Pse jemi të ndëshkuar nga pamundësimi i lumturisë, sipas Marcel Proust

Marcel Proust

Lumturia nuk mund të vijë kurrë. Edhe kur rrethanat janë kapërcyer, natyra e çon luftën nga jashtë brenda dhe, pak nga pak, e ndryshon zemrën tonë aq sa të dëshirojmë diçka tjetër nga ajo që i është dhënë të zotërojë. Dhe nëse historia ishte aq e shpejtë sa zemra jonë nuk kishte kohë të ndryshonte, natyra nuk dëshpërohet të na kapërcejë për këtë arsye, në një mënyrë të mëvonshme, është e vërtetë, më delikate, por po aq efektive. Më pas, në momentin e fundit, zotërimi i lumturisë na hiqet, ose më mirë, natyra, përmes një dinake djallëzore, ia ngarkon detyrën e shkatërrimit të lumturisë pikërisht këtij zotërimi. Pasi ka dështuar në gjithçka në sferën e fakteve të jetës, natyra krijon një pamundësi ekstreme, pamundësinë psikologjike të lumturisë.

… e megjithatë asnjërit prej nesh kjo logjikë prustiane nuk mund t’ia vrasë të drejtën për të qenë i lumtur, ose të përpiqet të sfidojë kokfortësinë e këtij arsyetimi dhe pamëshirën e ligjësisë së qenis dhe jetës për tu kurorëzuar i lumtur. / Albert Vataj / KultPlus.com

Ruajtje e Manastirit të Ungjillëzimit mbi fshatin Vanistër të Dropullit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga manastiri historik i Vanistrës, ku punimet për restaurimin e tij vijojnë.

“Me përpjekjet e përbashkëta të CHwB Albania dhe mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP), po hedhim hapa të rëndësishëm drejt ruajtjes së këtij monumenti kulturor”, shkruan ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Gjatë 6 javëve të fundit, në këtë sit janë kryer ndërhyrje të rëndësishme për të siguruar stabilitetin e mureve përreth dhe atyre të brendshme. Me kujdes dhe precizion, ekipi i specializuar po ndjek teknikat tradicionale të mureve “të thata” për të ruajtur strukturën origjinale.

Një element kyç në këtë proces është mbulesa, e cila mbron muret nga depërtimi i ujit dhe siguron qëndrueshmërinë e tyre për shumë vite të ardhshme.

Kisha e Ungjillizimit është ndërtuar në vitin 1582. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës.

Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillizimit, ndërsa konakët janë në anën jugore.

Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillizimit të Hyjlindëses që kremtohet më 25 mars./atsh/KultPlus.com

Gavril Dara i Riu, poet nga më të rëndësishmit e kulturës arbëreshe

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 139-vjetorin e ndarjes nga jeta, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i riu).

Lindi në Palac Adriano të Sicilisë, më 8 janar 1826, në një familje të shquar arbëreshe. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Më 1858, Gavril Dara (i riu) botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë.

Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“. Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Kështu ai ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji. U nda nga jeta në Girgeti, në vitin 1885./atsh/KultPlus.com

Kooperativa e Artit në Tiranë, rezidenca e parë artistike që lidh botën me kulturën shqiptare

Shqipëria përjeton një moment të veçantë me inaugurimin e Kooperativës së Artit, një rezidencë arti e parë e këtij lloji në vendin tonë e lokalizuar në fshatin Vaqarr, 7 km larg Tiranës, në nje godinë të rijetësuar. Kjo kooperativë e re që vjen nga mbështetja e Bashkisë Tiranës përmes Agjencisë Industrive Kreative dhe Fondacionit Emanuel, sot ofron një platformë unike për artistët nga e gjithë bota, duke i ftuar ata të jetojnë dhe të punojnë së bashku në një ambient inspirues dhe krijues.

Në fjalën e tij gjatë hapjes, drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative, Jonid Jorgji, theksoi potencialin ekonomik që ka zhvillimi i industrisë kreative. “Me hapjen e Kooperativës së Artit, non-stop po kontribuojmë në zhvillimin e industrive kreative. Jemi të bindur te një potencial i madh ekonomik si dhe besojmë se prej kësaj industrie rrjedhin profesionet e së ardhmes, ato profesione të cilat nuk mund te zëvendësohen as nga Inteligjenca Artificiale por janë fryt i krijimtarisë njerëzore”, deklaroi Jorgji.

Përveç vënies në pah të talenteve të rinj, Kooperativa e Artit do të jetë gjithashtu e hapur për publikun çdo fundjavë. Vizitorët do të kenë mundësinë të ndjekin aktivitete të ndryshme artistike, si ekspozita, shfaqje, performanca, punëtori dhe diskutime, si dhe të blejnë vepra arti nga artistët e pranishëm.

Ky projekt i Bashkisë së Tiranës përmes Agjencisë së Industrive Kreative, është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar ndërveprimin mes artistëve dhe komunitetit, si dhe për të promovuar artin shqiptar në një kontekst global./atsh/KultPlus.com

Libri “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, botimi i tretë me materiale të reja

Libri “Themeluesi”, kushtuar figurës së Ismail Qemalit dhe lidershipit të tij, së shpejti vjen me botimin e tretë. Autori, Evarist Beqiri, thotë se në këtë botim të tretë, të përditësuar të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, ka një pasurim me disa materiale, me të cilat autori është njohur së fundmi. Përfshirë këtu foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900.

Ismail Qemali jetoi në Bruksel në vitet 1900-1908. Aty ai realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar.

Gjithashtu, publikohen për të parën herë në një libër, fotografi të bashkëshortes së tij, Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Njëkohësisht është pasuruar albumi fotografik me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900.

Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “konfidenciale” dhe hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.

