Nga vendpushimet më të largëta të Balit e deri te plazhet e Shqipërisë, ja cilat janë vendet që nuk duhen humbur këtë vit, shkruan Laura Itzkowitz në një artikull të botuar në revistën franceze “AD Magazine”.
Ndërsa viti 2024 po i afrohet fundit, ju mund të pyesni veten se cilat janë vendet që duhet të vizitoni në vitin 2025.
“AD Magazine” ju ofron listën e vendeve më të mira për adhuruesit e arkitekturës dhe dizajnit.
Ekzistojnë shumë vende të jashtëzakonshme në botë.
Po mendoni të ktheheni në vendet tuaja të preferuara, të cilat e kanë dëshmuar vlerën e tyre? Apo jeni duke kërkuar horizonte të reja?
Dëshironi të bëni një udhëtim më pranë shtëpisë? Apo preferoni të udhëtoni në qoshet më të largëta të planetit?
Kjo listë ofron një ndërthurje të të gjithave, duke përfshirë destinacione më pak të mbushura me vizitorë – të cilat nuk i keni imagjinuar kurrë më parë!
Qofshin muzetë e rinj emocionues apo institucione kulturore, vende natyrore që ia vlen të vizitohen, hotele në trend apo tendenca në zhvillim në arkitekturë dhe dizajn – këto vende janë destinacionet më të mira për turistët kureshtarë të etur për frymëzim.
Zbuloni 22 vendet me te mira për t’u vizituar në 2025 sipas redaktorëve ndërkombëtarë të “AD Magazine”.
Tiranë, Shqipëri
A ju kujtohet bumi i Dubait në fillim të shekullit XXI?
Diçka e ngjashme po ndodh në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ku në qendrën historike ngrihen një sërë rrokaqiejsh marramendëse.
Pas thirrjes ndërkombëtare për projekte të zhvillimit urban, duke përfshirë hapësirat e gjelbra, rrugët dhe transportin publik modern, Tirana është kthyer në një qendër arkitekturore për kompanitë e mëdha ndërkombëtare si “Bjarke Ingels Group”, “Zaha Hadid Architects”, MVRDV dhe Alejandro Aravena, ndër të tjera.
Ky zhvillim reflektohet sot në ndërtimin e një rrokaqielli 300 metra të lartë, gjashtë ndërtesave mbi 200 metra të larta dhe 21 ndërtesave të tjera mbi 100 metra të larta.
Katër kulla të tjera janë inauguruar në Tiranë në pesë vitet e fundit, duke përfshirë ikonën “Downtown One” nga kompania holandeze MVRDV.
22 vendet e jashtëzakonshme në botë për t’u vizituar në 2025, sipas redaktorëve ndërkombëtarë të “AD Magazine”:
Tiranë, Shqipëri Metz, Francë Bregu i Amalfit, Itali Guadalajara, Jalisco, Meksikë Hardangerfjord, Norvegji Londër, Britani e Madhe Al Moudira, Luxor, Egjipt Tabanan, Bali Nju-Jork, SHBA Tangier, Marok Medellin, Kolumbi Vjenë, Austri Vilnius, Lituani Siçili, Itali Amsterdam, Holandë Buenos Aires, Argjentinë Richmond, Virxhinia, SHBA Malta Escalante, Kosta Rika Qyteti i Vjetër, AlUla, Arabia Saudite Arequipa, Peru Jaipur, Indi./atsh/KultPlus.com
Të martën mbrëma, në Kosovë u mundësua një operë e nivelit botëror falë bijëve të saj të cilët si asnjëherë më parë e nderuan skenën e vendit të tyre, i cili institucionin më të lartë të kulturës, Operën e Kosovës, e ka në hapat e parë të ngritjes, shkruan KultPlus. Saimir Pirgu- tenor shqiptar, një nga më të vlerësuarit e kohës në skenat ndërkombëtare ishte protagonisti i mbrëmjes, ku përveç interpretimit ka lansuar edhe albumin e tij “Saimir”, ndërkaq artistja tjetër e përmasave ndërkombëtare gjithashtu, sopranoja Marigona Qerkezi ka qenë një prezencë e fuqishme që i dha Prishtinës shkëlqimin e një qyteti me traditë të lartë kulturore.
Në këtë mbrëmje të rrallë artistike, dukej sikurse teatrot dhe skenat prestigjioze botërore po ia kthenin Kosovës një borxh, përmes të cilit falë margaritarëve shqiptarë kanë arritur të qëndrojnë në piedestal dhe në themele të sigurta. Një Gala Koncert të tillë publiku shqiptar e kishte pritur gjatë, kjo vërehej në fytyrat e qeshura të publikut i cili kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë. Ulëset shtoheshin vazhdimisht deri në fillim të koncertit, entuziazmi sa vinte e shtohej, dhe zemra rrihte plotë emocion për këtë art të jashtëzakonshëm, që do të rrjedhte nga një esencë dhe dell shqiptar.
Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro fillimisht dha një pikë interpretuese me dinamikë të madhe. Kjo energji në epiqendër të së cilës gjendej profesionistja Laro, që bashkë me lëvizjet e fuqishme të trupit të saj shkundtte me themel çdo ndjenjë apo emocion të ultë të çdo njërit që gjendej në sallën tonë tejet modeste, duke sjellë ndjenja admirimi dhe krenarie të lartë.
Paraqitja në sallë e tenorit të shquar Saimir Pirgu paraqiste një moment historik për Operën e Kosovës, i cili sa hapa që hidhte drejt skenës i shtonte një tullë kalasë në ndërtim e sipër të bashkëkombasve të tij. Me veprën e Georges Bizet- “Opera Carmen” (Aria “La fleur que tu m’avais jetée”) nisi mbrëmja e tij artistike ku përmes zërit të fuqishëm, të pasur dhe emocionues shkrinte vetëm dashuri në zemrat e audiencës. Një autoritet që vetëm me prezencën e tij dëshmonte interpretimet në skenat më të njohura të kohës si ato të: Operës Metropolitane në Neë York, Teatrin La Scala në Milano dhe Operën Mbretërore të Londrës.
