Komuna e Prishtinës organizon koncert festiv me ‘Asgjë sikur Dielli’ për festat e 2-4 Korrikut

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të organizojë koncert festiv me grupin e njohur muzikor “Asgjë sikur Dielli” për nderë të 2 Korrikut- Ditës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Kosovës, dhe 4 Korrikut- Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes një shkrimi në facebook.

“Kujtojmë dhe nderojmë të kaluarën e vendit dhe aleatët tanë nëpërmjet artit dhe kulturës. Festojnë së bashku me krenari Dy Korrikun, fillesën e rrugëtimit tonë për një shtet të pavarur dhe Katër Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Prishtina po frymon art dhe kulturë”, thuhet në shkrimin e drejtoreshës Halimi./ KultPlus.com

Dren Abazi & Zig Zag Orchestra me koncert të madh në Stadiumin e Tiranës

Artisti i njohur Dren Abazi & Zig Zag Orchestra do të prezantohen me koncert në Stadiumin “Selman Stërmasi”, në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili ngërthen në vete histori 15 vjeçare të muzikës artistike të solistit të njohur Dren Abazi, pritet që të dhurojë një natë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij, ku bëhet e ditur se audienca prezente do të shijojë këtë performancë për rreth dy orë.

Dren Abazi vazhdon të mbetet një ndër këngëtarët më të adhuruar për audiencën e Shqipërisë, dhe koncerti në Tiranë po pritet si një mundësi e mirë që adhuruesit e artistit ta shohin për së afërmi performancën e tij.

Mbrëmja mbahet më 4 korrik, në ora 20.00, ndërsa hyrja është pa pagesë/ KultPlus.com

Pas 12 vitesh, Gëzim Myshketa rikthehet me një koncert recital në Durrës

Baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, rikthehet në qytetin e tij të lindjes pas 12 vitesh me një koncert recital madhështor në Amfiteatrin e Qytetit Antik të Durrësit, shkruan KultPlus.

Ky koncert madhështor i cili vjen më 6 korrik në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Teatrin e Operas do të ketë edhe artistë të ftuar special si Arjola Shehu, Gerald Murrja, Anxhelo Mucollari, Renisa Lacka, Adela Mucollari, Brikel Guga dhe Viktor Yankovski, nën udhëheqjen e dirigjentit italian Jacco Supa.

Po ashtu, baritoni Myshketa për herë të parë organizon edhe një masterclass me mjeshtrat më në zë të panoramës operistike ndërkombëtare si: Angelo Gabrielli, Daniela Schillaci, Mario de Carlo, Mirca Rosciani dhe Elda Laro për të perfeksionuar mbi 40 talente me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Brazili, Mauritania, Kina, Polonia, Gjermania, Franca, Italia, etj.

Ngjarja do të mbahet më datat 1,2,3 dhe 4 Korrik duke u përmbyllur me një gala koncert Final në ADRIATIK HOTEL DURRËS ora 21:00./ KultPlus.com

‘Nji za dashnije’, Adelina Thaçi – Meta nesër i këndon Prishtinës

Një prej zërave të muzikës së mirëfilltë shqipe, Adelina Thaçi – Meta do të rikthehet në skenë me koncertin e saj recital.

E quajtur “Nji za dashnije, për ty Prishtinë”, koncerti vjen në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Për këtë mbrëmje muzikore që do të organizohet nesër, janë paralajmëruar mysafir të shumtë muzikor. Por ajo që është bërë e ditur është prania e mysafirit special i njohur me emrin artistik Gjon’s Tears apo Gjon Muharremaj, shqiptari i cili përfaqësoi Zvicrën në Eurovision në vitin 2021 me këngën “Tout l’Univers”.

Teksa përgatitjet janë në finalizim, një ditë para koncertit kryetari i Prishtinës Përparim Rama është takuar me këngëtaren dhe ekipin realizues të përbërë nga Edon Ramadani e Ilir Tolaj.

