Simfonia e vdekur

11 Mars, 2022 - 11:40 am

Bajram Mjeku

Kujt i duhet tash Teatri i Moskës
derisa Elena Kovalskaya nxori jashtë aktorët
të luajnë dramën e shekullit në Sheshin e Kuq.

Balerinat e trishtuara ikën nga podiumi
tututë me njolla gjaku i varën në mur
gjaku shpëlahet në Liqenin e Mjellmave
veç njollat e krimit nuk shpëlahen kurrë.

Në teatrin Bolshoi ka vdekur gjithçka
fantazma e Rasputinit u ringjall aty
paq t’ia hedh edhe një herë carit rus.

Nga çatia e Mauzoleut fluturoi korbi i zi
që moti është strehuar i mbështjellë në terr
mish njeriu lëshoi nga kthetrat e përgjakura
thanë është i një fëmije i vrarë në Kijev.

Orë e çast në shesh pandalur bie kumti
vini re, vini re, Kijevi ende nuk ra
në beteja oligarkësh e paranoja diktatorësh
veç rënie heroike s’ka!/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme