E ka parë kush Aurorën, motërzën time, vallë? Ajo është nusja ime, ndaj atë dua ta kem prapë. Ne po kërcenin bashkë. Pastaj erdhi murlani Dhe ma mori të ngratit. E pra unë e di se ç’pati: Ajo është e bukur tejet, Dhe gjithë prej ajri! Shtatin kaq latuar e flatrat kaq praruar Dhe në skaje flatrat sipër Plot me lajlelulexhingëlamingël! “”
Seç ia behu Aurora mu tek unë flakërimë, Qull e lagur, krahët thyer, e pafrymë. “Oh Zot!” thirri ngjethshëm, me ankth e drojë, “Ç’kohë janë, vallë, këto që ne jetojmë! Vetëm hidhërim dhe pikëllim miliona herë, Dhe frikë, dhe zemërim dhe vuajtje paprerë! Papritur në çast: Rashë në lum sakaq. Dhe po të mos ishte mrekullia vetë Pra, më s’do kishe dëgjuar për mua në kët jetë; Dhe unë nuk do të isha ulur më atje. – Çfarë mendoni se ka ndodhur, de?
Dy njerëzushë shumë të bukur pak të bardhë, sa unë kurrë nuk kam parë të tillë kaq të bardhë, U ngjitën deri në lum me mamanë e tyre krah për krahu bashkë.
Unë nuk e di si quheshin dhe kush ishin vallë. Në kokë në vend të flokëve ata kishin ar, Dhe gojë të vogël! – Gojë të vogël! Të thashë ty! Për gjiri! Dhe në sytë e tyre ata manushaqe kishin. – Papritmas, gruaja e bukur mua m’u vërvit zëçjerrë: “Ah, pa shihni atje në ujë,” bërtiti ajo, “kafsha e mjerë! Si përpëlitet dhe përplaset nëpër shtjellë Dhe me brirëthit lutet e kërkon ndihmesë! ”
Dhe djemtë e mirë kishin një fletë në duar E me të katra për tek unë u çapëluan Gati me një frymë. Ata mua më shtynë Dhe në breg me butësi edhe kujdes më nxorrën mua.”
“Dhe të ndriçoi ideja T’i falënderosh nga zemra?”
“Oh, nuk arrita dot ta shqiptoj falenderimin, do pranuar hapur: Në frikë dhe përshtjellim e pashë veten të kapur! ”
” E pra, kjo shihet qartë me sy! – Uluni për pak çaste Tek këto manushaqe Dhe thani kockat mirëfilli Nën këto rreze dielli. Më pas fluturojmë për në shtëpinë e njerëzve Dhe iu trokasim shpëtimtarëve të jetës tënde. Ty të pëlqen në gojët e tyre të vogla të shuash etjen. Por kryesorja, ata sytë e saj të manushaqtë I puth unë tashmë vetë, njëzet e katër herë pa ndarë. Ajo e ka merituar atë. Mos jini ziliqarë! “./KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese/restauruese në pikturën murale të Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik.
Falë programit të EU4Culture dhe punës së restauratores Edlira Çaushi dhe ekipit të saj, gjatë këtyre muajve u kryen punime konservuese/restauruese duke i dhënë një pamje tjetër të gjithë ambientit në pjesën lindore të kësaj kishe.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK mbikqyrën nga afër ecurinë e këtyre punimeve. Risi e ndërhyrjeve ishte zbulimi i fragmenteve të pikturës murale në faqet jugore dhe veriore duke plotësuar në mënyrë harmonike të gjithë bërthamën e kishës së vjetër.
Kisha e T’Shëlbuemit ose siç njihet ndryshe me emrin Kisha e Rubikut, është një ndër ikonat e krishtërimit shqiptar. Manastiri mesjetar benediktin është i pozicionuar në një vend të favorshëm, në një truall të dukshëm shkëmbor të një kthese natyrore të lumit Fan, mbi qytetin e Rubikut.
Historiografia ka njohur abacinë e T‘Shëlbuemit si dhe kishën famullitare me të njëjtin emër. Dikur françeskane, në qytetin e Rubikut dhe në rrethin e Lezhës si dhe historikisht pjesë e kësaj dioqeze, sot përfshihet në peshkopatën më të re atë të Rreshenit. Kisha e T‘Shëlbuemit qysh prej vitit 1166 e deri në vitin 1972, përmendet plot 34 herë. Kisha aktuale e Shpëtimtarit është njënefshe dhe fryt i disa fazave radikale të rindërtimit dhe restaurimit. Që nga fundi i shekullit XIX deri në vitet e para të këtij mijëvjeçari ndërhyrjet i kanë ndryshuar plotësisht pamjen origjinale ndërtesës./atsh/ KultPlus.com
• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?
• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.
• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.
• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.
• Pa letërsi, jeta është një ferr
• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë
• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.
• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.
• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë
• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…
• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.
• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë
• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.
• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!
• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.
• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.
• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.
• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.
• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.
• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.
• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.
• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!
• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.
• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.
• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.
• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com
Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”
Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!
Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,
Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë
Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.
Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë
Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,
Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,
Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…
Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës
Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,
Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,
Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.
Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë
Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,
Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:
E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!
Një copë truall nuk të linte për jetesë
As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,
Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:
Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!
Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë
Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,
Në trollin tënd ai të kishte si një halë,
Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!
Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,
Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,
Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,
Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!
“Kapedani”, një film ikonë e kinematografisë shqiptare mblodhi në festivalin TIFF dhjetëra dashamirës të artit dhe kulturës.
