Në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Stubëll do të mbahet një takim ndërkulturor letrar në të cilin marrin pjesë Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes letrar shumëgjuhësh, Nedjeljko Špilek, zëvendës ambasador i Kroacisë në Kosovë e poet, Marc Perry, historian e profesor britanik dhe Bekim Shala, shkrimtar.
Ngjarja mbahet më 28 Prill, ora 15:00, në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe./KultPlus.com
Për të parën herë, një artist kosovar komisionohet dhe ekspozon punën e tij në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, të Shteteve të Bashkuara. Duke filluar këtë të hënë, 29 prill 2024, peisazhi skulptural ‘Abetare’ i Petrit Halilajt, prej figurash nga bronzi dhe hekuri, do të jetë i përhapur anembanë terracës së Muzeut MET, deri më 27 tetor 2024. Ky projekt gërsheton realitetin dhe imagjinatën përmes vizatimeve të fëmijëve, marrë nga shkarravinat e gjetura në bankat e shkollës në Runik, Kosovë, ku ai vijonte mësimet, si dhe në shkolla të tjera të rajonit.
Për artistin Petrit Halilaj, ‘Abetare’ është më i rëndësishmi i karrierës së tij. “Ajo që dikur ishte e pa materializuar, intime dhe e bërë fshehurazi, tani është shkallëzuar në një peizazh skulptural mbi qiellin e qytetit që ndezë ëndrrat e shumëkujt” shprehet artisti në rrjetet e tij sociale pak para hapjes së instalacionit skulptural në terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të MET për publikun.
Për punën e suksesshme të Halilajt, po shkruajnë edhe mediat e huaja prestigjioze, vlerësimet e të cilave po e ngrisin artistin kosovar në majë të artit bashkëkohor. Revista e njohur amerikane ‘Vogue’ në një bashkëbisedim me artistin Petrit Halilaj, shkruan që artisti i lindur në Kosovë, po sjellë dicka të jashtëzakonshme, fantastike e poetike në çatinë e Muzeut MET. Në anën tjetër, edhe pse pa shpalosur shumë detaje nga MET, as Halilaj nuk mund ta fsheh entuziazmin e tij për këtë arritje. “Ajo që unë po sjell është më tepër ndjenja e ndërtimit të një harte personale dhe trajektoreje të jetës sime duke ndërthurrur ëndrrat dhe imagjinatën time me realitetin. Jam aq i lumtur që kam zbuluar një mënyrë për të shprehur jo vetëm ëndrrat e fëmijërisë sime, por edhe ato të shumë fëmijëve në të gjithë botën.” shton Halilaj.
Edhe drejtori i MET, Max Hollein, e quan artistin kosovar si tejet përparimtar dhe ndërkombëtar në fushën e tij. “Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm.”
Instalacioni skulptural i artistit Petrit Halilaj, në terracën e Muzeut Metropolitan të Artit, në New York, është i hapur për publikun prej 30 prill deri më 27 tetor 2024./ KultPlus.com
Në Gjakovë sot është zbuluar pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi – Muzeu Historik 1999.
Të pranishëm në shtëpinë e nënës Ferdonije Qerkezi, ishin nënkryetari i komunës, Flamur Fetahaj, drejtori për Mjedis dhe Urbanizëm Arben Bakalli, drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla dhe Këshilltari Xhavit Alijaj.
Në fjalën e tij, Nënkryetari Fetahaj, u shpreh se kjo pllakë simbolizon shembullin më konkret të durimit dhe sakrificës së popullit tonë, Nënën Ferdonije.
“Kjo nënë dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve, do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë si institucion”, tha ndër të tjera ai.
Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës.
Ndryshe, Ferdonije Qerkezi, vazhdon të mbaj shprese që fati i të gjithë të pagjeturve të zbardhët.
Ajo deri tash ka varrosur dy nga djemtë e sajë, përderisa trupat e dy të tjerëve dhe bashkëshortit nuk janë identifikuar ende./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë rritur kapacitetet e organeve të kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht.
Ai thotë se problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi.
