Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli në skenat e filmit ‘Era dhe Lisi’ (FOTO)

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.

“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.

Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët janë publikuar më parë në :Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./ KultPlus.com

Formacioni origjinal i ‘Black Sabbath’ ribashkohet pas 20 vitesh

Pas një pauze të gjatë, formacioni origjinal i grupit legjendar të heavy metal “Black Sabbath” do të performojë sërish këtë vit.

Grupi do të mbajë koncertin e tyre të parë me formacionin origjinal në 20 vjet, në Birmingham, i cili do të jetë një rikthim në skenë.

Në këtë event special më 5 korrik, anëtarët e grupit Ozzy Osbourne, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward do të luajnë sërish bashkë.

“Black Sabbath”, pionierët e muzikës heavy metal që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës, u bënë të njohur në mbarë botën për tingujt e tyre të errët dhe të rëndë dhe këngët si “War Pigs”, “Paranoid” dhe “Iron Man” u bënë ikonike.

Pas performancës së tyre të fundit së bashku në vitin 2005, grupi ka performuar në formacione të ndryshme, por jo në formacionin e tyre origjinal.

Përveç Black Sabbath, koncerti do të shfaqë edhe ikona të tjera të muzikës rock dhe metal, duke përfshirë Metallica, Slayer, Pantera, Alice in Chains, Lamb of God dhe Anthrax.

Të gjitha të ardhurat nga ky event do të dhurohen për organizata të ndryshme humanitare./KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Filmi kinez i animuar thyen rekordin, fiton gati 800 milionë dollarë

Filmi kinez i animuar “Nezha 2” u bë filmi me fitimin më të lartë në vend të enjten, me më shumë se 5.8 miliardë juanë (796.32 milionë dollarë).

Filmi për një djalë mitik me fuqi magjike dhe arte të jashtëzakonshme marciale ka kaluar rekordin e mëparshëm. Ishte filmi “Beteja e Liqenit Changjin”, një epikë e Luftës Koreane e vitit 2021, i shpallur nga platforma e biletave në internet Maoyan.

“Nezha 2” është vazhdimi i hitit të vitit 2019 “Nezha”, i cili është filmi i pestë kinez me fitimet më të larta. Filmi “Nezha 2” ka më shumë se dhjetë ditë që është në ofertë dhe fitimet totale pritet të vazhdojnë të rriten.

Ndër 10 filmat me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Kinë, është vetëm një film hollivudian. “Avengers: Endgame” siguroi vendin e nëntë me fitime prej 4.25 miliardë juanë në vitin 2019./KultPlus.com

Dy artistët Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu lanë gjurmë për të mos u harruar kurrë

Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu edhe pas kaq vitesh vazhdojnë të jenë figura të vlefshme në artin skenik shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Bota e artit me këta dy artistë mori kthesë të madhe, duke i bërë kështu gjurmët e tyre të pashlyeshmë në këtë botë aq të veçantë.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Ndërkaq, si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

KultPlus ju sjell një video kur Bekim Fehmiu e intervistonte Faruk Begollin, një intervistë kjo që e emocionon shumë këtë të fundit, teksa shprehet: Isha i përgatitur për këtë intervistë, por jam shumë i emocionuar që po intervistohem nga një artist siç është Bekimi, thotë ndër të tjera Begolli. / KultPlus.com

Dashnia asht punë

Shkruan: Vlora Konushevci

Dashnia asht punë. M’falni, por dikush duhet me thanë t’vërtetën! S’asht magji, as dramë, as poezi. S’asht dritë që s’shuhet, as natë që rri pezull.

Me dashtë do me thanë me qenë aty, përditë, përnatë. Me e pa tjetrin n’ditët e tij ma t’kqija e mos me ia kthy shpinën. Me pasë durim kur flakët veniten e me i fry gacave, edhe kur fryma t’pakohet. Nganjiherë asht andërr e butë, si lëkura e nji fëmije. Nganjiherë thikë e mprehtë, që hyn thellë e s’del.

Por shpesh herë asht te gjanat e vogla që s’presin duartrokitje. Me ta mbushë telefonin, me ta afru karrikën, me t’i kujtue ilaçet. Asht “A ke hangër?” Se n’fund t’ditës, s’ka randësi sa të mëdha i kemi andrrat, sa fort mundohemi me ia dalë, me punu, me u rrëzu, me u çu prapë.

