Georges Bizet, jeta dhe trashëgimia e një mjeshtri të operës franceze

Georges Bizet ishte një nga kompozitorët më të rëndësishëm francezë të shekullit të 19-të, i njohur kryesisht për operën e tij të famshme Carmen. Megjithëse jeta e tij ishte e shkurtër, krijimtaria e Bizet la gjurmë të thella në historinë e muzikës klasike dhe operës, transmeton KultPlus.

Georges Bizet lindi më 25 tetor 1838 në Paris, Francë. Emri i tij i plotë ishte Alexandre César Léopold Bizet, por u njoh botërisht si Georges Bizet. Ai u lind në një familje me prirje muzikore: babai i tij ishte mësues i këngës dhe nëna e tij kishte lidhje me pianistë të njohur të kohës. Kjo atmosferë e ndihmoi që në moshë të re të tregonte një talent të jashtëzakonshëm për muzikën.

Në moshën 9-vjeçare, Bizet u pranua në Konservatorin e Parisit, një arritje e rrallë për një fëmijë të asaj moshe. Aty studioi me disa nga kompozitorët më të mëdhenj të kohës, përfshirë Charles Gounod dhe Fromental Halévy (i cili më vonë do të bëhej vjehrri i tij). Bizet ishte një student brilant, duke fituar disa çmime, përfshirë Çmimin e Romës në vitin 1857, një bursë prestigjioze që i mundësoi të studionte në Itali për disa vite.

Pas kthimit në Paris nga Roma, Bizet filloi të kompozojë opera dhe vepra orkestrale, por për një kohë të gjatë nuk pati sukses të madh publik. Ai shkroi disa opera që sot janë më pak të njohura, si Les pêcheurs de perles (Peshkatarët e Perlave, 1863) dhe La jolie fille de Perth (Vajza e bukur e Perthit, 1867), të cilat u pritën me vlerësime të përziera.

Për të siguruar jetesën, ai shpesh punonte si pianist shoqërues, dirigjent, apo përpunues partiturash për kompozitorë të tjerë. Megjithëse vlerësohej si një talent i madh, shumë prej veprave të tij hasën në indiferencën ose skepticizmin e kritikëve të kohës.

Në vitin 1875, Bizet përfundoi operën Carmen, bazuar në një novelë të Prosper Mérimée. Opera u shfaq për herë të parë më 3 mars 1875 në Opéra-Comique në Paris. Pavarësisht se sot konsiderohet si një nga operat më të mëdha në histori, premiera e saj nuk pati sukses të menjëhershëm. Audienca e kohës e konsideroi veprën si tepër e guximshme dhe tragjike për një skenë që zakonisht prezantonte vepra më të lehta.

Fatkeqësisht, Georges Bizet vdiq vetëm tre muaj pas premierës së Carmen, më 3 qershor 1875, në moshën 36-vjeçare, nga një sulm në zemër. Ai nuk jetoi për të parë suksesin ndërkombëtar të operës së tij, e cila më vonë u ngjit në skena të mëdha botërore dhe u bë një nga veprat më të interpretuara ndonjëherë në historinë e operës.

Pas vdekjes së tij, figura e Georges Bizet mori rëndësinë që meritonte. Kompozitorë si Claude Debussy dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky e vlerësuan lart veprën e tij, veçanërisht për mjeshtërinë në orkestrim dhe ndjeshmërinë dramatike.

Sot, Carmen është një simbol i pasionit, dramës dhe fuqisë muzikore, ndërsa vetë Bizet njihet si një nga pararendësit e realizmit në operë dhe si një nga kompozitorët më me ndikim në zhvillimin e muzikës franceze./KultPlus.com

126 vjet nga vdekja e mbretit të Valcerit, Johann Strauss II

Johann Strauss i Ri lindi më 25 tetor 1825 në Vjenë, Austri, dhe vdiq më 3 qershor 1899. Ai është një nga figurat më të ndritura të muzikës austriake dhe botërore, i njohur sidomos për kompozimin e valcerëve, polkave dhe operetave që e bëjnë atë një ndër emrat më të dashur të muzikës klasike të shekullit XIX, transmeton Kultplus.

Johann Strauss i Ri ishte djali i kompozitorit të njohur Johann Strauss i Vjetër, i cili fillimisht nuk dëshironte që biri i tij të merrej me muzikë. Ai donte që Johann të studionte për ekonomi ose ndonjë profesion tjetër të qëndrueshëm. Megjithatë, pas largimit të babait nga familja, nëna e tij e përkrahu në rrugën muzikore dhe Johann filloi studimet me mësues të ndryshëm privatë, përfshirë Joseph Drechsler.

Në vitin 1844, në moshën 19-vjeçare, Johann Strauss i Ri mbajti koncertin e tij të parë në restorantin “Dommayer’s Casino” në Hietzing të Vjenës. Performanca e tij u prit me entuziazëm dhe menjëherë filloi të fitojë popullaritet, megjithëse për disa vite u përball me konkurrencën e drejtpërdrejtë të të atit.

Pas vdekjes së Johann Strauss-it të Vjetër në vitin 1849, ai bashkoi orkestrën e të atit me të tijën dhe u bë figura kryesore e muzikës argëtuese në Austri.

Johann Strauss i Ri kompozoi mbi 500 vepra, përfshirë valcerë të famshëm si: ‘An der schönen blauen Donau (Në Danubin e bukur blu, 1867)’, ‘Këngët e Danubit’, ‘Kiss me quick’, ‘Polka, marshe dhe galopa’. Ai po ashtu kompozoi opereta, si ‘Die Fledermaus (Lakuriqi i natës, 1874)’, ‘Eine Nacht in Venedig (Një natë në Venecie, 1883)’, ‘Der Zigeunerbaron (Baroni Cigan, 1885)’

Valcerët e tij ishin jo vetëm muzikë për kërcim, por edhe kompozime të sofistikuara, plot elegancë, melodi të paharrueshme dhe orkestrim brilant. Ai e ngriti valcerin nga një formë e thjeshtë argëtimi popullor në një art të vërtetë muzikor.

Johann Strauss ishte i martuar tri herë dhe jetoi një jetë plot ngjarje, duke udhëtuar shpesh dhe duke dirigjuar veprat e tij në shumë qytete të Evropës. Ai pati ndikim të jashtëzakonshëm në muzikën e kohës së tij dhe është ende shumë i dashur sot, sidomos në koncertin tradicional të Vitit të Ri në Vjenë, ku veprat e tij janë pjesë kyçe e programit.

Strauss i Ri mbetet një ikonë e muzikës austriake dhe evropiane. Veprat e tij vazhdojnë të interpretohen në të gjitha anët e botës, duke i dhënë jetë shpirtit të Vjenës dhe duke mbetur simbol i bukurisë dhe gëzimit muzikor./KultPlus.com

“Albania Guitar Festival” – Dueti Giovanni Masi dhe Lucio Matarazzo sjellin kryeveprat e muzikës italiane

Shqipëria po mirëpret një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit, edicionin e 9-të të “Albania Guitar Festival”.

