‘Zjermi’ i Shqipërisë i jep ‘flakë’ skenës së Eurovisionit

Sapo kanë përfunduar performancën e tyre përfaqësuesit e Shqipërisë “Shkodra Elektronike”, të cilët ishin të fundit në listën e interpretimeve.

Paraqitja dhe prezantimi i tyre elektrizoi skenën, ku edhe brohoritjet vazhdonin të përcillnin këngën në sfond.

CNN– mediumi prestigjioz amerikan një ditë më parë e ka renditur këngën “Zjerm” të Shkodrës Elektronike si këngën më të mirë të edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës.

Në një artikull kushtuar Festivalit Evropian të Këngës, ku ishin të radhitura 26 këngët finaliste, CNN në krye të listës e ka pozicionuar Shqipërinë.

Dy yjet e Shkodrës Elektronike janë cilësuar si “dyshja më e papritur” e “Eurovisionit”.

Këngëtarja Beatriçe Gjergji ka thënë se “Eurovisioni” në fakt nuk është lloj i muzikës së tyre. Por pikërisht kjo ka bërë që Shqipëria të ketë përparësi për shkak të mosngjashmërisë me asnjë këngë tjetër, po merr vëmendjen e merituar nga fansat.

“Nëse beson në llojin e muzikës që do, ndoshta mund të ndodhë diçka”, ka thënë Gjergji. /

István Lajkó, ‘Magjistari i tastierës’ sjell përjetim të rrallë artistik në mbrëmjen e katërt të Chopin Piano Fest

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në skenën e Chopin Piano Fest në natën e katërt të edicionit të 15-të ka interpretuar “magjistari i tastierës”, pianisti Istvan Lajko, shkruan KultPlus. Një mënyrë e veçantë interpretimi e solistit hungarez ka sjell magjinë e tingujve të muzikës klasike, përmes prekjeve të buta dhe elegante të tasteve bardh e zi, që krijonin përshtypje se po prekej shpirti i pianos.

Një mjeshtëri e rrallë si kjo, përqëndronte vëmendjen e audiencës në çdo sekondë, për të cilën gjë ai është shpërblyer në konkurse ndërkombëtare si: Granx Prix- Çmimi i Parë dhe dy çmime speciale në Konkursin Ndërkombëtar për Piano Listz- Bartok- Ligeti. Lajko është dekoruar edhe me titullin Kalorës i Kulturës Universale.

Tingujt e kompozitorit Sergei Rachmaninoff në veprën “Variations on a theme of Corelli op.42” emetoheshin rrallë fillimisht, duke të dhënë mundësinë për të shijuar muzikën mes heshtjes së tingujve. Këta tinguj dërgonin në një botë ku mbretëronte një harmoni absolute, ku tingulli ndriçonte esencën e secilit pjesëmarrës.

Kurse, tingujt e autorit Franz Schubert “3 Piano Pieces D.946” emetoheshin me një interval më të shpejtë. Një kolonë e tingujve që dilnin nga lëvizjet milimetrike të pianistit “me duar prej pambuku” krijonte jehona të vazhdueshme që i jepnin gjallëri mbrëmjes. Ndërkaq, në veprën e Franz Listz “Variations on a Theme of Bach-“weinen, Klagen, Sorgen, Zagen” S. 180” njëra dorë e solistit dhuronte ndjeshmëri që thehej sa herë që tingujt me tone të larta përshkonin sallën me shpejtësi. 

Veprat “3 Petrarch Sonnets S. 161/ 4- 6” dhe “Hugarian Rahpsody No.15 S. 244/15” të kompozitorit Listz ishin të fundit që u dhanë në këtë mbrëmje magjike me tinguj që përcillnin, ndjeshmëri, dashuri dhe harmoni në skenën e festivalit më të madh të muzikës klasike në vend.

Pas koncertit, në një prononcim për media artisti Istvan Lajko ka thënë se për të tretën herë në Prishtinë ka përjetuar një përvojë të jashtëzakonshme.

“Me kënaqësi e kam pranuar ftesën për pjesëmarrje në festival nga Lejla dhe Besa. Jam këtu për të tretën herë me radhë, pas viteve 2014 dhe 2019. Koha e kaluar këtu është e mrekullueshme. Është një qytet i jashtëzakonshëm, një publik i mrekullueshëm dhe ka ushqime fantastike. Koncerti pati një program të vështirë, por shpresoj që kam arritur të përçoj te publiku atë që kam dashur. Sonte ishte një audiencë shumë entuziaste, kështuqë jam shumë i lumtur që përjetova momente të mrekullueshme në skenë” ka thënë artisti Lajko.

Në një prononcim për KultPlus, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula ka thënë se interpretimi i pianistit Lajko në mbrëmjen e së premtes ka dhënë kulminacion në virtuozitetin pianistik.

“Unë personalisht dhe tërë ekipa jonë jemi shumë të lumtur që këta artistë pranojnë të vijnë në festivalin “ Chopin…”. Ju pëlqen kjo sallë dhe këto kushte që janë të improvizuara. Vërtetë po krijohet një atmosferë e bukur. Publiku është i mrekullueshëm, dëgjon me vëmendje dhe mundohet ta përjetojë muzikën. Ata janë një nivel i artistëve që vërtetë e nxisin këtë përjetim. Sonte ishte Lajko, ka qenë edhe herë të tjera në “Chopin…”. Është mik i yni nga Hungaria, i cili punon në tri universitete në Evropë. Është i mrekullushëm. Është një pianist i cili luan në tërë botën. Ju e patë është vërtetë i jashtëzakonshëm”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula, duke komentuar interpretimin e tij të jashtëzakonshëm dhe misionin e festivalit “Chopin”.

“Unë jam e lumtur që përsëri kishim mundësi të shijojmë muzikimin e tij. Kjo lojë pianistike, me këtë tingëllimë kaq të pastërt, të kristaltë, vërtetë është kulminacion në virtuozitetin pianistik. Jam shumë e lumtur që sonte kishte studentë të Pianos, të cilët janë kënaqur duke e ndëgjuar veprën posaqërisht veprën e Listz, por edhe veprën e Rachmaninoff. Këto janë perla  të literaturës pianistike. Ky është edhe synimi ynë. Unë si pianiste mendoj që misioni jonë i organizimit pikërisht është ky: që ti sjellim këto vlera në Prishtinë, në mënyrë që Prishtina të frymojë si një kryeqytet i cili kultivon edhe vlera të mirëfillta shumë të larta të muzikës klasike”, ka thënë Lejla Pula.

Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet më 20 maj me pianistin Nathanaël Gouin, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Diskutim mbi ‘Hijën e gjatë të Alois Brunner’, reflektime mbi artin dhe jetën e refugjatëve sirianë

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të letërsisë ‘Polip’, në Teatrin Oda u mbajt një diskutim i thellë me autorët dhe aktorët e shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila hapi këtë festival me premierën e saj kosovare. Paneli përbëhej nga Mudar Alhaggi, Wael Kadour dhe Mohamad Al Rashi dhe u moderua nga Alban Beqiraj.

Diskutimi, që pasoi premierën e natës së hapjes, nuk u ndal vetëm te struktura dhe përmbajtja e shfaqjes, por u shtri në reflektime personale mbi përvojën e të qenit refugjat në Gjermani dhe Francë.

Mudar Alhaggi, dramaturgu i shfaqjes, ndau për herë të parë mënyrën se si historia e kriminelit nazist Alois Brunner  që për dekada jetoi i lirë në Siri  i kishte zgjuar interes të veçantë, për shkak të një paralelizmi të hidhur.

“E mbaj mend sikur të kishte ndodhur së fundmi, në vitin 2020, ndoshta 2021, kur për herë të parë dëgjova për historinë e Alois Brunner. Ajo që më tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte fakti se bëhej fjalë për një kriminel lufte gjerman që ishte arratisur në Siri, pra ai ishte një lloj refugjati. Dhe unë jam një refugjat në Gjermani, një refugjat sirian në Gjermani”, tha Alhaggi duke shtuar se ajo që e shtyu më thellë në këtë projekt ishte një pyetje thelbësore që, sipas tij, shënjoi të gjithë procesin krijues.

“Vendosëm të bëjmë një shfaqje për Alois Brunner. Po pse po e bëjmë këtë? Pse duam të bëjmë një shfaqje për Alois Brunner? Kjo pyetje na udhëhoqi gjatë gjithë procesit deri në fund fare, deri në momentin e premierës që e patëm në Gjermani”, tha Alhaggi

Ndërkohë, Mohamad Al Rashi, një nga aktorët dhe bashkëpunëtorët në këtë projekt, ndau përvojën e vështirë dhe komplekse të ndërtimit të karakterit të Brunnerit  figurë historike por njëherësh e mjegullt, në kufijtë midis reales dhe imagjinares.

