Botohet ‘Shtegu i të verbërve’ i autorit Ndue Ukaj

Shtëpia Botuese “Onufri boton librin me tregime të shkrimtarit Ndue Ukaj, “Shtegu i të verbërve” “Shtegu i të verbërve” është libri më i ri i Ndue Ukajt, i tij i dytë me tregime, pas vëllimit “Mbretëria e ëndrrave”, të botuar nga e njëjta shtëpi botuese, në vitin 2021.

Ukaj është autor i disa vëllimeve me poezi, i romanit “Dritarja e Marin Shkrelit” (2023) dhe i librave me ese e studime letrare. Krijimet e tij letrare janë vlerësuar me çmime të ndryshme, janë përkthyer, botuar e prezantuar në disa gjuhë të huaja. Libri “Shtegu i të verbërve” përbëhet nga pesëmbëdhjetë tregime. Ukaj në njoftimin në Facebook ndër të tjera shkruan: “Njeriu mëson, kur kërkon shtegdalje”, thotë Franz Kafka, e ky libër me tregime, duke trajtuar disa tema ekzistenciale të kohës sime e kohës sonë, besoj fort se i ndihmon lexuesit, që të mos kërkojnë shtegdalje symbyllur, por të kërkojnë shtegdalje syhapur, mbi të gjitha, të shikojnë botën me sytë e artit, sepse, ky shikim është shumë i kthjellët!”

Ky libër i Ukaj do të promovohet në kuadër të Panarit të Librit në Tiranë, te stenda e Shtëpisë Botuese “Onufri”, me datën 16 nëntor, ora 13:00.

“Zërat e Kulturës”, takim me aktorët kyç të industrisë së librit

“Zërat e Kulturës”, bashkëorganizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqata Shqiptare e Kombeve të Bashkuara (UNAA) vijon takimet me skenën kulturore në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këtë herë takimi ishte për sektorin e librit, i cili e gjen veten në pikëprerje me shumë nga artet dhe praktikat artistike në vend.

Takimi në Sallën Franceze të Qendrës “Sotir Kolea”  bashkoi aktorët kyç të industrisë së librit në Shqipëri, duke përfshirë botues, autorë, përkthyes dhe librarë.

Pjesëmarrës qenë shumica e botuesve shqiptarë, të cilët sollën perspektivat e tyre për sfidat e sektorit, ndërkohë që autorët dhe përkthyesit diskutuan gjithashtu shqetësimet dhe sugjerimet përkatëse, në kohë sfiduese për këtë sektor.

Diskutimi pati në qendër tema si promovimi i letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndihmesat e aplikueshme nga qeveria, programet e financimit si dhe çështje të së drejtës së autorit.

Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe rreth projektligjit të ri për librin, duke mbledhur gjithashtu komentet e profesionistëve.

Pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre, duke kontribuar në dialogun për formësimin e politikave që do të mbështesin rritjen dhe zhvillimin e industrisë së librit në Shqipëri.

Ky takim përbënte një hap të rëndësishëm për bashkimin e komunitetit letrar dhe nxitjen e një dialogu të hapur dhe të frytshëm. /atsh/ KultPlus.com

‘Syni s’e sheh synin matanë hundës, zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës’

Tregim nga Anton Pashku

Syni s’e sheh synin matanë hundës,

zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës

(Thuhej dikur në Has)

1.

Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.

2.

Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë

Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…

3.

S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.

“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”

4.

Kur nxente dielli, qarri lëshonte një hije të gjerë e të rrasët që ta flladiste shpirtin. Aty mund të shtrohej sofra për nja, mos i thashin rrenë, njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba. Dhe ndoshta përnjëmend, mendoi kjo tashti. janë ulur ndonjëherë aq burra të dheut, aq cuba të malit – ku e di ti se jo! Por, megjithatë, s’kishte parë a dëgjuar kurrë se në hijen e qarrit të saj të dashur të kishin hëngër e pirë njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba me mustaqe vesh më vesh – ku e di ti se po!

5.

Të gjithë e quanin Qarri i Dragonit. “Njâ të kemi!” i thoshin gjyshja e nëna. “Mo’ atje, se t’shiton zana!”

6.

Gjyshja e nëna na i k’in pas kallëzuar se moti, aq moti sa askush i gjallë nuk e dinte kur, një Drangua kishte pas rënë në dashuri me Zanën, shtatselvinë e katundit të tyre.

Mirëpo që në djep, në djepin me kaptell të shkruar me brisk për mrekulli.