Nën drejtimin artistik të kitaristit të njohur Denis Bizhga, ky edicion i dedikohet dueteve, duke sjellë në skenë emra të mëdhenj të muzikës klasike nga e gjithë Europa.

Mbrëmjen e djeshme në ambientit e Liceut Artistik Italian dueti italian Giovanni Masi dhe Lucio Matarazzo ofruan një përvojë virtuoze për publikun, me një repertor që përfshin disa nga kryeveprat e muzikës italiane për kitarë.

Performanca kaloi përtej tingujve, duke krijuar një udhëtim emocional dhe theksoi rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit në zhvillimin dhe formësimin e talenteve të reja.

Ky aktivitet shërbeu si një shembull i fuqisë së artit për të bashkuar brezat dhe për të nxitur krijimtarinë dhe inspirimin në skenën muzikore shqiptare.

Më 13 qershor, skena do t’i përkasë Barcelonës: Luís Robisco dhe Ekaterina Záytseva do të sjellin ritmet pasionante të flamengos në kryeqytet, duke sjellë një atmosferë mesdhetare dhe një performancë që pritet të jetë ndër më të veçantat e festivalit.

Ndërkohë, më 14 qershor, Kisha e Shelbuemit në Rubik do të kthehet në një tempull të muzikës klasike. Duo austriake Rosa Franziska Maier (kitarë) dhe Anna Maria Niemiec (violonçel) do të sjellin një mbrëmje intime dhe emocionale, që shkrin tingujt dhe arkitekturën në një përvojë shpirtërore.

Finalja e festivalit do të mbahet më 21 qershor në Himarë, me performancën e triolës së kitaristit virtuoz nga Kosova, Agron Peni. Me një karrierë ndërkombëtare dhe një stil unik, Peni do të mbyllë këtë edicion me energji dhe pasion.

Përveç koncerteve, Albania Guitar Festival do të ofrojë masterclass-e, ëorkshop-e, si dhe prezantime speciale nga artistët pjesëmarrës. Një nga risi të këtij viti do të jetë “Guitar Test” – një aktivitet ku të rinjtë do të kenë mundësinë të provojnë instrumente të ndërtuara nga mjeshtri Luthier Sergei Rusakov.

Gjithashtu, festivali do të mbështesë talentet e reja përmes koncertit “Albania Young Talent”, ku studentë të kitarës klasike do të performojnë para publikut dhe profesionistëve të fushës.

Edicioni i 9-të i Albania Guitar Festival nuk është thjesht një seri koncertesh – është një lëvizje që synon të krijojë ura mes artistëve, të frymëzojë të rinjtë dhe të forcojë rolin e muzikës në jetën kulturore të vendit. Me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe mbështetje të gjerë, festivali përfaqëson një hap të rëndësishëm në vendosjen e Shqipërisë në hartën kulturore europiane./atsh/KultPlus.com

Frament nga përmbledhja e letrave ‘Letra Milenës’ nga Franz Kafka

Franz Kafka ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX, shlruan KultPlus.com

Kafka është një nga emrat më të njohur të letërsisë botërore, librat e të cilit janë shitur gjithkund me miliona kopje.

KultPlus sot ua sjell një fragment të përmbledhjes së letrave ‘Letra Milenës’ që Franz Kafka ia ka dërguar Milena Jesenskës:

Merano, me gjasë mars 1920

E dashur Frau Milena,

Ju vuani me përkthimin në mes të botës së turbullt vjeneze. Në njëfarë mënyre, kjo është prekëse dhe e turpshme për mua. Duhet ta keni marrë tashmë një letër nga Wolff-i’, të paktën ai më ka shkruar prej shumë kohësh mbi një letër të tillë. Nuk jam unë që e kam shkruar një novelë të titulluar “Vrasësi, që thuhet të jetë lajmëruar në një katalog, është një keqkuptim ky; por meqë mendohet të jetë më e mira, atëherë kushedi kjo është e saktë fundja.

Që nga letra juaj e fundit dhe e parafundit, meraku dhe shqe tësimi duken se ju kanë braktisur një herë e mirë, e kjo vlen pa dyshim edhe për burrin tuaj, siç dhe jua uroj të dyve! Më kujto het një pasdite të diele para ca vjetësh, po shkoja ngjitur për fasa dash udhëbregut të perandorit Franz, dhe takoj burrin tuaj, që po vinte drejt meje në një gjendje po aq të mjerueshme, dy eks pertë në migrenë, secili në mënyrën e vet. A kemi ecur ne një copë udhë bashkë apo thjesht jemi kryqëzuar, kjo s’më kujtohet me, dhe fundja dallimi ndërmjet këtyre dy mundësive s’duhet të jetë shumë i madh. Por kjo është e shkuar tashmë dhe duhet të mbetet thellësisht e shkuar. A është bukur te ju në shtëpi?

Përshëndetjet më miqësore,

I juaji, Kafka. / KultPlus.com

Osmani: Defender Europe 2025, dëshmi se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë krah për krah me SHBA-në dhe NATO-n

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë.

Si Komandante Supreme, pata nderin t’i falenderoj dhe përgëzoj forcat tona për rezultatin e arritur, si dhe aleatët tanë të pathyeshëm, sidomos Divizionin e 28-të të Ushtrisë Amerikane, i cili po e drejton këtë ushtrim historik.

Ky ushtrim është dëshmi se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë krah për krah me SHBA-në dhe NATO-n.

FSK është krenaria jonë, Aleanca është forca jonë! E ardhmja jonë është euroatlantike!/KultPlus.com

Orkestra italiane “Magna Grecia” koncert në amfiteatrin e Durrësit

Orkestra “Magna Grecia” nga qyteti i Tarantos, Itali, dhuruan e të hënës (2-qershor) një performancë të jashtëzakonshme për publikun në amfiteatrin antik të Durrësit.

Tingujt e muzikës klasike nga disa prej kompozitorëve më të njohur italianë u mirëpritën nga publiku durrsakë.

Në repertorin e orkestrës ishin përzgjedhur vepra të kompozitorëve të mëdhenj italianë si Rossini, Puccini, Donizetti dhe Ennio Morricone.

Drejtuesi i orkestrës rinore, Piero Romano tha për mediet se “amfiteatrot u ndërtuan për të mirëpritur evente të mëdha. Edhe pse amfiteatri juaj nuk është i plotë, nga ana teknike nuk do të kemi probleme. Do të përdorim vetëm pak foni. Spektatorët do të dëgjojnë tingujt e instrumenteve në formën e tyre natyrale”.

Ndërsa drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera u shpreh se “kemi orkestrën e të rinjve Magna Grecia, që vjen nga Taranto. Taranto është një qytet arkeologjik i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë krijohet një lidhje e ngushtë me Durrësin, qytetin antik të Shqipërisë”.