“Adelinës, Edonit, dhe Ilirit iu urova shumë suksese për koncertin e mbrëmjes nesër, ‘Nji za dashnije’, dhe i falënderova përzemërsisht për veprimtarinë e tyre artistike ndër vite, dhe emocionet e mrekullueshme që vazhdojnë me i dhuru publikut”, ka shkruar Rama.

Opera e Kosovës prezantohet edhe në Paris, interpretojnë solistë të shquar

Opera e Kosovës do të prezantohet para publikut parisien me solistë të shquar të këtij institucioni, përmes një programi të përzgjedhur me kompozitorë botëror dhe shqiptar, shkruan KultPlus.

Pjesë e këtij koncerti i cili do të prezantohet në kryeqytetin e Francës janë artistët: Venera Kajtazi, Sihana Badivuku, Adelina Paloja, Arta Jashari, Agron Peni, Denik Prizreni, Elikona Hysaj, Kaltrina Miftari, kuarteti Amati, Liridon Sadriu, Meriton Ferizi, Okteti Plus, Safet Berisha dhe Zana Abazi-Ramadani.

Koncerti mbahet më 10 qershor, në Theatre du Gymnase Marie Bell- Paris, në ora 20:00./ KultPlus.com

Koncert madhështor për 50 vjetorin e karrierës së Shkurte Fejzës, Ansambli ‘Shota’: Festojmë 50 vite me zërin që ka përfaqësuar kombin tonë!

Një koncert madhështor me titull “50 vjet zëri i kombit” do të mbahet  në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, për të shënuar 50 vjetorin e karrierës së artistes Shkurte Fejza, shkruan KultPlus.

Ky koncert është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Përmes një njoftimi publik ansambli “Shota” ka bërë ftesë për pjesëmarrje për të festuar me zërin që për 50 vite ka përfaqësuar kombin shqiptar:

“Ju ftojmë të merrni pjesë në koncertin madhështor të artistës ikonë të këngës shqipe, znj. Shkurte Fejza me titull “50 vjet zëri i kombit”.

Kjo ngjarje e veçantë muzikore është organizuar nga MKRS-dhe AKKV “Shota”. Mos humbisni mundësinë për të përjetuar një mbrëmje të paharrueshme plot me muzikë, mbamendje dhe emocion.

Bashkohuni me ne për të nderuar dhe festuar trashëgiminë tonë muzikore!”, thuhet në një shkrim të publikuar nga AKKV “Shota”.

Koncerti mbahet më 8 qershor, në ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Filharmonia organizon koncert të jashtëzakonshëm për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert të jashtëzakonshëm të gërshetuar mes muzikës elektronike dhe asaj klasike me Orkestrën e Filharmonisë, ikonën e muzikës tekno Derrick May, pianistin Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një shkrimi në facebook.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm Francesco Tristano 🇱🇺nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike, për një festë të paharruar!” thuhet në shkrimin MKRS.

Koncerti mbahet më 11 qershor 2024, në Sallën e Madhe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në ora 19:00./ KultPlus.com

Orkestra e FARShi-it koncert në Prishtinë, shënohet çlirimi i Shqipërisë dhe Kosovës

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë bashkë me ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe komunën e Prishtinës më 29 maj organizojnë koncertin “Melodia e lirisë” për të shënuar vitin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

“Përshëndetje miq në Prishtinë e kudo në Kosovë! Dëshiroj t’ju ftoj në një mbrëmje magjike ditën e mërkurë datë 29 maj 2024 ora 19.30 në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, ka njoftuar Malaj në Facebook.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Komunës së Prishtinës organizojnë këtë event muzikor”.

“Në vitin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë sjell këtë mbrëmje koncertin ‘Melodia e Lirisë’ me shije muzikore kombëtare e ndërkombëtare”.

‘Chopin Piano Fest’ dhe Filharmonia bashkojnë forcat, dhurohet spektër brilant i tingujve

Vjollca Duraku

Tinguj me një spektër të gjerë frekuencash u dhuruan mbrëmë nga Pianisti François Dumont dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antonie Marguier, në koncertin e shtatë me radhë të Festivalit të Muzikës Klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” në Atelienë e Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.