Drangonin na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrën, të cilën kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Po dhe Zanën që në djep në djepin që përkundte gjyshja gjithmonë në zi, na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrin, të cilin kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Kur ki’n pa’ marë vesh, vrer i zi na ish bërë babai i Zanës, mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë babai i Drangonit, kurse një ditë prej ditësh, Zana e Drangoni ki’n pas bërë fjalët për të ikur në mal – tinëz. Dhe ata ki’n ikur – tinëz. Dhe te qarri na i ki’n pas parë pëllumbat e zogjtë krahëshkruar – të lumtur. Pëllumbat e zogjtë, mbasandej, kishin fshikur krahët në ajrin e pastër të qiellit të kthjellët si loti, dhe ki’n fluturuar gjithë ditën e lume përmbi katund për t’u kallëzuar njerëzve se Zana e dashka Drangonin – si ara e shkrumuar shiun. Por, askush s’i dëgj’onte.

Se katër burra, katër rrotela të kërleshur, babai i Zanës, babai i të fejuarit të Zanës, babai i Drangonit, babai i së fejuares së Drangonit haheshin. E kishin shkrehur: përshesh të bëheshin.

Dhe pëllumbat e zogjtë krahëshkruar u trembën nga krisma e martinave, plasja e kobureve, tymi i zi i barotit; tymi i zi i luftës fis me fis flaka përlau shtatë copë katunde.

E u kthyen pëllumbat e zogjtë, e i kallëzuan Zanës e Drangonit për çdo gjë që kishin parë. Zana e Drangoni ishin pikëlluar shumë, dhe ki’n thirrur pëllumbat e zogjtë e ki’n thënë:

“Amanet, o more pëllumba! Amanet, o more zogj! Kur t’na shihni se jemi shtri njani pranë tjetrit, ejani dhe ngjyeni nga nji pupël në gjakun e varrëve tona dhe shkoni e i lëshoni katund m’katund, shtëpi m’shtëpi. .. ”

Një qyqe e ngratë pat kukatur tri herë midis dy degëve të një lisi shumë të thatë.

7.

Vashës që rrinte nën qarr, Dilës së Marisë, iu duk se ishte shtrirë mu në vendin, ku, Zana e Drangoni, kishin ndërruar jetë. Zemrën ia kaploi një nderim fort i thellë. Bile, luajti pakëz vendit, ashtu si luante edhe babai i saj kur përmendej emri i pajtorit të oxhakut të tyre.

8.

Heshtte.

9.

Tinëz, ngadalë, e zuri dëshprimi. Kurrnjëherë s’i ishte dukur vetja më e vetmuar, më e ngratë, se tashti. Çdo kush e kish harruar – iu duk. Iu bë se s’kishte njeri të lemë që mendonte për të. E, pra, aq shumë dëshironte që të mendonte dikush për të.

10.

E mori gjogu i ëndrrave, i cili, si duhia, e çoi në trok drejt njëfarë vendi të panjohur, në një copë toke në midisdisit të detit. Eu, po kjo ishte njajo toka e çuditshme, për të cilën i kish kallëzuar Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. Ç’mos i kish kallëzuar:

atje, në atë farë toke të bukur, të cilën e kishte parë kur kish qenë në “ushtrinë e detit”, dielli nxen gjithë ditën e lume

kurse nata, nata s’është natë, si këtu

– hëna, sa një kallamboçe e çerepit, del nga deti dhe zdritë tokën midis ujit të njelmtë, të cilit s’i dihet skaji.

“A kurrë s’bie shi?”

“Bie, por nuk asht si ky i yni, që t’ban gozhdar!”

“Po thue?”

“Jo, për këta dy sy! Tekembrama, do ta shohësh… ”

“Kush … unë?!”

“Ti”.

“Unë?!”

“Unë e ti”.

“Bashkë?!”

“Pojzi”.

“Po a je ti në mend? A s’e ditke hiq se m’kanë dhanë?!”

“Si s’e ditkam, moj Dilë … “

“Ani edhe ty ta kanë zanë nji tjetër!”

Delia i Ndreut, i Ndre Delisë, e kish shikuar drejt në sy, të cilët Dila, prej turpit, i kish paluar. Delia, mbasandej, ia kish kapur krahun dhe ia kish shtrënguar aq fort, sa Dila s’pat duruar pa i thënë:

“Uf, djalë, djalë … ç’je tu’ ba kështu?”

“Mos u tremb, moj Dila e Marisë, mos u tremb!” kish thënë Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. “Mos u tremb, ani që deti asht i gjanë e i fellë!, Do të dalim matanë dhe do të mbërrijmë në tokën në midisdisit të tij”.

Dila pa se Delia ish burrë që s’i vetëtonte ashkja e syrit.

11.

