Miqësia e fotografit shqiptar, Gjon Mili me piktorin e njohur, Pablo Pikaso

Kur Gjon Mili mbërriti për herë të parë në studion e Pikasos, ndjeu sesi drita që ishte gjithnjë bashkudhëtarja e tij u zhduk menjëherë sapo tablotë e mëdha shpërndarë kudo në hapësirën e madhe u shfaqën para tij. Ishte viti 1948 dhe fotografit shqiptar nuk i ishte dashur shumë të gjente studion e artistit në Vallauris, në Francën e Jugut, ku Pikaso ishte vendosur për të punuar.

Me sy ai kërkoi çelësin e dritës dhe kur nuk e gjeti shkoi tek dritarja dhe e hapi. Një dritë e lehtë çau dalëngadalë errësirën dhe subjektet në tablotë e pikturuara sikur morën një tjetër kuptim. I veshur thjesht me pantallona të shkurtra, siç ishte duke punuar, Mili iu lut mjeshtrit të vendoste duart kryq dhe të shikonte nga aparati i tij. Një mori shkrepjesh do të ktheheshin në fotot më të mira të realizuara për Pikason gjatë gjithë jetës së tij.

Në vazon me lule mbi tryezën e drunjtë, Mili këputi një lule dhe ia vendosi mjeshtrit lehtë në kokë. Njeriu që i kishte dhënë aq jetë luleve, tashmë ishte i gjithi nën fuqinë e saj. Por eksperimenti që më pas do të ndikonte dhe në pikturat e realizuara nga Pikaso ishte drita. Si fotograf novator, Mili e kishte zbuluar dritën si një element që i jepte një tjetër fuqi imazheve. Duke ia treguar Pikasos, ky i fundit do të mahnitej nga forca e saj, duke e derdhur më pas në ngjyra.

Pikaso dallohej për tendencën për të shtyrë kufijtë e vetes dhe kur Mili i tregoi rrugën për të pikturuar përmes dritës, ai pranoi menjëherë. Vizatimet e dritës shfaqin Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij, apo gruan plot forma tek “Ëndërrimtarja”. Për të krijuar efektin hipnotizues, Pikaso mbante në dorë një elektrik të vogël të cilin e lëvizte në një dhomë të errët. Për fotot u përdorën dy aparate, njëri për të kapur pamjen ballore dhe tjetri atë anësore. Duke lënë objektivin të hapur, Mili kapi vijat e dritës si vorbulla në hapësirë. Tridhjetë fotografi janë realizuar me Pikason duke vizatuar me dritë. Nga viti 1948 deri në vitin 1967, për dy dekada, Pikaso dhe Mili do të kishin një miqësi të veçantë. Askush si Mili nuk do të mund futej thellë në psikikën e artistit dhe për ta dhënë këtë psikikë përmes fotove 

të rralla. Mili dhe Pikaso më shumë se miq ishin dhe dy artistë që sipas kritikës u influencuan nga arti i tyre. Kur Mili e vizitoi Pikason sërish në Vallauris, ai jetonte me Françoise Gilot, e dashura e tij prej dhjetë vitesh me të cilën kishte një djalë, Claude. Në kopshtin e shtëpisë së tyre, Mili ka realizuar një set fotosh të gruas së dashuruar me djalin. Por ajo çfarë i bën fotot e Milit të veçanta është karakteri që ai u jep atyre. Njohës i mirë i Pikasos, ai mundohet të vendosë në çdo fotografi detaje të cilat janë në thelb dhe arti i piktorit. Interesante janë dhe fotot ku Pikaso shfaqet me maskën e një gomari, të cilën Mili e gjeti në studion e tij kur e vizitoi në vitin 1967. Në atë kohë Pikaso sapo kishte dalë nga dëshpërimi i thellë që e pushtoi pas ndarjes me muzën e tij të vetme, Françoise. Ai jetonte me gruan e dytë, Jacqueline Roque, dhe ky kolazh fotosh ku trupi i Pikasos shfaqet i zhytur nën portretin e një gomari, është një alegori e madhe për të shkuarën. Takimi i Milit me Pikason ishte një ngjarje e madhe për revistën “Life” dhe në vitin 1968 kryeredaktori i revistës, George P. Hunt, shkroi një shkrim special për këtë. Fotot e realizuara nga Mili për Pikason vijojnë të jenë si një libër për të lexuar mendjen e artistit, që shumë pak foli për vete, por vetëm pikturoi. Një nga fotografitë që vijon të ekspozohet në galeritë më të njohura të artit është ajo me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Në vitin 1952, në Paris, Mili hapi një ekspozitë kushtuar Pikasos. Në albumin biografik të Pikasos, fotot e artistit shqiptar zënë një pjesë të madhe të hapësirës. Emri i Gjon Milit renditet në morinë e fotografëve më të njohur botëror. Ai nuk e mohoi asnjëherë origjinën e tij shqiptare dhe pse ishte vetëm 5 vjeç kur e la Shqipërinë. Për 15 vjet, ai punoi në revistën e njohur “Life” dhe fotot e realizuara prej tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fondit të kësaj reviste, e cila herë pas here i risjell në vëmendjen e publikut, për të kujtuar një ikonë të fotografisë botërore, e cila kërkonte t’i shikonte gjërat përmes dritës… Fotot e publikuara me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Pikasos janë ndër më të rrallat në jetën e artistit dhe e sjellin atë në momente të ndryshme të jetës, në një stil që nuk ndryshon shumë nga ai i pikturave të tij… /albertvataj/ KultPlus.com

Gjon Mili, në konferencën e Massachusetts Institute of Technology: Ja përse jeta ime ishte e mirë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Qershor 2021

“Wellesley News” ka botuar, me 18 prill 1975, në faqen n°5, një shkrim special në lidhje me konferencën e Gjon Milit në MIT (Massachusetts Institute of Technology).

Burimi : Wellesley News, 18 prill 1975, f.5

Gjon Mili, oratori i tretë në serinë “Fotografia në Shkencat Humane”, tha në prezantimin e tij se ai po përpiqej të argëtonte, jo të jepte mësim. Në fakt, prezantimi i Milit ishte edukativ dhe argëtues.

Mili, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Rumani, erdhi në USA në moshën 18 vjeçare. Ai u diplomua në M.I.T. në vitin 1927 me një B.S. në inxhinieri elektrike. Ai më pas shkoi për të punuar për Westinghouse në departamentin e llambave dhe ndriçimit, gjë që e vuri atë në kontakt me fotografët.

Mili filloi të fotografonte seriozisht në vitin 1931 duke përdorur dritën artificiale në formën e një blici elektrik. Mili ishte gjithashtu i pari që sinkronizoi fotoflashin me qepenin duke e mundësuar atë të fotografonte shprehje spontane. Në 1938, Mili filloi të shkruante histori për revistën Life tashmë e shuar, por ai kurrë nuk ishte në stafin e Life. Mili ka dhënë mësim në Yale dhe M.I.T… tani ai jep mësim në Hunter.

Mili tregoi afërsisht 100 diapozitivë të fotografive të tij dhe tre filma të shkurtër. Prezantimi i tij mund të ndahet në gjashtë pjesë. Së pari ai tregoi një numër fotografish të hershme, më pas fotografi baleti, pastaj fotografi të interpretuesve, shfaqjeve dhe regjisorëve, pasuar nga fotografi që kishin të bënin me muzikë, të cilat u pasuan nga fotografi që kishin të bënin me artin dhe në fund Mili tregoi tre filmat e tij të shkurtër. Çdo sekuencë e fotografive përfshinte fotografi të njerëzve të njohur në secilën fushë duke përfshirë: Sophia Loren, Arthur Rubenstein, Pablo Casals, Duke Ellington dhe Pablo Picasso-n.

Mbi profesionalizmin, Mili deklaroi : “Ishte një jetë e mirë nëse mendoj për njerëzit që kam takuar, ngjarjet që kam qenë dëshmitar, idetë që unë mbart akoma dhe më në fund imazhet që kanë fituar një realitet të qëndrueshëm.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/wellesley-news-1975-gjon-mili-ne-konferencen-e-massachusetts-institute-of-technology-ja-perse-jeta-ime-ishte-e-mire/. 

Gjon Milii, regjisori i parë shqiptar i nominuar për ‘Oscars’ në vitin 1944

Artisti shqiptar, Gjon Mili është i njohur kryesisht për punën e tij si fotograf, veçanërisht portretet e tij dhe përdorimin eksperimental të ndriçimit, shumica e të cilave u shfaqën në revistën Life, por pak e dinë se Mili ishte edhe regjisor, madje i nominuar për Oscars, shkruan KultPlus.

Pasi ndërtoi një karrierë si fotograf në New York City, Mili u dërgua me avion në Los Angeles nga Warner Bros për të parë nëse do të ishte një regjisor i mirë i filmave. Mili i propozoi një film xhaz producentit Gordon Hollingshead, për të cilin studioja eci përpara.

“Jammin ’The Blues” u filmua për katër ditë në Shtator 1944, dhe u la në qarkullim atë Dhjetor.

Filmi u prit me vlerësime pozitive dhe u nominua për Oscars në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, por në garë i pari doli filmi Who’s Who në Animal Land, një film i Paramount. Ky nominim shënon suksesin e parë për një regjisor shqiptarë në Oscars.

“Jammin ‘the Blues” është një film i shkurtër amerikan në të cilin disa muzikantë të shquar të xhazit u mblodhën së bashku. Ai përfshin Lester Young, Red Callender, Harry Edison, Marlowe Morris, Sid Catlett, Barney Kessel, Jo Jones, John Simmons, Illinois Jacquet, Marie Bryant dhe Archie Savage.

Në 1995, “Jammin ‘The Blues” u zgjodh për ruajtje në Regjistrin Kombëtar të Filmit në Shtetet e Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si “kulturore, historike ose estetikisht e rëndësishme”. / KultPlus.com

Gazeta franceze për Gjon Milin në vitin 1945: Fotografi që çuditi Hollywood-in

Nga Aurenc Bebja, Francë – 19 Shtator 2020

“Nuit et Jour” ka botuar, me 12 korrik të 1945, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me suksesin e Gjon Milit në Hollywood, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Koto fotografi kanë çuditur Hollywood-in

Nancy Coleman dhe Helmut Dantine shkojnë përballë njëri-tjetrit për tu puthur në filmin “Edge of Darkness”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Nancy Coleman dhe Helmut Dantine shkojnë përballë njëri-tjetrit për tu puthur në filmin “Edge of Darkness”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Deanna Durbin e cila sapo është martuar për herë të dytë, gjithashtu ka ndryshuar partner në kinema, Edmond O’brien i jep asaj një puthje në “To night and for ever”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Deanna Durbin e cila sapo është martuar për herë të dytë, gjithashtu ka ndryshuar partner në kinema, Edmond O’brien i jep asaj një puthje në “To night and for ever”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Të çudisësh Hollywood-in nuk është një performancë disi banale. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhuratë qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh!” që shpreh habi.

