Valdrin Thaqi hap ekspozitën personale “Shtëpia mbi Kodër”: Një rrëfim për shtëpinë dhe identitetin

Në një udhëtim artistik të ndjeshëm dhe personal, Valdrin Thaçi ka prezantuar ekspozitën e tij të parë personale në Kosovë, me titullin “Shtëpia mbi Kodër”, e cila u hap më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 qershor 2025. Kjo ekspozitë e kuruar nga Erka Shalari, sjell një ndërthurje intime të kujtesës, identitetit dhe përkatësisë, të shpalosur në një gjuhë vizuale që shmang rrëfimet lineare për të hapur një hapësirë për reflektim të thellë dhe dialog emocional.

Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqituara artikulojnë një gjuhë mes pikturës dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për vizitorët që orientohen mes tyre.

Veprat të cilat janë ekspozuar, kishin secila emrin e saj. “Ylli i Vogël” e punuar në vitin 2023 është një kuadriptik i realizuar me vaj në pëlhurë, që sjell një lojë të ndjeshme të dritës dhe hapësirës në përmasa 97 x 90 cm. “Bora e Parë” është një vepër skulpturore që kombinon dru dhe tekstil (patisk), duke krijuar një strukturë me dimensione 72.5 x 65 x 40 cm, e cila evokon ndjesinë e prekshme të dimrit të parë.

“Shtëpia mbi Kodër” e punuar në 2024 sjell një kompozim në argjilë me përmasa 25 x 25 x 22 cm, që përcjell një ndjenjë intimiteti dhe nostalgjie.

“Nëna” është një pikturë me vaj në pëlhurë, me përmasa 144 x 110 cm, që eksploron lidhjet e thella emocionale përmes figurës së nënës. “Prova” është një tjetër pikturë me vaj në pëlhurë, me dimensione mbresëlënëse 200 x 160 cm, që trajton dinamikën dhe tensionin e momenteve përgatitore.

Në qendër të ekspozitës qëndronte maketa e një shtëpie – model i shtëpisë së fëmijërisë së artistit, e vendosur dikur mbi një kodër, në vendin ku ai ka lindur. Pikërisht ky objekt simbolik, nga i cili ekspozita merr edhe titullin, është një pikënisje për të trajtuar nocionin e shtëpisë si një strukturë jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore.

Lidhur me lidhjen e tij shpirtërore me veprat e tij, artisti Valdrin Thaqi u shpreh për KultPlus se shtëpia e cila ishte pjesë e ekspozitës, është modeli i shtëpisë së tij që ishte mbi një kodër në vendlindjen e tij.

“Domethënë kjo shtëpia që në fakt është pjesë e ekspozitës, është model maketë e shtëpisë time të fëmijërisë që ka qenë e vendosur në një kodër në vendin ku unë kam lindur, kështu që emri i ekspozitës vjen prej ksaj, e përshkruan këtë nocionin e shtëpisë, identitetin personal”, është shprehur Thaqi.

Tutje, ai është shprehur se nuk mund të specifikojë diçka si fillimi i inspirimit për një punë, por që është inspiruar nga gjërat që e rrethojnë, hulumtimet, librat e lexuar dhe që është një përzierje e krejt këtyre.

Thaqi tregoi se veprat janë punuar gjatë tri viteve të fundit dhe janë punë të serive të ndryshme por që janë bërë bashkë për këtë ekspozitë që është ekspozita e tij e parë personale në Kosovë.

“Shpresoj që publiku kanë me e prit mirë që secili me pa atë çfarë kam paraqitur, për mua është shumë personale, narrativi është shumë personal, tek publiku për mua është shumë e paparashikueshme se çfarë merr publiku ose çfarë pret prej një ekspozite sepse secili e sheh në mënyren e vet”, u shpreh në fund Thaqi.

Ndërkaq, kuratorja e kësaj ekspozite, Erka Shalari e përshkruan procesin e bashkëpunimit me artistin Valdrin Thaqi si një përvojë ndryshe. Bashkëpunimi për ekspozitën “Shtëpia mbi Kodër” në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka qenë një praktikë e hapur, e lirë dhe larg strukturave të ngurta kuratoriale.

“Me e veçanta ka qenë fakti që ne jemi takuar dhe kam parë hapësirën për herë të parë, dhe mënyra se si e ka konceptuar ka qenë e lirë. Unë nuk jam pro praktikave kuratoriale që janë hierarkike. Më pëlqen fakti që artisti është shumë bashkëpunues në tekst dhe në ndërtimin e narratives”, është shprehur ajo.

Për të, ekspozita është fryt i një kurimi të përbashkët, të zhvilluar në kohë dhe me mendim të thellë. Tutje, ajo ka shtuar se narrativat që ndërtonin sot, nesër nisnin pyetje të tjera dhe kjo është një lloj kurimi. Ajo tregon se me Valdrinin kanë pasur një praktikë kuratoriale shumë të veçantë.

Shalari vëren se çdo vepër është e pazëvendësueshme brenda hapësirës së ekspozitës dhe për këtë arsye asnjëra nuk mund të mendohet jashtë saj.

“E kam të vështirë të ndaj veprat. Çdo punë që do merrej nga ekspozita do ndryshonte gjithçka. Në mënyrën e tyre, veprat komunikojnë në heshtje me njëra-tjetrën”, u shpreh ajo.

Në këtë proces, ajo ka kaluar kohë me artistin dhe ka ndjekur nga afër kontekstin personal të tij, gjë që ka qenë thelbësore për krijimin e një narrative të ndjeshme dhe të vërtetë.

“Kam parë lokalet ku rri me shokët, kam parë punime të vjetra dhe pjesën e gjimnazit. Ka qenë shumë e bukur – kemi punuar shumë dhe kemi menduar për çdo fjalë. Ka mundësi që një nga punët të jetë pjesë e ndonjë group show diku tjetër, por nuk ka tendencën që të shkojë diku. Kjo ekspozitë është për këtu”, ka shtuar ajo.

Ajo thekson edhe zgjedhjen për të lënë hapësirë të bardhë dhe për të reduktuar numrin e veprave, çka sipas saj i jep një intensitet më të madh përvojës vizuale.

Për Shalarin, vendimi për të marrë pjesë erdhi natyrshëm, pas kontaktit me veprën dhe thellësinë e saj.

“Ajo që më bëri të them po ishte Valdrini, puna e tij e thellë – dhe pastaj vjen hapësira, se ku jemi”, shtoi kuratorja Shalari në fund./KultPlus.com

35 vjet nga falja e gjaqeve te Verrat e Llukës

Sot bëhen 35 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë familje të cilat falen mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. / KultPlus.com

U hap më 1 maj 1931, fakte interesante rreth ndërtesës ‘Empire State Building‘

“Empire State Building” u hap zyrtarisht më 1 maj 1931. Presidenti amerikan Herbert Hoover shtypi një buton në Uashington DC që ndezi dritat e ndërtesës më të lartë në botë në atë kohë, sipas history.com.

Ideja për ndërtimin e “Empire State Building” thuhet se ka lindur nga një garë mes Walter Chrysler nga Chrysler Corporation dhe John Jakob Raskob i General Motors për të parë se kush mund të ngrinte ndërtesën më të lartë.

Chrysler kishte filluar tashmë punën në ndërtesën e famshme “Chrysler”, 318 metra e lartë në qendër të Manhatanit.

Raskob mblodhi një grup investitorësh të njohur, duke përfshirë ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Alfred E. Smith. Grupi zgjodhi kompaninë e arkitekturës “Shreve, Lamb & Harmon” për të projektuar ndërtesën.

Planet e Art-Deco, që thuhet se bazoheshin kryesisht në pamjen e një lapsi, ishin gjithashtu të përshtatshme për ndërtuesit. E gjithë ndërtesa u ngrit për më shumë se një vit, me një buxhet prej 40 milionë dollarësh dhe përpara afatit. Gjatë periudhave të caktuara të ndërtimit, korniza rritej me katër kate e gjysmë në javë.