Dëgjoi shushurimën e gjetheve, që zuri t’i fërkonte një erë e lehtë, e cila sillte pika shiu të ftohtë. Çeli sytë: qielli ish ndrysur në të katër anët. U çua, mezi u çua: pa delet e tubuara në një rogë – krejt të frikësuara nga murmurimat dhe vetëtimat. I ndolli, dhe ato u nisen mbas Diles së Marisë që ecte duke shqepuar, që mbahej me të vështirë: therra në thembër e therte pajada. Kurse mali ushtonte. Nëpër ushtimën e tij të mnershme iu bë se dëgjoi një zë njeriu, i cili e thërriste. U ndal. Delet ikën para saj dhe, me krye teposhtë, tretën në shtegun e ngushtë dredha-dredha që shpjente në katund. Mbeti vetëm. Pa kur një si tojë e zjarrtë; tojë rrufeje, u rrek për ta zdritur malin. U dëgjua një murmurimë e hatashme; si me dorë, diçka e preku në zemër dhe e lëshoi për dhé. Mbasi u rrëzua, mendoi se e vrau rrufeja.

“E pata!” tha dhe zuri të priste për të vdekur. Priste. Por, ama, nuk vdiste. Bile, si në kllapi, diktoi se dikush po e bante. Ngutshëm.

“Aman, o zot, ty t’kofsha true, a m’kallëzon – kah je tu’ m’çue?”

 “Kah deti. .. Në midisdisit të detit… ”

“Ani me therrë në thembër?”

“S’asht gja therra… Therrën do ta qërojë deti… ”

“Aman, o zot. .. ”

“O, s’jam zoti, s’jam, moj Dila e Marisë, po jam Delia i Ndreut, i Ndre Delisë!”

Një kalë i bardhë, ama më i bardhë se korja e borës, që sall zjarr nuk villte prej gojës, kaptoi Brinjën e Lisit të Gjatë dhe doli e treti në Bjeshkë të Lagamirit…

12.

Bash kur kafexhiu po ia thoshte me zë . të ulët “po bjen shiu sixhim-sixhim, ç’po i qet vegshit bytha tym”, në kafenenë e vogël të katundit – krejt i përlloçur e me shpirt në fyt, – u rras Biba i Lleshit, Llesh Bibajt.

“N’kambë, sokola!” bërtiti. “N’kambë, bre trima me fletë, se për qiell e për dhé na u nxi ftyra për jetë!… A s’pasket ndie?… Nji Drangue, nji thi karathi, na e muer Dilën nëpër shi… “Turr mbas meje!” tha Biba i Lleshit, i Llesh Bibajt dhe turravrap e theu qafën përjasht.

Kurse Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt, tha:

“Çudë, çudë e madhe!”

“Hë, çka polli?” pyeti Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt.

“S’e di hiq, bre burrë i dheut, pse njani sy nuk e sheh tjetrin?”

“Dihet, he burrë!” ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”

“Hunda e ka fajin, pojzi!” ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç’duhet t’bajmë me këtë hundë?”

Qershor, 1959./KultPlus.com

Përse nuk vjen?!

Poezi e shkruar nga Mikai Eminesku.

Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!

Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

‘Tirana My Rhythm’, një bashkëpunim i Teatrit Eksperimental dhe Albania Dance Meeting

Më 24 nëntor, skena e Teatro Cantiere Florida në Firence do të presë shfaqjen “Tirana My Rhythm”, një vepër e veçantë koreografike e krijuar nga Giulio De Leo, me bashkëpunimin e Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës dhe Albania Dance Meeting. Ky projekt sjell një eksperiencë novatore, ku gjuha e kërcimit bashkohet me elementë të fotografisë dhe videografisë, duke krijuar një spektakël bashkëkohor dhe jokonvencional.

Teatro Cantiere Florida, i rihapur në vitin 2002 pas një restaurimi të madh, është sot një nga qendrat krijuese më dinamike të Italisë, që ofron një program të pasur artistik me prozë, vallëzim dhe teatër për fëmijë. Kjo hapësirë unike, e vendosur në Oltrarno të Firences, bashkëpunon me organizata të njohura italiane dhe ndërkombëtare, duke sjellë më të mirën e dramaturgjisë së re dhe kërcimit bashkëkohor për publikun.

“Tirana My Rhythm” lindi nga ftesa e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës, Gjergj Prevazi, për koreografin italian Giulio De Leo për të punuar me talentet e rinj shqiptarë. Shfaqja përfshin një interpretim të elementëve të traditës popullore shqiptare në një format bashkëkohor, ku motivet e njohura përzihen në një strukturë ciklike dhe rituale. Trupi bëhet një peizazh i gjallë që sjell një takim mes kulturave të ndryshme, duke krijuar një përvojë poetike e cila thekson fuqinë e artit si një urë lidhëse ndërkulturore.

‘Agro Fest’ në Gurin e Zi, promovim i produkteve lokale dhe resurseve turistike

“Agro Fest” ka mbledhur në Gurin e Zi, operator turistik, fermerë dhe banorë të zonës në një panair, ku në fokus ka qenë promovimi i resurseve natyrore dhe produkteve të kësaj zone në Bashkinë e Shkodrës.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau në rrjete sociale, momente nga zhvillimi i këtij panairi që u shoqërua me edhe me këngë dhe valle tradicionale të zonës.

