Uta Ibrahimi vizitoi fëmijët rom, ashkali e egjiptian në Gjakovë, të entuziazmuar me sukseset e alpinistes

Vizita e sotme e mbajtur në Qendrën për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Gjakovë nisi dhe mbaroi me brohoritjet Urra.

Në vazhdën e aktiviteteve të projektit URRA që është  partneritet i UNICEF me Fondacionin Utalaya, sot me 15 shtator, 472 fëmijë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përfituan nga pakot me materialit didaktike të Edukimit të Hershëm.  

Ata takuan për herë të parë Uta Ibrahimin, prej së cilës dëgjuan rrëfimet frymëzuese mbi ngjitjet e saj në malet më të larta në botë me ç ‘rast ajo mbajti edhe fjalim inspirues për fëmijët duke i nxitur ata që të ëndërrojnë sa më shumë dhe të punojnë drejt realizimit të ambicieve të tyre duke qenë të rregullt në mësime dhe shkollë.

Përveç pakove dhe mundësisë së bashkëbisedimit me Utën, fëmijëve dhe prindërve të këtyre komuniteteve iu shpërndanë edhe maska të ripërdorshme për mbrojtje ndaj COVID-19, si dhe u fol për rëndësinë e bartjes së maskës në kohë pandemie.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe: Larisaa- Brunn, Zëvendës Shefe e UNICEF-it në Kosovë, Berat Thaqi, Drejtor i Qendrs Bethany për Shërbime Krishtere,  Edukatoret e Qendrës në Gjakovë si dhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Edukatoret që janë pjesë e programit për zhvillimin e fëmijërisë së hershme u shprehën se kjo iniciativë mund të duket si gjest i vogël nga jashtë mirëpo ndikon shumë në zhvillimin dhe disponimin e fëmijëve me status të paqëndrueshëm ekonomik si dhe u shprehën të gatshme për bashkëpunime tjera me shpresën se në të ardhmen do të ketë angazhim më të madh të të gjitha instancave përgjegjëse me komunitetet jo-shqiptare dhe grupet e margjinalizuara. 

Poashtu edhe njëherë u promovua platforma e edukimit të  hershëm(https://edukimihershem.rks-gov.net/), e cila është krijuar enkas për prindër, edukatorë dhe fëmijë, ashtu që fëmijët të jenë të angazhuar me detyra e aktivitete që mund të mbahen në kushte shtëpie e që ndihmojnë zhvillimin dhe mirëqenien e tyre./ KultPlus.com

Projekti ‘URRA’ vjen për të krijuar momente të çmuara me fëmijë dhe prindër

Zyra e Unicef-it në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya kanë sjellur në jetë projektin “URRA”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e angazhimit të fëmijëve me prindër në aktivitete të ndryshme që nxisin zhvillimin e fëmijëve, përfshirë leximin, ndërveprimin dhe aktivitete të ndryshme në natyrë për mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Programi i Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme në kuadër të UNICEF-it ofron studime shkencore të cilat flasin për rëndësinë e momenteve të hershme në jetën e fëmijëve nga mosha 0-6 vjeç. Jo rastësisht edhe sllogani i iniciativës për shpërndarjen e pakove mbështetëse me materiale didaktike është “Gjashtë vitet e para nis e mbara”!

Këto vite paraqesin kohën vendimtare për zhvillimin e trurit të fëmijëve dhe këtu hyjnë gjidhënja dhe të ushqyerit e shëndetshëm, mbrojtja dhe siguria, edukimi në fëmijërinë e hershme dhe vëmendja e përgjegjshme nga kujdestarët. Ky kombinim i natyrës dhe ushqimit vendos themelin e së ardhmes së një fëmije.

Statusi i ulët socio-ekonomik mund të ndikoj negativisht në zhvillimin e fëmijëve. Konsideruar shkallën e varfërisë në Kosovë, e cila qëndron në 18% sipas statistikave të vitit 2019, mund të kuptojmë se fëmijët në Kosovë kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe programe që u mundësojnë atyre një zhvillim të shëndetshëm për të arritur potencialin e tyre të plotë. 

Përveç kësaj, në Kosovë vetëdija e prindërve mbi rëndësinë e zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe parapërgatitjes për shkollë është e ulët. Aktualisht rreth 14% e fëmijëve mes moshës 3-5 vjeç janë duke ndjekur një program arsimor të fëmijërisë së hershme.