“Për mua, por edhe për ne si partner, na u duk paksa e tepruar kur unë kalova, le të themi, te personazhi i Alois Brunner. Dhe patëm një diskutim të madh: a është ky me të vërtetë Alois Brunner, apo është imagjinatë? U përballëm me këtë problem edhe për shkak të gjuhës, sepse ai është i huaj, një refugjat. Por pastaj zbuluam se ai flet arabisht shumë mirë. Kështu që arritëm në këtë karakter pak të ekzagjeruar, sepse për ne, sigurisht, ai është një kriminel. Dhe u përballëm me pyetjen: a duhet ta paraqesim atë si një qenie njerëzore apo si një karakter djallëzor? Kështu që, po, arrita në këtë pikë – as krejtësisht njeri, as krejtësisht djall”, u shpreh Al Rashi.

Ndërsa Wael Kadour vlerësoi bashkëpunimin me regjisorin Omar Elerian, si pjesë kyçe e zhvillimit dramaturgjik dhe regjisorial të shfaqjes.

“Që nga faza e shkrimit, kemi pasur shumë takime në Zoom përpara se të fillonin provat, e pastaj pesë javë prova intensive. Dhe siç e thamë, Omar Elerian ka dhënë kontribut të madh edhe sa i përket dramaturgjisë. Gjatë javës së parë, dhjetë ditëve të para të provave, kur unë dhe Mudari thjesht e vumë tekstin në mur dhe e lexuam të gjithin, bëmë zgjedhjet në mënyrë kolektive – kjo për mua ishte një përvojë shumë e pasur. Kur vërtet shikon një regjisor me përvojë dhe shumë të talentuar, i cili është jashtëzakonisht i hapur për të diskutuar, për të folur, për të rishikuar mendimin e tij çdo mëngjes, në skenë. Omar ishte gjithashtu shumë i qartë në zgjedhjen e tij për të qenë vërtet minimalist, duke punuar shumë më tepër me aktorët sesa me skenografinë”, theksoi Kadour.

Më tutje, dramaturgu Mudar Alhaggi, foli edhe për vështirësitë që hasin ata si refugjatë teksa bëjnë teatër, duke pasur gjithmonë pas vetes hijen e asaj se çka ka ndodhur dhe po ndodhë në
Siri.

“Ndërsa  po punonim në këtë projekt, dhe në përgjithësi kur bëjmë teatër, gjithmonë e ndjekim çfarë po ndodh në botë, çfarë po ndodh në Siri, në Palestinë, në Evropë. Thjesht ndjekim lajmet dhe ajo na çon në një ndjenjë dëshpërimi, në një pikë ku nuk ka më shpresë, ku gjithçka duket pa kuptim. Kështu që ndonjëherë mendon, ndoshta është frikshme të vazhdosh kështu. Dhe unë e shoh që ndoshta ndihmon për të lexuar historinë ndryshe, ose jo ndryshe, por në një mënyrë ku lidhim ngjarjet me njëra-tjetrën, lidhim të kaluarën me të tashmen. Këtë e përmenda edhe në fund të shfaqjes mbrëmë, kur thashë: “Unë jam këtu në Gjermani sepse jam refugjat – sepse isha qytetar në një vend, në një shtet të kontrolluar nga një diktator që ishte këshilluar nga Brunner. Dhe Brunner-i ndoshta ndihmoi, ndoshta më shumë se thjesht ndihmoi, në ndërtimin e sistemit të sigurisë në Siri. Që është pikërisht ai sistem që shkatërroi vendin, shkatërroi njerëzit”, tha Mudar Alhaggi

Ndërkaq, aktori Wael Kadour, shpalosi përvojën personale, duke theksuar që ndjehen gjithmonë sikur kanë humbur shpresën dhe të drejtën për një jetë më të mirë.

“Dua të them, përgjigjja ime për këtë pyetje do të ishte shumë personale. Ashtu siç e përmendi edhe Modar, për mua, dhe besoj se mund të flas edhe në emër të kolegëve të mi, veçanërisht pas viteve 2020 dhe 2021, pas pandemisë dhe pas luftës në Ukrainë, dhe pas gjithë këtij fenomeni të “lodhjes nga Siria”, kur të gjithë thjesht harruan çfarë po ndodhte në atë pjesë të botës. Pra, ne që jemi emigrantë apo në mërgim në Evropë, jemi harruar dhe kemi humbur krejtësisht, tani po flas vetëm për veten time, kam humbur plotësisht çdo shpresë për një ndryshim në jetën time personale apo politike në vendin tim. Dhe siç po thosha, në ushtrimet tona shumë personale, kur flisnim për veten, sepse në atë periudhë koh, midis pandemisë dhe pak para rënies së regjimit, isha në një gjendje shumë të vështirë personale, duke përdorur antidepresivë. Dhe mes gjithë kësaj, po bëja këtë jetë paralele të provave për shfaqjen. Për mua, ndjehej sikur po humbja të drejtën për një jetë më të mirë, sikur gjithçka kishte marrë fund”, u shpreh Kadour.

E pas këtij diskutimi, u hap edhe pjesa ku pjesëmarrësit patën mundësi të bëjnë pyetje e të shtojnë komente rreth shfaqjes por edhe rreth përvojës personale të filmbërësve sirianë./KultPlus.com

1922/ Letra e Beqir Haçit, që fitoi çmimin e parë, drejtuar të rinjve amerikanë të Kryqit të Kuq

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Maj 2025

Kur arsimtari, përkthyesi dhe poeti Beqir Haçi (1907 – 1990) shkruajti letrën në vijim, sigurisht që nuk e dinte për fatin tragjik që do t’i rezervohej vite më vonë nga regjimi komunist. Revista amerikane “Junior Red Cross News” botoi në shtator të 1922, në faqen n°16, letrën e tij kur ai ishte një djalosh 14 vjeçar, përmbajtjen e të cilës, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16
Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16

Të dashur të Rinj,

Jo shumë kohë më parë, në vendin e vogël malor të Shqipërisë ishte një festë kombëtare, kur në Tiranë u hapën punimet për ndërtimin e një ndërtese të përhershme për Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) – një shkollë e bërë e mundur falë ndihmës së dhënë nga Kryqi i Kuq Amerikan për të Rinj. Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të Kabinetit ishin të pranishëm, si dhe diplomatë të vendeve të huaja, sepse ishte një rast i rëndësishëm. Shqipëria ishte e shtypur nga turqit për 500 vjet para Luftës Botërore dhe i ishte mohuar shkolla e saj. Të shpërndarë nëpër male në fise, këta pasardhës të ilirëve të lashtë jetonin me pushkë dhe pistoleta gjithmonë pranë dhe shpesh luftonin mes tyre… Këtu filloi shkolla profesionale e Shqipërisë. Grupi muzikor amerikan, nga Worcester, Massachusetts, ishte i pranishëm dhe gjallëroi ceremoninë.

Shkolla Profesionale Shqiptare, në një godinë të përkohshme, ka rreth një vit që ekziston, me amerikanë të aftë që ju përfaqësojnë ju, Të Rinj, në krye të saj. Gjashtëdhjetë e katër djemtë që ndjekin këtë shkollë erdhën nga tetë krahina të Shqipërisë, janë anëtarë të fiseve të ndryshme dhe po mësojnë idealet e shërbimit dhe vullnetit të mirë që janë më të lartat në mendjet e Të Rinjve të vërtetë. Kur të largohen nga kjo shkollë, ata do të jenë të përgatitur t’i shërbejnë vendit të tyre si mësues dhe udhëheqës mendimi. Tetë prej tyre janë paraqitur në këtë faqe. Pas tyre do të shihni flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë duke u valëvitur së bashku.

Në mbyllje të semestrit të parë, djemtë shkruan ese rreth shkollës. Për këto ese u ndanë pesë çmime, të cilat janë në formën e letrave drejtuar Të Rinjve amerikanë. Beqir Haçi quhet djali që fitoi çmimin e parë dhe letra e tij dëshmon për vlerën e madhe të këtij lloji të punës së Të Rinjve.

Të dashur të Rinj, shkruan Beqiri në anglisht, unë jam një djalë shqiptar katërmbëdhjetë vjeç. Shqipëria, siç mund ta dini, është një shtet i vogël i vendodhur në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Populli i këtij shteti, megjithëse pak i njohur, vjen nga një racë shumë e vjetër. Shumë shkrimtarë të mëdhenj thonë se ky popull është më i vjetri në Gadishullin Ballkanik. Arsyeja pse Shqipëria është kaq e prapambetur është se fqinjët e saj nuk e kanë lënë kurrë të qetë, por gjithmonë janë përpjekur ta zotërojnë atë. Me shumë thirrje drejtuar shteteve më të mëdha të Evropës, me luftëra dhe me revolucione, Shqipëria fitoi pavarësinë e saj. Duke qenë e shkatërruar dhe e zotëruar nga të huajt për shumë vite, ajo u bë e varfër. Ajo i thirri të gjithë botës për ndihmë, por askush nuk tregoi mëshirë përveç fëmijëve të kujdesshëm përtej Atlantikut.

