Pas emigrimit në Itali, ata kanë ruajtur lidhjet me rrënjët e tyre kulturore, duke i sjellë ato në një kontekst modern muzikor.

Kënga e tyre “Zjerm” është një përzierje e fuqishme e tingujve elektronikë dhe motiveve tradicionale shqiptare, e cila trajton tema si dhimbja, qëndresa dhe shpresa. Teksti i këngës është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi, ndërsa muzika është kompozuar nga Gjergji dhe Kolë Laca.

Duoja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Mirë se erdhe, ndarja zgjati shumë’

Poezi nga Nazim Hikmet Ran

Mirë se erdhe!
Zbrazëtia jote qëndroi
krah nesh si një dorë e këputur.
Mirë se erdhe!
Ndarja zgjati shumë,
Malli na mori
sytë na mbetën nga oborri.
Mirë se erdhe!
Ne,
jemi siç na le.
Vetëm se u bëmë më mjeshtra
gurë duke thërrmuar
mikun nga armiku duke shquar…
Mirë se erdhe!
Kemi plot, për të thënë e dëgjuar
Por shumë gjatë, kohë s`kemi.
Le të ecim…

Burg, 1932./ KultPlus.com

Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin

Nga Albert Vataj

Në një reflektim krahasues, i ndritshëm për nga thellësia dhe sinteza, shkrimtari dhe kritiku amerikan John Updike ndalet te dy figura madhore të letërsisë botërore të shekullit XX: Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez. Ai i vendos këta dy gjigantë të letrave përballë njëri-tjetrit jo për të shpallur fitues, por për të ndriçuar dy mënyra të ndryshme të shkrimit nën pesha të ndryshme të historisë, kulturës dhe pushtetit.

“Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez; të dy tregojnë rreth qyteteve që lëshojnë vezullime magjepsëse dhe mbizotërohen nga klanizmi.”

Në këtë vëzhgim, Updike e dallon ngjashmërinë e dukshme mes veprave të tyre: të dy krijojnë botë që përkunden mes realitetit dhe fantazisë, ku qytetet janë më shumë simbole shpirtërore sesa koordinata gjeografike. Por ai dallon qartë edhe dallimet thelbësore:

“Qyteti prej guri i Kadares duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur, më pak i paçuditshëm sesa qyteti Makondo i Márquezit, i tëri me ndërtesa të larta me mure pasqyrash…”

Këtu, Gjirokastra e Kadaresë është një vend i konkretësuar, i fortë, me rrënjë në kujtesën historike dhe të fëmijërisë. Ndërsa Makondoja e Márquezit është një laborator i realitetit magjik — vendi ku kohët përzihen dhe muret reflektojnë sa vetveten aq edhe fantazinë kolektive të një Amerike Latine të përmbysur.

Por pyetja më e rëndësishme që ngre Updike është:

“Si ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Enver Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëm?”

Kjo pyetje është thelbi i shqetësimit kritik perëndimor për shkrimtarin që vjen nga diktatura. Në sytë e Updike, Kadare nuk është thjesht një autor që mbijetoi censurën; ai është një krijues që e përdori atë si sfond për të ndërtuar një gjuhë aludimesh, të shtresëzuar e të rafinuar. Sipas tij, ekzistojnë disa mënyra që lejojnë një shkrimtar të mbijetojë dhe madje të lulëzojë nën totalitarizëm:

“Kujtimet nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë strehë mbrojtëse për një shkrimtar, i cili krijon nën regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet fantastiko-historike.”

Ky përfundim është një analizë e hollë e poetikës së mbijetesës. Kujtesa personale bëhet jo vetëm lëndë narrative, por edhe strategji për të mbrojtur veten nga përplasja direkte me pushtetin. Përkthimi, nga ana tjetër, shërben si një dritare drejt botës dhe si një mjet për të ushqyer gjuhën dhe stilin. Ndërsa zgjedhja e një zhanri si romani historik ose ai fantastik është, në të vërtetë, një mënyrë për të shmangur konfliktin frontal me realitetin politik, duke e zhvendosur mesazhin në të shkuarën, ose në një univers tjetër.

Në këtë dritë, Kadareja nuk është një shkrimtar i dorës së dytë që fati e nguli në një cep të errët të hartës letrare, por një mjeshtër i formës dhe përmbajtjes në kushte ekstreme. Ai nuk është më pak universal sesa Márquezi — vetëm se universaliteti i tij vjen jo nga shpërthimi i imagjinatës tropikale, por nga disiplina e nënkuptimit, simbolikës dhe arketipit ballkanik.

Updike e lexon Kadarenë me një ndjeshmëri të rrallë për lexuesin anglo-amerikan, duke na dhënë një mësim se si letërsia e madhe, edhe kur vjen nga një vend i vogël dhe i mbyllur, mund të jetë universale në ndjeshmëri dhe mjeshtërore në zbatim./KultPlus.com

36 vjet pa trompën e Chet Baker

Muzikanti i njohur amerikan, Chet Baker u lind më 23 dhjetor 1929 në Oklahoma, sipas britannica.com.