Për herë të parë në kuadër të këtij festivali u prezantua versioni i përmirësuar 4K i filmit “Kapedani”, në një ceremoni speciale, organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit si edhe nga TIFF. Gjatë ceremonisë u nderuan me Çmimin e Mirënjohjes grupi i krijuesve dhe aktorëve protagonistë të filmit: Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Albert Vërria, Nikolin Xhoja, Robert Ndrenika, Valbona Simixhiu, Ilia Terpini e Shyqyri Sako.
AQSHF ka falenderuar gjithë të pranishmit në këtë mbrëmje e veçanërisht familjet Vërria, Hoshafi, Fejzo e Xhoja që udhëtuan nga larg për të festuar edhe njëherë “Kapedanin” e për të nderuar kujtimin e të dashurve të tyre në këtë mbrëmje të bukur. Gjithashtu falenderime të veçanta pati për aktorin Robert Ndrenika, i pranishëm në sallë si dhe për Shyqyri Sako, familjarët e aktores Melpomeni Çobani dhe për skenaristin Skënder Plasari.
Filmi “Kapedani” është realizuar 52 vite më parë nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo.
Restaurimi i tij është një projekt i AQSHF-së, financuar nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes që u soll tek publiku me mbështetjen e Tirana International Film Festival në programin TIFF Classics. /atsh/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se Kulla e Tal Belit në Krelan të Gjakovës, “nga shkatërrimi në restaurim të tërësishëm”.
Sipas njoftimit të ministrit Hajrulla Çeku, punimet në këtë aset, që është shembull i kullave të fund të shek. XVIII, po zhvillohen duke i kushtuar rëndësi çdo detaji që të ruhen karakteristikat dalluese të saj, që janë një mori gurësh me mbishkrime dhe motive kryesisht gjeometrike.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi platformën “Salla e studimit online”, ku studiuesit mund të hulumtojnë dokumentet arkivore falas nga shtëpia në çdo orë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me të njëjtën procedurë dhe formë, si të ishin në sallën e studimit të DPA-së.
Në vazhdën e procesit të suksesshëm të dixhitalizimit të dokumenteve, DPA-ja u vjen në ndihmë studiuesve, duke e bërë lëndën arkivore lehtësisht të aksesueshme. Për dy muaj me radhë, bazuar në këtë platformë online të studimit, dosjet e porositura të dokumenteve do të mund të konsultohen falas.
Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, studiues, të rinj dhe studentë të shumtë, të cilët janë në fokus të nismave të njëpasnjëshme të DPA-së. Në fjalën e tij për mediet, Bido u shpreh se përmes kësaj risie, i ofrohet gjeneratës së re një mundësi për të shpënë përpara studimet albanologjike.
“Salla e studimit online mund të përdoret nga kushdo, kudo dhe në çfarëdo ore, si të ishte në sallën e studimit në DPA. Kjo besoj se na veçon në këtë drejtim në tentativën për t’u qasur te të rinjtë, të cilët janë pikërisht ata që do të çojnë përpara studimet albanologjike, duke u ofruar mundësi që të përparojnë në këtë fushë shumë të rëndësishme për kombin”, tha kreu i DPA-së.
Në fjalën e mbajtur, kryetarja e Kuvendit, Spiropali e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për studiuesit nga diaspora, për të ruajtur identitetin, kulturën dhe rrënjët shqiptare.
“Arkivat nuk janë vetëm një çështje e historisë për ne, por edhe një çështje identiteti, e kulturës dhe e rrënjëve tona. Më vjen shumë mirë që i keni dhënë këtë vëmendje studimit të historisë dhe uroj që kjo hapësirë të përdoret jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga të rinjtë, që duan të kuptojnë të shkuarën dhe të studiojnë më thellë. Është shumë i rëndësishëm edhe qasja që mund të kenë studiues nga diaspora, pasi tek ata malli dhe interesi për rrënjët është më i madh”, tha kryeparlamentarja.
Ndërmarrja e kësaj nisme u adresohet veçanërisht studentëve, të cilët krahas tarifave favorizuese për përftimin e burimeve bibliografike gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike, inkurajohen më tej për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Me rreth 19 milionë dokumente të dixhitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të dixhitalizuar në Europë.
Korpusi dokumentar i DPA-së është i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë, edhe falë çeljes së këndeve arkivore në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku materialet arkivore shërbehen njësoj si në sallën e studimit në Tiranë.
Jetësimi i projekteve novatore të DPA-së është rezultat i investimeve të qeverisë shqiptare. Në këtë vit që përkon me 75-vjetorin e saj të themelimit, DPA-ja është shndërruar në një kompleks të mirëfilltë kulturor.
Veprimtarisë së “Auditorium”-it, të kinemasë/teatrit veror me kapacitet prej 140 ulësesh dhe të hapësirës së studimit në natyrë, do t’i shtohet edhe muzeu arkivor, i cili paraqet një alternativë kulturore bashkëkohore, që pritet të hapë dyert së afërmi./atsh/ KultPlus.com
Të enjten, më 26 shtator 2024, në orën 11:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë promovohet libri i Sali Bashotës me titullin “Arti i bashkëbisedimit” – (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes).
Për librin do të flasin: Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Naime Beqiraj dhe Sali Bashota.
Botimi i librit është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Komuna e Fushë Kosovës.
Organizatorë të promovimit janë Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës dhe Botimet REA./ KultPlus.com
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend e cila njihet për origjinalitetin e saj dhe për sjelljen e brendeve ekskluzive ndërkombëtare.
