Presidentja Osmani u prit në takim nga Emiri i Katarit, diskutojnë për trajtimin e invalidëve të luftës të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.

Në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën. Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim.

Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj./KultPlus.com

Kurti takon Davenportin, flasin për sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi që pati me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, biseduan për temat aktuale dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së, në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në këtë takim u fol për sulmin terrorist në Banjskë, përcjell Klankosova.tv.

“U bisedua për zhvillimet që ndodhën nga takimi i fundit së bashku, në veçanti për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë të sponsorizuar, organizuar dhe me përfshirje direkte të shtetit të Serbisë”.

“Në takim u fol për angazhimin e qeverisë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë me ç‘rast Kryeministri falënderoi Ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e OSBE-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani priti në takim Dora Bakoyannis, raportuese për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe  domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë  komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.

“Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim.  Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti  i Ministrave.

“Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.

Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka  njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e lartë të zyrtarëve dhe bizneseve amerikane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.

Në takim me delegacionin e lartë amerikan, Presidentja Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.

Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, Presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Tutje, në takim u bisedua edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta.

Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarësisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

POD-të janë një nismë që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit më të thellë midis Shteteve të Bashkuara, vendeve me rëndësi strategjike, si dhe sektorit privat. Kjo nismë eksploron një gamë të gjerë partneritetesh të mundshme për të bashkëpunuar në projekte specifike që avancojnë prioritetet e politikave të përbashkëta. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti  në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejm.

Presidentja Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtetndërtimin. Presidentja Osmani ka kërkuar edhe më tej mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuese për avancimin e të drejtave të njeriut. / KultPlus.com