Zana Hoxha sjell “Gratë e Trojës”, premiera më 5 nëntor

Teatri Dodona në bashkëpunim me Qendrën për Art dhe Komunitet, me datë 5 dhe 6 nëntor do të sjellin para publikut shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke filluar nga ora 19:30.

Kjo shfaqje, e cila është e bazuar në veprën e Euripidit, kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e kthyer luftën e Trojës në një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore—një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit.

“Ky produksion, i zhvilluar gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërthur talentin e 15 artistëve të teatrit nga Kosova dhe Serbia, duke rrënjosur motërzimin artistik dhe aktivist në përvojën e mbi 15 vjet shkëmbimesh dhe rrjetëzimesh të frytshme ndërmjet Artpolis dhe artisteve nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Shfaqja do të vije me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitić, kurse teksti bashkëkohor është i shkruar nga Shpëtim Selmani.

Aktorët që do të luajnë janë Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.

Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve

Personazhet e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës nuk janë thjesht figura të një tragjedie të lashtë, por mishërimi i vuajtjeve të grave të sotme në zona lufte, të cilat mbajnë mbi supe peshën e humbjeve të paimagjinueshme.

“Ashtu si ato, gratë sot vazhdojnë të humbasin familjet, shtëpitë dhe dinjitetin, të shpërngulura e të pambrojtura në një botë që shpesh i sheh thjesht si plaçkë lufte. Ato përballen çdo ditë me mizorinë, dhunën dhe pabarazinë, ndërsa shpresojnë për një të ardhme ku zërat e tyre të dëgjohen dhe vuajtjet e tyre të mos mbeten në heshtje. Kjo përsëritje i tragjedisë na kujton se lufta nuk përfundon me armët, por mbetet e gjallë në shpirtin e atyre që mbijetojnë dhe që kërkojnë drejtësi mes rrënojave”, thuhet tutje në njoftim.

“Gratë e Trojës” është zhvilluar dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në kuadër të projektit “Humanrightivism”, implementuar nga CDF, Bashkimi Evropian, UNFPA, MKRS dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet të Artpolis janë Teatri Dodona dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Serbi)./KultPlus.com

Vjosa Osmani dhe ministri Maqedonci vizitojnë Ekspozitën dhe Konferencën Globale për Sigurinë Kombëtare dhe Sigurinë Publike në Qatar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar Ekspozitën dhe Konferencën Globale për Sigurinë Kombëtare dhe Sigurinë Publike, Milipol Qatar.

Osmani ka shkruar se njo ngjarje shquhet për prezantimin e produkteve.

“Kjo ngjarje shquhet për prezantimin e produkteve dhe shërbimeve më të reja inovative dhe mbulon të gjitha fushat e sigurisë publike dhe industriale”, ka shkruar presidentja Osmani./KultPlus.com

Flamenko, kinematografi, arkitekturë, gastronomi e shumë të tjera, në Javën Kulturore Spanjolle

Më të bukurat e kulturës spanjolle do të vijnë në vendin tonë nga datat 1 deri më 7 nëntor. Java Kulturore Spanjolle do të ofrojë flamenko, ekspozita, kinematografi, dokumentare, ekspozita mbi arkitekturën, workshop me kampion botëror në bodybuilding duke premtuar një atmosferë sa argëtuese, aq edhe edukative.

Aktivitetet e shumta nisin me ekspozitën “Arkitektura emblematike në Spanjën Bashkëkohore”, që do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 nëntor në Galerinë FAB, në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kjo ekspozitë që tregon arkitekturën e realizuar në Spanjë në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të, ofron vizionin e një vendi që po avancon dhe ofron propozime të reja arkitektonike me vepra nga arkitektë të njohur ndërkombëtare.

Data 2 nëntor, i është rezervuar një workshop-i që do të mësoje teknikat e fotografisë. “Teknikat fotografike për komunikimin arkitektonik” nga dr. Ricardo Santonja, një artist vizual, fotograf dhe profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës në Madrid, do të mbahet në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Kurse për të gjithë ata që duan të ndihen si në Spanjë, më datë 4 nëntor, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, do të organizohet koncerti “Bienvenidos a flamenca” nga Rocio Garrido, fituese e çmimit “kërcimtarja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar la Union 2023”, festivali më prestigjioz kushtuar flamenkos në Spanjë. Një formë arti i gjallë dhe shumë ekspresiv me origjinë nga Andaluzia në Spanjën jugore, Flamengo që përfshin muzikën, kërcimin dhe këndimin dhe muzikën, premton një mbrëmje të mrekullueshme.

Më 5 nëntor, në Akademinë e Filmit Marubi në Tiranë do të shfaqet dokumentari “Summers el rebelde” nga dr. Miguel Olid Suero. Ndërsa në datën 6, në të njëjtin destinacion, në Akademinë e Filmit “Marubi”, Suero do të zhvillojë një masterclass dhe një konferencë për shtyp mbi temën “Censura në kinematografinë spanjolle: procesi i përpunimit të një dokumentari”.

Për të gjithë të pasionuarit pas sportit, në nëntor, në sallën “Tonin Harapi” tek Liceu Artistik, do të kenë mundësi që të ndjekin një masterclass nga kampioni spanjoll i botës në Fitnes, Miguel Seijo. Të rinjtë do të marrin leksione dhe këshilla për një jetesë sa më sportive, të tregojnë përkushtim, të stërviten dhe të mbajnë një dietë të shëndetshme për një trup të bukur. Miguel do të flasë edhe mbi sfidat dhe arritjet e tij si sportist, duke inkurajuar të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të zhvillojnë zakone të mira për një trup të shëndetshëm.

Në Javën Kulturore Spanjolle nuk kishte si të mungonte degustimi i gastronomisë apo verërave, aq të njohura në të gjithë botën për larminë dhe cilësinë e tyre.