“Nga sot, kemi rritur kapacitetet e organeve të Kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht. Rritja e kapacitetit bashkë me kontejnerët e ri që po shpërndahen, janë rezultat i ndryshimeve që kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike”, shkruan Rama në Facebook.
Tutje, ai ka lutur qytetarët të jenë të përgjegjshëm në hudhjen e mbeturinave në mënyrë që të mbajmë Prishtinën tonë të pastër./ KultPlus.com
Është e lehtë të bindesh për të vizituar një destinacion magjepsës bazuar në fotot ekzotike që postohen në media sociale, por shpesh vendet më të vlerësuara në internet janë të tejmbushura me turistë, shkruan Emily Lefroy në të përditshmen britanike “Daily Mail”.
Një përdorues i platformës “Reddit” organizoi sondazhin: ‘Cili vend duhet vizituar këtë vit?’ dhe zbuloi përmes përgjigjeve të komentuesve destinacionet e tyre të preferuara për të udhëtuar në 2024.
Përdoruesit ndanë përvojat e tyre të pushimeve në vendet më pak të njohura – duke u bërë thirrje udhëtarëve t’i vizitonin sa më shpejt, përpara se ato të mbipopulloheshin nga turistë nga e gjithë bota.
Shqipëria është rekomanduar si një nga perlat e fshehura që premtojnë bukurinë e një lokacioni të famshëm në Instagram pa turma vizitorësh.
Shqipëria, Gadishulli Ballkanik
Shqipëria ndodhet në Ballkan. Vendi njihet për plazhet e bukura dhe Bjeshkët e Nemuna, të cilat janë një varg malor spektakolar në veri të Shqipërisë.
Vizitoni Shqipërinë përpara se vendi të preket nga turizmi masiv, pasi influencuesit në Instagram vazhdojnë të bëjnë të njohur dhe të promovojnë këtë perlë ballkanike.
Njerëzit janë shumë të ngrohtë dhe mikpritës, plazhet janë të mahnitshme dhe ushqimi është një ndërthurje e shijeve ballkanike, greke, turke dhe italiane.
Destinacioni mesdhetar është super i përballueshëm dhe ofron një mot të ngrohtë dhe të favorshëm.
Sipas sondazhit online në “Reddit”, vendet më të rekomanduara për t’u vizituar në vitin 2024 janë:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë një reagim në ditën kombëtare të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Në reagimin e bërë nga ambasada thuhet se pas më shumë se dy dekadash, familjeve ende u mungojnë përgjigjet për fatin e personave të zhdukur.
“Sot, ne qëndrojmë së bashku me anëtarët e familjes që ende, dekada më vonë – nuk e dinë se çfarë ndodhi me të dashurit e tyre të humbur”, thuhet në postimin e ambasadës, duke shtuar se përgjigjet mbi fatin e personave të zhdukur duhet të jenë prioritet, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi sot se sapo Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, familjarët e të pagjeturve mund të ushtrojnë padi në gjykatat evropiane.
Janë mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, shumica prej tyre fëmijë./ KultPlus.com
Romani që po ngjall shumë diskutime në Itali tregon se si shkuan realisht gjërat gjatë komunizmit dhe luftës civile në Shqipëri.
“Shqipëria për një kohë shumë të gjatë ka qenë treguar, jashtë dhe brenda saj, nga njerëz që nuk e donin më. Por tani ka arritur koha për “Le favole del comunismo” të Anita Likmetës që na tregon anën tjetër të L’America. Nga ku gjithçka nisi”.
Kështu shprehet regjisori dhe intelektuali i njohur italian Gianni Amelio për autoren shqiptaro-italiane me sy të shkruar nga Durrësi, Anita Likmeta.
“Le favole del comunismo’ është romani i saj i parë i botuar nga Marsilio Editori dhe siç shprehet regjisori Gianni Amelio, ai është një akt thellësisht dashurie, sepse tregon si shkuan gjërat me të vërtetë.
“Dhe e thotë këtë përmes syve të një fëmije, autores Anita Likmeta”, vijon regjisori Amelio.
Romani i Anita Likmetës, që sapo është publikuar në parapagim, po ngrihet shpejt në listat e shitjeve në Amazon Italia.
Po për çfarë flet romani?