Duke përdorur një proces që na duket relativisht i thjeshtë, Gjon Mili arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollywood-it reagime shumë të gjalla kurioziteti. Si u realizuan këto foto ? Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, thjesht përdori “flashin – blicin”, që është një shpërthim drite i çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të shpejtë. Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e qepenës së aparatit të tij sa herë që shfaqet një dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një sasi të madhe lëvizjesh një gjest që mezi zgjat një sekondë.

Nëntë lëvizje në ajër të “kërcimit të maces” të kryera për Gjon Milin nga balerina Alexis Smith, nëntë imazhe në një pllakë fotografike. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Nëntë lëvizje në ajër të “kërcimit të maces” të kryera për Gjon Milin nga balerina Alexis Smith, nëntë imazhe në një pllakë fotografike. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Gjon Mili duket se ka një predispozitë për puthjet. Kjo është dhënë nga Humphrey Bocaert për Julie Bishop-in në filmin e tyre të ri : “Action in the north Atlantic”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Gjon Mili duket se ka një predispozitë për puthjet. Kjo është dhënë nga Humphrey Bocaert për Julie Bishop-in në filmin e tyre të ri : “Action in the north Atlantic”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it që të pozonin për të dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që ata bënë para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë e cila matet në të dhjetat e sekondës.

Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/nuit-et-jour-1945-gjon-mili-fotografi-qe-cuditi-hollywood-in/?fbclid=IwAR2_M4ztIy6bgh2IVvL_E6CSVc0Nrc_gRncd-KTmcidfQapDqV3HOsZSLxg

Me fotografin e famshëm Gjon Mili do të kuptoni se fotografia është “një art që lëviz”, intervista ekskluzive në Paris

Nga Aurenc Bebja 

“Le Franc-tireur” ka botuar, të premten e 4 tetorit 1946, në faqen n°2, një intervistë të Gjon Milit, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Mbretërimit të kartolinës po i vjen fundi

Gjon Mili, amerikan dhe fotograf i shpejtësisë

 — Ju keni lindur në U. S. A., Mili ?

 — Jo. Në Shqipëri në 1904. Në Rumani deri më 1923. Pastaj New York City dhe menjëherë në shkollën e Bostonit…

 Gjon Mili shtriu këmbët e tij të gjata poshtë tryezës së zyrës e cila ndodhej në një ndërtesë të rëndësishme e të denjë të “Place de la Concorde”.

 Pamja e tij ndryshuese është e efektshme, për shpejtësinë, me një hundë aerodinamike, një mustaqe të vogël që duhet të jetë në gjendje të tërhiqet si ingranazhi i uljes së një avioni Thunderbolt. Gjon Mili është fotografi më i shpejtë në botë, i cili ju qëllon i gjallë me aparatet e tij të komplikuara. Siç e thotë qartë dhe fatmirësisht z. Jean-Paul Sartre, nuk bëhet fjalë që për të të jesh një i fotografuar “normal”, “një i vdekur i balsamuar, i lyer me hiposulfit…”.

***

 Kjo është një histori tjetër.

 Dhe Mili, në një gjendje të mirë, është i gatshëm ta na e tregojë.

 — Në Boston, unë ndoqa mësime që do të më mundësonin postin e “fotografit inxhinier”. Ju nuk keni asgjë të ngjashme në Francë, besoj. Gjatë disa viteve, në mënyrë metodike shtyva njohuritë e mia në optikë, teknikë fotografike, energji elektrike, kimi dhe fizikë.

Pastaj hyra në Westinghouse si “inxhinier kërkimesh” në seksionin e studimeve të dritës. Kam punuar atëherë me H.-E. Edgerton i cili sapo kishte shpikur llambat speciale të cilat më lejojnë sot të arrij rezultate mjaft të jashtëzakonshme.

Procesi është ai që konsiston në prodhimin në një tub të vogël një blic shumë të fuqishëm, por të një shkurtësie që mund t’ju befasojë.

 — 1 / 1.000 e sekondës ? …

 — Shumë më shpejt. Këto llampa lejojnë “flashë” (blicë) që variojnë nga 1/1.000 e deri në të miliontën e sekondës. Me këtë zbulim shkencor, unë isha në gjendje të shtyja shumë më tej kërkimet e mia artistike.

***

 — Studioja juaj është në New York apo Kaliforni ?

 — Në New-York City: 6 East 23 rd. Është një nga më të mëdhatë në botë. Ne ishim në gjendje të realizonim filma aty, gjatë vitin të kaluar. Hans Richter po xhiron në të një film surrealist.

 — Bëjnë ende filma surrealist në Shtetet e Bashkuara ?

 — Sigurisht. Dhe që do t’ju pëlqejnë, jam i sigurt.

 Gjon Mili shikon lart dhe ky fotograf i pajisur mirë lëshon disa ide nga të cilat mund të frymëzohen amatorët më të përulur, pronarë të kutive katrore me objektivë akromatikë.

 — Fotografia nuk është pikturë. Fotografia është një mënyrë e mrekullueshme për të kapur “një moment”. Fotoja është çasti. Dhe duke shkuar më tej, u përpoqa në disa nga punimet e mia të krijoja “një fjali fotografike”, falë sekuencave të mbivendosjeve të llogaritura.

 — Pa dyshim, Mili. Por, në Francë, fotografët tanë më të mirë hasin pengesa. Është e vështirë të shkosh shumë larg me pajisje të rralla dhe në pamundësi materiale për të marrë mjetet moderne për të cilat më keni folur.

 — Unë e di atë. Dhe unë i admiroj aq më shumë miqtë e mi në Evropë të cilët me pajisje të dobëta shpesh marrin rezultate të shkëlqyera : Bressai (Brassaï) për shembull. Teknika amerikane është shumë e përparuar, natyrisht…

Mili afrohet në dritare dhe shikon dritën delikate duke luajtur mbi gurët e vjetër të Place de la Concorde.