Dashnia asht ajo që t’i çel sytë n’mëngjes. Nejse. Mue m’i çel sytë aroma e kafes. Pa kafe s’ka send. Dashnia pra, asht edhe kafe!/KultPlus.com

Jeta artistike e Faruk Begollit përmes 15 fotografive (FOTO)

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Faruk Begoli u filmu Purise Djordjevica “Podne”

Gjon Mili, artisti vizionar që krijoi imazhet më ikonike të shekullit të 20-të

Sot, në përvjetorin e vdekjes, kujtojmë dhe nderojmë kontributin e fotografit Gjon Mili. Trashëgimia e Milit jeton përmes imazheve të tij mahnitëse dhe ndikimit që ai vazhdon të ketë në botën e fotografisë.

Gjon Mili ishte një fotograf dhe artist shqiptaro-amerikan i njohur për punën e tij novatore në fushën e fotografisë. Ai lindi në Shqipëri në vitin 1904, por familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, ku Mili përfundimisht u bë një figurë e shquar në botën e artit.

Puna e Milit karakterizohej nga përdorimi i dritës dhe lëvizjes, të cilat ai i përdori për të kapur imazhe dinamike që shpesh krahasoheshin me pikturat. Ai punoi për revistën Life për shumë vite dhe ishte i njohur për portretet e tij të artistëve dhe muzikantëve të famshëm, duke përfshirë Pablo Picasso, Duke Ellington dhe Igor Stravinsky.

Mili ishte gjithashtu një pionier në fushën e fotografisë stroboskopike, e cila përfshin përdorimin e një drite strobe për të kapur lëvizjen në një imazh të vetëm. Ai e zhvilloi këtë teknikë në vitet 1940 dhe e përdori atë për të krijuar imazhe mahnitëse të kërcimtarëve dhe atletëve në lëvizje.

Një nga bashkëpunimet më të famshme të Milit ishte me shkencëtarin dhe shpikësin e njohur, Dr. Harold Edgerton. Së bashku, ata zhvilluan një metodë për të fotografuar lëvizjen e një plumbi gjatë fluturimit, të cilën e përdorën për të krijuar një seri imazhesh goditëse.

Mili vazhdoi të punojë si fotograf dhe artist gjatë gjithë jetës së tij dhe puna e tij është ekspozuar në galeri dhe muze në mbarë botën. Ai vdiq në vitin 1984, por puna e tij novatore dhe novator vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë sot fotografët dhe artistët./ KultPlus.com

Tundje Lapsi

Shkruan: Agron Elezi

Tundje Lapsi

Ekranet më kaplojnë me krahët tinëzare
drejt thellësive të horizontit të trazuar
në rrugëtimin tim në kopshtet holograme
në grabitje dhe kafshim të frutës së ndaluar

Nën joshjen e lojërave shkëlqyese të LED-it
në hartën e dëshirave, në thesaret e magjepsura
lëkurat shkëlqejnë, sytë e mi përndjekin
rrengjet e ekstazit
buzët e fshehura

Ah, imazhi i saj, ujëvarë freskie e hatashme
rrëshqet kodrës sime të thepisur, vullkanike
përcjellur me ato klithma të pashmangshme
të epsheve të pangopura
të spërkatjeve magmatike

Flas me pëshpëritje në ëndërr,
në deliri
mbi jastëkun e akullt të moralit, zakonit
çdo rrokje derdhet porsi mjaltë erë-bliri
nga emri i saj
odë e poezive të Erosit

Mbetur mes yjeve, si kometë që sillet vërdallë
me bisht të çmendur, zhveshur dhe eksituar
tundoj mbi planetin e kuq, në vorbullën e përdalë
në dashurinë hileqare në aktin e korruptuar

Por si mund ta grabit një poet yllin?
me fjalë, me ndjenja, me mençuri të egër?
apo të betohet me Dionisin dhe djallin
të kapërcej qiellin
të thyej ekranin.