Vitet e fundit zona e Rragamit në veçanti dhe krahina të tjera të kësaj bashkie në përgjithësi janë kthyer në destinacione të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Për operatorët turistik të zonës të tilla aktivitete nxisin interesin e turistëve për tu njohur me resurset natyrore të veçanta të zonës së Rragamit. Prodhimet bio, kuzhina tradicionale dhe e trashëguar brez pas brezi puna me tezgjah nga gratë e zonës janë vlera të veçanta të kësaj zone në Shkodër.

Guri i Zi, njësia administrative e cila ndodhet 10 minuta larg Shkodrës, dallon për produktet bujqësore të zonës, por edhe për bukuritë natyrore dhe historike mes të cilave Rragami me daljen në liqenin e Vau Dejës por edhe me historinë e zonës siç është shpella e Gajtanit./atsh/ KultPlus.com

Mendjemadhi

Roque Dalton, përktheu Manjola Brahaj.

Unë do isha një i vdekur i madh.
Veset e mia atëherë do shëndrisnin si stoli antike
me ngjyrat e ëmbla të helmit.
Do kishte lule të gjitha ngjyrave në varrin tim
dhe adoleshentët do imitonin gjestet e mia gazmore,
të errtat fjalët e mia të ankthshme.
Ndoshta dikush do të thoshte që isha besnik e i mirë.
Por vetëm ti do të mbash mend
mënyrën time të parit në sy. /KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Poloninë për Ditën e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Poloninë me rastin e Ditës së Pavarësisë së tyre.

Në një postim në “X”, Osmani thotë se Kosova është e përkushtuar ndaj miqësisë së fortë dhe të qëndrueshme me Poloninë.

“Urime presidenti, Andrzej Duda dhe kryeministrit, Donald Tusk, si dhe miqtë tanë polakë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Polonisë. Kosova është e përkushtuar ndaj miqësisë sonë të fortë dhe të qëndrueshme me Poloninë, e lidhur me vizionin tonë të përbashkët për një Evropë paqësore dhe të bashkuar”, ka shkruar e para e shtetit.

Image

Ulë siparin Bienalja e Karikaturës, në edicion të tretë u dhanë 13 çmime

Bienalja e Karikaturës ‘Niko Nikolla’ mblodhi bashkë në një mbrëmje gala, artistë nga e gjithë bota, ndërsa mbylli këtë edicion të tretë të tij me natën finale të ndarjes së çmimeve.

Ky event i rëndësishëm që veshi me art kryeqytetin e Shqipërisë, këto ditë të ftohta nëntori ndau 13 çmime, duke vlerësuar artistë shqiptarë e të huaj. “Të bashkëjetosh në një botë digjitale”, si edhe portreti i ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ishin dy temat mbi të cilat punuan artistë nga 53 shtete të botës. Kjo mbrëmje u hap me një dedikim kushtuar personaliteti të njohur të letrave, sikundër ishte Niko Nikolla. 

Çmimi i parë për temën “Të bashkëjetosh në një botë digjitale” shkoi në Kubë, ndërsa një tjetër vlerësim për portretin e politikanit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkoi për artistin nga Peruja, Uolter Toskana. Me dy çmime të dyta u vlerësuan artisët shqiptarë: Endri Beqo, si dhe Arben Meksi.

Si figurë politike, subjekt i veprave në karikaturë i pranishëm në Tiranë për këtë bienale ishte politikani i shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili nuk e fshehu kënaqësinë e pranisë së tij në këtë event të artit.

“Jam shumë i privilegjuar dhe me të vërtet i befasuar, pasi kam pasur mbi 80 punime me temën e Abazoviqit . Për mua arti ka një vlerë të posaçëm”, u shpreh ish-kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviq.

Drejtoresha e Bienales së Karikaturës, Flora Nikolla, shpall vitin 2025 si vitin e karikaturës, me qëllim të vlerësimit të artistëve që bëjnë këtë lloj arti që i duhet dhënë rëndësia e duhur./rtsh/ KultPlus.com

“Njeriu që gënjen veten fyhet më lehtë se kushdo tjetër”

Fyodor Dostoevsky është një nga emrat më të njohur të letërsisë ruse dhe asaj botërore. I konsideruar edhe si një nga ekzistencialistët, rrymë moderne filozofike, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrafshin intelektual, shkruan KultPlus.

“Vëllezërit Karamazov”, është një nga librat e tij më të njohur. KultPlus këtu ka shkëputur një fragment nga ky libër, i cili flet për natyrën njerëzore:

“E para është që veten tuaj mos e gënjeni. Njeriu që e gënjen veten e tij, ai që i vë veshin gënjeshtrës së vet, shkon deri aty, sa asnjë lloj të vërtete nuk e dallon dot, as në veten e tij, as në njerëzit që e rrethojnë, për rrjedhojë ai humbet respektin ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

Duke mos i respektuar, ai pushon së dashuruari, kurse duke mos pasur dashuri, për ta detyruar veten që të argëtohet, jepet pas pasioneve të shfrenuara, pas përmbushjes së tundimeve të ulëta, duke u kthyer kështu në kafshë dhe duke u mbuluar nga mëkati.

