Media britanike ‘Express’ i kushton artikull turizmit shqiptar, Rama: Vëmendje të madhe i ka kushtuar aeroportit të ri të Vlorës

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale një artikull që media britanike “Ekspress” i ka kushtuar turizmit të Shqipërisë.

Një vëmendje të madhe i ka kushtuar dhe aeroportit të ri të Vlorës. Që do jetë një arsye më shumë që shumë vizitorë britanikë të udhëtojnë drejt jugut të vendit tonë.

“Pas “The Guardian” është radha e tabloidit britanik “Express” që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë. Rreth 240 mijë vizitorë anglezë mirëpritëm në vitin 2023, dhe e sigurt që më të shumtë do të jenë”, shkruan Rama.

Media britanike “Express” në artikullin e saj shkruan: Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të vërë në punë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të Rivierës Shqiptare, Vlorës.

Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet./topchanel/KultPlus.com

‘Express’: Shqipëria ka gjithçka që një turist mund të dëshirojë për pushime

Vendi befasues ka gjithçka që një turist mund të dëshirojë për pushime, mot të shkëlqyer, ujëra mahnitëse bruz dhe madje rrënoja të lashta romake, shkruan Aditi Rane në një artikull të publikuar në të përditshmen britanike “Express”.

Ndërsa vendet klasike të pushimeve në Evropë pritet të jenë të mbipopulluara këtë verë, një numër në rritje vizitorësh po kërkojnë destinacione më pak të frekuentuara për të udhëtuar.

Butrinti, i vendosur në qarkun e Vlorës, është një park kombëtar dhe një vend arkeologjik që ofron gjithçka që turistët mund të dëshirojnë për pushime, mot të shkëlqyer, ujëra mahnitëse bruz dhe madje rrënoja të lashta romake.

Butrinti është cilësuar si ‘Maldivet’ e Evropës, por gjithashtu strehon rrënojat romake.

Ky park kombëtar është krahasuar me “Maldivet”, falë detit piktoresk, plazheve me rërë të bardhë dhe klimës së ngrohtë verore.

Vizitorët në Butrint mund të shijojnë shëtitjet në natyrë, vendet historike, diellin, rërën dhe detin.

Parku Kombëtar i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shtrihet në një sipërfaqe prej 9 424 hektarësh, duke përfshirë kodra, liqene, ligatina dhe kënetat e kripura.

Parku përfshin qytetin antik të Butrintit, i banuar që nga kohërat parahistorike dhe më vonë i zhvilluar si një vendbanim grek, romak, bizantin dhe venecian.

Pasuria e tij historike është e dukshme në rrënojat e ruajtura mirë që shtrihen nga shekulli i IV deri në shekullin e XIX, duke përfshirë një teatër, kisha, porta, kulla dhe bazilika.

Hyrja në Parkun Kombëtar të Butrintit është e përballueshme, kushton më pak se 5 paund për person, duke e bërë atë një opsion të shkëlqyer të një udhëtimi ditor.

Vizitorët mund të eksplorojnë bukurinë natyrore, të admirojnë rrënojat, të vizitojnë kështjellën dhe madje të marrin një traget për të vizituar kështjellën më të vogël veneciane përgjatë kanalit të Vivarit, që ofron pamje të strukturave të lashta romake dhe otomane./atsh/KultPlus.com

‘Daily Express’: Shqipëria, një nga xhevahiret e fshehura të Evropës për pushime në shtator

Nuk është tepër vonë për të rezervuar pushimet e shtatorit në destinacionet më të mira për këtë vit!, shkruan gazetarja Esther Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Shqipëria është renditur mes destinacioneve më të mira për pushimet e shtatorit, pasi vendi ofron klimë të ngrohtë, plazhe të bukura dhe çmime miqësore.

Shqipëria

Shqipëria padyshim që është një pretendente e vërtetë. Me plazhet që rivalizojnë fqinjët e saj mesdhetarë dhe kulturën e bollshme, është një vend që nuk duhet humbur!

Shqipëria është një vend i larmishëm me plazhe, qytete dhe male për t’u eksploruar.

Pse të mos zbuloni destinacionin e ashtuquajtur “Maldivet e Evropës”?

Turistët që kërkojnë pushime në qytet mund të rezervojnë një udhëtim në Tiranë ose të explorojnë historinë osmane të vendit në Berat.

Berati

Qyteti historik i Beratit është një nga xhevahirët e fshehur të Shqipërisë.

Berati ndodhet në lumin Osum, në Shqipërinë qendrore, rreth dy orë me makinë nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.

Një vend i Trashëgimisë Botërore, Berati rrethohet nga male dhe kodra.

Një udhëtim në Berat është jashtëzakonisht i përballueshëm dhe kushton vetëm 18 paund për një natë në qytet, me mëngjesin të përfshirë.

I njohur si “Qyteti i një mijë dritareve” për arkitekturën e tij unike, qyteti ka qenë i banuar për mijëra vjet.

Pamjet nga Kalaja e Beratit, e cila daton në shekullin e XIII shfaqet mbi qytet.

Qyteti i Vjetër i Beratit është një labirint kafenesh dhe restorantesh, me shtëpi me arkitekturë osmane që i dhanë emrin qytetit.

Nëse do të qëndroni në Berat për shumë ditë, mund të bëni një udhëtim në grykën befasuese të Osumit ose të bëni një shëtitje në mal.

Shtëpitë janë të ruajtura mirë dhe shumë prej tyre kanë dekorin e tyre origjinal të gdhendjes në dru, që ofron një përvojë vërtet autentike.

Nëse kërkoni të eksploroni më shumë Shqipërinë, vizitoni kryeqytetin e saj Tiranën ose një nga vendpushimet më të mira të plazhit në Rivierën Shqiptare!/atsh/KultPlus.com