Në kushtet e emergjencës Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër ka filluar punën për restaurimin e çatisë së banesës “Karaulli” në qendrën historike të qytetit.
DRTK bën të ditur se çatia e kësaj banese ka pasur probleme serioze me një pjesë të konsiderueshme të saj dhe rrezikonte nga degradimi i mëtejshëm.
Dëmtimet që ky objekt ka pasur ishin komplekse, duke filluar nga trarë dhe mahi të thyer, petavër të kalbur dhe spreth të dëmtuar.
Punimet restauruese DRTK-ja po i kryen në bashkëpunim me pronarët e objektit, që mundësuan ndërhyrjen e menjëhershme në banesën “Karaulli”./atsh/KultPlus.com
“Turi i Kullave’’, vjen për herë të parë si një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky tur, ku çdo turisti do t’i jepet mundësia për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.
Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.
Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./atsh/KultPlus.com
Muzeu “Besa”, me projektin nga Oppenheim Architecture, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Honour Award of Excellence” nga Instituti Amerikan i Arkitetktëve (AIA) në Miami.
Lajmin e bëri të ditur, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja teksa ndau në rrjete sociale, pamje nga Muzeu “Besa”.
“Vlerësimi me çmimin prestigjoz e vendos Muzeun “Besa”, në radhët e klasifikimeve më të larta në botën e arkitekturës”, tha ministri.
Oppenheim Architecture janë kujdesur që në çdo element të dizenjuar të pasqyrohet “Besa” në vetvete dhe traditat e vyera të transmetuara brez pas brezi, duke u ofruar të gjithëve një pasqyrë të artë të shqiptarisë.
Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me faqen e lavdishme të historisë së shqiptarëve në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai do të ngrihet në godinën e njohur si “Shtëpia e Libohovitëve”, Monument Kulture i Kategorisë I, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve./atsh/KultPlus.com
Në ambientet e shtëpisë së Kadaresë në Tiranë, u promovua romani “Balada” i autorit Adrian Lesenciuc i cili qe i pranishëm bashkë me studiuesin Luan Topçiu, botuesin rumun Virgil Onița dhe të tjerë personalitete shqiptare e rumune, mes të cilëve zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil S. Tole, deputeti i Parlamentit të Rumanisë, z. Bogdan-Alin Stoica si dhe kryetari i ALAR Dr. Radu-Cosmin Săvulescu.
Ky roman i kushtohet tërësisht një figure shumë të rëndësishme dhe të dashur për shqiptarët, kompozitorit të himnit tonë kombëtar, Cipirian Porumbescut. Ai botohet në kuadër të një bashkëpunimi mes shtëpisë botuese “Onufri” dhe Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR).
Autori i romanit tha ndër të tjera se ndihej i nderuar për praninë e tij në Shqipëri dhe për faktin që ky roman e gjeti udhën e vet drejt lexuesit shqiptar. Po ashtu, rëndësia e ardhjes në shqip të këtij romani u veçua edhe nga Akademiku Tole që e quajti një ngjarje me rëndësi të veçantë.
Nga nesër, libri do të gjendet në të gjitha libraritë si dhe, patjetër, në Panairin e Librit të Tiranës që mbahet nga data 13-17 nëntor./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të projektit “Lufta kundër trafikimit të jashtëligjshëm të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor” nisi seminari 5-ditor për ngritjen e kapaciteteve për kategori të ndryshme të partnerëve kryesorë institucionalë në Shqipëri.
Projekti financohet nga Komisioni Evropian (DG NEAR/DG EAC) dhe i zbatuar nga UNESCO përmes Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Evropë (Venecia) dhe Antenës së saj në Sarajevë.
Projekti ka si objektiv kryesor të nxisë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore përmes trashëgimisë dhe kulturës, si parakushte thelbësore për përparimin në rrugën evropiane, dhe veçanërisht nxitjen e përafrimit të kuadrit ligjor kombëtar me atë të BE-së.
Në veçanti, projekti synon të promovojë dialogun, respektin e ndërsjellë, besimin dhe mirëkuptimin ndërkulturor midis komuniteteve, duke kontribuar në një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm./atsh/KultPlus.com
Java e Kulturës Amerikane është mbyllur me një ekspozitë mahnitëse mode dhe novacioni me stilisten e njohur Noor Bchara dhe studentët e talentuar nga Universiteti i Arteve, të cilët shfaqën krijimet e tyre unike nga veshje të ripërdorura.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, iu bashkuan shfaqjes dhe festimeve.