Adhuruesit e Filharmonisë së Kosovës dhe të Chopin-it kësaj radhe u bashkuan në një koncert të përbashkët, për të përjetuar emocione të thella nga një program i përzgjedhur me shumë shije, me tinguj brilant shumë të fortë dramatik të cilët përmbyseshin nga tinguj të qetë të pianos të cilët dërgonin  në thellësi meditative.

Koncerti i cili zgjati për 90 minuta filloi me interpretimin e veprës “Piano Concerto No.5 in E-flat major, Op.73” me Allegro, Adagioun poco mosso, Rondo: Allegro ma non troppo nga L.V. Bethoven për të vazhduar në pjesën e dytë të koncertit me “ Symphony No. 4 in C minor,  D 417” me Adagio molto, Allegro vivace nga F. Schubert.

Publiku u pasurua artistikisht me tinguj të frekuencave të ndryshme të cilët emeteoheshin qetësisht nga mjeshtria e pianistit Dumont dhe harkorët e Filharmonisë, për t’u bërë më intensivë kur interpretimit i shtoheshin frymorët, për të kaluar në dramacitet kur në lojë hynin të gjitha instrumentet, duke rënë përsëri vetëm në tingujt e qetë, të bukur të pianos.

Nga kjo lojë e mrekullueshme ishte reagimi i publikut që u jepte përgjigje për performancën përgjatë koncertit artistëve që udhëhiqeshin nga dirigjenti plot sharm, elegancë e profesionalitet, Antoine Marguier.

Pas pjesës artistike Pianisti Dumont u shpreh se ndihej i emocionuar nga interpretimi në “Chopin Piano Fest” dhe shumë i lumtur pasi iu dha hapësirë për herë të dytë për të interpretuar në këtë festival.

“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi ta njoh qytetin dhe kulturën. E ndjej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në Chopin dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dy vite më parë ishte një koncert recital në ‘Chopin Fest’ ndërsa sonte kemi luajtur Koncertin e 5-të të Beethoven. Ky koncert është i fundit i kompozitorit”, ka thënë pianisti Dumont.

Ndërsa organizatorja e festivalit Lejla Pula u shpreh e mrekulluar nga loja e pianistit Dumont dhe interpretimi i  Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

“E kemi shijuar të gjithë së bashku. Vërtetë një koncert i mrekullueshëm nga François Dumont i cili në bashkëpunim me Ambasadën franceze erdhi për herë të dytë në festivalin tonë ka mbajtur një recital të Chopin-it sepse ai vetë është laureat i garave të Chopinit në Varshavë, do të thotë është një ekspert i madh i muzikës së Chopin-it, por që në këtë koncert rastisi që ai ta luaj në mënyrë të mrekullueshme, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm koncertin e pestë të Bethovenit”, ka thënë organizatorja.

Më tej, organizatorja Lejla Pula ka thënë se ndihet e nderuar për pjesëmarrjen e një artistëve të mëdhenj që pavarësisht kushteve jo adekuate për interpretim, ndahen të kënaqur dhe kërkojnë të interpretojnë përsëri nga mikpritja dhe energjia pozitive që e përjetojnë në Festival.

“Ne si organizatorë jemi shumë të lumtur që artistë të mëdhenjë pranojnë të vijnë në Kosovë, për shkak se ende nuk posedojmë sallë të përshtatshme koncertale, pasi ata mund të kenë pak drojë se si mund të tingëlloj pianoja. Mirëpo ata jo vetëm që pranojnë kur i ftojmë përsëri, por ata edhe vet kërkojnë të vijnë përsëri, kështu që në një formë edhe mos me dashtë të vazhdojmë Piano Festin kjo kërkohet nga mysafirët tanë që ndahen aq të kënaqur me mikpritje dhe me të gjitha duke u mrekulluar nga rinia jonë, nga publiku, studentët, audienca e gjerë. Thjesht është një mrekulli”, është shprehur organizatorja.

Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Festivalin “Chopin Piano Fest”, nga ku edhe potencoi që bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.