“Përrallat e vendit të Shqiponjave tregojnë për gomerët, pemë mollësh, veprime për të shpëtuar një vajzë të çmendur me bisht kalëri, dhe për fleta që, një herë të mbjellë, mund të bëjnë të fillojnë të rriten jo vetëm luleshtrydhe dhe qepa, por edhe shtëpi.
Shqipëria e Shqiponjave është më e lumtura që ekziston. Edhe pse nuk ka ujë të rrjedhshëm, edhe pse ka më shumë bunkere sesa lopë, edhe pse nëna e Arit e la tek gjyshërit sepse u bë shtatzënë shumë e re për të punuar, edhe pse kur rrëzohet muri i Berlinit nuk ka përfundim të menjëhershëm të diktaturës: në Shqipërinë e Shqiponjave ka vetëm kaos dhe vrasje dhe njerëz me fytyrën e mbuluar. Sigurisht, kur rrëzohet muri i Berlinit, shumë njerëz largohen për në Itali, drejt anës tjetër të Shqipërisë së Shqiponjave, që është më e lumtura prej të gjithave.
Por Ari dhe gjyshërit nuk u nisën, ata mbeten mbrapa. Gjyshërit ndjehen shumë të vjetër për t’u larguar, dhe atëherë Ari pret që nëna – e larguar në anijen që kanë marrë të gjithë të tjerët – të kthehet për ta marrë.
Ka dy Ari në këtë roman: njëra është vajza që jeton në Shqipëri në vitet ’80 dhe ’90, dhe është pa këpucë, sepse këpucët nuk duhet të konsumohen dhe prandaj ajo ec zbathur; tjetra është një grua e re që ka shumë këpucë, ashtu si ka ujë të rrjedhshëm, dhe sot jeton në qendër të Milanos, në një apartament elegant, duke kaluar orë nën dush sepse shampot biologjike nuk bëjnë mjaft shkumë. Të dyja ngjajnë, pak për shkak se janë të bukura dhe bukuria është e njëjtë, pak për shkak se janë të njëjtat Ari.
Anita Likmeta, me butësi dhe ironi, me gëzim dhe pamëshirshmëri, shkruan një roman monumental dhe na tregon një fëmijëri ku, ndonjëherë, të urinosh nën veten ishte mënyra e vetme për t’u ngrohur.
Anita Likmeta është një shkrimtare dhe sipërmarrëse e lindur në Durrës, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, natyralizuar italiane.
Pasi arriti në Itali pas luftës civile në vitin 1997, ajo mori diplomën e shkollës së mesme për gjuhët klasike dhe pastaj u laureua në Letërsi dhe Filozofi.
Ajo është vlerësuar në vitin 2021 si një nga gratë “Inspiring 50” në Evropë për inovacionin sipas Corriere della Sera. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo ka qenë Ambasadore për Connect Albania për IOM – Migracionin e OKB-së. Gjithashtu, ajo ka qenë kandiduar edhe në zgjedhjet politike italiane në zonën e progresistëve liberalë. /atsh/KultPlus.com
Një tornado u vu re në Nebraska-n juglindore ku janë vendosur disa paralajmërime për pjesët perëndimore të zonës së metrosë Omaha.
Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi një tornado në veri të Waverly, Nebraska që po lëvizte në verilindje pak pas orës 15:00 të premten.
Zyrtarët u kërkuan atyre në zonë që të kërkojnë strehim menjëherë, shkruajnë mediat e huaja.
Paralajmërimet për tornado u vendosën të premten pasdite për një zonë pranë Interstate 80 midis Lincoln dhe Omaha, tha Patrulla e Shtetit të Nebraskës.
Ndërkohë të paktën tri tornado të tjerë janë raportuar që nga e enjtja, duke përfshirë një pranë Bird City, Kansas, një në Yoder, Wyoming dhe një tjetër pranë Akron, Kolorado, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Guvernatori i Kansasit, Laura Kelly, shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të motit të ashpër./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa tërhoqi vëmendjen të enjten në mbrëmje gala “Time 100” në qytetin e New Yorkut.
Këngëtarja 28-vjeçare, e cila u pa më herët gjatë javës në qytet, mahniti të pranishmit teksa u paraqit e veshur me një fustan argjendi të me mëngë të gjata të markës “Chanel”.