Mirëpo ky nuk është i vetmi faktor determinues për ngecje në zhvillim. Kohëve të fundit jeta dinamike e të rriturve dhe pamundësia për t’iu përkushtuar fëmijëve, izolimi me rastin e pandemisë Covid-19 dhe ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj pajisjeve elektronike si dhe mos angazhimi fizik, shpesh dëmtojnë zhvillimin kognitiv dhe fizik të fëmijëve. Prandaj, është mëse e rëndësishme që prindërit e kujdestarët të nxiten sa më tepër për përfshirjen më të madhe të fëmijëve në aktivitete edukative dhe fizike (sportive). Kjo është edhe arsyeja pse “URRA” ka filluar punën e vet pikërisht në këtë periudhë.

Ekipi entuziast i “Urra”-s, planifikon të vizitojë shkolla, qendra dhe grupe të ndryshme të fëmijëve dhe prindërve në të gjitha komunat e Kosovës, duke u fokusuar në vizitat e komuniteteve të cenueshme, grupe këto të cilat kanë më së shumti nevojë për vëmendje, angazhim dhe përkushtim. 

Projekti “URRA” ka mundësuar përkthimin e librit “Uta e Maleve” edhe në gjuhën Rome dhe Serbe, ashtu që fëmijët e prindërit e këtyre grupeve minoritare të kenë mundësinë të kuptojnë rrëfimin e alpinistes Uta dhe të inspirohen nga veprimtaria e saj e cila filloi me një ëndërr të thjeshtë si fëmijë nga ana e saj, me përkushtimin e prindërve të saj nga ana tjetër, të cilat ishin gurthemelet e ambicies dhe vendosmërisë së saj për të arritur qëllimin pavarësisht vështirësive.

Përveç kësaj është krijuar edhe libri i ri “Uta e Maleve-Libër për Ngjyrosje” poashtu i përshtatur dhe adaptuar në tre gjuhë. Në këtë libër përfshihen edhe detyra të ndryshme të cilat nxisin fëmijët të krijojnë rutinë të shëndetshme trupore dhe mendore. Faqet e para të librit për ngjyrosje “Uta e Maleve” i dedikohen virusit Covid-19 dhe me ilustrime e tekst të thjeshtë udhëzojnë e mësojnë fëmijët se si të mbrohen nga ky virus.

Ditën e djeshme, me datën 10 shtator u përurua dhe zyrtarizua kjo iniciativë ku prezent ishin Ramë Likaj- Ministër i Edukimit dhe Shkencës, i cili shprehi mirënjohjen ndaj kësaj iniciative duke theksuar rëndësinë e edukimit të hershëm si dhe përfshirjen e programit në strategjitë e Ministrisë së Shkencës dhe Edukimit, me ç’rast falënderoi edhe njëherë UNICEF-in për përkrahjen e dhënë për krijimin e platformës së Edukimit në Distancë e cila iu del në ndihmë prindërve për realizimin e aktiviteteve ditore me fëmijët. 

Prezent ishte edhe Mentor Morina – u.d Udhëheqës i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare, i cili tha se këto iniciativa maksimalizojnë gjithpërfshirjen duke targetuar grupet e margjinalizuara dhe duke kontribuar në asistencën sociale me mjete mbrojtëse nga COVID-19, si dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së familjeve në nevojë në aspektin e edukimit dhe zhvillimit të hershëm. 

Fjalën e mori edhe Ambasadori i Japonisë Mitsunori Ogasawara, ambasadë e cila njëherit është edhe mbështetëse e projektit, dhe u shpreh se kjo mënyrë e ndihmës për familjet në nevojë në këtë kohë ka ndikim shumë pozitiv dhe vjen në kohën e duhur. Ogasanawara tha se përkrahja me materiale shkollore dhe argëtuese vjen si surpriza më e këndshme për fëmijë. 

Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Şahin tha se Shtatori është muaj tepër i rëndësishëm për secilin fëmijë sepse vjen koha e bërjes së librave, materialeve shkollore dhe gjithcka tjetër të nevojshme për nisjen e vitit shkollor, mirëpo për familjet e varfëra kjo periudhë nuk është aq e mirëpritur. Prandaj, tha Şahin, ky donacion i ofrohet plot 5000 familjeve ashtuqë secili fëmijë të ketë mjetet e veta, dhe jo ti ri-përdor mjetet e vjetra të vëllezërve ose motrave. Ai përgëzoi ministrin e Edukimit dhe Shkencës për punën e bërë në lidhje me lansimin e platformës për Edukim në Distancë (www.edukimihershem.rks-gov.net), dhe tha se suksesi i saj shihet e matet nga vizitat që i bëhen kësaj platforme (deri tash 2.5 milion vizita), ku fëmijët mund të mësojnë, këndojnë e vizatojnë nga shtëpia. 