“Bashkëpunimi i Filharmonisë së Kosovës me Chopin Piano Fest është tradicional, ashtu si edhe me festivale të tjera që organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për të bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndonëse nuk kemi pasur mundësi që këto vitet e fundit që të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të agjendës të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhen me agjendën e festivaleve, por aq sa kemi mundësi do ta  vazhdojmë si traditë edhe  në vitet që vijnë” ka përfunduar Selimaj.

Koncerti i radhës i “ Chopin Piano Fest” do të mbahet me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Lalosevic, më 27 maj, në ora 20: 00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com

Saran Suebsantiwongse dhe Alberta Troni performojnë sonte në ‘Chopin Piano Fest’

Sonte, në koncertin e dytë të festivalit të muzikës klasike  “Chopin Piano Fest” do të performonjë artistët Saran Suebsantiwongse- Bariton dhe Alberta Troni- Piano.

Saran Suebsantiwongse është bariton tajlandez, i cili është shkolluar në Shkollën e Muzikës në Manhattan dhe në Kolegjin Mbretëror të Muzikës. Alberta Troni është pianiste nga Kosova, vlerësimet e së cilës përfshijnë çmime prestigjioze nga gara të ndryshme nëpër Evropë.

Koncerti nis në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në Prishtinë.

Kori i Filharmonisë organizon koncert premierë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert premierë me Korin e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, shkruan KultPlus.

Koncerti do të ketë një repertor të pasur duke filluar nga baroku deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë vepra nga J. M. Bach, J. Brahms, R. Harbor, F. Ticheli, E. Whitacre, M. Ostrzyga, J. Runestad, H. Syla dhe L. Biggs.

Në shënim të 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, do të interpretohet “Bash n’zeman…”.

Koncerti mbahet më 16 maj, në ora 20:00 në Kishën Katolike “Shën Ndou”./ KultPlus.com

ASHSH, aktivitet për 100-vjetorin e koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u mbajt koncerti “Crazy Night of Classical Music with Life and Music Concept Orchestra by Kledis Rexho” me rastin e 100-vjetorit të koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri. Në këtë koncert interpretuan artistët: Marla Hoxha, Era Kume, Ionel Streba, Kledis Rexho, Albana Bajraktari dhe Tea Peti.

Programi përmbante vepra të kompozitorëve më të njohur në rang botëror si Mozart, Bach, Beethoven, Vivaldi, Shostakovitch e të tjerë, por edhe kompozitorë të mirënjohur shqiptarë si Avni Mula e Vaso Tole.

Kledis Rexho falënderoi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që duke mbështetur koncertet e “Life and Music Concept Orchestra” jep një kontribut për rrugëtimin e muzikantëve të rinj.

“Është kënaqësi e veçantë të përcjellësh eksperiencën artistike prej gati 15 viteve në France, Monaco dhe Luxembourg, për fëmijë muzikantë kaq të motivuar dhe të talentuar”, është shprehur ideatori i koncertit, Rexho./atsh/KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj me koncert dedikues ndaj komunitetit shqiptar në ShBA: Dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin Kosovës

Tenori i njohur, Ramë Lahaj, organizon koncert i cili i dedikohet komunitetit shqiptar i cili jeton New York, si shenjë mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e imazhit të shqiptarëve si dhe në çlirimin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Tenori Lahaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Tej mase i lumtur që më në fund më 12 prill 2024 do jem në New York, me një koncert dedikuar enkas komunitetit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për imazhin e shqiptarëve në përgjithësi dhe çlirimin e Kosovës në veçanti”, ka shkruar Lahaj.

Koncerti do të mbahet më 12 Prill, në një nga sallat më historike të New Yorkut, në ‘Saint George Theater’./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës muajin Prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është  Zanë Abazi- flaut.

Ky koncert mundësohet në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”.

Koncerti do të hapet me uverturën e operës “Cosi fan tutte” nga Mozarti. Në këtë program do të interpretohet edhe vepra “Odelette” nga Saint-Saëns.

Përmbyllja e koncertit shënohet  me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Schumanni. Mos e humbni këtë koncert, i cili do të dirigjohet nga Pëllumb Vula.