Koncerti “Mesdheu në muzikë” u zhvillua në kuadër të Javës së Kulturës Italiane. Ky koncert shënoi gjithashtu nisjen zyrtare të sezonit veror artistik në Durrës, i cili këtë vit pritet të sjellë një program të pasur aktivitetesh në sheshin “Liria” dhe në arenën historike të amfiteatrit./KultPlus.com

3 qershori, Dita Botërore e Biçikletës

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.

“Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër dhe më pak ngarkesë në trafik si dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi”, thotë OKB.

Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Më 15 mars të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik, për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit dhe produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.

Autoritetet kujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, është gjithashtu i barabartë dhe me kosto të përballueshme./atsh/ KultPlus.com

‘Defender Europe 2025’, Kurti: Kosova më e fortë se kurrë, drejt NATO-s me hapa të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Babaj të Bokës ku po zhvillohet ushtrimi ndërkombëtar fushor “Defender Europe 2025”. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e Ushtrisë së Kosovës krah për krah me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar se Kosova po dëshmon aftësinë dhe gatishmërinë e saj për të qenë pjesë aktive e aleancës, përcjell KultPlus.

Kurti theksoi rëndësinë e vendosjes së Komandës së Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane në aeroportin ushtarak të Gjakovës, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të besimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë. Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më i sigurt.

Sot ishim përsëri në Babaj të Bokës, për të parë nga afër ushtrimin fushor ndërkombëtar Defender Europe 2025, aty ku ushtarët tanë po marrin pjesë krah për krah dhe si nikoqirë të ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s. Për dallim nga vitet e tjera, sivjet, në kuadër të këtij ushtrimi, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë e vendosur në aeroportin tonë ushtarak në Gjakovë, prej nga ka drejtuar të gjitha brigadat që kanë operuar në Evropën Juglindore.

Po vërtetojmë çdo herë e më shumë fuqinë dhe aftësitë tona, si dhe ndërveprueshmërinë që kemi me NATO-n, dhe po dëshmojmë se anëtarësimi ynë në aleancën ushtarake veri-atlantike nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin që mund të japim.

Krenarë me ushtarakët tanë të zotë dhe mirënjohës gjithmonë për partnerët që i mbajmë pranë e me të cilët punojmë bashkë./KultPlus.com

10 filmat për t’u parë gjatë qershorit

BBC ka bërë një renditje të 10 filmave për t’u parë gjatë qershorit, që janë:

1 – Materialists

Debutimi i Celine Song u nominua për dy çmime Oscar në vitin 2024. Për filmin e saj të dytë, Song është zhvendosur nga një dramë delikate gjysmë autobiografike në një komedi romantike joshëse me një kast aktorësh të nivelit A.

2 – The Life of Chuck

Jeta e Chuck-ut fillon në fund – konkretisht, në fund të botës. Dy ish-bashkëshortë, Chiwetel Ejiofor dhe Karen Gillan, bashkohen për të parë Tokën të shkatërrohet dhe yjet të zhduken – por pse papritmas ka postera kudo që festojnë Charles “Chuck” Krantz (Tom Hiddleston) të sjellshëm?

3 – M3GAN 2.0

M3GAN ishte një hit në vitin 2022 – megjithëse kjo mund të ketë pasur më pak të bëjë me vetë filmin sesa me mënyrën se si klipet e antiheroinës së tij robotike u përhapën në TikTok. Sidoqoftë, një vazhdim dukej i pashmangshëm – dhe ja ku është, kthimi i kukullës me inteligjencë artificiale (Amie Donald, me zërin e Jenna Davis) e cila u dizenjua nga Gemma (Allison Williams).

4 – Elio

Takimi më i famshëm i kinemasë midis një djali dhe një alieni ishte në filmin e Steven Spielberg, ‘’ET The Extra Terrestrial’’ – dhe djali quhej Elliott. A mund të jetë kjo arsyeja pse vizatimi i Pixar për një djalë që takon alienët quhet Elio?

5 – 28 years later

Në fakt kanë kaluar vetëm 23 vjet që kur doli 28 Days Later, por kush po numëron? Ajo që ka rëndësi është se e preferuara e horrorit në Mbretërinë e Bashkuar është rikthyer më në fund. Dhe, ndryshe nga vazhdimi i parë, 28 Weeks Later, ky është ideuar nga krijuesit e filmit origjinal, regjisori Danny Boyle dhe skenaristi Alex Garland.

6 – From the World of John Wick: Ballerina

Personazhi kryesor është Eve Macarro, luajtur nga Ana de Armas, e cila tregoi kredencialet e saj të aksionit në filmin e fundit të James Bond ‘’No Time to Die’’.

7 – Marlee Matlin: Not Alone Anymore

Marlee Matlin ishte aktorja e parë e shurdhër që fitoi një Oscar kur mori në shtëpi trofeun e aktores më të mirë për ‘’Children of a Lesser God’’ në vitin 1987. Dhe, në fakt, asnjë aktor tjetër i shurdhër nuk fitoi çmime Oscar deri në vitin 2022, kur Troy Kotsur u emërua aktori më i mirë mbështetës për interpretimin e burrit të personazhit të Matlin në ‘’Coda’’.

8 – Happy Gilmore 2

Një nga filmat më të hershëm të Adam Sandler, Happy Gilmore është një komedi sportive e çmendur për një lojtar hokeji.

9 – F1: The Movie

Ekipi pas ‘’Top Gun: Maverick’’ – përfshirë regjisorin Joseph Kosinski, skenaristin Ehren Kruger, producentin Jerry Bruckheimer, operatorin Claudio Miranda dhe kompozitorin Hans Zimmer – ribashkohen për një tjetër dramë me buxhet të madh për një demon veteran shpejtësie që i mëson brezit të ri se si bëhet kjo. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë të Tom Cruise. Në vend të kësaj, në F1 luan Brad Pitt si një pilot i Formula 1.

10 – Sorry, Baby

Filmi debutues i Eva Victor mori kritika entuziaste kur u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar. Përveç shkrimit dhe regjisë, Victor luan në filmin “Sorry, babe” si Agnes, një lektore që jep mësim në të njëjtin kolegj të New England ku ajo dikur studionte.

Kur shoqja e saj më e mirë, Lydie (Naomi Ackie), vjen të qëndrojë, është e qartë se jeta e Lydie ka ecur përpara që kur ishin studentë, ndërsa Agnes është bllokuar – ndoshta për shkak të një sulmi seksual./KultPlus.com

“I soli di tutte le terre”, ekspozita e artistit italian Enzo Cuchi në COD

“I soli di tutte le terre” titullohet ekspozita e artistit Enzo Cuchi, e cila do të hapet më 6 qershor në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.

Në këtë ekspozitë, Cuchi, një figurë kryesore e artit bashkëkohor ndërkombëtar në ekspozitën e tij të parë në Shqipëri, sjell një sërë veprash.

Në këto punime prezantohen fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.

Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me krahinën e Marche-ve, një territor themelor i kërkimit të tij artistik, me një seksion që bashkon një seri pikturash të vogla kushtuar vendeve të ndryshme të një krahine që zotëron, sipas Cucchi-t, “të gjithë aktualitetin e një emocioni që është i nevojshëm për një artist”.

Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t me një përzgjedhje që dokumenton aktivitetin dhjetëvjeçar të artistit kushtuar vizatimit, të cilin ai e konsideron bazën e artit dhe marrëdhënies së tij me Marche-t, duke i mbushur fletët me elementë tipikë të peizazhit të krahinës.

“Kështu, arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e Marche-ve, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut, të cilin Predrag Matvejević e përcaktoi si “deti i intimitetit”, nën shenjën e pikturës”, shpjegojnë kuratorët e Spazio Taverna-s.

I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI.

Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.

Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 5 korrik./atsh/KultPlus.com

Franc Kafka: Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:

Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

‘Lëngata’ e Kafkës për Milenën

Milena Jesenska ishte gazetare, shkrimtare dhe përkthyese çeke.

Në vitin 1919 Milena zbuloi një novelë të shkurtër të Franz Kafkës dhe i shkroi atij për t’i kërkuar leje që ta përkthejë nga gjermanishtja në çekisht. Kjo letër pasoi nga një korrespoedencë pasionante mes të dyve. Ata u takuan vetëm dy herë: një herë në Vjenë ku qëndruan së bashku katër ditë dhe një ditë në Gmund.

Por gjithçka shkoi ters kur Kafka i kërkoi asaj ta linte burrin për të. Kjo nuk ndodhi dhe lidhja e tyre mori fund.

Letra më poshtë, tregon për dashurinë e madhe që ndjente Kafka për shkrimtaren çeke:

Për të parën herë, sot, aty ka mbrëmja, e bëra i vetmuar një shëtitje të gjatë. Herave tjera kam qenë ose i shoqëruar nga njerëz tjerë, ose kryesisht në shtëpi duke pushuar. Çfarë fshati! Ah Zot i madh, po të ishte këtu me mua Milena; ti vuajtja ime e lemerishme, mendja e pamenduar. Do të gënjeja po të të thoja se më mungon; sepse ti veçse je këtu me mua dhe madje më shumë se kaq. Kudo që jam unë, je edhe ti po ashtu. Madje edhe më me intensitet. Kjo nuk është mahi! Shpesh fantazoj sikur të mungoj dhe duke hamendësuar: Ku mund të jetë ai? A nuk ka thënë se është në Meran?” Ty, që je përherë këtu, me mua./VirtualSophists/KultPlus.com

Përktheu: Agon Sinanaj

Shpallet thirrja për artistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Bienalen e Maltës

Në kuadrin e edicionit të dytë të Bienales së Maltës që do të mbahet nga 11 marsi deri më 29 maj 2026, me tematikën e zgjedhur: Pastro|Qartë|Prerje, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli thirrjen për aplikim për artistët shqiptarë të interesuar.

Veprat dhe projektet e përzgjedhura do të lidhen me historinë dhe rrëfimet e mishëruara në vendet e trashëgimisë ku do të prezantohen, duke zgjeruar nocionin e specifikës së vendit dhe duke i bërë ato kuptimplote për audienca të ndryshme.

Bienalja e Maltës 2026 do të adresojë disa nga nevojat e kohës sonë duke promovuar dialogje midis trashëgimisë së pasur kulturore të arkipelagut maltez, mendimit bashkëkohor dhe praktikave artistike inovative dhe mendimit bashkëkohor.

MEKI fton të gjithë ata artistë që dëshirojnë të paraqesin projekte në përputhje me kornizën konceptuale të edicionit të dytë të Bienales së Maltës, të bëhen pjesë e aplikimeve. Afati i aplikimit përfundon më 30 qershor 2025 dhe formulari mund të plotësohet në: www.maltabiennale.art   /KultPlus.com

Avdi Thachi, producenti shqiptar që po përfaqëson Maqedoninë e Veriut në EURODOC 

Avdi Thachi, producent nga Maqedonia e Veriut dhe bashkëthemelues i kompanisë Lumiere Films, është përzgjedhur si pjesëmarrës në një nga programet më prestigjioze evropiane për zhvillimin e filmave dokumentarë – EURODOC. 

Ai është i vetmi shqiptar që përfaqëson Maqedoninë e Veriut në këtë program ndërkombëtar, në mesin e producentëve të përzgjedhur nga Italia, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia. 

Me projektin dokumentar “Big in Gazi Baba”, të regjisores franceze Pauline Blanchet, Thachi do të merr pjesë në një rezidencë intensive 5-ditore në Ljubljanë, organizuar në kuadër të sesionit të dytë vjetor të EURODOC dhe mbështetur nga platforma RE-ACT. 

Projekti “Big in Gazi Baba” ka zgjuar vëmendjen edhe më parë, pasi ishte i përzgjedhur si pjesë e programit “Spotlighted Projects” në Cannes Docs, pjesë e Festivalit të njohur të Filmit në Cannes – një tjetër arritje e rëndësishme për kinemanë dokumentare nga rajoni. 

Përveç kësaj, Avdi Thachi është edhe producent i filmit të shkurtër dokumentar “Antigona”, i cili do të ketë premierën botërore në qershor në Sheffield DocFest në Mbretërinë e Bashkuar – një nga festivalet më të mëdha dokumentare në botë. 

Ky projekt përfaqëson një tjetër sukses për produksionin e tij dhe për praninë e kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare. 

EURODOC është një program i financuar nga Bashkimi Evropian që mbështet producentët në zhvillimin e projekteve dokumentare me potencial bashkëprodhimi ndërkombëtar. Pjesëmarrja në këtë program i hap dyert bashkëpunimeve të reja dhe forcon zërat kreativë nga rajonet më pak të përfaqësuara në industrinë globale të filmit./ KultPlus.com  

Nëna e qëndresës dhe sakrificës – figura e Zahide Jasharit përjetësohet më 18 qershor

Në Ditën e Lirisë, në oborrin e çerdhës “Nëna Zahide” në Skenderaj, do të vendoset një skulpturë kushtuar Nënës Zahide Jashari, nënës së heronjve Adem e Hamëz Jashari.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili tha se kjo skulpturë është më shumë se një monument – është një simbol i dashurisë së nënës për fëmijën dhe i dashurisë së një kombi për lirinë.

“Nëna Zahide nuk ishte vetëm nënë e familjes Jashari, por nënë e gjithë kombit. Ajo përfaqëson sakrificën, qëndresën dhe dashurinë e pakusht për atdheun,” tha Nura.

Skulptura e re do të vendoset në ambientet e jashtme të çerdhës dhe do të jetë një kujtesë e përhershme për brezat e rinj që rriten aty. Sipas Nures, përmes kësaj vepre, Skenderaj nderon jo vetëm Nënën Zahide, por të gjitha nënat shqiptare që kanë sakrifikuar për liri./Kult Plus.com

“Ekrani i Artit” rikthehet me edicionin e 8-të të titulluar “Kartolina nga Askund”

Festivali i filmit “Ekrani i Artit”, një nga eventet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës, do të vijojë rrugëtimin e tij me edicionin e tetë.