Fustani gjithashtu kishte në qendër një fjongo në formën e çelësit të zezë dhe një brosh në mes, shkruan DailyMail. / KultPlus.com
Në Kosovë sot po shënohet Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Për këtë ditë janë organizuara aktivitete të ndryshme nga institucionet qendrore e lokale.
Ndërkaq, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kërkuar zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve në Kosovë.
“Në ditën e Personave të Zhdukur në Kosovë, ne bëjmë thirrje për ripërtëritje të përpjekjeve për të zbardhur fatin e të gjithë të zhdukurve. Në veçanti në këtë ditë ne qëndrojmë me të gjitha ato familje që presin përfundimin e këtij procesi. Shërimi i plagëve të së kaluarës do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore për të gjithë”, ka shkruar misioni i OSBE-së në Kosovë, duke e përmbyllur postimin me #NeverForget.
Në Kosovë llogariten mbi 1600 persona të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë më 1998-1999. Presidentja Vjosa Osmani në reagimin e sotëm ka thënë se Serbia vazhdon të flet mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat me informacione për personat e zhdukur. / KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Albania) dhe Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura planifikojnë të mbajnë dëgjesë publike mbi Planin e Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit.
Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja njoftoi në rrjetet sociale se qëllimi i takimit është prezantimi dhe diskutimi së bashku me palët e interesit i temave të trajtuara në Planin e Menaxhimit të ish-Burgut të Spaçit, si ruajtja e këtij monumenti si vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, përqasjet për realizimin e muzeut të kujtesës, mekanizmat e organizimit dhe implementimit të një strukture të përshtatshme menaxhuese të sitit, etj.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme, ka ardhur koha që Spaçi t’u kthehet qytetarëve shqiptarë dhe kjo dëgjesë do të paraqesë planin e menaxhimit, zbatimi i të cilit do të mundësojë ndryshimin dhe realizimin e vizionit për të ardhmen e Spaçit”, u shpreh Gonxhja.
Mbi të gjitha, sipas tij, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 50 individë: ish të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së të Pagjeturve ka thënë se rreth 1600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, shumë prej tyre fëmijë që iu morën nënave nga djepi.
Presidentja ka thënë se Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat ku gjenden informacionet për kosovarët e zhdukur.
Në fund Osmani thotë se e vërteta do të triumfojë.
“Rreth 1600 te zhdukur me dhunë akoma na mungojnë. Shumë prej tyre fëmijë që ua morën nënave nga djepi. Serbia akoma fle mbi varreza masive e refuzon t’i hapë arkivat ku gjinden informatat për më të dashurit tanë. Por e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë sërish!”, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com
Tirana do të mikpresë ceremoninë zyrtare të hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj feste në 1 maj, ora 20:00 në sheshin “Skënderbej”.
Veliaj theksoi se “Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja”.
“Qytetet shqiptare janë gati të mikpresin kulturat e të tjerëve, të cilat vijnë me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e tyre e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin. Ejani të bëheni pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2024”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./ KultPlus.com
Falë mbështetjes së programit EU4Culture, po del në dritë një tjetër thesar i vyer i trashëgimisë kulturore, rrënojat e Kishës së Shën Mërisë, në Sh’Mri të Mamurrasit, të shpallura Monument Kulture, Kategoria l, në vitin 1973.
DRTK Shkodër bën me dije se, ndërhyrja konsiston në restaurimin dhe konsolidimin e mureve të kishës, restaurim i pikturës murale si dhe vendosja e një strehe metalike tek pjesa e absidës aty ku gjendet edhe piktura murale.
Ky monument po restaurohet dhe rijetësohet për t’i rikthyer vlerat këtij objekti kishtar të shekullit XV, si dhe për t’ia kthyer besimtarëve por edhe Kurbinit një tjetër destinacion turistik. / KultPlus.com
Në Kosovë sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.
Për këtë ditë do të mbahen disa aktivitete.
