Rritet numri i vizitorëve në hotele në janar, kryesojnë italianët

Strukturat akomoduese pritën më shumë vizitorë të huaj gjatë muajit janar të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, ku bëhet e ditur se numri i vizitorëve shënoi rritje me 26,9 %, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 41,0 % dhe rezidentë 12,1 %.

Referuar raportit, vizitorët qëndruan më gjatë, teksa bëhet e ditur se netëqëndrimet gjithsej u rritën me 35,8 %, ku ato jo-rezidentë u rritën me 49,1 %, ndërsa ato nga rezidentët me 19,0 %.

Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat jo-bregdetare me 46,5 % dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme me 38,4 %.

Publikimi vlerëson se italianët kryesojnë sa i takon netëqëndrimeve në strukturat akomoduese, duke lënë pas edhe Kosovën.

“Shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (21%), Kosova (18%), dhe Gjermania (6%). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve”, bën të ditur INSTAT-i. /atsh/ KultPlus.com

Festivali Rock & Blues Fest prezanton datat e edicionit të tretë

Festivali ndërkombëtar më i madh i muzikës rock në Ballkan, “Rock & Blues Fest” ka shpallur zyrtarisht datat e edicionit të tretë.

“Edicioni i tretë i tij pritet të sjellë surpriza fantastike me pjesëmarrje të grupeve të Rock dhe Blues muzikës nga mbarë bota në qytetin e Prizrenit!”, thuhet në njoftim.

Dy edicionet e kaluara kanë pasur sukses të madh sepse në Kosovë janë prezantuar grupe legjendare botëre të këtij zhanri muzikor.

Datat në të cilat do të mbahet festivali janë: 11,12,13 korrik 2025. / KultPlus.com

Hapja e ekspozitës ‘Venus’ në ‘Marubi’

Më 20 mars në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” hapet ekspozita “Venus!” me vepra nga koleksionet e autorëve Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta.

Repertorin e tyre fotografik, në një moment të caktuar, e përshkon prania e një skulpture: hyjnisë antike – Venus-it –, e cila kundron e palëvizshme disa ngjarje që, njëherë e njëkohë, u zhvilluan në oborrin e një shtëpie të rëndësishme qytetëse, ku edhe u dokumentuan ngjarje të përveçme e, më tej, ndryshime të forta politike.

Panairi i Librit të ri, të vjetër dhe të përdorur

Më 21 dhe 22 mars mbahet panairi i librit të ri, të vjetër dhe të përdorur. Shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”  edhe këtë vit sjell për lexuesin botime të rralla.

Do ketë libra të përdorur në shqip dhe gjuhë të tjera, dhe botimet “Pika pa sipërfaqe” do jenë me zbritje.
Ditën e shtunë do ekspozohen edhe 50 libra të rrallë (botime përpara 1945-s) mbi Shqipërinë.

Panairi mbahet me 21 dhe 22 mars nga ora 10:00 deri në 20:00.

‘Zambaku i Prizrenit’, kënga me të cilën identifikohet Liliana Çavolli (VIDEO)

Liliana Çavolli është një ndër këngëtaret më të famshme të muzikës shqipe, e cila me talentin dhe dashurinë e saj për këngën dha shumë për artin shqiptar, dhe si e tillë mbeti e paharruar për publikun e muzikës së mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.

“Zambaku i Prizrenit”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Kur lulet kundërmojnë”, “Perëndeshë e bukur je”, janë vetëm disa prej këngëve të saj me të cilat ajo identifikohet dhe do të jetojë gjatë në mendjet e publikut shqiptarë.

KultPlus sonte ju sjellë këngën ‘Zambaku i Prizrenit’, e cila konsiderohet edhe si kryevepra e Liliana Çavollit:

O zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

o zambaku i Prizrenit
o zambaku i bardhe

aman aman
qe lulezon Prizrenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim

lalalalalala

n’aksham t’bukur te prizrenit
n’vese t’agimin ç’po shndrrit
porsi lulja e argjendit
shkon gjithnje tu u hijeshu

aman aman
qe lulezon Prizerenin
aroma yte ma mbush o zemren plot me gezim/KultPlus.com

Filhamonia me koncertin e radhës në Rahovec

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbaj në qytetin e Rahovecit.