Me veprën e Francesco Cilea – “Opera Adriana Lecouvreur” (Aria “lo son l’umile ancella”) po vinte ngadalë Marigona jonë e çmuar, e cila sikurse simotra e saj matanë kufirit, në një kohë më moderne tingull më tingull po qëndiste dhe e ngriste lartë flamurin e Operës së Kosovës. Me një fizik prej dive, veshur në të kuqe, plotë zjarr e pasion shpërthyese në çdo interpretim, sopranos Qerkezi i m’vishej një siluetë hyjnore, përmes së cilës kishte arritur të duartrokitej ngrohtësisht nga publiku i skenave prestigjioze si në: “La Fenice” në Venecia, “Gran Teatre del Lieceu” në Barcelonë, “Opera Royal de ëallonie Liege” dhe në Shtëpinë e Operës në Dubai.
Veprat të cilat u interpretuan herë nga njëri e herë nga tjetri qenë ato të: Pyotr Ilyich Tchaikovsky- “Opera Eugen Onegin” (Aria “Kuda, kuda kuda vy udallilis), Giacomo Puccini- “Opera Madam Butterfly” (Aria “Un bel di vedremo), Pietro Mascagni- “Opera Cavalleria Rusticana, Intermezzo”, Giacomo Puccini- “Opera Manon Lescaut” (Intermezo), “Opera Tosca” (Vissi d’arte), Aria: (E Lucevan le stelle)dhe “Opera LaBohème” (O soave fanciulla) e cila dëshmonte kapacitetin e artistëve edhe në aktrim, ku me plotë takt e elegancë prezantonin rolin e historisë së dy të dashuruarve parisienë.
Kurse, veprat e Feim Ibrahimit- “Unë biri yt Kosovë” interpetuar nga sopranoja Qerkezi, Limoz Dizdarit “Fjalët e qiririt” interpretuar nga Simir Pirgu dhe ajo e Prenk Jakovës “Kto lule të bukura mali” në interpretim të përbashkët u ndjenë padiskutim më fuqishëm nga ky repertor me kryevepra botërore.
Ndërkaq, një kulmim i paparë i mbrëmjes u arrit kur maestro i skenës operistike, Simir Pirgu, në skenë i ftoi edhe kolegët e tij artistë për të performuar së bashku. Me ftesën e tij skenës iu bashkangjit edhe Ramë Lahaj, Flaka Goranci, nëna e Marigona Qerkezit, Merita Juniku, Jeta Çitaku, Zana Ramadani dhe Harris Bajraktari për të interpretuar veprën “Unë biri yt Kosovë” dhe për ta shëndrruar atë në himn të institucionit. Sikurse vargjet “Unë biri yt Kosovë, ta di gjakun të të vlon në gji” vlonte gjakun në dejet e artistëve dhe gjithë publikut me emocione të përziera, të dominuar nga krenaria për gjithë atë kapacitet artistik shqiptar.
Nuk kishte se si të mungonte edhe kryevepra “La Traviata”, e cila skenës në këto momente po i jepte madhështi të paparë. Improvizimi i aty për atyshëm nga ana e artistëve jepte emocione kulmore, me të cilat audienca do të shoqërohet për gjatë kohë.
Pas Gala Koncertit të Operës së Kosovës, në një prononcim për KultPlus, tenori Saimir Pirgu është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut, duke e cilësuar si nderë të veçantë interpretimin e tij para bashkëkombasve.
“Unë jam tepër i kënaqur. Jam këtu për herë të parë. Ishte një publik i shkëlqyer, një publik që meriton shumë, një publik që e tregoi dashurinë për artin, kulturën, e shprehu me gjithë këto herë që u ngrit në këmbë për ne, për mua, për Marigonën, për Shqipërinë dhe për Orkestrën e Kosovës. Është nder për mua që të kem vënë një gur në këtë vend në këtë teatër, në kombin tim. Nuk ka rëndësi se ku bëhet art. Arti bëhet kudo, mjafton zemra, zëri, muzika, kutura dhe ajo është gjëja më kryesore. Këto elemente na bëjnë ne komb, gjë që na bën të njihemi midis të tjerëve”, është shprehur Saimir Pirgu duke mos dashur të potencojë kushtet jo adekuarte të interpretimit.
Kurse, sopranoja Marigona Qerkezi ka thënë se interpetimi përkrah tenorit Pirgu për të përbënte kënaqësi të dyfishtë ngaqë u interpretuan edhe perla shqipe para njerëzve me të cilët ajo ishte rritur.
“Ishte mbrëmje magjike. Me të vërtetë, publiku u kënaq, ne u kënaqëm jashtëzakonisht shumë. Ishte një privilegj që në Kosovë të interpretoj një emër si Saimir Pirgu. Kisha nderin edhe ta ndaja koncertin me të. Është një emocion i veçantë të bashkëpunosh më në fund me Operën e Kosovës, pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër vende të ndryshme. Është një emocion i veçantë të këndosh për vendin tënd dhe të shohësh fytyrat të cilat i njeh dhe të kanë njohur prej një moshe shumë të vogël. Ishte një kënaqësi t’i ofrosh këtij publiku jo vetëm perla të repertorit operistik ndërkombëtar por edhe perla shqiptare të cilat janë jashtëzakonisht të bukura. Unë zakonisht i performoj jashtë. Kësaj radhe ishte emocion i dyfishtë që t’i performoja në vendin tim, për njerëzit e mi”, ka thënë sopranoja Qerkezi.
Sopranoja Qerkezi ka thënë se me një zemër plotë kanë dhënë maksimumin për të arritur të sjellin një koncert si ai i natës së mbrëmshme.
“Ishte një rikthim me të vërtetë me zemër plotë. Mezi kam pritur ta pranoj ftesën. U koordinuan jashtëzakonisht mirë edhe detajet organizative dhe të agjendës. Një ftesë të tillë për të ndarë mbrëmjen me Saimirin është vështirë ta refuzosh. Kështuqë, me një zemër plotë e bëmë të pamundurën dhe jam shumë, shumë e lumtur që një emër i tillë vjen në Kosovë, pavarësisht të gjitha elementeve të cilat nuk janë thjeshtë elemente, janë vitale por që i dijmë, dhe ndau shpirtin e tij gjigand botëror bashk me ne këtu sonte. Ishte me të vërtetë një mbrëmje e jashtëzakonshme dhe jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë sopranoja Qerkezi.