“Xhinset janë një simbol i pavarësisë, novacionit dhe ndonjëherë, i thyerjes së rregullave. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që do të shohim këtu këtë mbrëmje, në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të modës… Dhe ashtu siç e kam parë në takimet e muajve të fundit këtu në Shqipëri, energjia që kanë të rinjtë shqiptarë, krijimtaria që kanë, mendoj se do të shfaqen plotësisht”, tha VanHorn.
Nata ishte e mbushur me gëzim, muzikë dhe argëtim, duke përfshirë këndin e “Robotikës” nga Këndi Amerikan i Tiranës dhe një panair të vogël me gra sipërmarrëse vendase të mbështetura nga programet e Ambasadës së SHBA./atsh/KultPlus.com
E shikova “Pasqyrën e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”.
Lista ishte, përgjithësisht, skandaloze. Derisa e shihja, pyesja veten: si ka mundësi që nga të gjitha departamentet e Fakultetit të Filologjisë, ka kandidatë, vetëm nga Departamenti i Letërsisë Shqipe mungojnë? A është kjo edhe një dëshmi që çon ujë në mullirin e atyre që thonë se po s’pati profesorë të LDK-së, s’mund të ketë as kandidatë për ASHAK? E, për fatin e mirë të tyre, të gjithë profesorët e kësaj partie janë anëtarësuar në Akademi, kurse disa të rinj që janë aty ende s’e kanë arritur moshën e kandidaturës. (S’ka gjë që e komprometon më shumë këtë parti sesa ky institucion, prandaj nëse ndonjëherë duan të pastrohen, duhen t’ia nisin nga aty. Një qëndrim autokritik, është jetik për të).
A e dini që në Akademi kemi historianë idiotë, shkencëtarë sharlatanë, ekspertë të shakasë dhe foreve, artistë që s’i njeh as mahalla e tyre?
A e dini që ata që s’njihen kurrkund, përveç në parti, bëhen akademikë, kurse ata që njihen në botë, s’do të bëhen kurrë?
Para disa vitesh pata treguar dy shembuj: njërin, që as Putini s’i kishte lejuar anëtarët e partisë të bëhen akademikë; tjetrin, që një shtet në Ballkan, pasi e kishte anëtarësuar krejt llumin në Akademi, ishte kujtuar ta thërriste edhe poetin e vet më të njohur. Ai, poeti, duke pasur neveri nga ai batak “intelektualësh”, nuk kishte pranuar, dhe, pas pak vitesh kishte marrë një thirrje nga një Akademi tjetër për t’ia uruar marrjen e çmimit Nobel.
Meqenëse shumica në ASHAK janë aty pa kredite shkencore e artistike, mund të them se më të mirët e shkencës dhe artit i gjeni jashtë Akademisë.
Në gjuhën greke, Akademisë i thonë Akadhimia. Ndoshta edhe ne ashtu duhet t’i themi. A po e shihni që ambasadorja amerikane, zonja Jacobson, ka pasë të drejtë kur na pati porositur: “Mos e dhini punën!”/KultPlus.com
Më 30 tetor, në Shtëpinë e Kulturës “Kinoatelie”, promovohet monografia “Riprodhimi shoqëror me punë dhe kafe” i autores Liridona Sijarina.
RIPRODHIMI SHOQËROR ME PUNË DHE KAFE është monografi e autores Liridona Sijarina rreth punës dhe shoqërimit të grave fshatare para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Mbështetur në një studim që sjell rrëfime dhe teorizime të grave me prejardhje të ndryshme, kjo punë eksploron se si organizohen puna dhe ritualet shoqërore, dhe se si lufta dhe neoliberalizmi kanë ndikuar në përvojat e grave të moshuara duke i pozicionuar ato si subjekte periferike e jo të dobishme për tregun.
Gjatë promovimit, do të mbahet një diskutim mes Luljeta Demollit, Kaltrina Krasniqit, Bjeshkë Gurit dhe autores.
Liridona Sijarina është aktiviste feministe dhe doktorante në studime krahasuese gjinore (CEU), me master në studime kritike të gjinisë (CEU) dhe bachelor në shkenca politike (UP). Interesat e saj përfshijnë punën, gjininë, ndërmarrësinë, ruralitetin dhe zhvillimin./express/KultPlus.com
“Turi i Kullave”, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare nga një vështrim i panjohur më parë, hapi portat e kullave të gurta për të zbuluar trashëgiminë e pasur materiale, shpirtërore e kulturore të luginës së Matit.
Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.
Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.
Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se ky tur është një mundësi për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, që e bën më interesante ofertën gjithpërfshirëse të aktiviteteve që operatorët turistikë ofrojnë.
Gjithashtu, theksoi ministrja, ky tur vjen edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se së shpejti, turi i kullave do të jetë gjithashtu pjesë e aplikacionit të agroturizmit.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./tema/KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët, uroi sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkrimtarin e njohur arbëresh, Karmine Abate, i cili sot feston 70-vjetorin e lindjes.
Karmine Abate, një ndër shkrimtarët më të njohur të Italisë së dy dhjetëvjeçarëve të fundit, lindi më 1954 në katundin arbëresh Karfici, në Kalabri. Pas diplomimit për letërsi në Universitetin e Barit ai u zhvendos në Hamburg, të Gjermanisë, ku i ati kishte emigruar më herët. Këtu mori jetë edhe krijimtaria e tij letrare me publikimet e para në gjininë e tregimeve, poezive dhe publicistikës.
Në vitin 1984, doli libri i tij i parë me tregime i shkruar në gjuhën gjermane “Den Koffer und weg!”, mbi emigrimin, historinë dhe jetën e një komuniteti kalabrez dhe emigrantëve të tij.
Në vitin 1991, u publikua romani i tij i parë “Vallja rrethore”, i cili u pasua nga “Muri i mureve” (1993), “Midis dy deteve” (2002), “Festa e kthimit” (2004). Librat e tij paraqesin mozaikun e jetës dhe mendësive arbëreshe përmes rrëfimit të autorit nën petkun e personazheve të veçantë e karakteristikë, si në romanin “Motoçikleta e Skënderbeut” botuar në vitin 1990, apo te “Mozaiku i motit të madh”, në vitin 2006. Libri i fundit i dalë nga botimi “Il cercatore di luce” (Kërkuesi i dritës) është një histori familjare intensive që ndërthuret me historinë artistike të piktorit të madh, Xhovani Segantini (Giovanni Segantini).
Krijimtaria e Karmine Abates, ka njohur sukses të madh në Itali, por gjithashtu është përkthyer në shumë vende të botës dhe është vlerësuar nga kritika me disa çmime letrare. / KultPlus.com
Nis sot një ngjarje e rëndësishme e artit figurativ, tradita e përvitshme e mbledhjes së piktorëve në Koloninë Ndërkombëtare “Ditët e Mios”.
Bashkë me vjeshtën, çdo vit në Korçë vijnë dhe piktorët me shpirtin e tyre krijues. Ky aktivitet ka hyrë në edicionin e tij të 14-të që zhvillohet nga 24 deri më 27 tetor.
Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve “Ditët e Mios” është një nga aktivitetet më të spikatura që revokojnë jo vetëm traditën e arteve figurative por krijojnë edhe ura bashkëpunimi dhe komunikimi midis artistëve nga e gjithë bota. Tashmë është bërë traditë që piktorët e ftuar në këtë aktivitet, përveç se të njihen me kolegët e tyre vendas, njihen gjithashtu me pikat turistike të Korçës dhe traditat e këtij qyteti.
Në këtë edicion marrin pjesë 25 piktorë nga Polonia, Ukraina, Rumania, Maqedonia e Veriut, Greqia, Islanda, Korea e Jugut, Kina, Mali i zi, Turqia, Kosova, Serbia, Bullgaria dhe Shqipëria./ KultPlus.com
Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Klubin e Dramës, të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin të Tiranës, sollën mbrëmjen poetike “Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia” kushtuar At Gjergj Fishtës, një ndër përfaqësuesve më të spikatur të kulturës dhe letërsisë kombëtare, publicist antikonformist, atdhetar dhe klerik me vlera të rralla shpirtërore dhe intelektuale.
Mbrëmja u shoqërua nga tingujt e korit “Vox Iuvenum” në drejtimin e maestro Harlen Nikolli, si dhe interpretimet nga të rinjtë e Klubit të Dramës. Pjesëmarrës në aktivitet ishin figura të spikatura si Mark Marku, Persida Asllani, Atë Flavio Cavallini, Kastriot Gjika, Erenestina Gjergji Halili, akad. Gjovalin Shkurtaj, Kristaq Jorgo, Albi Lushi, baritoni Anduel Kovaçi, Kozeta Hoxha e shumë studiues të veprës së Fishtës dhe studentë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë.