Koncerti mbahet më 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00./KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ me koncert në Tetovë, paralajmëron spektakël muzikor

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” koncertin e radhës do ta mbajë në qytetin e Tetovës.

Ansambli “Shota” ka njoftuar se përmes këtij koncerti do të dhurohet një spektakël tërheqës me plot muzikë, kulturë dhe traditë, duke frymëzuar e emocionuar me trashëgiminë tonë të pasur artistike.

“Qendra e Kulturës në Tetovë dhe komuniteti artdashës i qytetit me kënaqësi mirëpresin koncertin artistik të ansamblit kombëtar ‘SHOTA’.

Një spektakël tërheqës plot muzikë, kulturë dhe traditë arrinë në Tetovë për të frymëzuar, emocionuar dhe mburrur me trashëgiminë tonë të pasur artistike. Ju ftojmë të bashkoheni në këtë ngjarje të jashtëzakonshme të kulturës sonë, për të përjetuar emocionet dhe bukurinë e muzikës dhe valleve të ansamblit ‘SHOTA’.

Mos harroni të rezervoni vendin tuaj për një eksperiencë të paharrueshme!”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 13 prill, në ora 19:00 në Qendrën e Kulturës-Tetovë./KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të paraqiten me koncert në Shkup

Në datën 30 Mars, salla e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut do të shndërrohet në një fushë të magjisë muzikore, pasi në atë skenë do të ngjitet Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” për të dhuruar një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje paraqet një moment të veçantë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe për ata që janë të interesuar të eksplorojnë talentin e rinisë në muzikë.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, ky koncert po vjen pas një pune të mrekullueshme dhe një viti të filluar mbarë me nxënës të talentuar nga shkollat e ulëta të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova” & “Amadeus” & Tony Drum Studio të cilët janë gati të ndajnë pasionin e tyre për muzikën me publikun.

Kjo është një mundësi e rallë për të kuptuar dhe për të vlerësuar punën e palodhshme dhe talentin e këtyre fëmijëve që, përkundër moshës së tyre të re, kanë arritur të bëhen pjesë e një koncerti të tillë të nivelit të lartë.

Koncerti do të mbahet më datë 30 Mars, në ora 19:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. / KultPlus.com

Filharmonia organizon koncert në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë

Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizon koncert me e violonçelisten Aurélienne Brauner nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

“Nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski dhe me pjesëmarrjen e violonçelistes franceze Aurélienne Brauner mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

Fuqinë e violonçelos mund ta përjetoni përmes interpretimit të ‘Fantazi për violonçel’ e kompozitorit romantik francez Jules Massenet derisa mbrëmja do të përmbyllet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Robert Schumann”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Ky koncert mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Franceze në Prishtinë, si pjesë e festës së Frankofonisë në Kosovë!

Koncerti do të mbahet më22 mars, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Chopin Piano Fest prezanton koncert me 16 artistë për nderë të 16 vjetorit të Pavarësisë

Festivali i muzikës klasike Chopin Piano Fest Prishtina, në kuadër të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës prezanton koncertit festiv, me performanca dhe program të pasur muzikor me 16 artistë, shkruan KultPlus.

Artistët pjesëmarrës në këtë koncert janë: Alberta Troni, Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, Sihana Badivuku, Zana Badivuku Basha, Denik Prizreni, Kaltrina Miftari, Safet Berisha, Lekë Salihu, Marin Gjollma, Enkelejda Zajmi Gorani, Marina Nikolovska, Astrit Mustafa, Orges Malaj, Ilir Kodhima dhe Andi Duraku.

Koncerti do të mbahet më 6 Mars nga ora 20.00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinës/KultPlus.com

Harpistja Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë shkrijnë tingujt në një koncert të përbashkët emocional

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert shumë emocional u dhurua të shtunën mbrëma, në koncertin e parë për muajin mars nga solistja harpiste Şirin Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, shkruan KultPlus.