“Empire State Building”, me 102 kate dhe 381 metra e lartë (443 metra deri në majën e ndërtesës), ishte qiellgërvishtësi më i lartë në botë. Ndërtimi gjatë “Epokës së Depresionit” punësoi deri në 3400 punëtorë në ditë, shumica e të cilëve morën pagesa të larta, veçanërisht duke pasur parasysh kushtet ekonomike të asaj kohe.

Ndërtesa e re e mbushi qytetin e Nju Jorkut me një ndjenjë të thellë krenarie, dëshpërimisht e nevojshme në thellësitë e Depresionit të Madh, ku shumë banorë të qytetit ishin të papunë dhe perspektivat dukeshin të zymta.

Mbërthimi i Depresionit në ekonominë e Nju Jorkut, ishte ende i dukshëm një vit më vonë, ku vetëm 25 për qind e zyrave të “Empire State” ishin marrë me qira.

Në vitin 1972, “Empire State Building” humbi titullin si ndërtesa më e lartë në botë kundrejt Qendrës Tregtare Botërore të Nju Jorkut, që u rendit si qiellgërvishtësi më i lartë për vetëm një vit. Sot nderi i takon kullës “Burj Khalifa” në Dubai, e cila është 827 metra e lartë./KultPlus.com

31 vjet pa Ayrton Senna, ikona e garave vdiq në pistë më 1 maj 1994

Ylli brazilian Ayrton Senna vdiq më 1 maj 1994, pasi u përplas në San Marino Grand Prix 1994 – garat e Formula 1 – piloti i dytë që humbi jetën gjatë asaj që Bernard Charles Ecclestone, një ish-manjat britanik i biznesit e quajti – një fundjavë katastrofike.

Një nga tre pilotët brazilianë të “Formula 1” që u bë Kampion Bote, Senna fitoi 41 “Grand Prix” dhe vendosi 65 “pole position”, me këtë të fundit duke thyer rekordin deri në vitin 2006.

Senna filloi karrierën e tij në garat me “karting” dhe me pas në garat “open-wheel racing” në 1981 dhe fitoi Kampionatin Britanik të Formula 3 në vitin 1983.

Ai bëri debutimin e tij në Formula 1 me Toleman-Hart në 1984, përpara se të transferohej te Lotus-Renault për sezonin e 1985 dhe të fitonte gjashtë Grand Prix gjatë tre sezoneve të ardhshme.

Në vitin 1988, ai iu bashkua francezit, Alain Prost në McLaren-Honda. Ata fituan të gjitha garat, përveç njërit nga 16 Grand Prix atë vit, dhe Senna pretendoi Kampionatin e tij të parë Botëror.

Prost fitoi kampionatin në 1989, dhe Senna kampionatin e tij të dytë dhe të tretë në sezonet e 1990 dhe 1991.

Në vitin 1992, kombinimi Williams-Renault filloi të dominojë në Formula 1.

Senna arriti të përfundojë sezonin e 1993 si nënkampion, duke fituar pesë gara dhe duke negociuar një zhvendosje në Williams në 1994.

Senna u be i njohur për shpejtësinë e tij kualifikuese mbi një xhiro.

Nga viti 1989 deri në vitin 2006, ai mbajti rekordin për shumicën e “pole positions”.

Ai u vlerësua gjithashtu për performancat e tij në mot të lagësht duke fituar garat të tilla si, “Monaco Grand Prix 1984”, “Portuguese Grand Prix 1985” dhe “European Grand Prix 1993”.

Ai arriti një rekord me gjashtë fitore në “Monaco Grand Prix”, dhe është piloti i gjashtë më i suksesshëm i të gjitha kohërave për sa i përket fitoreve në “Grand Prix”, dhe ka fituar më shumë gara për McLaren se çdo pilot tjetër./Kultplus.com

Siparantum shkëlqen në zemër të Berlinit

Më 26 Prill 2025, në orën 20:00, Kori “Siparantum” u ngjit në Matthäuskirche në Berlin, si pjesë e koncertit  “Around the World”. Ky koncert mblodhi bashkë ansamble dhe kore të shquara nga Greqia (Polychromon), Spanja (B-Tenors) dhe Lituania (ARTyn), duke krijuar një mbrëmje me dimensione të thella ndërkulturore dhe artistike.

Kori “Siparantum” u prezantua me një program të pasur që përfshinte vepra të kompozitorëve bashkëkohorë , kulmuar me premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord” nga kompozitori gjerman Christian Bährens. Kjo vepër u drejtua nga vetë autori, duke i dhënë interpretimit një karakter unik dhe një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes krijimit dhe ekzekutimit artistik.

Formacioni u përforcua nga solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, ndërsa mbështetja pianistike u realizua nga Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj.

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar ChoralSpace, Kori “Siparantum” mori pjesë në një sërë punëtorish muzikore dhe sesionesh interpretative, të cilat përfaqësuan një përvojë formuese  për koristët në tërësi. Këto punëtori ishin të fokusuara ekskluzivisht në veprat e kompozitorit të njohur  Ola Gjeilo, i cili ishte i pranishëm si kompozitor dhe pianist, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin interpretativ të veprave të tij dhe duke ndarë me pjesëmarrësit reflektime mbi procesin krijues, ngjyrimin estetik dhe ndërlidhjen midis tekstit dhe muzikës.

Në kuadër të paneleve të diskutimit dhe prezantimeve artistike, Kori “Siparantum” u ngjit në podiumin e sallës Otto Braun Saal, Berlin për të interpretuar veprën “Still” të Ola Gjeilo-s, nën shoqërimin ë pianistes Denita Dedushaj. 

Koristët e Siparantum-it, së bashku me ansamble të tjera pjesëmarrëse, patën mundësinë të përfshiheshin në një proces të thelluar muzikor nën drejtimin e dirigjentëve të mirënjohur nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo qasje multidimensionale në punën me repertorin bashkëkohor solli një pasurim të ndjeshëm të përvojës interpretative dhe artikulative të korit, duke thelluar jo vetëm aftësitë vokale, por edhe ndjeshmërinë estetike dhe vetëdijen stilistike të interpretimit. Veprat e kompozitorit Ola Gjeilo, të karakterizuara nga ndërtimi i ngjeshur harmonik, linjat modale dhe teksturat me ngarkesë emocionale, u punuan përmes një procesi të kujdesshëm muzikor të udhëhequr nga një plejadë dirigjentësh, secili me qasje të veçantë stilistike dhe pedagogjike. Dirigjentët që drejtuan këto sesione ishin Ilmārs Millers, Steve De Veirman, Stefan Schuck, Iveta Mikalajūnaitė, Lesley Challender, Memli Kelmendi, Valerija Skapiene dhe Kalina Marszałek-Dworzyńska.

Më 27 Prill 2025, në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, Kori “Siparantum” u ngjit në skenë në pjesën e parë të koncertit për të interpretuar premierën e veprës “Zanat e Malit”, vepër Premierë nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

“Ishte një përvojë shumë e mirë. Më interesonte, si kompozitor, të dëgjoja se si tingëllon vepra në Filharmoninë e Berlinit, duke pasur parasysh që është një ndër sallat më të mira në botë për nga akustika, dhe u ndjeva shumë mirë që isha sot këtu. Shpresoj në bashkëpunimet e radhës dhe në vepra të tjera premierë, siç ishte kjo,” u shpreh kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Kjo vepër për kor femrash, violinë, piano dhe kastanjeta solli në skenë një bashkëdyzim të thellë mes mitologjisë shqiptare dhe gjuhës bashkëkohore muzikore. Interpretimi u realizua në bashkëpunim me violinisten e shquar Sihana Badivuku, një nga emrat më të vlerësuar të skenës koncertale shqiptare dhe ndërkombëtare, me shoqërimin e pianistit Agron Shujaku dhe  nga Aurora Hyseni, në kastanjeta. 

“Ishte për mua një privilegj të jem pjesë e performancës dhe koncertit këtu në sallën e Filharmonisë së Berlinit me Korin “Siparantum”, nën udhëheqjen energjike dhe unike të dirigjentit Memli Kelmendi, i cili me të vërtetë inspiron prej vitesh me punën dhe përkushtimin e tij. Kjo vepër ka elemente interesante, motive dhe dialogje ku violina, pianoja dhe kori bashkëbisedojnë në skenë. Falënderoj shumë për bashkëpunimin Memlin, Agronin, Kreshnikun dhe zërat fantastikë të këtij kori, i cili mendoj se ka një të ardhme edhe më të ndritur përpara, ndonëse ka arritur shumë deri më tani, sepse ka ndërkombëtarizuar kulturën tonë kosovare dhe do t’i hapen edhe më tej dyert në skenat botërore”, u shpreh violinistja e shquar Sihana Badivuku.

