Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg.

Në takim, Presidentja Osmani dhe ministri Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së.

Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Në diskutim me ministrin Borg, Presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare./KultPlus.com

Presidentja Osmani flet me O’Brien: Diskutuam për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka diskutuar sot në telefon me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.

Me të kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, transmeton klankosova.tv.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”.

Historike, ekipi i fakultetit juridik të UP-së në top 3-shen më të mirë në botë

Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës ka arritur të rënditet në top treshen më të mirë në botë.

Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovëës nëpërmjet në postimi në Facebook.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidentes Osmani:

Sukses historik!

Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë!

Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata poashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.

Kjo ekipë këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka.

Krenare sa më ska!

Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj./KultPlus.com

Presidentja Osmani me medalje për pjesëtarët e grupit ‘Gjurmët’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u Ka dhuruar medalje sot pjesëtarëve të grupit ‘Gjurmët’, një prej grupeve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Petrit Riza, një prej anëtarëve të këtij grupi, tha SE edhe një medalje i është shtuar murit të medaljeve të këtij grupi.

“Një tjetër medalje në murin e “Gjurmëve”
Të nderuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës #VjosaOsmani”, shkroi Riza./KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë, Elita Kuzma

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë në Republikën e Kosovës, Elita Kuzma, të cilën e ka uruar për detyrën.

Në takim me ambasadoren Kuzma, Presidentja Osmani shfaqi besimin për thellimin e mëtejmë  të raporteve ndërmjet të dy shteteve gjatë mandatit të ambasadores.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se shtetet baltike i konsiderojmë partnerë strategjik, sidomos në fusha si mbrojtja e siguria, poashtu edhe teknologji informative e digjitalizim. Ajo falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka ofruar Kosovës në BE dhe në NATO./KultPlus.com

Presidentja Osmani: 2023-ta ishte jo e lehtë për Kosovën – Banjska, situata më e rrezikshme prej pavarësisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend ka thënë se viti që po e lëmë pas ishte jo i lehtë për Kosovën.

Ajo tha se viti 2023 ishte vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, ku përmendi agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, për të cilin tha se ishte situata më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë.

“Një grup terrorist i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me plan të qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim i të gjithë rajonit”.

“Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”.

“Ky sulm i cili në vazhdën e ideve e planeve shoveniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë e fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të botës serbe”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

E para e shtetit tha se plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar, teksa tha se terroristët vranë rreshterin Afrim Bunjakun, ndaj i cili u bë dëshmori më i ri në historinë e Kosovës.

“Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e policisë sonë të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë, Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”.

“Askush dhe asgjë nuk do ta largoj Kosovën nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë s’do ta largojë Kosovën nga përpjekja e çdo ditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, tha Osmani./klankosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani pjesë e samitit teknologjik ‘Web Summit’: Kosova shembull inspirues

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në samitin më të madh të teknologjisë në botë, në ‘Web Summit’ të Lisbonës, shkruan KultPlus.

Presidenja Osmani është shrehur se sektori gjithnjë e në rritje i teknologjisë në Kosovë, e pozicionon vendin tonë si një shembull inspirues në sektorin e teknologjisë informative.

“Në samitin më të madh të teknologjisë në botë, në Web Summit në Lisbonë, fola për kontributin pozitiv që po e jep teknologjia në drejtim të avancimit të bashkëpunimit e komunikimit global, duke nxitur zgjidhje inovative në çdo sektorë. Mirëpo, teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe etikën në çdo hap të këtij rrugëtimi transformativ”, ka thënë Presidentja Osmani/KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Presidencial “Belem” në Lisbonë.

Sipas Presidentes Osmani, vizita e dytë në këtë shtet është dëshmi e  marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të cilat tashmë ndodhen në një fazë dinamike me fokus në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Vizita e Presidentes Osmani përkon me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

“Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për ta shprehur  mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj tha se shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst Presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë.

Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Presidentja poashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm. / KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton për vizitë pune në Portugali, përuron dhe shtatoren e Nënës Terezë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka udhëtuar në vizitë pune në Portugali.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Presidentja Osmani do të takohet me presidentin e Potugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa dhe me kryeministrin, António Costa.

Me ftesë të Web Summit, Presidentja Osmani e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve kosovare në fushën e ICT-së, do të jetë folëse në këtë samit, i cili konsiderohet ngjarje kryesore e teknologjisë në botë.