Muaj më parë, studiuesi Beqiri, i besoi Arkivit të Shtetit, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, të cilat zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane./atsh/KultPlus.com

Kolonia e piktorëve “Skampis 2024”, promovim i trashëgimisë kulturore të Elbasanit

Kolonia e piktorëve ” Skampis 2024″ shndërroi Elbasanin në qendër arti. Për dy ditë me radhë, “Skampis 2024” solli një atmosferë krijuese në Elbasan, duke mbledhur artistë të talentuar që kanë pasqyruar bukuritë dhe trashëgiminë e qytetit përmes artit të tyre.

Artistët shpalosën talentin mbi pamje ikonike të Elbasanit, duke përfshirë kalanë, rrugicat e vjetra dhe peizazhet natyrore të Funarit dhe Gjinarit. Përmes këtyre veprave, ata kanë rikthyer historinë dhe natyrën në një formë artistike që mishëron shpirtin e qytetit.

Ky aktivitet u përmbyll me një ekspozitë unike në Hotel “Skampa”, ku të gjitha punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë u prezantuan për publikun. Ekspozita ofron një mundësi për artdashësit dhe qytetarët të shijojnë bukuritë e Elbasanit përmes syve të artistëve.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të qytetit për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit dhe krijimtarisë.

Ky udhëtim artistik rikonfirmon Elbasanin si një qendër e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare, duke mbështetur iniciativa që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore./atsh/KultPlus.com

‘Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë’

Marsel Prust ka lindur më 10 korrik të vitit 1871 në Paris, dhe ka vdekur më 18 nëntor të vitit 1922.

Konsiderohet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj francez i të gjitha kohëve; puna kryesore që Prusti e zhvilloi gjatë karrierës së tij është vepra “Në kërkim të kohës së humbur”, të cilën e botoi mes viteve 1913-1927.

Me talentin e jashtëzakonshëm, ai arriti të rreshtohet në mesin e të mëdhenjve si Dante, Balzak apo Xhojs – duke arritur të krijoi universin e tij të plotë.

Janë të famshme edhe thëniet e tij, për artin, jetën, dashurinë…

KultPlus, jua sjell njërën prej tyre.

“Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë”. / KultPlus.com

Sot është Dita Kombëtare e Princeshave

18 nëntorin, amerikanët e kanë shënuar si Ditën Kombëtare të Princeshave.

Princeshë, ata e konsiderojnë secilën vajzë e cila u dhuron të tjerëve mirësi me buzëqeshjen e saj.

Sjellja e mirë, sipas tyre është një akt që tregon natyrën mbretërore të secilës vajzë.

Historia e Ditës Kombëtare të Princeshave fillon me “The Swan Princess”, e cila  u shfaq në kinema më 18 nëntor të vitit 1994 dhe prezantoi Princeshën e bukur Odette.

Që nga ajo ditë, çdo vit në të njëjtën datë shënohet Dita e Princeshave, përcjell Klankosova.tv.

Sipas përshkrimit të tyre, cilësitë e princeshave janë të ndryshme. Disa janë më të guximshme, u pëlqen të ndërmarrin veprime të mëdha, disa veçohen nga mënyre e të folurit, e të tjerat preferojnë më shumë të dëgjojnë. / KultPlus.com

27 vite nga publikimi i albumit të grupit muzikor Metallica

Ishte 18 nëntori i vitit 1997 kur rok grupi i njohur, Metallica i gëzuan dashamirët e muzikës së tyre, nëpërmjet publikimit të albumit ‘’Reload’’, shkruan KultPlus.

Ky album i përbërë prej 13 këngësh do të ishte vazhdimi i albumit të tyre paraprak, ‘’Load’’. Këto krijime të reja artistike do të priteshin tejet mirë nga publiku. ‘’Reload’’ debutoi në numrin një në billboard  e shumëta dhe arriti të shitej me 436,000 kopje që në javën e parë.

Rok grupi muzikor dha 3 muaj mund pa ndërprerë, në mënyrë që albumi të dilte edhe më mirë sesa që ishte planifikuar nga ta.  Ideja

Reload u regjistrua në ‘The Plant’, një studio me pllaka druri në Sausalito, California. Sesioni u prodhua nga Bob Rock, i cili gjithashtu prodhoi dy albumet e mëparshme të Metallica. Vepra artistike e albumit tregon një foto nga Andres Serrano.

Disa nga këngët të cilët e përbëjnë këtë album janë: ‘’Fuel’’, ‘’The memory remains’’, ‘’Devil’s dance’’, ‘’The Unforgiven II’’ dhe shumë të tjera që vazhdojnë edhe sot të dëgjohen tejet shumë. /KultPlus.com

‘Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Arratia nga X: Musk shkatërroi Twitterin, por gazetaria nuk merr fund

“Vendimi i The Guardian për t’u larguar nga X mund të krijojë një precedent. Elon Musk vendosi ta bënte Twitterin e dikurshëm një platformë radikalizimi populist, duke disavantazhuar dhe sulmuar median, që kur erdhi ai. Në këtë skenar të ri politik, ka gjithnjë e më pak kuptim që gazetat të qëndrojnë

E thotë Jim Waterson, 35 vjeç, një nga gazetarët më të shkëlqyer anglezë të brezit të tij dhe deri para disa muajsh “redaktori i medias” i Guardian, pra kryeredaktori që merrej me galaktikën mediatike. Tani ai ka themeluar faqen e tij të re të lajmeve “të modës së vjetër”, siç e përkufizon ai vetë: London Centric.

Waterson, a ishte lëvizja e Guardian një veprim i arsyeshëm pas fitores së Trump? Apo një bast?

“Për mendimin tim, një vendim i arsyeshëm. Sigurisht që është një zgjedhje me zemër për lexuesit e saj, duke qenë një gazetë e majtë që rebelohet kundër një rrjeti social që po kthehet gjithnjë e më shumë djathtas dhe drejt populizmit. The Guardian e kishte planifikuar këtë lëvizje prej disa kohësh: qëndrimi në X ishte politikisht i papërballueshëm. Pse të vazhdosh gjenerosh trafik dhe para në favor të dikujt si Musk dhe agjendës së tij?”.