“Zanat e Malit” u prit me entuziazëm dhe admirim të veçantë nga publiku i pranishëm, duke marrë kritika të larta pozitive nga muzikologë dhe adhurues të muzikës . 

Pjesa e dytë e koncertit në Filharmoninë e Berlinit, më 27 Prill 2025, përfaqësoi kulmin artistik, duke sjellë në skenë mbi 500 pjesëmarrës – 485 koristë nga ansamble të ndryshme nga mbarë bota, orkestrën dhe vetë kompozitorin Ola Gjeilo, i cili shoqëroi veprat në piano. Ishte një përvojë unike ku çdo zë bëhej pjesë e një organizmi të përbashkët artistik, dhe ku fuqia e tingullit e tejkaloi çdo kufi. Në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, u interpretuan disa nga veprat më të njohura të Ola Gjeilo-s si The SpheresTundraEcce NovumAve GenerosaAcross the Vast Eternal SkyThe RoseUbi Caritas dhe The Ground.  Momenti më emocional i mbrëmjes ishte padyshim ngjitja në podium e dirigjentit të Korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, i cili drejtoi  veprën “The Rose” përkrah mbi 500 pjesëmarrësve.

“Të jesh i rrethuar nga 500 zëra në Filharmoninë e Berlinit, përballë vetë Ola Gjeilo-s, ishte si të gjendesh në zemrën e një universi muzikor – ku çdo tingull lundronte si një dritë e padukshme në ajër dhe përqafohej me tjetrin në heshtje të thellë. Ishte një moment ku fryma e botës u bë një zë i vetëm, i përbashkët, që prekte shpirtin me hijeshi hyjnore,” u shpreh Memli Kelmendi, dirigjenti i Korit “Siparantum”.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje përfaqësonte më shumë se një prezencë koncertale – ajo shënoi një angazhim të thellë në procesin e promovimit të vlerave tona muzikore në skena të mëdha ndërkombëtare, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me artistë dhe krijues të njohur botërorë. Kjo përvojë e pasuroi rrugëtimin artistik të Korit “Siparantum” dhe forcoi më tej vizionin për një art që ndërton dialog, ndan identitet dhe frymëzon përmes muzikës./KultPlus.com

Fotot: Peter Adamik

‘E dashura ime, në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

– Albert Camus/ KultPlus.com

Rama në studion e skulptores Llambrini Dëna: Folklori e historia, në objekte të denja artizanale në Beratin e UNESCO-s

Në qytetin e Beratit studioja e skulptores Llambrini Dëna është e tejmbushur me krijime me motive shqiptare, të derdhura në qeramikë e terakotë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi nga afër studion e skulptores beratase.

“Një vizitë e bukur në studion artizanale të skulptores Llambrini Dëna, e cila ndër vite ka krijuar një punishte dhe galeri të vërtetë arti ku punohet në qeramikë, zaje, dru e materiale të tjera, ku gdhenden portrete, peizazhe, legjenda dhe elementë të shumtë nga folklori e historia shqiptare, gjithçka artizanale, e denjë për t’iu servirur turistëve të shumtë që vijnë në Beratin e UNESCO-s”, tha Rama.

Kryeministri Rama dhe skulptorja Dëna biseduan mbi mënyrën se si ajo krijon punimet e saj, të cilat zbukurojnë shtëpitë e qytetarëve beratase, por edhe të turistëve që vizitojnë këtë qytet.

“Në studio pak më parë erdhën disa turiste izraelite, të cilat e pëlqejnë artin dhe ishin kureshtare mbi punimet e krijuara, si dhe për traditat shqiptare”, tha Dëna.

Llambrini Dëna ka hapur edhe një sërë ekspozitash virtuale të punimeve të saj. Mjaft interesante janë edhe punimet në terakotë të artistes, ku motivet popullore vijnë të përshtatura në kohë. Portrete medituese, statura të brishta e ngjyra të ngrohta që të afrojnë butësisht me tradicionalen./ KultPlus.com

Apeli i studiuesve: Ndaloni ekranet te fëmijët nën gjashtë vjeç

Koha para ekranit duhet të ndalohet për fëmijët nën gjashtë vjeç sepse ndikon në mënyrë të qëndrueshme në shëndetin dhe kapacitetin e tyre intelektual, është apeli i nisur nga pesë shoqata shkencore franceze.

Ky apel për ndërgjegjësim kolektiv u drejtohet në veçanti prindërve të rinj, mësuesve, edukatorëve, pedagogëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe politikëbërësve.

Apeli vjen rreth një vit pas publikimit të raportit ”Enfants et écrans” (”Fëmijët dhe ekranet”) të kryer nga një komision ekspertësh me kërkesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Për nënshkruesit e apelit “në vitin 2025 botimet e shumta shkencore ndërkombëtare janë këtu për të na kujtuar se as teknologjia e ekranit dhe as përmbajtja e saj, përfshirë të ashtuquajturat edukative, nuk janë të përshtatshme për një tru të vogël në zhvillim e sipër”./ KultPlus.com

BBC: Çfarë përmban marrëveshja për mineralet e rralla mes SHBA dhe Ukrainës

SHBA-të dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që do t’i japë Uashingtonit akses në disa nga burimet natyrore të vendit të shkatërruar nga lufta. Pas disa muajsh përgatitjeje, ajo krijon një fond investimi që Ukraina shpreson se do të çimentojë ndihmën e SHBA-së, ndërsa vendi përpiqet të zmbrapsë Rusinë tre vjet pas pushtimit. BBC ka parë një draft të marrëveshjes, por jo tekstin përfundimtar. Bazuar në këtë dhe deklaratat publike nga të dyja palët, BBC ka përmbledhur shtatë pikat kryesore.

Asnjë hakmarrje ukrainase ndaj SHBA-së

Trump më parë ka kërkuar që Ukraina të kthejë 350 miliardë dollarë ndihmë që ai pretendon se i është ofruar nga SHBA-të gjatë luftës, një kusht që Zelensky e hodhi poshtë. Por Uashingtoni duket se ka bërë një lëshim. Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se marrëveshja nuk diktonte që vendi i tij të paguante ndonjë “borxh” të supozuar. Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një fitore edhe për palën e tij, duke thënë se vendi i tij do të marrë mbrapsht “shumë më tepër në teori” sesa miliardat që iu dhanë Ukrainës nga paraardhësi i tij Joe Biden.

Ton më i ashpër nga SHBA-të ndaj Putinit

Gjuha e përdorur nga SHBA-të në njoftimin e marrëveshjes është dukshëm më e ashpër ndaj Rusisë sesa zakonisht ndodh nga administrata Trump. Një deklaratë nga Departamenti i Thesarit i referohet “pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë” dhe shton se “asnjë shtet apo person që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk do të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”. Kjo do ta inkurajojë Kievin, i cili ka kërkuar që të ushtrohet më shumë presion mbi Rusinë në bisedimet midis Moskës dhe Uashingtonit që diskutojnë një armëpushim të mundshëm.

Nafta dhe gazi të përfshira së bashku me mineralet

Pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e diskutimeve rreth marrëveshjes lidhet me pasurinë minerale të Ukrainës, marrëveshja përfshin gjithashtu dispozita për projekte të reja nafte dhe gazi, si dhe infrastrukturën përkatëse. Në të gjitha rastet, burimet mbeten në pronësi të Ukrainës, edhe pse SHBA-të do të kenë akses të përbashkët. Kjo është parë si një zbutje e qëndrimit të Ukrainës, pasi nuk ishte në draftet e mëparshme të marrëveshjes.

Asnjë pengesë për ambiciet e Kievit për në BE

Ukraina ka kohë që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe bisedimet e pranimit filluan zyrtarisht qershorin e kaluar. Në Kiev kishte disa shqetësime se marrëveshja për burimet mund të pengonte aftësinë e Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në, nëse u jepte trajtim preferencial investitorëve amerikanë, pasi Kievi dhe Brukseli tashmë kanë një partneritet strategjik për lëndët e para.

