Shanset e dyta funksionojnë

11 Dhjetor, 2020 - 3:04 pm

Edona Shala

Emri i Elizabeth Gowing është tani më mjaft i njohur në Kosovë. Ajo në vitin 2006 erdhi në Kosovë për një periudhë 6 mujore, e që përfundoi në një qëndrim tash e 14 vjet këtu. 14 vjet më parë ajo u takua rastësisht me një familje të komunitetit ashkali në Fushë Kosovë. Ishte pikërisht ky takim i rastësishëm që e fokusoi punën e organizatës “The Ideas Partnership” në lagjen 28 dhe 29 të Fushë Kosovës.

Fillimisht ideja ishte që të dërgojnë një fëmijë në shkollë, pra vajzën e asaj familje, e pastaj përmes asaj vajze ata e kuptuan që nuk është vetëm një fëmijë që ka nevojë të arsimohet, ka shumë të tillë.

Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga përfshirja e nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët 95.3 % janë shqiptarë, ndërsa 4.7 % janë grupet tjera etnike.

Graf nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi numrin e nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët sipas përkatësisë etnike.

Pasi u takua me këtë familje Gowing e fitoi një ide më të qartë të domethënies së arsimit në zhvillimin e jetës, duke parë kushtet më të cilat rriteshin këta fëmijë. E nga instinkti i mësueses u inspirua të filloj punën e saj këtu në këtë drejtim.

Foto: Elizabeth Gowing së bashku me familjen e parë që e takoi në Fushë Kosovë

Elizabeth tregon se me kontaktin e vazhdueshëm me familjet e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian përveç arsimimit u vunë në pah edhe shumë fenomene tjera të cilat duhet luftuar si p.sh martesat e hershme, vdekshmëria e foshnjave, papunësia etj.

“Kur je pjesë e një komuniteti, ti i kupton sfidat edhe arsyet e këtyre sfidave edhe kështu ke mundësi me vepru diçka” shprehet ajo në një intervistë për KultPlus.

The Ideas Partnership filloi punën para 11 viteve. Emri The Ideas Partnership, thotë Elizabeth erdhi si rezulat e mënyrës si është hapur organizata në fillim. Në fillim puna nuk është menduar të ketë ndonjë fokus të veçantë. Ka qenë një ide e përgjithshme të ndihmojë në shumë fusha, me komunitetet, me ambientin, me kulturën, arsimin etj.

Tani me organizatën e saj, Elizabeth punon në Fushë Kosovë e Janjevë, dhe në vendet tjera ku komunitetet romë, ashkalinj e egjiptian janë më të lokalizuara. Ka shumë projekte të cilat organizohen me grup-mosha të ndryshme.

Elizabeth tregon që këtë punë e bëjnë me vullnetin më të madh për të sjellë ndryshime në jetën e atyre që kanë nevojë.

“Nuk jemi aty me fitu një projekt, jemi aty sepse kemi dashuri për këtë punë” shprehet ajo.

Foto: Elizabeth dhe disa prej pjesëmarrësve në The Ideas Partnership

Ajo flet për punën e kësaj organizate për fuqizimin e grave të komuniteteve përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme.  Është klubi i vajzave në Fushë Kosovë dhe Janjevë, që ka rreth 40 vajza që shkojnë çdo javë, të mësojnë për të drejtat e tyre, të inspirohen prej grave të suksesshme, të hapin horizontet për të parë se sipas saj :“Ka mundësi përtej martesës, përtej punës në shtëpi”

TIP punon edhe me gratë analfabete, projekt i cili përveç që ndihmon me gratë sigurisht ndihmon shumë edhe për fëmijët e tyre sepse ato nuk mund ti arsimojnë fëmijët nëse nuk kanë njohuri. Në Fushë Kosovë dhe Janjevë, çdo javë marrin pjesë 40 gra të cilat punojnë në aftësimin e tyre dhe mësojnë edhe për prindërimin.

Gratë që janë pjesë e projekteve të TIP, shkojnë aty me kusht që fëmijët e tyre të vijojnë shkollën. Sipas Elizabeth “Ideja është që të ndërprehet cikli i mos shkollimit të fëmijëve”.

Iniciativa për fuqizimin e grave

Të dhënat e përfshira te Strategjia për përfshirjen e komuniteteve romë dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021  tregojnë se në komunën e Obiliqit dhe të Fushë Kosovës shkalla e punësimit të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet 7% në krahasim me 40% të komunitetit shumicë shqiptar. Ndërsa, sipas një raporti  të Bankës Botërore, më 2017 punësimi i përgjithshëm i popullatës rome në Kosovë ishte 13%-22% për burrat, 4% për gratë. 