Në këtë performancë do të paraqiten Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Ansambli i Filharmonisë së Kosovës.

“Jemi të lumtur të prezantojmë koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Ansamblit të Filharmonisë së Kosovës në Rahovec më 26 mars 2025 (E mërkurë), nga ora 19:30, në Hollin e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Selajdin Mullaabazi – Mici” – Rahovec”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./ KultPlus.com

Miqësia

Poezi nga Jorge Luis Borges

Unë nuk mund të të jap zgjidhje për të gjitha problemet e jetës
Unë nuk kam asnjë përgjigje për dyshimet apo frikën tënde,
Por unë mund t’i dëgjoj ato dhe t’i ndaj me ty.
Unë nuk mund të ndryshoj as të kaluarën dhe as të ardhmen tënde,
Por kur të më duhet do të jem afër teje.
Nuk mund të të ndihmoj të mos biesh,
Unë vetëm mund të të ofroj dorën time për të të mbështetur dhe për të mos rënë.
Lumturia jote, suksesi yt dhe triumfi yt nuk janë të miat,
Por sinqerisht gëzohem kur të shoh të lumtur.
Unë nuk i gjykoj vendimet që ti merr në jetë,
Unë thjesht mbështetem për të të stimuluar dhe për të të ndihmuar nëse më pyet.
Unë nuk mund të vendos kufij brenda të cilëve duhet të lëvizësh,
Por unë mund të të ofroj hapësirën që të nevojitet të rritesh.
Unë nuk mund ta shmang vuajtjen tënde, kur ndonjë dhimbje të prek zemrën.
Por unë mund të qaj me ty dhe të marr copat për t’i bashkuar përsëri.
Unë nuk mund të të them se çfarë je ose çfarë duhet të jesh,
Unë mund të të dua vetëm ashtu siç je dhe të jem shoku yt.
Në këtë ditë po mendoja për dikë që ishte miku im në atë moment që ti u shfaqe …
Ti nuk je as më lart, as më poshtë dhe as në mes nuk jeni as në krye dhe as në fund të listës,
Ti nuk je as numri 1 dhe as numri përfundimtar
dhe aq më pak kam pretendimin
të jem 1, 2 ose 3 në listën tënde
Thjesht më duaj si mik:
Unë nuk jam shumë
por unë jam gjithçka që mund të jem./ KultPlus.com

‘Jini të uritur për të mësuar, por edhe të çmendur për t’u argëtuar’

Thënie nga Steve Jobs

“Jeta jote është e limituar, ndaj mos e shpenzo duke jetuar jetën e dikujt tjetër”.

“Ne kemi ardhur në këtë botë për të lënë gjurmë në univers. Në të kundërt, përse mund të kishim ardhur këtu?”

“Jini të uritur për të mësuar, por edhe të çmendur për t’u argëtuar”.

“Ki guximin për të ndjekur zemrën dhe intuitën tënde. Ato e dinë në njëfarë mënyre se çfarë dëshiron ti të bëhesh”.

“Puna jote do të mbushë një pjesë të madhe të jetës tënde dhe e  vetmja mënyrë për të qenë i/e kënaqur, është të bësh atë çfarë e mendon si punë të mirë për ty. E vetmja gjë për ta bërë këtë, është të bësh punën që të pëlqen. Nëse nuk e ke gjetur akoma, vazhdo të kërkosh. Mos u ndal. Në momentin që do ta gjesh, ke për ta kuptuar mennjëherë se ajo është puna e duhur për ty. Dhe ashtu si marrëdhëniet në martesë, ajo punë të duket përherë dhe më e bukur. Ndaj, kërkoje punën e duhur për ty, derisa ta gjesh. mos u ndal”.

“Gjithmonë e kam pyetur veten përpara pasqyrës: “Nëse e sotmja do të ishte dita e fundit e jetës sime, a do të doja të bëja gjërat që do të bëj sot?””.