Në kuadër të vizitës në Portugali, Presidentja Osmani dhe kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas do ta përurojnë shtatoren e Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Dora Bakoyannis, raportuese për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe  domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë  komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.

“Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim.  Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti  i Ministrave.

“Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.

Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka  njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova, shtet i ngritur mbi diversitetin e përkatësive etnike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor tha se ky samit është një platformë e duhur për ta ngritur zërin kundër diskriminimit të çfarëdo lloji, por edhe për ta ri-forcuar përkushtimin institucional kundër diskriminimit racor në veçanti.

“Njohja e dinjitetit të lindur njerëzor, të të drejtave dhe lirive të barabarta e të patjetërsueshme sublimohet më së miri në deklaratën universale për të drejtat e njeriut qysh nga viti 1948. Ndaj në këtë linjë duhet të ecim vazhdimisht sepse ky është drejtimi i cili garanton barazi, gjithë përfshirjeje edhe respekt të ndërsjellë”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se shoqëria kosovare është diverse, ndaj sipas presidentes, ne themelet kushtetuese të shoqërisë qëndron edhe shpirti shumë etnik i Kosovës.

Tutje presidentja shtoi se shteti i Kosovës është ngritur mbi diversitetin e përkatësive të ndryshme të cilat i japin forcë.

Kurti: Diskriminimi është i papranueshëm

Slogani unitet në diversitet është gjithsesi i qëlluar sepse thotë që diversiteti është gjendja, ndërkaq uniteti është synimi. Kështu theksoi kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor. Tutje Kurti tha se ”ky synim, pra uniteti, nuk është një i tillë që mohon ose e shpërfillë diversitetin, por përkundrazi e forcon dhe lartëson atë”.

“Është kënaqësi t’ju mirëpresim në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës me qëllimin e përbashkët për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor. Shtetet tona përfitojnë nga diversiteti etnik. Andaj, ne, jemi sot këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, tha ai.

Ai tha se pabarazia dhe diskriminimi shfaqen në forma të ndryshme. “Gjatë muajit të rinisë në gusht në panairin e organizuar nga MKRS, prezantuam punimet kreative nga një ndërmarrëse e re egjiptase. Ajo më tha se nuk ka pasur mbështetje që ta mbarojë shkollën fillore dhe se askush nuk reagoi kur  ajo e braktisi shkollën. Kjo është pabarazi, është e papranueshme , është e padurueshme”, ka theksuar Kurti.

Ai më pas përmendi edhe një rast tjetër kur ishte në vizitë në Fushë Kosovë, ku aktivistë ashkali i treguan se si e kanë përjetuar refuzimin e shërbimeve nga transporti urban. “Edhe ky është një diskriminim i patolerueshëm në shoqërinë tonë”, shtoi Kurti.

Për të luftuar këto dhe format tjera të pabarazisë e diskriminimit, ne jemi sot këtu dhe do të flasim nesër e çdo ditë. Për të mbështetur shkollimin kemi investuar 200 mijë euro dhe po ofrojmë 500 bursa për nxënës të këtyre komuniteteve. “Pra, duhet të flasim sot, nesër e çdo ditë, por edhe të veprojmë  e të dëshmojmë me mbështetje praktike, materiale e financiare”, nënvizoi ai./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani shpërndanë 400 pako onkologjike për të prekurit me kancerin e gjirit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot (e marte) Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku ka dhuruar 400 pako onkologjike për të prekurit me kancerin e gjirit. Me këtë rast u tha se në vendin tonë është bërë shumë që të ngritet vetëdija për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Osmani falënderoi stafin e kësaj klinike për punën e tyre, përderisa tha se përkrahja institucionale nuk do të mungojë. Osmani shtoi se me investimet e bëra në këtë Klinikë janë përmirësuar dhe janë eliminuar një numër i madh i pengesave dhe se një numri i kërkesave veçse janë përmbushur. Kjo pako është dhuruar që gratë e prekura nga kanceri të kenë sado pak lehtësim.

Por sipas saj, ka ende për t’u bërë në mënyrë që të përmbushen nevojat e pacientëve.

Ajo bëri thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të bëjnë mamografinë sepse siç tha ajo, zbulimi i hershëm shpëton shumë jetë.