Java Kulturore Spanjolle do të pasohet nga ajo e Malit të Zi, që premton aktivitete të shumta kulturore e gjithëpërfshirëse./atsh/KultPlus.com

Françeska

Poezi e shkruar nga Ezra Pound

Ti dole jashtë prej natës
dhe kishte lule n’duert e tua,
tash ke me dalë jashtë prej nji turme konfuze,
jashtë nji trazine fjalësh rreth teje.
Unë që t’kam pa mes gjanave ma t’randësishme
u zemërova kur ata e përmendën emnin tand
në vende të zakonshme.
Kisha dashtë që valët e ftohta në mendjen time t’lundronin,
dhe që bota të thahej si nji gjethe e vdekun,
ose t’ish si farat e asaj lules që t’zhdukej me nji t’fryme,
që me mujt me t’gjetë sërish,
të vetme.

Përktheu: Orjela Stafasani /KultPlus.com

UEFA ndan një miliard euro për zhvillimin e futbollit të femrave

UEFA do të ndajë 1 miliard euro për gjashtë vjetët e ardhshëm, për investimin dhe zhvillimin e futbollit të femrave. 

Kështu ka njoftuar të mërkurën Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). 

Paratë do të shkojnë te klubet e përfaqësueset, dhe do të përdoren në garat e senioreve e të rejave, për ta arritur numrin e 5 mijë futbollisteve në gjashtë ligat profesionale në Evropë deri në vitin 2030. 

“Futbolli evropian i femrave nuk ka qenë asnjëherë në pozitë më të mirë”, ka thënë drejtoresha menaxhuese e UEFA-s për futbollin e femrave, Nadine Kessler, shkruan “Reuters” të mërkurën.

Nga kjo strategji e re e UEFA-s do të përfitojë edhe Federata e Futbollit e Kosovës./ KultPlus.com

‘Përrallë nga e kaluara’ dhe ‘Gjeneral Gramafoni’ shfaqen në Kinemanë ABC me rastin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë,  Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sot ka filluar me shfaqjen e katër filmave historik shqiptar, në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.

Sonte janë shfaqur filmat “Përrallë nga e kaluara”, dhe “Gjeneral Gramafoni”, përderisa nesër pritet të shfaqen filmat  “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”.

Në sallën e mbushur plotë adhurues të filmit shqiptar, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se kjo datë e shënuar përfaqëson sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

“Sot jemi mbledhur të kalojmë një mbrëmje të bukur, në prag të festave të ditës së Flamurit tonë kombëtar, po nga ana tjetër për të kujtuar dhe nderuar 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Një ditë historike që përfaqëson sakrificat dhe përkushtimin e madh të popullit shqiptar, për lirinë dhe pavarësinë e tij, dhe ky përvjetor është një mundësi e artë për të parë jo vetëm historinë tonë të lavdishme, por edhe artin dhe kinemanë që e kanë përjetësuar atë me aq pasion dhe aq mjeshtëri”, ka thënë ambasadori Malaj.

Ambasadori Malaj më tej ka thënë se filmat të cilët shfaqen me rastin e 80-të vjetorit të Shqipërisë paraqesin realitete në të cilat ka kaluar populli shqiptar.

“Arti thotë të vërteta por ndryshe nga filozofia, historia etj. Arti ka një tjetër gjë jo aq të drejtpërdrejtë se sa të tërthortë, është gjuha e tij, nënkuptimi, ajo që fshihet pas një fjale, pas një ngjarje, pas një fati. Alegoria, metafora, simboli janë ato që e krijojnë shumë kuptimësinë në art. Ato që nga konkretja e prekshmja dhe e përsëritshmja kalohen tek e përgjithshmja, abstraktja dhe e papërsëritshmja”, ka shtuar ambasadori.

Për filmin e cili do të shfaqej pas pak “Përrallë nga e kaluara”, ambasadori Malaj ka thënë se përmes karaktereve të tij dhe skenave të papërsëritshme ai kapërcen kohën duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive dhe një simbol i përhershëm i shpirtit shqiptar.

Ky film i realizuar në vitin 1987, me regji të Dhimitër Anagnostit vazhdon të jetë një ikonë e kinematografisë shqiptare, i cili ofron një pasqyrë të thellë të jetës patriarkale dhe zakoneve të tradicionale të shoqërisë shqiptare.

“Një djalë i detyruar të martohej në moshë të re dhe një vajze të zgjuar që vë në lojë gjithë një fshat për të drejtën e saj, për dashurinë e saj të jetës. Anagnosti ka ndërtuar një vepër që shfaq me elegancë kontradiktat dhe anët komike të kësaj shoqërie ndërthurur me sfidat e jetës së grave të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Malaj.

Ndërsa, filmi tjetër i cili u shfaq i dyti me radhë, “Gjeneral Gramafoni”, është një film që sjellë një pasqyrë të pasur të identitetit kulturor e kombëtarë, duke e shpërfaqur edhe rolin që muzika dhe kultura kanë luajtur gjithmonë në jetën e shqiptarëve.

“”Gjeneral Gramafoni” nga regjisori Viktor Gjika trajton temën e patriotizimit të rezistencës dhe përpjekjes për të ruajtur vlerat kombëtare përmes artit edhe kur kushtet janë të vështira nën presionin për depërtim kulturor të Italisë fashiste, përmes karaktereve të muzikantëve të interpretuar me mjeshtëri nga Bujar Lako, Kadri Roshi dhe grupi i aktorëve të tjerë që janë aty. Përcillet një mesazh i forcës shpirtërore dhe i qëndresës së popullit shqiptarë për të asimiluar muzikën e tyre”, ka thënë ambasadori Malaj duke i ftuar të gjithë të shijojnë filmat.

“Le të jetë ky një moment nderimi për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtyre veprave të të çmuara por edhe një përkujtim për vlerat dhe saktificat e brezave që u përkushtuan për Shqipërinë e lirë”.