 — Në Paris, megjithatë, përfundon ai, ju keni një avantazh të madh : kryeqyteti juaj është një qendër unike për të krijuar dhe shpikur…

 Duhet të shkoni e të shikoni ekspozitën e të fotografuarve të Gjon Milit e cila sapo është hapur në 46, rue du Bac.

 Ju do të zbuloni se çfarë na rrëfen objektivi i paepur i Milit për z. Paul Boncour, duke bërë thashetheme rreth paqes, të z. Truman, bekuesit “Babitt”, të z. Eden, nxënësit të vjetër të Eton-it, të z. Molotov  duke bindur Kongresin mbi vullnetin e mirë të U. R. S. S. Ju do të shihni një xhongler me topa, i kapur në mënyrë flagrante, me shpejtësinë e 15 “flashëve” për sekondë, ku secili blic përfaqëson 1 / 30.000 e sekondës. Ju do të mësoni se si një thikë pret ujin, si shiu godet çadrën, sesi një zezak luan daulle, sesi një vezë përhapet në tigan…

 Dhe do të kuptoni, me Gjon Milin, se fotografia është “një art që lëviz”…

 André JEAN

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-franc-tireur-1946-me-fotografin-e-famshem-gjon-mili-do-te-kuptoni-se-fotografia-eshte-nje-art-qe-leviz-intervista-ekskluzive-ne-paris/

GKK prezanton kuratorin e edicionit e 16-të të Bienalit të fotografisë “Gjon Milit”


Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se kuratori i 16-të i Bienalit të fotografisë “Gjon Milit” është João Ribas, përcjell KultPlus.

João Ribas është shkrimtar dhe kurator bazuar në Porto. Ai më parë ishte drejtor i Muzeut të Arteve Bashkëkohore Serralves, Porto, ku gjithashtu mbajti postin e zëvendësdrejtorit dhe kuratorit të lartë (2014-2018). Ai më parë ishte kurator i MIT List Visual Arts Center (2009-13) dhe i Qendrës së Vizatimeve, Neë York (2007-09). Ribas fitoi katër çmime të njëpasnjëshme AICA për ekspozitën më të mirë (2008-2011) dhe Emmy Hall Aëards Tremaine Exhibition (2010). Shkrimet i tija janë botuar në publikime të shumta, si Artforum, Afterall, Artneës, Art in America, Frieze, Mousse, The Exhibitionist, Spike dhe The Guardian dhe vëllimi i tij i redaktuar In the Holocen, mbi artin dhe shkencën, Sternberg Press (2014). Ribas ka dhënë mësim në Universitetin Yale, Shkollën e Dizajnit në Rhode Island dhe Shkollën e Arteve Pamore në Nju Jork, dhe aktualisht është pedagog në Universitetin Katolik të Portugalisë dhe Universitetin Lusófona, Porto. Ai ishte kurator i Bienales IV të Uralit (2007) dhe i pavijonit portugez në Bienalen e 58-të të Venecias (2019).

GKK gjithashtu ka lutur që të gjithë artistët të cilët merren me fotografi dhe multimedia, të i kontaktojnë në Facebook për të aranzhuar takim me kuratorin, të dielën me 7 korrik dhe të hënën me 8 korrik. / KultPlus.com



Fotografi shqiptar që fotografoi Pikason, Salvador Dalinë dhe yjet e Hollivudit

Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.

Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.

Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në  Rumani, duke ndjekur  kolegjin kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923, Mili emigroi drejt SHBA-ve.

Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf.

Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.

Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.

Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski.

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit.

Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984./KultPlus.com

Gjon Mili letrar

Nasho Jorgaqi

Ishte një befasi e këndshme, por dhe një zbulim për historinë tonë të letërsisë, kur duke shfletuar gazetën “Dielli” të viteve ’20 të shekullit të kaluar, u ndesha me disa shkrime letrare të Gjon Milit. Ndoshta këto shkrime do të më kishin kaluar pa u vënë re, nëse ato nuk do të mbanin emrin e tij. Gjon Mili, mjeshtri i madh shqiptaro-amerikan i fotografisë artistike, në rininë e vet, ende pa u bërë ai që u bë më vonë, është marrë edhe me letërsi.

Gjon Mili kish lindur në Korçë (1904) dhe familjarisht kish emigruar në Rumani. Në moshën 19-vjeçare (1923) shkoi në SHBA dhe kreu studimet e larta në Institutin e njohur Teknologjik të Bostonit. Punoi për një kohë të gjatë si inxhinier dritash dhe, duke përfituar nga zhvillimi i teknologjisë në këtë fushë, u dha me pasion pas teknikës së fotografisë. Kështu, ai për herë të parë përdori fushën elektronike dhe dritën stroboskopike.

Me aparatin magjik, Mili do të shtegtonte si fotoreporter i revistës së famshme “Life” nëpër katër anët e botës dhe do të fiksonte vende, ngjarje e sidomos portrete. Në fokusin e syrit të tij, do të mbeten figura personalitetesh politike (H.Truman, V.Molotovi, L.Halipaks etj.) dhe artistike letrare (Pikaso, Matis, Sartri, Stravinski, Sinatra, S.Loren, Brando etj.), që kritika i ka çmuar lart. Sipas Sartrit: “Fotografia e tij të fut në kurth të gjallë. Dhe për të ekzistojnë aq mënyra fotografimi, sa njerëz”…

…Duke gjurmuar në jetën e Milit, nuk mund të mos marrim parasysh se ai shkoi në Amerikë nga kolonia shqiptare e Bukureshtit dhe u vendos në Boston, ku dhe ra në kontakt me “Vatrën” dhe kryetarin e saj, Faik Konicën. Me sa duket Konica ka luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin patriotik të Milit. Vetë ai për të do të shkruajë: “Pak kohë pas arritjes sime në Amerikë, në 1923, gjatë përpjekjeve të mia për një karrierë inxhinierike, u njoha me Konicën. Shkrimtar origjinal, humanist i përsosur dhe intelektual i mprehtë, Konica mori përsipër të zgjeronte interesin tim për artin, sidomos për filmat me të cilat ai krenohej së tepërmi.”