Janar 2025, Gjilan, Kosovë/KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

“Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka shkruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore./KultPlus.com

Shën Valentin

Poezi nga Rozafa Shpuza

Vitrina e butikut në Zhanë d’Ark
mjegullohet prej hukamës së fshesares
që thith’ mirfilli nji gacë natore.
Mbështetë në shisën rrumeqe
lidhun me spagë thasësh,
kapërdin’ si n’jerm tymnajën djallëzore,
mandej shkundë hinin e dalldisë
që i mpinë rranzat e kofshëve
t’epshume marrisht
nga vikama e drujtë e manekinit.
Krejt përhupshëm,
i ngjeshet edhe ma fort vitrinës
e harrohet n’nji përqafje krahësh kallkan,
ku varet nji etiketë me ulje çmimi…

Po semafori din veç me përqeshë
e ajo përmendet tue shtypë me thembër
bishtin e fikun të andrrës. / KultPlus.com

Njëra ndër letrat më të bukura të dashurisë – Remarku i shkruan të dashurës

Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura.

Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij:

“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.

Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë.

Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që ti ta dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.

Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time.

Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu?

Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë  që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.

Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd.

Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.

O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.

Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm.

Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.

Më duaj, puma” (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)! / KultPlus.com

81 vite nga lindja e të papërsëritshmit Faruk Begolli

Sot janë bërë 81 vite nga lindja e një ndër figurave më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli.

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog, Peter Sørensen: Do punojmë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, ka njoftuar se është takuar për herë të parë me përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen.

“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se do të vazhdojnë të punojnë me aleatët tanë, që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë./KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić.

“Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić”, u shpreh Osmani.

Osmani u shpreh se gjatë takimit kanë diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim./KultPlus.com

Botohet libri “Ama dorën” i poetes Dije Demiri – Frangu

Botimet REA sjell para lexuesve librin më të ri të poetes Dije Demiri – Frangu me titullin “Ama dorën”. I konceptuar në tri kaptina “Kur isha mbret”, “Dashuria është kontinent” dhe “Lagjja që s’flet”, ky libër paraqet vlera të reja letrare duke shënuar avancimin e letërsisë shqipe për fëmijë, në kuptimin e zgjerimit të gamës tematike të saj dhe krijimit të një semantike, por edhe të stilit të ri letrar.

Poetja e ka funksionalizuar dhe e ka ruajtur qasjen pedagogjiko-psikologjike, duke faktorizuar rolin e fëmijës, si dhe rolin e informacionit të lojës në jetën e tij. Gjithsesi këto janë kapërcime kualitative në një kontekst më të gjerë të letërsisë shqipe për fëmijë.

Libri me poezi për fëmijë “Ama dorën”, është një udhëtim unik i bukurisë dhe madhështisë së imagjinatës së fëmijës. Një hapësirë e pafund poetike, e shtresuar përbrenda psikologjisë dhe imagjinatës së fëmijës. Për më tepër, Dije Demiri-Frangu, përmes poezisë me motive urbane, poezisë së dashurisë, lojës, motivit të vdekjes (fare pak i trajtuar në letërsinë tonë për fëmijë), sjellë situata të rralla të jetës në ambiente të ndryshme si dhe krijon meditime mbi to. Përmes krijimtarisë së saj, e posaçërisht përmes këtij libri mjaft interesant, autorja ndihmon në ndërtimin e perceptimit të ri estetik mbi jetën dhe botën e fëmijës sonë.

Libri “Ama dorën”, është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë.

Shënime për autoren:

Dije Demiri Frangu është profesoreshë në Fakultin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Ka magjistruar dhe doktoruar në shkencat filologjike. Ka botuar 14 vepra, duke përfshirë poezinë për fëmijë e të rritur, si dhe studimet letrare. Poezia e saj është vlerësuar nga kritika. Gjithashtu, është prezantuar në shumë antologji.

Ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg” (1981), “Flurudhë” (1985), “Ta shoh botën si gotën” (1987), “Gjithësia si qershia” (1989), “Këmbët e erës” (1995), “Prekja e vdekjes” (2000), “Nar det regnar over havet“ (2002), “Shpirti i luleve” (2007), “Tallje e bukur” (2009), “Letërsia për fëmijë” (2009, 2011, 2019), “Zemra që të bie tamam” (2019), “Qumështi i poezisë” (2019), “Gabimi i shqisave” (2022), “Ama dorën” (2024)./KultPlus.com

Kur unë dashuroj

Cikël poezish nga Nizar Tawfiq Qabbani

Dallimi mes meje edhe qiellit

Dashnia ime më pyet mua:
“Cili është dallimi mes meje edhe qiellit?”
Dallimi, dashnia ime,
Është se kur ti qesh,
Unë e harroj qiellin.