Atelieja e Pallatit të Rinisë e cila është bërë vend i zakonshëm për mbajtjen e koncerteve të Filharmonisë, mbrëmë mysafirët i kishte akomoduar në një kënd ndryshe, ku në ballë të sallës, në formë harku ishte rezervuar vendi për Orkestrën Harkore, përderisa publiku ishte i shpërndarë në të tre anët e saj.

Me një duartrokitje u pritën instrumentistët në skenë, së cilës për pak pritej t’i bashkangjitej edhe dirigjenti Ramadani. Me tinguj jo shumë të lartë filloi koncerti me interpretimin e veprës “Sinfonietta për orkestër harqesh” të autorit Drinor Zymberi.

Tinguj mjaft të qetë, e të rrallë u ekzekutuan pak më vonë, vibrimi i së cilëve sikur donte të tregonte një histori me karakter serioz. Ndërsa “Allegro” filloi me tinguj më të lartë, të cilët shkonin për tu bërë më të qetë e për tu përsëritur disa herë, për t’i dhënë shije mjaft të këndshëm veshit të dëgjuesit.

Pikat tjera të cilat u interpretuan në këtë koncert ishin: “Valle për harpë dhe orkestër harqesh” të Claude Debussy, “Ata që duan, nuk vdesin” të Nihavend Longa dhe “Suita e Holbergut, OP.40”, të Edvard Grieg, të cilat dhuruan tinguj mjaft të ndjerë për publikun.

Por, “Vaji i flamingove” i kompozuar dhe interpretuar nga vetë harpistja Şirin Pancaroğlu dha një tjetër spektër emocional.  Ky “Vaj i flamingove” i shkrirë mjeshtërisht në tinguj harpe, shtriheshin qetësisht dhe thellësisht në sallë, si shpërfaqje e një momenti personal trishtues të cilin e kishte përjetësuar artistja në vepër disa vite më parë.

Harpa dhuronte tinguj melankolikë dhe terapues njëkohësisht, të cilët qetësisht integroheshin shumë natyrshëm te publiku, nga ku edhe njëfarë mënyre kjo vepër mori vulën e interpretimit nga durartrokitjet pambarim të publikut në sallë.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus foli koncert-mjeshtri i Filharmonisë, Festim Fanaj, i cili tha se në këtë mbrëmje kishte përjetuar emocione shumë të mira, të cilat erdhën si rezultat i një ekzekutimi maestral nga të gjithë instrumentistët.

“Programi ka qenë shumë i mirë. Ka kaluar një kohë e gjatë që Filharmonia nuk ka performuar me një harpiste. Pancaroğlu është një zonjë shumë e aftë në instrumentin e harpës, andaj na solli edhe shumë emocione. Njëkohësisht edhe veprat tjera të cilat i punuam me dirigjentin tonë Edon Ramadani i kemi realizuar në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Sonte, ka qenë me të vërtetë shumë bukur, kemi përjetuar shumë emocione të mira, dhe të gjitha veprat janë luajtur në mënyrë maestrale, nga të gjithë”, ka thënë Fanaj.

Koncert-mjeshtri Fanaj gjithashtu tha se profesionalizmi i harpistes Pancaroğlu kishte bërë që me orkestrën e Filharmonisë të shkriheshin në një, për një kohë shumë të shkurtër, edhe përkundër faktit që interpretimi me harpë është mjaft i rrallë.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, ne jemi ndërlidhë shumë shpejt me solisten, pasi që është tejet profesioniste. Nuk na është dashur të punojmë shumë në përgjithësi, vetëm në detaje. Kështu që, jemi përshtatur shumë shpejt, kemi pasur një energji të përbashkët  dhe me të vërtetë edhe neve na pëlqeu si instrument, por edhe perfomanca e saj na bëri që të shkrihemi së bashku në një tingull dhe gjithçka shkoi shumë bukur”, ka thënë koncertmjeshtri Fanaj.

Ndërsa, dirigjenti Edon Ramadani, koncertin e mbrëmshëm tha se e kishte përjetuar thellësisht sa i përketë aspektit emocional.