Şahin, për fund shtoi se Uta Ibrahimi kësaj radhe ka ndërruar planet e saj për ekspedita vetëm për të qenë pranë fëmijëve në këtë kohë, si dhe u shpreh se veprimtaria e saj është model që duhet të shërbej si shembull për të gjithë fëmijët dhe mesazhi kryesor është “ndiq ëndrrat tua dhe lufto çdo paragjykim”.

Ndërkaq, Uta Ibrahimi tha “Sot po e shënojmë ditën më të rëndësishme të një pune tash disa mujore në bashkëpunim me UNICEF. Fondacioni Utalaya është tepër mirënjohës për faktin se merr pjesë në një projekt humanitar që gëzon edhe zhvillon gjeneratat e reja, si dhe u rikujton prindërve që momentet e hershme të zhvillimit të fëmijërisë janë themelet e ndërtimit të një karakteri të shëndoshë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik.

“Gëzimi më i madh për mua personalisht është fakti se do të takojë fëmijë nga komunitetet e ndryshme dhe ata do të kenë rastin të inspirohen nga rrëfimi im, në gjuhën të cilën e flasin”, thotë Uta.

Përmes këtyre librave të cilët do të dhurohen në 5,000 familje si pjesë e pakove me materiale didaktike të përgatitura nga UNICEF, do të mbahen edhe aktivitete që zhvillohen nga ekipi i URRA’s, udhëhequr nga Uta Ibrahimi-personazhi kryesor i librit.

Këto aktivitete do të përfshijnë punëtori me fëmijë dhe prindër, ku përmirësohen aftësitë e leximit dhe shkrimit, mësim-nxënies, shprehjen e mendimeve dhe ëndrrave të fëmijëve për të ardhmen, krijimin e shprehive të shëndetshme, stimulimin për angazhim fizik të fëmijëve me planifikim ushtrimesh, socializimin, edukimin mbi tolerancën, barazinë gjinore dhe etnike etj.

Projekti “URRA” është urë lidhëse në mes prindit dhe fëmijës si dhe qëllimi fondamental i tij mbetet angazhimi më i madh i prindërve në kujdesin ndaj fëmijës, duke qenë në dispozicion për ta jo vetëm me obligimet rutinore por tu lexojnë fëmijëve më tepër, si dhe të luajnë me ta sa më shumë, sepse këto aktivitete krijojnë rrënjë të forta për zhvillimin kognitiv dhe emocional, si për fëmijët ashtu edhe prindërit.

Pra, URRA vjen si një brohërimë e fortë gëzimi dhe fton të gjithë prindërit e fëmijët të përcjellin aktivitetet e realizuara nga projekti (të cilat mund ti përcjellni në Utalaya Facebook dhe Utalaya Instagram) sepse përfitimet janë të shumta për të dyja palët.

UNICEF zhvillon edhe projekte tjera me qëllimin e njëjtë, dhe për tu qasur në aktivitete ditore për fëmijët tuaj, vizitoni platformën e Edukimit në Distancë  “Kujdesi Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç”. / KultPlus.com

UNICEF-i dhuron donacion me mjete mbrojtëse për 39 shkolla në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë ditës së sotme ka bërë pranimin e një donacion nga UNICEF-i dhe USAID me mjete mbrojtëse për fëmijët lidhur me COVID-19.

Pranimi i donacionit u bë në shkollën “Dardania” në Prishtinë.

“Sot në shkollën “Dardania” pranuam një donacion me pako higjienike dhe çanta me mjete mbrojtëse për fëmijët, që të përgatiten për rinisjen e mësimit dhe hapjes së shkollave.

Falënderojmë UNICEF-in dhe USAID për donacionin për 39 shkollat, ashtu që fëmijët e Prishtinës të kthehen të sigurt në shkollë”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Po bëhemi gati për të nisur ditët e para në shkollë!Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që të rihap shkollat,…

Gepostet von Shpend Ahmeti am Donnerstag, 10. September 2020

Unicefi me nismën më të madhe në historinë e Anglisë, performon Rita Ora

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, që njëherit është edhe Ambasadore e Unicef-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se këtë të enjte do të performojë duke mbështetur kështu fëmijët e rrezikuar nga pandemia globale, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, e cila ka potencuar se një gjeneratë e tërë fëmijësh janë në rrezik dhe se ajo shpreson që kjo ecuri do të mbledhë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi i koronavirusit.