I gjithë populli shqiptar, burra dhe gra, djem dhe vajza, janë shumë mirënjohës ndaj jush, Junior-ë — Nxënës të mirë. Për mirësinë e madhe që po u tregoni njerëzve të tyre, fushat, pyjet, malet, liqenet dhe lumenjtë e Shqipërisë duket se janë të lumtur. E gjithë Shqipëria po falënderon Zotin për të mirat që u keni dhënë juve, Të Rinj. Të gjithë e shohin se nga Shkolla Profesionale Shqiptare, e cila mbështetet falë ndihmës tuaj, do të dalin djem me arsim të mirë, të ditur dhe të aftë për të zbuluar dhe zhvilluar pasurinë e vendit, e cila tani është e fshehur. Do të dalin djem që do të qëndrojnë larg gënjeshtrës dhe vjedhjes, që do të dinë dhe do të bëjnë vetëm të drejtën.* * * E falënderoj Zotin që kam pasur fatin e mirë të vij në këtë shkollë. Mësoj shumë gjëra të mëdha dhe të dobishme. Në nëntë muaj kam mësuar ta përdor anglishten pothuajse aq mirë sa gjuhën time.

Beqiri përshkruan atë që ka mësuar në matematikë, vizatim mekanik, fizikë dhe gjeografi dhe vazhdon :

Gjërat më të mira që kam mësuar janë si ta mbaj veten të pastër, si të sillem, si të jem mik me të gjithë dhe si t’i respektoj prindërit dhe mësuesit e mi. Kam mësuar gjithashtu disa nga lojërat tuaja, si bejsbollin dhe basketbollin. * * * Kur erdha këtu peshoja 37 kilogramë. Tani peshoj 44.

Shpresojmë që një ditë të jemi në gjendje t’jua shpërblejmë bujarinë. Me këtë ndihmë, jini të sigurt, fëmijë të dashur, se do të bëhemi një popull i ri, i frymëzuar nga idealet e “Shërbimit dhe Miqësisë”, për pjesën tjetër të botës. E mbyll letrën time duke shpresuar se do të na përgjigjeni shpejt dhe se do të na falni për gabimet tona.

Me dashuri për të gjithë anëtarët e Kryqit të Kuq për të Rinj.

Pra, kjo është në të vërtetë “Letra e Beqir Haçit për ju” dhe jo e redaktorit ! Dhe Beqiri flet për veten e tij, për gjashtëdhjetë e tre shokët e tij nxënës, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë kauzën e Kryqit të Kuq për të Rinj./ KultPlus.com

Owen: Në një kalvar pranë Ancre-s

Wilfred Edward Salter Owen MC (18 mars 1893 – 4 nëntor 1918), poet dhe ushtar anglez. Në prej poetëve më të shquar të Luftës së Parë Botërore. Poezia e tij e luftës mbi tmerret e llogoreve dhe përdorimit të gazit ishte bukur e ndikuar nga mentori i tij, Siegfried Sassoon dhe ishte në kundërvënie me perceptimin publik të luftës në atë kohë dhe me vargjet patriotike të poetëve të hershëm

Në një kalvar pranë Ancre-s

Nga Wilfred Owen

Hiç s’duhet të ndalesh në rrugët e bombarduara të prishura.

Në këtë luftë edhe Ai e ka humbur një gjymtyrë,

Por dushepujt e tij fshihen anash;

Dhe tash ushtarët po i bëjnë ballë tok me Të.

Afër Golgotës vejevijnë shumë priftërinj,

Dhe në fytyrat e tyre ka një krenari

Se ata janë mish-damkosur nga Bisha

Nga të cilët është mohuar Krishti bujar.

Skribët shtyjnë të gjithë njerëzit

Dhe u kërkojnë besnikëri ndaj shtetit,

Por ata që e duan dashurinë më të madhe

Ata e japin jetën; ata nuk urrejnë.

At a Calvary Near the Ancre

One never hangs where shelled roads part./ In this war He too lost a limb,/ But His disciples hide apart;/ And now the soldiers bear with Him.//Near Golgotha strolls meny a priest,/And in their faces there is pride/ That they were flesh-marked by the Beast/ By whom the gentle Christ’s denied.// The scribes on all the people shove/

And bawl allegiance to the state,/ But they who love the greater love/

Lay down their life; they do no hate.

SHËNIM:

Nga Jon Stallworthy

Poezia më gjasë është shkruar vonë në vitin 1917, ose në fillim të vitit 1918, pasi që Owen kishte qenë i involvuar në luftimet në afërsi të lumit Ankre, në janar të viti 1917. Në një shënim të Dominic Hibberd lexojmë: «Si te ‘Parabola e Plakut dhe të riut’, Oweni adapton detaje biblike për t’ua përshtatur luftës. Në tregimin e Ungjillit, Ushtarët bëjnë roje para kryqit, ndërkohë që dishepujt e Krishtit fshihen nga frika nga autoritetet; priftërinjtë dhe skribët kalojnë andejpari me përbuzje. Kisha i çon prifetërinjtë në llogore, ku shohin ushtarin e rëndomtë me një fjalë të kryqëzohet dhe ata vetë ndihen krenarë me plagët e vogla (vargu 7: flesh-marked – mish-damkosur) si një shenjë e kundërvënies së tyre ndaj Gjermanisë (Bishës). Sidoqoftë, flesh-marked ka edhe kuptim tjetër: besohet se djalli linte shenjtat e gishtrinjve të tij në mishin e ndjakësve të tij (Zbulesa, 14:9-10). Kësodore urrejtja e Kishës ndaj Gjermanisë (vargu 12) vë në lëvizje bëmat e djallit; dhe plagët e priftërinjve janë shenja jo aq të kundërvënies ndaj djallit Gjermani sa besnikëri ndaj djallit luftë. Krishti ka thënë “Duajeni njëri-tjetrin” dhe “Duajeni armikun tuaj”; pavarësisht thirrjeve të kishës dhe shtetit, Owen vëren se “krishtërimi i pastër nuk do të përshtatet me patriotizmin e pastër”».

Marrë nga ‘The Poems of Wilfred Owen’, Chatto & Lindus, 1990 /Gazeta Express/ KultPlus.com

Macron falënderon Ramën në shqip për mikpritjen: Vendi juaj është në BE

Me anë të një postimi në Instagram, presidenti francez, Emmanuel Macron, falënderoi në frëngjisht dhe shqip kryeministrin Edi Rama dhe shqiptarët për mikpritjen e ngrohtë që iu rezervua në Tiranë.

”I dashur Edi Rama, të dashur shqiptarë, ju faleminderit për mikpritjen kaq të ngrohtë në Tiranë”, shkruan Macron.

”Miqësia midis Shqipërisë dhe Francës është e fortë dhe ne po e çojmë atë në majat më të larta! Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ushtarak apo kulturor, deklaratat tona jane kthyer në realizime shumë konkrete”, thekson ai.

”Kjo vlen edhe për arsimin, siç është rasti i hapjes së Ecole 42 në zemër të kryeqytetit tuaj, ku patëm kënaqësinë të shkojmë dje”, shton Macron.

”Vendi juaj është në Bashkimin Evropian. Franca do të jetë në krahun tuaj dhe do t’ju mbështesë në reformat tuaja gjatë këtij rrugëtimi evropian. Rroftë miqësia midis vendeve tona!”, përfundon presidenti francez, Emmanuel Macron./ atsh/ KultPlus.com

Studiuesi Palnikaj merr titullin ‘Qytetar Nderi’ nga Bashkia e Fermos për dokumentin e vitit 1652 që zbuloi për Shqipërinë

Studiuesi dhe albanologu i njohur, Mark Palnikaj prej vitesh është fokusuar në zbulimin dhe studimin e dokumenteve të vjetra shqipe, përmes të cilave ka gjetur prurje të reja për gjuhën shqipe dhe ka realizuar mjaft shkrime e libra në lëmin e historiografisë.

Si një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe, Palnikaj prej 15 vitesh ka vazhduar kërkimet në arkivat italiane si të Vatikanit, Venecias, Napolit duke zbuluar një sërë dokumentesh të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës.

Një nga kërkimet më të suksesshme nga Palnikaj është zbulimi i një dokumenti që i përket vitit 1652 në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos, në Itali.

Për punën e tij si dhe bashkëpunimin 15 vjeçar, Këshilli Komunal i Bashkisë së Fermos, me praninë e 29 anëtarëve dhe me votim unanim prej tyre, i ka akorduar dy ditë më parë studiuesit Mark Palnikaj titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Fermos” (Cittadino onorario della Città di Fermo).

Marrëdhënia midis komunitetit shqiptar dhe komunitetit të Fermos është pjesë integrale e jetës së këtij qyteti siç dëshmohet edhe nga fakti se në Fermo ka një shesh me emrin e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Studjuesi Mark Palnikaj që prej vitit 2015 ka kryer kërkime në arkivin e Venecias, Padovas, Loretos, Fermos, Grotaferratës, Napolit për të zbuluar dokumente historike që hedhin dritë mbi historinë e Shqipërisë. Në arkivën e Vatikanit, Palnikaj ka kryer kërkime në katër burime historike, përkatësisht Arkivi i Propagandës Fide, në Arkivin Jezuit, Arkivin Sekret dhe Bibliotekën Apostolike.