Nesër do të vazhdojë shfaqja e filmave “Lulëkuqet mbi mure” (18:00) dhe “Radiostacioni”(20:00) , në kinemanë ABC./ KultPlus.com

Hapet konkursi mbarëkombëtar i poezisë ‘KultStrofa’, një edicion tjetër për poetët shqiptarë

KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka thënë se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.

Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa”.

*Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Thirrja mbetet e hapur deri më 14 nëntor 2024 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e shtatë./ KultPlus.com

Arka e Noes gjendet në hartën 3 000-vjeçare prej guri

Shkencëtarët kanë deshifruar hartën më të vjetër në botë dhe ata besojnë se ajo mund t’i çojë ata në vendndodhjen e Arkës së Noes, sipas nypost.com.

Artefakti babilonas 3 000-vjeçar i ka habitur arkeologët për shekuj, por në javët e fundit, ekspertët kanë zbuluar kuptimin.

Pllaka balte u zbulua në Lindjen e Mesme përpara se të blihej nga Muzeu Britanik në 1882.

Që nga gjetja e tyre, ekspertët janë përpjekur të deshifrojnë se çfarë mund të nënkuptojnë simbolet e ngjashme me hartën e gdhendura në artefakt.

Ato kanë disa paragrafë kuneiformi në anën e pasme dhe sipër diagramit të hartës që përshkruan krijimin e Tokës dhe atë që ekzistonte përtej saj.

Gdhendjet janë quajtur ”Imago Mundi” nga shkencëtarët që thonë se tregon Mesopotaminë e Lashtë, e njohur tani si Iraku i sotëm, i rrethuar nga “Lumi i hidhur”.

Por pas më shumë se një muaji analizimi të simboleve në këto pllaka, studiuesit besojnë se ato janë referenca të qarta për tregimet në Bibël.

Ata pretendojnë se pjesa e pasme e artefaktit vepron si një çelës sekret për t’u treguar udhëtarëve rrugën që do të marrin dhe çfarë duhet të kenë kujdes gjatë rrugës.

Në një pasazh thuhet se thotë se ata që janë në udhëtim duhet të kalojnë “shtatë lega për të parë diçka që është e trashë si një enë parsiktu”.

Fjala “parsiktu” ka për qëllim të ndihmojë në shpjegimin e madhësisë së një anijeje të nevojshme për t’i mbijetuar Përmbytjes së Madhe, bazuar në shkrimet e tjera të lashta babilonase.

Një pasazh tjetër besohet se tregon një rrugë dhe udhëzime për të shkuar në “Urartu”, një vend që besohet të jetë ku një burrë dhe familja e tij zbarkuan një arkë gjigante që ata bënë, sipas poemave të lashta të Mesopotamisë – më shpesh të referuara si Arka e Noes.

Urartu, i njohur gjithashtu si Ararat, është në majën e një mali në Turqi dhe studiuesit thonë se thuhet se është vendi ku u ul arka pas përmbytjes 150-ditore.

Kjo tregon se historia ishte e njëjtë, dhe sigurisht që njëra çoi në tjetrën, por gjithashtu, se nga këndvështrimi babilonas, kjo ishte një çështje e vërtetë.

Historia biblike e Arkës së Noes ndjek nga afër versionin babilonas. Në versionin babilonas, perëndia Ea dërgoi një përmbytje në Tokë për të shkatërruar të gjithë njerëzimin me përjashtim të një familjeje.

Utnapishtim ndërtoi një arkë të madhe pasi u urdhërua dhe e mbushi me kafshë.

Gjashtë muajt që pasuan kishin përmbytje të tmerrshme që vetëm Utnapishtimi, familja e tij dhe të gjitha kafshët në arkë mbijetuan.

Me përfundimin e përmbytjeve, ata u vendosën në mënyrë të sigurtë në një nga majat e Urartu./ KultPlus.com

Screenshot

Rritet numri i viktimave në Spanjë, qeveria shpall 3 ditë zie

Ka shkuar në 72 numri i viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve. Mediat vendase bëjnë të ditur se disa persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë në të gjithë Spanjën jugore dhe lindore.

Ekipet e shpëtimit janë penguar nga linjat e rrëzuara të energjisë që kanë ndërprerë energjinë elektrike, si dhe rrjetet telefonike dhe rrugët e përmbytura që mbeten të pakalueshme.

Qeveria spanjolle ka shpallur tre ditë zie, duke filluar nga nesër, u tha gazetarëve Ángel Victor Torres, ministri përgjegjës për politikën territoriale.

Agjencia e motit paralajmëron për reshje të forta shiu në verilindje të Spanjës dhe në pjesë të Spanjës jugore.

Kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, u shpreh i gatshëm t’i ofrojë Spanjës çfarëdo ndihme që mund të jetë e nevojshme.

“Qeveria portugeze shpreh ngushëllimet e saj më të forta për numrin e madh të viktimave të përmbytjeve në Spanjë, tregon solidaritet me të gjithë popullin spanjoll dhe qeverinë dhe vihet në dispozicion për të gjithë ndihmën e nevojshme”, tha ai në mediat sociale.

Përmbytjet e sotme raportohet se kanë qenë më të këqijat që kanë prekur Spanjën që nga viti 1996. Në atë kohë, 87 njerëz vdiqën kur shiu i rrëmbyeshëm goditi një zonë në një qytet në malet e Pirenejve./ KultPlus.com

”Luftë” gjermano-turke për qebapin e famshëm, ndërhyn Komisioni Evropian

Një ”luftë” ushqimore është në qendër të diskutimeve në Gjermani, sipas BBC.

Kërkesa e qeverisë turke që qebapi të njihet si një specialitet turk, ushqimi i preferuar i të gjithëve gjatë natës, është temë kryesore e diskutimit në Gjermani për momentin.

Nëse ka një gjë që i bashkon berlinezët, është oreksi për qebap.

Punonjësit e zyrave në kërkim të një dreke të shpejtë, fëmijë që ktheheshin në shtëpi nga shkolla apo ata që argëtohen gjatë natës vonë, të gjithë ndalojnë rregullisht në një nga dyqanet e shumta të qebapeve të qytetit.