Atë Gjergj Fishta është konsideruar si figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran të shqiptarëve./ KultPlus.com
Me përmbylljen e aktiviteteve të Javës Kulturore Amerikane, po përgatiten aktivitetet e Javës Austriake.
Java Kulturore Austriake nis më 26 tetor dhe vazhdon deri në 31 tetor, në një javë të mrekullueshme që feston artin dhe kulturën austriake. Ditët e fundit të tetorit do të sjellin një gamë të gjerë aktivitetesh për të gjitha shijet e publikut shqiptar dhe jo vetëm.
Publiku do të ketë mundësinë të shijojë filma, koncert për piano, performanca të Ansamblit të Gracit, prezantim librash, shfaqje teatrale, ligjërata frymëzuese dhe performanca të Body Music. Organizatorët ftojnë të mos i humbisni këto mundësi unike për të eksploruar kulturën austriake në të gjitha format e saj dhe për t’u bërë pjesë e kësaj jave të veçantë.
Aktivitetet e Javës Kulturore Austriake do të jenë të përqendruara në dy qytete: Tiranë e Shkodër./ KultPlus.com
Në freskinë e një vjeshte është bukur, të dridhet shpirti si gjethe mbi mollë – dhe të shohësh parmendën e diellit si çan sipërfaqen e lumit, ujin kaltror.
Është bukur të shkulësh nga trupi Gozhdën e nxehtë të një kënge dhe me fustan të bardhë festiv të presësh trokitje në derën tënde.
Unë mësoj me zemër, mësoj, të ruaj në sytë e mi lulen e egër të qershisë Vetëm vetpërmbajtja ndjenjat ngroh Kur një krisje e hollë gjoksin e gris.
Në heshtje kumbon kambanorja e yjeve, Për mëngjesin çdo gjethe është një qiri. S’do lejoj të futet në dhomën time askënd s’kam ndërmend t’i hap derën kujt assesi./ KultPlus.com
Në ceremoninë e çmimeve “At Gjergj Fishta” 2024, të mbajtur në Lezhë për të përkujtuar 153-vjetorin e lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar, u vlerësuan katër autorë të shquar për krijimtarinë e tyre.
Marash Mirashi u shpall fitues në kategorinë e prozës me romanin “Brirët”, Stefan Çapaliku triumfoi në poezi me vëllimin “Camera Obscura”.
Fatmir Toçi mori çmim për studime letrare me veprën “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”, ndërsa Rudolf Marku u nderua për përkthimin letrar me librin “Safo”.
Gjatë ceremonisë, të pranishmit përkujtuan figurën e At Gjergj Fishtës dhe nënvizuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e trashëgimisë kulturore në kohët moderne.
Përveç katër çmimeve kryesore, u ndanë edhe disa çmime për arritje dhe kontribute të veçanta: Ardi Murçllari, Life Hasa, Nikoll Njeçi, Liza Brunga dhe i ndjeri Dom Jak Zeka u nderuan për meritat e tyre të veçanta.
Kjo ngjarje, e kthyer tashmë në traditë, u organizua nga Bashkia Lezhë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, duke pasur si synim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare./Top Channel/ KultPlus.com
Është publikuar thirrja për pjesëmarrës në programin “OneBeat Balkans 2025“, me qëllim që të mblidhen muzikantë të rinj të moshës 19-35 vjeç, qytetarë të shteteve në vijim: Bosinia dhe Hercegovina, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe të ShBA-së.
Prej 11 Shukrt deri më 3 Mars 2025, ky grup muzikantësh do të luajë së bashku, do të krijojë muzikë të re, dhe do të udhëtojë nëpër Ballkan duke e shpërndarë frymën e bashkëpunimit, komunitetit, dhe barazisë.
OneBeat Balkans do t’i mbledh 12 muzikantë të angazhuar në shoqëri, të cilët së bashku do të prodhojnë muzikë dhe përmbajtje shumëdisiplinare, të udhëheqin punëtori publike, dhe ta përdorin artin si mjet pajtimi dhe zhvillimi ekonomik në pjesët e përçara të Ballkanit.