“Koncerti i sotëm ka qenë një performancë emocionale. Kam hyrë në muzikë shumë thellë, natyrisht duke iu falënderuar profesionalizmit të orkestrës që kam pasur para meje. Këtë koncert kemi pasur edhe një mysafir të veçantë. Nuk besoj që kemi pasur shpesh ndonjë harpist ose harpiste në Kosovë, kështu pas një kohe mjaftë të gjatë kemi pasur një harpiste të mrekullueshme me të cilën së bashku me orkestër e kemi luajtur dy valle nga Claude Debussy”, ka thënë Ramadani.

Dirigjenti Ramadani foli edhe për programin e koncertit ku tha që ishte goxha i larmishëm, duke filluar nga kompozitorët lokal e deri te impresionizmi i Claude Debussy, duke potencuar edhe profesionalizmin e solistes Pancaroğlu dhe Orkestrës Harkore të Filharmonisë.

“Bashkëpunimi ka qenë mjaft i lehtë sepse ajo edhe si njeri është shumë e thjeshtë. Ishte me të vërtetë kënaqësi bashkëpunimi me harpisten Pancaroğlu. Njejtë edhe me Filharmoninë e Kosovës, ku nuk është bashkëpunimi i parë i imi, unë jam pjesë e kësaj shtëpie që nga viti 2006-‘07  kur kam punuar si asistent dirigjent i korit të Filharmonisë dhe kohë pas kohe pastaj jam ftuar si mysafir qoftë me korin, orkestrën, qoftë me korin edhe orkestrën. Kështu që gjithmonë është kënaqësi për tu kthyer në ‘shtëpinë time të vjetër’”, ka thënë Ramadani.

Kurse, solistja Pancaroğlu interpretimin së bashku me Filharmoninë e Kosovës e ka quajtur moment të çmuar për karrierën e saj.

“Jam shumë e prekur nga zhvillimi i kësaj orkestre kur dijmë se pas luftës ishin vetëm 13 muzikantë kur filloi. Ajo rritet vazhdimisht dhe shpresojmë se do të bëhet edhe me një sallë të koncerteve. Është një moment shumë i çmuar për mua. Kjo është hera e tretë që kam luajtur në Kosovë, por asnjëherë më parë nuk kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Pancaroğlu duke potencuar gjithashtu që frymëzimi i saj për të krijuar vepra lidhet me tema të ndjeshme të shoqërisë, siç ishte edhe vepra “Vaji i Flamingove” të cilën e kishte krijuar pasi inxhinieria e ndërtimit kishte vendosur që në një habitat të flamingove të ndërtohej një kompleks banesor. Artistja e lumtur tregon që disa muaj pas interpretimit të kësaj vepre, projekti në fjalë ishte ndaluar të ndërtohej./ KultPlus.com

Filharmonia dhuron emocione kulminante në koncertin e organizuar për 16-vjetorin e Pavarësisë

Emocion dhe krenari dhuruan Filharmonia e Kosovës në koncertin e organizuar mbrëmë për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Koncerti nisi me ‘Lindjen e Diellit’ nga R. Strauss për t’i lënë vend ‘Krzesany’ nga kompozitori W. Kilar, një prej veprave më ikonike të literaturës polake të shek. XX.

“Nëna Terezë” interpretuar nga solistët Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, hapi rrugën për premierën e ‘Exodus’ nga Mendi Mengjiqi, një dedikim për eksodin e mbi 1 milion shqiptarëve nga Kosova, të cilët para 25 vjetësh qenë dëbuar me dhunë jashtë Kosovës nga forcat paramilitare dhe ushtarake jugosllave dhe serbe.

Sopranoja Krenare Gashi, magjepsi audiencën me interpretimin e saj dhe u prit me ovacione bashkë me kompozitorin Mengjiqi, i cili ishte i pranishëm.

Interpretimi i kantatës ‘Rrugëtimi’ nga Valton Beqiri erdhi si kulminacion i mbrëmjes, e cila u përmbyll me ‘Oda e Gëzimit’ nga Beethoveni, e në orkestrim të E. Nuhanoviqit.

