Më shumë ndihmë për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit në këtë kohë pandemie

19 Korrik, 2020 - 9:05 pm

Arbër Selmani
Fotografitë: Nok Selmani

Me datë 13 mars të këtij viti erdhën edhe rastet e para të të infektuarve në Kosovë me virusin Covid-19. Virusit do t`ia mësonim emrin shumë shpejt të gjithë, më vonë, por në fillim të këtij viti, një virus i tillë, dhe fakti se jeta e të gjithë neve do të ndryshonte, ishin të largëta si koncepte dhe ide.

Prej 13 marsit e deri me 1 qershor, izolimi nisi në të gjitha fushat e jetës, dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etniteti. Qindra njerëz u larguan nga puna, disa mbetën edhe pa të ardhura, të tjerë do të mund të pësojnë edhe më shumë. Një virus i tillë, edhe Kosovën e gjeti komplet të papërgatitur.

Shkenca botërore është e habitur se si një virus i tillë, me origjinë nga Kina, depërtoi gjithandej në botë. Duket se për çdo hulumtim, çdo investigim, për çdo analizë e reflektim, është herët, shumë herët, si për shkencëtarët, si për analistët e ekspertët, ashtu edhe për një qytetar të thjeshtë për të cilin sot të dalësh në rrugë pa maska e pa dorëza është pamje e harruar.

*

Nuk ka komunitet në Kosovë që nuk e vuajti e që nuk e vuan edhe sot këtë izolim dhe këtë gjendje kllapie në këtë cilën gjendet bota, e sidomos Kosova. Një vendi kaq të vogël nuk i kryen punë një ‘bombë’ kaq e madhe dhe e panjohur sa virusi, i cili deri sot ka marrë jetën e rreth 100 personave në Kosovë.

Jo e lehtë të pranohet, por më të dobëtit gjithmonë e pësojnë, janë ata ndaj të cilëve veç sa shtresohet e forcohet neglizhimi e diskriminimi, lënia anash dhe margjinalizimi i mëtejshëm.

Sidomos për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit në Kosovë, pandemia e Covid-19 do të ndikonte fuqishëm qysh në ditët e para, për të pasur pasoja afatgjata të cilat vetëm koha dhe hulumtimet e ndihma e nevojshme do t’i nxjerrë në pah, me shpresën që edhe do t’i rrënjosë në tërësi. Dhe si gjithmonë, për ta luftuar një virus do të duhet njohur atë më mirë.

Në bazë të statistikave, rreth 60% e këtyre komuniteteve janë të papunësuar dhe periudha e karantinimit është shumë e vështirë, sidomos për njerëzit të cilët i kanë kushtet e vështira socio-ekonomike. [i] Një raport i thuktë i Roma Versitas Kosovo jep detaje se si tri komunitetet: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit e Kosovës janë përballur me pandeminë dhe se si kjo e fundit ka ndikuar në jetën e secilit prej anëtarëve të këtyre komuniteteve me të cilat ne bashkëjetojmë nën çatinë e quajtur Kosovë.

Roma Versitas Kosovo ka zhvilluar intervista telefonike me specifikisht studentë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, pjesë e programeve të organizatës, rreth gjendjes aktuale në një kohë pandemie si kjo.

Brenda dy javëve intervistave iu nënshtruan 86 studentë nga Prizreni, Peja, Gjakova, Ferizaji, Prishtina, Lipjani, Fushë Kosova, Istogu, Shtimja, Vushtrria dhe Rahoveci. 46 nga të intervistuarit janë femra ndërsa 40 janë meshkuj.

Në pyetjen e raportit – A jeni të furnizuar me ushqime të mjaftueshme dhe mjete higjienike? – 16 persona janë përgjigjur me PO ndërsa 70 persona janë përgjigjur me JO, tregues ky i nevojës urgjente për ndihmë ndaj pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në Kosovë.