EBC Cosmetics ka organizuar eventin për brendin Yves Saint Laurent më datë 13 Shtator ku nuk mungonte muzika, pijet, dhuratat dhe te ftuarit të cilët kanë qenë fytyra te njohura për publikun.
Për të gjitha blerjet e klientëve atë ditë, janë dhënë dhurata nga brendi Yves Saint Laurent, mini produkte të cilat konsiderohen të jenë artikujt më të shitur.
Këndin Yves Saint Laurent dhe produktet e këtij brendi mund ta vizitoni në dyqanin e EBC Cosmetics në qendrën tregtare Prishtina Mall në katin 1, dhe në EBC SHOP duke klikuar në këtë link.
Artistja britaniko-kosovare Lala Meredith Vula do të mbaj bashkëbisedim që do të mbahet të martën më 1 tetor në ora 17:00 në Hamamin e vjetër të Prishtinës, për të shënuar hapjen e një ekspozite të veprave të përzgjedhura nga seria e Lalës “Bathers”.
Fotografia e Lala Meredith Vula kapi momente nga mënyra e jetesës së njerëzve në këtë rajon në vitet 1980 dhe 1990. Përveç dokumentimit të raportimit të luftës dhe rezistencës, Shtëpia e Reportingut është gjithashtu krenare për të vënë në qendër artistët dhe fotografët, puna e të cilëve ndriçon jetën shoqërore të së kaluarës.
“Kjo seri fotografish është shumë prekëse për mua, sepse ishte një udhëtim që bëra me babanë tim dhe ai po ndante me mua dashurinë e tij për arkitekturën në vitet 1980 dhe 90. Ajo që pashë ishte entuziazmi dhe gëzimi i tij në arkitekturë. Ajo që kam përjetuar janë këto fotografi”, tha Meredith Vula.
Babai i Vulës ka punuar në institucionin e Kosovës për mbrojtjen e monumenteve në vitet 1970 dhe 1980 dhe është specializuar në ruajtjen e hamameve të vjetra. Ai e merrte vajzën e tij me vete në punë dhe në këtë mënyrë ajo përjetoi Hamamin e Prishtinës në vitet 1980. Kjo bëri që ajo të fillonte të fotografonte hamame nëpër rajon pasi Hamami i Prishtinës kishte rënë në përdorim. Gjatë hulumtimit të saj ajo gjeti një hamam të punës pranë kufirit shqiptar me Maqedoninë dhe i fotografoi këta larës të cilët sot janë kthyer në një hamam, siç e kanë përjetuar atëherë, katër dekada më parë.
“Bathers” merr temën e artistëve të shkelur mirë për një pamje të grave që lahen, e riprodhuar në piktura të panumërta klasike të pozuara. Lala e ka sfiduar tropikën me një kthesë moderne, spontane, instinktive.
“Në kërkimin tim, u përplasa në një botë të fshehur ëndrrash të qetësisë dhe pastërtisë, një vend i sigurt me bukuri misterioze. Këto fotografi i kushtohen shpresës dhe bukurisë që gjeta në mesin e këtyre grave”, tha Vula.
Biseda moderohet nga Jeta Xharra, producente e Reporting House dhe është e hapur për publikun Pyetje dhe Përgjigje.
Ekspozita është kuruar nga Gazmend Ejupi./ gazetaexpress/ KultPlus.com
Gjatë audiencës së përgjithshme këtë të mërkurë, Papa Françesku foli rreth figurës së djallit.
“Sot ne jemi dëshmitarë të një fenomeni të çuditshëm në lidhje me djallin. Në një nivel të caktuar kulturor, besohet se ai thjesht nuk ekziston. Do të ishte një simbol i pavetëdijes kolektive, ose i tjetërsimit, me pak fjalë, një metaforë”.
Ai vazhdoi, duke cituar Charles Baudelaire: “Por dinakëria më e madhe e djallit është t’i bëjë njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston, siç ka shkruar dikush”.
Megjithatë, Papa nënvizoi: “Bota jonë teknologjike është plot me magjistarë, okultizëm, spiritualizëm, astrologë, shitës faturash dhe amuletesh dhe për fat të keq sekte aktuale satanike. Dhe nëse je supersticioz, në mënyrë të pandërgjegjshme po flet me djallin. Nuk i flet djallit”.
“Pornografia në internet është vendi i djallit. Teknologjia moderne, përveç shumë burimeve pozitive që duhen vlerësuar, ofron edhe mjete të panumërta për t’i dhënë mundësi djallit, dhe shumë bien në të. Mendoni për pornografinë në internet, pas së cilës ka një treg të lulëzuar. Ne të gjithë e dimë, është djalli në këtë punë. Ky është një fenomen shumë i përhapur, nga i cili të krishterët duhet të ruhen me kujdes dhe të cilin ata duhet ta refuzojnë me forcë. Çdo telefon celular ka akses në këtë brutalitet”, shtoi Papa./ Top Channel/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në ShBA këtë javë, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë kësaj kohe, e para e vendit po zhvillon takime me liderë shtetesh e me aktorë të ndryshëm politikë në administratën Biden.
E sot, Osmani ka takuar ambasadorin Michael Carpenter, Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë.
“Mirënjohëse për takimin e radhës me Ambasadorin Michael Carpenter, Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, ku diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-ShBA në tejkalimin me sukses të sfidave të përbashkëta”, u shpreh presidentja Osmani në një postim në Facebook.