Ajo që josh berlinezët e uritur është mishi i viçit i fërkuar me erëza, i gatuar në hell, i prerë hollë dhe i grumbulluar në pite me sallatë krokante, shpesh të lyer me salcë kosi të mbushur me hudhër.

Është një shije gjermane për qebapin tradicional turk – i njëjti mish i shërbyer në një pjatë me oriz dhe sallatë.

Megjithatë, edhe pse në Berlin ka më shumë se 1 000 dyqane të tillë, së shpejti ato mund të ndalohet të shesin qebap nën atë emër.

Në një aplikim të fundit në Komisionin Evropian, qeveria turke kërkoi që qebapi të njihet si një specialitet turk, i cili lindi dhe u zhvillua në atë që është Turqia e sotme.

Kjo do t’i jepte të njëjtin status si pica napolitane e Italisë ose proshuta Serrano e Spanjës.

Vetëm qebapët që u përmbahen kritereve strikte mund të quhen qebap, edhe pse versioni berlinez nuk do ta kalonte provën.

Ministria Federale e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë (BMIL) ishte një nga 11 organizatat që parashtroi një kundërshtim.

“Ne kemi marrë parasysh aplikimin nga Turqia me njëfarë habie”, tha një zëdhënës.

”Qebapi është pjesë e Gjermanisë dhe shumëllojshmëria e metodave të përgatitjes së tij pasqyron diversitetin e vendit tonë – kjo duhet të ruhet”, vazhdoi ai.

”Në interes të ‘tifozëve’ të shumtë në Gjermani, ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë që qebapi të mbetet ashtu siç përgatitet”, theksoi ai.

Versioni berlinez i qebapit lindi në fillim të viteve 1970, sipas ”Visit Berlin”.

Dy burra pretendojnë krijimin e tij: Mehmet Aygun dhe Kadir Nurman ishin të dy pjesë e valës së “punëtorëve mysafirë” turq që ndihmuan në nxitjen e bumit ekonomik të Gjermanisë pas luftës.

Ata morën qebapin klasik turk dhe e kthyen në një sanduiç të lehtë për t’u ngrënë që tani është një forcë ekonomike më vete.

”Ky sanduiç vlerësohet të gjenerojë shitje vjetore prej rreth 2,3 miliardë euro vetëm në Gjermani dhe 3,5 miliardë euro në të gjithë Evropën”, sipas Shoqatës së Prodhuesve Turq të Doner me qendër në Berlin.

Çmimi i arsyeshëm e ka bërë atë një mjet edhe për pikë politike.

Në fillim të këtij viti partia e majtë gjermane ”Die Linke” i kërkoi qeverisë të prezantojë një kufi të çmimit Dönerpreisbremse, por ajo nuk pranoi.

Komisioni Evropian i ka udhëzuar qeveritë turke dhe gjermane që të angazhohen në bisedime për të gjetur një kompromis, por pasojat e çdo marrëveshjeje ka të ngjarë të ndihen në të gjithë botën, ku qebapi është bërë një nga eksportet më të njohura të Turqisë./ KultPlus.com

Themeluesi i TikTok-ut kryeson listën e më të pasurve të vendit

Themeluesi i TikTok-ut, Zhang Yiming kryeson tani listën e më të pasurve të Kinës, për herë të parë, sipas revistës ”Hurun”, me qendër në Shangai, e cila vlerëson pasurinë e tij në 49,3 miliardë dollarë.

”Zhang, 41 vjeç, i përket brezit të ri të biznesmenëve kinezë, të cilët janë më të fokusuar ndërkombëtarisht se paraardhësit e tyre”, sipas ”Hurun”.

Pronari i TikTok-ut, ByteDance, i themeluar gjithashtu nga Zhang, rriti qarkullimin global me 30% vitin e kaluar.

TikTok – i njohur si Douyin në Kinë – ka 200 milionë përdorues vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Zhong Shanshan dorëzoi vendin e tij të parë në listën e të pasurve për herë të parë në tre vjet.

Pasuria e 70-vjeçarit prej 47,9 miliardë dollarësh, e bazuar pjesërisht në markën e ujit në shishe ”Nongfu Spring”, e vendosi atë në vendin e dytë.

Themeluesi i ”Tencent”, Ma Huateng ishte në vendin e tretë me pasurinë e tij prej 44,4 miliardë dollarësh.

Sipas ”Hurun”, numri i miliarderëve kinezë në dollarë ra vitin e kaluar me 142 në 753. \

Pika më e lartë u arrit në vitin 2021, kur ishin 1 185.

Rënia i atribuohet ekonomisë së mbetur të Kinës dhe performancës së dobët të tregut të aksioneve./ KultPlus.com

Adams: Detyrimet ndaj atdheut nuk mbarojnë gjatë gjithë jetës tonë, duhet të bëjmë gjithçka mundemi

John Adams (30 tetor 1735 – 4 korrik 1826) ishte jurist, autor, burrë shteti dhe diplomat amerikan. Ai shërbeu si Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara (1797-1801), Zëvendëspresident i parë (1789-97), dhe si një nga Baballarët Themelues ishte një udhëheqës i pavarësisë amerikane nga Britania e Madhe. Adams ishte një teoricien politik në epokën e Iluminizmit që promovoi republikanizmin dhe një qeveri të fortë qendrore. Idetë e tij krijuese janë botuar shpesh. Ai ishte gjithashtu një mbajtës ditari dhe korrespondent i përkushtuar, veçanërisht me gruan dhe këshilltaren e tij kryesore Abigail, shkruan KultPlus.

