‘Mbasdite ora katër, ishim ndarë…’

3 Shtator, 2023 - 4:00 pm

Poezi nga Konstadinos Kavafis

Dielli i mbasdites

Këtë dhomë, sa mirë e njoh.
Tani, ësht’ dhënë me qira tok me atë ngjitur
për zyra tregtare. E gjithë shtëpia kthyer
në zyra ndërmjetësimi, e tregtimi, e Shoqëri.

Ah kjo dhomë, sa e njohur më është.

Pranë derës këtu ishte ndenjësja,
e përballë një sixhade turke;
pranë, rafti me dy vazo të verdha.
Në të djathtë… jo, karshi, një dollap me pasqyrë.
Në mes tryeza e punës;
dhe tre ulëse të mëdha kashte.
Ndanë dritares ishte shtrati
ku jemi dashuruar sa e sa herë.

Ndokund ende do jenë të gjorat gjëra.

Ndanë dritares ishte shtrati;
dielli i mbasdites e zinte deri në mes.

…Mbasdite ora katër, ishim ndarë
veç për një javë… Mjerisht,
ajo javë u bë përjetësi.

Përktheu: Edon QesariKultPlus.com

Të ngjajshme