Në ditën e lindjes së saj autorja dhe gazetarja Lumnije Berisha ka promovuar librin e saj të tretë “Zëra Hibrid”, në ambientet e ngrohta dhe festive të KultPlus Caffe Gallery.
Libri “Zëra Hibrid”, i autores Berisha, i përket një zhanri shumë të veçantë të gazetarisë, i cili përmbledh 14 intervista të realizuara me personalitete të rëndësishme shqiptare që jetojnë në Kosovë, Shqipëri si dhe në Diasporë.
Përmes këtij libri autorja paraqet perspektivë të pasur të identitetit kombëtar dhe shoqëror shqiptar me personalitete të ndryshme, të cilët në një formë kanë dhënë kontributin e tyre në shoqëri dhe jetën publike në përgjithësi, si në fushat e kulturës, letërsisë, politikës, gazetarisë etj.
Të pranishëm në këtë ceremoni të dyfishtë festive ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Abërije Nagavci, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, profesori universitar Mazllum Baraliu si dhe shumë familjarë, miq dhe dashamirë të autores Berisha.
Ceremonia u udhëhoq nga moderuesja Vera Pelaj, e cila përveç fjalimit hyrës dha edhe disa detaje nga biografia dhe karriera e bujshme e autores në fjalë.
Ndërsa, recenzenti Pajazit Krasniqi ka thënë se autorja nga të intervistuarit ka arritur të nxjerr një kontrast të përhershëm ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, duke krijuar një mozaik nga jeta e mysafirëve të saj.
“Autorja ka kombinuar intervista nga personalitete të ndryshme duke krijuar një përshtypje te lexuesit dhe duke i bërë ata që të thellohen edhe më shumë në jetën e personaliteteve të ndryshme, që për herë të parë lexuesi mund t’i gjej në këtë libër. Autorja me mjeshtërinë e saj ka arritur që të nxjerr nga këto intervista profesionet e të intervistuarve para se ata të ushtronin një detyrë tjetër. Lumnije Berisha arrin që të nxjerr për lexuesit e saj jetën e një politikani, i cili para se të ishte politikan ai dikur ishte gazetar i shquar, apo një inxhinieri të pasionuar pas fotografisë.
Recenzenti Krasniqi më tej ka thënë se libri “Zëra Hibrid” paraqet një mundësi të shkëlqyer që lexuesi të zgjerojë horizontet e të thellohet në njohuri edhe më tej.
“Prandaj edhe mund të thuhet se motivet e përzgjedhura në libër mund të konsiderohen edhe si hibrid, në kuptimin që bashkon përvojën dhe profesonin ndërmjet personaliteteve të ndryshme”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, profesoresha universitare Shpresa Hoxha e cila ishte pjesë e panelit diskutues gjithashtu, ka përgëzuar autoren Berisha, e cila me punën e madhe të saj paraqet një shembull për mbarë shoqërinë.
“Është një vullnet vërtetë i paparë i një studiueseje, një zonje që përkundër kushteve të saj ka arritur një sukses kaq të madh, falë edhe ndihmës së nënës së saj. Lumja e gëzoftë shëndetin. Ne presim edhe botime të tjera, meqë ka me të vërtetë një vullnet të paparë dhe angazhim të suksesshëm përkundër sfidave të saj” ka thënë profesoresha Hoxha.
Ndërkaq, vetë autorja Lumnije Berisha nën emocione të shumta tha se “Njerëzit janë të bekuar kur kanë miq”, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre.
“Ky projekt ka filluar para dy vitesh. Realisht është dashur botohet në vitin 2023, por si pasojë e një ngjarjeje botimi u pamundësua. Ky libër po botohet në vitin 2024 me ndihmën e miqve të mi. Njerëzit janë të bekuar që kanë miq, të cilët të ndihmojnë në qaste të vështira. Libri “Zëra Hibrid” përmban 14 intervista të ndryshme që i kam përmbledhur nga emisioni “Kaleidoskop” dhe “Për një botë më të mirë”. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që t’i përzgjedhë sepse kam edhe materiale të tjera që vërtetë kontribuojnë për një botë më të mirë”, ka thënë autorja Berisha, të cilën e lumturonte fakti që pjesëmarrëse ishte edhe vogëlushja simpatike e Ministres Albulena Haxhiu, e cila me zërin e saj i shtonte ëmbëlsinë ngjarjes.
Pjesëmarrëse në ceremoninë promovuese të autores Berisha për të dytën herë ishte edhe Ministrja e Arsimit Arbërije Nagavci, e cila tha se ndihej krenare për këtë “vajzë të veçantë”, që përkundër sfidave që mund t’i ketë pasur në jetë është shëndrruar në profesioniste të suksesshme.
“Jam shumë e emocionuar sepse ndaj të njëjtat emocione me Lumen. Jam e lumtur të shoh që përkundër sfidave që mendoj që mund t’i ketë hasur në jetë, ia ka dalë që jo vetëm të jetë një grua e zonja, të jetë një gazetare, një profesioniste e suksesshme, por përtej kësaj të vazhdojë me krijimtari të tjera, si në këtë rast botimi i librit, e mbi të gjitha mbetet një njeri i mirë, një vajzë e veçantë që na motivon shumë të gjithëve. Vazhdo të jesh kështu siç je”, ka thënë Ministrja Nagavci duke i uruar ditëlindjen dhe shumë suksese të tjera edhe në të ardhmen.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me këtë rast është shprehur se Lumnije Berisha është një shembulli më i mirë për shumë gjenerata.