Kërkimet nga Palnikaj në arkivat dioqezane në Fermo dhe Loreto ku për rreth treqind vjet kanë funksionuar Kolegjet Ilirike, vazhduan për një kohë të gjatë pasi aty kishte mjaft të dhëna për mbi dyqind e dhjetë persona nga Shqipëria që vazhduan studimet për teologji dhe filozofi.

Në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos janë të ruajtura mijëra libra dhe dokumente me rëndësi.

Midis gjithë kësaj pasurie të madhe dokumentare, dallohej një dokument me 510 faqe i vitit 1652, i ruajtur në dorëshkrim i cili bënte fjalë krejtësisht për ngjarjet në Shqipëri nga viti 1634 deri në vitin 1652.

Ky dokument ishte kaluar nëpër duar nga shumë studiues jo shqiptarë, por nuk ishte publikuar kurrë asnjë rresht i tij.

Studiuesi Palnikaj, pas një konsultimi me Drejtoreshën e Bibliotekës, Maria Chiara Leonori dhe Kryetarin e Bashkisë, Av. Paolo Calcinaro hartuan një marrëveshje të shkruar për publikimin e këtij dokumenti mjaft të vështirë por edhe mjaft të rëndësishëm.

Pas rreth tre vitesh, me datën 3 prill 2023, Palnikaj arriti të publikojë në versionin  dygjuhësh, shqip dhe italisht këtë dokument i cili u promovua në prani të shumë punonjësve dhe studiuesve italianë në ambientet e kësaj biblioteke në qytetin e Fermos.

Në dhjetor të vitit 2024, nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u arrit të publikohej ky dokument në versionin fototipik me zmadhim dyqind përqind dhe i shoqëruar e i shkruar për çdo faqe edhe në gjuhët shqipe dhe italiane me 1038 faqe format A4, me lidhje të fortë dhe me cilësi mjaft të lartë.

Gjatë këtyre viteve, Marku ka arritur të publikojë rreth tre mijë faqe dokumente dorëshkrime nga arkivat italiane ku ato më të rëndësishmet kanë qenë relacioni i Shtjefën Gasprit e vitit 1671 me 250 faqe, relacioni i Sospellos i vitit 1652 me 510 faqe, relacioni i Dario Buçarelit i vitit 1868 me 340 faqe dhe një numër të madh relacionesh më të vegjël se këta që përmendëm.

Biblioteka e Fermos në krahinën Marke është themeluar në vitin 1688 si një bibliotekë publike, e njohur në Itali për pasurinë e fondeve të saj të lashta, për të cilat krenohen vetë italianët ku ndër të tjera ka një fond me mbi 3,000 dorëshkrime, 681 inkunabula, 15,000 e më shumë botime të viteve njëmijë e pesëqind së bashku me pjesën tjetër të koleksioneve grafike dhe bibliografike.

Fondet e lashta të Bibliotekës përfaqësojnë një burim të pashtershëm nga i cili mund të nxirren ekselenca duke përfshirë librin e orëve të shekullit të pesëmbëdhjetë, tradicionalisht të quajtur si i Mbretëreshës Kristina të Suedisë, herbariumin e dorëshkrimeve – gjithashtu nga shekulli i pesëmbëdhjetë – që i përkiste Gherardo Cibos, tekstet më të famshme historiko-mjekësore të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë evropianë ose editio principes të rrallë latin të letrës së Kristofor Kolombit drejtuar mbretërve spanjollë me rastin e zbulimit të Amerikës.

Shqiponja përkujton çlirimin, 26 vjet nga fitorja mbi forcat pushtuese serbe

Në Shqiponjë të Dushkajës (ish-Jabllanicë), vend i njohur për qëndresën dhe sakrificën gjatë luftës çlirimtare, sot është përkujtuar 26-vjetori i çlirimit, me nderime të larta për dëshmorët dhe me kujtime për betejën heroike të 17 majit 1999.

Në këtë ceremoni përkujtimore, morën pjesë figura të shquara të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë që kishin ardhur për të nderuar 43 luftëtarë të lirisë që ranë dëshmorë në këtë trevë.

Pas nderimeve pranë varreve të dëshmorëve në Kompleksin përkujtimor, Ramush Haradinaj ka evokuar momentet vendimtare të betejës së lavdishme të 17 majit ku forcat pushtuese u detyruan të largoheshin me turp.

 “Në këtë betejë për fat të mirë ndër të tjera e morëm një autoblindë, mjet luftarak i cili e kishte një top kundërajror të kalibrit 3×20 mm por të distancës gjuajtëse deri në 2 km me mbërri predha vetëshpërthyese. Nuk kam pa në jetën time me ikë njerëzit ashtu, i pari të mbramin nuk e ka pritë”, tha Haradinaj.

Ali Ahmeti, veteran i UÇK-së dhe lider i Bashkimit për Integrim në Maqedoninë e Veriut tha se çlirimi dhe pavarësia u fitua falë trimërisë së ushtarëve të UÇK-së.

“Është meritë e UÇK-së, është meritë e atyre djemve e atyre bijave që sot Kosova është shtet”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini theksoi: “Kur ushtarët e UÇK-së ia kanë pa pluhurin e ikjes ushtrisë serbe prej Shqiponjës këtë ide e kanë pas, ta bëjnë lirinë jo vetëm për krenari, që e kemi e nuk na është hequr kurrë, por për ta bërë një vend edhe më të mirë”.

Nga familja e Komandantit Adem Jashari, i pranishëm ishte Bekim Jashari.

“Kjo tokë e ujitur me gjakun e dëshmorëve flet me zërin e të rënëve për luftën tonë të drejtë për familjet liridashëse të këtyre trevave që qëndruan si një trup i vetëm me një zemër të madhe”, tha ai.

E veterani i UÇK-së dhe deputeti Lahi Brahimaj tha se “sot me krenari kujtojmë luftën tonë të lavdishme nën emblemën e UÇK-së, e cila me gjakun e bijve më të mirë shkroi faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare”.

Çmimi i lirisë për ish-Jabllanicën, Shqiponjën e Dushkajës ishte shumë i lartë sepse vetëm në këtë lokalitet ranë dëshmorë 43 luftëtarë të lirisë. Në këtë vatër të rezistencës në vitin 1921 forcat serbe ekzekutuan 64 shqiptarë, në mesin e të cilëve pleq e fëmijë./RTK/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me kancelarin Merz: Pres me padurim ta forcojmë partneritetin tonë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz.

Osmani tha se Gjermania ka qenë prej kohësh në krah të Kosovës, si mike, partnere dhe aleate e qëndrueshme.

“Ishte kënaqësi të takohesha me kancelarin Merz në Tiranë gjatë Samitit të Liderëve të EPC-së. Pres me padurim të punoj me kancelarin për të forcuar partneritetin tonë, ndërsa punojmë së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, shkroi Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Dje është mbajtur Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ku Kosova është përfaqësuar nga e para e vendit, Vjosa Osmani.

‘Eddington’ i Aster, për Amerikën që po humbiste mendjen në 2020-n, pritet me shumë vështirësi në Kanë

Filmi i epokës COVID i Ari Aster, ”Eddington”, që flet për një Amerikë të vitit 2020 që po humbet shpejt mendjen për shkak të teorive të konspiracionit, TikTok-ut dhe ekstremizmit politik, u shfaq premierë me shumë vështirësi në Festivalin e Filmit në Kanë, sipas AP.

”Eddington”, me protagonist Joaquin Phoenix si një sherif ngatërrestar dhe i prirur ndaj gabimeve, i cili kandidon për kryetar bashkie në një qytet imagjinar të New Mexico-s, ishte ndër filmat amerikanë më të pritur me shumë dëshirë në Kanë.

Kjo shënon herën e parë në garë në festivalin francez për Aster, regjisorin e lavdëruar të filmave “Hereditary”, “Midsommar” dhe “Beau Is Afraid”.

Është gjithashtu filmi i tij më ambicioz politikisht.

”Eddington” zhytet në psikikën e pandemisë amerikane duke komplotuar një grindje në një qytet të vogël që zgjerohet për të përfshirë ngjarje mbarëkombëtare, përfshirë  vdekjen e George Floyd dhe përçarjet e djathta dhe të majta.

”Eddington”, siç parashikohej, filmi rezultoi përçarës në Kanë.

Disa kritikë e cilësuan atë si një film çuditërisht të saktë për Amerikën bashkëkohore, ndërsa të tjerë e quajtën një përsiatje të lodhshme dhe të pabindur.

Pas një duartrokitjeje joveçanërisht entuziaste, vetë Aster dukej krenar për atë që kishte bërë.

”Nuk di çfarë të them. Nuk e di çfarë mendoni ju”, tha ai duke buzëqeshur.

Sot, Aster dhe kasti i tij u përballën me pyetje nga gazetarët në një konferencë për shtyp që në mënyrë të pashmangshme u përqendruan në atë se sa shumë krijuesit e filmit mendonin se ”Eddington” ishte një pasqyrim i saktë i kohërave aktuale.

”E shkrova këtë film në një gjendje frike dhe ankthi për botën dhe doja të përpiqesha  të tregoja se si ndihesh të jetosh në një botë ku askush nuk mund të bjerë dakord për atë që është reale”, tha Aster.