E pra, që të gjitha këto i vijnë ngase gënjen veten dhe të tjerët. Njeriu që gënjen veten fyhet më lehtë se kushdo tjetër.”

– Fyodor Dostoyevsky, “Vëllezërit Karamazov”./KultPlus.com

Revista spanjolle “El Periódico”, Rama: Tirana sërish në vëmendjen e mediave të huaja

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është sërish në vëmendjen e mediave të huaja.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar në revistën spanjolle “El Periódico”.

“Revista spanjolle “El Periódico” e cilëson Shqipërinë si një “parajsë” turistike, ku kryeqyteti ynë i gjallë dhe plot ngjyra dallon për historinë dhe modernitetin që ndërthuren natyrshëm”, shkruan Rama.

Duke folur për Tiranën, gazetarja Alba Armida në artikullin e botuar në “El Periódico” shkruan se “në këtë qytet historia dhe moderniteti janë të ndërthurura me mjeshtëri. E njohur për diversitetin e saj kulturor dhe arkitekturën plot ngjyra, Tirana njihet për frymën e saj novatore dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Ndër gjërat thelbësore të saj spikat Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, ku qëndron shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”.

Në artikullin e “El Periódico” një vend të veçantë zënë edhe qytetet e Sarandës, Gjirokastrës, Korçës , Gjirokastrës dhe Beratit./atsh/KultPlus.com

‘Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur’

Poezi nga Azem Shkreli

Në vend të përshëndetjes

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

Reportazhi i televizionit gjerman “ARD1”: Riviera shqiptare – atje dua të shkoj!

Televizioni gjerman ARD1 i ka kushtuar një reportazh prej 30 minutash rivierës shqiptare duke përshkruar bukuritë e bregdetit tonë.

Me titullin “Riviera shqiptare-atje ku dua të shkoj”, televizioni i njohur gjerman ka udhëtuar në jug të vendit duke i njohur të gjithë me bukuritë turistike të Shqipërisë.

“Jugu i Shqipërisë ofron një përvojë pushimesh verore që shumë nuk do ta imagjinonin kurrë në Evropë”, theksohet ndër të tjera nga ARD1

“Ujë i kaltër, fshatra bregdetare piktoreske dhe mikpritje e ngrohtë – një parajsë mesdhetare, shumë më afër nga sa mendoni. Reportazhi “Da will ich hin!” (Atje dua të shkoj!) i televizionit ARD na merr me vete në një udhëtim në bregdetin jugor të Shqipërisë”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Ambasada Gjermane në Tiranë e cila ka publikuar edhe reportazhin e ARD1.

Simin Sadeghi e nis aventurën e saj shqiptare me ishujt e Ksamilit, në skajin më jugor të vendit, ku Greqia duket në horizont. Lirinë me tërë kuptimin e fjalës ajo e përjeton në rrugën bregdetare SH8, ku ka gjithmonë detin në të djathtë dhe malet në të majtë.

Ajo zbulon qytetin e Gjirokastrës me rrugët e bukura dhe kështjellën e saj historike dhe gjithashtu informohet plotësisht për të kaluarën e errët të Shqipërisë.

Një peshkatar midhjesh e merr atë në një varkë në liqenin e Butrintit dhe në një kopësht ajo njihet me gjërat më të mira të kuzhinës shqiptare.

Me një vendas ajo zbulon fshatin piktoresk të Qeparoit dhe shijon ujin e pastër në plazhin e Borshit./atsh/KultPlus.com

“Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë”

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, Dr.Arben Hajrullahu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr.Arben Hajrullahu, të cilin e uroi për marrjen e pozitës në krye të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë takimit, Presidentja u njoftua nga afër me sfidat të cilat përballet UP-ja.

Presidentja Osmani e falënderoi rektorin Hajrullahu për përpjekjet për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe shprehu përkrahjen e plotë të Presidencës drejt avancimit dhe fuqizimit të Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë këtu edhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Bienalia e karikaturës në Tiranë, pjesëmarrës 255 karikaturistë nga e gjithë bota

255 karikaturistë nga 53 vende të botës, sollën në Tiranë 709 punime, në Bienalen e karikaturës “Niko Nikolla”, aktivitet që e ka futur kryeqytetin tonë në hartën e karikaturës botërore.