“Nuk kam pasur rast më herët të takoj fizikisht, por e di punën e saj, e njoh veprën e saj, prandaj me kënaqësi kam pranuar ftesën që të jem e pranishme, sot në këtë ditë të veçantë për Lumen. Vepra e saj tregon që pavarësisht sfidave që i ka pasur në jetë, me mbështetjen e familjes dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, je një shembull edhe për komunitetin që ju përfaqësoni, në kuptimin që kur ke vullnet çdo gjë mund të arrihet. Unë i them edhe familjes që duhet të mburreni me vajzën që e keni”, ka thënë Ministrja Haxhiu.
Një fjalë rasti e mori edhe Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, e cila u zotua se autorja Berisha do të vazhdojë të ketë mbështetjen e saj personale dhe të këtij institucioni edhe në të ardhmen.
“Ndonjëherë ne nuk e dijmë se çfarë thesari kemi afër, shpesh herë ne e kuptojmë rëndësinë e tyre kur ata dalin jashtë. Unë kam pasur kënaqësinë që në aktivitetet që i zhvillojmë Lumja çdo herë ka frymëzuar edhe shumë vajza që të inkuadrohen në sport. Vazhdo me qenë inspirim i imi, por edhe inspirim i shumë vajzve”, ka thënë Emini duke i lënë radhën profesorit universitar, Mazllum Baraliut.
“Lumja është e preferuara jonë, një shembull një ekzemplar tipik i një përfaqësueseje të rinisë shqiptare, se si me vullnet i kalon të gjitha peripecitë. Edhe titulli i librit mendoj që është mjaft simbolik sepse edhe jeta vet është hibride në të mirat dhe të këqijat e saj që secilin prej nesh na ballafaqon. Prandaj, puna edhe në komunitetin e gazetarisë, edhe në radio dhe kjo e krijimtarisë mendoj që na bën nderë të gjithë neve. Jemi të lumtur që në këto sfida që i kemi edhe si shoqëri edhe si shtet të kemi sa më shumë zëra të tillë që punojnë për të mirën e këtij vendi”, ka thënë profesori Baraliu.
Edhe Bekim Krasniqi, nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka përgëzuar Berishën për promovimin e librit, nga ku edhe ka bërë apel për përfaqësueset e institucioneve për përkrahje më të madhe për personat me nevoja të veçanta.
“Në emër të kryetarit të shoqatës i uroj Lumes ditëlindjen dhe botimin e librit të radhës, e cila po na bën krenar edhe neve si shoqatë dhe si përfaqësues të komunitetit. Ka qenë kënaqësi për të bashkëpunuar me Lumen, si për aktivitete të shoqatës, ashtu edhe për emisionet e saj, në të cilat e kemi prezantuar aktivitetin që shoqata e zhvillon me komunitetin e të verbërve”, ka potencuar Krasniqi.
I pranishëm si mysafir special në këtë ceremoni ishte Fatmir Sheremeti, pjesëmarrës i trefishtë i Lojërave Paralimpike në Suedi, i cili u shpreh se autorja është një shembull për gjithë komunitetin se me vullnet çdo gjë mund të arrihet.
“Kur kam qenë në Lojërat Paralipike në Suedi, i shihja të gjithë flamujt që e përfaqësonin gjithë botën, por vetëm një flamur mungonte, Flamuri i Kosovës. Sivjet pata rast që të shoh edhe Flamurin e Kosovës duke valuar me të gjithë të tjerët. Lume ti je një dëshmi e komunitetit tonë shqiptarë që gjithçka është e mundur. Kur më ka kontaktuar Lumja për intervistë e kam kuptuar se çfarë profesioniste është dhe çfarë energjie e ka”, ka thënë Sheremeti i lumtur që po merrte pjesë në këtë ditë të shënuar.
Festa, gëzimi dhe hareja për këtë festë të dyfishtë vazhdoi me darkën solemne në KultPlus Caffe Gallery, në të cilën të gjithë pjesëmarrësit patën rast të shijojnë tortën e ditëlindjes dhe të kënaqen me biseda pambarim me njëri-tjetrin.
Lumnije Berisha u lind në Dardanë (ish Kamenicë). Studimet për gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e Institucioneve dhe e Mediave ndaj Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë”, e cila në vitin 2018 u bë libri i saj i parë. Që nga viti 2013 Berisha është autore e emisionit “Për një Botë më të Mirë” në Radio Kosovë, ku trajton tema sociale. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare./ KultPlus.com
Kanë kaluar 33 vite nga dita që doli albumi “Nevermind” që do të shënonte ndryshim jo vetëm në zhanrin e rokut por edhe në historinë e përgjithshme të muzikës.
Albumi “Nevermind” u ngjit në nr.1 në SHBA, në 1 nëntor. Ashtu si çdo gjë tjetër në historinë e rock-ut alternativ dhe grunge, “Nevermind” nuk ishte një sukses i papritur. Ishte forca e jashtëzakonshme e këngës “Smells like teen spirit” që projektoi Nirvana-t – dhe të gjithë lëvizjen grunge – në vëmendjen e njerëzve. Një përzierje transmetimesh në radio dhe prania e madhe e videos tashmë klasike në të gjithëpushtetshmen MTV, nxiti një furi të tillë për Nirvana-t, sa që disqet e tyre shiteshin më shpejt nga sa mund të prodhonte etiketat reparti përkatës i marketingut.