Programi zgjat nga 11 shkurt deri më 3 mars, 2025, dhe përfshin periudhën e rezidence muzikore në Prizren, e cila do të ndjeket nga një turne koncertesh në Prishtinë dhe Beograd. OneBeat Balkans është pjesë e projektit të gjërë global OneBeat, i krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si nismë e Byrosë për Edukim dhe Çështje Kulturore e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe prodhohet nga Bang on a Can’s Found Sound Nation.
OneBeat Balkan është inkubator muzikor, ku muzikantët nga e gjithë bota krijojnë projekte bashkëpunuese të dizajnuara për të pasur ndikim pozitiv në komunitetet lokale dhe globale. Me një numër të madh pjesmarrësish në të kaluarën, është krijuar hapësira që të organizohen programe OneBeat jashtë ShBA-së, dhe kështu filloi OneBeat Balkans. Edicioni i parë u mbajt në vitin 2019, i drejtuar nga Balkan Art Zone me ish-pjesmarrësin Bajram Kafu Kinolli si themelues i programit.
OneBeat Balkans 2025 do të fillojë me një rezidencë muzikore dyjavore në Prizeren, ku pPjesëmarrësit do të krijojnë muzikë origjinale, do të zhvillojnë ide të reja muzikore dhe projekte të kushtuara për komunitetet lokale. Rezidenca do të pasohet prej një turneu në qytete të Ballkanit, ku Pjesëmarrësit do të performojnë në koncerte, do të bashkëpunojnë dhe luajnë me muzikantë vendorë dhe do të drejtojnë punëtori me të rinj e të reja.
Thirrja është e hapur për muzikantë të moshës 19-35 vjeç, banorë të Bosnie dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe ShBA-së.
Është e rëndësishme të theksohet së edukimi formal muzikor nuk është i domosdoshëm për të aplikuar për OneBeat Balkan. Po ashtu, projekti nuk ka kufizime për nga zhanri: muzikantët që bëjnë muzikë tradicionale ose folklorike, hip hop, xhez, eksperimentale, elektronike a klasike, dizajnerë muzikorë dhe artistë multimedialë, të gjithë janë të ftuar të aplikojnë.
Çfarë duhet të dini për OneBeat Balkans:
Bashkëpunimi është qendror. OneBeat Balkans ua jep muzikantëve mundësinë të bashëpunojnë me projekte të reja dhe të gjurmojnë tradita të reja muzikore. Në vend se t’i tregojnë talentet individuale, muzikantët e OneBeat Balkans do të punojnë së bashku, nëpërmes ndasive kulturore, duke mësyrë mundësi të reja muzikore.
OneBeat Balkans është e angazhuar në shoqëri. Ata po kërkojnë muzikantë që janë të angazhuar në komunitetet e tyre dhe që kërkojnë mënyra të reja për t’u angazhuar në zhvillimin e rinisë, edukimin muzikor, terapinë muzikore, zgjidhjen e konflikteve, një dialog global përmes muzikës, dhe mënyra të tjera që çojnë drejt shoqërive më të barabarta dhe demokratike. OneBeat Balkans është program FALAS (por jo dhe koncert i paguar). Programi i OneBeat Balkans mbulon udhëtimin, transportimin, ushqimin dhe strehimin e Pjesëmarrësve. Ata po ashtu ofrojnë një bursë (shumë të hollash) modeste. Edhe pse nuk kanë mundësi të japin pagesa për performanca, OneBeat Balkans u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të krijuar material të ri, për të bërë shoqëri dhe ortakëri të përjetshme muzikore, për të mësuar shkathtësi të reja që kanë vlerë në treg, për të bërë turne nëpër Balkan, dhe për të vendosur lidhje të reja profesionale.
Materialet Audio/Video për aplikim:
Aplikantët duhet të planifikojnë për shkruar rreth prapavijës së tyre muzikore dhe interesat, si dhe projektet dhe qëllimet në të ardhmen. Aplikantëve do t’iu kërkohet t’i dorëzojnë 3-5 shembuj të punës së tyre vetjake apo bashkëpunuese (qoftë përmes audios ose videos).
Kriteret e vlerësimit:
Zotësia Muzikore – Niveli i lartë i performimit, kompozimit, improvizimit, prodhimit dhe/ose aftësisë teknologjike. Idealisht, muzikantët e OneBeat Balkanks duhet të jenë novatorë stilistikë, tekstualë, ose teknologjikë brenda botërave të tyre muzikore.