S’kam dyshim se ka qenë Konica ai që ka pikasur talentin letrar të Milit të ri, sidomos gjuhën e bukur, dhe e ka nxitur e përkrahur. Falë atij, shkrimet për letërsinë, të emigrantit të ri, u botuan në gazetën “Dielli”.

Shkrimet që kemi në dorë janë skeçi “Patate” (Dielli, 11 tetor 1927) dhe dy përralla origjinale, siç i quan Mili. “Ëndërr” dhe “Gjyslykët” (Dielli,25 maj 1928). Që të tria kanë subjekt jetën e kurbetçinjve shqiptarë në Amerikë. Është një realitet që autori e njeh mirë. Ai i jep ata në kushtet e shoqërisë amerikane, që jo vetëm punojnë, por edhe përpiqen të emancipohen dhe qytetërohen.

Këtë proces të vështirë, Mili arrin ta mishërojë në personazhe si Kolua apo Filua, të cilët janë integruar tashmë në shoqërinë e re. Ajo që bie në sy, është fakti që kurbetçinjtë shqiptarë i mundon jo vetëm malli për vendlindjen, por edhe për fatin e saj. Atyre u fanepsen në ëndërr nënat dhe të dashurat, kujtimet nga jeta e kaluar.

Gjon Mili i ri manifeston vetitë e një tregimtari. Ka aftësinë e të rrëfyerit, zotëron dialogun dhe monologun, di të hyjë në psikologjinë e personazheve dhe të japë karakterin e tyre. Veçanërisht të bën përshtypje gjuha e bukur dhe e pasur shqipe, stili i zhdërvjellët dhe i rrjedhshëm, sensi i masës, që, tok me elementë të tjerë, arrijnë të krijojnë atmosferë.

Edhe pse këto shkrime letrare janë krijuar në moshë të re, falë vlerave të veçanta, ato i kanë qëndruar kohës dhe lexohen me ëndje e interes edhe sot. Por meritojnë vëmendjen e studiuesve edhe për faktin se hedhin dritë mbi personalitetin artistik të vetë Gjon Milit.

ËNDËRR

E kish librin përpara, po as vetë s’e dinte se ç’kërkonte, mendja e tij kish rënë në gjumë. Ish i lodhur; trupi i tij, i gjatë dhe i hollë, i vrarë nga mundimet e jetës, po thahej si bishti i mollës që kalbet pa arrirë.

Përjashta binte shi, shkreptinte. Edhe mbi qelqin e penxheres së rrumbullaktë, të vetmes që kish ajo odë e vogël që ndodhej në nj’anë në katin e sipërm të shtëpisë, ndritnin dhe rrëkëlleheshin si lotët mbi faqe të një vajze të turpshme kur i flasin prindërit.

J’u mbyll syri.

Vërtet j’u mbyll syri, po tani j’u zgjua mendja. Qelqi i penxheres, vegël e djallit, lëvizte. Përhapej e mblidhej, sikur e kish kurdisur vetë me dorë të tij një magjistar i lig, shpirt-kazmë, që bënte qejf duke u tallur me të. Tani i ndritte, sa s’mund t’i qëndronte drejt-për-drejt, tani i çdukej. E hoqi mendjen prej tij.

Natë. Që për-së-afërmi dëgjohej një tingëllim. Ish prej druri; edhe telin e shkelte vetë se ndente qysh i shisnin gishtërinjtë e dorës mbi grykë të drurit, po, për çudi, drurin kudo që t’ish nuk e shihte dot. Tingëllimi ish aqë i mallëngjyer sa ndjenjat j’u mpinë, zemra e tij u-bë gur. Edhe nga këngë e tij edhe të qarët e shiut përjashta u-lint në qelq fytyra e një gruaje e cila nga thellësi e vijave dhe hiri i pamjes dukej që qe nënë. Ishte një grua mjaft e shkuar nga vërsa, vetëm të paka prej gërshetave të saja qenë zbardhur, po, nga vuajtja, tregohej edhe më e plakur se ç’ish nga vjetët. E kish parë po s’kujtonte ku, e ndjente të afërme po nuk e njihte. Simotra e dhimbejs qante, edhe, në vent që t’i prejë shpirtin, më tepër e mërziti me qëndrimin e saj të hidhur. Ish djalë. S’këndonte dot librin me mistere të shënuar nga fati mbi një ballë të gjerë, të mbledhur me vija, dhe as i ndritkej mendja prej zjarrit që digjet i qetë në dy sy po-thua-se të mbyllur si të Buddhës. Djalë ish nuk kish arrirë në kuptimin e ndrojtur të filozofit.

Po mbeti krejt i çuditur posa që syri i vajti përsëri te penxherja. Gjithë në ‘at vend ku jipte shpirt një çast dukja e murme, tani buçiste dheu që qeshuri nënë këmbët e saja. E re ish vallëtorja, vajëz e re me trup të nxehtë që djek si zjarri. Lesh-zezë, sy-zezë, kërcente e palodhur, me buzë të qeshur; shpejt, nga dalë, prapë shpejt, më shpejt, edhe më shpejt, nga dalë, e rrethuar nga një tok sa zesh të veshur në zi që sikur deshjin t’a hanë me sy. I mjeri djalë u ndes sa s’mirtte dot as frymë, po, sa të bënte çap sa të hidhej edhe aty në valle, bij’ e dheut u çduk më me vrap nga ç’erdhi.