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën ” 27 Prilli 1999 Mejë”, në shënim të 27 prillit, Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, mbahen këto aktivitete:
Ora 10:00- Homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës (para Kuvendit të Republikës së Kosovës)
Ora 12:00- Arritja në Kompleksin Memorial në Mejë, (Mejë, Komuna e Gjakovës)
Ora 12:15- Vendosja e kurorës së përbashkët (Memoriali në Mejë)
Ora 12:20- Tubim përkujtimor në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë (Kompleksi Memorial në Mejë) / KultPlus.com
Më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre./ KultPlus.com
Më 19 janar 1900, lindi Skënder Luarasi, “Nder i Kombit” dhe ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencës shqiptare të shekullin XX.
Biri i patriotit të shquar, Petro Nini Luarasi, do të ndiqte shembullin e të atit në përkushtimin e tij ndaj çështjeve kombëtare. Përmes pendës së tij të spikatur, trashëgojmë shumë vepra të natyrës shkencore, shoqërore, kombëtare, si edhe monografi të figurave monumentale në historinë dhe letrat shqipe, si psh. Isa Boletini, Ismail Qemali, Motrat Qiriazi, Migjeni etj.
Skënder Luarasi e nisi aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Ai ishte arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit. Për bindjet republikane e antifashiste ai u burgos nga regjimi monarkist dhe vuajti kampet e përqëndrimit fashist. Pas çlirimit ndërmori nismën për themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe qëndroi si anëtar i kryesisë së saj deri në nëntor 1949.
Në vitet 1946-1950, ushtroi detyrën e deputetit. Më pas e përjashtuan për disa vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve, duke e akuzuar ‘’për veprimtari armiqësore’’, duke e etiketuar si ‘’historian borgjez’’ e ‘’oportunist’’ dhe pati censure e pengesa në botimin e veprave.
Më poshtë mund të shihni një vjershë e shkruar prej tij gjatë kohës kur ishte nxënës në shkollën e Negovanit, si edhe një foto e tij me Petro Markon, Iliaz Pashajn, Mehmet Shehun dhe Lumi Ebron./KultPlus.com
Ti qan e loti vetëtin Qerpikëve të tu; Elmazi i vesës në agim Prej vjollcës shket ashtu. Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz shkëndrit në sytë e tu; Sarifi zbehet n’atë çast nga flakë e tyre blu.
Purpurn e reve ruan ti, kur Dielli perëndon dhe errësira pa kufi Nis botën e mbulon Kështu dhe vështrimi yt Djeg retë e shpirtin tim; Le t’erret!Brenda meje ndrit I zjarrti perëndim! / KultPlus.com
Një histori dashurie e denjë për një poemë të lartë. Një poet rebel për një ngjarje emblematike. Një piktori i madh për ta jetësuar; në imazh, në figurë, në tablo, në ngjyra, në dritëhije, në kryevepër një ngjarje kapërcyell që mishëron pasion, dashuri, rrezik dhe vetë misterin e një legjende.
Në këtë skenë nga poema e Lord Bajronit “The Corsair”, Gulnare e bukur, një anëtare i haremit të Pashait, viziton fshehurazi Corsairin e burgosur ose piratin Conrad. Ata bien në dashuri, dhe Gulnare përfundimisht thur planin për vrasjen e pashait dhe lirimin e të dashurit të saj.
Eugène Delacroix e tërhoqi shumë Bajroni, në poezitë e të cilit artisti gjeti lëndën emocionale dhe ekzotike që kërkonte. Në orientimin e skenave si kjo, ai kapi betejat e zemrës, duke përputhur përdorimin e tij novator të ngjyrës dhe aplikuar lirshëm furçat me tema të papara dhe të diskutueshme.
Victor Eugène Delacroix (26 Prill 1798 – 13 Gusht 1863), ishte një figurë e rëndësishme e pikturës romantike franceze. Ai konsiderohej si lider i shkollës romantike franceze. Përdorimi i shprehës i penelave dhe studimi i efekteve optike të thellësisë së ngjyrave, formoi punët e impresionistëve, ndërsa pasioni i tij për ekzotiken frymëzoi artistët e Simbolizmit.