Një ndër iniciativat më të suksesshme të “The Ideas Partnership”, e cila synon të ndryshojë gjërat në këtë aspekt është ndërmarrja sociale “Sa Punë”.

Sa Punë funksionon si biznes nga viti 2012. Aktualisht ky biznes i ka të punësuara 13 gra të gjitha nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian. Ky biznes synon të fuqizojë gratë duke ju mundësuar atyre të punojnë, mësojnë, ti shesin produktet e tyre dhe kështu të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre.

Kur u themelua kjo ndërmarrje ato filluan me prodhimin e sapunëve, prandaj edhe emri i këtij biznesi është SaPunë.

Foto: Elizabeth së bashku me disa prej grave që punojnë në Sa Punë

Mergimtare Berisha, menaxhere e kësaj ndërmarrje tregon se gratë që punojnë aty tani merren me prodhimin e çantave, çantave me lavander, kartolinave e gjërave të tjera. Të gjitha këto produkte prodhohen nga materiale të cilat riciklohen dhe janë ekologjike.

Gjatë pandemisë gratë e Sa Punë kanë qepur edhe maska të cilat pastaj janë shpërndarë për familjet që kanë pasur nevojë.

Mergimtarja tregon se situata me pandeminë si në çdo aspekt tjetër edhe në tek ato ka ndikuar, mirëpo ajo i veçon momentet kur kanë pasur më shumë shitje të produkteve si disa prej momenteve më të mira, sepse gratë kanë fituar më shumë dhe sigurisht kjo drejtpërdrejtë ndikon në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Ajo më tutje tregon se Sa Punë synon të vazhdojë punën në drejtimin e njëjtë, duke rritur numrin e të punësuarave, të krijojnë edhe grupe tjera, dhe të përfshijnë edhe më shumë gra.

“Njerëzit duhet ta dinë qëllimin e krejt kësaj pune, kjo nuk bëhet për përfitimin material tonin, por t’i ndihmojmë gratë që me i mbajt të angazhume gjatë tërë kohës, që ato me pas mundësi me u shoqëru me njëra-tjetrën, edhe sigurisht me ju ndihmu edhe fëmijëve të tyre, dmth me të ardhurat që i fitojnë, të kenë mundësi të ju ofrojnë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë. Ne kemi dëshirë që përmes neve si një urë lidhëse edhe fëmijët e tyre të përfitojnë.” Shprehet Berisha për KultPlus.

Puna në këtë ndërmarrje në vitin 2012 filloi me punësimin e 5 grave. Vjollca Krasniqi është njëra prej grave të këtij grupi e cila punon në Sa Punë që prej themelimit të saj.

Vjollca është nënë e 4 fëmijëve, ajo e mban familjen e saj me punën që e bën këtu, sepse as burri i saj nuk punon. Fëmijët e saj të gjithë janë shkolluar prej kur ajo ka filluar të punojë këtu. Ajo tregon se ka arritur të fitojë mjaft edhe për veten edhe për fëmijët e saj. E para se të fillojë të punojë ajo tregon se gjithçka ka qenë më ndryshe.

“Kur spo i ki kushtet, fminë spo guxon as me i qu në shkollë” thotë ajo për KultPlus.

Ajo mbetet me shpresë për një të ardhme më të mirë për vajzën e saj ndërsa punën e saj vazhdon ta bëjë me dëshirën me të madhe.

Një storje tjetër është ajo e Arlinda Murtezi e cila jeton në lagjen 29 në Fushë Kosovë. Ajo është njëra prej grave përfituese të punës së “The Ideas Partnership”.

Ajo nuk ka shkuar kurrë në shkollë, mirëpo mësimet që i ka marrë në klasat e TIP, i kanë ofruar asaj mundësinë që të bëhet pronare e biznesit të saj personal.

Ajo e ka regjistruar biznesin e saj dhe tani e mban familjen me punën që e bën. Artizanet e saj Murtezi përveç në Kosovë ka arritur ti shes edhe në Angli. Ajo ka filluar të krijojë linjën e produkteve duke u inspiruar nga aktivitetet e mbledhjes së mbeturinave, të cilat janë burim kryesor i të ardhurave në komunitetin e saj.

E histori si kjo e Arlindës e Vjollcës, e shumë grave të tjera që kanë arritur të fuqizohen nga puna e pa lodhshme janë tregimet më të mira të ofrimit të shanseve të dyta.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com

Të ngjajshme