”Gjatë 20 viteve të fundit, kemi rënë në këtë epokë të hiperindividualizmit. Jemi në një rrugë të rrezikshme, dhe ndiej sikur po jetojmë një eksperiment që ka shkuar keq”,  shtoi Aster.

”Mendoj se njerëzit ndihen shumë të pafuqishëm dhe shumë të frikësuar”, tha ai./ atsh/ KultPlus.com

Bobby Solo dhe Marco Zappa koncert në Tiranë

Dy nga emrat më të njohur të muzikës italiane, Bobby Solo dhe Marco Zappa, do të performojnë për herë të parë së bashku në Tiranë, në një koncert të jashtëzakonshëm, që do të mbahet më 3 qershor në Pallatin e Kongreseve.

Ky event i veçantë vjen me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, si pjesë e promovimit të aktiviteteve artistike dhe kulturore në kryeqytet, duke i dhënë publikut shqiptar mundësinë të përjetojë nga afër magjinë e muzikës së mirëfilltë italiane.

Bobby Solo, i njohur për hitet që kanë shënuar historinë e muzikës pop dhe rock italiane, dhe Marco Zappa, një nga kantautorët më të dashur në hapësirën italishtfolëse, do të sjellin në Tiranë një mbrëmje të mbushur me emocione, kujtime dhe tinguj që nuk harrohen lehtë.

Koncerti do të zhvillohet në datë 3 qershor, në orën 20:00, në Pallatin e Kongreseve, ndërsa biletat tashmë janë në shitje për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e kësaj nate të veçantë.

Një mundësi unike për të gjithë dashamirësit e muzikës italiane dhe për publikun shqiptar që vlerëson artin cilësor ndërkombëtar./ KultPlus.com

Studiuesi Palnikaj merr titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Fermos, dokumenti i vitit 1652 që zbuloi për Shqipërinë

Studiuesi dhe albanologu i njohur, Mark Palnikaj prej vitesh është fokusuar në zbulimin dhe studimin e dokumenteve të vjetra shqipe, përmes të cilave ka gjetur prurje të reja për gjuhën shqipe dhe ka realizuar mjaft shkrime e libra në lëmin e historiografisë.

Si një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe, Palnikaj prej 15 vitesh ka vazhduar kërkimet në arkivat italiane si të Vatikanit, Venecias, Napolit duke zbuluar një sërë dokumentesh të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës.

Një nga kërkimet më të suksesshme nga Palnikaj është zbulimi i një dokumenti që i përket vitit 1652 në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos, në Itali.

Për punën e tij si dhe bashkëpunimin 15 vjeçar, Këshilli Komunal i Bashkisë së Fermos, me praninë e 29 anëtarëve dhe me votim unanim prej tyre, i ka akorduar dy ditë më parë studiuesit Mark Palnikaj titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Fermos” (Cittadino onorario della Città di Fermo).

Marrëdhënia midis komunitetit shqiptar dhe komunitetit të Fermos është pjesë integrale e jetës së këtij qyteti siç dëshmohet edhe nga fakti se në Fermo ka një shesh me emrin e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Studjuesi Mark Palnikaj që prej vitit 2015 ka kryer kërkime në arkivin e Venecias, Padovas, Loretos, Fermos, Grotaferratës, Napolit për të zbuluar dokumente historike që hedhin dritë mbi historinë e Shqipërisë. Në arkivën e Vatikanit, Palnikaj ka kryer kërkime në katër burime historike, përkatësisht Arkivi i Propagandës Fide, në Arkivin Jezuit, Arkivin Sekret dhe Bibliotekën Apostolike.

Kërkimet nga Palnikaj në arkivat dioqezane në Fermo dhe Loreto ku për rreth treqind vjet kanë funksionuar Kolegjet Ilirike, vazhduan për një kohë të gjatë pasi aty kishte mjaft të dhëna për mbi dyqind e dhjetë persona nga Shqipëria që vazhduan studimet për teologji dhe filozofi.

Në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos janë të ruajtura mijëra libra dhe dokumente me rëndësi.

Midis gjithë kësaj pasurie të madhe dokumentare, dallohej një dokument me 510 faqe i vitit 1652, i ruajtur në dorëshkrim i cili bënte fjalë krejtësisht për ngjarjet në Shqipëri nga viti 1634 deri në vitin 1652.

Ky dokument ishte kaluar nëpër duar nga shumë studiues jo shqiptarë, por nuk ishte publikuar kurrë asnjë rresht i tij.

Studiuesi Palnikaj, pas një konsultimi me Drejtoreshën e Bibliotekës, Maria Chiara Leonori dhe Kryetarin e Bashkisë, Av. Paolo Calcinaro hartuan një marrëveshje të shkruar për publikimin e këtij dokumenti mjaft të vështirë por edhe mjaft të rëndësishëm.

Pas rreth tre vitesh, me datën 3 prill 2023, Palnikaj arriti të publikojë në versionin  dygjuhësh, shqip dhe italisht këtë dokument i cili u promovua në prani të shumë punonjësve dhe studiuesve italianë në ambientet e kësaj biblioteke në qytetin e Fermos.

Në dhjetor të vitit 2024, nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u arrit të publikohej ky dokument në versionin fototipik me zmadhim dyqind përqind dhe i shoqëruar e i shkruar për çdo faqe edhe në gjuhët shqipe dhe italiane me 1038 faqe format A4, me lidhje të fortë dhe me cilësi mjaft të lartë.

Gjatë këtyre viteve, Marku ka arritur të publikojë rreth tre mijë faqe dokumente dorëshkrime nga arkivat italiane ku ato më të rëndësishmet kanë qenë relacioni i Shtjefën Gasprit e vitit 1671 me 250 faqe, relacioni i Sospellos i vitit 1652 me 510 faqe, relacioni i Dario Buçarelit i vitit 1868 me 340 faqe dhe një numër të madh relacionesh më të vegjël se këta që përmendëm.

Biblioteka e Fermos në krahinën Marke është themeluar në vitin 1688 si një bibliotekë publike, e njohur në Itali për pasurinë e fondeve të saj të lashta, për të cilat krenohen vetë italianët ku ndër të tjera ka një fond me mbi 3,000 dorëshkrime, 681 inkunabula, 15,000 e më shumë botime të viteve njëmijë e pesëqind së bashku me pjesën tjetër të koleksioneve grafike dhe bibliografike.

Fondet e lashta të Bibliotekës përfaqësojnë një burim të pashtershëm nga i cili mund të nxirren ekselenca duke përfshirë librin e orëve të shekullit të pesëmbëdhjetë, tradicionalisht të quajtur si i Mbretëreshës Kristina të Suedisë, herbariumin e dorëshkrimeve – gjithashtu nga shekulli i pesëmbëdhjetë – që i përkiste Gherardo Cibos, tekstet më të famshme historiko-mjekësore të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë evropianë ose editio principes të rrallë latin të letrës së Kristofor Kolombit drejtuar mbretërve spanjollë me rastin e zbulimit të Amerikës./ KultPlus.com

Eurovision 2025, DW: Kënga ‘Zjerm” vërtet klas dhe përfaqëson muzikën

Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, të grupit “Shkodra Elektronike” përfaqësojnë Shqipërinë me këngën “Zjerm”, e cila ka shanse të larta për të arritur një rezultat të suksesshëm.

Në hollin e një hoteli në Bazel të Zvicrës, gazetarët që mbulojnë festivalin europian të këngës “Eurovision Song Contest” mbajnë radhë për të intervistuar këngëtarët që ja kanë dalë mbanë të ngjiten në skenën e finales së madhe së 17 majit.

Për të takuar dhe intervistuar Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, dyshen e “Shkodra Elektronike”, duhet pritur gjatë. Interesi për ta është i madh. Gazetarë nga e gjithë bota duan të dinë gjithçka për përfaqësuesit e Shqipërisë së këtij viti, që nga teksti i këngës, veshja, lëvizjet skenike, ambiciet, pritshmëritë. Pyetjet janë të pafundme dhe lodhja e tyre është e dukshme, megjithatë gjejnë kohë për t’i dhënë përgjigje të sinqerta e të vërteta gjithësecilit të interesuar, me një buzëqeshje që nuk u ikën asnjëherë nga portreti.

Ngjizja e “Shkodra Elektronike”

Edhe pse të dy të lindur në Shkodër dhe të emigruar herët në Itali, Beatriçja dhe Kola nuk njiheshin më herët, por u gjetën rastësisht në rrjetet sociale, ndërkohë që secili kishte grupin e tyre muzikor. “Me Kolën jemi gjetur në internet. Jemi simboli i kohës ku jetojmë” – thotë Beatriçe Gjergji për DW. Dëshira për të rikrijuar një cover të këngës shkodrane “Turtulleshë” bëri që para se t’ua propozonte miqve të saj italianë këngën, të kërkonte në Youtube, ku gjeti një cover të mëhershëm që Kola kishte kënduar me grupin e tij.