Por kështu gazeta britanike dhe radio amerikane NPR prej disa kohësh tashmë, do të vetëcensurohen, duke dëmtuar edhe trafikun dhe të ardhurat e tyre në internet, apo jo?

“Jo tamam. Në ditët e sotme trafiku që vjen nga X dhe media të tjera sociale është për të qeshur. Në veçanti, Musk, në luftën e tij kundër mediave tradicionale që u iniciua nga Trump, nuk dëshiron që përdoruesit të klikojnë në një lidhje të jashtme, sepse atëherë ata do të largoheshin nga faqja X dhe ai do të humbiste para. Prandaj, algoritmi i dëmton shumë mediat që publikojnë artikujt e tyre në X. Tashmë, në X, por edhe në rrjete të tjera sociale, modeli i biznesit për t’u bërë viral ose për të marrë klikime ka marrë fund.”

Por gazetarët e Guardian vazhdojnë të postojnë artikujt e tyre në X. A nuk është kjo një kontradiktë në këtë betejë politike?

“Nëse një gazetar ka një numër të madh ndjekësish, ai dëshiron të ndërtojë një markë dhe të lejojë Musk të fitojë para, po, sigurisht. Por nëse dikush mendon se po tërheq lexues në faqet e veta, e ka gabim. Në ditët e sotme, sinqerisht ka pak për të fituar nga gazetat duke qëndruar në X.”

Dhe çfarë alternativash ka?

“Për shembull, rrjeti i ri social Bluesky, alternativa e vërtetë për Twitter. Deri para disa javësh nuk të vija as edhe një qindarkë, por tashmë ka pasur një eksod të vogël përdoruesish. Ose, në rastin tim, nisa London Centric sepse besoj se gazetaria sot duhet të kthehet gjithnjë e më shumë në vlerat e vjetra dhe në baza lokale, duke ofruar produkte interesante si një tregtar fiorentin i shekullit të 16-të. Ne kërkojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun dhe besimin e tij përmes abonimeve, për shembull me gazetat, dhe jo përmes mediave sociale. Po ecim shumë mirë”.

Por, në luftën e tij të përditshme kundër medias, Musk përsërit çdo ditë se X është tashmë platforma e lajmeve më e lexuar në botë dhe se mediat kryesore do të vdesin, ndoshta duke i shkaktuar dëme serioze demokracisë.

“Nuk besoj. Ashtu si unë dhe shumë të tjerë, gjithnjë e më shumë njerëz do ta braktisin X-in. Me të, pasqyra e ish-Twitter-it është kthyer nga një e tillë lajmesh, në një kaskadë egocentrizmi, dhune dhe videosh anti-migrantëve. Musk e shkatërroi Twitter-in pasi investoi 40 miliardë në të. Përtej mediave të modës së vjetër, në vend të X, njerëzit normalë do të përdorin gjithnjë e më shumë YouTube, podkaste, ndoshta TikTok, të cilat tashmë janë dukshëm më me ndikim se X. Gazetaria nuk do të marrë fund me Elon Musk. / La Repubblica/ KultPlus.com

Fjalët dhe frazat që kurrë nuk duhet t’i kërkoni në Google

Kërkimi në Google mund të duket si një nga gjërat më të sigurta që mund të bëni online. Por ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se ka disa kërkime që mund t’ju vendosin në rrezik serioz për tu hakuar.

Javën e kaluar, u zbulua se kriminelët kibernetikë kishin përvetësuar rezultatet e Google për “A janë legale macet Bengal në Australi?” për të infektuar kompjuterët e adhuruesve të maceve.

Tani, ekspertët kanë zbuluar edhe shtatë fjalë dhe fraza të tjera të zakonshme që kurrë nuk duhet t’i kërkoni në Google. Duke përdorur një teknikë të quajtur “SEO poisoning” (helmi SEO), kriminelët shfrytëzojnë rezultatet e kërkimit të Google për të joshur viktimat e pavetëdijshme në faqe interneti që ata kontrollojnë.

Ndjekja e këtyre lidhjeve mund të çojë në marrjen në kontroll të kompjuterit tuaj nga hakerët, vjedhjen e informacionit tuaj dhe madje mbajtjen e të dhënave tuaja për shpërblim.

“Helmi SEO është një taktikë e përdorur nga kriminelët kibernetikë për të manipuluar rezultatet e motorëve të kërkimit dhe më pas për të drejtuar përdoruesit në faqe të rrezikshme që shpesh duken të ligjshme. Kur përdoruesit klikojnë në këto lidhje, ata çohen në faqe që i ekspozojnë ndaj malware-it, i cili shpesh shkarkohet menjëherë dhe mund të kompromentojë sigurinë e kompjuterit, duke çuar potencialisht në vjedhje të të dhënave ose infeksione të pajisjes”, tha Jake Moore, këshilltar global i sigurisë kibernetike në ESET për MailOnline – transameton GazetaExpress.

1:  “Numri i shërbimit ndaj klientit”

Sipas firmës së sigurisë kibernetike TorGuard, mashtruesit shpesh blejnë reklama për terma kërkimi në mënyrë që faqet e tyre të rrezikshme të shfaqen afër majës së faqes së rezultateve. Meqë shumica e përdoruesve të internetit supozojnë se rezultatet e listuara në krye janë të ligjshme, njerëzit ndjekin këto lidhje pa bërë vëzhgime të duhura.

Themeluesi i TorGuard, Ben Van Pelt, thotë se mashtruesit shpesh përdorin këto reklama për të imituar shërbimin ndaj klientit të një kompanie të ligjshme. Kur një klient telefonon atë numër, në vend që të arrijë kompaninë që synoi të gjejë, përballet me një mashtrues i cili është i gatshëm të përpiqet t’i vjedhë informacionin.

 “Ata marrin këto telefonata, ndonjëherë qindra çdo ditë, dhe i imitojnë bindshëm një teknik”, tha Van Pelt për Indy100.