Bashkëpunimi – Gatishmëria e aplikantit/aplikantes për të kaluar përtej ndasive muzikore që të krijojë muzikë origjinale apo të riinterpretiojë e muzikën tradicionale, duke e respektuar thelbin e secilës traditë. Aplikantët duhet të jenë të gatshëm të provojnë gjëra të reja nga aspekti muzikor. Angazhimi shoqëror – Muzikantët që kanë përdorur muzikën për t’u shërbyer komuniteteve të tyre apo shoqërisë në përgjithësi. Kjo mund të përfshijë interesimin e të rinjve rreth edukimit muzikor, adresimin e çështjeve shoqërore apo politike përmes përmbajtjes muzikore, ringjalljen e traditave muzikore, dhe të tjera.
Mosha – Aplikantët duhet të jenë të moshës 19-35 vjeç.
Zotërimi i anglishtes – Aplikantët duhet të kenë aftësi të bisedojnë dhe të kuptojnë anglishten në nivelin bazik, meqenëse do të jetë gjuha e përbashkët e programit OneBeat Balkans.
Shteti ose Territori i Prejardhjes – Pjesëmarrësit e OneBeat Balkans duhet të jetojnë në njërin prej 8 shteteve ose territoreve të pranueshme: banorë të Bosnie dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe ShBA-së.
OneBeat Balkans është një program aleat i OneBeatSM, dhe është një nismë e Departamentit të Shtetit të ShBA-së – Zyrës për Çështje Arsimore dhe Kulturore. OneBeat Balkans prodhohet pavarësisht nga Balkan Art Zone, në bashkëpunim me Bang on a Can, dhe me mbështetje shtesë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd./ KultPlus.com
Sot, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, do të fillojë Festivali i Këngës së RTK-së, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Tashmë është bërë e ditur se juria përbëhet nga: Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Valbona Selimllari, miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore.
Në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës të RTK-së do të performojnë 16 artistë.
Festivali do të zgjasë tri ditë, më 24, 25 dhe 26 tetor 2024./ KultPlus.com
Sot kremtohet Dita e Kombeve të Bashkuara (#UNDay) dhe misioni i vazhdueshëm i OKB-së për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërtuar paqen.
Festimet e Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, këtë vit do të jenë pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe me këtë rast, një koncert i mrekullueshëm është planifikuar për mbrëmjen e sotme në kryeqytet.
Dita e Kombeve të Bashkuara festohet çdo vit më 24 tetor, duke shënuar miratimin e Statutit të OKB-së në vitin 1945, nga liderët botërorë në San Francisko. Ky moment thelbësor krijoi Kombet e Bashkuara, të cilat kanë për qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe parandalimin e konflikteve pas Luftës së Dytë Botërore. Statuti përcakton qëllimet dhe parimet themelore të OKB-së, duke u fokusuar në paqen, sigurinë dhe përparimin shoqëror.
“Në fund të fundit, gjithçka mbetet janë vlerat. Ne duam që bota që trashëgojnë fëmijët tanë të përkufizohet nga vlerat e mishëruara në Kartën e OKB-së: paqja, drejtësia, respekti, të drejtat e njeriut, toleranca dhe solidariteti”, deklaroi në këtë përvjetor, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Sot, OKB-ja ka 193 shtete anëtare, duke e bërë atë një nga organizatat ndërkombëtare më të mëdha. Çdo shtet anëtar përfaqësohet njëlloj në Asamblenë e Përgjithshme, duke nxitur perspektiva të ndryshme dhe vendimmarrje të përbashkët për çështje globale. Kjo përfshirje lejon OKB-në të përballojë sfidat urgjente si varfëria, pabarazia dhe ndryshimet klimatike në mënyrë efektive./ KultPlus.com
Sot, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, do të fillojë Festivali i Këngës së RTK-së, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
Të gjitha përgatitjet për festivalin janë bërë. Gjithçka është gati, duke filluar nga skena madhështore në Festivalin e Këngës të RTK-së, konkurrentët, orkestra dhe stafi përgjegjës.
Në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës të RTK-së do të performojnë 16 artistë.
Festivali do të zgjasë tri ditë, më 24, 25 dhe 26 tetor 2024./ KultPlus.com
Më 28 tetor, ditën e hënë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”) do të bëhet promovimi i librit “Amanete zemre” i autorit Enver Petrovci.