“Ne jemi sot këtu së bashku me stafin e Klinikës dhe znj. Nafije për të dorëzuar 400 pako onkologjike, në fund të muajit tetor, i cili njihet edhe si muaji rozë, për të nderuar të gjitha ato që fatkeqësisht i kemi humbur nga sëmundja e kancerit të gjirit por edhe për të iu dhënë mbështetje të gjitha atyre të cilat po përballen me këtë sëmundje të tmerrshme, por e cila mund të parandalohet nëse zbulohet herët… Për fat të mirë ende po vazhdojnë investimet në këtë klinikë, ende po rritet numri i barnave, të cilat edhe mbulohen nga institucionet e Kosovës në këtë klinikë. Natyrshëm që ka ende nevojë që të investohet, në mënyrë që të përmbushen të gjitha nevojat e pacientëve, dhe kjo do të bëhet gradualisht, por tani me investimet që janë bërë janë eliminuar një numër i madh i pengesave, qoftë sa i përket aparaturës që i nevojitet, qoftë sa i përket numrit të shtretërve, të gjitha këto duhet të shtohen. Por në qoftë se e krahasojmë me vitin e kaluar, kur isha këtu një numër i madh i këtyre pengesave dhe barrierave janë eliminuar , dhe një numër i madh i këtyre kërkesave veçse janë përmbushur”, tha Osmani.

Gjithashtu Osmani shtoi se qëllimi i tyre është për pacientët që tejkalojnë shumë probleme dhe dhimbje fizike, që të mos kenë edhe dhimbje shpirtërore të cilat fatkeqësisht ua shkakton kjo sëmundje e tmerrshme.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

“Edhe pse duket simbolike, ka impakt edhe në aspektin psikologjik por edhe atë fizik të pacientëve tonë… 05:10 Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, jo vetëm të gjirit por në të gjitha format e sëmundjeve. Vetë fakti se sot është dita e fundit kur përmbyllet muaji rozë, në Kosovë është bërë shumë këtë muaj që të ngritet vetëdija, janë bërë tubime të ndryshme dhe kjo ka kulmuar që ne sot të gjejmë në Kosovë raste të reja për femra të reja të sëmura me kancer të gjirit në staza më të hershme. Vetë fakti se ne kemi regjistruar brenda 9 muajve të parë kemi regjistruar rreth 332 femra të prekura me kancer të gjirit”, tha Kurtishi.

Ndërkaq Nafije Latifi, drejtoreshë e shoqatës “Jeta Vita”, tha se kjo është një përkrahje e jashtëzakonshme për gratë që po trajtohen si pasojë e kësaj sëmundjeje.

“Sot po shpërndajmë 400 pako onkologjike të cilat janë donacion i presidentes dhe kjo është një përkrahje e jashtëzakonshme për gratë të cilat po trajtohen nga kanceri i gjirit, që përveç problemeve me sëmundjen të mos kenë probleme psikike me pamje e me dukje, me nevojën për t’i siguruar ato, me mjetet e tyre… Shpresoj që të do të kemi kushte më të mira për trajtim, me renovimin e ndërtesës, me zgjerimin e listës esenciale të barnave e tjera”, tha Latifi./rtv21/KultPlus.com

Presidentja Osmani nisë vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sipas njoftimit të presidencës, përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.

Ndër të tjera, Osmani do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane.

Në kuadër të vizitës në SHBA, ajo do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit.

“Gjatë vizitës, Presidentja Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC. Poashtu, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize”, thuhet në njoftim.

“Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA”./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER.

Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.

Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Pas 24 shtatorit, dialogu me Serbinë duhet të rimendohet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se procesi i dialogut duhet të rimendohet.

Këto komente ajo i ka bërë në një konferencë për media.

Osmani tha se për agresionin e 24 shtatorit nuk ka dyshim se prapa saj qëndron Serbia.

“Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim dhe qasja e marrë për këto 12 vite e ka inkurajuar Vuçiqin, që të kryejë dhunë dhe agresion”, tha Osmani.

“Janë katër elemente që e çojnë përgjegjësinë apo linjen komanduese deri tek presidenti Vuçiq. E para ka të bëjë me financimin, ka dëshmi të evidentuara edhe muaj më parë.