Për të shmangur këto mashtrime, gjithmonë kërkoni numrat e shërbimit ndaj klientit direkt nga faqja zyrtare e kompanisë, jo nga rezultatet e kërkimit në Google. Po ashtu, përdoruesit e internetit duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur kërkojnë termin “mbështetje teknike.”

Van Pelt paralajmëron se disa kriminelë do të krijojnë shërbime të rreme të mbështetjes teknike për të mashtruar përdoruesit që t’u japin atyre akces të largët në pajisjet e tyre.

Pasi të kenë akses, është e lehtë për hakerët të vjedhin informacionin e kartave të kreditit, të instalojnë malware ose të krijojnë terrenin për sulme edhe më të mëdha.

2: “Kredi të lehta”

Fatkeqësisht, ashtu si shumë mashtrues të tjerë, kriminelët kibernetikë shpesh shenjtërojnë ata që ndodhen në vështirësi financiare. Duke shenjëstruar ata që janë në situata të dëshpëruara, kriminelët shpresojnë që viktimat e tyre nuk do të jenë shumë të kujdesshme kur hasin një ofertë që duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë.

Sipas Van Pelt, kriminelët kibernetikë do të shfrytëzojnë njerëzit që kërkojnë fraza si “Kredi të Lehta”, “Skema për të Fituar Shpejt para” dhe “Punë të Mirë-paguara në Distancë”. Duke helmuar rezultatet e kërkimit për këto terma, kriminelët vendosin faqet e tyre të kontrolluara në pozita të larta në rezultatet e kërkimit të Google.

Pasi dikush të jetë joshur për të vizituar faqen, mashtruesit do të përpiqen t’i mashtrojnë që të japin informacionin e tyre bankar ose të shkarkojnë malware në kompjuterët e tyre. Për shembull, dikush që është shenjëstruar nga një mashtrim për punë në distancë mund të kërkohet të instalojë një program për të filluar punën ose për të marrë pjesë në një intervistë. Megjithatë, këto shkarkime do të përmbajnë malware që infekton kompjuterin e synuar dhe nxjerr të dhënat personale të tij.

Në të njëjtën mënyrë, hakerët kanë përdorur gjithashtu frazën “Raport Krediti Falas”. Ndryshe nga sulmet që mashtrojnë njerëzit për të instaluar malware, këto sulme përpiqen të marrin informacionin e viktimës direkt. Pasi kërkojnë frazën, përdoruesit mund të gjejnë një faqe që duket si një website legjitim për vlerësimin e kredisë, por që është në të vërtetë e kontrolluar nga kriminelët të cilët regjistrojnë të gjithë informacionin që vizitorët fusin.

Në këtë mënyrë, mashtruesit mund të mashtrojnë lehtësisht viktimat e tyre për të dhënë gjithçka, nga data e lindjes e deri tek Numri i Sigurimit Kombëtar dhe adresa. Me këtë informacion, mashtruesit mund të imitojnë ose shantazhojnë viktimat për përfitime financiare.

3: “Google Authenticator”

Ndërsa shumica e sulmeve të SEO poisoning shënjestrojnë fjalë dhe fraza specifike, disa mashtrime përpiqen të imitojnë produkte të vërteta. Në qershor, studiuesit e sigurisë kibernetike nga Malwarebytes paralajmëruan se kriminelët kibernetikë kishin filluar të shënjestronin përdoruesit që kërkonin aplikacionin Google Authenticator. Ky aplikacion është i nevojshëm për t’u identifikuar në disa shërbime të sigurta dhe siguron një autentifikim me dy faktorë, i cili është thelbësor për sigurinë kibernetike.

Megjithatë, Malwarebytes zbuloi se hakerët kishin blerë reklama të rreme që promovonin atë që dukej si një lidhje legjitime për aplikacionin. Ndjekja e kësaj lidhjeje i çonte përdoruesit në një faqe interneti të maskuar, e cila i kërkonte vizitorit të instalonte një skedar në kompjuterin e tij. Por, në vend që të instalonin Google Authenticator, ata që klikonin “shkarko” do të instalonin një malware të krijuar për të vjedhur të dhënat personale nga pajisja.

“Problemi kryesor me imitimin e markave vjen nga reklamat që duken si të jenë nga burime zyrtare dhe identitetet e reklamuesve që verifikohen nga Google. Duhet të theksojmë se Google Authenticator është një mjet i njohur dhe i besuar për autentifikimin me shumë faktorë, kështu që ka një ironi kur viktimat potenciale kompromentohen ndërsa përpiqen të përmirësojnë sigurinë e tyre”, shkroi, Jérôme Segura i Malwarebytes në një postim në blog.

Segura shton se njerëzit duhet të shmangin klikimin në reklama për të shkarkuar çfarëdo lloj softueri dhe në vend të kësaj të vizitojnë direkt burimet zyrtare.

4: “Pyetësori i forcës mendore sportive”

Zakonisht, sulmet e SEO poisoning synojnë të tërheqin sa më shumë përdorues të internetit për të rritur gjasat e kapjes së një viktime. Megjithatë, në disa raste, hakerët synojnë edhe grupe të veçanta individësh. Ndërsa po hetonin një fushatë malware të quajtur SolarMarker, studiuesit e sigurisë kibernetike në Menlo Security zbuluan mbi 2,000 terma unike kërkimi që ishin kompromentuar. Ndër këto terma ishte edhe fraza specifike: “Pyetësori i Forcës Mendore Sportive.”

Ajo që e bëri këtë sulm unikisht të rrezikshëm është se ky kërkim kthente rezultate që lidheshin direkt me skedarët PDF. Z. Moore thotë: “SEO poisoning është shpesh e vështirë për t’u dalluar, por zakonisht do të përdoret posaçërisht për njerëzit që përdorin Google për të kërkuar dokumente dhe PDF, në vend të faqeve të internetit.”