Delacroix e ekspozoi këtë akuarel në Sallonin e vitit 1831. Pasi mësoi teknikën e bojërave të ujit nga miqtë e tij britanikë. Ai e përdori atë si vepër arti të pavarur, ashtu edhe si një medium për skicimin e natyrës. Ai e përshkroi me lehtësi qasjen e tij, duke thënë, “Sharmi i veçantë i akuareleve, përkrah të cilit pikturat e bojërave të vajt, gjithmonë shfaqet e ndryshkur dhe e verdhë, kjo për shkak të transparencës së natyrshme të letrës”.
Episode from “The Corsair” by Lord Byron; Eugène Delacroix (French, 1798 – 1863); about 1831; Watercolor, brown ink, touches of gouache, over graphite underdrawing; 24.3 x 19.2 cm (9 9/16 x 7 9/16 in.); 97.GC.30
Historia e ngjarjes “The Corsair”
“The Corsair”, botuar në vitin 1814, tregon historinë e Conrad, një pirat i egër dhe i pamëshirshëm i Egjeut, virtyti i vetëm i të cilit ishte dashuria që ndjen për Medoran e butë. Në pamjen e parë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në lidhjen e tyre, na thotë Bajroni, por nën pjesën e jashtme, të qetë, ka pasion, krenari dhe një thirrje mashtrimi, të llogaritur, karakteristika që e veçojnë atë nga burrat e tjerë. I keqtrajtimi në moshën e fëmijërisë, i përndjekur dhe i frikësuar, Conrad është një hero i vetmuar tragjik, i cili nuk është i destinuar të shijojë kurrë paqen dhe lumturinë.
“The Corsair” ishte një sukses i menjëhershëm, duke konfirmuar rëndësinë e Bajronit si poeti më i njohur dhe me ndikim i brezit të tij.
“The Corsair” është një legjendë në vargje nga Lord Byron, botuar në vitin 1814 nga John Murray në Londër, e cila ishte jashtëzakonisht e popullore dhe me ndikim në ditët e saj, duke shitur dhjetë mijë kopje në ditën e parë të shitjes.
Poezia është e ndarë në këngë (si Komedia hyjnore e Dantes). Ajo tregon historinë e korsairit, një pirat i pamëshirshëm dhe gjakësor i Egjeut, siç Bajron citon: “ai, njeri i vetmisë dhe i misterit”, i cili e njeh veten si një “zuzar””.
Shumë amerikanë besuan se poema e Lord Byron, “The Corsair”, bazohej në jetën e piratit Jean Lafitte .
Komploti përqendrohet rreth personazhit kryesor të Corsair, Conrad, një pirat.
Kënga e parë rrëfen planin e Conrad për të sulmuar pashain Seyd dhe për të vjedhë pasuritë e tij. Gruaja e tij, Medora, megjithatë, është e vendosur ta bindë atë të braktisë planin dhe të mos e nisë misionin. Ai lundron nga ishulli i tij në Detin Egje për të sulmuar pashain në një ishull tjetër.
Kënga e dytë përshkruan sulmin. Të maskuar, Conrad dhe shpura e tij fillojnë sulmin e tyre kundër pashait, duke e rrethuar dhe infiltruar në pallatin e tij. Sulmi shkon mirë dhe sipas planit. Por Conrad ndërkohë dëgjon klithmat e grave në haremin e pashallëkut dhe ai përpiqet ti lirojë ato. Devijimi nga plani mundëson që forcat e pashallëkut të organizohen për një kundërsulm. Ata janë në gjendje të vrasin shumicën e sulmuesve dhe të kapin Conrad. Gulnare, skllavia i pashallëkut, hyn vjedhurazi në qelinë e burgut ku dergjej Conrad dhe i bën me dije përpjekjen për ta shpëtuar atë. Kjo është pjesë e mirënjohjes për tentativën e tij për ta shpëtuar atë dhe shoqet e saj.