“Ekrani i Artit” do të zhvillohet prej 18-22 qershor me edicionin e titulluar “Kartolina nga Askund”, një ftesë për të humbur rrugën në ëndrra të largëta e vende që ekzistojnë vetëm në imagjinatë. Çdo imazh është një kujtim nga diku tjetër, një dritare drejt së panjohurës, një ndjesi që s’ka emër.

Shkodra Elektronike dhe tingujt e ëndërrtë të “Askund” do të shoqërojnë këtë udhëtim të pazakonshëm.

“Ekrani i Artit” ka lindur si një projekt që synon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë. Edhe në edicionet e mëhershme, “Ekrani i Artit” e ka njohur publikun me autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë që zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës./atsh/KultPlus.com

Fjala e fundit

Poezi nga Viktor Hygo

Ndërgjegja njerëzore vdiq, qef o qef,
Përkulet mbi të, kufoma i pëlqen;
Fitimtar, me syt’ e skuqur vjen vërdallë,
Pastaj kthehet i del kufomës përballë.

E ushqen kurvërimi i Drejtësisë.
Priftat trullosin njerzit e Perëndisë;
Pastaj rrëmojnë çantat të çakërritur;
Sibour* shiti zotin, që Juda pat shitur.

Na thonë: Qezari mbret. Zot i ushtrive
E zgjodhi. Binduni, bjerini burive!
Dhe duar bashkuar këndojnë në kisha,
Pa fshehur monedhat e arta ndër gishta.

Do ta shohim në fron këtë princ lipsar,
Me bekim nga papa, këtë mbret zuzar,
Në një dorë skeptrin, darët në tjetrën,
Karl i Madh sajuar, nga shejtani vetë.

Sa kohë atje do të zhgrryhet si derr,
Do të llupë besë, virtut, fe dhe nder,
Dehur mbi lavdinë tonë do të vjellë;
Në ndëjçim ta shohim si diell në qiell.

Kur ndër njerëz shtohet sa s’mban, poshtërimi
N’atë pikë nis adhurohet mashtrimi;
Pastaj dalin tok Angli dhe Amerikë
Dhe i thonë mërgimtarit: Ik, kemi frikë!

Kur të bëhemi si kjo gjethe e tharë,
Të rilindemi, si ka qef ky Qezar;
Kur të ligjtë të shkojnë derë më derë,
Ndër njerëz katandisur si zhel’ e mjerë;

Kur Zoti nga shkretinat qortime dërgon,
Preja nis gjuan, hajni vjen arreston;
Në fund, i trëmbur, më shumë se të tjerët,
Varri jashtë, të vdekurit do t’i nxjerrë.

Por unë s’thyhem! Pa bërë fare zhurmë,
Me brengë në zemër, do ta përbuz turmën,
Ju përqafoj, nga i hidhuri mërgim,
Atdhe, o altar! Liri, flamuri im!

E ruaj besën tuaj, o miq besnikë,
S’harroj, ç’na bashkoi, qe kjo Republikë.
Ata që vuajtën, do t’i lavdëroj,
Ata q’u llastuan, do t’i poshtëroj!

Do të jetoj këtej, keq e mos më keq,
Ca zëra thonë: mos! të tjerë: fatkeq!
Kur servilët e tu Luvrin të rrëfejnë,
Unë ty, Qezar, do të t’rrëfej halenë.

Para tradhtarëve dhe atyre që s’flasin,
Gjithë pezm jam, por qetë, s’e çfaq marazin.
Besnikëria pa fund për ç’u rrëzua,
Qoftë mbështetja dhe fuqia për mua.

Ende je atje, dorzohesh, a qëndron
Francë, që ke dashur të qajmë gjithmonë,
Ku kanë folenë dashurit’ e mia,
Mall edhe për varret, sa doja të t’shihja!

S’do ta shikoj më bregun, që aq fort më josh,
Francë ku katandise, zor që ta harrosh.
Do të gjej strehë mes atyre që iu dhëmb;
Në mërgim mbetem, por gjithsesi më këmbë.

Gjithsesi, pranova mërgimin e hidhur,
Pa marrë parasysh dhe pa llogaritur
Që ndokush s’del aq i fortë sa mendojmë,
Sado të shkojnë, ne duhet të qëndrojmë.

Do të rri dhe unë, në qofshin me mijra!
Dhe me një qint qëndroj, më fort se sa Shila;
Në qëndrofshin dhjetë, do të jem i dhjeti;
Dhe një në qëndroftë, do të jem i vetmi!/ KultPlus.com

Kur Kafka shkruante për krijimin e familjes

Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.

Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.

Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara.

“Të martohesh, të themelosh një familje, t’i pranosh fëmijët e tu që të lindin, t’i bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, t’i udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.
 /KultPlus.com

Artisti nga Kosova “La Fazani” fiton Çmimin e Telliskivi Creative City, Selektor Studio dhe Tallinn Music Week

Këngëtari, producenti dhe kompozitori nga Kosova, La Fazani, ka fituar çmimin e studios në kuadër të garës për performuesit e Tallinn Music Week 2025, të organizuar nga Telliskivi Creative City dhe Selektor Studio. Ky është viti i dytë që ky çmim ndahet, dhe fituesi zgjidhet nga artistët që kanë aplikuar në këtë konkurs për të pasur mundësinë të incizojnë, miksojnë dhe masterizojnë muzikën e tyre të re në Selektor Studio, në Telliskivi Creative City, Tallinn.

La Fazani, alter-egoja performuese e Arbër Salihut nga Kosova, krijon muzikë që përzien hip-hop, indie, rock & roll, elektronikë dhe folklor shqiptar, duke pikturuar narrativa të gjalla të jetës së përditshme në Kosovë dhe Ballkan. Që nga viti 2022, ai ka fituar vëmendje me këngë si “Hajde me shuplakë”, e cila arriti vendin e dytë në toplistat shqiptare dhe e bëri të preferuar nga publiku në festivalin më të madh të muzikës në Kosovë, Sunny Hill, i themeluar nga bashkatdhetarja e tij e famshme Dua Lipa dhe familja e saj. Me këngën “Oj Kosovë”, ai fitoi Festivalin e Këngës në RTK në vitin 2023.

Shkathtësia e Salihut shtrihet edhe në film, teatër dhe muzikë për fëmijë, ndërsa kompozimet e tij klasike janë vlerësuar në festivalin prestigjioz Chopin Festival.

“Jam tepër i lumtur që kam fituar këtë çmim të jashtëzakonshëm, që do të kthehem në qytetin e mrekullueshëm të Tallinnit dhe që do të punoj në një hapësirë krijuese jashtëzakonisht autentike siç është Selektor Studio,” thotë Salihu. Ai shton: “Tallinn Music Week tashmë më ka dhënë kujtime të paharrueshme dhe jam i emocionuar të thelloj lidhjen kulturore mes Ballkanit dhe Baltikut. Estonia dhe Kosova ndajnë më shumë se përmasën – të dy janë kombe të vogla e krenare, me histori të trazuara dhe kultura të gjalla e rezistuese. Mezi pres të ndërtojmë më shumë ura përmes krijimit të muzikës që digjet.”