Ai ishte në kulmin e tij muzikor kur vdiq, pasi ra nga dritarja e një dhome hoteli, në Amsterdam, më 13 maj 1988.

Baker ishte një trompist dhe vokalist amerikan i xhazit, i njohur për tonin e tij të përvuajtur dhe të brishtë si në interpretim ashtu edhe në këndim.

Ai ishte një figurë kulti, por problemet me varësinë nga droga ia kufizuan një karrierë premtuese.

Që në moshën 10 vjeç, Baker filloi të luante trompë në grupin e shkollës së tij.

Ai luajti në grupet e ushtrisë amerikane gjatë dy periudhave si ushtar (1946–48 dhe 1950–52) e më pas performoi në zonën e San Franciskos në vitet 50 duke luajtur së bashku me Charlie Parker.

Ai tërhoqi vëmendje të konsiderueshme në vitin 1952 si anëtar i kuartetit të njohur të Gerry Mulligan, me këngë të tilla si “Walkin’ Shoes”, “Bernie’s Tune” dhe “My Funny Valentine” që përmbanin interpretimin e qetë dhe të përmbajtur të Baker.

Baker në këtë kohë u shpall si një forcë e re e madhe në xhaz, duke kryesuar sondazhin e revistës ”Metronome” si trumpetisti më i mirë i vitit 1953 dhe duke krijuar kuartetin e tij në të njëjtin vit.

Regjistrimi i tij i vitit 1954 i “Let’s Get Lost” ishte një baladë romantike që mori konotacione të reja.

Shumë fansa dhe kritikë menduan se Baker, me popullaritetin dhe pamjen e tij të mirë, mund të kishte qenë një yll filmi. Turnetë evropiane gjatë viteve 1955 dhe 1956 ia shtuan reputacionin, dhe regjistrimet e bëra gjatë kësaj kohe përfaqësojnë më të mirën e karrierës së hershme të Baker.

Megjithatë, jeta e tij u bë gjithnjë e më e paqëndrueshme gjatë fundit të viteve 1950, ndërsa ai u bë gjithnjë e më i varur nga heroina.

Turnetë e mëvonshme në Evropë gjatë fillimit të viteve 1960 rezultuan në probleme të shumta ligjore për Baker, varësia e tij nga droga çoi në arrestime, dënime me burg dhe mbyllje në një sanatorium.

Me ndihmën e metadinës, Baker bëri një rikthim gradual gjatë viteve 1970. Vitet e varësisë kishin lënë gjurmën e tyre në zërin e tij të këndimit, i cili u bë gjithnjë e më i pasigurt dhe i ashpër, por shumë kritikë menduan se loja e Baker në trombë ishte në kulmin e saj gjatë dekadës së tij të fundit.

Ndjeshmëria ndaj Baker u rrit pas vdekjes së tij me publikimin e dokumentarit biografik të regjisorit Bruce Weber ”Let’s Get Lost” (1988) dhe kujtimeve të papërfunduara të vetë Baker ”As Though I Had Wings” (1997)./KultPlus.com

‘Pse t’i shikojmë kafshët?’, Jakup Ferri pjesë e ekspozitës në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë

Artisti shqiptar, Jakup Ferri do të marrë pjesë në ekspozitën grupore ‘Pse t’i shikojmë kafshët?’ që do të hapet në Muzeun Kombëtar të Arteve Bashkëkohore në Athinë të Greqisë, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë e cila do të hapet të enjten më 15 maj ka për qëllim të përëqendrohet në të drejtat e kafshëve dhe mirëqenien e tyre.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e Jakup Ferrit:

Hapja e enjte 15 maj 2025 | ora 20:00

Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor

EMST Athinë

‘Pse t’i shikojmë kafshët?’, një rast për të drejtat e jetëve jo-njerëzore është një ekspozitë e madhe grupore që përqendrohet në të drejtat e kafshëve dhe mirëqenien e kafshëve, duke theksuar nevojën për të njohur dhe mbrojtur jetët e kafshëve jo-njerëzore në një botë antropocentrike që i margjinalizon, i shtyp dhe i brutalizon ato. Me pjesëmarrjen e më shumë se 60 artistëve nga katër kontinente dhe me mbi 200 vepra që zënë të gjitha katet e Muzeut, ‘Pse t’i shikojmë kafshët?’ është ekspozita më e madhe e organizuar ndonjëherë nga EMΣT dhe ekspozita e parë e madhe mbi të drejtat e kafshëve jo-njerëzore ndërkombëtarisht. Me këtë projekt EMΣT vendos drejtësinë ekologjike dhe të drejtat e jetës jo-njerëzore në qendër të programimit të saj për muajt në vijim. Nëse njerëzimi dëshiron të angazhohet me drejtësinë klimatike, biodiversitetin dhe mbrojtjen e mjedisit, kafshët jo-njerëzore përbëjnë një pjesë integrale të diskutimit.

Ekspozita është kuruar nga Katerina Gregos, Drejtore Artistike ΕΜΣΤ./KultPlus.com