5: “Online Viagra”

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar gjithashtu përdoruesit e internetit që të jenë të kujdesshëm kur kërkojnë për Viagra ose medikamente të ngjashme në internet. Këtë vit, studiuesit e sigurisë kanë zbuluar se mijëra faqe interneti janë viktimizuar nga ajo që quhet “hack-u farmaceutik”. Në këtë sulm, kriminelët kibernetikë depërtojnë në faqet e internetit të WordPress me mbrojtje të dobët dhe i mbushin ato me lidhje që çojnë në faqe të rreme që reklamojnë versione të falsifikuara të farmaceutikëve të markuar.

Si rezultat, Google i regjistron këto lidhje si sinjal pozitiv për legjitimitetin e faqes, duke i vendosur këto faqe të dyshimta në krye të rezultateve të kërkimit. Në një postim në blog, studiuesit nga SolidWP zbuluan një version shumë të sofistikuar të sulmit që maskonte këto lidhje të dyshimta duke përdorur emrin e faqes së internetit të komprometuar.

“Duke vepruar kështu, njerëzit besojnë vërtet se po klikojnë në një faqe të ligjshme që shet farmaceutikë legalë”, shpjeguan studjuesit.

Pasi viktima hyn në faqen e komprometuar, mashtruesit mund ta manipulojnë atë për të dhënë informacione personale ose për të blerë medikamente të rreme, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin.

Ndërsa kërcënimet vazhdojnë të shtohen, ekspertët rekomandojnë të shmangen kërkimet e ndjeshme dhe blerjet e medikamenteve përmes internetit, dhe në vend të kësaj të përdoren faqet zyrtare ose të konsultohet një profesionist shëndetësor./Express/ KultPlus.com

Dhjetëra të rinj shijojnë përvojën unike të ngjitjes në Malin e Thatë në Pogradec

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje fantastike nga Mali i Thatë në Pogradec.

“Një përvojë mbi re ose “dy qiejt” që kundrohen nga Mali i Thatë në Pogradec, i cili këto ditë ofron pamje fantastike të liqenit e ku dhjetëra të rinj shijojnë përvojën unike të ngjitjes në mal, duke promovuar këtë aktivitet ekoturistik që i shtohet buqetës së atraksioneve pogradecare”, shkruan Rama.

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.

Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshët, e sheshtë dhe me gropa karstike.

Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet./ KultPlus.com

80-vjetori i Çlirimit, Vlora feston me muzikë dhe këngë në Sheshin e Flamurit

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Sheshi i Flamurit në Vlorë do të mbushet me tingujt e muzikës dhe këngëve që nderojnë sakrificën dhe lirinë e popullit shqiptar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot përmes një postimi në rrjetet sociale se aktiviteti do të mbahet më 18 nëntor, në ora 12:00. “Festojmë me muzikën dhe shpirtin e kombit tonë! Ejani të ndajmë së bashku këtë moment historik,” shkruan ministri.

Festa pritet të tërheqë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, duke u kthyer në një ditë plot emocion, harmoni dhe respekt për ata që luftuan për lirinë e vendit./ KultPlus.com

Ministri Gonxhja: Dr.Flori, artist i madh dhe njeri me zemër të gjerë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përkujtoi sot 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Dr. Flori.

“Sot, bëhen 10 vjet pa Dr. Florin, një emër i njohur dhe i dashur për të gjithë ne”, shkruan Gonxhja.

“Për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, Dr. Flori mbetet një figurë që do të kujtohet gjithmonë, si një artist i madh dhe si një njeri me zemër të gjerë”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Për nder të kujtimit të tij, le të vazhdojmë të kultivojmë dhe të ruajmë dashurinë për artin, ashtu siç ai na mësoi”, shkruan Gonxhja.

Floran Kondi lindi më 28 shkurt 1979 në Kuçovë dhe vdiq më 17 nëntor 2014 në Tiranë. I njohur zakonisht me emrin e tij artistik Dr. Flori, ishte një këngëtar, rapper, kompozitor dhe tekstshkrues, gjithashtu një nga antarët themelues të grupit West Side Family, me të cilin korri shumë sukses me këngët ‘Tirona’, ‘O çike çike’.

Deri në vdekjen e tij, Dr. Flori ka punuar si këngëtar i vetëm dhe gjithashtu me aktorin dhe këngëtarin Ermal Mamaqi, me të cilin ka bërë disa këngë./ KultPlus.com

“Ju flet Tirana”, kartolina e shkollës “Servete Maçi” në nderim të 80-vjetorit të Çlirimit të kryeqytetit

Sot Tirana feston 80-vjetorin e Çlirimit, dita kur qyteti u çlirua nga pushtimi nazi-fashist.

Në këtë ditë të rëndësishme, në institucionet arsimore të kryeqytetit janë organizuar aktivitete të ndryshme.

Një mënyrë të veçantë për të nderuar 80-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, kanë gjetur nxënësit e shkollës “Servete Maçi”.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video teksa kori i nxënësve të shkollës “Servete Maçi”, interpretojnë këngën “Ju flet Tirana”.

“Ju flet Tirana”, kartolina e shkollës “Servete Maçi” për të nderuar 80-Vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit Kjo këngë, e kompozuar nga Genc Tukiqi, me tekst nga Agim Xheka është risjellë në këtë përvjetor, nga formacioni orkestral dhe i korit të kësaj shkolle të Tiranës”- shkruan Rama.