Kurse, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, Gala Koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur një festë të madhe për fundvit, në të cilën tenori Pirgu dhe sopranoja Qerkezi hodhën një gur në themelet e këtij institucioni.
“Për fat të mirë ka shkuar gjithçka shumë mirë, e kemi pritur një kohë të gjatë. I falënderojmë artistët që e kanë pranuar ftesën, dhe kanë gjetur kohë të vijnë në Kosovë pasi kanë një agjendë shumë të ngarkuar. I falënderoj për këtë kontribut të tyre duke ia vënë edhe një gurëthemel Operës së Kosovës. Ishim pak të stresuar për shkak të kushteve, pasiqë artistëve të nivelit të tillë u duhen kushte më të mira akustike. Për ne sfidë paraqiste salla si një vend i vogël me karrige pak, sepse interesimi ka qenë shumë i madh. Por, na gëzoi fakti që bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë, që nga dita e parë kur e kemi bërë ftesën e deri sot. Janë ndarë të kënaqur me pritjen, me orkestrën, dhe me nivelin që ka krijuar tashmë Orkestra e Operës së Kosovës. Ishte një festë për festat e fundvitit”, ka thënë drejtori Ferizi.
Ndërsa, dirigjentja Elda Laro ka falënderuar stafin e Operës së Kosovës për mirëpritjen dhe ngrohtësinë që iu kishin ofruar, si dhe gjithë popullin e Kosovës.
“Jam shumë e lumtur që koncerti vajti në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe u prit shumë mirë edhe nga publiku i Kosovës. Pash që interpretuan edhe disa artistë të tjerë shqiptarë dhe jam shumë e lumtur. Kemi pasur dy yje që janë të çmuar në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Ky ka qenë një privilegj shumë i madh edhe për mua që i kam dirigjuar dy këngëtarë të tillë. Edhe bashkëpunimi me Orkestrën e Operës më ka dhënë një eksperiencë shumë të madhe, pasi të rikthehesh të punosh edhe me të rinjë që janë fillestarë, të kujtojnë fillimin tonë, kohën kur kemi filluar edhe ne. Kështuqë, ka qenë një eksperiencë që do ngeli në zemrën time. Jam shumë e lumtur se si kanë reaguar sonte të gjithë orkestralët, janë me të vërtetë artistë shumë të mirë dhe jam shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e Operës. I falënderoj edhe kosovarët sepse me të vërtetë i dua shumë, shumë, shumë”, ka thënë dirigjentja Laro.
Ndërkaq, violistja Entela Qarkagjija ka thënë se bashkëpunimi me dy yje të skenës botërore siç janë Saimir Pirgu dhe Marigona Qerkezi për të personalisht përbën një përvojë të jashtëzakonshme, të papërjetuar më parë.
“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të punosh me artistë të nivelit ndërkombëtar. Duke pasur mungesë të një salle koncertale adekuate, ishte shumë e vështirë që të përshtatemi me akustikën. Por ja dolëm, gjithçka shkoi në mënyrë profesionale në fund, ashtu siç dijnë profesionistët e vërtetë të punojnë dhe të sjellin art në këto kushte. Ishte një arritje përfundimtare e suksesshme”, ka përfunduar Qarkagjija./ KultPlus.com
Qafa e Thores është një nga pikat më panoramike të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe rruga e asfaltuar të çon në Theth një aks prej 16 kilometrash që e lidh këtë fshat turistik me Qafë Thorën, Bogën dhe Shkodrën.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Qafa e Thores, duke e cilësuar kopertinë të një guide që të fton drejt bukurive të Thethit në dimër.
Thethi, bashkë me Lëpushën, Vukël-Nikçin, Rragamin, Çeremin dhe Currajn e Epërm bën pjesë në kategorinë e tretë të lokaliteteve që është emërtuar si “Porta të atraksionit turistik”.
Thethi është qendra e Parkut Kombëtar në veri të vendit, një zonë me pasuri natyrore të rralla. I mbrojtur mes maleve të larta, ky fshat ruan një hapësirë të admirueshme, të paprekur nga njeriu dhe për t’u eksploruar nga turistët në të katër stinët e vitit.
Trashëgimia kulturore e historike që merr jetë brenda çative alpine dhe bujtinave të ngritura ka tërhequr numër të lartë turistësh në bujtinat mikpritëse.
Thethi gjithashtu është pjesë e projektit bamirës “Parku i Paqes në Ballkan”, i cili mbrohet dhe menaxhohet së bashku me Pejën dhe Plavën nga dy projekte të OKB-së dhe të BE.
Me një numër të konsiderueshëm ujëvarash, lumenj nëntokësorë, shpella, maja të larta dhe lugina, Thethi fton të apasionuarit e turizmit malor edhe në këto ditë dimri./atsh/ KultPlus.com
18 grupe kanë konkurruar në festivalin folklorik të zhvilluar në Lezhë. Ngjyrave të këngëve dhe valleve iu bashkuan edhe ato të veshjeve të krahinave të ndryshme.
Edicioni 13-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar u zhvillua në qytetin e Lezhës.
Artistë nga krahina të ndryshme të vendit dhuruan dy netë spektakël.
18 grupe me instrumente dhe kostume tradicionale kanë performuar pjesë folklorike, muzikë dhe këngë tradicionale.
Organizatori NIKO KOTHERJA theksoi se përmes tij Lezha kthehet në një qendër të rëndësishme të folklorit.
Ky festival prej 13 vitesh është bërë një ngjarje e rëndësishme ku fokusi kryesor është ruajtja e traditave dhe promovimi ndër breza./oranews/ KultPlus.com
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, ka njoftuar se fituese e çmimit Artistet e se nesërmes është zgjedhur Mimoza Sahiti me veprën artistike “Sa e trishtë, Sa e bukur”.