Por teksti i marrëveshjes thotë se SHBA-të e pranojnë qëllimin e Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në dhe nevojën që kjo marrëveshje të mos bjerë ndesh me të. Gjithashtu thuhet se nëse Ukraina duhet të rishikojë kushtet e marrëveshjes për shkak të “detyrimeve shtesë” si pjesë e anëtarësimit në BE, atëherë SHBA-të pranojnë të negociojnë me mirëbesim. Përveç kësaj, Kievi thotë se SHBA-të do të mbështesin transferime shtesë të investimeve dhe teknologjisë në Ukrainë, përfshirë ato nga BE-ja dhe vende të tjera.

Fitimet do të riinvestohen në Ukrainë për 10 vjet

Një tjetër element intrigues i marrëveshjes është se, për dekadën e parë të fondit të investimeve në rindërtim, fitimet do të “riinvestohen plotësisht në ekonominë e Ukrainës”. Kjo është potencialisht e rëndësishme nëse nuk ka përfitim financiar për SHBA-në për 10 vjet. Ukraina thotë se pret që çdo para që hyn në fond do të shkojë për rindërtimin e vendit dhe projekte të reja.

Pas kësaj periudhe fillestare, fitimet mund të shpërndahen midis partnerëve. Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i tha Fox News se marrëveshja ishte një sinjal për popullin amerikan se “ne kemi një shans për të marrë pjesë, për të marrë disa nga fondet dhe armët, kompensim për to dhe për të qenë partnerë me suksesin e popullit ukrainas”.

Një angazhim ushtarak amerikan përsëri në tryezë

SHBA-të e kanë cilësuar marrëveshjen si thelbësore për t’u nënshkruar nëse Ukraina do të vazhdojë të marrë ndihmën e saj ushtarake. Zëvendëskryeministrja e parë ukrainase, Yulia Svyrydenko, e cila fluturoi për në Uashington DC për të nënshkruar marrëveshjen, tha se ajo parashikonte që SHBA-të të kontribuonin me ndihmë të re në të ardhmen, të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore.

Edhe kjo do të shënonte një ndryshim në strategjinë e Trumpit i cili është përpjekur të ulë mbështetjen ushtarake për Ukrainën që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Një pyetje e pazgjidhur është se çfarë do të nënkuptojë në fund të fundit marrëveshja për gjendjen e luftës. Kremlini ende nuk i është përgjigjur marrëveshjes.

SHBA-të mund të largohen në çdo kohë

Duket se nuk ka garanci konkrete sigurie nga SHBA-ja, diçka që Ukraina dhe Evropa e kanë shtyrë prej kohësh Shtëpinë e Bardhë ta ofrojë. Trump ka kohë që ngurron të japë të njëjtin angazhim ushtarak që kishte dhënë Biden. Në vend të kësaj, interesi i tij për të vazhduar kursin me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën është më implicit, për shkak të angazhimeve ekonomike të përcaktuara në këtë marrëveshje. Kjo do të thotë se do të ketë ende një brishtësi në lidhje me angazhimin e aleatit më të rëndësishëm të Ukrainës./BBC/ KultPlus.com

Presidentja Osmani, me ftesë të kryeministrit Anwar Ibrahim, udhëtoi për vizitë zyrtare në Malejzi


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Federatën e Malejzisë, me ftesë të Kryeministrit YAB Dato’ Seri Anwar Ibrahim.

Në Kuala Lumpur, presidentja Osmani do të pritet me një ceremoni zyrtare në kompleksin shtetëror Bunga Raya.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me kryeministrin Anwar Ibrahim në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya, pas të cilit do të mbahet një konferencë e përbashkët për media.

Për nder të presidentes Osmani, kryeministri Ibrahim do të organizojë një drekë zyrtare në rezidencën shtetërore Seri Perdana.

Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të dekorojë me Medalje Presidenciale të Meritave Kryeministrin aktual të Malejzisë, Anwar Ibrahim, si dhe ish-kryeministrin Abdullah Ahmad Badawi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në mbështetje të Kosovës.

Presidentja Osmani, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Investimeve të Malajzisë (NCCIM), si dhe me përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë malajziane, përfshirë prodhimin, teknologjinë dhe turizmin. Me këtë rast, do të diskutohet për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe tërheqjes së investimeve në Kosovë./ KultPlus.com

Faqja e njohur turistike italiane: Në Përmet, atje ku hahet si njëherë e një kohë

Në brendësi të jugut të Shqipërisë, Përmeti është një qytet antik, i rrethuar nga natyra e egër, ndërkohë që parku kombëtar i Bredhit të Hotovës, më i madhi në Shqipëri, është i famshëm për pyjet, kanionet, urat osmane dhe manastiret ortodokse, shkruan faqja e njohur turistike italiane gamberorosso.it.

Përmeti gjithashtu mund të etiketohet si djepi i gastronomisë shqiptare, një destinacion që duhet vizituar patjetër nga çdo adhurues i ushqimit që respekton veten.

Nga kompostot e frutave te supat e shijshme, nga zgarat te djathrat, tradita kulinare e Përmetit është e pasur dhe e shijshme.

Aromat e së kaluarës

Traditë, mikpritje dhe shije të së kaluarës.

Këto janë tre shtyllat themelore të ‘‘Trifilia”-s, adresa që duhet ta shënoni patjetër në agjendën tuaj nëse jeni duke kërkuar pjata autentike.

Që nga viti 1991, ky restorant në zemër të Përmetit i ka mirëpritur mysafirët e tij në një ambient të rafinuar me detaje të çmuara në dru, tullë dhe terrakotë duke i magjepsur ata me specialitetet më të mira të traditës gastronomike vendase.

Menuja e pasur ofron një përvojë unike kulinare: nga supa me qengj nga kullotat e rajonit, te brinjët e qengjit të pjekura në skarë, nga byrekët me spinaq dhe gjizë te pula e fshatit e shoqëruar me bukë shtëpie, te dollmatë e shijshme me oriz dhe gjethe hardhie që të shkrijnë në gojë në çdo kafshatë.

Një kuzhinë e frymëzuar nga zona dhe stinët

Megjithatë, ajo që e dallon ”Trifilia”-n nuk është vetëm autenticiteti i gatimeve, por edhe, mbi të gjitha, mënyra e punës.

”Kuzhina jonë është një kërkim i vazhdueshëm dhe i palodhur për lëndë të para të cilësisë së lartë, të cilat nuk i mungojnë Përmetit, ashtu edhe për shijet. Ne i krijojmë ato duke gjetur frymëzim në recetat e transmetuara me kujdes brez pas brezi dhe në produktet vendase, ndër më të pakontaminuarat në Gadishullin Ballkanik”, thotë Tatjana Jarazi, zemra dhe mendja e ”Trifilia”-s.

Kuzhina, në fakt, ndjek ndryshimin sezonal, pasi këtu hani vetëm atë që ofron vendi, në çdo periudhë të vitit.

Një territor unik në botë

Teknikat tradicionale të gatimit të ”Trifilia”s përzihen në harmoni me përbërësit e freskët të rajonit.

Filozofia e Slow Food që respekton ciklin natyror të prodhimit për të garantuar një produkt përfundimtar të shijshëm, të vërtetë dhe të drejtë, ndiqet me përpikëri.

Në fund të fundit, kjo është toka e Vjosës, lumit të fundit të egër në Evropë i cili, së bashku me degët e tij, ka formuar Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa që nga viti 2023.

Ai buron nga vargmali i Pindit në Greqi, rrjedh nëpër Shqipëri dhe derdhet në detin Adriatik.

Vjosa jep më të mirën e saj në Përmet, duke e përshkuar ngadalë dhe duke bërë që një natyrë e harlisur të shpërthejë edhe në qendër, pemë, shkurre dhe, në fund të pranverës, lule të çdo lloji dhe ngjyre zbukurojnë çdo cep të “qytetit të trëndafilave”, jo rastësisht epiteti i tij më i famshëm./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Spiropali: Kuvendi, i angazhuar të mbështesë rritjen e pagave

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shprehu mirënjohjen për të gjithë punëtorët shqiptarë, duke theksuar se “puna e denjë është themeli i një shoqërie të drejtë”.