Çlirimi i Tiranës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme dhe të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë./ KultPlus.com

Shpërthen “Amantia” nga Agron Peni, tetë krijime eksperimentale në stilin flamenko që ngërthejnë bukuritë e natyrës së Kosovës

Era Berisha

Meloditë e një kitare përherë dinë të vijnë si vargje të shtruara nëpër faqet e një libri. Të marrin me vete, si një valle e ashpër dhe e lehtë, duke krijuar një ndjenjë që hidhet drejtë zjarrit si një kërcitje e gishtave. Çdo akord ka një histori të vetën që nisë nga një pasion, një rrahje zemre apo thjesht nga një dhimbje. Tingujt kanë folenë e tyre dhe aty nuk mund të futesh dot po nuk pate ndonjë guxim të mprehtë për t’i shkuar pas. Nëpërmjet notave të ndryshme muzikore, gjithsecili ndjen një dridhje rrotulluese të pulsit që natyrshëm rrjedh në vena sikurse lumenjtë në shtratin e tyre. E ngrohtë, e pamëshirshme, e lirë, e veçantë dhe e rrallë është muzika që krijon kitaristi Agron Peni, i cili së fundi ka publikuar albumin më të ri “Amantia”, nëpërmjet së cilit zgjon të gjitha emocionet e lartpërmendura, shkruan KultPlus.

Emërtimi “Amantia” rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri dhe është i njohur për pozitën, rezistencën dhe kulturën që ka. Por, emri gjithashtu vjen si frymëzim nga krijimi i instrumentalit me po të njëjtin emër që ai e pati realizuar në vitin 2020. Ky është albumi i katërt personal mirëpo vjen pak më ndryshe nga të tjerët. Krijimtaria dhe kreativiteti në muzikë, sipas Penit, është dhunti, e frymëzimi duket se i është gjendur kudo nga bota. Pra, secili krijim i tij e ka kohën e posaçme për të dalë në pah.

Dallimi i këtij albumi nga tre të tjerët qëndron tek stili i krijimtarisë dhe aranzhimi. Dy albumet e mëhershme  “Solo” me krijime origjinale dhe “Home” me përpunime të këngëve shqipe, janë albume që vijnë vetëm me solo kitarë, pra nuk ka asnjë tjetër instrument përcjellës, ndërkaq tek “Mirage” veprat janë origjinale por ka edhe përcjellje nga disa instrumentistë të tjerë. Por, tek “Amantia”, aranzhimet janë të mbushura me kitarë, me harqe, perkusione e të tjera. Përpos kësaj, tendenca këtu ka qenë që meloditë të jenë shumë më depërtuese tek publiku i gjerë, pa e ngarkuar shumë nga ana teknike (virtuoze).

Fatlind Ferati (basist) është instrumentisti me të cilin kitaristi Peni bashkëpunon vazhdimisht dhe ka shumë koncerte bashkë me të. Meriton Ferizi në fagot konsiderohet të jetë një instrumentist deficit, Gent Hoxha në fyell, konsiderohet shumë i rrallë dhe Kaltrina Berisha në violonçel e cila dallohet si shumë muzikale dhe bashkëpunuese. Këta janë artistët me të cilët ka bashkëpunuar Peni për këtë album.

Albumi më i ri ka gjithsej tetë krijime origjinale që vijnë të kompozuara nga kitaristi Agron Peni. Të titulluara si: “Many questions”, “Longing”, “Downpour”, “Passion”, “Into the fog”, “Path of nostalgjia”, “Elegia” dhe “Amantia”, veprat vijnë në një frymë më eksperimentale se zakonisht. Ky album ka pasur fillin qysh tri vite më herët dhe brenda kësaj periudhe, kanë qenë të panumërta netët që kitaristi Peni dhe producenti Shpejtim Gashi, i kanë përjetuar.

“Fillimi ka qenë pak eksperimental rreth idesë në orkestrim. Perkusionet i kam luajtur unë tek ky album edhe ishte pikëpyetje se si kanë me tingëllu, mandej kur hyjnë disa kitare në orkestrim plus violonçela  dhe instrumente të tjera, shumë lehtë mundet me u ngarku dhe me pasë konflikt tek instrumentet mes vete. Përshtatja e orarit për instrumentistët pjesëmarrës, disponimi si dhe miksimi i instrumenteve të tyre e shumë faktorë të tjerë dinë me qenë elemente sfiduese sepse marrin shumë kohë dhe energji por dëshira ime, e Shpejtimit dhe e të gjithë instrumentistëve për me sjellë diçka të bukur ishte më e madhe sesa krejt të tjerat. Titujt e veprave janë në gjuhën angleze për shkak se edhe ky është album ndërkombëtar dhe nga përvojat e kaluara e kam kuptuar që titujt kanë shumë rëndësi nëse janë vetëm shqip apo në gjuhën angleze apo ndërkombëtare. Si gjithmonë, titujve iu kushtoj rëndësi të veçantë që të jenë poetik dhe përmes tyre të merr kuptimin krijimi”, thotë Peni për KultPlus.

Sikurse edhe në albumet e tij të mëhershme, edhe tek “Amantia” shkrihen rryma të ndryshme muzikore, duke dominuar gjithmonë flamenkoja. Nuancat etnike të pasura këtë herë vijnë me melodi melankolike që plotësohen nga një aranzhim i butë dhe modern duke e bërë lehtësisht të pranueshëm dhe të pëlqyer nga dëgjuesi. Në anën tjetër, albumi vjen me mjeshtëri i incizuar nga Shpejtim Gashi. Pas disa incizimeve të mëparshme të tij, kitaristi Peni e ka parë seriozitetin, përkushtimin dhe punën e tij, andaj dhe ka vendosur që ta realizojë një album të tillë dhe e vetmja mundësi ka qenë bashkëpunimi me Gashin.

Punën me Gashin, kitaristi Peni e vlerëson si diçka të bukur, marr parasysh faktin që derën tek producenti e ka pasur të hapur pas asnjë lloj interesi material, vazhdimisht duke i dëgjuar kërkesat e tij dhe duke e përkrahur shumë në këtë lloj muzike, në një kohë jo aq të lehtë.

Albumi është publikuar nga kompania spanjolle “Publimaster” në të gjitha adresat (dyqanet) online dhe ky fakt për kitaristin Peni është tejet i rëndësishëm.