Njoftimi i plotë:
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të njoftojë se juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, ka zgjedhur artisten fituese për çmimin. Miljana Dunđerin, artiste, drejtore e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe, profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, Lulzim Zeqiri, artist i cili punon ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Juria u mblodh në Prishtinë nga 6 deri më 7 dhjetor për të parë punën, për të biseduar me artistët, për të diskutuar dhe për të zgjedhur fituesin e çmimit Artistët e së nesërmes 2024.
Pas shqyrtimit, juria lëshon deklaratën e mëposhtme:
Luiza Thaqi, Dion Zeqiri dhe Mimoza Sahiti sollën vizione unike dhe përkushtim mbresëlënës në ekspozitën e sivjetme të mbajtur në Klubin e Boksit në Prishtinë. Juria i përgëzon tre finalistët për kontributet e tyre provokuese, të cilat pasqyrojnë gjallërinë dhe thellësinë e artit bashkëkohor në Kosovë.
Vepra e Mimoza Sahitit, “Sa e trishtë, Sa e bukur”, magjepsi jurinë me koherencën e saj të fortë narrative dhe gjuhën unike estetike. Praktika e saj kombinon thellësinë politike me ndjeshmërinë emocionale, duke shprehur idetë me besim, qartësi dhe kompleksitet. Zgjedhjet estetike të Mimozës tejkalojnë kategorizimet konvencionale, duke paraqitur një zë feminist që është në mënyrë vërtetësisht origjinale dhe jo performuese. Aftësia e saj për të përzier cenueshmërinë me forcën krijon një rrëfim thellësisht personal por tingëllues universal, duke e shënuar atë si një zë të fuqishëm në artin bashkëkohor.
Luiza Thaqi tregoi rritje dhe potencial të jashtëzakonshëm. Puna e saj është konceptualisht rigoroze dhe e ngarkuar politikisht, duke trajtuar çështje të ngutshme si të drejtat e pronësisë së tokës, politikat urbane, ekologjinë dhe gjininë. Praktika e Luizës është e qëllimshme dhe bashkëpunuese, shpesh duke u mbështetur në shkencat sociale dhe pozitiviste për t’u përfshirë me hapësirat urbane të neglizhuara dhe narrativat e anashkaluara. Ndërhyrja e saj në ekspozitë nuk ishte dominuese, por bashkëpunuese, duke mishëruar një dialog me botën natyrore që pasqyron qasjen e saj novatore. Kontributi i Luizës paraqet një perspektivë emocionuese dhe të nevojshme për skenën artistike të Kosovës.
Kuptimi i gjerë i materialeve nga Dion Zeqiri dhe eksplorimi i tij i nuancuar i trupit dhe strukturave të tij të padukshme ofrojnë një qasje bindëse dhe multidisiplinare. Duke marrë frymëzim nga anatomia, funksionet mikroskopike dhe ndërveprimi midis trupit dhe mendjes, praktika e Dionit lidh disiplinat me rrjedhshmëri mbresëlënëse. Eksperimentet e tij me mjete dhe teknika të ndryshme demonstrojnë aftësi të thellë dhe shpirt eksperimental kureshtar. Puna e tij zbulon ndërlidhjen e thellë të trupit dhe botës përreth tij, duke krijuar mbresë të thellë tek juria.
Përkushtim i përbashkët për përsosmëri & Shpallja e fituesit/es
Juria ishte unanime në njohjen e përkushtimit dhe angazhimit të të tre finalistëve. Artistët treguan zhvillim të rëndësishëm në praktikën e tyre, duke i rafinuar veprat e tyre përmes bashkëpunimit të zhytur në mendime me ekipin kuratorial dhe produksion në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Aftësia e tyre për të zhvilluar dhe finalizuar projektet e tyre në një nivel kaq të lartë flet për talentin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.
Jemi të emocionuar të njoftojmë se Mimoza Sahiti është përzgjedhur si fituesja e çmimit Artistët e së nesërmes 2024. Puna e veçantë, qartësia konceptuale dhe artikulimi i sigurt u dallua në grupin e finalistëve vërtet të jashtëzakonshëm.
Mirënjohje
Ne i shprehim urimet tona Mimoza Sahitit pasi ajo fiton një qëndrim dy mujor në Residency Unlimited në Nju Jork në maj/qershor 2025. Kjo rezidencë do t’i mundësojë asaj të zhytet në një komunitet dinamik ndërkombëtar të artit, duke çuar më tej karrierën e saj premtuese. Falënderojmë edhe Luiza Thaqin dhe Dion Zeqirin për kontributet e tyre frymëzuese, të cilat e kanë pasuruar procesin e sivjetmë të ndarjes së çmimeve dhe kanë sjellë ndërhyrje artistike të vlefshme për audiencën kosovare dhe manifestim të shkëlqyeshëm të së ardhmes të skenës kosovare./Gazeta Express/ KultPlus.com
Botime të rralla, të cilat rëndom nuk gjenden në biblioteka, janë sjellë të mërkurën në Prishtinë në kuadër edicionit të pestë të Panairit të librit të vjetër dhe të përdorur.
Një prej tyre është edhe fjalori i Sami Frashërit – botimi i vitit 1882, tha Berat Dakaj, koordinator i panairit.
Sivjet, ky panair, ka gjetur vend në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.
Kjo ngjarje mbledh koleksionues të librave nga e tërë Kosova, të bëhen bashkë për të ekspozuar libra të vjetër, si dhe për shitjen e tyre.
“Në këtë panair kemi paraqitur edhe disa botime shumë të rralla të cilat nuk i ka as biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e as Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Është fjalori frëngjisht-osmanisht i Sami Frashërit, botimi i parë i vitit 1882, botimi i tretë i vitit 1901 dhe botimi i katërt i vitit 1905. Gjithashtu prej autorëve shqiptarë kemi paraqitur disa edicione të para të veprave duke filluar nga viti 1918, 1920, 1921, dhe nga autorët e huaj kemi libra që datojnë nga viti 1742”, tha ai.
Të gjithë qytetarët që janë të interesuar mund të vizitojnë ambientet e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për të parë nga afër libra para-shekullorë.
Aty mundësohet dhe blerja e tyre.