U zgjua. Koka i ziente. Kur i erth nërment ëndrra, nënëqeshi. “Gjë e keqe” mejtohej “të mos njohë njeriu nënën që ka bërë”. Pa fjalë kjo ish n’ëndërr, s’kish kuptim të ngjiste në jetë se e donte atë nënë që e kish mbajtur me aqë kujdes e dhembje nënë zemër më parë se të shihte diellin dhe më pas. E donte. Vallë ç’bëhej në këtë mes e jëma vetë në shtëpi, pranë djepit ku tundeshin gjithë kujtimet e vogëlisë së tij? T’a kujtonte të birë? Si, dyshonte? Jo,as pak; ish gati të shtinte dorën në zjarr që nuk kish dyshim, nëna kurdoherë kujtonte të birë, birin e mërguar; natë e ditë e kujton e mjera. Po dita e bardhë kur të kthehej në shtëpi s’kish më të vijë, sikur kish humbur udhë në mjegullën e dendur të vjetëve të ardhme.

U-çel pakës nga kujtimi i vallëtores. Po përse të çdukej menjëherë, pse shkoj me nxitim aq të math? U-err në mejtime. Hapi sytë sikur të kish parë dritë. “Gëzimi” bëri si me të qarë “është si lulet,e ka jetën të shkurtës, kurse dhembja ngrehet, me të bërë shok e s’të ndahet përherë.”

Binte shi, përjashtë, lotë binin në zemër të tij. Uli sytë, i ngriti me ngadalë dhe i fshiu, i uli përsëri. Mbyllu librin, zbriti shkallët nga dy, dolli-ku t’a shpinin këmbët. Të harrohej. Që për-së-largu kambana e një kishe qëllonte zërin e natës. Zëri i asaj ish vaj, që njomte për të fundit herë kujtimin e mvrejtur t’asaj dite që s’ish më. / KultPlus.com

Muzeu “Gjon Mili”, një destinacion i ri në Korçë

Një tjetër vepër e rëndësishme me jehonë ndërkombëtare është shtuar në qytetin e Korçës.

Muzeu i “Gjon Mili”, që i kushtohet figurës së fotografit korçar që ka prekur kopertinat e revistave botërore me teknikën e tij unike të fotografimit me dritë, i ka shtuar qytetarëve korçar një atraksion të ri kulturor.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro shprehet se ”nuk mund të mbyllej viti ynë i pestë në Kulturë pa muzeun e ri të pestë”.

”Një bashkëpunim i shkëlqyer i Ministrisë së Kulturës me bashkinë Korçë dhe me mbështetjen e fuqishme të kompanisë TAP në Shqipëri, hapi një destinacion të ri në Kulturën bashkëkohore por edhe në ruajtjen e vlerave të artistëve shqiptarë që krijojnë trashëgiminë e cila shkon përtej kufijve”, thekson Kumbaro.

”Arti i fotografisë, vjen kësaj radhe përmes mendjes e talentit të jashtëzakonshëm të Gjon Milit në një ndërtesë të Korcës që është art më vete e që njihet si “vila rumune” dhe që sot del në dritë plotësisht e restauruar falë këtij investimi. Nëse keni qenë në Korçë për Korçën dhe korçarët tani duhet të riktheheni për Muzeun e ri “Gjon Mili” kuruar mrekullisht nga  Yllka Gjollesha”, shprehet ministrja Kumbaro, shkruan ata.

Në Muzeun e rikonstruktuar janë ekspozuar 240 fotografi të mjeshtrit botëror të fotografisë me origjinë shqiptare Gjon Mili, thënie të tij apo të njerëzve të tjerë, që janë shprehur për të, ekspozitore me elemente nga jeta e tij, apo e kohës që jetoi./ KultPlus.com

Fotografë të njohur të Ballkanit bashkohen në ekspozitën ndërkombëtare për Gjon Milin në Korçë

Gili Hoxhaj

Ekspozita ndërkombëtare “Street life Balkans”, vjen si përkujtim dhe nderim i rrugës plot art e përkushtim ndaj fotografisë së mjeshtrit të madh Gjon Milli. Kjo ekspozitë përmbledhë 30 emra të njohur të Ballkanit, të cilët tash e disa vite i janë dedikuar fotografisë, shkruan KultPlus.

“Përveç miqësisë sonë shumë argëtuese, Gjon Mili për mua, përfaqëson një drejtësi të shpirtit dhe qartësisë së mendjes. Unë admiroj ndjenjën e tij të ekonomisë, respektin e tij për mjeshtëri dhe keqardhjen e tij për pretendimet. E gjithë kjo buron nga një personalitet shumë kompleks, plot urtësi filozofike dhe një pasion për masën. Studioja e tij e fundit në rrugën 23, ishte Athina e Nju Jorkut për kaq shumë prej nesh”, kështu thoshte Henri Cartier-Bresson, sikurse dhe shumë miq të tjerë të tij.

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

Kuratori dhe drejtori artistik Burim Myftiu shprehet se edhe pse Gjon Mili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në SHBA, kanë zgjedhur pikërisht vendlindjen e Gjon Milit , Korçën per ekspozitë sepse ai aty e kishte zemrën ndërsa shtoi se përmes kësaj përmbledhje të veprave fotografike, duan ta “ringjallin” mjeshtrin e madh të fotografisë.