La Fazani duke performuar në TMW 2025 Vikendica. Foto: Veronika Gluškova

Çmimi përfshin incizimin, miksimin dhe masterizimin e 3-4 këngëve në Selektor Studio me producentin dhe inxhinierin e incizimit Martin Laksberg. Laksberg, i cili ishte pjesë e jurisë përzgjedhëse, pranon se megjithëse konkurrenca ishte e fortë, La Fazani ishte një nga të preferuarit e tij të padiskutueshëm.

“Standardi i çdo aplikimi ishte me të vërtetë në nivel të lartë, pasi kishte shumë artistë të afirmuar me stile të zhvilluara dhe identitet të qartë,” thotë Laksberg. “Shumë krijues të shkëlqyer më tërhoqën vëmendjen. Megjithatë, La Fazani u dallua sepse muzika e tij përçon kreativitet të rrjedhshëm, eksperimentim dhe njëkohësisht tërheqje të menjëhershme.” Ai shton: “Demonstrimet e tij janë të guximshme dhe tërheqëse, dhe spektri i ideve është këndshëm i gjerë. Ai duket se frymëzohet nga gjithçka dhe ka shumë për të thënë.”

42 aplikime nga muzikantë nga e gjithë bota që performuan në TMW këtë vit u vlerësuan nga një juri e përbërë nga përfaqësuesit e Selektor Studio Martin Laksberg dhe Henrik Ehte, CEO-ja e Telliskivi Creative City Triin Marie Juss, menaxherja e projektit Tallinn – UNESCO Qyteti i Muzikës Grettel Killing, si dhe Eva Johanna Lepikov dhe Ingrid Kohtla nga TMW.

Dysheja lituane Superkoloritas, që fituan çmimin e parë Telliskivi Creative City dhe Selektor Studio vitin e kaluar, publikuan më 24 maj një EP me pesë këngë me titull “Ritmo!”, i incizuar në Selektor Studio me Martin Laksberg dhe bateristin Caspar Salo./ KultPlus.com

Edicioni i 13-të i “Violinistic greetings”, i vetmi festival dedikuar tërësisht violinës

Festivali ndërkombëtar “Violinistic greetings” vjen në edicionin e 13-të me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si vetmi festival që i dedikohet tërësisht violinës.

Në këtë edicion marrin pjesë violinistë të njohur, të huaj e shqiptarë, me një shtrirje gjeografike që përfshin edhe Amerikën e Veriut dhe Brazilin.

Koncerti i parë i këtij edicioni, i titulluar “Greetings from Vienna” është një recital i violinistes Ina Kosturi dhe pianistes Rejsi Prosi, që realizohet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, ditën e nesërme, si pjesë e stinës koncertore të Fakultetit të Muzikës.

“Greetings from Vienna” është titulli i një pjese të re për violinë e piano, kompozuar enkas për këtë edicion nga violinistja Ina Kosturi. Ky koncert recital sjell një program të veçantë me tre vepra shqiptare për violinë dhe dy vepra pothuaj të panjohura për skenën shqiptare të kompozitorëve botërorë Aaron Copland dhe Alberto Ginastera.

Ina Kosturi vjen si interpretuese dhe kompozitore me “Sonatë” për violinë e piano, “Improvisation for violin solo”, botuar nga shtëpia e famshme vjeneze “Universal Edition” dhe vlerësimin së fundmi me çmimin e tretë dhe Honorable Mention në konkursin e rëndësishëm Vienna Classical Competition, “Arnold Rose” Competition, i organizuar në bashkëpunim me Moxarthaus, në nderim të koncertmaestrit të Filarmonisë së Vjenës, violinistit Arnold Rose./atsh/KultPlus.com

Pirro Mani, personalitet i shquar i teatrit shqiptar

Katër vite më parë, më 3 qershor të vitit 2021, u shua një nga figurat më të shquara të teatrit shqiptar, Pirro Mani.

Pirro Mani u lind në 14 prill të vitit 1932 në Korçë dhe mbetet njëri prej regjisorëve më brilantë sidomos në teatër. Studimet e larta i ndoqi në Institutin e Lartë të Kinematografisë në Moskë. Në vitin 1961, u kthye në Shqipëri dhe u emërua regjisor në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku e drejtoi atë për 8 vjet.

Pirro Mani së bashku me Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorkë dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin e të tjerë, realizuan vepra me vlera të qëndrueshme e që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit, si “Hijet e Natës” të Vedat Kokonës, apo që dëshmuan art të shquar regjisorial dhe aktorial.

Pas një nisje karriere të suksesshme, Mani do të emërohej regjisor dhe aktor në Teatrin Popullor të Tiranës. Vepra e parë që përgatiti për publikun kryeqytetas ishte “Cuca e maleve” e Loni Papës.

Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, Pirro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numërohen mbi 80 shfaqje. Ndërsa roli filmik me të cilin kujtohet është ai i Sali Protopapës tek “I teti në bronz” (1970).

Ka përgatitur shumë studentë për aktorë dhe regjisorë si pedagog i Mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, kurse në vitet 1974-1978 kreu si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të Katedrës së Regjisurës në atë institut./atsh/KultPlus.com

Letra që Franc Kafka i shkruante babait: Kur po të shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika që më ke kallur dhe nga pasojat e saj

Sa më shpesh që ta lexosh këtë letër, aq më dendur të vërtitet një ndjesi ankthi dhe përshjellimi. Një lojë e trishtë ndjesish dhe shije e athët të godet kaq fort sa të përmend. Të duket sikur gjithçka rreth teje ka lëvizuar në ritmin e vet, dhe vetëm ti ke mbetur i murosur në guskën e ndrydhjeve, frikës, mëdyshjes dhe një lloj stepje që e ka stampur veteveten tënde në murin e rrjepur të kohës.

Fjalë pas fjale dhe rrjeshta pas rrjeshti do të mund të kuptosh dhe të ndjesh aq shumë sa vjen një moment dhe të duket sikur këtë letër e ke shkruar ti, ose e ka shkruar vetë Franc Kafka në vendin tënd. Të duket se kjo është një letër që ti ke dëshiruar aq shumë ta shkaush, por pas hezitimit dhe pamjaftueshmërisë ajo ka ngelur diku në skutat e mendimeve tuaja, që zgjohen ndërsa e përcjell këto radhë, këtë letër, të cilat vetë autori nuk arriti t’ia dërgonte babait. Edhe përgjigjja e babait Hermann, ishte aq e vonuar sa nuk arriti të mbushte atë zbrazëti që kjo marrëdhënie kishte krijuar. Por gjithsesi ky lëtërkëmbim është trajtëzuar duke plotësuar në tërësinë e vet kuadrin e kësaj stuhie epistolare.

