Komedia franceze në ArTurbina

Teatri Kombëtar do të sjellë në ArTurbina komedinë “La Baby-sitter” i shkrimtarit francez Rene De Obaldia.

Komedia është parashikuar të shfaqet 4 herë, në datat 2,3,4 dhe 5 shkurt.

“La Baby Sitter”, është një komedi ngacmuese, ku trajtohet problemi universal i marrëdhënieve në çift. Jeta me të gjithë vështirësitë dhe problemet e saj, si pakuptuar, na bën të harrojmë atë që është më esenciale në marrëdhëniet bashkëshortore, dashurinë.

Regjisori i veprës është i mirënjohuri Vasjan Lami, i cili ka bërë bashkë aktorët Luiza Xhuvani, Genci Fuga dhe Andia Xhunga.

Autori i veprës, Rene de Obaldia, ishte nje poet, romancier dhe dramaturg i lindur në 1918, në Hong Kong por i rritur në Paris.

Ai e filloi karrierën e tij si dramaturg në 1960-ën, i influencuar nga surrealizmi dhe teatri i absurdit. Për 50 vjet ishte një nga dramaturgët francezë që janë vënë më shumë në skenat botërore. Veprat e tij janë përkthyer në 28 gjuhë të ndryshme. Në vitin 1999, u bë pjesë e Akademisë Franceze, ndërsa në 2022 u nda nga jeta në moshën 104-vjeçare.

Komedia që do sjellë Vasjan Lami, rrëfen jetën bashkëshortore të Elvirës dhe Franklinit, pas 13 vjetësh martesë, kur shkëndijat e dashurisë ka kohë që janë fashitur. Futja në skenë e një dadoje, do të bëjë që marrëdhënia e tyre të pësojë një “shkundje”. /atsh / KultPlus.com

Komedia “Edmond” rikthen publikun artdashës në ArTurbina

Teatri Kombëtar riktheu publikun artdashës në skenë pas një mungese të gjatë që shkaktoi pandemia. Në ArTurbina u vu në skenë komedia “Edmond”, e autorit Alexis Michalik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foto nga kjo komedi teksa u shpreh se “ishte emocion i veçantë të shihje skenën me aktorë e sallën me publik, të dëgjoje duartrokitje, të qeshura me humorin e këndshëm e karakteret pikante të “Edmond”.

“Mos e humbni shfaqjen e Teatrit Kombëtar, në sallën e ArTurbinës, me regji të Indrit Çobanit e Andia Xhungës”, tha Margariti. Ministrja e vlerësoj shfaqjen si frymëmarrje për artin shqiptar.

Një histori argëtuese, me nota komike dhe dramatike, që tregon se si Edmond Rostand, krijoi një nga kryeveprat botërore të letërsisë dhe artit skenik, “Cyrano de Bergerac”.

Një histori e jashtëzakonshme, ku e ardhmja e Edmondit, vihet në provën e kohës. Për dy javë duhet të krijojë veprën më të bukur të jetës, për të shpëtuar nga dështimi dhe mjerimi. Në qindra pengesat që ka përpara, ku më e madhja është mungesa e subjektit të duhur, Edmondi ka vetëm një zgjidhje; të hedhë në letër një ngjarje rastësore që nisi si histori dashurie e mikut të tij të ngushtë dhe përfundoi si vepra më e susksesshme e Teatrit.

Kjo histori e pabesueshme, e treguar me vargjet e Siranoit dhe me prozën e Mishalik e  aktorëve Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re, që ishte surpriza tjetër e shfaqjes, Ilirda Bejleri. / KultPlus.com