Kur dashuroj

Kur unë dashuroj
ndjej sikur jam mbret i botës
e zotëroj tokën dhe gjithçka në të
dhe me kalin tim hipi në diell

Kur unë dashuroj
bëhem dritë e lëngshme
e padukshme për syrin
dhe poezitë në fletoret e mia
bëhen fusha me mimozë dhe lulekuqe.

Kur unë dashuroj
uji buron nga gishtat e mi
bari më rritet në gjuhën
kur dashuroj
unë bëhem kohë jashtë çdo kohe.

Kur unë dashuroj një grua
të gjitha pemët
vrapojnë zbathur drejt meje…

Sa herë që të puthi

Secilën herë që të puthi
pas një ndarjeje të gjatë
ndihem sikur
po dërgoj një letër dashurie për s’shpejti
në një kuti postare të kuqe.

Përktheu: Shkëndije Berisha / KultPlus.com

‘Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare

Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë

O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që po qëndron në Gjermani, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC). Sot, është takuar me Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter.

“Zvicra vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, me mërgatën tonë që luan një rol thelbësor në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Presidenten Keller-Sutter për ta thelluar edhe më tej partneritetin tonë në fusha të interesit të ndërsjellë, e për të mirën e të dy popujve tanë./KultPlus.com

Manastiri i Ardenicës, tjetër pasuri kulturore që do të restaurohet

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri me dije se një monument tjetër do i nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese.

Bëhet fjalë për Manastirin e Ardenicës, i cili ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ky monument përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi.

Punimet do të kryhen kryesisht në konakët e Manastirit ndërsa do të ketë ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale, restaurim i dyshemesë, pastrim i fugave përgjatë perimetrit të kishës, restaurim-trajtim i strukturës drusore, pastrim i fasadës nga patina biologjike, F.V. dyer dhe dritare, etj.

Manastiri i Ardenicës “Lindja e Hyjlindjes’’ mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të  Myzeqesë, ku ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë.

Manastiri i Ardenicës i përket periudhës bizantine por formën përfundimtare e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Nga momenti i themelimit të tij, manastiri ka pasur një rol kyç në zhvillimin e identitetit fetar dhe kulturor të popullatës shqiptare.

Përmes pasurisë së tij trashëgimore, ai thërret të gjithë ata që janë të interesuar të zbulojnë rrënjët dhe thellësinë e kësaj toke, ku historia dhe besimi lidhen për të formuar një peizazh të pashembullt shpirtëror./atsh/KultPlus.com

Dita e Shën Valentinit: Origjina dhe festimet e ditëve moderne në mbarë botën

Dita e Shën Valentinit është një festë që festohet çdo vit më 14 shkurt. Origjina e saj është disi e paqartë, por përgjithësisht besohet se ka filluar si një festë e krishterë për nder të Shën Valentinit. Sipas legjendës, Shën Valentini ishte një prift romak që i bënte martesat në fshehtësi dhe përfundimisht u martirizua për veprimet e tij.

Sot, Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës, megjithëse zakonet dhe traditat që lidhen me festën ndryshojnë në varësi të kulturës. Në Shtetet e Bashkuara, është një ditë e njohur për çiftet për të shkëmbyer dhurata dhe për të kaluar kohë së bashku, shpesh me një darkë romantike ose një dalje të veçantë. Është gjithashtu e zakonshme që njerëzit t’u japin kartat e Ditës së Shën Valentinit ose dhurata të vogla miqve, anëtarëve të familjes ose kolegëve.

Në disa vende të tjera, si Japonia dhe Koreja e Jugut, Dita e Shën Valentinit është një ditë kur gratë u bëjnë dhurata burrave, dhe jo anasjelltas. Në këto kultura, është tradicionale që gratë t’u japin çokollatë ose ushqime të tjera burrave për të cilët janë të interesuar, ose të shprehin vlerësimin e tyre për kolegët ose miqtë meshkuj.

Në vende të tjera, si Meksika dhe pjesë të Amerikës Latine, Dita e Shën Valentinit festohet si një ditë miqësie dhe dashurie, dhe jo vetëm dashuri romantike. Kjo njihet si “Dia del Amor y la Amistad”, ose Dita e Dashurisë dhe Miqësisë, dhe është një kohë që njerëzit të shprehin vlerësimin e tyre për të gjitha marrëdhëniet e rëndësishme në jetën e tyre.