Temë e punëve të njerëzve që kontribuojnë në portalet dhe gazetat më të mëdha botërore, që prodhojnë art universal ishin jeta, portreti i veçantë, kaçurrelat, ngjyrat politike dhe njerëzore të Dritan Abazoviç, kryeministri i parë shqiptar në Malin e Zi, risitë që solli qeverisja dhe aktivizmi i tij politik në rajon dhe më gjerë.

Temë e dytë ishte bashkëjetesa me një të keqe të domosdoshme siç është teknologjia dixhitale, e cila në 20 vitet e fundit ka prekur 50% të popullsisë së botës së zhvilluar dhe ka transformuar shoqëritë.

Artistë nga gjithë bota, Kina dhe Ukraina, Brazili dhe Indonezia, Serbia dhe Kosova janë marrë me portretin e Abazoviç, në një lojë portretesh me një figurë që përcaktoi rotacionin në një vend historik si Mali i Zi.

Një juri ndërkombëtare me emra të shquar të karikaturës botërore dhe rajonale, kryesuar nga Bujar Kapexhiu, dekan i arteve vizive, Valentin Pavlov, karikaturist bullgar shumë i njohur, etj, ndau çmimet, në një aktikvitet të zhvilluar në sallën e televizionit shtetëror.

Në prani të drejtoreshës ekzekutive Flora Nikolla dhe jurisë u ndanë çmimet si vijon:

Çmimi “Familja Nikolla” iu dha Asier Sanz nga Spanja për portretin e Dritan Abazoviç.

Çmimi i parë shkoi për Wolter Toscano nga Peruja.

Ndërsa për temën “Të jetosh në një botë dixhitale”:

Çmimi i parë: Michel Moro Gomez nga Kuba Cuba

Gjithashtu u dhanë edhe tre çmime speciale për secilën kategori./atsh/KultPlus.com

Jehona e Shkronjës: Një udhëtim përmes zërit të gjallë të letërsisë

Dorian Koçi

“I Rrëmbyer nga Shkronjat” i Ramadan Bozhlanit fton lexuesin në një eksplorim të thellë të marrëdhënies komplekse mes lexuesit, autorit dhe vetë fjalës së shkruar. Rrëfimi hapet me një personazh që hyn në sallonin e tij, ku protagonisti nis një dialog të veçantë me librat e biblotekës së tij. Njëri prej tyre, thuajse si një personazh më vete, fillon të shprehë hidhërimin për mënyrën si është trajtuar, lënë pas dore e keqkuptuar.

Nëpërmjet kësaj përballjeje sureale, Bozhlani eksploron tema të tilla si neglizhenca, respekti dhe pesha emocionale e dijes. Në skenën e bibliotekës, Bozhlani përshkruan me detaje të gjalla përhumbjen e protagonistit në botën e letërsisë, të simbolizuar nga një bibliotekë e mbushur me libra. Dialogu i protagonistit me librat krijon një ndjesi nderimi për letërsinë, duke e shndërruar bibliotekën në një hapësirë të gjallë e të ndjeshme, që fyhet nga trajtimi i sipërfaqshëm i njerëzve. Përmes fjalëve të librave, autori përcjell mesazhin se librat nuk janë thjesht objekte, por bartës të urtësisë, emocioneve dhe historisë, që përbëjnë ura mes brezave, edhe pse shpesh lihen pas dore nga lexues që i konsumojnë pa vërtetë mirënjohje.

Teksa protagonisti shfleton librin, Bozhlani e rrit tensionin duke i dhënë librit një “zë” që flet drejtpërdrejt me të. Libri pohon se faqet e tij janë të ngarkuara me një zë, një zë që është “heshtur” nga neglizhenca e njerëzve dhe zakonet sipërfaqësore të leximit. Këtu, autori bashkon metafizikën me fiziken, duke krijuar një “kërkesë për angazhim” nga ana e vetë letërsisë, e cila kërkon përkushtim dhe respekt të sinqertë.

Libri duket si një qenie e gjallë, e mbushur me kujtime të zhgënjimit njerëzor dhe pritshmërive të paplotësuara të autorëve të panumërt. Ky moment përçon nëntekstin filozofik të Bozhlanit dhe ofron një reflektim shoqëror për kulturën moderne të leximit, shpesh të shënuar nga sipërfaqësia. Stili i Bozhlanit është shumë introspektiv, duke ftuar lexuesin të shqyrtojë marrëdhënien e tij me librat dhe dijen. Libri thekson se librat, po aq sa njerëzit, dëshirojnë të jenë të vlerësuar dhe të lexuar me kujdes, pasi “mbajnë brenda thelbin e dinjitetit njerëzor,” diçka që autori nënkupton se është në rrezik të humbjes. Kjo personifikim i librit krijon një rrëfim që mjegullon kufijtë midis objekteve të pajeta dhe qenieve ndjesore, duke sugjeruar se letërsia bart thelbin e jetës dhe duhet trajtuar me kujdes.