“Nevermind” rezultoi të jetë një prej albumeve jo vetëm më të shitura por edhe më me ndikim të publikuar ndonjëherë.
Brenda një viti, pjesa më e madhe e albumeve që dolën mes gushtit dhe shtatorit 1991 (“Blood sugar sex magic”, “Ten”, “Nevermind”) kishin arritur shitje stratosferike. Edhe më e rëndësishme, ishte se suksesi i këtyre albumeve dekretoi fundin e rock-ut të viteve tetëdhjetë.
Janet Billig Rich, që kish punuar si menaxhere mes të tjerëve për grupe si Nirvana, Smashing Pumpkins dhe Hole, pa me sytë e vet drejtuesit e kompanive të mëdha producente që të garonin për grupet e Seattle. “Mund të krijoje një grup dhe më pas të shkëpusje një frazë mbi ta, ndoshta duke ia atribuar atë Kurt Cobain-it. Melvins janë një shembull i përsosur. Kurtit i pëlqenin Melvins, kështu që të gjithë donin të firmosnin një kontratë me ta. Ishin të gjithë në gjendje shock-u. Në të vërtetë gjithçka ishte bërë shumë e lehtë. Ishte ekonomi e pastër. Nirvana-t ishin bërë një sistem ekonomik”. / KultPlus.com
Ti… Ti ishte gjithmonë aq i sigurt! Ishe aq i sigurt, sa më vinte të shkalloja! Asgjë s’mund të të shkundte nga ajo siguri!…E urrej atë epërsinë tënde! Sa herë jam pushtuar nga ajo urretje për të!… Unë kam nevojë për entuziazëm! Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua!
Më duhet një njeri që s’bën dot pa mua! Kurse ti mund të jetosh edhe pa mua! Gjithmonë ke mundur! S’ma ke nevojën! Je i ftohtë! Je i zbrazët! Ku di ti ç’është dashuria! Kurrë s’ke qenë për mua ai që duhej të ishe!… Të pata gënjyer atëherë kur të thashë që kjo punë ndodhi kështu sepse mungove dy muaj. Kështu do të ndodhte edhe sikur të kishe mbetur këtu.
Mos m’i zbardh dhëmbët! Unë jam e zonja t’i dallojë ndryshimet, i di të gjitha; e di që ai tjetri nuk është i zgjuar dhe nuk është kështu si ti, por ai bënë çmos për mua, ngordh për mua, për të s’ekziston asgjë përveç meje; ai e ka mendjen vetëm tek unë, nuk do njeri tjetër përveç meje, nuk njeh tjetër përveç pushtetit tim… Ja, për këtë kam nevojë unë! /KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin më 27 shtator 2024, prej orës 19:30, në Sallën AMC me një koncert madhështor.
Nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa, Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it, si dhe tri vepra simfonike nga kompozitori Lorenc Antoni.
Simfonia Nr.1 e Mahlerit, ka seksion të madh të instrumenteve frymore që përfshin deri në 8 korno në vend të 4 dhe kërkon pothuajse dyfishin e muzikantëve krahasuar me simfonitë e Brahms-it, Dvořák-ut apo Çajkovskit./express/KultPlus.com
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe vdiq më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”. Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje del serish në vitin 2003.
Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi vazhdimisht edhe për libra të tjerë.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarëve me çmimin “Penda e Artë”./KultPlus.com
Promovimi i librit “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite”, bëri bashkë në një prej auditoreve të Fakultetit të Shkencave të Pyjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, intelektualë, studiues, ish-punonjës, specialistë dhe drejtues që punuan me përkushtim në Ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit në Fushë-Arrëz.
Bashkëautorët e këtij botimi të veçantë, Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, pas një pune të gjatë përballë shumë vështirësive për gjetjen e dokumenteve dhe fotove arkivore, por me pasion dhe përkushtim, ia dolën të sjellin në duart e lexuesve një libër historik prej 528 faqesh, një dëshmi e gjallë sakrifice dhe kontributesh në Ndërmarrjen e Përpunim-Drurit në Fushë-Arrëz, ose dhe siç njihet si Sharrat e Pukës.
Organizimi i këtij aktiviteti edhe në kuadër të Vitit të Pyjeve 2024 dhe të 65 vjetorit të FSHP-së me mbështetjen e Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve si dhe Shoqatës së Prodhuesve të Mobilieve Shqiptare, për Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku është një moment i veçantë, por edhe një surprizë për nga pjesëmarrja dhe interesi i dëshmuar.
“Unë dua të falenderoj tre autorët, Gjon, Pjetër dhe Preng për këtë libër. Pjesëmarrja e juaj këtu, ky kohezion këtu, të bën të ndjehesh krenar për këtë Universitet. Ky aktivitet mund të ishte organizuar në çdo cep të Tiranës, por fakti që ju e keni zgjedhur këtë auditor tregon sesa e vlerësoni këtë Fakultet”, u shpreh ai.
Sallaku vlerësoi edhe të gjitha ata të cilët e mbështetën daljen në dritë të këtij botimi që bëri bashkë komunitetin pukjanë, jo vetëm për të kujtuar dhe vlerësuar kotributin e një brezi që për një dekadë punuar në Fushë Arrëz., qendra kryesore për prodhimin e lëndës drusore të nevojshme për rindërtimin e vendit, por edhe si një mesazh ndaj brezit të ri.
“Ky aktivitet është simbolik, por shumë domethënës. Vështirë të gjesh një komunitet tjetër kaq solid. Ndjehem mirë që një grup dashamirës ndaj këtij Universiteti janë shembull frymëzues edhe për brezin e të rinjve”, theksoi Rektori.