“Është një kompani shumë serioze që ka kriter në përzgjedhjen e artistëve bashkëpunues. Përmes tyre muzika ime që 10 vite depërton jashtë shtetit, ruhet e drejta e autorit atje dhe ka mundësi të shumta për koncerte dhe përfitimi material përmes tyre është shumë më i lehtë”, tregon ai.

Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube të këngës “Elegia” na shfaqet Peni duke sjellë tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbresëlënëse të Kosovës. Bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra. Gishtat i “kërcejnë” në kitarë, janë të pamëshirshëm, të lirë e të pushtuar nga lutja e flamenkos. Telat nxjerrin britmën e tyre dhe fluturojnë të kompozuara si melodi që digjen shkëlqyeshëm.

Të gjitha këngët e tjera në album, po ashtu janë të shoqëruara me video dhe kitaristi Peni për këtë pjesë ka thënë se këtë gjë e ka bërë për shkak se bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të prezantohen sa më shumë dhe kjo për të është një akt patriotizmi.

“Bukuritë natyrore të vendit tonë sa ma shumë duhet të ruhen dhe të prezantohen. Me e prezentu bukurinë, muzikën dhe kulturën e vendit tënd është një formë e mirë e patriotizmit. Kjo më së miri mund të bëhet përmes videove të bashkuara me muzikë instrumentale e që në këtë rast unë e kisha këtë mundësi. Në këtë rast, jam shumë falënderues ndaj Elbasan Kryeziut i cili më ka përkrahë në realizimin e shtatë videove dhe Blerdi Malushit në realizimin e instrumentalit Amantia.”

Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, kitaristi Peni na thotë se ka marr komente nga më të bukurat e që kanë qenë shumë motivuese. Ai beson se publiku që dëgjon muzikë instrumentale nuk është i madh në numër, por shija e tyre është shumë e rafinuar.

“Nuk është e lehtë me e impresionu një publik të tillë. Ata që e kanë pasë mundësinë deri tash me e dëgju të gjithë albumin edhe pse është shumë herët, duket që janë impresionu, të paktën kështu shprehen dhe unë shpresoj që ashtu është. Gjithmonë mendoj që diçka që rrjedh natyrshëm dhe paraqitet si e tillë, është shumë më e afërt tek ta dhe është shumë origjinale, e njerëzit gjithmonë e duan origjinalitetin e një artisti. Nëse ky origjinalitet është i mbështjellë me profesionalizëm atëherë edhe arrin deri te impresionizmi”, përfundon Peni.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon e këngës “Elegia” të albumit më të ri “Amantia”, të cilën e keni rastin ta shijoni e ta përjetoni./ KultPlus.com

Opera “Goca e Kaçanikut” vjen në Tiranë

Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe bashkëpunimeve kulturore të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, Opera e Kosovës sjell në TKOBAP premierën e saj historike, “Goca e Kaçanikut”, operën shqiptare të kompozuar nga maestro Rauf Dhomi.

Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi.

Ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.

Një tjetër shfaqje që nuk duhet ta humbisni, më 25 nëntor, në Teatrin e Përjetimeve./ KultPlus.com

80-vjetori i çlirimit të Tiranës, Rama ndan foto nga aktivitetet e nxënësve

Tirana sot feston 80-vjetorin e Çlirimit, dita kur qyteti u çlirua  nga pushtimi nazi-fashist.

Për të kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme, në të gjitha institucionet arsimore të kryeqytetit janë organizuar aktivitete të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto nga disa prej shkollave të kryeqytetit, të cilat janë veshur me flamurin kuqezi.

“Sot, 80-Vjetori i Çlirimit të Tiranës! Aktivitete të nxënësve të shkollave të kryeqytetit, me rastin e Ditës së Çlirimit të Tiranës”- shkruan kryeministri Rama, teksa ka ndër punimet e nxënësve.

Çlirimi i Tiranës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme dhe të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korparmatës I Sulmuese. Shtabi i korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.

Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij./ KultPlus.com

Gjeorgjia fiton vendin e parë në “Junior Eurovizion 2024, Shqipëria renditet e shtata

Gjeorgjia ka triumfuar në Junior Eurovision Song Contest 2024. Festivali që u zhvillua në Madrit dhe që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1, solli në skenë 17  këngëtarë nga po kaq vende, ku midis tyre performoi edhe Nikol Çabeli nga Shqipëria.

Pas votimit të shteteve përkatëse dhe pas votimit të jurisë profesioniste dhe publikut, Gjeorgjia  arriti të fitonte. Shqipëria u rendit në vendin e shtate  me këngëtaren Nikol Çabeli e cila interpretoi e 3-ta në radhë me këngën “Vallëzoj”.

Ndihem shumë e lumtur që hipa në atë skenë kaq të madhe. Jam shumë e emocionuar”, u shpreh Nikol Çabeli.

Unë kam qenë futbollist profesionist dhe i kam ndjerë emocionet kur kam garuar vetë, por këtë herë si prind, emocionet kanë qenë të dyfishta”, tha babai i saj, Grigor Çabeli.  

Jemi shumë të kënaqur. E rëndësishme është  që Nikol ka shkëlqyer dhe ka bërë për vetë të  gjithë fëmijët e Eurovisionit”, u shpreh Eriona Rushiti, tekstshkruesja e këngës “Vallëzoj”.

Kompeticioni më i rëndësishëm i këngës për fëmijë, Junior Eurovision Song Contest 2024  ka  mirëpritur  17 artistët e vegjël, të cilët kane dhuruar   e kane marrin emocione të mëdha, pasi për ta është hera e parë qe  interpretuan  përpara një publiku dhe skene me një tjetër dimension nga çfarë kanë performuar më parë. Shqipëria u përfaqësua nga artistja Nikol Çabeli, me këngën “Vallëzoj”, një produksion muzikor që i dedikohet dashurisë për natyrën, planetin dhe lulet. Nikol Çabeli u shpall fituese e  Junior Fest Albania 2024./RTSH/ KultPlus.com

“Luna Park” përzgjidhet pjesë e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA

Filmi “Luna Park” nga regjisori Florenc Papas është përzgjidhur të jetë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA, përcjell KultPlus.