“Mos e lër zhurmën e opinioneve të të tjerëve të mbysin zërin tënd të brendshëm”.

“Njerëzit që mendojnë se janë tepër të çmendur për ta ndryshuar botën, janë ata që vërtet e bëjnë një gjë të tillë”.

“Nëse unë bëj më të mirën time dhe dështoj, të paktën e di se kam bërë më të mirën. Do të ishte më keq, nëse  do të dorëzohesha që në fillim”.

“Le të nisim të mendohemi për të nesërmen, në vend që të shqetësohemi për atë çfarë na ndodhi dje”.

“Njerëzit mendojnë se të përqëndrohesh do të thotë t’i thuash “Po” gjërave që të ndihmojnë të përqëndrohesh. Por nuk ka lidhje fare kjo gjë. Të përqëndrohesh do të thotë t’i thuash “Jo” qindra ideve të mira që të jepen. Ti duhet të zgjedhësh me shumë kujdes”. / bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

‘Lirika të thyera’ promovohet së shpejti në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri me poezi ‘Lirika të thyera’ i autorit Murteza Osdautaj.

Botimi i librit është financuar nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. Është një botim i ShB ‘Faik Konica’ i redaktuar nga Nazmi Rrahmani dhe i recensuar nga Erenestina Halili – Gjergji dhe Albana Ndoja – Deda. Lekturën e ka bërë Merita Curri. 

Promovimi mbahet më 24 mars nga ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Shtegu i Ngjyrave, një perlë natyrore në Parkun ‘Korab-Koritnik’

Shtegu i Ngjyrave, ose ndryshe shtegu “Liqeni i Kallabakut-Kallabak-Çajë”, është një nga destinacionet më të bukura natyrore që ofron Parku Natyror “Korab-Koritnik”, i njohur për peizazhet e tij mahnitëse dhe biodiversitetin e pasur.

Ky itinerar njihet gjithashtu si një tur botanik, pasi ofron një shumëllojshmëri bimësh endemike dhe subendemike, duke e bërë atë një atraksion të veçantë për turistët dhe dashamirësit e natyrës.

Me një kombinim unik të ngjyrave dhe panoramave mahnitëse, Shtegu i Ngjyrave mbetet një destinacion i veçantë për eksploruesit dhe adhuruesit e ekoturizmit në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Prestigjiozja ‘Condé Nast Traveller Germany’ artikull për Shqipërinë: Një prej destinacioneve më në zë të turizmit të Evropës

Revista prestigjioze e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë si destinacioni i përvojave autentike të natyrës së egër.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në këtë media, duke ftuar turistët gjermanë të vizitojnë Shqipërinë.

“Gjiganti i udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany” i dedikon këtë super-artikull Shqipërisë si destinacioni i përvojave autentike të natyrës së egër dhe një mikpritjeje të sinqertë, që e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Evropës, me Vjosën si simbol të këtij ndryshimi dhe një mikpritjeje të sinqertë, që e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Evropës, me Vjosën si simbol të këtij ndryshimi”, shkruan Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “artikulli përshkruan Shqipërinë si një vend që po zgjohet nga “gjumi i bukurisë” dhe është gati të rrëmbejë vendin e tij mes gjigantëve të turizmit në Evropë, ndërsa prezantimi dinjitoz i Shqipërisë si Vendi Nderit i ITB Berlin, ka kryer misionin e vet duke e kthyer vendin tonë në qendër të vëmendjes të industrisë së udhëtimeve 2025”.

Shqipëria aktualisht është destinacioni turistik me rritje më të shpejtë në Evropë. Numri i gjermanëve që vizituan Shqipërinë në 2024 arriti në afro 400 mijë./atsh/ KultPlus.com

‘Të turpëruarit’ sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Sonte, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë shfaqja mysafire “Të turpëruarit” me regji të Altin Bashës, e cila vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Të turpërurit” trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.

Shfaqja jepet më 17 dhe 18 mars, në ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së./ KultPlus.com

Zbulohet një varr mbretëror 3 500-vjeçar

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit njoftoi zbulimin e një varri mbretëror që daton më shumë se 3 500 vjet më parë.