Ai foli edhe për punën që po bëjnë në drejtim të Universitetit ku veçoi bashkëpunimin me Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, BOKU të Vjenës për përfshirjen e këtij modeli europian në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kolë Malaj tha se “ky libër është një homazh për qindra njerëz që kontribuan nga e gjithë Shqipëria për këtë ndërmarrjen nacionale që përben identitetin e atij qyteti dhe të pylltarisë shqiptare. Falenderoj veçanërisht Pjetër Demën, ish-drejtor i kësaj ndërmarrjeje dhe që dha kontributin për ta vënë në baza të shëndosha ekonomike me angazhimin e tij total megjithëse me vështirësi”.
Ai falenderoi edhe dy autorët e tjerë Gjon Fierza dhe Preng Prenga për kontributin në këtë libër, që sipas tij, “në fund të fundit ia kishin borxh Pukës”.
Tonin Alia, drejtues i Shoqatës së Prodhuesve të Mobilieve Shqiptare u shpreh se “ky takim nuk është thjeshtë për të shpërndarë disa libra dhe për të thënë disa fjalë të mira të merituara për autorët Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Peng Prenga, por të sjellim në kujtesë dhe të nderojmë të gjithë ata që kontribuan në pyje dhe sharrat e Pukës. Të japim disa mesazhe dhe për të marrë vëmendjen e duhur pyjet dhe problemet që lidhen me ruajtjen, shtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vetëdije është faktori bazë në hartimin dhe zbatimin e politikave për përmirësimin dhe ripërtëritjen e fondit pyjor. Pylli është një pasuri e pazëvendësueshme me cikël të gjatë prodhimi, është një mjedis ekologjik në të cilin lidhet jeta e të gjithëve. Prandaj mbrojtja dhe përkujdesja tregohet nga të gjithë dhe sot kjo duhet të jetë më e madhe se kurrë”.
Tonin Aliaj apeloi për mbrojtjen e pyjeve nga zjarrvënësit dhe armiqtë e pyllit.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe bashkëautorët e librit “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite” duke sjellë në vëmendje dhe shprehur mirënjohje për të gjithë ata që i mbështetën dhe i përkrahën në këtë rrugëtim për të jetësuar dhe nxjerrë nga harresa një brez të tërë që sakrifikuan dhe punuan me ndershmëri dhe përkushtim në sharrat e Pukës.
“Kemi bërë një përpjekje serioze, është një punë e jona që të lëmë diçka të shkruar në nderim dhe respekt të atij brezi pylltarësh, punonjës të sharrave, specialistëve nga e gjithë Shqipëria, nga Delvina, Korça apo Gjirokastra. Është e pamundur që mos të ketë një rreth nga Shqipëria që mos të ketë pasur specialist dhe punëtorë”, u shpreh Gjon Fierza duke falenderuar edhe të gjitha ata të cilët u kanë mundësuar edhe shkrime për pasurimin e këtij botimi.
Pjetër Dema, autori i librit, ish-drejtor i NPD-së në Fushë Arrëz, falenderoi Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave të Pyjeve, Elvin Toromani për mbështetjen në mbarëvajtjen e këtij promovimi si dhe të gjithë ata që i ndihmuan në pasurimin e tij me dokumente dhe foto sikurse edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Për rreth katër vite,1984-1989, Pjetër Dema ka drejtuar Ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit në Fushë Arrëz, një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme në sektorin e Shfrytëzimit të Pyjeve dhe Industrisë së Drurit në Shqipëri.
Ai e konsideroi këtë si ndërmarrje madhështore pjesë e së cilës ishin rreth 1400 punonjës dhe specialist nga më shumë se 10 rrethe të vendit të cilët kontribuan për mbjelljen, mbajtjen dhe rritjen e pyjeve në rrethin e Pukës, duke furnizuar me lëndë drusore gjithë Shqipërinë.
Prekës dhe emocionues është rrëfimi i ish-drejtorit Dema në një nga faqet e këtij libri voluminoz për nga pesha e fakteve që mbart, ku tregon vështirësitë, përpjekjet dhe sakrificat e punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
“Ndërmarrja të cilën e drejtova këto vite, ishte një ndërmarrje e vështirë ku punohej shumë. Kishim volume të mëdha shfrytëzimesh dhe prodhonim shumë dërrasa. Prodhimet tona shërbenin për të mbajtur në punë që nga Fabrika e Letrës në Lezhë, Kombinatin e Drurit të Shkodër, Kombinatin e Drurit Laç. Ishim furnizuesit kryesor i NSHLD Tiranë (Ndërmarrja e Shpërndarjes së Lëndës së Drurit) e cila shpërndante lëndën e sharruar nga Shëngjini deri në Sarandë….”, shprehet Dema mes rrjeshtave duke kujtuar shumë punonjës të cilët vinin nga Tirana apo Përmeti për të punuar në veri të vendit larg familjeve të tyre.
Pjetër Dema sjell në kujtesë se si u duhej të pastronin rrugët nga akulli apo trashësinë e dëborës prej mëse 4 metrash dhe të vazhdonin punën me intensitet me orë të zgjatura.