Për të folur rreth librit, përveç autorit, në panel do të jenë të pranishëm: Xhevat Limani – aktor dhe regjisor; Nysret Simnica – recensues; dhe Naser Rafuna – aktor dhe skenarist.
Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.
Libri “Amanete zemre” paraqet përsiatjet e autorit mbi përvojën jetësore në teatër dhe jo vetëm. Libri përbëhet nga dhjetë kapituj, përkatësisht tema, përmes të cilave autori shpërfaq përvojën e tij në formë artistike.
Promovimi i librit është një mundësi e mirë për takim e diskutim të afërt me autorin, si dhe, gjithashtu, ta merrni atë me nënshkrimin e autorit. / KultPlus.com
Të marteve, dal te pazari te Grandi, aty kur dikur protestonim, rraheshim, bërtitnim, pritnim pavarësinë, festonim pavarësinë. Dal të blej speca me plot ngjyra e forma të ndryshme, një copë pite të kallamojt me hitha, blej edhe një copë vidim, kështu i thotë shitësja, unë i them hotin, ashtu i thonë andej nga vij unë. Te pazari, njërëzit bisedojnë, me shitësit, në mes veti, u njohën, s‘u njohën, “a djegin specat?” , «sa, vezët e fshatit ?», “sa kohë e mirë, sot», Flasin për çmimet, për halle, për familje harrojnë politikën, urat, dialogun, përmendin pak luftën në Gaza, paguajnë qepët dhe patatet. Duan ta harrojnë luftën e ’99-së, mendojnë se çka do të gatuajnë për drekë, me perimet e blera. Me qese në dorë, ndalen për një kafe në shesh, jo larg një qeni të shtrirë në rrezet e diellit vjeshtor, afër një çiftit të ri që puthet. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Republika e Kosovës për këto 16 vite të ekzistimit të saj dhe 15 viteve të themelimit të Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të sundimit të ligjit.
Osmani në konferencën ndërkombëtare të organizuar në temën: “Evoluimet në drejtësinë kushtetuese bashkëkohore – shembulli i rajonit të Ballkanit”, tha se përvojat e gjykatave kushtetuese janë të mira për secilin gjyqtarë të në një rast të caktuar.
“Gjykata në Kosovë kanë dhënë një shembull mjaftë të mirë në sundim të ligjit. Themelimi i këtij forumi do të rrisë edhe më shume bashkëpunimin e gjykatave kushtetuese në mbrojtje dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Institucionet tona mbeten të angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave të njeriut”, tha Osmani, raporton RTKLive.
“Kushtetuta e shteteve tona janë kthesa të mëdha historike. Sfidat të gjykatave kushtetuese në Ballkanit po i diskutojmë këtu dhe po jam e lumtur që po bëhen në Prishtinë. Uroj që kjo ngjarje të identifikoi sfidat dhe të na inspiroj për bashkëpunim që forcon vlerat tona të përbashkëta”, tha Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është mikpritëse e Takimit të Dytë Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në cilësinë e njërës nga anëtaret themeluese dhe me të drejta të barabarta të këtij forumi profesional ndërkombëtar të drejtësisë kushtetuese.
Përvjetori i parë i themelimit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, shënohet përmes disa aktiviteteve.
Konferenca do të vijojë punimet me dy sesione, ku në mesin e folësve kryesor do të jenë kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, përfaqësuesit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, Komisionit të Venecias dhe Asociacionit Botëror të Juristëve.
Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i themeluar më 27 tetor të vitit 2023, bashkon Gjykatat Kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Turqisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut.
Ky forum profesional është themeluar me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese./RTK/ KultPlus.com
Ndërsa miliona amerikanë u drejtohen qendrave të votimit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, kërkon mbështetjen e votuesve të pavendosur në Pensilvani dhe republikani Donald Trump zhvillon tubime në shtetin e Xhorxhias.
Gati 25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Disa shtete amerikane mundësojnë votimin e hershëm.
Disa shtete, mes tyre Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.
“Votat e hedhura në Xhorxhia janë në nivele rekord”, tha republikani Trump gjatë një tubimi me temë fetare dhe zgjedhore në Zebulon të shtetit të Xhorxhias. “Votat e hedhura në çdo shtet janë në nivele rekord. Ne po ecim shumë mirë dhe shpresojmë se mund ta rregullojmë vendin tonë”.