Nga 86 studentë të intervistuar, 28 prej tyre kishin informata rreth familjeve që kanë nevojë për gjëra ushimore dhe higjenike, kurse 58 prej tyre nuk kishin informata.[ii] Shumica e të intervistuarve kanë pasur mesatarisht informata, se virusi transmetohet përmes kontaktit të drejtëperdrejtë me persona të infektuar (përmes spërkalave, duarve/prekjes, tubimeve etj). Vetëm dy prej tyre theksuan se edhe sipërfaqet e kontaminuara mund te jenë rrezik i transmetimit të virusit, ndërsa vetëm katër prej tyre theksuan që virusi mund të bartet edhe nga gjësendet. Duke u bazur në këtë, studentëve iu parashtrua edhe pyetja e drejtpërdrejtë: – A mendoni që virusi mund të transmetohet edhe përmes gjësendeve që i bleni në shitore, dhe a duhet pastruar ato? 23 persona thanë PO, 5 persona thanë JO.

Ndoshta më e bukura e këtij raporti, është se nga këto intervista të realizuara me studentë, janë marrë rreth 130 kontakte të familjeve në nevojë në të gjithë Kosovën, familje këto të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas. Ditëve në vazhdim, këto familje do të kontaktohen dhe do të ndihmohen me pako ushqimore dhe higjienike, në këtë kohë pandemie e cila deri sot numëron rreth 5110 raste aktive të të infektuarve dhe 2370 të shëruar.

*

Në një diskutim të para disa ditëve organizuar nga Roma Versitas Kosovo, i cili u shfaq online pikërisht shkaku i kësaj pandemie, Qazim Rrahmani – tash zëvendësministër në Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, vitin e kaluar edhe kandidat për deputet nga radhët e Partisë së Ashkalinjve për Integrim, tregoi se kjo pandemi i ka zënë të papërgatitur edhe tri komunitetet në fjalë.

“Është problem sepse komuniteti ynë banon në fshatra të grumbulluara, të stërngarkuara, dhe ka raste kur brenda një lagjeje 1 mijë metra katrorë jetojnë 300 banorë. Për neve kjo ka paraqitur frikë dhe rrezik që virusi mund të depërtojë në komunitetet tona. Megjithatë jemi përkujdesur që të bëjnë senzibilizimin e komunitetit gjatë kohës sa ishte karantina, kur kemi provuar të vetëdijësojmë qytetarët. Kemi mendu që kemi me kalu shumë ma keq sesa që jemi” tregoi mes tjerash Rrahmani gjatë këtij diskutimi.

Mes fjalëve, ai përmendi se po i ekspozohemi një pandemie të cilën nuk e njohim shumë.

“I gjithë populli, në këtë gjendje në të cilën po kalojmë, është i papërgatitur, edhe për gjëra ekonomike, ushqimore, edhe për aspektin shëndetësor, edhe për masat e mbrojtjes. E dijmë se komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas janë më të varfërat, më të margjinalizuara, dhe ato me jetë më të vështirë sociale” vazhdoi tutje Rrahmani në këtë diskutim që u zhvillua me 10 korrik.

Në lagjet 28 dhe 29 në Fushë Kosovë, ku janë rreth 100 shtëpi me rom, ashkalinj dhe egjiptas, ka mungesë të ujit edhe në këto ditë të pandemisë. Disa herë, mungesa e ujit shkon deri në gjashtë orë brenda ditës, përderisa të njëjtat reduktime të ujit nuk i kanë edhe pjesët më urbane të qytetit.

Në të njëjtin panel diskutimi ishte i pranishëm edhe Jeton Emini, Këshilltar në zyrën e Kryeministrit. Ai ka përmendur se deri tash janë krijuar ekipe emergjente të cilat iu vijnë në ndihmë familjeve të komuniteteve respektive.