“Ishte cover shumë i bukur dhe diçka krejt e re, e padëgjuar më parë dhe më pëlqeu shumë. U emocionova”. Pastaj kureshtja bëri që të dinte më shumë për Kolën dhe dëgjoi intervista të tij, ku mësoi se dhe ai ishte nga Shkodra, emigrant i viteve ’90, dhe gjeti shumë ngjashmëri me historinë e jetës së saj. Më pas komunikuan në Facebook dhe pasi ndoqën nga larg aktivitetin muzikor të njëri-tjetrit, u takuan dhe nisën të flisnin për bashkëpunim, derisa në 2019-ën krijuan “Shkodra Elektronike”.

Kulmi i bashkëpunimit të tyre artistik është shkrimi i këngës për Festivalin e fundvitit të Radio-Televizionin shqiptar, fitorja e së cilës i solli në skenën gjigante të Eurovisionit.

“Njerz’t e mirë e njerz’t pa emër, kërcejnë valle n’shpirt” – është një nga vargjet e “Zjerm”.

“Kur kam nisur të shkruaj këngën, kam menduar të shkruaj për njerëzit e mirë, njerëz të cilët kur bëhen me nerva, nuk reagojnë keq. E kam shkruar për njerëzit me empati, dhe unë kam pasur fatin të njoh shumë prej tyre, që kanë lënë shenjë të madhe tek unë dhe unë kam mësuar shumë prej tyre” – thotë Beatriçe.

“Emigrantë të viteve ‘90”

Kolë Laca ishte 20 vjeç kur vendosi të studiojë në Itali. Në Shkodër kishte studiuar për piano në licé por nuk ishte ndjerë asnjëherë i lirë për të bërë muzikën që donte. “Mbarova studimet dhe aty e mbylla me muzikën, sepse po flasim për një shkollë në komunizëm, ku askush nuk ishte i lirë të bënte çfarë të donte” – tregon Kola për DW. Mirëpo sistemi ra dhe gjithsesi Kola nuk e gjente veten në Shqipëri. Përmes një burse të shkollës së Jezuitëve në Shkodër vendosi që në vitin 1992 të studiojë drejtësi në Padova të Italisë, degë të cilën më pas e ndërroi me shkencat politike, aty ku dhe u diplomua.

Por në një treg të lirë dhe të zhvilluar muzikor si Italia, iu rikthye muzikës por këtë herë jo asaj klasike por muzikës underground. “Aty ia nisa nga 0 edhe nga muzika. Mbaj mend që gjëja e parë që bëra kur mbërrita në Padova ishte blerja e një gazete ku njoftohej për aktivitetet muzikore që do të kishte në muajt në vijim dhe pashë që do të vinin grupi ‘Aerosmith’. Shkova për t’i parë dhe aty kuptova psikologjikisht dhe fizikisht ndryshimin e madh me Shqipërinë e atyre viteve” – thotë Kola.

Për vështirësitë e fillimit nuk ndalet të flasë gjatë, pasi në 33 vite jetë në Itali, thotë se ka pasur kohë mjaftueshëm që të harrojë gjithçka.

Ndërsa Beatriçe ishte vetëm 6 vjeç kur familja e saj emigroi në Itali, pas një eksperiencë tjetër emigrimi që kishin pasur më herët në Gjermani. “Italia nuk ka qenë e lehtë, sidomos për prindërit e mi. Por në sytë e tyre unë nuk kam parë kurrë frikën, por vetëm dinjitetin. Prandaj dhe jeta ime ka qenë me ngjyra dhe nuk ka qenë kurrë e mërzitshme” – thotë Beatriçe, e cila ndihet me fat që në jetën e saj kanë mundur të ndërthuren bukur dy botë të ndryshme, ajo shqiptare dhe italiane.

“Muzikantë klasi”

“E dëgjove Shqipërinë? Çfarë klasi që kanë. E meritojnë të jenë të paktën në treshen fituese”.

Kjo është fjalia që një gazetar ia thotë kolegut ngjitur, pasi “Shkodra Elektronike” përmbyll provën e fundit skenike para finales së madhe të datës 17 maj. Nga organizatorët, Shqipëria është përzgjedhur që të jetë kënga e fundit e listuar në garë, me numrin 26.

“Është zgjidhje jo e zakontë që kemi lënë të parafundit San Marinon, dhe të fundit Shqipërinë. Sepse San Marino është argëtim, një këngë ritmike ku gjithkush kërcen. Por nga ana tjetër donin ta mbyllnim me një zgjedhje që është vërtet klas dhe përfaqëson muzikën. Dhe kjo është kënga e Shqipërisë. Ka shumë talent, zgjuarsi, dhe është një këngë shumë e bukur. Mund edhe të kishim lënë Shqipërinë të parafundit dhe San Marinon të fundit, por është më e drejtë që ta mbyllim këtë festival me një veprim me klas” – tha pak orë para finales Christer Björkman, një ndër producentët më jetëgjatë të Eurovision Song Contest.

Ekspertët dhe të apasionuarit e këtij festivali festivalit kanë debatuar vazhdimisht për rëndësinë që i jepet radhitjes së këngëve në natën finale, ku shumë syresh mendojnë se këngëtarët që këndojnë në pjesën e dytë të garës, nuk kanë shanse më të larta për të fituar. Megjithatë gjatë viteve të fundit disa prej fituesve kanë qenë të listuar në fund të garës, si përshembull Italia me Maneskin në në vendin e 24-t (2021) apo Ukraina me Jamalën në vendin e 21-të në vitin 2016./DW/ KultPlus.com

Rikthehet Java Kulturore e Evropës, nga 17 deri më 31 maj në 9 qytete

Nga data 17 deri më 31 maj, Shqipëria mirëpret edicionin e radhës të Javës Kulturore të Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës që do të shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamzë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë).

Me një program të pasur prej mbi 45 aktivitetesh, kjo javë ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.

Artistë si Blerta Kambo, Olsi Hoxha, Redina Qose, Rona Nishliu, Gentian Doda, Lorin Terezi, Harlen Nikolli, e shumë të tjerë do të sjellin përmes muzikës, teatrit, filmit, ekspozitave, performancave dhe bisedave, një përjetim të thellë mbi çështje si identiteti, kujtesa, liria, përkatësia dhe dashuria.

Programi përfshin gjithashtu biseda me artistë, forume për dialog dhe reflektim mbi rolin e artit në shoqëri – duke shndërruar qytetet shqiptare në skena të hapura të mendimit kritik dhe krijimtarisë kolektive.

Java e Evropës 2025 është një hapësirë bashkëpunimi ku kultura vepron si urë mes qytetarëve, komuniteteve dhe vlerave evropiane. Kjo iniciativë nuk synon të përshkruajë Evropën, por t’i japë zë atyre që e jetojnë dhe e ripërfytyrojnë atë, përmes gjuhës së përbashkët të artit.

Pas Javës Kulturore të Evropës, Javët Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vijojnë me Italinë, për t’u pasuar nga Izraeli, Suedia, Franca etj./ KultPlus.com

De Niro: Vdekja? Nuk më tremb!

Vdekja? Nuk kam zgjidhje tjetër, kështu që më mirë të mos kem frikë prej saj, thotë Robert De Niro në takimin me qindra studentë, kinematografë dhe gazetarë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Duartrokitjet kur fituesi i nderit i Palmës së Artë, i cili nuk i kurseu fjalët për Trumpin dhe të gjitha regjimet fashiste që luftojnë artin, hyn në sallën ”Debussy” janë të pafundme.

Të gjithë në këmbë për tre minuta shumë të gjata.

Një legjendë filmi që nuk është e lehtë për t’u thyer.

”Vazhdoni të më bëni pyetje, le të vazhdojmë të pyesim derisa të përfundoj në një arkivol”, është komenti sarkaztik i De Niros.

Një gazetar i ri nga Gjeorgjia flet për miqtë e burgosur pa asnjë arsye dhe pyet se si të ndryshohet kursi.

“Njerëzit duhet të mbrojnë atë që është e drejtë, sepse ata e dinë në thelb se çfarë është e drejtë, dhe ne e dimë që disa njerëz po bëjnë atë që është e gabuar. Njerëzit duhet të kenë të drejtën të marrin vendime kolektivisht”, përgjigjet De Niro.

Më pas ai flet vetëm për kinemanë.

”Shkoja atje çdo të shtunë, ndonjëherë me babanë tim. Na pëlqente, ishte një mënyrë për të qenë bashkë pa folur. Gjithmonë kam dëshiruar që filmat të shfaqeshin në kinema sepse ka një ndryshim midis të jetuarit të një përvoje në teatër dhe të jetuarit të saj vetëm. Teatri është familje”, thekson ai.

De Niros i kërkohen edhe burimet e frymëzimit.

”Janë ata të gjeneratës sime: Marlon Brando me filmin ‘On the Waterfront’, James Dean, Montgomery Clift, Laurence Olivier, filmat western të John Ford. Filmi i parë që pashë në jetën time ishte ‘E bukura dhe bisha’ nga Jean Cocteau”, thotë ai.

