Muzeu “Onufri”, i pari që aplikon sistemin e audioguidës

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” rrëfen përmes një sistemi audioguide kryeveprat e tij në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.

“Onufri” është muzeu i parë që ka aplikuar teknologjinë në zbulimin e thesareve kulturore kombëtare falë kujdesit të drejtpërdrejtë nga Ministria e Kulturës.

Me një pagese simbolike, vizitës në këtë muze, i shtohen të tjera vlera përmes  zbulimit të pasurive të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Muzeut “Onufri”.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.

Një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes, siç është ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban (1807) gjendet në këtë muze, së bashku me kodikët e purpurt, të mbrojtur nga UNESCO. / atsh / KultPlus.com

Muzeu “Onufri” në Berat, pret vizitorët e parë të 2023

Muzeu “Onufri” në Berat vazhdon të zgjojë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe në këtë fillim viti, me vlerat e koleksioneve të tyre.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë muze.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha sot për ATSH-në se “muzeu ka qenë i hapur edhe ditën e djeshme dhe është vizituar nga çift gjermanësh, një grup me vizitorë italianë, por edhe shqiptarë”.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com

Ikona “Shën Maria me Krishtin” i shtohet muzeut “Onufri”

Pas një ndërhyrjeje tre mujore në laboratorin e Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri përfundoi restaurimi i ikonës “Shën Maria me Krishtin” e tipit Udhëheqëse.

Ikona me dimensione 88 x 60,5 x 5 cm, me autor anonim, mendohet t’i përkasë shekullit të XVII për nga stili dhe trajtimi artistike.

Sipas Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” kjo ikonë paraqiste shumë problematika, si: plasaritje dhe çarje të suportit të drurit, abrasion të pelikulës piktorike, dëmtime masive dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme, dyll, bojra vaji, parafinë, bloz si dhe oksidim të vernikut.

“Të gjitha këto rrezikonin degradimin e veprës duke mos bërë të mundur për më tepër leximin e qartë dhe të plotë të skenës ikonografike të realizuar me mjeshtëri dhe elegance nga autori. Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke parandaluar degradimin e saj dhe duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës”, thekson Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”.

Kjo ikonë i ofrohet tashme e restauruar publikut të Muzeut Onufri duke pasuruar koleksionin e tij ikonografik. / KultPlus.com

Muzeu “Onufri” aplikon për herë të parë audio guidën në katër gjuhë

Nën moton “Fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë digjitale”, një sipërmarrje madhore u promovua në vitin 2019 në muzeun e ikonografisë “Onufri”, audio guida një teknologji inovative e aplikuar për herë të parë në vend.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se tashmë kushdo që viziton muzeun e ikonografisë “Onufri” e ka mundësinë e një “udhëtimi” individual, dhe shansin të zbulojë muzeun dhe kryeveprat e tij nëpërmjet informacionit më të zgjeruar të 40 rubrikave për rreth 90 minuta, në gjuhët shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.

“Por gjithashtu, vizitori mund të fokusohet e të rikthehet në rubrikat e dëshiruara, nëpërmjet udhërrëfyesit në gjuhën e përzgjedhur pa prezencën e një guide didaktike. Padyshim që ky produkt dita ditës po i përmbush pritshmëritë tona, në raport me rritjen dhe ofertën e një shërbimi inovativ, bashkëkohor, dinjitoz e padyshim një hap i ri për kulturën e shërbimit të muzeve shqiptarë.  Kjo reflektohet në kërkesën gjithmonë në rritje të marrjes së këtij shërbimi, i cili në muajt e fundit është preferuar nga më shumë se 600 vizitorëve të huaj, vendas, studentë, etj”, thuhet nga QKMB.

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.

Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Berat. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. / KultPlus.com