Ndërsa në Kosovë dhe Shqipëri, kjo ditë festohet pak a shumë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çiftet shkëmbejnë dhurata mes vete apo realizojnë dalje më të veçanta. Këtë ditë çifti ja dedikojnë njëri tjetrit në mënyrë ekskluzive për të shprehur dashurinë e tyre.

Në përgjithësi, Dita e Shën Valentinit është një festë që ka evoluar me kalimin e kohës dhe ka marrë shumë kuptime dhe tradita të ndryshme në mbarë botën. Pavarësisht zakoneve dhe traditave të ndryshme, ajo mbetet një ditë popullore për të festuar dashurinë dhe marrëdhëniet në shumë kultura. / KultPlus.com

Tridhjetë fitues të Topit të Artë votuan për lojtarin më të madh të të gjitha kohërave, Pele fitues

Tridhjetë ish-fitues të trofeut të Topit të Artë morën pjesë në një votim për të vendosur se kush është ‘Lojtari i Shekullit’, me një yll që u rendit në vendin e parë me një diferencë të madhe.

France Football, revista që ka organizuar ndarjen e Topit të Artë që nga viti 1956, konsultoi një grup të gjerë fituesish të çmimit për të krijuar këtë vlerësim të ri.

Në total, kishte 34 fitues nga viti 1956 deri në 1999, por vetëm 30 prej tyre morën pjesë në votim, pasi Stanley Matthews, George Best dhe Omar Sivori nuk votuan, ndërsa Lev Yashin, fituesi i 1963-ës, kishte ndërruar jetë në vitin 1990.

Sipas RSSSF, të gjithë votuesit u ngarkuan me zgjedhjen e pesë lojtarëve nga lista e fituesve – të renditur nga vendi i parë deri te i pesti. Sistemi i pikëve ishte si më poshtë:

  • 5 pikë për vendin e parë
  • 4 pikë për vendin e dytë
  • 3 pikë për vendin e tretë
  • 2 pikë për vendin e katërt
  • 1 pikë për vendin e pestë

Megjithatë, procesi i votimit kishte disa çudira. Dy herë fituesi i Topit të Artë, Alfredo Di Stefano, zgjodhi vetëm një lojtar, ndërsa Michel Platini, që ka fituar tre herë çmimin, dha vetëm dy zgjedhje.

Gjithashtu, fituesi i 1995-ës, George Weah, vendosi të votonte vetëm dy lojtarë për vendin e pestë – Bobby Charlton dhe Roger Milla – duke u dhënë secilit nga gjysmë pike.

Në fund, legjenda braziliane Pelé u shpall fituesi me 122 pikë, gati dyfishin e votave në krahasim me rivalin e tij të madh, Diego Maradona.

Asnjëri prej tyre nuk kishte fituar zyrtarisht Topin e Artë, pasi nuk ishin të pranueshëm gjatë karrierës së tyre, por më vonë u nderuan me versione përkujtimore të çmimit.

Johan Cruyff, Alfredo Di Stefano dhe Michel Platini plotësuan pesëshen më të mirë.

Rezultatet e plota të votimit për Lojtarin e Shekullit:

  1. Pelé – 122 pikë
  2. Diego Maradona – 65 pikë
  3. Johan Cruyff – 62 pikë
  4. Alfredo Di Stefano – 44 pikë
  5. Michel Platini – 40 pikë
  6. Franz Beckenbauer – 35 pikë
  7. Ferenc Puskás – 12 pikë
  8. Marco van Basten – 11 pikë
  9. Zico – 7 pikë
  10. Gerd Müller – 5 pikë
    Lev Yashin – 5 pikë
  11. Enzo Francescoli – 4 pikë
    Garrincha – 4 pikë
    George Best – 4 pikë
  12. Rafael Gordillo – 3 pikë
  13. Bobby Charlton – 2.5 pikë
  14. Romário – 2 pikë
  15. Roberto Baggio – 1 pikë
    Oleg Blokhin – 1 pikë
    Just Fontaine – 1 pikë
    Raymond Kopa – 1 pikë
    Fritz Walter – 1 pikë
    Dino Zoff – 1 pikë
  16. Roger Milla – 0.5 pikë

Pelé triumfoi si lojtari më i madh i shekullit sipas këtij votimi prestigjioz, duke lënë pas emra të mëdhenj si Maradona, Cruyff dhe Di Stefano. /Express/ KultPlus.com