”Nga vdekja nuk kam frikë, por koha që më ka mbetur është e çmuar, të mësoj të përqafoj jetën, të ec përpara dhe të pranoj gjithçka, për mirë a për keq”, përfundon ylli 81-vjeçar i kinemasë./ KultPlus.com

DW: Armëpushimi në Ukrainë nuk duket në horizont

Rusia është e kënaqur, Ukraina flet për kërkesa “të papranueshme” pas takimit në Stamboll. Pritshmëritë ishin të larta. Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë në më shumë se tre vjet:

Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë u takuan shkurt në Stamboll. Pa rezultat po do të bisedohet më tej. Ishte një bisedë pa parakushte, siç kishte paralajmëruar presidenti Putin, që donte ta bënte të qartë me sa duket menjëherë, se nuk ka nevojë për armëpushim dhe sigurisht nuk ka nevojë për ultimatume për fillimin e negociatave. Nga këndvështrimi rus, megjithatë për një paqe të mundshme, ka rrethana që nuk janë më të negociueshme, por që bota dhe Ukraina duhet t’i pranojnë. Pas bisedimeve dy orëshe Rusia është e kënaqur, Ukraina flet për kërkesa “të papranueshme”. Të dyja palët kanë rënë dakord për shkëmbimin e të burgosurve: 1000 robër lufte nga secila palë, do të ishte shkëmbimi më i madh i të burgosurve deri më sot.

Si erdhi deri tek negociatat në Turqi?

Vetë Vladimir Putin propozoi “negociata të drejtpërdrejta” me Ukrainën dhe ate në Turqi, pasi Shtetet e Bashkuara iu bashkuan presionit të disa vendeve evropiane ndaj Moskës. Por me kërkesën e Ukrainës dhe BE-së që, ndërsa negociatat janë në zhvillim e sipër, armët të heshtin për 30 ditë, Putini nuk u dakordua. Për një kohë të gjatë nuk ishte e qartë nëse Putini do të shkojë në Stamboll në bisedimet Ukrainë-Rusi. Zelensky tha se do ta presë atje personalisht, edhe Trump e kishte lënë të hapur mundësinë e shkuarjes atje, por në fund Putini nuk pranoi armëpushimin dhe nuk shkoi personalisht në Stamboll. Kështu që bisedimet mbahen në një nivel shumë më të ulët.

Pse Turqia?

Siç ndodhi edhe gjatë bisedimeve të para në mars 2022, Turqia përsëri ofroi të priste negociatat. Por iniciativa erdhi nga vetë Putini. Turqia vazhdon të ruajë marrëdhënie të mira me të dy vendet. Shumë kompani turke bashkëpunojnë me Rusinë. Turqia si anëtare e NATO-s është shteti i vetëm që nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore pas fillimit të luftës.

Megjithatë, Turqia dhe Presidenti i saj Erdogan janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me Ukrainën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskye ka vizituar Turqinë disa herë vitet e fundit, herën e fundit në mars të vitit 2024. Turqia gjithashtu furnizon me armë Ukrainën, veçanërisht dronë me rëndësi strategjike.

Po kështu, Turqia nuk i ka njohur përfitimet territoriale të Rusisë në Ukrainë dhe në asnjë mënyrë nuk ndihet rehat me faktin e daljes së flotës ruse nga Deti i Zi, që është një lloj dritare edhe e Stambollit.

Delegacioni rus në nivel këshilltarësh

Në vend të Putinit Rusia ka dërguar në Turqi njerëz që mezi kanë ndonjë autoritet për të marrë përsipër ndonjë detyrim. Zelensky ka kërkuar vazhdimisht që Putini të vijë personalisht në Turqi për të negociuar me të. Deri të mërkurën – një ditë para se bisedimet fillimisht duhej të fillonin – Putini nuk zbuloi nëse do të merrte pjesë. Pastaj erdhi lajmi se ai nuk do të vinte.

Delegacioni rus drejtohej nga këshilltari i presidentit, Vladimir Medinsky. Ish-ministri i Kulturës konsiderohet një ligë e dytë politike dhe u kritikua në skenën ndërkombëtare për përhapjen e propagandës së Kremlinit. Ky 54-vjeçar promovoi për shembull një pikëpamje të kontestuar të historisë ruse dhe ukrainase midis historianëve në tekstet shkollore. Shkencëtarët dhe kritikët e Kremlinit e akuzojnë atë për falsifikime dhe shtrembërime të qëllimshme të historisë.

Së bashku me Medinskin, Moska dërgoi në Turqi edhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Mihail Galuzin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes Aleksandar Fomin. Igor Kostyukov, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, është gjithashtu në delegacion. Ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra e Presidentit duhet të marrin pjesë gjithashtu në bisedime.

Përfaqësuesit e Ukrainës

As kjo nuk ishte e qartë për një kohë të gjatë. Presidenti ukrainas Zelensky udhëtoi për në kryeqytetin turk, Ankara, ku u takua me Presidentin Erdogan të enjten. Por kur u bë e qartë se as Putin dhe as Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk do të merrnin pjesë në negociata, Zelensky po ashtu anuloi pjesëmarrjen e tij.

Në krye të delegacionit ukrainas, ai emëroi Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov. Të gjithë negociatorët e tjerë ishin zëvendësshefa të inteligjencës, oficerë të lartë të shtabit dhe një këshilltar i shefit të zyrës presidenciale.

Fillimisht, bisedimet duhej të fillonin me 15 maj. Së pari, sipas mediave ruse, ato duhej të fillonin në mëngjes, pastaj pasdite. Por problemi ishte pikërisht çështja e përbërjes së delegacionit rus dhe niveli në të cilin mund të zhvillohet dialogu.

Dy bisedime trepalëshe janë duke u zhvilluar aktualisht: midis SHBA-së, Ukrainës dhe Turqisë, dhe midis Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë. Tani pritet vendimi për takimin katërpalësh në formatin SHBA-Rusi-Ukrainë-Turqi. SHBA-të përfaqësohen nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, si dhe të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Keith Kellogg. Presidenti Trump anuloi një udhëtim në Turqi pasi Putin njoftoi se nuk do të merrte pjesë.

Çfarë kërkon Ukraina dhe çfarë kërkon Rusia?

Ukraina, e mbështetur nga BE dhe SHBA, fillimisht po këmbëngul për një armëpushim 30-ditor. Sipas udhëheqjes ukrainase, kjo është baza për negociatat për një marrëveshje paqeje afatgjatë. Pala ukrainase kërkon largimin e trupave ruse nga vendi dhe lirinë e plotë të Ukrainës që të veprojë si të gjitha shtetet sovrane, por edhe garanca ndërkombëtare.

Rusiatheksoi përpara bisedimeve të planifikuara se ato duhet të mbahen “pa parakushte”. Kreu i delegacionit, Medinsky, e përsëriti këtë pretendim. Ministria e Jashtme ruse tha se pala e tyre ishte “e gatshme të punonte seriozisht” për të gjetur një zgjidhje. Megjithatë, fokusi duhet të jetë në “eliminimin e shkaqeve të konfliktit”.

Ky është një tregues se Rusia nuk do të devijojë nga kërkesat e saj të vjetra maksimaliste – tërheqja e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO, demilitarizimi i vendit dhe përvetësimi i territorit të Ukrainës në të cilin kanë depërtuar forcat ruse./DW/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sonte do të performojë në Sofje, Bullgari

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sonte do të performojë në Sofje, Bullgari.

Nën dirigjimin e Dario Salvit do të interpretohen vepra nga Mulliqi, Beqiri, Alickaj, Verdi, Puccini dhe de Falla.

Bashkë me orkestrën do të paraqitet edhe sopranoja e mirënjohur Besa Llugiqi, e cila në një prej pikave do të shoqërohet edhe nga tenori i ri Rizah Jahaj ndërsa solist tjetër i mbrëmjes do të jetë saksofonisti virtuoz Vitaly Vatulya

Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, dhe Ambasada e Kosovës në Sofje, në partneritet me Filharmoninë e Sofjes.

Koncerti mbahet në ”Bulgaria Hall” prej orës 19:00.

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Shqipëri-Francë, nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi në energji dhe memorandum mirëkuptimi për turizmin në Korçë

Pas takimit midis Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, në praninë e tyre u shkëmbyen marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, si dhe u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në zyrën e tij, Presidentin e Francës Emmanuel Macron, në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, në kuadër të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian.

Ndërkohë, dje u nënshkrua deklarata e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri.

Këto marrëveshje realizohen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve./ KultPlus.com

“Washington Post”: Turistët amerikanë zgjedhin Shqipërinë midis vendeve evropiane për pushimet verore

Turistët amerikanë po përgatiten për një verë të kushtueshme – duke i përshtatur pushimet e tyre në përputhje me rrethanat, shkruan Natalie B. Compton në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane “Washington Post”.

Gjatë dy muajve të fundit, ekspertja e Planifikimit të Udhëtimeve – Melanie Rodriguez ka pasur klientë të shumtë që kanë anuluar udhëtimet për shkak të buxhetit të tyre të kufizuar.

“Ndoshta një udhëtim në Siçili është “jashtë loje”, por ka ende alternativa të tjera për të udhëtuar në Evropë – pa ndikuar në buxhetin tuaj”, tha Kelly Greer, një agjente udhëtimesh në Pittsburgh.