Çdo faqe e këtij libri mbart një peshë të jashtëzakonshme jo vetëm faktesh historike të mbështetura në dokumente dhe foto të kohës, por edhe një testament me mesazhe dhe apele të shprehura për breza e breza që do vijnë se si përkushtimi, profesionalizmi, ndershmëria, sakrifica, korrektësia dhe mirënjohja mbeten virtyte të pazëvendësueshme dhe forca me të cilin brezat paraardhës ndërtuan dhe zhvilluan fshatra e qytete dhe i dhanë emër vendlindjes së tyre.
Ky libër është edhe një apel sikurse shprehet në faqet e fundit librit Lazër Mhilli: “Është mbështetja e këtij botimi si fillesë për të tjera veprimtari më të mëdha që lidhen me përmirësimin e pyjeve dhe mjedisit të Pukës më tërësi dhe Iballës në veçantë. Pukës t’i kthejmë emrin e saj – Pyjet”./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York, është takuar me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani.
“Në New York e falënderova Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani, për mbështetjen e patundur për Republikën e Kosovës.
Bashkë, diskutuam rritjen e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com
Një astronaut, është muralja më e re e stolisur në fasadën e një pallati në kryeqytet si pjesë e projektit ‘Mural Fest’ në Tiranë.
Pamjet e veprës së përfunduar i ka ndarë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në rrjete sociale.
“Një tjetër murale zbukuron Tiranën”, shkruan Veliaj krahas videos.
Në edicionin e gjashtë, 14 murale të reja janë pikturuar për publikun duke i dhënë qytetit më shumë kulturë, dritë dhe ngjyra në ambientet e ndërtesave ku po vendosen. ‘Mural Fest’ organizohet nga Dekor Tirana dhe është kuruar nga artisti i njohur Helidon Haliti./tema/KultPlus.com
Më 25 shtator 1901, lindi një prej mendjeve më të ndritura të klerit katolik shqiptar, At Pjetër Meshkalla.
Mësimet e para i mori në vendlindje, në Shkodër, për të vazhduar më tej studimet teologjike në Linz (Austri), Goricë (Slloveni), si dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli.
U dha mësim disa brezave të studentëve të Seminarit Papnor në Shkodër, në lëndët gjuhë, letërsi shqipe dhe filozofi, për të vazhduar me themelimin e rretheve “Don Bosko “ dhe “Shën Pjetri”, që u bënë qendra të rëndësishme të edukimit të rinisë së kohës.
Aktiviteti dhe profili i lartë intelektual, nuk mund t’i shpëtonte listave të zeza të “armiqve të popullit”.
Në vitin 1947 u dënua me 15 vjet burg. Në vitin 1967 u ridënua me 10 vite të tjera, ndërsa në vitin 1978 do të internohej në Vlorë. Simboli i shquar i martirizimit vdiq më 28 korrik 1988. Jezuitët, shoqëri së cilës i përkiste, i kanë vënë emrin e tij një shkolle të mesme në Shkodër, e cila është vijuese e Kolegjit të famshëm Saverian./atsh/KultPlus.com
Arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK-së kanë realizuar me sukses një gërmim shpëtimi në fshatin Shënmri, ku u zbulua një varrezë që daton në dy periudha historike të rëndësishme: periudhën helenistike dhe mesjetare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e vlerësoi si të jashtëzakonshëm këtë zbulim arkeologjik, i cili hedh dritë mbi historinë dhe jetën e banorëve të lashtë të kësaj zone.
Gjatë gërmimeve, arkeologët kanë zbuluar struktura funerare që përmbanin enë qeramike, stoli prej argjendi, bronzi, hekuri dhe qelqi, si dhe armë dhe objekte personale. Këto gjetje unike ofrojnë mundësi të mëdha për të studiuar mënyrën e jetesës dhe zakonet e të dy periudhave.
Stolitë e zbuluara në varret mesjetare ngjajnë me ato të kulturës arbërore të gjetura më parë në Koman, Krujë, Lezhë dhe Përmet, duke treguar për një shpërndarje të gjerë kulturore në Shqipëri.
Për herë të parë gjetjet e kulturës arbërore zbulohen në zonën e Tiranës, duke i shtuar vlerë të jashtëzakonshme trashëgimisë kulturore të kryeqytetit.
Ekspertët e IKTK-së do të vazhdojnë të dokumentojnë dhe analizojnë zbulimet, ndërsa hapi i ardhshëm do të jetë lokalizimi i vendbanimeve që duhet të jenë afër varrezës së zbuluar./atsh/KultPlus.com
Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Qendra Muzeore Berat ka ekspozuar një nga objektet arkeologjike që ka në fondin e saj, relikuarin prej mermeri i shekullit VI.
Relikuari u ekspozua në Muzeun Ikonografik “Onufri”, pas një procesi pastrues e konservues.
Ky objekt i rrallë i periudhës paleokristiane përmendet për herë të parë në një studim të historianit austriak Bushbek në vitin 1918 që e evidenton brenda Kishës së Ungjillëzimit (Evangjelizmoit) por në vitin 1990 studiuesi gjerman Guntram Koch publikon një studim te detajuar në revistën Monumentet 1990 (Nr 40).
Simbolet, figurat dhe përmasat e vogla bëjnë të mendosh për një mbajtës relikesh të shenjtorëve. Shembuj të ngjashëm si ky objekt gjenden në Sirinë e largët në territoret e dikurshme të Perandorisë Bizantine dhe mermeri është i importuar nga një vend i panjohur por është punuar nga mjeshtër lokalë, që korrespondon me periudhën e dytë të lulëzimit të Beratit (Pulheriopolis) në çerekun e dytë të shekullit VI./atsh/KultPlus.com