“Këta libra mund t’i shohin, si janë botuar në atë kohë, por natyrisht edhe kush është i interesuar edhe mund të vijë t’i blejë…Numri i titujve që i paraqesim është rritur shumë, gjithashtu edhe numri i qytetarëve…Kudo që kemi pasur një hapësirë më të madhe, ua kemi dhënë mundësinë edhe koleksionuesve të marrin pjesë dhe të paraqesin librat, por këtë herë kemi një hapësirë shumë më të ngushtë dhe ka koleksionues shumë pak…Shpresojmë që me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, edicionin e ardhshëm ta organizojmë prapë te sheshi “Zahir Pajaziti”, deklaroi Dakaj.
Jehona Shyti nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, tha se do ta rrisin përkrahjen për këtë panair.
“Jemi të vetëdijshëm që mbështetja që iu kemi dhënë në vazhdimësi nuk ka qenë e mjaftueshme as për së afërmi për të realizuar dhe mbështetur atë që ju e keni konceptuar nga fillimi, por jam e sigurt që në vitet në vijim ne si ministri do ta kemi parasysh që ta mendojmë edhe çështjen e financimit më të madh për një aktivitet si ky, sepse ne gjithmonë e themi kur një ngjarje kulturore i kalon tre vjet me gjithë sakrificat, atëherë ajo e ka bërë rrugën e vështirë dhe e ka marr rrugën e suksesit dhe të konsistencës”, tha ajo.
E një dashamirës i librit që e viziton këtë panair qysh nga edicioni i parë, u rikthye edhe këtë vit për blerje të librave.
“Unë e vizitoj qysh nga edicioni i parë, bile në edicionin e dytë kemi qenë në bashkë-organizim. Është një aktivitet i veçantë, të themi rrallë që organizohet në Republikën e Kosovës ku ofrohen libra të rrallë, të vjetër dhe libra të veçantë që është vështirë të gjenden në panairet e rregullta që mbahen qoftë në panairin e Prishtinës, e edhe atij të Tiranës”, tha ai.
Panairi do jetë i hapur për tri ditë./rtv 21/ KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Maleve, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003 dhe vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se këtë ditë ia kushtojmë maleve “si thirrje për të kujtuar rëndësinë e tyre në ruajtjen e balancave të natyrës dhe mirëqenien e komuniteteve që jetojnë në to”.
Kumbaro nënvizon me tëj se “këtë vit Ditën e Maleve e kremtojmë edhe me rregulloren e re “Për Standardizimin dhe Administrimin e Shtigjeve Turistike” që bashkon angazhimin institucional me përpjekjet e guidave lokale për zhvillimin e ekoturizmit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë”.
Dita Ndërkombëtare e Maleve rrit ndërgjegjësimin për kërcënimet me të cilat përballen. Ruajtja e tyre është faktori kyç për zhvillimin e qëndrueshëm. Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe mbishfrytëzimit, malet janë nën kërcënim. Ruajtja e maleve është një faktor vendimtar./atsh/ KultPlus.com
Është e vërtetë. Mënyra se si e interpretoni dhe e kuptoni botën, ndikon direkt mbi bindjet tuaja dhe mënyrën se si e jetoni jetën tuaj. Perceptimi krijon paragjykim, po aq sa krijon edhe mirëkuptim. Ai krijon frikë, po aq sa kuriozitet. Dëshironi që realiteti juaj të jetë i ngushtë apo i gjerë?
A do të jetë e mjaftueshme lumturia që ofron injoranca, apo keni nevojë për më shumë?E vërteta është se shumica e njerëzve duan më shumë. Edhe nëse ajo është në nivelin e nën-vetëdijes. Nga djepi në varr, shoqëria jonë e thekson rëndësinë e arsimimit.
Të mësuarit dhe të zbuluarit është ajo që bëjmë ne. Por gjithsesi është gjithmonë më e vështirë të kuptosh atë që nuk e kupton. Atëherë, si ta mësoni atë që nuk e dini? Filloni duke pyetur veten: Çfarë nuk di unë? Çfarë doni të mësoni më shumë? Më e rëndësishmja, kuptoni se të gabosh është normale. Pas çdo gabimi ka rritje.
2. Gjithçka është e përkohshme
Kohët tuaja të mira janë të përkohshme,po ashtu edhe kohët tuaja të këqija. Ndaj kur të jesh në majëshijoje, përfito sa më shumë, dhe ji mirënjohës për të. Dhe kur të jesh poshtë, dije se do t`a kalosh atë situatë të vështirë. Dije se nuk është fundi, por thjesht një shteg i vështirë.
Jeta është plot me kthesa, ulje-ngritje, dhe të papritura.
Ne shpesh harrojmë se bëhet fjalë për udhëtimin, dhe jo për destinacionin. Gjithçka që përjetojmë në jetë ka një mësim. Mendoj se për shumë njerëz është e vështirë -sidomos për të rinjtë –që t’a vlerësojnë jetën. Njohja e vlerës së plotë të vështirësive dhe gabimeve tuaja, është thelbësore për të vlerësuar rrugëtimin e jetës. Është po aq e rëndësishme të qëndrosh i përulur, dhe të jesh mirënjohës për gëzimet që të sjell jeta. Gjithçka është e përkohshme, ndaj shfrytëzojini maksimalisht që të gjitha.
3. Rëndësia e të qenit i pranishëm
“Nëse jeni në depresion, po jetoni në të shkuarën. Nëse jeni në ankth, po jetoni në të ardhmen. Nëse jeni në paqe, po jetoni në të tashmen” (Lao Tzu)
Shpesh ne priremi të shqetësohemi për atë që do të vijë, apo ndalemi në diçka që tashmë ka ndodhur. Ndërsa është e rëndësishme të kujdesesh dhe të marrësh në konsideratë të ardhmen tënde, kujdesu që të mos e pengosh të tashmen tënde. Momentet kthehen në kujtime.
Ndaj shijojeni momentin ndërsa ai po ndodh.Zakonisht në personi i duhet një jetë shqetësimesh të grumbulluara që të arrijë të kuptojë. Por shqetësimi nuk është aspak produktiv. Të jetosh në të kaluarën, është po aq joproduktive. Sigurisht, të qenit në gjendje të reflektoni mbi veten dhe mbi të kaluarën tuaj, sjell patjetër përfitime.