“Respekt e mirënjohje për punëtoret dhe punëtorët shqiptarë, që çdo ditë, me përkushtim e sakrificë, mbajnë gjallë ekonominë, kujdesen për familjet e tyre dhe ndërtojnë një Shqipëri europiane, më të zhvilluar, më solidare”, thekson Spiropali në mesazhin e urimit.

Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar të mbështesë rritjen e pagave dhe ngushtimin e dallimeve e të pabarazisë, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë, sidomos në sektorët e prodhimit”.

Gjithashtu, u shpreh Spiropali, Kuvendi do të forcojë mbrojtjen ligjore të punëtorëve, përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në tregun e punës si dhe zgjerimin e hapësirave për punësimin e të rinjve, për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve përkujton betejat dhe arritjet e bëra nga punëtorët dhe lëvizja punëtore./ KultPlus.com

98 vjet nga lindja e themeluesit të koreografisë shkodrane, Filip Gjergji

Filip Gjergji i lindur 1 maj 1927 njihet si themeluesi i koreografisë shqiptare në Shkodër. Pinjoll i familjes së njohur Gjergji të ardhur nga Mirditë në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës para qindra vitesh është i afërm dhe i përfaqësuesit kualitet të jareve shkodrane Ndrek Gjergji, shkruan KultPlus.

Bashkohës dhe koleg i personaliteteve të artit si Fadil Kraja dhe Prenk Jakova, Filipi është dhe autor i disa botimeve si “Barcoleta shkodrane”, “Për Shkodrën dhe njerëzit e saj” si dhe pritet të botojë Historikun e Serenatës së parë të mbërritur nga Spanja në qytetin e humorit, argëtimit dhe kulturës.

Gjergji u radhit në grupin më të madh të valleve me artistë të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Në këtë grup kërceu si solist në disa valle.Ky grup iu bashkëngjit Ansamblit Kombëtar Popullor që mori pjesë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest. Kanaçi, nga kujtimet e tij, më ka treguar se”në këtë evenimet Filip Gjergji ishte korifeu i disa valleve popullore, me të cilat la mbresa të thella,një baletmaestër hungarez foli mbi finesën e tij.”Për fat të keq grupi u shpërnda, sapo erdhi nga Hungaria…” Në vitin 1949 Filipi u emërua koreograf në Shtëpinë e Kulturës ,Shkodër,të cilin e drejtonin tre personalitete:Prenk Jakova,kompozitor, AndreaS, regjisor dhe Filipi.

Vlerësimet për Filip Gjergjin mbeten gjithnjë në kontekstin,jo vetëm të mirënjohjes për një mësues,po shtrihen më gjërë në parimet e kujtesës , kur na duhet të kthejmë sytë dhe të shohim se si jeta e një artisti sillet në hapësirën e kohës, por i tejkalon ato në përmasat e dhënies së ndihmesës për artin,sidomos për artistë të tillë që vunë bazat e koreografisë kombëtare dhe, me modelin e tyre, bëhen shembull frymëzues për artistët e rinj.

Arti i fuqishëm mbetet gjithnjë një përcjellje vlerash që ushqjejnë njëra tjetrën si rrjedhat e një lumi të pashtershëm.Në këtë hulli Filip Gjergji është një shembull frymëzues dhe ,nga krijimtaria e tij e niveleve të larta artistike, jo vetëm mund të mësosh, por edhe frymëzohesh… /KultPlus.com

Shfaqja ‘Shpirti’ e Agim Selimit sjell udhëtimin e ndërgjegjes dhe kujtimeve që tejkalojnë kohën

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Qendrën Barabar është dhënë premiera e shfaqjes “Shpirti” me regji të Agim Selimit. Shfaqja e bazuar në veprën e njohur të Brian Weiss para publikut sjell një rrëfim ndryshe nga e zakonshmja dhe e prekshmja, duke e zgjeruar horizontin në aspektin spiritual.

Katerina ( Albionë Sahiti) gjendet në qendër të dramës. Ajo është një grua që vuan nga ankthi dhe depresioni, dhe për shkak të vuajtjeve shpirtërore që i përjetonte i ishte drejtuar psikikiatrit Dr.Brianit (Drin Berisha).

Të gjitha metodat e psikoterapisë që Dr. Briani i kishte përdorur për të shkuar te rrënja e problemit me të cilin po përballej Katerina nuk kishin dhënë ndonjë rezultat, pasi që jeta e saj nuk kishte pasur ndonjë ngjarje traumatike për t’i lënë gjurmë në personalitetin e saj.

Nisur nga kjo, psikiatri hebre vendos të eksplorojë kufijtë e shkencës dhe shpirtit përmes një metode të quajtur hipnozë, përmes së cilës arrin të shoh 84 jetë të mëparshme të klientes së tij. Aty konfirmohet edhe teoria e rimishërimit dhe esencës shpirtërore, si diçka që nuk ka as fillim, as mbarim.

Në jetët e mëparshme Katerina kishte qenë njeri me tjetër gjini, kombësi dhe ngjyrë të lëkurës. Në njërën prej jetëve kishte qenë valltare spanjolle, në një tjetër ishte përdhunuar nga babai i saj, një traumë iu shfaq gjatë mbytjes në ujë me fëmijën e saj, disa të tjera i kishte jetuar në kohën e antikitetit dhe në Egjiptin e lashtë.

Në gjenje hipnoze Katerina lidhet me energji më të larta (mjeshtrit), të cilët japin udhëzime për përvojat në Univers, në shtatë nivele. Në atë gjendje asaj i tregohet që psikiatrit i kishte vdekur djali i tij i posalindur. Ky informacion e shokon Dr. Brianin, sepse deri tani askush nga kolegët etij nuk e dinte këtë fakt.

Në fund, Katerina ndihet e çliruar pas gjithë seancave hipnotike, me anë të të cilave merreshin edhe mesazhe për jetën, vdekjen, vuajtjen, dashurinë dhe mbi filozofinë e jetës në përgjithësi. Kurse Dr. Briani ndihej i përmbushur me misionin e tij, për të shëruar njerëz dhe për të eksploruar kufijtë e shkencës përmes një qasjeje tjetër, të pa aplikuar më parë.

Pas shfaqjes, regjisori Agim Selimi tregoi për inspirimin e tij për të trajtuar një tematikë në aspektin e spiritualitetit.

“E kam lexuar para 12 vitesh veprën e Brain Weiss. Për mendimin tim ka qenë një vepër e cila më ka ndryshuar botëkuptimin dhe qasjen për jetën. Më ka inspiruar për të bërë dramë. Dramatizimin e veprës e ka bërë Agron Shala, e më pas e kanë vënë në skenë aktorët e vitit të katërt të Universitetit të Arteve. Mendoj që janë aktorë të talentuar”, ka thënë regjisori Selimi, duke potencuar që dashuria është e vetmja gjë që e ngrit nivelin e njeriut në të gjitha aspektet.

“Është një dramë psikologjike e cila na duhet secilit për të parë jetën në një këndvështrim tjetër, jo në këndvështrimin e frikës, egoizmit, konflikteve, të inateve por t’i qasemi jetës përmes dashurisë sepse dashuria është e vetmja gjë që mund t’i bëjë njerëzit më fisnikë dhe më të përsosur”, ka thënë regjisori Selimi.

Kurse, aktori Drin Berisha tha se ndihej i çliruar pas komenteve dhe reagimit pozitiv të publikut për shfaqjen.

“Është një ndjenjë shumë e mirë. Edhe emocioni gjatë shfaqjes është një ndjenjë e paharrueshme, por tash pas shfaqjes kur e shohim që njerëzit e kanë pëlqyer është një ndjenjë e çlirimit dhe e paqes në të njëjtën kohë. Procesi i realizimit nuk ka qenë aspak sfidues sepse e kemi pasur një regjisor shumë të mirë, Agim Selimin, i cili na ka drejtuar gjatë tërë kohës”, ka thënë Berisha me dëshirën që publiku të përfitojë si ndjenjë triumfin mbi ankthin, frikën, si dhe frikën nga vdekja.