Një tjetër aspekt i spikatur në veprën e Bozhlanit është përdorimi i gjuhës poetike dhe simbolikës, me theks të veçantë te temat ekzistenciale. Takimi i protagonistit me librin që flet përshkruhet si një lloj zgjimi shpirtëror, i cili e rilidh atë me vlerën e letërsisë dhe rëndësinë e përvojës njerëzore. Ky moment transcendental është mënyra e Bozhlanit për të kujtuar lexuesit se letërsia nuk ekziston thjesht për t’u konsumuar, por për të na transformuar, për të ngjallur emocione dhe për të frymëzuar reflektime të thella. Marrëdhënia e protagonistit me bibliotekën përfaqëson një rizbulim të letërsisë si një entitet të gjallë, një regjistrues i përvojës njerëzore dhe një mjet për vetënjohje.

Drejt fundit të librit, Bozhlani shqyrton rëndësinë e krijimit letrar, aktin e të shkruarit dhe rolin e autorit. Protagonisti shtyhet të përqafojë fuqinë transformuese të shkrimit, duke realizuar se edhe ai vetë ka një përgjegjësi për të kontribuar në këtë trashëgimi. Udhëtimi i protagonistit nënvizon idenë e Bozhlanit se lexuesit dhe shkrimtarët janë të ndërthurur në një mision të përbashkët për të ruajtur zërin njerëzor. Shkrimi shfaqet këtu si një akt krijimi, një investim në kujtesën kolektive, ku çdo shkrimtar lë një pjesë të vetvetes në veprën e tij.

Nga pikëpamja strukturore, Bozhlani përdor një qasje të ndërgjegjes që rrjedh, duke e zhytur lexuesin në mendimet e protagonistit, si një meditim i gjatë mbi natyrën e letërsisë. Rrjedha e tregimit është e qetë por introspektive, duke e sjellë lexuesin në një gjendje meditimi. Stili rrëfimtar i Bozhlanit, i ngjashëm me një fabul alegorike, është i mbushur me gjuhë simbolike që mbështetet më shumë në sugjerimin sesa në shpjegimin e drejtpërdrejtë. Ky stil mund të duket i çrregullt, por pasqyron në mënyrë të përshtatshme gjendjen mendore të protagonistit dhe udhëtimin e tij drejt vetë-zbulimit.

“I Rrëmbeyer nga Shkronjat” i Bozhlanit mund të shihet si një traktat filozofik mbi shenjtërinë e letërsisë dhe rolin e saj themelor në formësimin e identitetit personal dhe kulturor. Nëpërmjet një rrëfimi metafizik, ai eksploron se si librat dhe leximi përfaqësojnë një akt bashkimi, që lidh të kaluarën dhe të tashmen, njeriun dhe jo-njeriun. Romani i tij na kujton se letërsia është një trashëgimi e shenjtë, një dëshmitare e historisë dhe mishërim i vlerave, përpjekjeve dhe aspiratave të brezave. Në përmbledhje, vepra e Bozhlanit është një eksplorim tërheqës i nderimit që i detyrohemi letërsisë, duke bërë thirrje për një rilindje të kulturës së leximit të vëmendshëm dhe të angazhimit të sinqertë me fjalën e shkruar. Për lexuesit që vlerësojnë një tregim meditativ dhe të ngarkuar me simbolizëm, I Rrëmbeyer nga Shkronjat ofron një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të letërsisë. Romani është një ftesë për të çmuar historitë që përcaktojnë njerëzimin tonë dhe për të trajtuar librat si qenie të mbushura me jetë, që kërkojnë respektin që meritojnë./KultPlus.com

Milan Šufflay, kroati që “luftoi” deri në vdekje për albanologjinë

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi sot me rastin e 145-vjetorit të lindjes historianin dhe politikanin e madh kroat, njërin prej themeluesve të albanologjisë, Milan Šufflay.

Lindi më 9 nëntor 1879, në Lepogllav të Kroacisë. Qe ndër themeluesit e albanologjisë si dhe autor i të parit roman fantashkencor në letërsinë kroate. Ka botuar disa libra mbi botën arbërore, ku ka trajtuar mbi baza objektive dhe referenca dokumentesh figurën e Skënderbeut. Disa nga librat e tij kryesorë janë: “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj.

Edhe vepra tjetër letrare që shkroi, “Kostandin Balsha” është ndër romanet e para historike me tematikë shqiptare. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllimi kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij dhe u bë arsyeja e vdekjes së tij.

Ai u përndoq nga Mbretëria Jugosllave, më 19 shkurt 1931 e vrasin në pragun e shtëpisë së tij në Zagreb. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj.

Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Mid’hat Frashëri, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale”, etj./atsh/KultPlus.com

Prezantohet edicioni i 12-të i Projektit Ndërkombëtar NET/RRJET nën drejtimin e Majlinda Kelmendit

Organizata joqeveritare Integra, ka bërë të ditur se “Expoart.40”, do të prezantojë edicionin e 12-të të Projektit Ndërkombëtar, NET/RRJET.