Ndoshta jo të gjithë kanë ndërmend të shkruajnë një letër të këtillë për babain e tyre, por gjithsesi marrëdhëniet at-bir në shumësinë e herëve domosdoshmërisht kanë kaluar përmes shtjellas të këtilla përpirëse.

Letra e Kafkës për babain, Hermannn

I dashur baba! Kohet e fundit rasti e solli te me pyesesh se perse kam frike prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur te pergjigjem, dhe kjo, pasi nga njera ane, me kall friken, dhe nga ana tjeter, sepse, per ta gjetur arsyen e kesaj ndjesie do te me duhej te hyja ne te thella, shume me teper se do te ma lejonte nje leterkembim i thjeshte. Duhet ta dish se, kur po te shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika qe me ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjeter, diapazoni i gjere i temes qendron shume me lart se kujtesa dhe inteligjenca ime…

Duke permbledhur gjykimin tend per mua, del qe ti me akuzon per sjellje te keqija apo per veprime te padenja (ndoshta, me perjashtim te planit tim te fundit per t’u martuar), me akuzon per ftohtesi, indiference, mosmirenjohje dhe m’i perplas ne fytyre, sikur vetem une qenkam fajtori, sikur me nje shkop magjik do te mundja te ndreqja gjithcka, ndersa ti nuk paske kurrfare faji, pervecse je sjelle me mua me mire se c’duhej…

Padyshim, nuk them se u bera i tille vetem per shkakun tend, do te ishte teprim i tejskajshem. Ka shume gjasa qe edhe po te isha rritur plotesisht i cliruar nga ndikimi yt, per ty une kurre nuk do te isha ne lartesine e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqofte serish do te isha shendetlig, i lekundur, i trazuar e plot ankthe… Do te isha i lumtur te te kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithese dyshoj per kete) edhe vjeherr. Ndersa si baba ke qene teper i ashper me mua…

U rrita femije frikacak, por edhe kokeforte sic jane femijet. Padyshim, mamaja m’i plotesonte tekat, por nuk besoj se kam qene i bezdisur, s’mund ta besoj qe nje fjale e ngrohte, nje veshtrim i perdellyer, duke me marre qetesisht per dore, te mos e platitnin qenien time, dhe te arrije cka deshiroje. Se ti, ne thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjem që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.

Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone.

Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua.

Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokëulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.

Kundervenia jote godiste si mendimet ashtu edhe personat. Mjaft qe une te shprehja nje fare interesi per dike, qe nuk ndodhte shpesh, fale karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia beje gropen me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar piken e respektit per ndjenjat e mia dhe pa marre parasysh gjykimin tim.

Pamundesia per te komunikuar qetesisht me ty coi ne nje rrjedhoje logjike:u c’mesova te flas. Ti shume here ma ke ngecur fjalen ne gryke. Kanosja e perhershme:”Nuk dua kundershtime!” dhe dora e ngritur lart, urdheruese nuk me jane shqitur nga mendja edhe sot e kesaj dite… dhe meqe ti ke qene edukatori im i vetem, pasojat jane pasqyruar ne te gjitha fushat e jetes sime. Eshte nje keqkuptim i cuditshem fakti qe, siaps teje, une s’ditkam te jem i bindur. “Kundershtimi i perhershem” kurre nuk ka qene parimi i ekzistences sime, edhe pse ty te eshte ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht me qorton. Perkundrazi, nese do te tregohesha me rebel, sigurisht, do te kishe mbetur me i kenaqur prej meje. . .

Franci

Letër babait – Franc Kafka

Kam një kafshë të çuditshme; gjysmë mace, gjysmë qingj. E kam trashëguar nga im atë, po ajo është zhvilluar që kur e mora unë; më parë ishte më shumë qingj se sa mace. Tani është gjysmë ashtu gjysmë kështu. Nga macja ka kokën dhe kthetrat; nga qingji ka trupin dhe formën, nga të dyja ka sytë, që janë të përqendruar dhe të egër, qimen të butë e të shkurtër, lëvizjet që janë edhe kërcime edhe zvarritje. Kur ka diell ajo rri në parvaz të dritares, gërrhet dhe mblidhet kutullaç; në livadh rend si e çmendur sa mezi mund ta zësh. Kur ndodhet para maces ia mbath, kur është përpara një qingji sulmon. Kur ndrit hëna bredh nëpër ullukë se ajo është rruga që i pëlqen më shumë. Nuk di të mjaullijë dhe ndjen neveri për minjtë. Mund të qëndrojë me orë e shtrirë para pularisë, po kurrë s’ka përfituar nga rasti që të mbysë ndonjë shpend.

E ushqej me qumësht e sheqer, se ai i bën mirë. Ajo e thith me hurpa të mëdha, duke e kaluar në mes të dhëmbëve si të një shtaze të egër. Kjo gjë i tërheq shumë fëmijët. Të dielën në mëngjes kam vizita. Unë mbaj në mes të gjunjëve kafshën e vogël, kurse përqark zënë vend fëmijët.

Ata bëjnë pyetjet më të çuditshme, të cilave askush nuk mund t’u përgjigjet. Pse ka vetëm një kafshë të tillë? Pse ajo është pikërisht në dorën time? A ka pasur para saj ndonjë kafshë të këtij lloji? A ndjehet ajo e vetmuar? Si e ka emrin?

Unë nuk e vras mendjen t’i përgjigjem, po vetëm u tregoj atë që kam. Nganjëherë fëmijët sjellin mace, një herë sollën dy qingja. Ndryshe nga ç’prisnin ata, takimet nuk treguan ndonjë shenjë njohjeje. Kafshët vështruan njëra-tjetrën me qetësinë më të madhe; ata e quajtën ezksitencën e tyre si një dhuratë e Krijuesit.

Kur është në prehrin tim kafsha e vogël nuk njeh as frikë, nuk është agresive. E ndjen veten shumë mirë kur ndodhet pranë meje, e ngjeshur tek unë. Është e lidhur me familjen që e ka rritur. S’është ndonjë besnikëri e jashtëzakonshme, po më shumë instikti i një kafshe që, megjithatë ka shumë farefis, nuk ka asnjë shok në tërë botën dhe e quan të shenjtë mbrojtjen që ka gjetur tek ne.

Më zë gazi kur e shikoj që nuhat, më rrëshqet në mes të këmbëve, po nuk mundet ta kryeje atë veprim. Mbase është e pakënaqur që është mace edhe qingj dhe kërkon të jetë edhe qen! Një ditë kur unë s’po iu jepja dot rrugë halleve të mia tregtare dhe pasojave që vijnë prej tyre- dhe pasi desha t’i heq qafe, u mbylla në shtëpi dhe u shtriva në kolltuk, me kafshën e vogël ndër gjunjë; kur ula kokën vura re se lotët rridhin mbi mustaqet e saj të bardha. Ishin lotët e mi apo të sajat? Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore? Unë nuk kam trashëguar shumë, por duhet të them se kjo kam diçka vlen.

E them serizosht.