“Kur i kishim vetëm 95 raste të personave të infektuar me Covid-19, ne Partia e Ashkalinjve për Integrim, nisëm krijimin e shtabeve, madje para Komunës së Ferizajt. Ne i kemi pasur shtabet tona, duke e ditë gjendjen reale të komunitetit. Mungesa e përkrahjes ishte e dukshme: ne i dorëzuam 35 misioneve diplomatike kërkesa për ndihma të ndryshme, që ti dalim në ndihmë komunitetit. Dihet që shumica e pjesëtarëve të komunitetit tonë kanë veprimtari të punës tregun e gjelbër, pazarin, shesin gjësende si rroba, për të mbijetuar dhe për të pasur një qarkullim javor. Në atë kohë kjo u ndalua, dhe ishte ne fazën e panikut edhe për neve sepse nuk kishim më adresë. Më pas i kërkuam ndihmë diasporës” tregoi Emini, edhe ky sikur Rrahmani pjesë e komunitetit Ashkali.

Rrahmani ka vazhduar duke treguar se shembull në Fushë Kosovë, çdo ditë janë shpërnda bukë nëpër shtëëpitë e tri komuniteteve.

“Komuniteti është trajtuar në çdo shtëpi. Komuna e Ferizajt nuk ka pasë asnjë familje që nuk ka marrë miell çdo të dytën javë, eventualisht çdo të tretën javë. Në Rahovec disa nuk kanë as televizor dhe nuk e kanë ditur për virusin. Ka pasë komuna që e kanë trajtuar mirë komunitetin sepse e kanë ditur që komuniteteti i ka punët keq, dhe janë frikuar që mund të dalë komuniteti dhe t’i infektojë të tjerët” tregon tutje Rrahmani.

Emini, në anën tjetër, tregon se mbi 850 familje kanë qenë përfituese në Ferizaj nga ndihma e diasporës. Mbi 50 mijë euro janë mbledhur në këtë aksion.

*

Organizata të tjera janë aktivizuar që nga 13 marsi që për komunitetet Rom, Ashkalinj dhe Egjiptias të mos mungojë asgjë gjatë kësaj pandemia.

Roma in Action – RIA, me seli në Gjakovë, ka vazhduar aktivitetet e saj në ndihmë, gjithmonë me mjete mbrojtëse. Një lloj i ndihmës është edhe diskutimi i realizuar në terren dhe regjistrimit të fëmijëve në komuniteteve në klasën parashkollore dhe klasën e parë.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS është duke vazhduar me fazën e dytë të projektit emergjent që synon të mbështesë komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptas në situatën e krijuar nga pandemia. Krahas ndihmës me pako ushqimore dhe higjienike në fazen e dytë projekti synon që të përkrahë komunitetet në fushën e arsimit, përkatësisht me aktivitete për regjistrimin i fëmijëve në klasën e parë dhe klasën parafillor. Këto aktivitete realizohen me ndihmën e organizatave SHL-Kosova, Roma in Action, Art Stras Union, Bashkimi Rinor e Ardhmja e Ndritur BRAN, Përparimi Rinori Ashkalinjve të Mitrovicës PRAM dhe Rrjeti i grave rome, ashkali dhe egjiptiane i Kosovës RROGRAEK.

ADMOVERE ka publikuar së fundmi një raport mbi tri komunitetet dhe pandeminë. Duke cituar raportin/hulumtimin, aktivisti dhe njohësi i problematikave të pakicave etnike, Gazmend Salijeviç thotë se situata emergjente nxori në pah problemet strukturore që ka shoqëria dh dështimin e shtetit për përmirësimin dhe integrimin e komuniteteve joshumicë.