Në njoftim thuhet se prezantimi do të bëhet sot, nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit, duke filluar nga ora 18:00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

“Expoart.40 nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit, prezanton edicionin e 12-të të Projektit Ndërkombëtar NET/RRJET, konceptuar dhe organizuar nga expoart.40. Këtë vit, nën kurimin e Zeni Ballazhit dhe në partneritet me Barabar Centre, ky edicion vazhdon traditën e ndërtimit të lidhjeve artistike mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare të artit”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Konkursi i poezisë “KultStrofa” vazhdon të jetë i hapur, aplikimi mbyllet më 14 nëntor

KultPlus ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka thënë se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.

Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa”.

*Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Thirrja mbetet e hapur deri më 14 nëntor 2024 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e shtatë./ KultPlus.com

Aktivitetet e Javës Kulturore Malazeze

Pesë artiste të talentuara ndanë magjinë e traditave të Bregut të Bokës dhe Malit të Zi përmes këngëve popullore dhe autoktone.

Performanca e veçantë solli një atmosferë të bukur, duke lidhur muzikën tradicionale me nuanca të muzikës pop. Aktiviteti u zhvillua në pedonalen e kryeqytetit dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve aty.

Më herët, një tjetër aktivitet në kuadër të Javëve Kulturore, u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, ku u fol mbi letërsinë dhe autorët malazezë.

Ndërkohë, në dy ditët e fundit të Javës Kulturore Malezeze, në Tiranë do të qëndrojë e hapur një ekspozitë e veçantë që eksploron pamjet kartografike të Boka Kotorska dhe zonës përreth saj nga fundi i shekullit IV deri në fillimin e shekullit XX.

Materiali kartografik nga Muzeu Detar në Kotor sjell së bashku burime të dixhitalizuara nga arkivat dhe bibliotekat kombëtare në të gjithë Evropën dhe SHBA.

Do të ekspozohen 185 hartë gjeografike, detare, topografike, ushtarake, historike, politike, etnografike dhe shumë të tjera, të cilat ilustrojnë bukurinë e Gjirit të Kotorit./atsh/KultPlus.com

Dostojevski: Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes

Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.

Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.

Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:

Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.

Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.

Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.

Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.

Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.

Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.

Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.

Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.

Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.

Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com

Gonxhja: Sitet kulturore pritën më shumë se 1,2 milionë vizitorë në 10 muaj

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 1,229,195 vizitorë gjatë periudhës janar-tetor 2024. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau statistikat sa i përket këtij 10-mujori që krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 34%, ku 61% e vizitorëve janë turistë të huaj.

5 destinacionet më të preferuara prej vizitorëve janë:

Kalaja Gjirokastër – 248,890 vizitorë

Parku Arkeologjik Butrint – 195,216 vizitorë

Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë – 160,402 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 146,541 vizitorë

Parku Arkeologjik Apolloni – 117,325 vizitorë

Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë arriti në 422, 020, ndërsa në parqet arkeologjike 478,769 persona. Të gjitha këto vizita gjeneruan të ardhura të cilat llogariten në 443,906,770 lekë, 40% më shumë se të ardhurat e vitit 2023.

“Shpirti i Shqipërisë është i gjallë në këto monumente, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes”, shkroi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes

Kjo është Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes. Për herë të pare u festua më 1986, si pjesë e kremtimeve të Vitit Ndërkombëtar të Paqes.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes të mbahet çdo vit gjatë javës në të cilën bie 11 nëntori. Asambleja u kërkoi shteteve anëtare dhe organizatave ndërqeveritare dhe joqeveritare që të inkurajojnë institucionet, shoqatat dhe individët përkatës të sponsorizojnë ngjarje dhe aktivitete që lidhen me studimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi përparimet në shkencë dhe teknologji dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Gjithashtu u kërkoi shteteve anëtare të OKB-së të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar midis shkencëtarëve dhe kërkoi që Sekretari i Përgjithshëm të raportonte mbi aktivitetet dhe iniciativat e shteteve anëtare dhe organizatave të interesuara në lidhje me javën.

Respektimi vjetor i Javës Ndërkombëtare të Shkencës dhe Paqes po jep një kontribut të rëndësishëm në promovimin e paqes. Java inkurajon shkëmbime më të mëdha akademike mbi një temë me rëndësi universale, duke gjeneruar gjithashtu një ndërgjegjësim më të madh për marrëdhëniet e shkencës dhe paqes midis publikut të gjerë.

Bazuar në pjesëmarrjen e deritanishme, pritet që ajo të rritet nga viti në vit, duke kontribuar në mirëkuptimin më të madh ndërkombëtar dhe mundësitë për bashkëpunim në aplikimet e shkencës për promovimin e paqes gjatë gjithë vitit./atsh/KultPlus.com