Në këngën e tretë dhe të fundit, Gulnare inicon planin e arratisjes, duke tentuar të sfidojë vendimin e pashait për lirimin e Conrad. Plani nuk ka sukses. Pasha kërcënon ta vrasë atë dhe Conrad. Gulnare përpiqet të bindë Conrad për të vrarë Seyd. Ajo arrinë të fusë fshehurazi një thikë në qelinë e tij, me të cilën ai të vrasë pashain. Conrad, megjithatë, nuk pranon të vrasë pashain në këto kushte. Ai pranon ta vrasë atë vetëm në një luftë të ndershme. Ajo është e vendos dhe arrin ta vrasë e vetme pashain. Tashmë ata të dy janë në gjendje të shpëtojnë. Conrad merr Gulnare në shtëpi me vete. Pas kthimit të tij, ai zbulon se gruaja e tij, Medora ka ndërruar jetë për shkak të pikëllimit dhe dëshpërimit, duke besuar se Conrad kishte vdekur. Në skenën e fundit, Conrad niset vetëm nga ishulli, duke mos u martuar me Gulnare: “Ai la një emër të Korsairit në kohë të tjera, / Lidhur me një virtyt dhe një mijë krime”.
Një poemë dhe një pikturë për të përjetësuar një pirat sa gjakatar dhe të pamëshirshëm aq dhe të ndershëm dhe fisnik. Një dashuri që miksohet me kurthe, intriga, plane dhe gjak merr jetë në një terren tejet armiqësor por të dritur nga dielli i pasionit. /albertvataj/KultPlus.com
Kryebashkiaku Veliaj ka pritur sot në zyrën e tij muzikantin gjerman dhe njëkohësisht producentin e muzikës elektronike, Paul Kalkbrenner.
Ai dhe personalitete të muzikës tekno do të performojnë sot në mbrëmje për qytetarët duke elektrizuar kryeqytetin me hitet e tyre.
“Jam këtu me Paul Kalkbrenner. Ai vjen gjithashtu nga Gjermania por nga Gjermania Lindore, kështu që ne shqiptarëve që vijmë nga Lindja na kupton perfekt. Ka qenë ylli i Tomorrow Land dhe shumë festivaleve, por ndonjëherë nëse nuk shkojmë dot tek festivalet, sjellim festivalet këtu. Paul do jetë me ne në darkë. Një falënderim të madh të gjithë atyre që na kanë mbështetur dhe një ndjesë atyre që ndoshta do kenë pak zhurmë, por do ia vlejë, se do kënaqemi pa fund, pa fund”, tha Veliaj. / KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?- Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi e cila ka shënuar një sukses të madh nëpër teatro të njohura evropiane, së fundmi ka realizuar një ëndërr të kahmotshme të saj, shkruan KultPlus.
Me përkrahjen e shumë miqve artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i nismës së nisur nga Kajtazi, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Ajo këtë nismë/bursë e ka emërtuar si “Bajar Berisha Stipendium”.
“Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme”, ka shkruar Kajtazi.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Një ëndërr e imja e kahmotshme morri jetë mbrëmë.
Suksesi im i deritanishëm është rezultat i mbështetjes së madhe që kam marrë nga shumë njerëz, të cilët sot i konsideroj familje. Një ndër të parët që besoi shumë në mua ishte profesori im i nderuar, tashmë i ndjerë, Bajar Berisha.
Ka dhjetë vite që jetoj dhe veproj në Gjermani dhe gjatë kësaj kohe kam ndihmuar dhe përkrahur studentë të ndryshëm, që sot edhe bëjnë karrierë nëpër botë. Këtë përkrahje mendova ta vazhdoj përmes themelimit të një burse për studentë shqiptarë nga të gjitha trojet tona, të cilët studiojnë në një nga degët e arteve të bukura në Gjermani.
Si falënderim dhe mirnjohje për mbështetjen e pakursyer që kam marrë nga profesori dhe dirigjenti ynë i mirënjohur Bajar Berisha, kam vendosur që bursën ta emërtoj “Bajar Berisha Stipendium”.
Me përkrahjen e shumë miqve tanë artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i kësaj nisme, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë miqt dhe përkrahësit e mi që besuan në synimin tim dhe nuk më lëshuan dorën në këtë iniciativë dhe e bënë të mundur realizimin e kësaj nisme: Leonie dhe Lars Bogdahn, The Studios Brand Design, Organizatën ODA e.V. Hamburg, në krye më Muhamet Idrizin, bashkëshortin tim Ardian Gega i cili kësaj mbrëmje i kushtoi veprën “Trembem” për soprano, kontrabas dhe piano, me tekst të Emin H. Daka, pianisten e mrekullueshme shqiptare Elda Laro, e cila iu bashkëngjit kësaj iniciative me shumë përkushtim, pianisten Camille Lemonnier, si dhe Albert Bisakun, i cili mahniti të ftuarit gjermanë me ushqime tradicionale shqiptare.