E dyta ka të bëjë me armët, të cilat janë prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë, dhe janë dhënë nga shteti serb për terroriste. E treta ka të bëjë me trajnimet që as shteti serb nuk i mohon se ji ka kryer për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me lidhjet politike me terroristët serbe”, tha ajo.

“Nuk ka më dyshim. Unë e kuptoj që shtetet veç e veç mund t’i procedurat për konfirmim të informacioneve. Ne presim që pas përfundimit të procedurave që shtetet anëtare të ndërmarrin masa”, tha e para e shtetit të Kosovës./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.

Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt.

Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime.

Në takim, Presidentja Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës.

Raportet me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj  ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.

Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.  Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.

Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani i jep nënshtetësinë e Republikës së Kosovës shkrimtarit Ismail Kadare

Presidentja Vjosa Osmani sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Sipas Presidentes Osmani dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Ndryshe, Presidentja Osmani, në qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë. / KultPlus.com

Kadare nderohet me urdhrin ‘Hasan Prishtina’: Nuk ka nderim më të madh për një intelektual sesa kjo që po e përjetoj unë sot

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është dekoruar sot me urdhrin ‘Hasan Prishtina’ nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni me të ftuar specialë në Presidencën e Kosovës, presidentja Osmani i shprehu mirënjohje shkrimtarit Kadare, veprën e të cilit ajo e cilëson një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve.

“I nderuar zotëri Kadare, jam shumë e lumtur për praninë tuaj këtu, aq më tepër që ndodheni këtu atëherë kur Prishtina jonë e dashur, për herë të 23-të, është veshur me petkun e festës së librit, si nikoçire tashmë e dëshmuar e autorëve, lexuesve dhe botuesve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Jam po kaq e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj për kryeveprat letrare që ju i keni shkruar e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tonat, por krahas veprimtarisë letrare, ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë”, u shpreh presidentja Osmani, teksa pas fjalimit të saj e ftoi shkrimtarin Kadare për të dekoruar me dekoratën më të lartë shtetërore.

Pas dekorimit, para të ftuarve foli edhe vetë shkrimtari Kadare, i cili shprehet i prekur për një nderim të tillë.

“Çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë, sidomos kur ky popull e ka rrugën e historisë të vështirë. Për fat të keq, Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja, por për fat të mirë ajo gjithashtu i ka kapërcyer gjatë shekujve me mënyra të ndryshme”, u shpreh Kadare.

Më tutje ai u shpreh se vetë grumbullimi i sotëm do të thotë se megjithatë shqiptarët kanë triumfuar.

‘Ne këtu, vetë grumbullimi jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor, dhe nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heq dorë për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë, pra është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor, i kësaj bote ku jetojmë’, tha Kadare duke shtuar mes tjerash se nuk ka nderim më të madh për një intelektual shqiptar sesa kjo që e përjetoi ai sot.

Ndërkaq, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptar, Ismail Kadare, ka qëndruar këto dy ditë në Prishtinë ku edhe ishte i pranishëm në hapjen edicionit të 23-të të Panairit të Librit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Evropës: Kosova është mishërim i vlerave evropiane



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Evropës.

Përmes një komunikate ajo është shprehur se Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Në vijim mesazhi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Evropës:

Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot.

Në këtë kohë përcaktuese, Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit. Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian.

Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave. E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i palëkundur, sepse vendosmëria jonë për demokraci, paqe, të drejta të njeriut e sundim të ligjit, mbetet poashtu e palëkundur. / KultPlus.com

Presidentja Osmani, u prit në takim nga kryetari i Rajonit të Kalabrisë, Occhiutto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj.

Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.

“Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm.

Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

“Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë.

Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë.

“Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha presidentja Osmani. / KultPlus.com



Presidentja Osmani ka takuar të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar se veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie.

Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës.

Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar Sarrazin dhe Einger për angazhimin e Gjermanisë dhe Austrisë për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka theksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë do të vazhdojë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dekretoi 21 prokurorë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot 21 prokurorë me mandat fillestar për tre vite, ndërkohë që të njëjtit do të sistemohen në prokuroritë themelore.

Në ceremoninë e betimit, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazinë dhe besimin qytetar.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ftoi prokurorët e rinj që të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pandikuar dhe profesional.

Ndërkaq prokurorët e rinj janë betuar se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale. / KultPlus.com