Festivali do të mbahet nga data 20 deri më 28 nëntor të këtij viti.

“Luna Park” trajton peizazhin postkomunist të Shqipërisë, ku një nënë e vetmuar, Mira, dhe djali i saj adoleshent i trazuar, Toni, luftojnë me një shpërthim të dhunës civile që copëton kombin e tyre të Evropës Lindore.

Aktorët të cilët luajnë në film janë: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani.

Pjesa tjetër e ekipës  është si në vijim: skenari: Florenc Papas, Glykeria Patramani; Kinematografi: Simos Sarketzis, redaktori: Federica Forcesi; dizajni: Durim Neziri; Kostumografia: Stela Laknori; Muzika: Mater Merlic; producent: Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri, Fatmir Spahiu; Produksioni: On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus, Buka Production./ KultPlus.com

10 vite nga vdekja e këngëtarit Dr. Florit

Floran Kondi (28 shkurt 1979), i njohur zakonisht me emrin e tij artistik Dr. Flori, ishte një këngëtar, reper, kompozitor dhe tekstshkrues, gjithashtu një nga antarët themelues të grupit West Side Family, me të cilin korri shumë sukses me këngët si ‘Tirona’, ‘O çike çike’.

Dr Flori bashkë me Landin dhe Mirin në vitin 1996 krijuan grupin West Side Family të cilët lançuan këngën e parë ‘Tik-Tak’ dhe këngë të tjera, por në vitin 2002 ata lançuan këngën e tyre shumë të njohur e cila në ato vite u bë hit, Tirona. Kjo këngë u prit shumë mirë nga audienca shqiptare si në Shqiperi dhe Kosovë. Në vitin 2002, grupi mori pjesë në festivalin Kënga Magjike që udhëhiqej nga Ardit Gjebrea me këngën “Mesazh”. Vitin tjetër ata morën sërisht pjesë në Këngën Magjike me këngën “Oh Çike”, e cila më vonë do të bëhej një nga këngët më të mëdha hit. Në finale ata morën 87 pikë të cilat ishin të mjaftueshme të siguronin vendin e katërt, megjithatë, ata fituan çmimin a publikut.

Pas tre vitesh, më saktësisht në vitin 2006, Dr. Flori dhe grupi ti tij West Side Family ata morën pjesë përsëri në Këngën Magjike me një këngë shumë të pëlqyer e cila titullohej “Në krahët e tu dua të jem”, këngë e cila do t’u siguronte vendin e tretë në finale si dhe çmimin për tekstin më të mirë.

Pjesëmarrja e tyre e parë madhore ishte në Festivalin e 47 të Këngës në dhjetor 2008, ku fituesi do të zgjidhej si përfaqsuesi i Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës për vitin e ardhshëm. Grupi mori pjesë me këngën “Jehonë” e shkruar dhe e kompozuar nga Dr. Flori.

Pavarësisht se këngëtar solo, në vitin 2010, ai pati sukses duke bashkpunuar me Aurela Gaçen dhe Marselin me këngën “Origjinale”, e cila u bë hiti i verës. Ai vazhdoi suksesin e tij edhe në vitin tjetër, duke lançuar këngën “Ça na ke”, e cila shpejt u bë shumë popullore. Në vitin 2011, ai u bë gati për Këngën Magjike 2013 me këngën “S’ma ndjen” ku në finale u cilësua si kënga hit. Një muaj më vonë, ai u bë gati për Festivalin e Këngës Magjike me këngën “Personale”.

Në dhjetor 2012, Dr. Flori ndoqi Festivalin e Këngës 51 sëbashku me Fabin. Kënga që ata lançuan titullohej “Jam ti!”. Ata arritën deri në gjysmëfinale, ku performuan dhe shkuan në finalen ku mori 11 pikë (sëbashku me Rosela Gjylbegu).

Në vitin 2013, Dr. Florilançoi këngën e tij të re “Zemërthyer”, një version i ripunuar nga kënga e Festivalit së Këngës 2011 “Personale”. Kënga ishte një këngë lufte para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, në vitin 2013. Ai shkruajti këngë “Vetëm ti”, e cila do të përdoret nga Rezarta Smaja në Festivalin e 53-të të Këngës në dhjetor 2014.

Ai vdiq më 17 nëntor 2014 në Tiranë./ KultPlus.com

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së RMV, publikohet agjenda finale për nesër

Zyra e kryeministrit Albin Kurti e ka bërë të ditur agjendën finale për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nesër në Prishtinë.

Në 10:30 – 10:45 pritet mbërritja e delegacioneve e më pas edhe ajo e kryeministrave.

Pas ceremonisë zyrtare dhe fotografisë së përbashkët, kryeministrat Albin Kurti dhe Hristjan Mickoski pritet ta zhvillojnë fillimisht një takim bilateral.

Këtë takim do ta pasojnë takimet bilaterale ndërmjet ministrave (homologëve) të qeverive, ndërsa më pas pritet të zhvillohet takimi ndërqeveritar.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të parapara pritet të bëhet pas takimit.

Kurti dhe Mickoski do ta mbajnë më pas edhe një konferencë për media.

Agjenda mbyllet me një drekë zyrtare./ KultPlus.com

Kurti apel për UEFA-n dhe FIFA-n pas thirrjeve anti-Kosovë në Rumani: Mos lejoni këso gjëra

Kryeministri Albin Kurti, ka vizituar Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Vizita e shefit të qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, vjen pasi futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë përballjen kundër Rumanisë në Bukuresht, pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.

Kurti mes tjerash vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla, ku edhe tha se “tani është mbushur kupa”, raporton Klankosova.tv.

“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, u shpreh kryeministri.

Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, theksoi Kurti.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri citoi deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes, ku aty kërkohet nga UEFA dhe FIFA që të mos lejojnë këso gjëra.

“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi Kurtin për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës”, thuhet në kumtesë.