Ndërsa, aktorja Albionë Sahiti ka thënë se ndihej e lumtur që kanë arritur të sjellin para publikut një shfaqje për të cilën është punuar me shumë pasion.

“Po ndihem shumë mirë. Po shpresoj që mesazhin e kemi përcjellë ashtu siç edhe kemi synuar, ngase besoj që mesazhi i kësaj shfaqjeje është jashtëzakonisht i fuqishëm, dhe i duhur për njerëzit. Provat kanë zgjatur dy muaj. Kemi qenë ekipe e vogël, por kemi punuar shumë. Shpresoj që ia kemi arritur një rezultat shumë të mirë. Megjithëse porcesi i ka vështirësitë e veta të vogla, por në përgjithësi jemi kënaqur”, ka thënë Sahiti.

 Shfaqja “Shpirti” me regji të Agim Selimit është bashkëprodhim me Artpolis, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Kisha e Shën Mëhillit në Zagori, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore

Një nga atraksionet kulturore të Zagorisë është Kisha e Manastirit të “Shën Mëhillit” në Nivan të Zagorisë.

Kisha është ndërtuar në vitin 1702 dhe është shpallur Monument Kulture, Kategoria I.

Ajo përbëhet nga naosi, ambienti i altarit dhe narteksi. Narteksi në anën perëndimore është shtuar më vonë. Ai mbulohet me çati me strukturë të drunjtë.

Hyrja për në narteks bëhet nga porta në anën perëndimore. Ajo është e mbuluar me arkitra të rrafshtë, mbi të cilin në një kamare ruhen datat 1777 dhe 1889. Data e parë është ajo e ndërtimit të narteksit, e dyta e ndonjë rindërtimi të mundshëm.

Dy dritare të ngushta si frëngji janë në të dy anët e portës, një tjetër në murin verior, ndërsa një kamare në atë jugor. Nëpër narteks me një portë në murin perëndimor të kishës kalohet në naos, në brendësi të të cilit janë gjashtë kolona të vendosura në dy rreshta që e ndajnë kishën në tre nefe.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri me dije se specialistët e saj sapo kanë ndërhyrë për restaurimin e çatisë së kësaj kishe, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve nga brenda e jashtë vendit./ KultPlus.com

Sot 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës./KultPlus.com

Finlanda miraton një ligj për kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla

Parlamenti finlandez ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera mobile nga nxënësit gjatë orarit të shkollës, në përpjekje për të përmirësuar mirëqenien dhe përqendrimin e tyre në mësim.

Sipas legjislacionit të ri, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, përdorimi i pajisjeve mobile do të lejohet vetëm me lejen e mësuesit dhe vetëm për arsye shëndetësore ose qëllime mësimore. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës do të kenë të drejtën të konfiskojnë pajisjen nëse ajo përdoret për të ndërprerë procesin mësimor.

Shkollat finlandeze do të detyrohen gjithashtu të vendosin rregulla të qarta për përdorimin dhe ruajtjen e celularëve gjatë mësimit, vakteve dhe pushimeve.

Kjo lëvizje vjen pas shqetësimeve të shtuara rreth ndikimit të telefonave tek fëmijët, përfshirë uljen e vëmendjes, dëmtimin e vetëvlerësimit dhe rritjen e varësisë nga platformat dixhitale. Finlanda i bashkohet një numri gjithnjë në rritje vendesh evropiane që po ndërmarrin masa të ngjashme. Më herët këtë vit, Danimarka njoftoi një ndalim të plotë të telefonave në shkolla, duke i quajtur ata “pushtues dixhitalë” të hapësirës arsimore.

Autoritetet finlandeze shpresojnë që ky ligj do të rikthejë vëmendjen e nxënësve në mësim dhe do të përmirësojë ambientin psikologjik në shkolla./ KultPlus.com

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 mln dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./ KultPlus.com

Makinë e memorjes

Argëzon Sulejmani 

Kur zemra e tij 
S’jepte më shumë se një shirit të drejtë 
Në diagramin e ritmit të jetës  
Ajo e puliti për herë të mbrame 
Ngrohtësinë parzmore të diellit të vet  
Shqepi vetëm unazën dhe celularin nga 
Anatomia që i kishte lënë të gjitha 
U gjymtos dhe mori e hyri 
Në atë qark floriri tanësisht 
Po me atë gjymtyrë mori e fshiu gjithçka 
Nga telefoni i tij 
Veç vetes 
Në atë makinë tashmë do ishin veç ata dy 
Si në përrallat me dashuri e pa botë: 
Do niste vërtitjen nëpër 
Bisedat e tyre mbi dritën e vetme 
Që do i tokëzonte nga tash e tutje 
Ajo zhagitje i përngjante 
Ngjitjes me litar drejt qiellit 
Do niste jetën mbrapsht  
Mbrapsht deri ditën që 
Bisedat do soseshin dhe 
Për hak të tyre do duhej shkuar 
Me ngut te ai trup i ftohtë në gjumë 
Sikur mëngjeseve të vona kur 
Matanë receptorit vinte një zë i rreptë zyrtar 
Që kërkonte arsyetimin e mospranisë  
Së tij 
Përmendu, zgjohu, çakordohu: 
“Më janë sosur të gjitha përgjigjet e kësaj bote!”/KultPlus.com

Sunny Hill po afron! Biletat “Believer” përfundojnë pas 48 orësh!

Vetëm 48 orë ju ndajnë nga mbyllja përfundimtare e shitjes së biletave “Believer” – mundësia juaj e artë për të siguruar hyrjen në Sunny Hill Festival me çmimin më të mirë! Mos e lini pas dore, pasi me përfundimin e kësaj oferte ekskluzive, do të nisin zbulimet e artistëve të mëdhenjë ndërkombëtar që do t’i ndezin skenat e edicionit të këtij viti.

“Erdhi momenti. Pjesëmarrësit e këtij edicioni të Sunny Hill Festival kanë vetëm edhe 48 orë kohë për të marrë biletat ‘Believer’ me çmimin më të lirë të mundshëm, prej rreth 30 euro mesatarisht në ditë. Shitjet mbyllen zyrtarisht më 2 maj 2025, në orën 20:00. Bëhuni gati, sepse menjëherë pas kësaj, do të fillojmë të zbulojmë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare që do të jenë pjesë e magjisë së Sunny Hill Festival këtë vit” – thuhet në njoftimin e festivalit.

Rerzervoni datat! Nga 1 deri më 3 gusht, Sunny Hill Festival do të rikthehet në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë, me një atmosferë elektrizuese dhe performanca të paharrueshme nga emra të njohur botërorë dhe emrat më të mirë të skenës vendore. Festivali vazhdon rritjen, famën dhe jehonën ndërkombëtare, duke ofruar një përvojë festivali të nivelit botëror.

Edicioni i 2025-ës do të jetë një miks i fuqishëm i ikonave globale dhe zërave të rinj nga emra të mëdhenj të muzikës pop, hip-hop dhe muzikës elektronike.

A mund ta imagjinoni energjinë në skenat e Sunny Hill këtë vit?
Detajet e plota të line-up-it mbahen ende nuk janë zbuluar, por organizatorët garantojnë një listë artistësh që do ta bëjnë këtë edicion absolutisht të paharrueshëm.

Merrni biletat tuaja tani në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025
Pas biletave “Believer”, mos humbisni shansin për të kapur biletat “Early Bird”, të cilat do të pasohen nga biletat “Regular” dhe “VIP”./KultPlus.com

Artizanati shqiptar, përçues i kulturës ndër shekuj

Nisi me një atmosferë festive, në mjediset e Hotel Rogner, panairi i artizanatit shqiptar ZAN’ART.

40 artizanët e përzgjedhur kanë prezantuar me krenari prodhimet e tyre që paraqesin mjeshtërinë por dhe kulturën e shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.

ZAN’ART synon të krijojë një urë të gjallë ndërmjet brezave, duke i rikthyer artizanatit shqiptar vendin që meriton në shoqëri.

Në këtë aktivitet të mbështetur nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ishte i pranishëm edhe ministri Blendi Gonxhja.