Të kushtuarit vëmendje asaj që keni kaluar, ju bën të ndiheni të rëndësishëm. Duhet shumë energji emocionale për t’u pikëlluar, reflektuar dhe kapërcyer momentet e dhimbshme.Bilanci i të qenit në gjendje të marrësh kohë për të reflektuar dhe për t’i dhënë përparësi të ardhmes tënde, ndërsa konsumon pjesën më të madhe të ditës në të tashmen, është përtej vlerës, është jeta që ndryshon.
4. Bëni atë që doni, dhe duajeni atë që bëni
Puna që bëni është një aspekt mjaft i rëndësishëm në jetën tuaj. Nëse nuk jeni të lumtur në karrierën tuaj, kjo pakënaqësi do të depërtojë edhe në aspekte të tjera të jetës tuaj. Dhe ndërsa asgjë nuk është e përsosur, është e rëndësishme të punoni me veten dhe të pozicionoheni sI duhet për të arritur qëllimet dhe kënaqësitë që dëshironi.
Më e rëndësishmja:Investoni tek vetja juaj. Kjo vlen edhe për jetën tuaj jashtë punës. Cilat zakone dhe hobi dëshironi të ndaloni? Cilat dëshironi të zhvilloni? Është shumë e rëndësishme të jeni i vetëdijshëm për llojin e njerëzve dhe aktiviteteve nga të cilat rrethoheni. Informacioni është si lëndë ushqyese për trurin tuaj, jini të kujdesshëm me atëqë po e ushqeni veten tuaj. Suksesi nuk është një moment triumfues.
Suksesi është një seri momentesh (dhe zgjedhjesh), që çojnë në momente më të mëdha. Ju jeni personi i vetëm që mund t`a pengojë veten tuaj të jetojë çdo ditë duke bërë atë që doni.Bob Dilan e tha shumë mirë dikur:“Një njeri është i suksesshëm nëse çohet në mëngjes dhe shkon në mbrëmje të flejë, dhe në periudhën midis bën atë që dëshiron”.
5. Të jesh i lumtur kërkon shumë punë
Njerëzit më të lumtur, kanë prirjen të jenë ata që kanë punuar më shumë me veten e tyre.
Të jesh i lumtur kërkon shumë punë. Kërkon po aq punë – nëse mos më shumë – të jesh i pakënaqur. Prandaj zgjidhni me mençuri. Të jesh i lumtur, do të thotë që në një moment ke vendosur të marrësh nën kontroll jetën tënde.
Do të thotë që ke vendosur të mos bëhesh viktimë, dhe t`a vendosësh sërish atë energji në veten tënden. Ndonjëherë është e vështirë, por ju duhet të tërhiqni veten lart dhe t`a shtyni veten përpara. Jeta juaj është një seri zhvillimesh dhe rritjesh personale.
Një nga gjërat më të këqija që mund të bëni për vetë-zhvillimin tuaj, është krahasimi i vetes me njerëzit e tjerë. Është shumë e lehtë të dalldisesh nga xhelozia, dhe të duash atë që kanë njerëzit e tjerë. Sidomos sot, për shkak të mënyrës se si ne bashkëveprojmë me mediat sociale.
Por duhet të mos harroni se në ato platforma,njerëzit priren të tregojnë vetëm pjesët më të mira të jetës së tyre. Nuk po tregoheni të drejtë me veten kur i shihni gjëra të tilla dhe mendoni “Edhe unë dua t`a bëj këtë”, ose “Edhe unë dua të dukem e tillë”. Kjo jo vetëm që ju tërheq vëmendjen nga të qenit mirënjohës për atë që keni në jetën tuaj, por nuk ju siguron ndonjë kontribut produktiv për veten tuaj.
Shumë shpesh, perceptimi juaj mbi jetën e dikujt është i gabuar. Edhe nëse nuk është kështu, përqendrohuni më mirë tek vetja. Ju duhet të shqetësoheni vetëm për rrugëtimin tuaj të jetës.Të qenit i lumtur kërkon praktikë. Si mësimi për t`a lënë mënjanë egon tuaj, apo edhe krijimi i zakoneve për t’a dashur më shumë veten… kërkon praktikë. Keni vetëm një jetë, ndaj punoni sa më shumë për t`a bërë sa më të mirë jetën tuaj. / Inc./ KultPlus.com
Të dashur Hildita, Aleidita, Camilo, Celia dhe Ernesto
Nëse e lexoni këtë letër një ditë, do të thotë se nuk jam më gjallë. Vështirë se do të më kujtoni dhe më i vogli mes jush, do të më ketë harruar plotësisht.
Babai juaj, ishte një njeri që veproi ashtu siç mendonte më mirë dhe ishte absolutisht besnik ndaj bindjeve të tij. Rrituni si revolucionarë të mirë. Studioni shumë për të zotëruar teknikën, që ju bën të zotëroni natyrën.
Mos harroni, se, është Revolucioni, që është i rëndësishëm dhe se, secili prej nesh, i kapur veçmas, nuk vlen asgjë. Mbi të gjitha, kini shpirtin e ndjeshëm ndaj çdo padrejtësie, kundrejt gjithkujt kudo në botë.
I juaji gjithmonë, fëmijët e mi. Shpresoj të shihemi përsëri.
Një puthje e madhe e fortë, nga babi./ KultPlus.com
Blerina Rogova Gaxha, Olimbi Velaj, Ervina Halili, Ernestina Gjergji dhe Vlera Kastrati janë pjesë e një organizimi letrar që vjen së shpejti, përcjell KultPlus.
Mbrëmja letrare mbahet në Ambasadën e Kosovës në Holandë më 12 dhjetor duke filluar nga ora 19:30.
Lajmin e ka bërë të ditur Albana Shala teksa ka thënë se këto pesë gra po bëhen gati të ndajnë talentet e tyre.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Të dashur miq,
Në prag të një ngjarjeje të pabesueshme poetike, emocioni po rritet teksa pesë gra autore të mrekullueshme bëhen gati të ndajnë talentet e tyre me të gjithë ne.