Ai bashkëpunoi me kushëririn e tij, udhëheqësin revolucionar Samuel Adams, por ai krijoi rëndësinë e tij para Revolucionit Amerikan. Pas masakrës së Bostonit, pavarësisht ndjenjave të ashpëra lokale anti-britanike, ai i bëri një mbrojtje të suksesshme ligjore edhe pse jo popullore, ushtarëve të akuzuar britanikë, i shtyrë nga përkushtimi i tij për të drejtën për avokat dhe “mbrojtjen e pafajësisë”. Si një delegat nga Massachusetts në Kongresin Kontinental, Adams luajti një rol kryesor në bindjen e Kongresit për të shpallur pavarësinë. Ai ndihmoi Tomas Xheferson në hartimin e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776, dhe ishte shtytësi kryesor i saj në Kongres. Si diplomat në Evropë, ai ndihmoi të negociojë marrëveshjen eventuale paqësore me Britaninë e Madhe, dhe mori kredi vitale qeveritare nga bankierët në Amsterdam. Adams ishte autori kryesor i Kushtetutës së Massachusetts në vitin 1780, e cila ndikoi teorinë politike amerikane, ashtu si edhe punimi i tij i mëparshëm “Mendime mbi qeverisjen” (1776).

Gjatë shumë letërkëmbimeve Adams ka lënë një sërë thëniesh me shumë vlerë. Sot po e sjellim njërën nga to e cila është gjithmonë e vlefshme:

“Detyrimet ndaj atdheut nuk mbarojnë gjatë gjithë jetës tonë. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi”. /KultPlus.com

‘Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë’

Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma.

Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:

“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”

“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”

“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”

“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com

Jeff Bezos: Mediat kanë humbur besueshmërinë

Nga Jeff Bezos

Në sondazhet e përvitshme publike mbi besimin dhe reputacionin, gazetarët dhe mediat kanë rënë rregullisht afër fundit, shpesh pak mbi Kongresin. Por në sondazhin e Gallup të këtij viti, kemi arritur të biem poshtë Kongresit. Profesioni ynë, tani është më pak i besuari nga të gjithë. Diçka që po bëjmë duket qartë që nuk funksionon.

Më lejoni të bëj një analogji. Makinat e votimit duhet të plotësojnë dy kërkesa. Ato duhet të numërojnë votat me saktësi dhe njerëzit duhet të besojnë se ato i numërojnë votat me saktësi. Kërkesa e dytë është po aq e rëndësishme sa e para.

Po kështu me gazetat. Ne duhet të jemi të saktë dhe duhet të besojmë se jemi të saktë. Është një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur, por po dështojmë në kërkesën e dytë. Shumica e njerëzve besojnë se media është e njëanshme. Kushdo që nuk e sheh këtë po i kushton pak vëmendje realitetit dhe ata që luftojnë realitetin, zakonisht humbasin.

Realiteti është një kampion i pamposhtur. Do të ishte e kollajtë të fajësonim të tjerët për rënien tonë të gjatë dhe të vazhdueshme të besueshmërisë (dhe, rrjedhimisht, rënien e ndikimit), por mentaliteti i viktimës nuk do të ndihmojë. Ankesa nuk është strategji. Ne duhet të punojmë më shumë për të kontrolluar atë që mund të kontrollojmë, me qëllim që të rrisim besueshmërinë tonë.

Mbështetjet e kandidatëve presidencialë nuk bëjnë asgjë për të anuar peshoren e zgjedhjeve. Asnjë votues i pavendosur në Pensilvani nuk do të thotë: “Unë do të shkoj pas mbështetjes së Gazetës Filan”. Asnjë. Ajo që mbështetjet presidenciale bëjnë në të vërtetë, është të krijojnë një perceptim të njëanshmërisë. Një perceptim i mospavarësisë. Ne duam t’u japim fund, dhe ky është një vendim parimor dhe është i duhuri. Eugene Meyer, botues i The Washington Post nga viti 1933 deri në 1946, mendoi të njëjtën gjë dhe kishte të drejtë. Në vetvete, refuzimi për të mbështetur kandidatët presidencialë nuk mjafton për të na çuar shumë lart në shkallën e besimit, por është një hap kuptimplotë në drejtimin e duhur. Do të doja ta kishim bërë ndryshimin më herët, në një moment më larg zgjedhjeve dhe emocioneve që i rrethojnë.

Ky ishte planifikim i papërshtatshëm, dhe jo ndonjë strategji e qëllimshme.

Dua gjithashtu të jem i qartë, se në këtë vendim nuk ka asnjë lloj quid pro quo-je. As fushata dhe as kandidati nuk janë konsultuar apo informuar në asnjë nivel apo në asnjë mënyrë për këtë vendim. Është bërë tërësisht nga brenda. Dave Limp, shefi ekzekutiv i një prej kompanive të mia, Blue Origin, u takua me ish-presidentin Donald Trump në ditën kur ne bëmë njoftimin.

Unë psherëtiva kur e mora vesh, sepse e dija se do t’u jepte municion atyre që do të donin ta cilësonin këtë si diçka, që vetëm vendim parimor nuk ishte. Por fakti është se unë nuk kisha dijen i më parë për takimin. Edhe Limp nuk dinte gjë paraprakisht; takimi u caktua shpejt e shpejt atë mëngjes. Nuk ka asnjë lidhje midis tij dhe vendimit tonë për mbështetjet presidenciale, dhe çdo sugjerim ndryshe është i rremë.

Kur bëhet fjalë për shfaqjen e konfliktit, unë nuk jam një pronar ideal për The Washington Post. Çdo ditë, diku, ndonjë drejtues i Amazon ose i Blue Origin apo dikush nga filantropitë dhe kompanitë e tjera që unë zotëroj ose investoj, po takohen me zyrtarë qeveritarë. Një herë kam shkruar se The Washington Post është një faktor “kompleksues” për mua. Është, por me sa duket edhe unë jam një faktor kompleksues për The Post.