Në një deklaratë nga ministria thuhet se një ekip arkeologjik nga Universiteti i Pensilvanisë zbuloi një varr mbretëror që i përket Periudhës së Dytë në nekropolin malin Anubis në Abydos në jug të vendit

Një ekip tjetër arkeologësh, i lidhur me Këshillin e Lartë të Antikiteteve, gjeti një punishte qeramike nga periudha romake në fshatin Banavit në jug.

“Zbulimi i varrit mbretëror në Abydos dhuron prova të reja shkencore për zhvillimin e varreve mbretërore në nekropolin Anubis. Këto varre datojnë në vitet 1700-1600 para Krishtit”, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me punishten e qeramikës në Banavit, thuhet se “Kjo punishte ishte një nga qendrat më të mëdha të prodhimit që furnizonte ‘Rajonin e Nëntë’ me qeramikë dhe qelq në kohët e lashta”.

“Njoftimi i këtyre dy zbulimeve jo vetëm që do të promovojë diversitetin turistik të Egjiptit dhe do të shpjegojë më mirë qytetërimin e lashtë egjiptian në botë, por gjithashtu do të kontribuojë shumë për studiuesit në punën e tyre”, tha ministria egjiptiane./ atsh/ KultPlus.com

Kur heshtja duket aq e zhurmshme dhe ti ndjen se vetëm je, ki besim dhe kthehu tek unë të premtoj aty më ke

Poezi nga Leonard Cohen

Kur

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh!

Kinoteatri “Vaçe Zela” në Lushnjë, do të transformohet në një qendër arti multi-funksionale

Rilindja urbane nuk është ndalur për asnjë moment përgjatë këtyre viteve dhe ndonëse transformimet e qyteteve janë mbresëlënëse, ndërhyrjet rikualifikuese vijojnë përmes projekteve të reja,  jo vetëm në rrugë, por edhe në muze dhe objekte monumente kulture.

I tillë është projekti për rivitalizimin e Qendrës së Artit “Vaçe Zela”, në bashkinë Lushnjë, e pozicionuar në lagjen “Kongresi i Lushnjës”, në qendër të qytetit.

Qendra me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj, është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale, përfshin ndërtimin e një salle teatri moderne, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.

Kryeministri Edi Rama e vijoi në këtë qendër, vizitën e tij në Lushnje, së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila informoi se janë bërë disa inspektime për të ndjekur ecurinë e punimeve.

“Puna po ecën shumë mirë në teatrin “Vaçe Zela” me të gjithë rikonstruksionin që po bën Fshzh-ja. Kemi bërë dhe një dakordësi mes bashkisë, Eriseldës dhe FShZH-së për ta kthyer këtë pjesën këtu në muzeale, pasi kemi identifikuar brenda këtij teatri shumë pjesë të vjetra si piano, apo rroba që kanë qenë pjesë e kostumografisë për t’u përdorur. Dhe e kemi lënë që kjo pjesa këtu të jetë pak më e errët dhe të ketë mundësi për ekspozimin e këtyre sendeve që janë të vyera për historikun e teatrit. Kemi një skenë rrotulluese. Është e dyta në Shqipëri pas asaj të Teatrit dhe Operës, dhe është bashkangjitur në ndërtesë edhe teatri i Kukullave që do të jetë gjithashtu dhe në funksion të një qendre kulturore”, shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku, e cila theksoi ndër të tjera se do të shfrytëzohet çdo sipërfaqe në funksion të krijimit të hapësirave të reja për mësim dhe argëtim.

“Do të rivitalizohet gjithë ndërtesa duke i dhënë jetë dhe bodrumeve. Kati përdhe ka qenë magazinë, tani mendojmë ta kthejmë në zonë kulturore për fëmijët dhe të rinjtë me kurse të ndryshme muzikore e artistike. Pjesa jashtë, do jetë e gjitha në formën e një lulishteje. Do pastrohet komplet”, u shpreh Balluku.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për realizimin e projektit dhe këshilloi lidhur me disa elemente artistike plotësuese.

