‘N’ty mendoj kur agon drita, kur bylbyli mallshëm kndon’

23 Tetor, 2021 - 6:30 pm

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Per ty i lehtë m’vjen cdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushë ma e blertë nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Janë ma t’kandshme stinë e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’shkëlxen.

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjallë me frymë unë jam,
Kurrë Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permend kam./KultPlus.com

Të ngjajshme