Ju mund t’i shihni pasurinë dhe interesat e mia të biznesit si një mburojë kundër frikësimit, ose mund t’i shihni ato si një rrjet interesash konfliktuale. Vetëm parimet e mia mund ta kthejnë ekuilibrin nga njëri këndvështrim, te tjetri. Ju siguroj se pikëpamjet e mia këtu janë, në fakt, parimore dhe besoj se historia ime si pronar i The Washington Post që nga viti 2013 e mbështet këtë. Sigurisht, ju jeni të lirë të vendosni vetë, por unë ju sfidoj të gjeni një rast në ato 11 vjet ku unë kam penguar këdo në The Washington Post, në favor të interesave të mia. Nuk ka ndodhur.

Mungesa e besueshmërisë nuk është unike për The Washington Post. Gazetat simotra kanë të njëjtin problem. Dhe është një problem jo vetëm për median, por edhe për vendin. Shumë njerëz po u drejtohen podkasteve të hapura, postimeve të pasakta të mediave sociale dhe burimeve të tjera të paverifikuara të lajmeve, të cilat mund të përhapin shpejt dezinformata dhe të thellojnë përçarjen. Washington Post dhe New York Times fitojnë çmime, por gjithnjë e më shumë ne flasim vetëm me një elitë të caktuar. Gjithnjë e më shumë flasim me veten. (Nuk ka qenë gjithmonë kështu – në vitet 1990 ne arritëm të penetrojmë në 80 përqind të familjeve në zonën e Uashingtonit).

Ndërkohë që unë nuk shtyj dhe nuk do të shtyj interesat e mia personale, nga ana tjetër nuk do të lejoj që kjo gazetë të ecë me autopilot dhe të humbasë në irrelevancë – e kapërcyer nga podkastet e pabazuara dhe marrinat e mediave sociale. Është shumë e rëndësishme.

Tani më shumë se kurrë, bota ka nevojë për një zë të besueshëm, të pavarur dhe ku mund të lindë më mirë ai zë, se sa në kryeqytetin e vendit më të rëndësishëm në botë? Për të fituar këtë luftë, do të na duhet të ushtrojmë muskuj të rinj. Disa ndryshime do të jenë një kthim në të kaluarën, dhe disa do të jenë shpikje të reja. Kritikat do të jenë pjesë e çdo gjëje të re, sigurisht. Kjo është rruga e botës. Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë, por do ia vlejë. Jam shumë mirënjohës që jam pjesë e kësaj përpjekjeje. Shumë nga gazetarët më të mirë që do të gjeni kudo punojnë në The Washington Post dhe punojnë me shumë mundim çdo ditë për të arritur tek e vërteta. Ata meritojnë të besohen.

Jeff Bezos është pronar i të përditshmes amerikane “The Washington Post / The Washington Post/ KultPlus.com

NBA dhuron spektakël

Golden State rikthehet te fitorja në NBA, pasi mposhti 124-106 Neë Orleans. Vendimtar për ekipin e Warriors, ku mungoi Stephen Curry, ishte stoli, nga ku erdhën 51 pikë. Për miqtë, dyshja Ingram-Williamson realizoi 61 pikë, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

Fitorja e dytë radhazi për Denver, që triumfoi 144-139 në fushën e Brooklyn pas kohës shtesë, në një ndeshje spektakolare. Nikola Jokic realizoi një “triple double”, me 29 pikë, 18 rebound e 16 asist, teksa të gjithë titullarët e Denver realizuan mbi 12 pikë.

Jashtë fushe fiton edhe ekipi i Dallas, që mundi 120-114 Minnesota. Për miqtë shkëlqeu Kyrie Irving, autor i 35 pikëve, ndjekur nga Doncic me 24. Më i miri në parket ishte Edwards, gjithsesi 37 pikët e tij nuk i mjaftuan Minnesotas.

Ekipi i Sacramento, falë 28 pikëve e 11 rebound të Sabonis, mundi 113-86 Utah Jazz, me këta të fundit që nuk kanë asnjë fitore në NBA këtë sezon. Double-double i Sabonis me 28 pikë e 11 rebaund i dhanë fitoren Sacramentos që regjistroi suksesin e dytë radhazi./Klan News/ KultPlus.com

Qeveria miraton projekt-buxhetin 3 miliardë e 608 milionë euro për vitin 2025

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-buxhetin për vitin 2025, që do të kap vlerën prej 3 miliardë e 608 milionë euro.

Kryeministri Albin Kurti tha se krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, ka rritje për rreth 300 milionë euro apo 8.87 përqind.

Kurt shtoi se miratimin e këtij projekt-buxheti po shënojnë rekord historik si qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe miraton katër buxhete vjetore.

“Ky buxhet është për të gjithë, ashtu siç ështe edhe qeverisja jonë. Ky do të jetë buxheti i katërt për këtë mandat, por i pari për mandatin që na pret”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë me dije edhe se ku do të shkojnë këto mjete.

Nga ky buxhet, Kurti tha 961.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik, duke përfshirë edhe rritjen e pagave që prezantuan në konferencën e djeshme.

“Tek kategoria mallra dhe shërbime kemi planifikuar që 105 milionë euro ti ndjamë për nevojat e shëndetësisë. 87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevoja të sigurisë e të mbrojtjes që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që Policia e ushtria ti kryejnë detyrat me efikasitet të plotë”, shtoi Kurti9.

100 milionë euro tjera tha se janë buxhetuar për mbulimin e rritjes së pensioneve.

“Për pensionistët tanë kemi buxhetuar edhe 100 milionë euro tjera shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20 përqind. 60 milionë euro të tjera janë shtuar tek skema e shtesave për fëmijë për të mbuluar rritjen e shtesave që e bëmë para tre muajsh”, shtoi Kurti.

Për investimet kapitale në infrastrukturë, Kurti tha se janë ndarë 930 milionë euro që do të shkojnë në rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave, rruga Prizren Tetovë, hekurudha që lidhë me Portin e Durrësit, por edhe lidhja e aeroportit me hekurudhë e linjë të trenit.