Performanca do të mbahet në platformën IGTV, ndërkaq kjo nismë konsiderohet si mbështetja më e madhe e Unicef-it në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

”Si Ambasadore e Unicef ​​në Mbretërinë e Bashkuar, unë kam parë punën e jashtëzakonshme që Unicef ​​jep dorën e parë, kështu që inkurajoj të gjithë të gërmojnë thellë dhe të japin gjithçka që munden. Së bashku ne mund të ndihmojmë të ndalojmë përhapjen e Coronavirus dhe të kufizojmë ndikimin në jetën e fëmijëve.”, ka shkruar Ora në Facebook. / KultPlus.com

UNICEF: Vetëm 45 përqind e të rinjve kosovarë mbajnë maskë rregullisht

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka realizuar një sondazh të ri me të rinjtë në Kosovë, përmes U-Report, në të cilin thuhet se 86% e të rinjve kosovarë që morën pjesë në sondazhin besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten dhe të tjerët, por vetëm 45% thonë se mbajnë maskë rregullisht në publik.

Të rinjtë u pyestën për qëndrimet e tyre rreth virusit COVID – 19. 1618 të rinj ju përgjigjen sondazhit dhe shprehën qëndrimet për masat parandaluese COVID-19 dhe bën të ditura masat që po marrin ata vetë, si dhe ato të miqve dhe shoqërisë së tyre të gjerë për t’u mbrojtur nga virusi.

Kosova, ngjashëm sikurse rajoni, kohëve të fundit ka shfaqur një rritje të rasteve të të infektuarve me COVID-19, pas lehtësimit të kufizimeve dhe përfundimit të izolimit.

Më 9 korrik 2020 u lansua një sondazh përmes U – Report për të identifikuar shqetësimet e të rinjve lidhur me situatën.

Rezultate kryesore nga sondazhi janë si në vijim:

Sipas përgjigjeve që kanë dhënë të rinjtë, shumica po marrin masa për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre, por të rinjtë mendojnë se është e rëndësishme që të gjithë të fillojnë t’i marrin ato masa për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
– 86% e pjesëmarrësve në anketë besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten, të tjerët, ose të dy palët, por vetëm 45% thanë se mbajnë maskë rregullisht në publik
Disatë rinjë janë skeptikë për faktet rreth virusit dhe masat paraprake të nevojshme.
– – 2% epjesëmarrësve në anketë mendojnë se mbajtja e maskës ka një efekt negativ.
– – 10% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se virusi nuk është i rrezikshëm apo nuk ekziston.
– – 5% deklaruan se nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse kundër COVID-19 në 2 javët e fundit.
– – 7% e pjesëmarrësve në anketë deklaruan se do të vazhdonin të takonin një shok/shoqe të infektuar me COVID-19, pa ndonjë masë mbrojtëse (maskë, dorëza, distancë) – të gjithë prej tyre meshkuj.
– – 26% i konsiderojnë shqetësimet e njerëzve për COVID-19 si të ekzagjeruara.
Shumica e U-Raportuesve thonë se janë më të kujdesshëm mbi masat e parandalimit sesa miqtë e tyre?

Megjithëse 45% e U-Raportuesve thanë se mbajnë maskë kur janë në publik, ata deklarojnë se e njëjta gjë nuk ndodh kur pyeten për miqtë e tyre, me c’rast shifrat bien në vetëm 16% të miqve të tyre që mbajnë maskë.

Ndryshe, U-Report është një platformë që përdoret nga të rinjtë për të shprehur mendimet e tyre për çështje kritike në komunitetet e tyre.

Regjistrimi në këtë platformë është i mundshëm përmes aplikacionit Viber ose Facebook, përmes këtij linku: https://linktr.ee/u_report , ose duke skanuuar kodet QR në grafikun e informacioneve.

MKRS dhe UNICEF me program gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Ministrja Dumoshi e falënderoi, Sahinin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19, si dhe vlerësoi lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti.

Ajo theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera e përgëzoi edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse #vizapërfëmijë, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.

Sahini, ndërkaq, e njoftoi Ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që ajo si Ministre dhe MKRS do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë. MKRS dhe UNICEF bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të çasshme për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Sahini, u pajtuan që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese. / KultPlus.com