Secila prej tyre sjell një zë dhe perspektivë unike, duke premtuar një mbrëmje të mbushur me histori të fuqishme, emocione të përzemërta dhe ide që të bëjnë të mendosh. Nga temat e elasticitetit dhe zbulimit të vetvetes deri tek ato të guximshme në shoqëri, poezia e tyre me siguri do të lërë një përshtypje të qëndrueshme.
Si një bashkë-organizatore në Carabela Books, nuk mund të isha më mirënjohëse që ato të bashkohen me ne dhe ta bëjnë këtë festë të krijimtarisë dhe shprehjes kaq të veçantë. Do të jetë një natë për t’u mbajtur mend!
E mban mënd, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji./ KultPlus.com
Në mjediset e Godinës së Krahinës Autonome të Korçës, u çel një ekspozitë unike që nxjerr në pah ngjarje të rëndësishme të periudhës 1916-1920.
Organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) si dhe Këshilli i Qarkut Korçë, ngjarja mblodhi titullarë të institucioneve të pushtetit lokal dhe intelektualë nga fusha të ndryshme.
Ekspozita “Një faqe historie” përfshin mbi 400 fotografi, dokumente dhe harta të koleksionistit Mirgen Shamblli, artefakte që kanë zgjuar kuriozitetin e pjesëmarrësve.
Falë kësaj ekspozite, vizitorët do të njihen më mirë me historinë e pasur të qarkut Korçë. Një ditë më parë, në Korçë u kujtua 108-vjetori i Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës. Përveç ekspozitës, në bulevardin kryesor të qytetit, u zhvillua një paradë me veshje tradicionale nga gjithë rajoni i Korçës./atsh/KultPlus.com
Është romani më i bukur dhe më i njohur i Marquez, bashkë me “100 vjet vetmi”. Nuk ka lexues që t’i kenë lexuar me vëmendje të dy romanet dhe të kenë ngelur të zhgënjyer. Mua më ka rënë rasti të flas edhe me ata që nuk e pëlqejnë mënyrën e të shkruarit plot detaje dhe fantazi të shfrenuar të autorit, por më besoni, shumica e atyre që nuk i pëlqejnë veprat e Gabriel Garcia Marquez lodhen me faqet e para të romaneve të tij dhe nuk e marrin mundimin t’i mbyllin së lexuari ato vepra.
Nëse arrini ta kalitni mirë vullnetin dhe të lexoni “Dashuria në kohërat e kolerës”, si dhe “100 vjet vetmi”, ju me siguri keni për t’i pëlqyer të dy romanet. Në vijim do të keni mundësi të lexoni disa nga thëniet më të bukura të autorit të realizmit magjik në veprën “Dashuria në kohërat e kolerës” :
“Gjithmonë mbaj mend që gjëja më e rëndësishme në një martesë të mirë nuk është lumturia, por stabiliteti”.
“Nuk ka lavdi më të madhe, se sa të vdesësh për dashurinë”.
“Jeta nuk është periudha që dikush jetoi, por periudha që dikush kujton dhe si e kujton për ta treguar”.
“Gjithccka për të cilën ka nevojë dikush, është koha. Koha për të kuptuar kush është, kush do të bëhet, dhe ku do të shkojë”.
“Duhet të trembesh edhe nga nxehtësia, edhe nga ftohtësia e zemrës tënde dhe të përpiqesh të kesh durim, nëse mundesh”.
“Ajo e priste me një ankth të tillë, saqë vetëm një buzëqeshje prej tij i rikthente gjallërinë”.
“Kam pritur për këtë mundësi më shumë se gjysmë shekulli për të të folur edhe një herë mbi besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë time të pavdekshme”.
“Ai që pret shumë, mund të përfundojë me asgjë”.
“Ka gjithmonë diccka të mbetur për t’u dashuruar në ccdo gjë që përfundon”. /Bota.al /KultPlus.com
Shkodra ngre siparin për herë të parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit, një ngjarje që pritet të kthehet në traditë dhe të sjellë buzëqeshje për të gjithë adhuruesit e artit dhe humorit.
Festivali Mbarëkombëtar i Humorit po pritet me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku shkodran, ndërsa një vëmendje të veçantë i ka kushtuar këtij eventi qytetari i parë i Shkodrës, Benet Beci.
Kryetari i bashkisë Benet Beci ka takuar trupën e aktorëve të Shkodrës duke i siguruar për mbështetjen në këtë festival, i cili pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm, duke parë edhe interesin e lartë të publikut.
Gjatë datave 11-15 dhjetor, çdo natë, Teatri “Migjeni” do të shndërrohet në epiqendrën e të qeshurave dhe kreativitetit artistik, duke mbledhur emrat më të njohur të humorit nga e gjithë Shqipëria.
Shkodra, si djepi i kulturës dhe humorit shqiptar, rikujton me këtë festival rolin e saj të rëndësishëm si një qendër e artit kombëtar. Ky event është një mundësi për të përjetuar jo vetëm të qeshura, por edhe për të festuar traditën e humorit që ky qytet e ka të rrënjosur thellë në identitetin e tij./atsh/KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë ka startuar në Lezhë, duke sjellë për edicionin XIII të tij një përvojë të pasur kulturore dhe artistike.
Në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”, për dy netë radhazi, publiku do të shijojë interpretime magjike nga rapsodë dhe instrumentistë të moshave të ndryshme.
Skena e Pallatit të Kulturës u vesh mbrëmjen e djeshme nga kostumet tradicionale shumëngjyrëshe që pasqyrojnë larminë kulturore shqiptare, ndërsa rapsodët përcollën melodi autentike, që rrëfejnë historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Ky festival organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, duke treguar angazhimin për promovimin e vlerave të trashëgimisë folklorike shqiptare.
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë synon promovimin e identitetit, traditës dhe kulturës shqiptare./atsh/KultPlus.com
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
UNICEF, shkurtesa në anglisht për United National International Children´s Emergency Fund (Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijet) është themeluar pikërisht më 11 dhjetor në vitin 1946, shkruan KultPlus.
Fillimisht për të lehtësuar pasojat e luftës. Tani merret me mirëqenien e fëmijëve në vendet ne zhvillim.