“Investimet do ti vazhdojmë edhe në pjesën veriore të vendit”, tha tutje Kurti.

Rritje tha se ka edhe buxheti për mbrojtje.

“Edhe buxhetin për mbrojtje e kemi rritur. Për vitin 2025, që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 përqind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro”, tha Kurti.

Ndërkohë, buxheti i komunave do të jetë 788 milionë euro.

“Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komunat. Me gjithsej 788 milionë euro, komunat do të kenë mbi 240 milionë euro më shumë mbështetje se që kishin para se ne ta merrnim mandatin. Për komunat do të ketë edhe mbështjetje shtesë përmes grantit të performancës”, ka shtuar Kurti. /Express/ KultPlus.com

Baleti shqiptar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” rivihet në skenën e TKOB

Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit është rivënë në skenë legjenda e Gjergj Elez Alisë.

“Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” u soll në natën e saj të parë nga balerinët Kevin Lila, Adela Muçollari, Ervis Koçeku, Anxhelo Muçollari, Lurdi Dodgjini, Ambra Troplini dhe Eltion Merja, ndërsa në natën e saj të dytë, interpretuan edhe Odeta Dishnica, Dion Gjinika, Elda Logo etj.

Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” është një nga ato vepra që i kanë rezistuar kohës. Baleti mban firmat e kolosëve: kompozitorit Feim Ibrahimi, të Ismail Kadaresë që shkroi libretin dhe të baletmaestros Agro Aliaj.

Libreti bazohet mbi rrëfenjat e Eposit të Kreshnikëve, duke përcjellë bëmat e heroit, dashurinë e përpjekjet për atdheun e sakrificat për njerëzit e dashur.

Legjenda nis me Gjergjin që dergjet në shtat prej 9 vjetësh nga plagët e marra dhe përfundon me duelin e famshëm me bajlozin. Ndonëse me nëntë plagë në trup, Gjergji e vret atë, por edhe vetë mbyll sytë përgjithmonë nga plaga e dhjetë që ka marrë.

Për herë të parë në skenën shqiptare baleti u shfaq në 30 mars të vitit 1986 me dirigjim nga Rifat Teqja dhe në atë kohë Gjergj Elez Alia u interpretua nga Ilir Kerni, Llaqi Nako dhe Arben Kuçaj, ndërsa personazhi tjetër kryesor, Dardina u interpretua nga Albana Sulejmani dhe Julika Islami.

Pas vitit 1986, vepra e cilësuar si një nga baletet më të bukur shqiptarë, është rikthyer shumë herë të tjera në skenë./atsh/KultPlus.com

Shqipëria kryeson me rritjen e turizmit në Europë

Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, në të cilën konfirmohet se Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e parapandemisë dhe e dyta në botë pas Katarit.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e parapandemisë”.

“9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë”, tha Rama.

Një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar. Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e parapandemisë.

Kjo nuk është hera e parë që UN Tourism, si organizata më e madhe botërore e turizmit, “certifikon” arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri, pasi edhe për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në raport me popullsinë.

Në muajin prill, Organizata Botërore e Turizmit mbajti për herë të parë një event të nivelit të lartë në Tiranë, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën, ku u prezantua gjithashtu edhe botimi “Doing Business in Tourism – Investing in Albania”, një botim i përbashkët i UN Tourism dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kushtuar investimeve në turizëm.

Sipas barometrit të UN Tourism, Evropa dhe Amerika rikuperuan 99% dhe 97% të flukseve ndërkombëtare të turistëve krahasuar me periudhën para pandemisë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Azia dhe Paqësori kanë treguar nivele më të ulëta rikuperimi, me 82% të niveleve të vitit 2019./atsh/KultPlus.com

“Fausti” si rimishërim i njeriut modern, në ArTurbina

Trupa e Teatrit Kombëtar solli mbrëmjen e djeshme, premierën e “Faustit”, me regjinë e Davide Iodice.

“Fausti” erdhi tek ArTurbina përmes interpretimit të aktorëve: Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Indrit Çobani, Hervin Çuli, Niada Saliasi, Ina Gjonçi, Krist Lleshi, Gert Ferra, Genti Deçka.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti do të jetojë mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Regjisori Davide Iodice ka realizuar edhe bashkëpunime të tjera me artistët shqiptarë, siç ishte drama “Vizita”, me të cilën teatri “Migjeni” fitoi Çmimin e Medias, në MESS Festival. Iodice ka marrë përsipër veç regjisë së “Faustit” edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet.

Kjo vepër ishte një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar dhe Sardegna Teatro të cilët patën mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Qyteteve

Sot është Dita Botërore e Qyteteve dhe tema e këtij viti është: Të rinjtë Drejtues për Klimën dhe Veprimet Lokale për Qytetet e 2024-ës.

Qytetet parashikohet të strehojnë 70% të popullsisë së botës deri në vitin 2050, duke u përballur me sfida të paprecedentë në kontekstin e ndryshimeve klimatike. Deri në vitin 2030, rreth 60% e njerëzve do të jetojnë në zona urbane, me deri në 60% të banorëve urbanë nën 18 vjeç.

Pavarësisht progresit drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, qytetet, veçanërisht në Jugun Global, vazhdojnë të përballen me varfërinë, pabarazinë dhe degradimi i mjedisit, që kërkon veprim urgjent.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen urbane për të shfrytëzuar kreativitetin e tyre dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm. Dita Botërore e Qyteteve 2024 synon të shfaqë rolin vendimtar të qeverive lokale dhe të rinjve në adresimin e sfidave të klimës urbane.

Iniciativat ndërkombëtare si Pakti për të Ardhmen dhe Deklarata për Gjeneratat e Ardhshme synojnë t’i japin përparësi zërave të të rinjve në formësimin e mjediseve të qëndrueshme urbane.