Kurse sipas Driton Berishës nga Roma Education Fund (REF), cituar nga i njëjti raport, aktivizmi vullnetar bashkë me nënshtabet emergjente, sidomos në Fushë Kosovë, ka bërë punë të mirë në adresimin e nevojave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

*

Në fillim të këtij muaji, Lëvizja KOSINT, e përfaqësuar nga SIV, BSFK, RADC dhe VORAE, e përkrahur edhe nga organizata tjera të shoqërisë civile të cilat angazhohen për të drejtat, gjithëpërfshirjen dhe avancimin e pozitës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, në nivel qendror dhe lokal, i janë drejtuar Zyrës së Kryeministrit me një shkresë për gjendjen e komuniteteve në fjalë gjatë pandemisë dhe nevojës për gjithëpërfshirjen e tyre, me theks të veçantë në Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Me anë të kësaj shkrese, këto organizata iu drejtuan Kryeministrit të Republikës së Kosovës për gjendjen e rëndë të tanishme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian gjatë pandemisë COVID- 19 dhe nevojat e tyre emergjente për t’u ndihmuar/përfshirë financiarisht në Fondin e paraparë për Rimëkëmbje Ekonomike.

Poshtë keni pak nga shkresa:

Meqenëse këto komunitete janë pjesë e grupeve më të cenueshme në vend, ato do të duhej të kishin edhe vëmendjen e veçantë si dhe i tërë procesi të bëhej në bashkërendim me organizatat e shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve. Kur jemi te komunitetet, një vëmendje e veçantë do të duhej t’i kushtohej edhe masave për mbështetje të punësimit/rritjen e punësimit te grupet e punëtorëve të komuniteteve me gjasa më të vogla për punësim.

Marrë parasysh statistikat e siguruara nga Ministria e Administratës Publike në dhjetor të vitit 2018, në 56 institucione publike kanë qenë të punësuar 30,635 persona, nga të cilët vetëm 113 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, apo 0.36 për qind. Kërkojmë nga institucionet përkatëse të marrin masat konkrete, fillimisht për të respektuar kuotën e paraparë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës – Neni 61 [Përfaqësimi në Punësim në Institucionet Publike] dhe Ligjin për Shërbim Civil Nr. 03/L-149 – Neni 11 [Pranimi në Shërbimin Civil], Ligji Nr. 03/L-212 i Punës, si dhe Rregulloren Nr. 04/2010 për procedurat e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të komuniteteve jo shumicë.

Hap tjetër i Kryeministrit në të mirë të komuniteteve në Kosovë do të ishte edhe përfshirja e organizatave të shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve në të gjitha grupet punuese ku do të diskutohet mirëqenia e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

….

Kërkojmë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës zotimin për transparencë në këtë proces e njëherit edhe përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile, në veçanti në trajtimin e komuniteteve.[iii]

Rreth 140 familje shqiptare, kroate, rome, ashkali dhe egjiptiane – në Graçanicë, Janjevë dhe Fushë Kosovë – janë mbështetur nga TIP – The Ideas Partnership, me pako ushqimore dhe higjienike gjatë pandemisë COVID19. Këto shpërndarje u mundësuan me ndihmën e Znj. Marcelle Delvaux Abbott, Z Laurent Velty dhe kolegët e tyre në Klubin Ndërkombëtar Prishtina, dhe Z. Nicholas Abbott për mbledhjen e ushqimit dhe transportin.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

TEKSTI NË GJUHËN ROME


[i] http://www.romaversitas.org/wp-content/uploads/2020/04/Roma-Versitas-Need-assesment-COVID-19-ALB-2.pdf

[ii] http://www.romaversitas.org/wp-content/uploads/2020/04/Roma-Versitas-Need-assesment-COVID-19-ALB-2.pdf

[iii] http://kosint2020.net/sq/lajme-dhe-ngjarje/shkrese-zyrtare-nga-oshc-te-per-kryeministrin-e-kosoves-ne-lidhje-me-gjendjen-e-komuniteteve-rom-ashkali-dhe-egjiptian/?fbclid=IwAR2Pp8D6IpYHIwmpH0p6–61wJWxJMdTXoTAGmxO29wSZICcgpfQZ27Ieew

Të ngjajshme