Përveç prezantimit të veshjeve tradicionale, qëndismave, gdhendjeve etj., panairi përfshin edhe seminare të cilat janë parë si një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 të tilla, prej mjeshtrave të artizanatit.

ZAN’ART synon të promovojë artizanatin shqiptar dhe mjeshtrinë tradicionale që përfaqëson identitetin tonë kulturor; të nxisë ruajtjen dhe zhvillimi e zanateve të trashëguara brez pas brezi; pasurimin e ofertës turistike të Shqipërisë duke sjellë produkte autentike dhe eksperienca unike për vizitorët; të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë kulturore dhe ekonomike të artizanatit; të shtojë kërkesën për produktet artizanale në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar./atsh/KultPlus.com

Kur Drajzeri erdhi në shqip

Në fundprillin e vitit 1957 lexuesi shqiptar mori romanin e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzerit “Një tragjedi amerikane” në dy vëllime, të shqipëruar nga Bujar Doko. Po nga ky autor në vitin 1965 u përkthye dhe u botua romani “Gjeniu”. Të dy veprat janë ribotuar disa herë në vendin tonë. Ato janë përkthyer e botuar edhe në Prishtinë.

“Një tragjedi amerikane” u botua në dhjetor 1925 në dy volume. Me këtë vepër, Drajzer krijoi një rrëfim prekës dhe në të njëjtën kohë të fuqishëm mbi rininë në shoqërinë industriale amerikane. Për vite të tëra, Drajzer kishte mbledhur të dhëna mbi histori të ndryshme të djemve të rinj të dëshpëruar për një vend në shoqëri. Në veçanti, vëmendjen e autorit e tërhoqi çështja e Chester Gillette. Në rajonin Herkimer, Nju Jork, në vitin 1906, Gillette nxori për shëtitje në liqen të dashurën e tij shtatzënë dhe e la të mbytej. Autori i krimit makabër u zbulua shumë shpejt dhe Gillette u dënua me vdekje në karrigen elektrike, vendim që u zbatua në mars 1908.

Gillette ishte personazhi mbi të cilin u krijua Klajdi i Drajzerit. Një i ri i cili fillon punë në fabrikën e xhaxhait të tij dhe që dyzohet mes ndjenjës për një vajzë të thjeshtë dhe ambicies për lidhje me një vajzë të shoqërisë së lartë. Ambicia rezulton më e fortë. Klajdi mëson për shtatzëninë e të dashurës punëtore dhe vendos ta heqë qafe, në kuptimin e parë të fjalës. Klajdi e lë vajzën shtatzënë të mbytet në liqen, megjithatë shpresat e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë së lartë mbyten bashkë me vajzën: Klajdi arrestohet, dënohet dhe ekzekutohet në karrigen elektrike.

Për të shkruar romanin e njohur, Drajzer bëri muaj të tërë kërkime në të dhënat gjyqësore dhe raportimet e gazetave mbi çështjen Gillette-Brown. Qëllimi i Drajzerit nuk ishte të tregonte një histori pasioni dhe krimi, një histori të një vrasësi gjakftohtë. Ndërsa lexon librin, nuk i shpëton dot një lloj keqardhjeje për Klajdin, edhe pse krimi që kreu është makabër. Klajdi ishte fajtor, por edhe viktimë në të njëjtë kohë, viktimë e sistemit, kohës, shoqërisë në të cilën jetoi./Hejza/KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

150 thënie të mrekullueshme që duhen lexuar nga të gjithë

Çdo mendje e ndritur e kohërave ka lënë trashëgiminë personale. Për disa janë veprat, për disa të tjerë aseti më i madh janë thëniet në letër. Shumë prej tyre janë sfiduese, frymëzuese dhe interesante, optimiste, por vetëm të vërtetat, ato që i rezistojnë brezave janë më të vlefshmet.

Sokrati

– Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë.
– Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria.
– Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis
– Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.
– Për ta gjetur vetveten, mendoni për vetveten.
– Fitimi i emrit përkthehet në përpjekjet për të qenë çka dëshiron.
– Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë.
– Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën.
– Për sa i përket martesës ose beqarisë, vendos vetë, o njeri, por ta dish mirë se ke për t’u penduar.
– Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof.

Albert Ajnshtajn

-E vetmja gjë që bie ndesh me diturinë time është arsimimi.
-Për sa i përket përputhjes së ligjeve të matematikës me realitetin, ato nuk janë të sigurta; për sa i përket sigurisë së tyre, ato nuk përputhen me realitetin.
-Logjika praktike është mbledhja e paragjykimeve të përfituara në moshën 18-vjeçare.
-Çlirimi i energjisë atomike nuk ka krijuar një problem të ri. Ka bërë më urgjente nevojën për të zgjidhur një ekzistues.
-Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit.
-Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III Botërore, por Lufta IV Botërore do të luftohet me shkopinj dhe gurë.
-Marrëzia: të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme.
-Sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet.
-Vendose dorën mbi furrë për një minutë dhe të duket si një orë. Ulu pranë një vajze të bukur për një orë dhe të duket si një minutë. Ky është relativitet.
-Nëse faktet nuk përputhen me teorinë, ndrysho faktet.
-Kushdo që s’ka bërë asnjë gabim nuk ka provuar asgjë të re.

Fridih Niçe

– Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë.
– Nuk ka fakte, vetëm interpretime
-Ah gratë. Ato i bëjnë lartësitë më të larta dhe ultësirat më të sheshta.
-Mashkulli i vërtetë do dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Për këtë arsye ai do gruan, si lojën më të rrezikshme.
-Mënyra më e mirë për të korruptuar një të ri është ta udhëzosh të ketë mendim më të lartë për ata që mendojë si ai se sa ata që mendojnë ndryshe.
-Çfarë është djallëzi. Çfarëdo që del nga dobësia.
-Shumë janë kokëfortë në kërkim të rrugës që kanë zgjedhur, pak në kërkim të qëllimit.
-Arma më e mirë kundër një armiku është një tjetër armik.
-Avantazhi i një kujtese të keqe është se mund të shijosh disa herë të njëjtën të mirë si për herën e parë.
-Nuk vritet me zemëratë, por me qeshje.

Mark Tuein

-Kujdes kur të lexoni libra shëndeti. Mund të vdisni për një gabim shtypi.
-Unë nuk mora pjesë në funeral, por dërgova një letër të këndshme kur thuhej se e miratova.
-Nuk e kam lejuar asnjëherë shkollimin të ndërhyjë me arsimimin.
-Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë.
-“Përse rrini heshtur me pamjen e një zarfi pa adresë sipër?”
-Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dini kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.
-Është shumë e lehtë ta lësh duhanin. Unë e kam bërë me qindra herë.
-Blini tokë. Askush s’e prodhon më.
-Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen.
-Vera gjermane dallohet nga uthulla nga etiketa.
-Mos u sillni rrotull duke thënë se bota ju detyron jetesën. Bota nuk ju detyron asgjë. Ishte këtu para jush.
-Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë.
-Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit.

Volteri

-Asnjë flokë bore në një ortek nuk ndjen se ka përgjegjësi.
-Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë.
-Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt.
-Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.
-Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet.
-Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.
-Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë.
-Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe.
-Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye.
-Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim.
-Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë.

Napoleon Bonaparti

-Duhet të qeshim me njeriun që të mos qajmë për të.
-S’duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.
-Kurrë mos e ndalni armikun kur po bën një gabim.
-Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë.
-Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
-Në politikë, absurditeti nuk është handikap.
-Njerëzit e famshëm e humbasin dinjitetin kur i sheh nga afër.
-Kushtetuta duhet të jetë e shkurtër dhe e paqartë.
-Një lider është një tregtar me shpresë.
-Një njeri do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
-Froni është vetëm një stol i mbuluar nga kadifja.

Uinston Çurçill

-Është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç gjithë të tjerave që janë provuar.
-Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin është si një njeri brenda në kovë, që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza.
-Një paqësor është dikush që ushqen një krokodil, me shpresën se do të jetë i fundit që do të hahet
-Gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës rreth e qark botës, kur e vërteta sapo është nisur.
-Keni armiq? Mirë. Kjo do të thotë se keni luftuar për dikë dikur në jetën tuaj.
-Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një pesë-minutësh muhabet me një votues të zakonshëm.
-Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh; të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh shpesh.
-Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi.
-Ngrënia e fjalëve kurrë nuk më ka shkaktuar mostretje.
-Më pëlqejnë shumë derrat. Qentë na shohin me sy ngritur. Macet na shohin me sytë poshtë. Derrat na konsiderojnë si të barabartë.
-Kam marrë më shumë nga alkooli, nga sa ka marrë alkooli nga unë.
-Në luftë mund të vritesh vetëm një herë, por në politikë shumë herë.

Xhorxh Karlin

-“Pa koment” është një koment.
-Nëse një person buzëqesh gjatë gjithë kohës, me siguri po shet diçka që s’punon.
-Arsyeja pse e quajnë “Ëndrra amerikane” është se duhet të jesh në gjumë ta besosh.
-Si ka mundësi që nuk e kuptojmë asnjëherë kur fillon dashuria, por gjithmonë e dimë kur mbaron
-Ah, ata francezët. Kanë një fjalë të ndryshme për gjithçka!
-Azia: Katër shkronja të vogla, tre miliardë njerëz të vegjël.
-Unë nuk i dalloj ngjyrat. Njerëzit më thonë se jam i bardhë dhe unë u besoj, sepse policët më thërrasin “zotëri”.
-Gjithkush do të kishte besim tek vetja me një kokë plot me flokë. Por një qeros plot besim – ky është diamanti i dorës së parë.
-Nëse një grua ju thotë se është njëzet dhe duket gjashtëmbëdhjetë vjeç, është dymbëdhjetë. Nëse ju thotë se është njëzet e gjashtë dhe duket si njëzet e gjashtë, është afër të dyzetave.
-E gjithë bota çmendet kur reperi më i mirë është i bardhë, lojtari më i mirë i golfit është i zi, më i gjati në “NBA” është kinez, zviceranët fitojnë Kupën e Botës, Franca akuzon SHBA-në për arrogancë dhe Gjermania s’do të shkojë në luftë.

Benxhamin Franklin

-Nëse do të kuptosh të metat e një vajze, lavdëroje tek shoqet.
-Birra është prova se Perëndia na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur.
-Ka vetëm tre miq besnikë, një grua e vjetër, një qen i vjetër dhe para në dorë.
-Eksperienca është një mësuese e dashur dhe vetëm budallenjtë mësojnë nga gjëra të tjera.
-Të zgjuarit nuk kanë nevojë për këshillat. Vetëm budallenjtë nuk duan t’i marrin.
-Tragjedia e jetës është se plakemi shpejt dhe bëhemi të urtë shumë vonë.
-Miqtë, ashtu si peshku, fillojnë t’u vijë erë pas tri ditëve.
-Bëjini sytë katër para martese, dhe mbajini gjysmë mbyllur pas martese.

Xhorxh Bernard Shou

-Nuk luajmë më sepse plakemi. Plakemi sepse nuk luajmë më.
-Gazetat duket se e kanë të pamundur të diskriminojnë mes një aksidenti me biçikletë dhe kolapsit të një qytetërimi.
-Kërcimi: Shprehja vertikale e një dëshire horizontale të legalizuar nga muzika.
-Sikur të gjithë ekonomistët në botë të ishin vënë njëri pas tjetrit, nuk do të arrinin asnjë konkluzion.
-Rregulli i artë është se nuk ekzistojnë rregullat e arta.
-Një jetë e kaluar me gabime jo vetëm që është më e ndershme, por më e vlefshme se një jetë e kaluar duke mos bërë asgjë.
-Koha është një mësues i mirë, por i vret të gjithë nxënësit e saj.
-Rinia është e mrekullueshme. Sa krim që shpenzohet më kot tek fëmijët.
-Martirizimi është e vetmja mënyrë si një njeri mund të bëhet i famshëm pa aftësi.
-Nëse s’e hiqni qafe një skelet të familjes, mund ta bëni të kërcejë.

Platoni

-Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.
-Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.
-Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.
-Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.
-Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.
-Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Leksionet e jetës sipas Bill Gates

Rregulli 1: Jeta nuk është e drejtë, duhet të mësoheni me të.
Rregulli 2: Bota nuk do të kujdeset për vlerësimin tuaj personal. Bota pret që ju të bëni diçka, përpara se të ndjeheni mirë me veten.
Rregulli 3: Ju nuk do të fitoni sapo të mbaroni shkollën, menjëherë për punën që bëni, 60.000 dollarë në vit. Ju nuk do të bëheni as menjëherë, sa të mbaroni shkollën, zëvendëspresident i firmës me telefon në makinën tuaj. Ju do t’i fitoni me shumë mundim të dyja.
Rregulli 4: Nëse mendoni se mësuesi juaj apo prindi janë të ashpër, prisni deri sa të keni një shef në punë.
Rregulli 5: Të paguheni më pak sa ju takon, nuk është në dinjitetin tuaj, gjyshërit tuaj përdornin fjalën “mundësi“ në vend të pagesës më pak se të takon.
Rregulli 6: Nëse gaboni apo futeni në telashe, nuk është faji i prindërve tuaj, kështu që mos u ankoni për gabimet, por mësoni prej tyre.
Rregulli 7: Para se të kishit lindur, prindërit tuaj nuk kanë qenë kaq të mërzitshëm sa janë tani. Ata u bënë të tillë nga pagesa e faturave tuaja, pastrimi i rrobave, si dhe duke ju dëgjuar kur thoni aq shpesh se sa “cool“ dhe të zotët jeni.
Rregulli 8: Shkolla juaj mund t’ju ketë bërë fitues apo humbës në shumë gjëra, por jeta, akoma jo. Në disa shkolla i kanë hequr fare notat që sanksionojnë dështimin, duke ju dhënë shanset deri sa ju të merrni notën kaluese. Por mos harroni, kjo që ndodh në shkollë nuk ka as ngjashmërinë më të vogël me jetën reale, që do të thotë se shanset nuk të jepen shumë herë në jetë!
Rregulli 9: Jeta nuk është e ndarë në semestra. Ju nuk i ndalni dot stinët e vitit dhe vetëm shumë pak prej punëdhënësve tuaj janë të interesuar t’ju ndihmojnë për të gjetur vetveten. Prandaj gjejeni vetveten se kush jeni në kohën e duhur.
Rregulli 10: Televizioni nuk është jeta e vërtetë. Në jetën reale njerëzit nuk kanë kohë të rrinë gjatë nëpër kafene dhe restorante sepse duhet të shkojnë në punë.
Rregulli 11: Silluni mirë me “budallenjtë”, sepse shanset janë që ju të punoni për njërin prej tyre.

Oscar Wilde

– Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
– Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
– Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
– Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
– Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
– Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
– S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
– Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
– Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.
– Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
– Ai që s’di të mësojë, jep mend.

Aristoteli

– Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.
– Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.
– Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.
– Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.
-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.
– Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.
– Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

Makiaveli

– Politika nuk ka lidhje me moralin.
– Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime për të thyer premtimin e tij.
-Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij.
-Para së gjithash, armatosu.
-Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë.
-Sipërmarrësit janë thjesht ata që e kuptojnë se ka pak ndryshim mes pengesë dhe mundësisë. Dhe janë në gjendje t’i kthejnë të dyja në avantazhin e tyre.
-Urrejtja është fituar me anë të veprave të mira aq shumë sa me anë të veprave të këqija
-Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë.
-Kështu del se pothuaj që të gjithë Profetët e armatosur kanë qenë fitimtarë, dhe të gjithë profetët e paarmatosur janë shkatërruar.
– Unë nuk jam i interesuar në ruajtjen e status quo-së, unë dua ta shkatërroj atë.
– Nëse duhet bërë një lëndim ndaj një njeriu, atëherë ai lëndim duhet të jetë shumë i rëndë saqë nga hakmarrja e tij të mos kesh aspak frikë.
-Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin.
– Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan.
– Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt.
-Njerëzit janë shumë të thjeshtë dhe shumë të prirur për t’iu bindur nevojave të menjëhershme saqë një mashtruesi nuk do t’i mungojnë kurrë viktimat për mashtrimet e tij. – “TO”./KultPlus.com