Vdekja e poetit

31 Korrik, 2018 - 12:30 pm

Poezi nga Ragip Sylaj, një elegji për vetveten.

Ç’vrapon poeti kryq e tërthor qytetit
Kërkon sponsorët për librin e ri
Dhe thith vetveten porsi cigaren
Zbrazëtirë përbrenda përjashta vetmi
Një ditë do të kërkojë sponsorë për mallin
Sponsorë për afshin përtëritjen e vet
Dhe do t’i gjejë sall sponsorët e vuajtjes
Se arti i vet poetin e vret
Mos u bëni sponsorë të poetit të marrë
Të poetit të dehur nga vuajtja njerëzore
Le të kuptojë i gjori se në kohë krize
I përgatit vetes një vdekje mizore
Dhe Lisi i shenjtë i vaditur me lot
Me rrënjët në ëndërr me degët në shpresë
Magjia e tij magji e Dodonës
Vallë është ardhmëri a vetëm kujtesë
Kur vdes poeti libri botohet
Pas vdekjes e mund poshtërimin e vet
Dhe s’pajtohet me librin s’pajtohet me kohën
Dhe e pret Rilindjen përjetësinë e pret. KultPlus.com

Të ngjajshme