Kafsha ka shqetësimet e të dyve, të maces dhe të qigjit, sado të ndryshëm qofshin, prandaj e ndjente veten ngushtë brenda lëkurës ku ndodhej. Nganjëherë kërcen nga një karrige që më ven këmbët në sup dhe përplas turirin në veshin tim. Duket sikur më thotë diçka dhe vërtetë pastaj largohet dhe, më sheh në fytyrë për të parë përshtypjen që më ka bërë ajo që më tha. Që t’ia bëj qejfin tund kokën dhe bëj sikur e kam kuptuar. Atëherë ajo hidhet në dysheme dhe vallëzon rreth meje.

Mbase thika e kasapit mund të jetë shpëtimi për të, po pasi e kam trashëgim, nuk jam i atij mendimi. Ajo duhet të presë ditën, kur t’i mungojë fryma, megjithëse nganjëherë më vështron me sy aq njerëzor, sikur më fton të kryej një veprim të arsyeshëm. / pergatiti Albert Vataj/KultPlus.com

Nëntë vite më parë ka vdekur boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, Muhamed Ali

Sot bëhen nëntë vite nga koha kur vdiq boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, Muhamed Ali, shkruan KultPlus.

Muhamed Ali (Cassius Marcellus Clay, Jr), ka lindur më 17 janar 1942 në Loujsvilje në ShBA. Ishte një boksier profesional amerikan, ai konsiderohet si një ndër boksierët më të mëdhejnë në kategorinë e rëndë.

Një figurë kontroverze gjatë fillimit të karrierës, Ali është sot i njohur jo vetëm për aftësitë e tija në ring por edhe për vlerat që ai mbështeti: lirinë fetare dhe drejtësinë racore. Konsiderohet një ndër figurat më të njohura të sportit në 100 vitet e fundit.

Në moshën 22 vjeçare arriti të bëhej kampion i botës në peshat e rënda, në vitin 1964 duke fituar ndaj Sonny Listonit. Pak pas asaj ndeshjeje ai u konvertua në Islam, për të cilin vendim, ndikim të madh kishte miku i tij i ngushtë Malcolm X.

Ai ishte aktiv prej vitit 1960 deri 1967 dhe prej 1970 deri 1981. Gjatë karrierës arriti të bëhet boksieri më i mirë në kategorinë e tij dhe llogaritur sipas pikëve është boksieri më i mirë i të gjitha kohërave me 1,971 pikë.

Nga 61 ndeshje boksi ai ka arritur 56 fitore (36 me nokaut) dhe 5 humbje. Muhammad Ali ndërroi jetë në një spital të Arizonas në 3 qershor 2016.

Nga viti 1967 gjer në vitin 1970 për tri vite me radh iu mor licensa e boksimit për shkak të refuzimit dhe protestës së tij që të shkonte në luftë në Vietnam.

Ai u martua katër herë dhe ka nëntë fëmijë: shtatë vajza dhe dy djem. Për herë të parë, ai u martua më 14 gusht 1964 me Sonji Roi, por u divorcuan më 10 janar 1966. Më 17 gusht 1967, ai u martua me Belinda Boyd. Më vonë, ajo u knovertua në Islam dhe e ndryshoi emrin e saj në “Khalilah Ali”. Ata kishin katër fëmijë: Maryum, binjakët Jamillah and Rasheda dhe Muhammed Ali, Jr..

Më 1977, ai u martua me Veronica Porsche. Ata kishin një vajzë me emrin Lejla Ali. Muhammedi dhe Porsche u divorcuan në vitin 1986.

Më 19 nëntorë 1986, ai u martua me Yolanda “Lonnie” Williams, ku më vonë Lonnie konvertohet në Islam.

Ai vdiq 3 qershor 2016./KultPlus.com

Media britanike “Express”: Riviera mahnitëse Shqiptare, me plazhe të qeta dhe kuzhinë të shijshme

Ndërsa vera afrohet, shumë turistë janë në kërkim të destinacioneve të qeta dhe pa turma vizitorësh në Evropë, shkruan Kris Boratyn në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Me Spanjën, Greqinë dhe destinacione të Italisë shpesh të mbushura me turistë, ia vlen të kërkoni disa alternativa mesdhetare.

Për fat të mirë, Evropa ka ende një rivierë “të qetë” që ofron plazhe të qeta, ushqim të përballueshëm dhe qytete të bukura, që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv.

Riviera Shqiptare, në bregdetin jugor të vendit, po bëhet shpejt një zgjedhje popullore për turistët që duan diell, det dhe peizazhe me kosto te përballueshme.

Është ende shumë më lirë se vendet më të njohura në Mesdhe, dhe shumë plazhe janë të qeta, kryesisht pas pikut të sezonit veror.

“Në Evropë, gjithmonë kam gjetur qytete përgjatë Rivierës Shqiptare”, tha ekspertja e udhëtimeve, Jiayi Wang, i cili drejton “Ditari i një Nomadi”.

“Vende si Himara janë ende relativisht të qeta, ju mund të gjeni plazhe të qeta pa turma vizitorësh, veçanërisht pas korrikut dhe gushtit”, tha ajo.

“Ujërat janë të kristalta, ushqimi është i përballueshëm dhe mikpritja është tepër e ngrohtë”, theksoi Wang.

Himara është një nga perlat e fshehura të Rivierës Shqiptare. Është më e qetë se vendpushimet e tjera si Saranda ose Ksamili, dhe plazhet janë më të mëdha dhe më të pastra.

Ndryshe nga Ksamili, ku shumë plazhe janë të mbushura me shezlongje, Himara ka ende plazhe publike me shumë hapësirë.

Vendpushime të tjera të bukura përfshijnë Dhërmiun, Vunon, Borshin, Qeparoin dhe Gjipen. Secili prej tyre ka sharmin e vet, me ndërtesa të lyera me gëlqere, pamje malore dhe bregdete të qeta.

Plazhi i Gjipes frekuentohet kryesisht nga turistët. Për të arritur në plazh, bëni një shëtitje 45-minutëshe dhe shijoni qetësinë dhe ujin e pastër.

Ushqimi është një arsye tjetër për ta vizituar. Kuzhina shqiptare është një kombinim i ndikimeve turke dhe mesdhetare dhe çmimet janë ende relativisht të ulëta.

Ju mund të merrni një vakt të plotë në një restorant për më pak se 10 euro – dhe ushqimet e shpejta lokale janë edhe më të lira.

Pjatat popullore përfshijnë gjithashtu, byrekun (i mbushur me djathë ose mish), fergesën (djathë i pjekur dhe speca) dhe tavën e kosit (qengj i pjekur, oriz, kos dhe vezë).

Turizmi në Shqipëri është rritur me shpejtësi vitet e fundit, me gati 125% që nga viti 2019, por shumë pjesë të Rivierës janë ende të pacenuara.

Nëse po kërkoni një alternativë më të përballueshme dhe më të qetë kundrejt Greqisë apo Italisë, bregdeti jugor i Shqipërisë mund të jetë vendi ideal këtë verë./atsh/KultPlus.com