UNICEF ka marrë mandatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që të mbrojë të drejtat e fëmijëve, të ndihmojë për përmbushjen e nevojave të tyre bazë dhe zgjerojë mundësinë e tyre për të arritur potencialin tyre të plotë, duke zbutur kështu një nga problemet sociale më të rënda të ditëve të sotme.
Qendra kryesore është në qytetin e New Yorkut, derisa UNICEF-i përmes programeve të shumta është aktiv edhe në Kosovë e Shqipëri. /KultPlus.com
Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, i mirënjohur si ASDRENI, poeti shqiptar, rilindasi, përkthyesi, shkrimtari dhe autori i poezisë e cila më vonë u bë himni kombëtar i Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Asdreni është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himni Kombëtar, zyrtar për të gjithë shqiptarët.
Aleksandër Stavre lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës.
Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.
Veprat letrare të ASDRENIT janë:
“Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se më shumë se një milion vizitorë kanë zbuluar magjinë e siteve kulturore që shtrihen në të gjithë vendin, duke e çuar këtë shifër në 31% më shumë krahasuar me numrin e vizitorëve gjatë vitit të kaluar.
Sipas ministrit, sitet më të vizituara janë “Kalaja e Gjirokastrës me 260 290 vizitorë; Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë me 170 405 vizitorë; Parku Arkeologjik Shkodër me 153 109 vizitorë; Parku Arkeologjik Apoloni me 120 397 vizitorë; Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat me 104 449 vizitorë.
Faleminderit çdo vizitori që mbështet trashëgiminë tonë dhe ndan historinë e Shqipërisë me botën”, thekson Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë arriti në 422 020, ndërsa në parqet arkeologjike 478 769 persona. Të gjitha këto vizita gjeneruan të ardhura, të cilat llogariten në 443 906 770 lekë, 40% më shumë se të ardhurat e vitit 2023./atsh/KultPlus.com
Maja e Qorres, një prej majave më të larta në Parkun Kombëtar të Llogorasë, këto ditë dimri ofron peizazhe mahnitëse.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale një video me pamje nga Maja e Qorrës ku, siç shkruan ministrja, “bardhësia e borës dhe kaltërsia e detit krijojnë një spektakël dimëror”.
“Ditë të mbarë me adrenalinën e aktiviteteve malore në Majën e Qorres në Llogora, ku bardhësia e borës dhe kaltërsia e detit krijojnë një spektakël dimëror”, shkruan ministrja Kumbaro.
Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë ka mbërritur edhe në parkun Kombëtar të Llogorasë, i njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër.
Parku Kombëtar i Llogorasë ka potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet./atsh/KultPlus.com
Sot shënohet 11 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Maleve. Kjo ditë është shpallur nga Ansambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Dita Ndërkombëtare e Maleve është një mundësi për të rritur ndërgjegjen mbi rëndësinë e maleve në jetën tonë dhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të maleve.
Dita Ndërkombëtare e Maleve zhvillohet çdo vit me një temë të caktuar në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të maleve. /KultPlus.com
Ekspertët thonë se janari është muaji më i mirë i vitit për të rezervuar pushime, me kostot në rritje në të gjithë industrinë e udhëtimeve, shkruan Shawon Hannan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Travel News”.
Megjithatë, studimet kanë treguar se 45% e individëve ndihen të mbingarkuar nga numri i madh i alternativave të pushimeve.
Për të ndihmuar entuziastët e pushimeve në zgjedhjet e tyre, ekspertët në AIPRM kanë përdorur inteligjencën artificiale për të rekomanduar destinacionet kryesore të udhëtimeve për vitin 2025.
Destinacionet kryesore të udhëtimeve sipas IA-së për arratisjen tuaj të radhës në 2025:
1-Riviera Shqiptare, Shqipëri 2-Brescia, Itali 3-Santa Barbara, Kaliforni, SHBA 4-Chiang Rai, Tajlandë 5-Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe
Riviera Shqiptare, Shqipëri
Riviera Shqiptare është e njohur për ujërat e saj mahnitëse bruz dhe malet përgjatë vijës bregdetare në Shqipërinë jugperëndimore.
Koha më e mirë e vitit për të vizituar vendin mesdhetar është maj-shtator.
Një nga atraksionet më të njohura është Syri i Kaltër.
Një burim me ujëra të pastra kristal që buron nga një vrimë e thellë karstike.
Këshillat kryesore të IA-së për të udhëtuar me një buxhet të kufizuar:
Planifikoni përpara udhëtimit
Rezervoni me herët ose ne minutën e fundit: Mund të rezervoni fluturime dhe akomodime më të lira duke rezervuar më herët, ose nëse vendosni për një arratisje spontane, ofertat e minutës së fundit ndonjëherë mund të ofrojnë zbritje të vlefshme.
Jini fleksibël me datat: Çmimet më të ulëta për fluturimet dhe akomodimet, shpesh ofrohen kur udhëtoni në sezone jashtë pikut turistik ose në mesjavë.
Zgjidhni linja ajrore buxhetore: Kërkoni gjithmonë linja ajrore me kosto të ulët, megjithëse është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për çdo tarifë shtesë të bagazheve ose kosto të zgjedhjes së sediljeve që mund të rrisin çmimin e përgjithshëm.
Akomodim & Transport
Qëndroni në bujtina ose akomodim të përbashkët: Bujtinat shpesh ofrojnë opsione më të përballueshme sesa hotelet.
Përdorni shtëpitë me qira për pushime: Mjete të tilla si Airbnb ose Vrbo mund të ofrojnë oferta më të mira për familjet ose grupet sesa shumica e hoteleve.
Zgjidhni vendndodhjet alternative: Rezervimi i akomodimit jashtë qendrës së qytetit mund të ndihmojë në kursimin e kostove, ndërkohë që ju pozicionon mjaft afër atraksioneve.
Përdorni transportin publik: Përdorimi i autobusëve apo edhe ecja në këmbë, mund të ndihmojë në kursimin e kostove për taksitë.
Dritë udhëtimi: Shmangni paketimin e tepërt, pasi kjo mund të sjellë tarifa shtesë për bagazhet./atsh/KultPlus.com