““Jeta në rrugët e Ballkanit” lindi si një spontanitet, një ide e Roland Beqiraj që ne, si pasardhës të Gjon Milit, ta vazhdojmë këtë traditë të Korçës, Dardhës, Voskopojës, të mjeshtërve si Shuli, Dhimitri, Sotiri, Kaçuni, Burda.. Nga një ide e tillë lindi kjo ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë”, tregon Myftiu për KultPlus.

Ai tutje tregoi se ai dhe Osman Demiri me punën kuratoriale kanë vendosur që kjo përmbledhje autorësh nga vendet e Ballkanit të ketë një koncept të përbashkët nën titullin “Momenti Zen, një përkushtim absolut ”, i cili tenton që fotografitë që do përzgjedhën, të jetë prezent jo vetëm subjekti, por edhe vetë autori, energjia e të cilit rrezaton nga ajo.

“Pas një pune me përkushtim me autorë nga vendi dhe rajoni, arritëm të realizojmë këtë paraqitje fotografike monokromatike, e cila do të na shërbejë si uverturë në idenë tonë për tu transformuar në festival të fotografisë” , thotë tutje kuratori Myftiu, ndërsa thotë se shprehet i lumtur që fotografia shqiptare ka një traditë dhe trashëgimi unike, jo vetëm si një vlerë historike, por edhe si arritje artistike.

Myftiu pohon se tradita dëshmohet pikërisht tek Fototeka Marubi , për të cilën thotë se është një thesar kombëtar.
“Falënderoj, ata që e mbollën farën e fotografisë në këto troje dhe ata që do ta vazhdojnë këtë traditë”, tha krejt në fund ai.

Fotografët pjesëmarrës janë: Burhan Ahmeti nga Maqedonia, Merih Akogul nga Turqia, Boro Arsovski nga Maqedonia, Vasilis Artikos nga Greqia, Fatih Balkan nga Turqia, Ernest Baba nga Shqipëria, Goran Boricic nga Mali i Zi, Enver Bylykbashi nga Kosova, Haris Calkic nga Bosnia dhe Herzegovina, Igor Coko nga Serbia , Fisnik Dobreci nga Mali i Zi, Ardian Fezollari nga Shqipëria, Ahmed Hadrovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Dash Izairi nga Maqedonia, Amer Kapetanovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Ognjen Karabegovic nga Kroacia, Olga Karlovac nga Kroacia, Diana Maria nga Rumania, Zoran Marinovic nga Kroacia, Aleksander Mogilo nga Bullgaria, Blaz Poljansek nga Sllovenia, Midhat Poturovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Vasil Qesari nga Shqipëria, Hazir Reka nga Kosova, Serkan Turac nga Turqia, Armand Sallabanda nga Shqipëria, Naim Shala nga Kosova, Gent Shkullaku dhe Rozafa Shpuza nga Shqipëria, si dhe Imre Szabó nga Serbia.

Ekspozita do hapet për publikun ditën e shtunë, datë 24 nëntor, ora 19:00 dhe do qëndroje e hapur deri në fund të muajit dhjetor 2018./ KultPlus.com

Gati për finalen e ekspozitës “Gjon Mili”

Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë vjen nën kurimin e Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla, të cilët sjellin konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, sonte do të shpallen fituesit nga juria profesionale e përbërë nga: Eleni Laperi, Vahida Nimanbegu dhe Afrim Spahiu.
Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës në një konferencë për media, tregoi për rëndësinë e kësaj ekspozite vjetore e cila për publikun bën ofrimin e fotografisë si forma më lehtë e komunikimit me publikun. Derisa shpjegoi se ky edicion sjell një koncept, i cili përkon me mënyrën e përdorimit të fotografisë në ditët e sotme.

Sipas kuratorit Alfredo Cramerotti kjo ekspozitë lidhet më shumë për dimensionet e përdorimit të fotografisë, veçmas sot me përdorimin e saj në mediet sociale.
“Arsyeja prapa kësaj ekspozite është mënyra e ndikimit të fotografisë, të cilat mund të jenë në forma të ndryshme. Përdoren në mediet sociale, sidomos instagram. Janë disa këndvështrime të ndryshme të krijimit të fotografive, sidomos atyre digjitale, i cili shihet si një produkt i papërfunduar, këtë e bëjmë edhe me telefonat tanë ku ne vazhdimisht i këpusim dhe i ndryshojmë fotografitë”, ka thënë Cramerotti.

Kurse Oscar Shmidt nga Gjermani, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për paraqitjen e fotografive, përkatësisht manipulimin e fotografive përmes fotoshopit, dhe se si fotoshopi ka ndikuar në ndryshimin e këtij profesioni.

Ai ka paraqitur tri vepra duke argumentuar se fotografia po pëson ndryshime çdo ditë e më tepër.
“Ideja kryesore është manipulimi i fotografive, fillohet me aparat analog me fotografi të mëdha dhe pastaj skanimi i filmave në procese të kompjuterizuara. Unë kam paraqitur edhe dy portrete të vendosura përballë njëra tjetrës dhe dy gota të Starbucks, të cilave u janë hequr skajet, me këtë për të treguar ndryshimin dhe manipulimin për qarkullimin e fotografive në internet”, ka treguar Shmidt.
Po ashtu kjo ekspozitë do të sjellë edhe vepra të akumuluara dhe të arkivuara, ku fotografitë janë marrë nga serverë të ndryshëm dhe pastaj janë ndryshuar. Chrisopher Meerdo, pjesëmarrëse nga Chikago në këtë ekspozitë , veprat e tij i ka titulluar me emrin “Antologji” ku punën e tij e ka bazuar në kthimin e fotografive të arkivuara në memory card-s të përdorura.