Pjesëmarrja e fuqishme në votimet e hershme vjen pasi Nënpresidentja Harris dhe ish Presidenti Trump gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë në shtetet fushëbetejë ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Ditët e fundit, kandidati Trump është përpjekur të fitojë mbështetjen e rrymave fetare të krishtera, me shpresën që të lënë mënjanë shqetësimet e tyre lidhur me komentet tij të shpeshta plot ngjyrime.
Kandidati republikan, për cilin tubimet kanë qenë elementi kryesor i fushatave që nga vitit 2015, tha në Zebulon të Xhorxhias se ndihej i trishtuar që po i vjen fundi kohët së tij si politikan.
Nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump do të drejtojë vendin për katër vjet, në mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Pas qytetit Zebulon, zoti Trump zhvillon një tubim në Duluth të Xhorxhias i shoqëruar nga gazetari Tucker Carlson dhe ish kandidati i pavarur për president, Rober F. Kennedy Jr.
Nënpresidentja Harris zhvillon një tubim në Pensilvani në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur dhe ndryshuar ekuilibrin e garës së ngushtë, ku edhe një përqindje e vogël votash mund të jetë vendimtare.
Demokratja Harris i shfrytëzoi komentet e shefit të kabinetit të ish Presidentit Trump, John Kelly, i cili tha për gazetën New York Times se zoti Trump e plotëson “përkufizimin e përgjithshëm si fashist” dhe se i admironte diktatorët. Zonja Harris, e cila ka argumentuar se republikani Trump përbën kërcënim për demokracinë amerikane, i quajti komentet e zotit Trump të cituara nga zoti Kelly si “thellësisht shqetësuese dhe tepër të rrezikshme”.
Drejtuesit e fushatës së republikanit Trump i kanë hedhur poshtë komentet e zotit Kelly, duke i cilësuar ato si “histori të dala boje”.
Zonja Harris nuk arriti ta bindë zotin Trump për një debat të dytë presidencial të drejtuar nga rrjeti CNN, pasi ajo u cilësua si fituese e debatit të parë në shtator të organizuar nga rrjeti ABC News.
Pensilvania dhe Xhorxhia janë ndër shtetet që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Të dy kandidatët ka të ngjarë të zhvillojnë tubime të tjera në këto shtete para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtete vendimtare.
Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani, ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Diferenca në të dyja rastet ka qenë e ngushtë, me disa dhjetëra mijëra vota në një shtet me miliona votues. Ndërsa sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë./VOA/ KultPlus.com
“Në mundsh…” poezia e britanikut Rudyard Kipling është padyshim poezia më e famshme që ka rrokur interesimin e lexuesve në mbarë rruzullin.
Ajo është ndoshta poezia më e përkthyer dhe interesimi i saj ka qenë që nga tekst i plotë dhe i pjesshëm i disa këngëve të famshme, i disa interpretimeve skenike, filmave, gjithashtu dhe i skalitur me shkronja të arat në fasadat e institucioneve shtetëtore, etj.
Kjo poezi është shkruar në vitit 1895 dhe publikuar më 1910. Në kuptimsinë fillimore ajo duket si një letërkëshillë atërore e autorit për të birin. Por vetë Kipling ka pohuar se frymëzimi i tij poetik për këtë krijim ishte revolucionari, Leander Starr Jameson, i cili udhëheqi lëvizjen “Raid Jameson” në periudhën dhjetor 1895 – Janar 1896, kundër Republikës Transvaal për të përmbysur Qeverinë e Boer Paul Kruger.
Fatkeqësisht kjo lëvizje dështoi dhe ai e desh ta paguante shtrenjtë. Kujtojmë se Leander Starr Jameson i përkiste sërë së lartë londineze dhe karriera, prestigji, nderi dhe integriteti i tij do të dëmtoheshin seriozish.
Kjo poezi është një emblem e artit të periudhës viktoriane dhe piket e rëndësishme e poezis botërore. Për kërshërinë e lexuesit shqiptar ka ardhur me shqipërimin e më të mëdhenjve, Fan Noli, Vedat Kokona dhe shumë të tjerë, por më e parapëlqyera është ajo e Robert Shvarc.
Në mundsh
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh, sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur, e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh, madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur, me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim, të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh, dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë, t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh si në kumar, në një të vetme lojë, të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh, dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë, e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit, që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon… Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash, dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda me vepra që peshojnë dije dhe mos kij asnjë dyshim, se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda, dhe BURRË do të jesh, o biri im!