Bashkë me artdashësit koncertin e ndoqën presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier./KultPlus.com

Ansambli Kombëtar i Kosovës dhe i Shqipërisë me koncert festiv për 16 vjetorin e Pavarësisë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, do të mbajnë koncert festiv për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë, shkruan KultPlus.

Koncerti festiv i cili do të mbahet me Ansamblet Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë organizohet më 16. 02. 2024, në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq.

Koncerti fillon në ora 20:00./ KultPlus. com

Pianistja Melisa Ibrahimi shkëlqen në koncertin recital në Romë: Më rikthyen në skenë mbi shtatë herë

Një tjetër koncert i suksesshëm është shënuar nga pianistja Melisa Ibrahimi i mbajtur në teatrin “Teatro di Marcello” në Romë, Itali. Ky koncert u organizua në kuadër të Festivalit “Concerti del Tempietto”, në një nga teatrot më të lashtë dhe me histori të pasur shekullore në kryeqytetin italian, shkruan KultPlus.

Në këtë eveniment, Melisa Ibrahimi ka shfaqur një repertor të pasur me vepra të kompozitorëve të njohur si Domenico Scarlatti dhe Franz Liszt.

Koncerti ka zgjatur 60 minuta, në të cilat Melisa Ibrahimi ka shfaqur një aftësi dhe pasion të rrallë në interpretimin e mjeshtërisë së muzikës klasike. Audienca, e përbërë kryesisht nga profesionistë të pianos dhe artdashës të muzikës klasike, u mbush me emocione dhe admirim për paraqitjen e shkëlqyer të artistes kosovare.

Pjesë e publikut ishte edhe pianistja dhe profesoresha e njohur italiane Silvia Rinaldi, anëtare e jurisë së garës Chopin në Romë, e cila ka qenë pjesë e këtij evenimenti për 32 edicionet e fundit.

Duartrokitjet dhe ovacionet e përsëritura tregonin jo vetëm respektin, por edhe adhurimin e të pranishmëve për mjeshtërinë dhe talentin e pianistes shqiptare e cila është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë fakt.

“Mikpritje dhe audiencë e mahnitshme, pata momente të pabesueshme kur ata iu përgjigjën performancës sime me duartrokitje të gjata, duke më rikthyer në skenë më shumë se 7 herë! Gjithashtu një teatër shumë i bukur me akustikë të mrekullueshme”, është shprehur Melisa e cila nuk ka harruar të falënderoj edhe profesoreshën e saj Alberta Troni, e cila është mbështetja e saj më e madhe gjatë karrierës së saj. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tiranë shënon 20 vjetorin e themelimit

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në Tiranë.

Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë do të interpretojë vepra nga kompozitorët vendorë e të huaj.

Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur kosovare Sihana Badivuku, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.

Koncerti është organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Koncerti do të mbahet më 2 shkurt në ora19:00 në TKOB/KultPlus.com

Sonte koncerti i Ansamblit Popullor, me pjesë nga traditat më të bukura shqipe

Sot, në TKOB do të vihet në skenë shfaqja e Ansamblit Popullor, “Jehona jone”. Nga Çamëria në Kosovë e nga Bregu në Korab, publiku do të mund të përcjellë traditat më të bukura shqipe, këngët, vallet, vajet e gëzimet, të cilat do të vijnë të interpretuara mjeshtërisht nga artistët e Ansamblit Popullor, mbrëmjen e sotme.

“Ndër shekuj, jehona e isos së Jugut, tupanit të Veriut e këngët majë krahi kanë lajmëruar lajme të gëzuara e të trishta. Kjo ishte mënyra se si populli ynë komunikonte dikur”, shkruhet në publikimin e bërë nga TKOB në rrjetet sociale.

Koncerti “Jehona jonë”, vjen si lajmërim i ditëve të bukura të vitit te sapoardhur dhe do të kumbojë në skenën e TKOB-së nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Solistë të këtij koncerti të veçantë do të jenë: Denisa Gjezo, Iris Bega, Aranit Hoxhaj, Lekë Pecnikaj, Avni Miraka etj./atsh/KultPlus.com