Në vend të Francës, Greqisë ose Italisë – të cilat do të jenë, kryesisht të mbushura me turistë këtë verë falë vitit Jubile, Papës së ri dhe popullaritetit të qëndrueshëm – planifikuesit e udhëtimeve po rekomandojnë pushime në vendet më pak të njohura të kontinentit.

Ekspertët e udhëtimeve ju rekomandojnë pesë vende evropiane për pushime verore – të cilat janë më të përballueshme dhe nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, Shqipëria, Polonia, Bullgaria, Sllovenia, Gjermania.

Shqipëria

Për një atmosferë të ngjashme me Kroacinë, Italinë ose Greqinë, ekspertja e udhëtimeve, Rodriguez ju rekomandon të kaloni pushimet verore në Shqipëri, ku çmimi mesatar i një dhome dyshe është 96 dollarë nata.

“Ju do të keni mundësinë të njiheni dhe të përjetoni historinë mesjetare, të shijoni ushqimin mesdhetar, plazhet – vetem me një të tretën e kostos”, tha Rodriguez.

“Mund të kaloni shtatë netë të plota në Shqipëri për më pak se 2,000 dollarë për person”, shtoi ajo.

Shqipëria është nën radarin e shumë turistëve amerikanë. Vizitorët mund të zbulojnë plazhe me ujëra të kristalta, vijën bregdetare mahnitëse, qytetet e gjalla dhe fshatrat idilike.

Mos e humbisni qytetin e Shkodrës, ku mund të përjetoni “momentin tuaj mbretëror në kështjellë”, ose Dhërmiun për një qëndrim të qetë në plazh./ KultPlus.com

130 vite më parë lindi Haki Stërmilli, autori i romanit ‘Sikur t’isha djalë’

Sot bëhen 130 vite nga lindja e shkrimtarit Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.

Haki Stermilli ka lindur në Dibër më 17 maj të vitit 1895. Ai ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në vitet 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogu, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Në shkrimet e tij ai trajtoi tema me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.

Stërmilli ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë të cilin e shkroi 1936.

Veprat tjera të tij ishin Dibranja e mjerueshme (1923), Dashuni e besnikri (1923), Agimi i lumnueshëm (1924), Burgu (1935), Sikur t’isha djalë (1936), Fyelli i Dibrës përmbledhje që u botua në serinë “Visaret e Kombit” (1944), Trashëgimtarët tanë (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari  “Shtigjet e lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).

Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti.

Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.

Ai vdiç në Tiranë më 17 janar 1953. /KultPlus.com

Presidenti Macron vizitë zyrtare në Tiranë, pritet nga Rama

Presidenti i Francës Emmanuel Macron po zhvillon sot një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku do të takohet me krerë të lartë të shtetit.

Mëngjesin e sotëm Presidenti Macron u prit në selinë e kryeministrisë nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pas bisedimeve dypalëshe pritet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Presidenti Macron mbërriti dje në Tiranë në kuadër të punimeve të Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian, ndërsa ditën e sotme axhenda e presidentit Macron vijon me takime me zyrtarë të lartë të vendit.

Në kuadër të eventeve në ditën e Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian u nënshkrua dje edhe deklarata e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri, e cila ndër të tjera i jep dritën jeshile “Ecole 42”, shkollës prestigjioze franceze të kodimit.

Deklarata u nënshkrua në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët vizituan mjediset e Piramidës ku është hapur një strukturë e re dedikuar Ecole 42, që do të përgatisë të rinjtë e Tiranës, por jo vetëm në fushën digjitale.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit Macron në Tiranë, ndërsa në 16-17 tetor 2023 ka zhvilluar vizitën e parë në Shqipëri, njëkohësisht vizita e parë e një presidenti francez në vendin tonë./ KultPlus.com

17 Maji, Dita Botërore kundër Homofobisë

Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë shënohet më 17 maj dhe synon të koordinojë ngjarjet ndërkombëtare që rrisin ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Në vitin 2013, kur u shënua përvjetori i 9-të i kësaj dite, u zhvilluan ngjarje në pothuajse 120 vende, në të gjitha rajonet botërore.

Themeluesit e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, siç njihej fillimisht, krijuan Komitetin IDAHO për të koordinuar veprimtaritë bazë në vende të ndryshme, për të promovuar ditën dhe për të lobuar për njohjen zyrtare më 17 maj.

Kjo datë u zgjodh për të përkujtuar vendimi për heqjen e homoseksualitetit nga klasifikimi ndërkombëtar i sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1990./ KultPlus.com

Gruaja shqiptare sipas Mit’hat Frashërit

Mit’hat Frashëri

E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.

Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.

Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com

Harmonia kaotike

Nga kaosi /shqiptar/ na vijnë të gjitha të mirat e të këqijat, prandaj gjithkah organizimi i kaosit është mbresëlënës… Prandaj nuk duhet frikësuar kaosit, por mungesës së tij. Nuk duhet impresionuar as depresionuar, pasi në kaos realisht  nuk ka harmoni të dhunshme, sado që ka dhunë në harmoninë tonë kaotike.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Donkishotizmi dhe heroi Doni i Servantesit, nuk  janë thjesht dhe vetëm legjendë letrare, por janë edhe metaforë për betejën e përditshme të atyre që guxojnë të sfidojnë realitetin. Pikërisht në këtë sfond, figura e Don Kishotit të Servantesit merr kuptim të ri edhe në shoqërinë e Kosovës. Kishoti nuk është më thjesht një aventurist që lufton kundër mullinjve të erës, por thuaja plotësisht është metaforë për individin idealist që përballet me botën e strukturuar potencialisht negative dhe ndikuar nga pragmatizmi arbitrar dhe interesat e ngushta. Don Kishoti modern është edhe intelektuali që sfidon indiferencën kolektive.  

E po, përballë tij qëndron Sanço Pança, simbol i realizmit të vakët, i njeriut që pranon të përshtatet, që ndjek rrjedhën e rrëkesë së fortë, thënë, të lozhës së të fuqishmëve. 

Shoqëria moderne kështu prodhon donkishotë të rinj, të cilët etiketohen si “naivë” apo “idealistë të humbur”.  

Pse dhe si po  mbijetojnë edhe  Don Kishoti edhe Sanço Pança? Don Kishoti mbijeton tek idealistët që nuk ndalen së përballuri. Sanço Panço mbijeton tek ata që zgjedhin sigurinë personale përbrenda sfidës, që pranojnë status quo-në dhe përshtaten, duke e ndjekë strehën pragmatike si formë mbijetese. 

Në këtë kontekst edhe, interpretimi i Don Kishotit përtej tragjikomikes bëhet reflektim për realitetin tonë: një përballje e përjetshme mes idealizmit dhe pragmatizmit, mes ëndrrës dhe realitetit. 

Në përfundim, donkishotizmi në Kosovë më shumë se metaforë letrare është pasqyrim i realitetit shoqëror dhe politik, një shtysë a reflektim i mundshëm për dialog të hapur, ku Don Kishoti dhe Sanço Pança të mos jenë armiq, por bashkudhëtarë të sinqertë. 

Duke kërkuar shkakun, ekuivalenca e humb edhe arsyen dhe në këtë çast thërret të ndihmojë filozofi Nietsche, i cili jetoi në kaosin e madh, po të zakonshëm vallëzues mendor e shoqëror.  E vërteta mund të jetë atë që thotë ai: Secili njeri, secili popull, që të jetojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë kaosin, i cili gjendet brenda në “Unin” të tij. Përvoja zotëruese anon kah përvoja e mosshikimit real dhe mosorganizimi po real në këtë kaos.  

Po pëlqyeshëm me mendimin e Nietsches, frymëzuar madje, e mundshme po edhe nga ai, edhe psikologu shqiptar Branko Merxhani shihte vendin e tij të vogël dhe të strukturuar pafuqishëm po aq, në kaosin e përsëritur e të madh shqiptar. Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme. Trazimi dhe anarkia që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore, shkruan ai duke iu referuar problemeve serioze, edhe në kontekstin e  nocioneve nicheane, për të domosdoshmen e organizimit të kaosit. A është e mundshme të organizohet kaosi? E vërteta, të njihet përmbajtja dhe forma e kaosit? Pasi, përmbajtja e kaosit janë vetë njerëzit  që ushqejnë dhe vetë ushqehen nga ai.  

Pra, kaosi, duket një alfa e mbijetesës. Pa të, nuk do të kishte jetë, më sa peshku pa ujë. Nga kaosi shqiptar na vijnë të gjitha të mirat e këqija dhe të gjitha të këqijat e mira. Andaj , gjithkah organizimi i kaosit është mbresëlënës. E justifikueshme, të përkryera, vijnë tronditjet harmonike njëra pas tjetrës, qoftë si pritje a shpresë çasti shoqëror a natyror, qoftë si rikujtim i Morfeut, Zotit të Gjumit. Prandaj nuk duhet frikësuar kaosit, por mungesës së tij. Nuk duhet impresionuar as depresionuar. Pasi në kaos realisht  nuk ka harmoni të dhunshme, sado që ka dhunë në harmoninë tonë kaotike./KultPlus.com