‘Dje, mes letrash gjeta një foto të vjetër të njëzet viteve të tua’


Cristina Peri Rossi

Dje, mes letrash
gjeta një foto të vjetër të njëzet viteve të tua.
Befas kuptova menjëherë
se dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar,
në çast dashurova buzëqeshjen tënde universitare,
rininë tënde të ngazëlluar,
tejdukshmërinë fatlume të vështrimit tënd,
veshjen e shtendosur përmbi këmbët e tua,
iluzionet që kishe akoma,
ëndrrat e tua për ta ndryshuar botën dhe gjinitë,
dëshirat e tua për drejtësi,
kryeneçësinë tënde ndaj roleve njerëzore,
ëndjen tënde të pashtershme për gjuhët e kësaj bote,
fuqinë e tërbuar të vetes tënde,
kryengritëse e bashkëkohore njëherësh, në 1968.

Dashuria ime për ty, u bë në kohë të shkuar,
përshkoi ditët e vitet,
pluskoi në kujtesë,
gjer në natën e kohëve,
aty ku çdo dashuri ngjizet.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. /KultPlus.com

Tilda Swinton: Shumë akte çnjerëzoret po kryhen në kohën tonë

Aktorja e njohur britanike, Tilda Swinton mbajti një fjalim politik, teksa pranoi sonte çmimin ”Ariu i Artë” për Karrierën të Festivalit të Filmit të Berlinit, në ceremoninë e hapjes duke thënë se “shumë akte çnjerëzoret po kryhen në kohën tonë”.

Në një fjalim poetik, fituesja e Oscar-it e vlerësoi festivalin si “një mbretëri pa kufij pa politikë përjashtimi, persekutimi apo dëbimi”.

“Shteti i madh i pavarur i kinemasë është në thelb gjithëpërfshirës dhe imun ndaj përpjekjeve për pushtim, kolonizim, marrje, pronësi ose zhvillim të pronave të rivierës”, theksoi ajo.

Ajo më pas pranoi se ”vrasjet masive të kryera nga shtetet dhe të mundësuara nga ndërkombëtarët, aktualisht po terrorizon në mënyrë aktive më shumë se një pjesë të botës sonë”.

Megjithatë, ajo nuk hyri në detaje.

”Këto janë fakte. Ato duhet të shihen. Pra, për hir të qartësisë, le ta emërtojmë atë. Aktet çnjerëzore po kryhen në kohën tonë. Unë jam këtu për ta emërtuar pa hezitim apo dyshim në mendjen time dhe për t’i dhënë solidaritetin tim të palëkundur të gjithë atyre që e njohin vetëkënaqësinë e papranueshme të qeverive tona të varura nga lakmia, të cilat sillen mirë me shkatërruesit e planetit dhe kriminelët e luftës”, theksoi ajo.

”Berlinale” e këtij viti vjen mes trazirave politike në Gjermani, duke u zhvilluar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vendimtare të 23 shkurtit.

Zgjedhjet janë shënuar nga ngritja e partisë së djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila ka shkaktuar polemika me qëndrimin e saj kundër emigracionit.

Diku tjetër, SHBA sapo ka hyrë në një presidencë të dytë nën Donald Trump, dhe megjithëse u thirr një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, konflikti në Gaza mbetet i brishtë.

Javën e kaluar, Trump sugjeroi një plan për të larguar palestinezët nga territori dhe për ta kthyer atë në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Deri më tani, festivali nuk është shmangur nga politika, me presidentin e jurisë Todd Haynes që foli kundër Trump gjatë një konference për shtyp të së enjtes.

”Ne jemi në një gjendje krize të veçantë tani në Shtetet e Bashkuara, por edhe globalisht”, tha ai duke shtuar se ”kthimi i Trump do të ndikojë në xhirimet… mbi të gjithë kineastët amerikanë”.

Swinton ka pasur lidhje të ngushta me Berlinalen për gati katër dekada, duke luajtur në 26 filma në përzgjedhjen e festivalit, përfshirë “Caravaggio”, i cili fitoi ”Ariun e Argjendtë” në 1986; ”The Beach” (2000); “Derek” (2008); “Julia” (2008); “The Garden” (1991); dhe “Last and First Man” (2020).

Ajo gjithashtu kryesoi jurinë kryesore të Berlinales në vitin 2009./ KultPlus.com