Aktualisht janë duke përfunduar gjithë punimet e infrastrukturës, sistemeve, rrjeteve, ujësjellës-kanalizimeve./atsh/KultPlus.com

“Fausti”, katër net shfaqje e duartrokitje në Teatrin Kombëtar

Publiku duartrokiti “Faustin”, gjatë 4 netëve të fundit në Teatrin Kombëtar, ku shfaqja u rikthye përsëri me të njëjtin sukses të premierës.

“Fausti” erdhi tek ArTurbina me regji të Davide Iodice, në datat 13-16 mars, përmes interpretimit të aktorëve: Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Indrit Çobani, Hervin Çuli, Niada Saliasi, Ina Gjonçi, Krist Lleshi, Gert Ferra, Genti Deçka.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti jetoi mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Kjo vepër ishte një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar dhe Sardegna Teatro me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar, thirrje artistëve për projekte bazuar mbi veprat e Shekspirit

Teatri Kombëtar shpalli thirrjen publike për projekte artistike të bazuara në veprat e Shekspirit, duke ftuar të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesin propozimet e tyre.

Përzgjedhja e projekteve artistike do të kalojë në dy faza. Në fazën e parë Teatri Kombëtar do të shqyrtojë propozimet në bazë të konceptit dhe vizionit artistik, ndërsa në fazën e dytë do të bëhet vlerësimi i aspektit financiar dhe llogaritja e fondit limit. Pas miratimit të propozimeve artistike në fazën I, projektet do të rishikohen dhe do të vlerësohen duke përllogaritur kostot dhe fondin limit.

Përveç të tjerash, aplikantët do të duhet të dorëzojnë një përmbledhje të qartë të veprës së Shekspirit që mendojnë të realizojnë. Një pikë me rëndësi është platforma regjisoriale ku do të bëhet një përmbledhje e detajuar mbi konceptin regjisorial për projektin, duke përfshirë përfytyrimin artistik për kostumet dhe skenografinë. Në përmbajtje të platformës duhet të përfshihet vizioni dhe ideja mbi veprën, qëllimi i vënies në skenë dhe rëndësia që do të ketë ajo për publikun.

Afati i aplikimeve do të jetë prej sot (17 mars) e deri më datën 11 prill 2025./atsh/KultPlus.com

Projekti që sjell historinë e Durrësit më pranë të rinjve dhe vizitorëve

Për ta sjellë historinë më pranë komunitetit lokal por edhe vizitorëve të cilët priten të jenë të shumtë këtë sezon turistik, shoqata Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab do të organizojnë një aktivitet në ndihmë të operatorëve të turizmit, guidave turistike etj.

Pas një sesioni të parë frymëzues, trajnimi do të vijojë më 5 dhe 6 prill dhe synon të pajisë pjesëmarrësit me aftësi të reja për interpretimin e trashëgimisë, “storytelling” dhe metodat krijuese.

Aktiviteti do të zhvillohet në MuZEH Lab, Durrës, ku do të mësohet mbi teknikat e avancuara në rrëfimin e historisë, për ta bërë atë më tërheqëse dhe interaktive, praktika mbi krijimin e ecjeve tematike dhe guidave interpretuese etj.

Eventi është pjesë e projektit “Epidamn Heritage: Bridging the Past and Present”, në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

“Duaj marrëzisht dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat”

William Shakespeare ishte një nga autorët më të njohur botëror. Ai e ngriti artin poetik në majat më të lartapërcjell KultPlus.

Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë sipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.

Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të këtij autori të madh:

Duaj, duaj marrëzisht, duaj më shumë se që mundesh dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm./KultPlus.com

Muzeu “Marubi” trajnon studentët në artin e fotografisë

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” zhvilloi një masterclass dyditor frymëzuar nga ekspozita e artistit Gregory Crewdson që qëndroi për disa muaj po në “Marubi”.

Masterclass-i “Eksplorim në botën vizuale të Gregory Crewdson” ftoi studentët e Universitetit të Arteve të zbulonin botën unike dhe kinematografike të serisë “Eveningside” nga fotografi amerikan me famë botërore, Gregory Crewdson.