“Unë kam sjellë imazhe të cilat janë të nxjerra nga një memory card e kamerë, të cilën unë e quaj “Arkivë aksidentale”, kështu unë jam shumë i interesuar në arkeologjinë e imazheve. Unë kam blerë memory card-s, të cilat kanë qenë të përdorura më herët, kam nxjerrë imazhe që janë menduar se janë të fshira, mirëpo kthimin e tyre e kam bërë përmes një softueri për kthimin e imazheve. Ndonjëherë kur janë kthyer ndonjë fotografi e vjetër së bashku me një fotografi të re, janë nxjerrë si një imazh në vete, pra këto të dyja së bashku”, ka thënë ai.

Janë 18 artistë që sonte presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili”. Në mesin e artisteve shqiptar janë: HAVEIT, Eliza Hoxha, Brilant Pireva, Kushtrim Asllani, Dardan Zhegrova dhe Sadi Suhodolli – TADI./KultPlus.com

Artistët nga Kosova të cilët nesër duan fitore në ekspozitën ‘Gjon Mili 2017’

Sot është shpallur edhe juria e ekspozitës ‘Gjon Mili 2017’.

Ekspozita e cila do të hapet nesër, të premten, në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të nisë me një çmim për triumfin e këtij viti, artistin apo artisten më të mirë.

Në mesin e artistëve që nesër mbrëma presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili” në këtë ekspozitë dhe çmim të fotografisë, janë edhe artistë të ndryshëm shqiptarë.

HAVEIT
Kolektivi artistik HAVEIT ka në bagazhin artistik performancën “Shaving Patriarchy” – një largim i patriarkalitetit me anë të mjekrës në fytyrë, puthjen para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të cilën vajzat morën kërcënim me vdekje, pjesëmarrjet në Suedi, Tiranë, Slloveni e Kroaci, dhe nesër mbrëma janë në mesin e konkurrentëve për këtë çmim.


ELIZA HOXHA
Eliza Hoxha, një këngëtare, një fotografe dhe një ligjëruese, ka zgjedhur kësaj radhe ti futet kësaj ekspozite dhe këtij angazhimi artistik. Eliza realizonte dikur një emision televiziv mbi arkitekturën ndërsa ka botuar një libër mbi Prishtinën, dhe lidhjen mes qytetit e arkitekturës. Eliza është aktive në disa ngjarje kulturore gjatë vitit në Kosovë.


BRILANT PIREVA
Artist i cili ka nisur të aktivizohet me punët e ndryshme artistike, Pireva ka jetuar disa vite jashtë Kosovës. Në këtë listë ai është një emër më pak i njohur por që premton dhe ka zënë vendin e tij fuqishëm në këtë ekspozitë. Mbetet të dëshmohet në hapjen e ekspozitës se me çka vjen Pireva në këtë çmim e ekspozitë prestigjioze. Ai ka fituar para disa vitesh një çmim në Festivalin e Filmit – DOKUFEST në Prizren, shkruan KultPlus.


KUSHTRIM ASLLANI
Kushtrimi është një regjisor, që kësaj radhe ka zgjedhur fotografinë për “Gjon Mili”. Ka fituar çmime në Youth Film Fest, në Boston të Amerikës dhe në FerFilmFestival. Për tu përmirësuar më shumë në pjesën estetike dhe vizuale, ai së fundmi ka nisur ta zbulojë pasionin për fotografi. Asllani ka punuar me emrat si Fatos Berisha e Fatlum Haziri.


DARDAN ZHEGROVA
Dardan Zhegrova – një prej fituesve të çmimit “Artistët e së nesërmes”, së bashku me një prej anëtareve të Kolektivit HAVEIT, mbetet konkurrencë e fortë në këtë garë. Dardani së fundmi ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme të artit në Evropë, ndërsa e pret një rezidencë e rëndësishme në një kontinent tjetër. Zhegrova para pak ditësh hapi ekspozitën “Rosehip” bashkë me Lola Sylaj, në Prishtinë.


SADI SUDOHOLLI – TADI
Tadi njihet si vajzë kreative dhe një shpirt artistik i dëshmuar me vizatimet dhe skicat e saj. Së fundmi, ajo është një prej dy personazheve kryesore në videoklipin e ri nga Shpat Deda, krahas aktorit Dukagjin Podrimaj. / KultPlus.com

GKK shpallë jurinë për zgjedhjen e fituesit të Çmimit ‘Gjon Mili’

Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës shpallë jurinë për zgjedhjen e fituesit të edicionit të 15-të të Çmimit Gjon Mili ‘18 në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të fotografisë që hapet nesër më 13 tetor në GKK, shkruan KultPlus.

Juria përbëhet nga: Eleni Laperi, nga Shqipëria, kuratore, artiste dhe autore e shumë publikimeve për artin; Vahida Nimanbegu, artiste nga Mali i Zi; Afrim Spahiu, fotograf i mirënjohur Kosovar, themelues i shkollës “Gjon Mili” për fotografi.

Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen i kuruar nga Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla me konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet Brenda dhe jashtë ekraneve tona” .

Për këtë ekspozitë kuratori përzgjodhi 18 artist vendore dhe ndërkombëtare që do të jenë pjesë e Gjon Milit 2017.

Hapja e ekspozitës do të bëhet nesër në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Gjon Mili, shqiptari i famshëm që fotografoi Pikason, Salvador Dali dhe yjet e Hollivudit

Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.

Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.

Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në Rumani, duke ndjekur kolegji kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923, Mili emigroi drejt SHBA-ve.

Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf. Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.

Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.
Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski,

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit.

Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984. / KultPlus.com

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)