OKB propozon krijimin e këshillave rinore, integrimin e përfaqësuesve të të rinjve në qeveritë vendore dhe mbajtjen e dialogut të vazhdueshëm midis të rinjve dhe politikëbërësve. Këto përpjekje synojnë të krijojnë qytete që janë jo vetëm të qëndrueshme dhe elastike, por edhe reflektuese të zërave dhe nevojave të ndryshme të banorëve, si në të tashmen, ashtu edhe në të ardhmen./atsh/KultPlus.com

Zbulohen portrete e figura shenjtorësh në kishën e Kepit të Rodonit

Gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shna Ndout, në Kepin e Rodonit, kanë dalë në dritë portrete dhe figura shenjtorësh.

Lajmi bëhet i ditur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Punimet konsistuan në konsolidimin e shtresave përgatitore dhe pelikulit piktorik, pastrimin nga mbivëniet me gëlqere dhe llaç, pastrimin nga kripërat si dhe zëvendësimin e bordurimeve dhe stukimeve të vjetra.

Piktura murale e kësaj kishe bashkë me atë të Kishës së Shëlbuemit në Rubik ishin në fokusin e programit të EU4Culture, gjatë këtij viti, për restaurimin e veprave të artit ndërsa ndërhyrjet u realizuan nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit, në IKTK, kanë mbikëqyrur nga afër ecurinë e këtyre punimeve.

Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit është monument i trashëgimisë kulturore me një arkitekturë romaniko-gotike e shekullit XIV./atsh/KultPlus.com

Gjendet pas 200 vitesh dorëshkrimi i Chopin

Gjendet pas 200 vitesh një dorëshkrim i panjohur i Chopin. Bëhet fjalë për një valz, në La Minor dhe mendohet se është shkruar mes 1830-1835. Kur kompozitori polak ishte rreth 20-vjeçar.

Zbulimi i jashtëzakonshëm është në Morgan Library and Museum në New York, dhe është gjetur në një kasafortë rastësisht nga kuratori muzikor Robinson McClellan. I pluhurosur e i vjetëruar.

Dorëshkrimi më pas është studjuar nga një grup specialistësh të cilët deklarojnë të bindur tashmë nga analizimet se bëhet fjalë për një vepër të re që qëndronte e mbyllur prej 2 shekujsh tashmë, dhe i shtohet trashëgimisë botërore që ka lënë pas një ndër kompozitorët më madhështorë të muzikës klasike, i cili u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare në Paris./tvklan/KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i pestë i “Peja Jazz Festival”

Edicioni i 5-të i “Peja Jazz Festival” do të nis sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, duke shënuar fillimin e një programi të pasur muzikor që do të zgjasë deri më 3 nëntor. Ky festival do të mbledhë emra të shquar të muzikës xhaz nga e gjithë bota, duke ofruar një përvojë kulturore dhe artistike për qytetin e Pejës dhe për të gjithë adhuruesit e muzikës xhaz.

Nata e parë e festivalit do të hapet me një performancë nga artistja ndërkombëtare Laura Prince. E lindur nga prindër me prejardhje nga Togo dhe Franca, Laura është vokaliste dhe kompozitore me një stil autentik dhe prekës, që reflekton rrënjët e saj të thella kulturore. Përformanca e saj do të shoqërohet nga pianisti Julian Caetano, i cili njihet për interpretimin e tij të ndjeshëm në skenën e xhazit.

Muzika e Laurës prek tema universale si frikërat e fëmijërisë, zemërthyerjet, dhe lidhjet kulturore, duke krijuar një atmosferë intime dhe reflektuese për publikun. Julian, që në moshë të re ka kultivuar dashurinë për muzikën dhe xhazin, do të sjellë një performancë të sofistikuar dhe harmonike, e cila pasuron më tej përvojën e festivalit.

Peja Jazz Festival 2024 synon të jetë një platformë për promovimin e xhazit dhe bashkëpunimeve ndërkulturore, duke prezantuar artistë me zëra të veçantë dhe duke shpalosur emocione muzikore. Përgjatë katër netëve të ardhshme, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një gamë të gjerë interpretimesh që do të përfshijnë tingujt e instrumenteve të veçanta dhe ritme nga kultura të ndryshme.

Edicioni i 5-të i Peja Jazz është duke u realizuar me mbështetjen e Anibar, Kinema Jusuf Gërvalla, Ambasada e Japonisë në Kosovë, Ipko Telecommunications, Ministria e Rinisë, Kulturës, dhe Sportit, Bashkimi Europian, Ambasada e Hungarisë në Kosovë, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez, London Taxi, Baker Tilly, Agrocoop and Deep Yellow./KultPlus.com

Vdes etnografja dhe koleksionistja e njohur, Parashqevi Sahatçi

Berati humbi një figurë të shquar, historianen e koleksionisten Parashqevi Sahatçi (Salepi), të cilën kryebashkiaku Ervin Demo e quajti “Zonjën e Fotografisë”.

Dashuria për qytetin e saj, Beratin, i ngjizi Parashqevisë edhe pasionin për fotografinë, duke përjetësuar me shkrepjet e aparatit dhe koleksionin e saj të fotove, ngjarje të jetës shoqërore, politike dhe kulturore.

Kryetari i bashkisë, Ervin Demo tha se, falë koleksionit të pasur të Mjeshtres së Madhe Parashqevi Sahatçi dhe publikimeve, kemi sot një album të pasur të kujtesës historike të qytetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ervin Demo i shprehu ngushëllimet familjes, për humbjen e njeriut të dashur si dhe nderime për veprën e saj të përjetshme.

Në Berat, mësuese Parashqevi Sahatçi, njihej si mësuesja e dashur për breza me radhë, të cilët i edukoi në qytetin e “një mbi një dritareve”. Përveç titullit “Mjeshtër i Madh” që e mori nga presidenti Bujar Nishani, ajo ishte vlerësuar që në 1979 me titullin: “Naim Frashëri” si historiane dhe etnografe dhe në vitin 1990 është vlerësuar me “Medalje për shërbime shtetërore dhe shoqërore”./atsh/KultPlus.com