Në ditët e ardhshme do t’i ndajmë me ju të gjitha informacionet e nevojshme për mënyrën e aplikimit për të fituar bursën për vitin 2025. / KultPlus.com
U zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit masterclass dyditor i kërcimit bashkëkohor me trupën e baletit.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, nëpërmjet Akademisë Teatrale vazhdon të sjellë në Shqipëri emra të njohur të skenave botërore, me qëllim që trupa jonë e Baletit dhe jo vetëm, të rrisë cilësinë e saj artistike.
Këtë radhë ishin Stefan Zeromski, asistenti i koreografit të shquar të kërcimit bashkëkohor çek Jiri Kylian dhe solisti i parë në Teatrin e Lionit, Edi Blloshmi, që zhvilluan një masterclass dyditor me trupën e Baletit të TKOB-së, duke sjellë eksperiencat e tyre dhe teknikat më të mira.
Të tilla masterclass-e organizohen mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare. Ato kanë në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj, si dhe fuqizimin e potencialit të tyre në skenën e TKOB-së dhe përtej saj. / KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KODE), ka organizuar aktivitetin “Shkolla e 100-të” e lidhjes së 100 shkollave me infrastrukturë moderne telekomunikuese, rrjet të sigurt e të menaxhueshëm të dedikuar vetëm për qëllime arsimore, e me mbulueshmëri të rrjetit në të gjithë objektin e shkollës, duke ndikuar kështu në aftësimin dhe përgatitjen e gjeneratave të reja për konkurrencën globale, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Në aktivitetin e mbajtur sot në Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime, ministrja Rizvanolli theksoi se infrastruktura jonë digjitale, si dhe sektori ynë i shkëlqyeshëm i TIK-ut, e vendosë Kosovën në rend të parë, e në pozicion konkurrues me shtetet evropiane.
Ajo pohoi se sipas raportit “Emerging Europe”, raport i konkurrueshmërisë i 23 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, përshirë vende si Estonia të cilat janë lidere të IT-së, Kosova renditet e para në rajon për konkurrueshmëri dhe e 11-ta në mesin e 23 shteteve. E para në rajon, e dyta në total pas Rumanisë për infrastrukture dhe e para në rajon për numër të studentëve të IT-së për 100,000 banorë.
Po ashtu, bëhet e ditur se ajo theksoi që Kosova është duke kaluar në një periudhë të zhvillimeve të hovshme teknologjike, andaj është koha e përkryer për të korrur rezultatet e tyre.
Ajo njoftoi se sa i përket infrastrukturës në sektorin e TIK-ut, veçanërisht qasjes në internet, vitin e kaluar kemi arritur 100% mbulueshmëri të vendbanimeve me internet të shpejtësisë së lartë. Kjo e vendosë Kosovën në top 8 shtetet Evropiane, krahas Zvicrës e Shteteve Nordike.
“E përgjatë lidhjes së vendbanimeve me internet, përmes projektit KODE kemi nxitur më shumë se 10 milionë euro investime nga sektori privat dhe kemi gjeneruar kursime të fondeve publike. Rezultatin e këtyre kursimeve po e festojmë sot, me to kemi lidhur 100 shkollat fillore e të mesme me internet brezgjerë të shpejtësisë së lartë, e kemi instaluar rrjetet e brendshme në objekte shkollore”, theksoi Ministrja Rizvanolli dhe njoftoi se deri në fund të vitit 2024, në rrjetin e internetit do të lidhen edhe 114 shkolla të Kosovës.
Ministria e Ekonomisë si dikaster përgjegjës për politikat dhe strategjitë kombëtare për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), deri në vitin 2030 ka për synim që Kosova të jetë një vend modern digjital me ekonomi të avancuar digjitale, administratë publike efektive duke siguruar përdorimi i zgjuar i infrastrukturës. / KultPlus.com