займ на карту онлайн потребительский кредит

Çelësat mos i merr asnjë, dhe largohu…

Prill 21, 2019 - 11:58 am

Arbër Selmani

Të parën, merre vazon e kaftë
merre edhe atë afër saj, vazon me motive orientale që u bë copë kur nisën grindjet tona
merri dy jastëkët ku zunë vend dy koka boshe
merri pjatat që na dhuruan 
në ditëlindjen e tretë
të fëmiut tonë të parë 
Merre aparatin e hekurosjes, 
që kurrë nuk e zbuti zemrën tënde të zezë si mustaqet e Hitlerit
merri patikat e verës, sandalet e pranverës, fustanet, syzet, setrat, të brendshmet, intimet, kukullat
merri dy goblenët që i blemë në Taksim
merre kasafortën e kursimeve, ku nuk kurseve kurrë pak lumturi
ku nuk na kurseve as mua e as ty.

Diplomën e Fakultetit të Drejtësisë
fjalës që ti ia humbe kuptimin
sinonimet, esencën
e ke poshtë tepihut
merre
shih si shkëlqeve në secilin provim, në secilën datë shkollore
në çdo definicion
pos në definimin e asaj çka ishte mes nesh.
merre atë pleh letre
merre edhe tepihun e korridorit
merri pikturat që nuk i dalin ballë shoqja shoqes
e majta, lule e Van Gogut
djathtake, Guernica 
urrehen, duan të dalin prej kornizave e ta plasin njëra tjetrën
Si unë e ti.
Merri çadrat e ditëve tona pa Diell
merri shallat e kashmirit që ti bleva në Strasburg
merre radion e vogël, dhuratën time kur të ngritën në pozitën e punës
merri të gjitha këmishat
të gjitha ngjyrat që prapë nuk e dritësojnë shpirtin tënd 
të thatë, 
si jogurt me datë të skaduar
merre pasaportën, anipse nuk të hyn në punë
se nuk ka shtet në botë që pranon dokument kaq të rënduar prej trishtimit
e ke poshtë televizorit,
në raftin e dytë
zbrazi të gjitha raftet e dollapit
të cilin s’ta jap dot se e bleva për shtatë palë qejfe.

Merri lapsat, fletoret
çantat
faturat e energjisë elektrike, e papaguar prej kur morri fund lufta
faturat e bërllogut, 
faturat e ujit, ujit që për të mirë nuk të lau kurrë.
merri erëzat e mëlmesat e shafranit,
unazat qesharake,
merri kartolinat
deodorantin që kutërbon qen i ngordhur
merr gjithçka që është e jotja
gjithçka që ti mendon se është e jotja dhe e ke përvetësuar,
Merri copat e metalta me të cilat mendon se po kërkon falje
futu në dhomë, merre llambën që e blemë bashkë, 
ditën e katërt kur nisëm bashkëjetesën
jetesën e zymtë së bashku
bashkimin e dërrmuar të dy jetëve
merre çdo libër që e lexova 
merre edhe këtë televizor
që u bë dëshmitari gojëmbyllur, shurdhi e memeci i shtëpisë
i kacafytjeve tona
merri krejt drojat tua për divorc
merri ëmbëlsirat që këtë mëngjes t’i përgatita me përulje,
merri targat e vjetra të veturës së vjetruar 
merre tavolinën
merre çdo fjalëkryq të paplotësuar
merre shtypin ditor
merri revistat pornografike poshtë orendive shtëpiake
merri makinat për rroje
që pa sukses provuan pastërtinë e atij trupit tënd
merri fotografitë tua prej albumit familjar
merre buzëkuqin e kalbur,

çelësat, as mos guxo,
mos i merr asnjë, 
dhe largohu. / KultPlus.com

Të ngjajshme