Me mentoren Orestia Kapidani, pedagoge në atelierin e fotografisë, studentet praktikuan kompozimin, ndriçimin dhe inskenimin të frymëzuar nga mjeshtëria e Crewdson-it në krijimin e atmosferës dhe misterit.

Fotografitë janë realizuar nga vetë studentët dhe secila prej tyre shoqërohet nga një tekst i shkurtër.

Gregory Crewdson është një fotograf amerikan që bën printime të imazheve kinematografike të përmasave të mëdha. Ai ndërton skena psikologjikisht të ngarkuara, si dhe inskenime të vendosura në peizazhe dhe ambiente periferike. Crewdson drejton një ekip të madh prodhimi dhe ndriçimi për të ndërtuar imazhet e tij./atsh/KultPlus.com

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH po sjell për artdashësit një veprimtari të ngjeshur artistike.

Në Sallën e Universtitetit të Arteve së shpejti do të vijë Ludwing van Beethoven – Koncert Nr.5 “Emperor” Op.73 për piano dhe orkestër si dhe Simfonia Nr. 3 në Mi bemol maxhor Op.97 nga Robert Schumann, të interpretuara në piano nga Alessandro Taverna, nën dirigjimin e Eddi De Nadai.

Ky koncert do të vijë për publikun më 21 mars ndërkohë që një tjetër mbrëmje plot emocione solli kryevepra nga Glinka, Brahms, Sina dhe Lutoslawski ku pianistja Klejda Tare spikati me lojën e saj brilante. Koncerti ishte nën dirigjimin e Mihail Agafita.

Vepra “Meditation-Mimosa” për piano dhe orkestër nga kompozitori Endri Sina ishte pjesë e stinës koncertore. Orkestra Simfonike e RTSH luajti veprën nga Mikhail Glinka-Uvertura nga Opera “Ruslani dhe Ludmila”; nga Witold Lutoslawski -Variacione mbi një temë të Paganinit për piano dhe orkestër (premierë), soliste Klejda Tare (piano); nga Johannes Brahms-Simfonia No. 4 në Mi minor, op. 98./atsh/KultPlus.com

“Gravurë me ngjyrat e kohës” nga Ajne Ibërhysaj do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery, hapet edhe një ekspozitë

Më 21 mars, në ditën botërore të poezisë, Ajne Ibërhysaj do të promovojë librin “Gravurë me ngjyrat e kohës”, promovim që do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Rreth librit do të flasin Agim Vinca e Ramë Oraca, ndërkohë, po kjo mbrëmje poetike do të shoqërohet edhe me prezantimin e ekspozitës kolektive nga artistët: Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi Maloku e Agron Mulliqi.

Kjo  mbrëmje me ngrohtësi poetike dhe ngrohtësi të ngjyrave është e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës./ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Artisti i ri nga Prishtina, Akil Dashevci, ftohet në ngjarje prestigjioze ndërkombëtare

Akil Dashevci, një artist i ri 18-vjeçar nga Prishtina, ka sfiduar disleksinë dhe disgrafinë për të ndërtuar një karrierë premtuese në artin pamor. Deri më tani, ai ka mbajtur shtatë ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive ndërkombëtare, si dhe në ankande bamirësie.

Së fundmi, Dashevci ka marrë një ftesë prestigjioze nga “PAKS Gallery” dhe “MAMAG Museum” për të ekspozuar veprat e tij në disa prej ngjarjeve më të mëdha artistike botërore, përfshirë Festivalin e Filmit në Kanë, Art Basel Week dhe Carrousel du Louvre.

“Kuratorët tanë kanë parë veprat tuaja të artit dhe i sheh ato shumë mbresëlënëse” thuhet në ftesën e dërguar nga organizatorët, duke vlerësuar talentin dhe stilin e tij artistik. Pjesëmarrja e tij në këto evente të rëndësishme vjen si një dëshmi e vlerësimit të punës së tij dhe përkushtimit në fushën e artit.

Me këto ekspozita, Dashevci pritet të prezantojë punimet e tij përpara një audience ndërkombëtare dhe koleksionistësh të njohur të artit./ KultPlus.com